Monday, February 16, 2009

Skënderbeu dhe identiteti i sotëm evropian

Pjesa më e komplikuar e debatit mbi Skënderbeun është ajo që lidhet me argumentet e atyre (8%) që përmenda në krye të këtij shkrimi, të cilët, edhe pse e njohin dallimin midis historisë dhe mitit, i mshojnë nevojës së këtij të fundit. Pse ta prekim Skënderbeun; të gjithë popujt kanë mitet e tyre? A është kjo koha? - janë pyetjet në të cilat sistetizohet reagimi i tyre. Edhe Kadare, ndonëse bën pjesë ndër ata që refuzojnë të njohin mospërkimin e narracionit historik me narracionin mitik, sepse "njëri i dendësuar jashtë mase, e tjetri, po ashtu, jashtë mase i faktuar, mëtojnë të njëjtën gjë: të rrëfejnë botën dhe njerëzimin." (sikur diferenca të qendrojë në kompresimin dhe jo në interpretimet e ndryshme, që i bën miti historisë), thotë, megjithatë, se janë "dy vizione të botës".
Oliver Schmitt, në parathënien e librit të tij për botimin shqip, ku ndjehet se e ka pasur merakun e reagimit të nacionalistëve shqiptarë, shkruan se shoqëritë, nëpërmjet heronjve të tyre, "projektojnë dëshirat dhe idealet e tyre". Ai citon edhe histrianin R.R. Davis i cili ka shkruar një monografi të heroit kombëtar të Uellsit, që i ka shërbyr si pikë referimi, i cili thotë se "gjithë dituritë e historianëve shpesh nuk mjaftojnë që të ndryshojnë imazhet e rrënjosura thellë" dhe se, prandaj, "nuk ka shumë kuptim të merresh me "dekonstruksion" imazhesh.
Por Schmitt thotë në parathënien e tij edhe diçka të rëndësishme për argumentet e debatit në fjalë: se ata, heronjtë apo imazhet, "pasqyrojnë gjendjen inteletkuale dhe morale të një shoqërie".
Le të qëndrojmë tek ky pohim i Schmitt. Pra, nëse mitet pasqyrojnë gjendjen intelektuale dhe morale të një shoqërie, atëhere çfarë ndodh kur gjendjet intelektuale dhe morale të shoqërive ndryshojnë - siç ka ndodhur dhe ndodh në histori. A nuk duhet të themi se, për rrjedhojë, edhe imazhet që pasqyrojnë këtë gjendje intelektuale dhe morale duhet të ndryshojnë? Dhe, për t'iu afruar kontekstit tonë, a nuk duhet të themi se një shoqëri e rritur në diktaturë e izolim të thellë ka një gjendje intelektuale dhe shpirtërore të ndryshme nga ajo e një shoqërie të rritur në liri.
Thelbi i gjithë sa kam shkruar deri tani në këtë shkrim ka të bëjë pikërisht me nevojën e ndryshimit të imazheve. Se një individ i rritur në një shoqëri të lirë, siç është ajo që aspirojmë, duhet t'i shohë heronjtë e tij dhe t'i ndërtojë imazhet e veta në një mënyrë tjetër nga ajo se si i ka parë dhe ndërtuar në diktaturë, ndërkohë që inercia e diktaturës, e shfaqur në formën e reaksionit të elitës që ka ndërtuar këta imazhe dhe që ka ende pushtetin politik dhe kulturor, nuk po e lejon ta bëjë këtë.

