Thursday, October 2, 2008

Mallkimi kinez, Obama dhe e majta shqiptare

“Jetofsh në kohëra interesante” - ky është mallkimi kinez për të cilin e kam fjalën. I jam referuar edhe herë tjetër në një nga shkrimet e shumë kohëve më parë. Por është një mallkim që e mbajmë si kryq mbi shpinë çdo ditë, në çdo hap që hedhim në jetë, dikush në mënyrë të vetëdijshme dikush në mënyrë të pavetëdijëshme, prandaj dhe meriton të përmendet më shpesh. Në leximin e parë mund të duket si një urim, sepse mund të duket gjë e bukur të jetosh në kohë interesante, por, paradoksalisht, është një mallkim sepse, ashtu sikurse e interpreton edhe Hannah Arendt, “kohët interesante” nuk të lenë të futesh në kuptimin e gjërave, ato të mbajnë në sipërfaqe duke të penguar jo vetëm të shijosh kënaqësinë e mendimit e reflektimit, të njohjes së thellë të fenomeneve, çka është një nga kënaqësitë më të mëdha të “hommo sapiensit”, por edhe sepse, në mungesë të aktivitetit intelektual e shpirtëror, njeriu vështirë se mund të krijojë diçka të qëndrueshme, të bëjë sinteza të rëndësishme etj., etj. Është një mallkim që mund t’i shkojë fare mirë një individi të vetëm, por edhe një shoqërie të tërë sepse, ashtu sikurse individi ka nevojë për qetësinë shpirtërore për t’u futur në thellësinë e gjërave që përjeton, ashtu edhe një shoqëri ka nevojë për kushte paqeje dhe begatije shoqërore që të zhvillojë e pasurojë jetën e vet kulturore e shpirtërore.
Po Obama dhe e majta shqiptare si mund të lidhen me këtë mallkim? - do të pyesë lexuesi. Kanë një lidhje shtjellimi i së cilës është edhe tema e këtij shkrimi.
Besoj se nuk është e nevojëshme të zgjatem për të vënë në dukje faktin se një nga gjërat që bije më fort në sy në Shqipëri është numri i madh i ngjarjeve “interesante” që rrëmbejnë vëmendjen e publikut, e jo vetëm, por edhe energjitë e tij duke e lodhur e stresuar atë deri në tejngopje. E për rrjedhojë edhe faktin se, në të gjithë zallamahinë që krijojnë këto ngjarje, mungojnë aq shumë hapësirat ku të vihet re se njeriu shqiptar ka ndalur për të reflektuar lidhur me kuptimin e gjërave që i kanë ndodhur, për t’i ballafaquar ato me filozofitë e vizionet për jetën e botën, me mendimet e përvojat e të tjerëve, me teoritë e reja etj., etj.. Sepse, sapo ai ndalet për të reflektuar, ndodh një ngjarje tjetër që ia nxjerr përsëri nga fokusi atë që sapo e kishte vënë në fokus. Këtë fenomen e ka vënë në dukje edhe Çurçilli kur ka thënë për ballkanasit se prodhojnë histori më shumë sesa ç’mund të asimilojnë. Pra “koha interesante” duket nuk është vetëm çështje e kohës që jetojmë sot, por, më në përgjithësi, çështje pjekurie ende të paarritur.
Në këtë shkrim dua të ndal vetëm në një nga faktet që e ilustron efektin e keq të mallkimit kinez, por që është një fakt shumë i rëndësishëm, sipas meje. E kam fjalën për konstatimin e mungesës thuajse të plotë të përpjekjeve nga ana e të majtës shqiptare për të reflektuar e përthyer në kontekstin shqiptar konventën e demokratëve në Denver që zgjodhi Obamën kandidat për president të SHBA. E them këtë duke patur parasysh se e gjithë bota ku bëjmë pjesë, apo ku aspirojmë të bëjmë pjesë, u mor aq shumë me të. Nuk ka dyshim se kjo mungesë lidhet me mallkimin kinez. Është ai që nuk na le të shijojmë “luksin” e daljes nga koha interesante. Gërdeci, Trebicka, vrasje, vetëvrasje ligji elektoral, kapja e prokurorit, korrupsion këtej, korrupsion andej, sherre, grindje, batuta, sharje të ndërsjellta mbushin përditë faqet e shtypit të shkruar dhe po ashtu të lajmeve e debateve politike. Mbushin edhe aktivitetin e së majtës që është në opozitë. Nganjëherë, madje, këto gjëra interesante krijohen edhe qëllimisht për ta bërë edhe më të rëndë peshën e mallkimit.
