Thursday, August 14, 2008

Cilësia e jetës dhe Tirana

Ata që e kanë jetuar Tiranën e para viteve të tranzicionit e kujtojnë fare mirë se në fëmijërinë e rininë e tyre kanë luajtur futboll apo basketboll në shumë fusha sporti të kryeqytetit. Ato njiheshin nga të gjithë sepse atje bashkoheshin skuadra lagjesh e rrugicash me tifozë lagjesh e rrugicash për të ngjizur një nga kënaqësitë e pakta të pandotura nga ideologjia që jepte jeta nën diktaturë. Ato qenë një nga vendet më të shëndetshme për krijimin e atij indi social pa të cilin individi mbetet një qënie e mangët në aspektin themelor që e bën atë të ndryshëm nga kafshët: sociabiliteti. Ishin vendi ku derdhej shumë energji e pasion rinor, ku ndërtoheshin miqësi e lidhje nga ato që shenjojnë krejt jetën. Me një parakalim të shpejtë nëpër kujtesën time do të sillja para sysh disa prej fushave kryesore ku kam luajtur futboll dhe basketboll: “Fusha e zezë” që ishte midis Pallateve të Oficerave dhe Kinema 17 Nëntorit; fushat pak përtej Maternitetit në fund të Bulevardit që shkurt i thoshim “Materniteti”; “Parku i Xha Tomit” tek rruga e Kavajës; fushat e Pallatit të Pionierëve ku kishte edhe fusha tenisi përveç futbolli dhe basketbollli; oborri i shkollës 10 Korriku; fusha prapa Shtëpisë botuese 8 Nëntori. Po përmend vetëm këto që i kam në kujtesë e që ndodheshin të gjitha brenda zonës së shtëpive ku kam banuar. Të tjerë mund të kenë në kujtesë edhe fusha më të vogla shkollash apo lagjesh. Midis tyre hyjnë edhe ato të Kompleksit Dinamo dhe Partizani për të cilat po flitet kaq shunmë këto ditë për shkak të projekteve të deklaruar nga Bashkia për shndrrimin e tyre në truaj ndërtimi.
Kujtoj se Tirana atëhere ishte një qytet me vetëm rreth 150 mijë banorë.
Nëse do të shtrojmë sot pyetjen: ku janë këto fusha sporti do të gjejmë se pikërisht mbi to sot janë ngritur pallate shumëkatëshe me një dendësi për metër katror që kalon çdo normë e ligj urbanistik të imagjinueshëm. Së fundi në njërën prej këtyre ish fushave, “Parku i Xha Tomit”, ku Kishës Ortodokse po i hyn në gojë një pallat i ri që po ndërtohet, ra një zjarr dhe zjarrfikëset nuk mundën të hyjnë pikërisht sepse aty nuk janë zbatuar as normat më elementare të urbanistikës.
Sot që Tirana po shkon afro 1 milion marrim vesh, pra, se edhe Kompleksi Dinamo edhe ai i Pallatit Partizani do t’i nënshtrohen të njëjtit fat. Do të shndërrohen në pallate shumëkatëshe. Kryetari i Bashkisë Edi Rama na e dha lajmin me të spërderdhurën e tij karakteristike para mikrofonit, që ka ardhur duke u bërë gjithnjë e më e sforcuar nga kontradikta gjithnjë e më në rritje midis asaj që thotë dhe asaj që bën. Ai shqiptonte vetëm fjalën “natyrë”, por duhet të ishe shumë më budalla nga ç’i pandeh njerëzit Edi Rama për mos të kuptuar se ai po kryente një tjetër akt vrastar ndaj qytetit.
Që Tirana është kthyer në “pre qensh”, siç e ka cilësuar Aurel Plasari para disa vitesh, këtë e dimë me kohë. Që Edi Rama ka marrë përsipër të bëjë dhëmbët e parë në këtë shqyerje të Tiranës duke përdorur të gjitha marifetet e mundëshme mashtruese, sa disinformimin e mediave, shumica e pronarëve të të cilave janë direkt të përfshrirë në këto plane, aq edhe me mashtrime me firma arkitektësh të huaj për të cilët, ata që i njohin nga më afër, thonë se i marrin lekët kesh në dorë, këtë e dinë të gjithë. Që Sali Berisha i cili erdhi në pushtet duke premtuar se do të vepronte kundër abuzimeve korruptive të Ramës që e kishin kthyer Tiranën, sipas tij, në vend riciklimi parash të pista, sot po ndan lejet e ndërtimit me Edi Ramën me një paturpësi më të madhe se ky i pari, mu për atë se e ka denoncur bash për këto gjëra, edhe këtë e dinë të gjithë. Por që të arrijnë deri aty sa të planifikojnë t’i vënë kazmën bashkë me dy komplekset sportive të mbetur edhe zonës së fundit të gjelbër të mbetur, Parkut të Liqenit artifical të Tiranës, kjo tregon se janë në një hall të madh.