Nevoja e historisë kritike
Niçe, në esenë e tij të njohur "Mbi dobinë dhe dëmin e historisë për jetën" flet për tre mënyra të vështrimit të historisë që lidhen me tre nevoja themelore shpirtërore të njeriut. Sipas tij njeriu ka aspirata dhe pasione prandaj e sheh historinë në mënyrë "monumentale" - me çka nënkupton se edhe ai don të bëhet si heronjtë e historisë dhe i kërkon modelet tek ajo. Njeriu gjithashtu ruan dhe nderon, prandaj e sheh historinë në mënyrë "antikuare" - bën kërkime arkeologjike, ndërton muzeume etj. Por njeriu - thotë Niçe - edhe vuan dhe kërkon të çlirohet, prandaj ai e sheh historinë edhe në mënyrë "kritike", që të mos përsëriten të njëjtat situata që e kanë bërë atë të mbetet nën pranga, pra ta ndryshojë historinë, të krijojë histori.
Në qendër të këndvështrimit të Niçes vihet liria dhe krijimtaria e njeriut që sipas tij, në mungesë të historisë kritike, rrezikojnë të mbyten nga mbipesha e historisë. Ajo "monumentalja" edhe ajo "antikuarja", që i përgjigjen nevojës së njeriut për heronj dhe nderim, në mungesë të vështrimit kritik, rrezikojnë ta mbysin jetën e njeriut që kështu mbetet, pasiv, në admirimin dhe imitimin e së kaluarës.
Mendoj se ka diçka të përbashkët midis tekstit dhe kontekstit në të cilin është shkruar shkrimi i Niçes dhe kontekstit shqiptar në të cilin zhvillohet debati ynë. Edhe ne jemi në një periudhë kur ndjehemi të mbytur nga një histori e interpretuar në një mënyrë të caktuar për interesa të caktuara ("nuk ekzistojnë fakte, vetëm interpretime" - thotë Niçe) dhe na mungon kritika ndaj kësaj historie dhe heronjve të saj. Po ashtu, historia e lexuar vetëm në mënyrë monumentale dhe antikuare pa ndërgjegjen kritike i ka bërë shqiptarët të imitojnë heronjtë e ndërtuar nga mitologjia e tyre, por pa bërë histori të re. Sepse edhe aspirata (monumentale) e njeriut për të qenë si heronjtë nënkupton që heronjtë të kenë edhe vetitë e tij tokësore, virtytet dhe dobësirat e tij. Ai ka nevojë që heronjtë të jenë sa më të besueshëm. Përndryshe vijmë në trajtimin e historisë si letërsi e realizmit socialist apo si përrallë për fëmijët: Na ishte njëherë e një kohë "kur Shqipëria pillte vetëm trima dhe luanë." Por edhe fëmijët mund të shtrojnë pyetjen: po pse nuk pjell më vetëm trima dhe luanë kjo Shqipëria?
Tek nevoja për t'u çliruar nëpërmjet historisë kritike duhet të kërkojmë edhe atë ngulm të njeriut për të ditur e për të dekonstruktuar mitet dhe imazhet e një kohe. Sepse kemi parë se sa të shumtë janë edhe sot ata që duan ta fshehin të vërtetën, për të manipuluar konsensusin e njerëzve, që kanë nevojë për një shkencë të nënshtruar, të paaftë për të na dhënë interpretime të reja, që ngrenë mite e heronj që u shërbejnë pushtetit të tyre. Historia jonë është e mbushur me të tillë. Mjafton të kesh parasysh se, në të njëjtën mënyrë, është shkruar edhe historia e Luftës Nacional - Çlirimtare. Se për ironi me të njëjtën metodologji është shkruar edhe historia e heronjve të demokracisë. Se po ashtu, në të njëjtën mënyrë, po shkruhet edhe historia e heronjve të UÇK-së në Kosëvë. Historia e shkruar në këtë mënyrë bëhet histori paragjykimesh dhe dogmash që mbështeten me kokfortësi, kombinuar me intolerancë dhe fanatizëm. Janë histori që përsëriten, pa bërë histori.

Përkatësia dhe liria
Problemi i nevojës së njeriut për heronj e mite më një anë dhe dekonstruktimin e tyre më anë tjetër ka të bëjë edhe me një kontradiktë themelore të njeriut: atë midis nevojës së tij për përkatësi në një komunitet, për identitet, dhe, nga ana tjetër, nevojës së tij për liri. Pa mitet ku projekton idealet e, rreth të cilëve, organizon jetën e tij shoqërore njeriu mbetet një individ i izoluar edhe pse mund të jetojë mes njerëzve. Nga ana tjetër shpesh këto mite, këta identitete, bëhen kërcënim për lirinë e tij sepse, nëse ai nuk i pranon vlerat dhe heronjtë me të cilët identifikohet komuniteti, rrezikon të nxirret jashtë tij e të persekutohet.
I gjithë thelbi i këtij problemit, sipas meje, është se njeriut në vend se ta jetojë këtë kontradiktë ka kërkuar ta zgjidhë dhe, në më të shpeshtën e herëve në historinë e tij e ka zgjidhur duke ia nënshtruar lirinë e tij individiuale përkatësisë në komunitet dhe nderimit të miteve të tij. Pra, thënë më konkretisht, nëse më një anë ka qenë feja, atdheu, dhe më anë tjetër liria e tij individuale, deri në shekullin e XX ai ka qenë i shtrënguar t'ia nënshtrojë këtë të fundit atyre të parave. Dhe ky është një fenomen i njohur. Një kult të tillë si atë të atdheut edhe njeriu perëndimor e vuri në dyshim pasi ky e çoi në luftrat botërore.
Po ashtu, pakush shqetësohet për atë se krijimi i identiteteve si nevojë thelbësore nënkupton edhe një reduksionizëm që, nëpërmjet një procesi që Levi-Strauss e quan "kanibalizëm kulturor" varfëron njeriun dhe shoqërinë.
Po t'i shohim shqiptarët e sotëm ata shkojnë e vijnë në Turqi, Greqi, Serbi, Maqedoni, Itali e gjetkë, ku punojnë por edhe ku takohen me turq, grekë, serb, italianë e maqedonas e hanë gjellë turke e sallatë greke, ngasim makina evropiane apo aziatike, hanë ushqime greke maqedonase, italiane lexojnë libra të përkthyera nga shumë gjuhë dhe po kështu shohin filma e dëgjojnë muzikë me origjina të ndryshme; por përdorin edhe shumë mallra kineze, shkollat më të mira në Tiranë i kanë turke etj. Si është e mundur që ata, megjithatë, kur vjen puna për identitetin e tyre harrojnë shumë nga këto pasurira që ndërtojnë jetën e tyre të përditëshme dhe theksojnë e glorifikojnë ato pak gjëra që i bëjnë të ndryshëm nga të tjerët, deri në urrejtje e armiqësi?
Sipas meje, po të shohim me sy kritik këtë proces ndërtimi identiteti, do të arrijmë në përfundimin se ato që i quajmë identitete shpesh nuk janë tjetër veçse kafaze që i ndërtojnë elitat në pushtet duke shfrytëzuar nevojën tonë për përkatësi. Këta mund të jenë kafaze ku hyjmë vetë me dëshirë, me hekura më të ngushta ose me hekura më të gjera, të larë edhe me ar ndonjëherë. Këta mund të jenë të ndryshueshëm në formë nga koha në kohë, por mund të jenë edhe me derë çelësin e të cilit e kemi ne, por që, në një mëment të caktuar, na e marrin nga dora. Në fakt janë kafaze virtualë që ne i ndërtojmë nëpërmjet manipulimit që elitat i bëjnë mendjes sonë për pushtetin e tyre. Ato shprehin njëherësh edhe dëshirën tonë për përkatësi për t'i dhënë një kuptim jetës. Një kafaz i tillë ishte edhe komunizmi që do të na jepte të hanim me lugë floriri, por edhe identiteti kombëtar apo atdheu, që në kohën e Hoxhës na u kthye në burg. Këtu më vjen të citoj një thënie që tingëllon sa cinike aq edhe e vërtetë e Karl Deutsch i cili, në veprën e tij "Nationalism and its alternatives" (Nacionalizmi dhe altarnativat e tij), thotë se kombi është "një grup njerëzish që i bashkon një vizion i gabuar mbi të kaluarën e tyre dhe urrejtja për fqinjët". Tamam një kafaz i rrezikshëm që njerëzit i ka çuar deri në luftra shkatërrimtare.
Prandaj duhet të jemi të vetëdijshëm për kontradiktën që qëndron midis nevojës sonë për përkatësi dhe asaj për liri. Mënçuria qëndron, sipas meje, në përjetimin dhe jo zgjidhjen e kësaj kontradikte. Rrugët drejt kësaj mënçurie janë të shumta. Personalisht do të rekomandoja mbrojtjen e lirisë nëpërmjet zgjedhjes me vetëdije dhe dituri të përkatësisë, dhe njohjen e respektimin e lirisë dhe përkatësisë së të tjerëve, gjithashtu.

