Saturday, October 18, 2008

A jemi pjesë e krizës botërore

“Fundi i kapitalizmit” titullohej një prej shkrimeve të gazetave perëndimore të ditëve të fundit.
E fillova me këtë frazë për të venë në dukje se sa e fortë është kriza ekonomike që po përjetohet sot në botën perëndimore dhe më gjerë. Ajo konsiderohet si më e rënda që nga koha e Depresionit të madh në SHBA në vitet 20 - 30 të shekullit të kaluar. Po cilësohet edhe si krizë “morale” e sistemit kapitalist dhe e vlerave të tij. Ndërkaq, megjithëse thuhet se sot të gjithë jetojmë në një fshat global, në lagjen tonë jehona e kësaj krize vjen si shumë e largët; si diçka që na përket dhe nuk na përket, apo si punë e të mëdhenjve. Shqetësimi i vetëm tek ne është nëse mund të falimentojnë edhe bankat tona apo jo. Specialistët tanë bëjnë kujdes të na bindin se “paratë tona nuk janë të intoksikuara” ndonëse pa na dhënë shpjegime bindëse, me të dhëna konkrete, për të na hequr shqetësimin e paralelizmit me deklaratën e Berishës në prag të rënies së piramidave më 1997 mbi paret tona “të pastra”. Pra, pa na hequr edhe dyshimin se në rastin më të mirë, këtë e thonë nga frika e një paniku që mund t’i çojë njerëzit në tërheqje të kursimeve e, në rastin më të keq, sepse në një mënyrë apo tjetër mund të jenë përgjegjës e të lidhur me një krizë të mundshme.
Por ajo që po ndodh na përket shumë më nga afër nga ç’duket, jo thjesht lidhur me sigurinë e parave tona nëpër banka, por shumë më thellë e më gjerë. Le të prek vetëm ndonjë aspekt që, sipas gjykimit tim, e bën krizën edhe pjesë e jona. Thelbi i lidhjes sonë me krizën, sipas meje, ka të bëjë me modelin që ne kemi marrë për të imituar i cili, në fakt, sipas analistëve më të thellë të kësaj krize, është shkaku kryesor i saj
Para së gjithash duket thënë se klasa jonë politike nuk ka qenë asnjëherë e aftë të zhvillojë një qëndrim kritik ndaj modeleve që kemi imituar në përgjithësi dhe po ashtu aq më pak është treguar e aftë të adoptojë në mënyrë krijuese dhe pozitive atë që mund t’i shkonte realitetit tonë. Ajo i ka marrë modelet triumfuse, i ka fetishizuar falë padijes, ia ka adoptuar mendësisë sonë klanore, dhe i ka përdorur për keq, kryesisht si instrumente pushteti dhe jo zhvillimi duke e bërë vendin, tek e fundit, karikatura e modeleve të imituar. Kështu bëri dje Enver Hoxha me komunizmin duke pretenduar se ishim të vetmit marksist – leninistë të vërtetë e duke refuzuar çdo revizionim. Kështu bëmë e po vazhdojmë të bëjmë ne me kapitalizmin neoliberist duke u bërë pasqyra ku neoliberizmi mund të shohë karikaturën e vetvetes në pamjen e vet më groteske.
Çështja e parë që dua të prek ka të bëjë me atë aspekt të kapitalizmit që lidhet me raportin midis shtetit dhe tregut, privates dhe publikes që është rikthyer në vëmendjen e analistëve pas kësaj krize. Modeli të cilit ne i jemi referuar ka qenë ai neo-loberist amerikan, i shteti të vogël dhe tregut të madh e të lirë dhe jo ai evropian ku ka mbizotëruar modeli i shtetit social. Shkaqet e kësaj zgjedhjeje, sipas meje janë disa, por më kryesorët kanë të bëjë me atë se ky model, i cili, për hir të së vërtetës, duhet thënë se u adoptua në një masë të kosiderueshme edhe nga Evropa, i shkonte më për shtat interesave të asaj pakice që filloi të pasurohet marramendshëm duke përdorur çdo mjet. Kulti i privatizimit të gjithshkaje, i derregullimit, i “laisser faire” tek ne është shtyrë në