Unë shpresoj që kjo historia hollandeze e 33 katësheve të jetë thjesht një lojë, një fushatë propagandistike për të thënë se industria e ndërtimit është në lulëzim dhe jo në krizë, siç thuhet poshtë e përpjetë, sepse nuk dua të besoj se papërgjegjshmëria e mirënjohur e këtyre njerëzve tyre ndaj qytetit dhe banorëve të Tiranës e shqiptarëve në përgjithësi mund të arrijë deri në këtë shkallë vetëdemaskimi. Megjithatë, duke menduar pikërisht se ka ardhur kjo krizë e ndërtimit, në vazhdën e shkrimit të botuar para disa javësh me titull “Kriza e një zhvillimi të paqëndrueshëm” (Korrieri, 30 qershor 2008) dhe në dritën e këtyre projekteve të fundit të shkatërrimit të dy komplekseve sportive dhe të zonës së gjelbër të Parkut të Liqenit dua të ngre edhe një herë në këtë shkrim alarmin se investimi i parave të shqiptarëve thuajse tërësisht në industrinë e ndërtimit është një vepër vetëvrasëse që po e paguajmë rëndë dhe rrezikojmë ta paguajmë edhe më rëndë. Këtu nuk dua të ndalem në aspektin e krizës ekonomike që na kanoset për shkak të hipertrofizimi në kurriz të ekonomisë prodhuese të këtij sektori. Kam shkruar disa herë për këtë. Edhe Spartak Ngjela bënte një paralajmërim në gazetën Panorama të djeshme. Këtu dua të theksoj edhe një herë një problem që ka të bëjë me atë që e quajmë cilësi jete e cila përcakton edhe llojin e kërkesë që kemi në ligjin e kërkesë ofertës që përcakton edhe fatin e kësaj industrie. Çfarë tregon shkatërrimi i fushave të sportit njëra pas tjetrës? Çfarë tregon pirshja e parqeve njëri pas tjetrit, e kinemave dhe zëvendësimi i tyre me banesa, vetëm me banesa dhe me kafenera e restorante? Kjo tregon, tek e fundit, një nivel të ulët, tejet të ulët, të asaj që quhet cilësi jete që po u imponohet shqiptarëve sa nga padija aq edhe nga zorri. Pra nuk është çështja vetëm atje se një pjesë njerëzish i kanë kthyer paratë vetëm në aparamente që as nuk haen as nuk prodhojnë e se, pa prodhuar, nuk blihen dot aapartamente të reja. Çështja është se edhe vlera e këtyre aparatmenteve po vjen e ulet për shkak se cilësia e jetës në shtëpinë e madhe po vjen duke u ulur pasi një apartament ka vlerë kur ka një dendësi për metër katror të pranueshme më së pari, kur ai përdoret, më së dyti, kur ka pranë një shkollë, një kopësht, një park, një fushë sporti, një kinema, një teatër, parkime të rehatëshme – pra tërë atë hapësirë publike që përbën shtëpinë tonë të madhe. Nëse të gjitha këto mungojnë atëhere cilësia e jetës përkeqësohet aq herë sa më shumë të mungojnë këto elementë të shtëpisë së madhe. Çështja ngrihet: a nuk e dinë shqiptarët se cilësia e tyre e jetës në shtëpinë e tyre të madhe është përkeqësuar disa herë; a nuk e kuptojnë se nuk është normale që dikush t’u ngrerë një pallat që u merr pemën e fundit që u zinte syri, që s’kanë më se ku të parkojnë, se ajri që thithin nga kjo dendësi e paparë po ua shkurton jetën? Shumica e dinë, por ndjehen të pafuqishëm për ta ndalur këtë masakër. Sot takon panumër njerëz që ankohen se s’kanë ku të çojnë fëmijën e vogël për të shëtitur, që miqtë e Ramës e Berishës u kanë ngritur pallate mu tek ballkoni i tyre, për ndotjen e ajrit, mungesën e parkimeve, për prishjen e lulishteve të mbetura (kujtoj se sipas planve të fundit të Rama - Berisha do të prishet edhe lulishta para PD edhe ajo midis Bankës Kombëtare dhe Muzeut Kombëtar edhe ajo prapa pallatit të Kulturës.)
Duke shëtitur dy miq të huaj nëpër Tiranë mbeta i habitur edhe vetë me atë se sa pak gjëra mund t’u tregoja atyre nga ajo që ata donin të shihnin nga Tirana historike. Hyra në një lagje midis rrugës së Barrikadave dhe rrugës Siri Kodra, ku kisha idenë se ishin ruajtur disa pjesë të Tiranës së vjetër, e që, për ironi, është zona ku ka shtëpinë e vjetër edhe Presidenti Topi. Por aty pashë se muajt e fundit në mënyrën më kaotike të mundëshme ishin shembur shtëpitë e vjetra e po ngriheshin cip mbi cip, mbi rrugica njëkalimëshe, pallate shumëkatëshe. E vetmja gjë impresionuse dhe interesante për miqt e mij rezultoi ky “zhvillim” i paparë në egërsinë dhe kaosin e tij. Kur shihnin ndonjë shtëpi të vjetër që u pëlqente ngrinin pyetjen: “po a nuk ka këtu intelektualë që t’i blejnë dhe të kërkojnë të jetojnë në këto shtëpi.?” Edhe ky shkatërrim i historisë dhe kujtesës së Tiranës sigurisht flet për cilësinë e jetës së prishur që ul edhe më vlerën e baneasve të reja duke ulur kërkesën.
Ngulmoj se megjithë injorancën e një pjese të madhe që, sigurisht, e ul ndjeshmërinë prapseprap tiranasit janë të vetëdijshëm për atë se çfarë po ndodh. Paradoskalisht, sipas meje, pikërisht kjo vetëdije e cilësisë së jetës së prishur po na çon edhe tek prishja e fushave të fundit të mbetura sportive, të zonave të gjelbëra të mbetura të cilat, për më tepër, janë edhe pronë publike; pra nuk po na çon tek tentativa e rregullimit të shtëpisë së madhe, por tek tenativa për të rregulluar kush të mundet shtëpinë e vogël. Ato po sulmohen pikërisht për shkak të kësaj asfiksie me synimin që nesër, duke u privatizuar e bërë ndërtime aty, të rregullojnë financae e cilësinë e jetës së një pakice për t’i prishur edhe më tej cilësinë e jetës shumicës.
Në fakt sot Tirana ka nevojë për të kundërtën e asaj që po bëjnë me fushat sportive dhe jo vetëm Berisha, Rama bashkë me “sponsorët” e tyre financiarë e mediatikë. Ajo ka nevojë të ngrihet cilësia e jetës që nuk mund të reduktohet kurrsesi në kafazin e një pallati, dhe as në kafenenë poshtë tij. Ajo përmirësohet pikërisht duke shtuar parqet, fushat e sportit, pishinat, kinematë, teatrot e tërë ato hapësira publike që dallojnë një qytet normal nga një qytet çmendinë. Dhe kjo nuk mund të bëhet duke i transferuar këto hapëpsira publike në kodrat përreth kryeqytetit, siç thonë disa, por duke i vendosur ato pranë vendbnimeve të njerëzve. Që të realizohet kjo Tirana ka nevojë të ngrijë ndërtimet e banesave që po e asfiksojnë përditë, të kanalizojë industrinë e ndërtimit në drejtime të tjera ku, përsa i përket investimeve urbane, të shpenzohen shumica e të hollave publike për gjelbërim për ndërtim shkollash e kopështesh e parqesh - pra për të rritur hapësirën publike që rrit cilësinë e jetës. Sot ndërtesat ende shtetërore që presin t’i marrin për pesë lek privatët për t’i përdorur për sheshe ndërtim duhet të përdoren për të ngritur aty shkolla, kopështe ose parqe. Po ashtu atje ku ka ndërtesa të ulta njëkatëshe që nuk kanë ndonjë vlerë historike e që kanë mbetur në mes pallatesh duhet të mendohet të merren nga Bashkia, duke kompensuar pronarët, e të shndrrohen në kopshte e shkolla e parqe e sheshe sportive për të normalizuar çka mund të normalizohet. Shtëpitë e vjetra me vlerë historike duhet të restaurohen. Kjo do të ngrinte sadopak cilësinë e jetës së degraduar. Ku do të gjinden paratë për të bërë tërë këtë? Sipas meje një pjesë e mirë e parave do të gjinden duke ulur çmimet e apartamenteve të pashitura e duke mbledhur taksa e shitjes së tyre. Ata ndërtues që kanë fituar shumë, deri disa herë më shumë se kostoja deri tani, në vend se 1,5 herë, siç ndodh në vendet normale, sot duhet të pranojnë të fitojnë më pak në emër të normalizimit të shtëpisë së madhe. Të sulmosh zonat publike e të gjelbërta të mbetura e fushat sportive që u përkasin të gjithëve apo edhe peisazhin përreth me idenë të marrim ç’të mundim sot, apo të dalim nga kriza me çdo mjet, është një strategji e gabuar që do të çojë shumë shpejt tek ndëshkimi i kësaj pakice që, me në krye Ramën e Berishën, po e tërheq vendin në një qorrsokak dramatik të ngjashëm me atë të vitit 97. (Korrieri, 6 gusht 2008)




1 comment:

Anonymous said...

I dashur z. Lubonja,

pershtypja ime eshte se te gjithe ata te cileve mund tju benin pershtypje keto qe thoni ju kane care ferren dhe jetojne sot ne qytete e qyteza te Perendimit ku raporti beton gjelberim anon ndjeshem ne favor te ketij te fundit.

Qytetaret e Tiranes, ne mase te madhe e kane gjetur zgjidhjen individualisht: ata kane marre veten dhe eventualisht familjen e tyre dhe kane ikur.

Per kete arsye trysnia shoqerore qe mund te ushtrohet mbi administratoret tane te korruptuar eshte mjaft modeste.

Mbetet ndonje shprese tek brezat me te rinj, brenda te cileve ndoshta perqindja e atyre individeve qe nuk zoterojne interesa ne sistemin e mbrapshte aktual Shqiptar do te jete e mjaftueshme per te krijuar nje grup shoqeror te pakenaqur dhe protestues.