Miti i Skënderbeut dhe identiteti i ri evropian
Nëse do të pranojmë, pra, se pa heronjtë e mitet, pa përkatësinë, nuk mund të bëjmë mund të shtrohen disa pyetje që lidhen me mitin e Skënderbeut. Së pari, cilët janë ose duhet të jenë mitet që do t'i bashkojnë shqiptarët me bashkësinë evropiane, a mund të ndihmojë për këtë miti i Skënderbeut, a duhet të ndryshojë ai apo duhet të jetë ashtu siç është ndërtuar në kohën e Rilindasve apo në atë të regjimit komunist. Apo duhen mite të tjerë sepse ai mund të rezultojë i pasuksesshëm?
Sipas meje miti i Skënderbeut po njeh një periudhë të tretë rimodelimi në nacionalizmin e shqiptarëve. Kam parasysh kohën që nga shek. XIX kur ai, nga një mit i evropianëve, që sipas Schmitt vjen e zbehet pikërisht në periudhën e fillimshekullit XIX kur Turqia nuk është më rreziku kryesor i Evropës (por Rusia), bëhet hero i nacionalizmit shqiptar.
Periudha e parë është ajo e Rilindjes, kur ai ka shërbyer për të dhënë identitet dhe njëherësh për të përcaktuar një kahe të ardhmërisë së shqiptarëve përdrejt Evropës. Në fakt, heronjtë e vërtetë të nacionalizmit shqiptar janë Rilindasit. Skënderbeu u ka shërbyer atyre si princip identitar përballë botës. Duke i dhënë përkatësinë e tyre një heroi të njohur evropian shqiparët pohonin të drejtën e tyre për të ekzistuar si komb më vete, krahas të tjerëve. Por, për këtë nuk i ka ndihmuar Skënderbeu, sikurse përfytyrojnë ata duke mos njohur historinë e tij, por Rilindasit që luftuan që ai të njihet si shqiptar.
Në kohën e komunizmit manipulimi i Skënderbeut, sikurse e kam shtjelluar, u bë në frymën e ndërtimit të imazhit të një Shqipërie që i kishte qëndruar si kështjellë të gjithë armiqve, si në Lindje ashtu edhe në Perëndim dhe, jo vetëm, por që i konsideronte si armiq të vendit edhe fetë e këtyre vendeve.
Pas rënies së komunizmit kemi një rimodelim në kuadrin e një rimodifikimi të mitologjisë nacionaliste që synon të bëhet nacional - evropianiste. Sipas saj kombi shqiptar, më në fund, pas pesë shekujsh robëri nën Turqi dhe gjysëm shekulli në Lindjen sllavoortodokse, kthehet në origjinën e tij evropiane dhe kristiane, madje katolike, që nuk e ka harruar asnjëherë në ndërgjegjen e tij. Dhe Skënderbeu kthehet e bëhet kështu edhe katolik. Madje bëhet deri pararendës i Natos.
Dikush mund të thotë: ky është një mit, ok, por ç'të keqe ka, përderisa i ndihmon shqiptarët të bëhen pjesë e Evropës?
Sipas meje projektimi i dëshirave dhe idealeve tona për tu bërë pjesë e bashkësisë evropiane nuk arrihet me vlerat dhe identitetin që përçon miti i manipuluar kësisoj, përkundrazi, ky na ndan prej saj. Madje, po të aplikojnë evropianët identitetin dhe vlerat që përçon ky mit, ne nuk do të pranoheshim prej tyre. Le të shpjegohem.
Tek miti i manipuluar kësisoj gjejmë rimarrjen e frymës orientaliste të Rilindjes në thelbin e së cilës qëndron dikotomia Perëndim - Lindje ku i pari mishëron të mirën kurse e dyta të keqen. Në rindërtimim e kësaj mitologjie përdoret filozofia e manikeizmit që është tipike në ndërtimin e mitologjive. Manikeizmi ka dy principe "të mirën" dhe "të keqen"; tre kohë: atë kur e mira dhe keqja ishin të ndara, kohën kur këto përzihen dhe kohën kur këto ndahen përsëri; si dhe dy hapësira gjeografike ku e mira dhe e keqja kanë strehën. (Për ironi, sipas manikeistëve, e mira në Lindje kurse e keqja në Perëndim). Po ta përkthejmë këtë në konteksin e mitologjisë nacional - evropianiste del se e mira ishte e ndarë nga e keqja në kohën e Skënderbeut, kur Shqipëria ishte Evropë; pastaj erdhi një periudhë pesë shekullore kur kjo u përzje me të keqen (Lindjen, turqit), kurse tani kemi ardhur përsëri në periudhën kur e mira dhe e keqja po ndahen, ndonëse ka ende një rezistencë nga ata që Kadare i quan "rimohuesit" për të cilët "e mirë për Shqipërinë nuk është Europa, por Azia". (Ismail Kadare "Intrigat që fshihen pas sulmit ndaj Skenderbeut" (Shqip, 27 dhjetor 2008)). Në frymën e kësaj mitologjie periudha osmane quhet "shkombëtarizim" sikur, pra, kombi, e mira, të ketë ezistuar para kësaj periudhe. Po ashtu, në frymën e kësaj mitologjie, mungesa e shkollave shqipe nuk shpjegohet me shkaqe historike, social ekomomike, fetare, por si një konspiracion i së keqes ndaj shqiptarëve që, duke qenë e mira e pastër, luftoheshin për vdekje nga e keqja. "Gati çdo gjuhë lejohej të mësohej në "perandorinë tolerante", përveç njërës: gjuhës shqipe!" (Kadare, po aty)
Duke i qëndruar Niçes sipas të cilit "faktet janë budallenj; janë teoritë që i interpretojnë që duhet të jenë inteligjente" kjo mënyrë interpretimi nuk është inteligjente. Nuk është e tillë sepse bashkësia evropiane dhe identiteti evropian i kohës së sotme po ndërtohet bash si e kundërta e principeve orientaliste, manikesite dhe si e kundërta e ndarjes së të ndryshmëve.
Mbi identitetin evropian është folur shumë në vitet e mileniumit të ri. Për një vend që synon të hyjë në komunitetin evropian ky është bërë një debat mjaft i rëndësishëm që ka përfshirë shumë intelektualë të njohur evropianë. Është i njohur shkrimi që Jurgen Habermas botoi, sëbashku me Jacques Derrida, në maj të vitit 2003 në "Frankfurter Algemeine Zeitung". Në këtë shkrim sugjerohet se identiteti evropian është bash rezultat i ngjarjeve dramatike historike që ka përjetuar Evropa për shkak të luftrave me karakter fetar apo nacional. Është pra identiteti i atyre popujve që "kanë mësuar, me një çmim të lartë, se si diferencat mund të qetësohen, kontrastet të instucionalizohen dhe tensionet të stabilizohen". Është identiteti i një hapësire kulturore ku është kuptuar më mirë se kudo se "njohja reciproke e tjetrit, në diversitetin e tij, mund të bëhet shenja e një identiteti të përbashkët". Është, pra, bash e kundërta e mënyrës se si kërkojnë të rimodelojnë nacional - evropianistët shqiptarë mitin e Skënderbeut. (Korrieri, 16 shkurt 2009)

4 comments:

Anonymous said...

zoti Lubonja,

Nje falenderim i thelle qytetar per kontributin tuaj te vyer ne analizimin e fenomenit shqiptar dhe per rezistencen tuaj frymezuese.

Uroj t'ju lexoj gjithnje me te njejtin qendrim ne kete territor.

Nderkaq, ajo qe uroj edhe me shume eshte qe kontributi i juaj te mos mbetet i vetem, por te sherbeje si shkolle edukimi per mendimin dhe shpirtin e lire dhe rezistent.

Me respekt te thelle,
Hatun

Anonymous said...

Zoti Lubonja,

Se pari, falemnderit per analizat e hollesishme, per argumentimin e kendveshtrimit tuaj. Megjithese, me duhet ta pranoj, nuk i kam lexuar te gjitha, çka kjo sjell qe nderhyrja ime ketu duhet marre me rezerva.

Se dyti, nese do te ndalesha tek fundi i ligjerimit tuaj, kam frike se gaboheni. Me qarte :

Dyshoj fortesisht qe ju nuk e njihni mire MENDESINE EUROPIANOPERENDIMORE, e kam fjalen edhe per ate te popujve te saj, edhe per ate te qarqeve drejtuese. Kur ju shpreheni :

"Madje, po të aplikojnë evropianët identitetin dhe vlerat që përçon ky mit, ne nuk do të pranoheshim prej tyre. Le të shpjegohem.
Tek miti i manipuluar kësisoj gjejmë rimarrjen e frymës orientaliste të Rilindjes në thelbin e së cilës qëndron dikotomia Perëndim - Lindje ku i pari mishëron të mirën kurse e dyta të keqen. Në rindërtimim e kësaj mitologjie përdoret filozofia e manikeizmit që është tipike në ndërtimin e mitologjive. Manikeizmi ka dy principe "të mirën" dhe "të keqen"; tre kohë: atë kur e mira dhe keqja ishin të ndara, kohën kur këto përzihen dhe kohën kur këto ndahen përsëri; si dhe dy hapësira gjeografike ku e mira dhe e keqja kanë strehën. (Për ironi, sipas manikeistëve, e mira në Lindje kurse e keqja në Perëndim)."

kjo nenkupton qe Europa e sotme eshte pa asnje paragjykim mbi ndarjen Lindje-Perendim. Mirepo, e verteta eshte krejt tjeter. Europa e sotme, duam apo s'duam ne, ka nje shpirt dhe fryme KRISTIANE, dhe kjo ndihet kudo. Nese ju mendoni se Europianet jane krejt te hapur kundrejt frikave te se nesermes, atehere them se e keni gabim. Ne Europen e sotme, europianet kane nje nevoje te ngutshme per nje dorezani nga ana jone qe NE DO TE JEMI PJESETARE TE DENJE TE BASHKESISE EUROPIANE.

Europiani i sotem, ai politikan se pari, ka nje ide mjaft te qarte te asaj çka kerkon per neser, per femijet e tij. Pas 11 shtatorit 2001, gjendja ka ndryshuar mjaft dhe ne nuk jetojme me ne te njejten bote. Shume konceptime te botes kane dale blof, dhe nuk pine me uje. Fakti qe Turqia po rri pas dere me dekada te tera nuk vjen sigurisht nga nje pushtim i mjere i Qipros se Veriut, por vjen nga nje frike e lindur ne fillim te ketij mijevjeçari. Si e tille, Turqia do te rrije pas dere dhe per dekada e dekada te tera. Europa, nga nje nisme ekonomike, ka perfunduar ne nje nisme politike dhe kulturore. Europa nuk ka frike nga 80 milione Turq te VARFER, por ka frike nga 80 milione TURQ TE PAPARASHIKUESHEM, DHE KULTURALISHT TE NDRYSHEM. Kjo eshte frika e botes se sotme dhe ne duhet t'i perkulemi.

Duke e lidhur me Skenderbeun, nuk besoj se miti i tij (pavaresisht se nuk jam aspak dakort me emertimin mit) pengon hyrjen e Shqiperise ne Europe, gjoja ne emer te perbuzjes se Europes kundrejt ca "racisteve" apo "nacionalisteve" shqiptare. Tekefundit, per Europen do te ishte shume me e pranueshme 3 milione shqiptare nacionaliste sesa 3 milione anadollake. Per kete te mos kihet asnje dyshim.

Nuk eshte aspak turp te thuhet se Skenderbeu ishte mbrojtes i krishterimit ne vendin e vet, dhe nuk eshte aspak turp qe Turqia e asaj kohe te cilesohet si E KEQJA E MESJETES. Ashtu siç Francezet nuk e kane aspak per turp t'i falen Charles Martel-it per ndalesen qe iu beri Arabeve ne Poitiers (ne qender te Frances, pothuaj), viti 732. Nese Charles Martel nuk do te kishte fituar ate dite 25 tetori, Franca sot do te fliste (ndoshta) arabisht dhe faqja e Europes nuk do te ishte kjo e sotmja. Atehere, e perse Shqiptaret nuk duhet te mburren me lavdine e 25 vjeteve te Skenderbeut qe ndali Turqit ne Arberi ? Mos valle nga frika se do te dukemi nacionaliste ? Krejt e kunderta. Nje komb qe nuk respekton te paret e vet, nje komb qe nuk ka ca data, ca vende, dhe ca ngjarje te shenuara ku ngjizet dhe mbruhet qenia e atij kombi, ai eshte i destinuar te zhduket.

Gjithsesi, une nuk jam historian, dhe nuk do te dija t'i dilja ne fund kesaj historie. Por ajo çka mund te kerkoj nga ju, dhe te tjere studiues, eshte qe t'i dine me mire realitetet e botes se sotme, te Europes ne veçanti, e cila, siç mund ta dini dhe ju, eshte dhe mbetet NJE EUROPE KONSERVATORE.

Ju uroj gjithe te mirat.
UN

kinofili said...

Z. Lubonja
Vertet qe ju flisni per historine, por nje pjese e ketij mitizimi ka marre forme ose eshte misheruar edhe ne filmin Skenderbeu. Sigurisht qe mbetet film, por shpesh jane pikerisht imazhet qe nguliten ne tru, me teper se librat e historise.
Nderkohe qe e shoh si nje film te ngjashem me filmin Stalinist 'Aleksander Nevski' te Ajzenshtajnit. Ka shume per te permendur, por po them vetem kete: Nga njera ane rrethimi i Krujes nga Turqit, e nga ana tjeter rrethimi i Shqiperise nga kapitalizmi (i eger po aq sa turqit), qe justifikoi bunkeret, telat, mobilizimin, etj.

Anonymous said...

Sigurisht qe me ka lene shume mbrese positive dhe ky shkrim.

Sikur te kuptohej rreziku qe i behet çeshtjeve shqiptare nga mosnjohja e drejte e fakte dhe insistimi ne idealizma, ndoshta do te kishte te pakten nje fare pergjegjesie intelektuale per te bere studimin kritik te ketyre miteve.

Askush nuk prezantohet i denje ne nje argument apo diskutim kur nuk arrin te ndaj faktet nga mitet.


Une kam hasur kritike si 'antishqiptare' dhe ne diskutime te miteve shume me pak te rendesishem, megjithate prania e shkrimeve dhe komenteve qe viojne shkrimin me jep shume shprese.
Blerina