Kështu në mediat tonë pashë lajmin se në konventën e demokratëve në Denver kishte marrë pjesë edhe një delegacion i socialistëve apo, të paktën, që kishte qenë atje kryetari socialist Rama, por, ndërkaq, megjithë shfaqjet e përditëshme në media të kryetarit socialist, askund nuk vura re as komente të tij dhe as interesim të gazetarëve për të njohur se me çfarë mbresash e idesh ishte kthyer prej andej. Nuk konstatova të ishte marrë me këtë ngjarje as edhe një fondacion i krijuar qëllimisht për këtë nga PS-ja siç është ai Qemal Stafa. E vetmja gjë që kam parë të komentohet lidhur me dy kandidatët amerikanë për president është çështja nëse janë apo jo ata në favor të pavarësisë së Kosovës.
Kurse ajo që ndodhi në Denver është një ngjarje që e ka bërë Botën të flasë pa fund për të. Ajo konsiderohet si ngjarje epokale. Një filozof e cilësoi si një ndryshim më tepër se sa kulturor, "antropologjik". Biri i një keniani me emrin Barak Hussein bëhet kandidat për president i partisë më të vjetër në botë, të krijuar nga Thomas Jeffersoni më 1792. Ky ka qenë një pronar skllevërish dhe baba metisësh si Obama, të lindura me skllavet e tija. Jeffersoni nuk do t'u besonte syve duke parë atë që po ndodh sot. Por jo vetëm ai. Edhe shumë amerikanë që sonte janë gjallë. Në vitet kur lindi Obama rreth gjysëm shekulli më parë Martin Luter Kingu mbante fjalimin e tij të famshëm që përkujtohet si “ëndrra" e Martin Luter Kingut. Aty ai tha se ëndërronte një SHBA ku njerëzit të mos vlerësoheshin nga ngjyra e lëkurës, por nga ajo që ata vlejnë, e se Amerika nuk do të bëhej kurrë një vend i madh nëse kjo ëndërr nuk bëhej realitet. Vetëm në ato vite (1968) Gjykata e Lartë amerikane anullonte ligjin kundër martesave ndërraciale që synonte ta mbante "racën të pastër". Sot Obama konsiderohet si realizim i ëndrrës së Kingut. Por që Obama të mund të mbante fjalimin e tij në Denver më 2008 janë dashur sakrifica pa numër. Është dashur rezistenca e shumë burrave dhe grave me mendje të ndritura, janë dashur edhe viktima e heronj. Vetë Martin Luter Kingu u vra. Është dashur lufta e studentëve çifutë që kërkuan mbrojtjen e të drejtës së të zinjve për të votuar etj.. "Në asnjë vend tjetër të botës nuk do të ishte e mundur historia ime" deklaroi Obama në Dever.
E pra, lufta për realizimin e kësaj ëndrre është një leksion shumë i madh në një vend si ky i yni ku luftrat dhe sakrificat në emër të ëndrrave të tilla si ajo e barazisë së mundësive midis njerëzve, kundër paragjykimeve racore e nacionaliste duket se nuk bëjnë pjesë as në mendimin e të majtës pale të djathtës, madje ku të majtë dhe të djathtë propagandajnë, por edhe më shumë aplikojnë, dallimet kalsore e racore si mjet i zhvillimit; ku ke përshtypjen e një shoqërie ku individi jo vetëm nuk guxon të sakrifikojë, por as nuk ka ideale për të cilat të sakrifikojë. Kuptohet se mbi të gjitha ky është një leksion për atë që pretendon të jetë e majta shqiptare e shekullit XXI. Po ashtu, në këtë kontekst, më duket se duhet vënë fort në dukje se për ne, që e kemi parë SHBA thjesht e vetëm si një mit, kjo optikë e parjes së ndryshimit atje duhet të jetë një mësim edhe për ecjen tonë. Amerika nuk është një mit i palëvizshëm, por është një vend në ndryshim, që ka aq shumë probleme - ndryshe nga ç’e idealizopjmë ne, - dhe që i zgjidh ato në një rrugë pa fund emancipimi.