ekstrem, deri në informalitet, për të mos thënë deri në liri për të grabitur. Jo vetëm me të djathtët tanë, por edhe me të majtët shqiptarë – jo rrallë më shumkë me këta - nuk guxon të flasësh për kujdesin shtetëror në shumë drejtime, për ruajtjen e pronës publike sepse menjëherë të përgjigjen: këto i përcakton tregu. Në këtë linjë shteti tek ne ka hequr dorë jo vetëm nga ato që quhen funksionet e tij sociale, por edhe nga kontrolli edhe nga përcaktimi i politikave afatgjata të një zhvillimi të qendrueshëm. Rezultatet shihen me sy, po i provojnë të gjithë mbi kurriz. Pasurimi i një grushti njerëzish nëpërmjet grabitjes së pronës publike dhe shpërdorimit të burimeve natyrore e njerëzore duke përdorur për këtë edhe shtetin është thelbi i politikës së këtyre 18 vjetëve. E përsëris: këtë rezultate nuk janë thjesht e vetëm rezultat i aplikimit të modelit neo-liberist. Tek ne ai është tejet i deformuar nga korrupsioni e nga ekonomia kriminale, por nuk mund të mohoet se triumfalizmi i tij në Perëndim ishte një “ndihmë” për qëllimet e mbrapshta të kastës sonë politiko - ekonomike.
Kriza e sotme në Perëndim po tregon se lënia e fateve të njerëzve në “dorën e fshehtë” të tregut shpije në rënien e fateve të njerëzve nën dorën e zezë të spekulantëve edhe në vende me demokraci të konsoliduar ku ka edhe një gjyqsor të pavarur edhe një media të pavarur. Sot derdhja nga ana e shtetit amerikan të 700 miliardëve për të mundësuar ndalimin e krizës apo blerja nga ana e shteteve perëndimore e borxheve të këqija të bankave në thelbin e vet përgënjeshtroi teoritë e tregut të lirë, e konkurrencës së lirë të pakontrolluar nga asgjë përveçse nga tregu. Sot po flitet përsëri për rolin e shtetit, për rikthim të Keynesit që shpëtoi Amerikën në vitet 20 duke hapur epokën e shtetit social në Perëndim. Sigurisht roli i shtetit paraqet edhe rreziqet e veta të provuara tashmë, veçanërisht përsa i përket lirisë. Por pikërisht edhe njohja e tyre duhet ta çojë botën në sinteza të reja. Nuk është e rastit që akademia Suedeze i dha çmimin Nobel për ekonominë këtë vit ekonomistit amerikan Paul Krugman i cili është si kundër parimit të tregut të madh me shtet të vogël ashtu edhe kundër tregut të vogël me shtet të madh, duke i mshuar idesë së nevojës së shtetit të madh si përgjigje ndaj tregut të madh.
Aspekti tjetër negativ i modelit që kemi përdorur ka të bëjë me atë që Sarkozi e quajti gjatë këtyre ditëve si nevojë e kalimit nga “kapitalizmi spekulativ” në “kapitalizmin sipërmarrës”. Me një fjalë nga kapitalizmi i bankave e bursave në kapitalizmin që kthehet e bëhet prodhues.
Edhe në këtë aspekt ne jemi karikaturë e asaj që ndodh në Perëndim. Kapitalizmi ynë mund të quhet gjithshka, por kurrsesi prodhues. Është një kapitalizëm i spekullimeve, i privatizimeve klienteliste të pronave të socializmit që rishiten me çmime shumë herë më të shtrenjta, kryesisht për ndërtime, i rikthimeve korruptive e klienteliste të pronave të pronarëve të vjetër ashtu sikurse edhe i uzurpimeve të tyre të paligjëshme, është një kapitalizëm i riciklimit të parave të pista të drogës dhe trafikimit të prostitutave, i shfrytëzimit të egër të burimeve pyjore, ujore, bregdetare etj., një kapitalizëm i tregëtarëve, i restoranteve dhe kafe – bareve, por gjithsesi jo prodhues. As industria e ndërtimit, që ka qenë thuajse e vetmja që ka funksionuar në vend, duke krijuar numrin më të madh të punësimeve, nuk i përket sferës së ekonomisë prodhuese. Kthimi përdrejt një kapitalizmi prodhues ka qenë sfida më e madhe e ekonomisë shqiptare edhe para se të vijë kriza në Perëndim e Sarkozi të flasë për nevojën e kalimit nga kapitalizmi spakulativ në kapitalizmin sipërmarrës. Por, meqënëse jemi vendi i imituesve e fetishizuesve të pandershëm e jo i krijuesve dhe kritikëve të ndershëm edhe në këtë aspekt, pa e zgjatur, mendoj se ky ndryshim i modelit në Perëndim, që do të thotë një rikthim i vëmendjes tek prodhimi, ndoshta do të ndikonte sadokudo në ndryshimin e turravrapit të ekonomisë sonë spekulative për kah një theqafje e ngjashme me atë të 97-tës.
Së treti, çka më duket dhe më e rëndësishmja, kjo krizë është edhe reflektim i krizës së sistemit të vlerave të shoqërisë konsumiste e së cilës ne përsëri jemi karikaturë. Një nga shkaqet kryesore që e ka futur botën në krizë është drogimi i njeriut me dorgën e plotësimit të dëshirave të tij konsumiste. Merr borxhe për të plotësuar dëshirat e tua që mbahen gjithnjë të pangopura që ti të marrësh borxhe të tjera për realizimin e tyre. Adrenalina e prodhuar nga kjo drogë që ka të bëjë në thelb me sistemin e vlerave të njeriut është në rrënjë të krizës. Një anekdotë e cituar nga Bauman në një shkrim të fundit mbi krizën flet për dy qasje të ndryshme sipërmarrëse. Në Afrikë kemi dy përfaqësues perëndimorë fabrikash që prodhojnë këpucë. I pari i shkruan fabrikës së tij : këtu të gjithë ecin zbathur prandaj nuk ka nevojë të dërgoni këpucë. I dyti i shkruan të vetëve: këtu të gjithë janë zbathur prandaj dërgoni sa më shumë këpucë. Qasja e dytë ka kuptimin se shumçka nga ato që njeriu kosumon sot nuk kanë të bëjnë me nevojat e tij të natyrëshme, por janë produkt i manipulimit të tij nga ana e tregut. Dhe kjo është qasja mbizotëruese sot në Perëndim. Mjafton të kesh parasysh shkallën marramendëse të uzurpimit të mendjes së njeriut nga reklamat televizive dhe jo vetëm. E gjithë shtysa është pasurimi i disave. Po ne ? Ne kur dolën nga komunizmi ishim si ata afrikanët që ecnin të gjithë pa këpucë. Dëshira për të veshur këpucë mori përmasa të papara. Rezultati shumë shpejt nxorri një karikaturë të konsumizmit perëndimor të kritikuar nga Bauman. Mjafton të shikosh makinat super të shtrenjta 4X4 që ecin në rrugët e Tiranës e t’i krahasosh me makinat që sheh në Perëndim – ku ato blihen shumë më tepër sipas kriterit të mundësive dhe nevojave, - për ta kuptuar karikaturën e fenomenit. Sigurisht kjo mendësi çoi edhe në kërkimin dhe gjetjen e mënyrave për pasurim të shpejtë që e bënë karikaturën gjithnjë e më groteske. Një burrë i urtë gjerman që jetoi për ca kohë në Shqipëri më tha një ditë: « Ju kujtoni se ne ju respektojmë kur ju shohim me makina të shtrenjta. Ne pikërisht kur ju shohim mbi to humbasim çdo respekt. »
Sot vështirë se mund të dilet nga kriza pa ndryshimin e mendjes së njeriut, të dëshirave të tij, me fjalë të tjera edhe pa ndryshimin e sistemit të tij të vlerave. Këto duhet të largohen nga kënaqësitë konsumiste dhe të shkojë më shumë përkah kënaqësitë intelektuale shpirtërore, të punës dhe jo vanitetit, të modestisë dhe jo mburrjes, të jetës në harmoni me natyrën dhe jo të dhunimit të saj etj.. Edhe në këtë aspekt kam frikë se pa ndryshime radikale në modelin që ne imitojmë vështirë se do të hyjë një prirje ndryshuese edhe në shoqërinë tonë. (Korrieri, 16 tetor 2008)

4 comments:

meditime-pershtypje said...

Pyetjes suaj,i nderuari Lubonja,i pergjigjem:po.Jo vetem qe jemi ,por,sic duken bathet e priftit,do ta pesoje prape.Se njehere e hengra nga Gjallica dhe tani,sic mendoj,do ta ha nga"kriza"qe,gjasme,Shqiperine nuk e ze."Povera noi",-mallkonte Malombra proverbial i Petro Markos dhe,po keshtu them nga larg(jam ne USA!)une.Po jetoj ate paradoksin qesharak qe me ka ndodhur dikur.Luaja letar me nje kumarxhi te thekur,i cili me kish zhdepur.Po une vazhdoja me shprese(shpresa... a nuk eshte malli qe shitet me lire?!)dhe ai,plaku,qyferexhi me skuqi:"Ujku eshte duke e mbaruar se ngreni gomarin dhe ai thote:ishalla jam ne enderr."Dhe une them qoft si nje enderr.Se,po humba edhe ato qe kam arketuar ne shtet,atehere kam nje fund:fundosjen time morale po se po,po dhe fizike.Por e kane mire italianet,i nderuar,qe thone:"Njeriu rron me shpresa te medha,po vdes me breke te dhjera!".Ta kene thene per mua?
Epo ta gezoj:sipas kokes dhe festen.
Sic e sheh,u bera qarraman.Po kam kohe qe po me ha koka dhe vetem ze e kruaj.Dhe nuk kam si e mohoj,punen tuaj te nderuar,qe me kete artikull si nje pyetje sugjestive,di t'i vesh pikat mbi i.Kambanet bien per ata qe kane veshe,kurse une,per arsye qe nuk varen(tash per tash nga une?!) i kam veshet te zene me dylle.Ama koken po e kruaj.Se u dogja nga qulli dhe po i fryj dhe kosit.Po do vuaj ate sindromen e shpreses dhe,domsdo,te asaj thenies se italianeve.Sidoqofte,shpresoj...
Gjithe te mirat dhe te falenderoj.
Perparim Hysi,20 tetor 2008

Edon S said...

Pershendetjet e mia,

N'librin e Kadarese, Lulet e Ftohta te Marsit, nji dekade mbas renies te sistemit komunist, behet fjale se qeveria e ka ndermend te udhezon me Kanun. A nuk asht edhe sot keshtu? Kanuni = regullimi, kurse Leke Dukagjini Amerikan po na del Ron Paul-i...?! :)

Gjitha t'mirat...

Edon S said...

p.s. Harrova te shtoj, kjo analize, si shumica e analizave tuaja, asht teper reale dhe koncize. Keni aftesi me i thjeshtesu gjanat, per ate, si nje student i'u falenderoj...

dionisapollon said...

Zoti Lubonja, me lejoni t'ju perngjasoj me Erich Fromm per frymen e analizave tuaja sa sociale aq edhe humaniste qe mbushin artikujt tuaj. Ju uroj shendet dhe suksese duke ju falenderuar sinqerisht per ndriçimin e mendjeve te hapura ndaj dijes dhe erresires ku ndodhet vendi yne. Vazhdoni te ndriçoni si diell...