Por përtej aspektit epokal që lidhet me emrin Obama mendoj se konventa e demokratëve do të duhej të tërhiqte vëmendjen e të majtës shqiptare edhe në disa aspekte më pak epokale, por mjaft të rëndësishme për kontekstin shqiptar Le të prek vetëm dy tre syresh që më duket se duhet të ishin mësime që do të ishte mirë të përcilleshin edhe në debatin shqiptar nga delegacioni socialist apo nga lideri Rama.
Së pari, do të veçoja faktin se konventa vuri në dukje se presidenti Bush, të cilin ne e kemi adhuruar pa dallim përkatësie partiake, ashtu sikurse adhurojmë SHBA pa njohur problemet e saj, akuzohet rëndë nga e majta amerikane për politikat e tij unilaterale, për luftën në Irak për uljen e ligjitimitetit ndërkombëtar të një vendi si SHBA në arenën ndërkombëtare. Ai madje është aq jopopullor saqë evitohet edhe nga kandidati republikan McCain. A nuk ka ardhur koha që e majta jonë të jetë më në koherencë me qëndrimet e partive të majta të vendeve të ndryshme perëndimore, - në rastin e SHBA me Partinë Demokrate - përsa i përket politikave neokonservatore të djathta që përfaqëson Bushi? E, në rastin konkret, a nuk ka ardhur koha që e majta jonë të deklarojë psh., si Obama, se duhet t’i tërheqim trupat nga Iraku?
Së dyti, çka më duket edhe më e rëndësishme për të majtën shqiptare, konventa e demokratëve vuri në dukje faktin se edhe në SHBA ka një parti që bën politika të majta që kanë jo pak ndryshime nga ato të partisë republikane të djathtë. Sigurish kanë edhe gjëra të përbashkëta, por nuk mund të mos veçohen disa dallime kryesore që janë jo pak aktuale edhe për realitetin tonë. Psh., demokratët, me në krye Obamën, por edhe Hillary Clintonin, premtojnë reforma për të siguruar shërbim shëndetsor për të gjithë, janë shumë më të ndjeshëm ndaj shkollimit për të gjithë dhe po ashtu ata janë për taksa progresive çka do të thotë se ata që fitojnë më shumë duhet të paguajnë taksa më të larta në përqindje sesa ata që fitojnë më pak. Kemi të bëjmë, pra, me një model që është më afër sistemit evropian të shtetit social për të cilin thuhet se dështoi përballë sistemit ultraliberist amerikan, por që, duke patur parasysh edhe krizën e fundit në SHBA, kthehet e bëhet përsëri model shpëtimtar. Si ka mundësi që e majta jonë nuk flet fare për këto, por vazhdon të qëndrojë në pozicione edhe më të djathta sesa liberistët amerikanë?
Së fundi, edhe një gjë tjetër mendoj se duhet të kishte mësuar Edi Rama nga Obama në Denver, por edhe çdo i majtë qoftë në PS, LSI apo gjetkë. Për të evituar, sa të jetë e mundur, ndikimin në politikat e tij të lobeve të fuqishme industriale, ai ka zgjedhur një mënyrë origjinale mbledhjeje fondesh për fushatën elektorale. Shumicën e të hollave ai e ka siguruar nëpërmjet internetit ku njerëzit e thjeshtë kanë dhënë shifra modeste (25 – 50 dollarë), por që bëhen shumë të rëndësishme për të ndryshuar konceptin e pjesëmarrjes në demokraci të popullit dhe rritjen e ndikimin e tij në vendimarrje. Është e tepërt të ve në dukje se sa e rëndësishme është kjo në parim (jo se po sugjeroj që në Shqipëri të mblidhen të hollat për fushata nëpërmjet internetit) po të ballafaqohet me realitetin e sponsorizmeve të fushatave elektorale për partitë shqiptare ku nuk bëhet fjalë për lobe industriale të fuqishme, që gjithsesi janë në rregull me ligjin, por shpesh për sponsorizime me origjnë kriminale që kanë kapur politikën dhe e kanë futur në qorrsokak. A nuk ka ardhur koha që e majta të mendojë se ka një arësye më shumë sesa e djathta për ta çliruar politikën nga kjo kapje?
“Kohët interesante” vërtet nuk na lenë të thellohemi në këto probleme, por mosthellimi në to mund t’i kthejë ato nga kohë interesante në kohë tragjike. (Korrieri, 26 shtator 2008)



No comments: