Tuesday, July 14, 2009

A rrezikojmë një regjim “alla Putin”?

Në shkrimet para këtyre zgjedhjeve kam shprehur mëse një herë idenë se Shqipëria po rrezikon të shkojë drejt një regjimi “alla Putin”. E them këtë në kuptimin e konsolidimit të një mazhorance të fortë që kontrollon interesat kryesore të vendit, prandaj edhe politikën, duke pasur përballë një opozitë të dobët dhe të pafuqishme për të bërë opozicion dhe rotacion. Kam qenë i mendimit se cilido të ishte fituesi, Berisha apo Rama, ky rrezik do të ishte shumë i fortë. Është e natyrshme të shtroj pyetjen nëse e vërtetuan këto zgjedhje këtë hipotezë apo ajo rezulton e gabuar. Fakti që elektorati u nda thuajse më dysh mund të na çonë në tezën se nuk na rrezikon një gjë e tillë, pasi opozita do të mbetet e fuqishme, përballë një mazhorance të brishtë. Fakti që në vend të një Berishe Putin kemi edhe Ilir Metën në koalicon me të, që në një farë mënyre, mendohet se do të punojë për të forcuar partinë e tij dhe jo për ta dobësuar, i shtyn disa të mendojnë se ai mund ta kontrollojë sadokudo Berishën, çka le shpresë se regjimi “alla Putin” nuk mund të ndodhë.
Megjithatë gjej jo pak argumente në favor të idesë sime se ky rrezik mbetet i madh. Ve në dukje se kur them “rrezik” kam parasysh se këtë proces nuk duhet ta mendojmë si të determinuar tashmë, si të pashmangshëm, por si një tendencë ndaj të cilës duhet bërë rezistencë, për ta frenuar dhe shmangur. Ndoshta rreziku Putin mund të ishte më i madh me një fitore të Ramës duke patur parasysh se ky do të kontrollonte edhe qeverinë qendrore edhe Bashkinë e Tiranës, dhe se, me një fitore të tij, do të nxirrte jashtë loje edhe Berishën edhe Metën. Por kurrsesi nuk mund të thuhet se vendi nuk e ka këtë rrezik me fitoren e Berishës.
Ka disa tregues për këtë që, sipas meje, i vërtetuan edhe këto zgjedhje dhe zhvillimet pas tyre.
Së pari, do të thoja se ky rrezik buron nga vetë struktura e ekonomisë sonë që dikton edhe politikën. Nëse do të ndjekim rrjedhën e zhvillimeve të vendit këtë dekadën e fundit mund të thuhet se partitë tona politike kanë ardhur gjithnjë e më shumë duke i shëmbëllyer njëra tjetrës. Vërtet kanë mbetur disa ndryshime, që kanë të bëjnë me prejardhjen e militantëve (ku kam parasysh jo vetëm atë klasore, por edhe atë gjeografike), por gjykoj se kjo ka ardhur duke u zbehur në favor të atyre grupimeve brenda partive që kanë qenë edhe mbështetja kryesore e tyre në fushatat elektorale dhe që kanë prirje për transversalitet. Prirja e tyre për transversalitet është provuar tashmë në shumë projekte ku ata kanë bashkëpunuar dhe diktuar kompromise politike, por kalimi i LSI në kampin e PD më duket se është është një vërtetim pa mëdyshje i këtij transversaliteti, për të mos thënë një pikë kulimante e tij.
Së dyti, një tipar tjetër i partive tona, që të çon drejt këtij rreziku, dhe që e ilustroi edhe bashkimi i PD me LSI është ngjashmëria e programeve, ose përafrimi me forcë i programeve në emër të interesave të shprehura në paragrafin më sipër. Sikurse e kam thënë edhe në shkrimin paraardhës fjala “integrim” apo “punësim”, që, sipas liderve të PD dhe LSI, tregojnë programet e përbashkëta, tregon se vërtet në thelb nuk ka programe të ndryshme. Edhe parrulla e hedhur nga Rama “përtej së majtës dhe së djathtës” e që sot po aplikohet (kundër tij) nga Berisha – Meta është tregues e kësaj tendence. Me siguri mund të thuhet se ajo çka u humb me futjen e LSI në koalicion me Berishën është ekzistenca e një partie ku mund të gjenin strehë të gjithë ata që ishin kundra sistemit që kanë ngritur dy të mëdhenjtë. Pra në një farë mënyrë ky gllabërim i LSI brenda PD mund të shihet edhe si një hap i mëtejshëm drejt regjimit “alla Putin”.
Së treti, zhvillimet paraelektorale dhe pas eleltorale treguan se, edhe përsa i përket strukturës së partive, kemi shumë ngjashmëri me udhëheqësinë “alla Putin” në këto parti, me të cilën kam parasysh liderin absolut i cili, edhe kur detyrohet të largohet nga një post, mbetet lideri i vërtetë. Ajo çka vërtetuan këto zgjedhje është akumulimi i mëtejshëm i pushtetit në duart e liderve të partive strukturat piramidale të të cilave duket sikur i kanë humbur edhe më hallkat lidhëse ndërmjet liderit dhe bazës në favor të lidhjes direkte lider - bazë. Ideja e dorëheqjes së liderëve humbësve, që është një nga mënyrat për të krijuar demokracinë e brendëshme në parti, as nuk u shkon ndërmend këtyre liderve, por duket se as nuk ka struktura ndërmjetëse që t’ua imponojnë këtë atyre. Shumë lider partish sot duhet të kishin dhënë dorëheqjen duke përfshirë Metën dhe Ramën, por në vend të kësaj pamë demostrime solidariteti të masave militante për liderin e tyre.
Duke patur parasysh tre pikat që përmenda më lart, dhe, duke u ndalur më së pari tek mazhoranca, a nuk është e drejtë të shtrohet pyetja se pse do të duhen nesër dy parti në mazhorancë dhe jo një e vetme? Ndryshe kjo pyetje mund të shtrohet edhe në formën: A do të ketë LSI të njëjtin fat me atë të PSD së Gjinushit apo të Aleancës Demokratike të Cekës me partinë e Pollos e me rradhë apo edhe atë të një partie që dukej se kishte një identitet të vetin të fortë, PPDNJ, e që tani u katandis me një deputet të vetëm? Për t’i qëndruar paralelizmit me regjimin e Putinit (sigurisht duke thjeshtëzuar) ve në dukje se një nga metodat që ka përdorur Putin për të forcuar partinë e tij dhe pushtetin e tij ka qenë “blerja” e kundërshtarëve duke i futur ata në poste në pushtet. Me fjalë të tjera duke i absorbuar siç vemë re të jenë absorbuar prtitë e vogla në vendon tonë.
Prandaj mendoj se rreziku për të shkuar drejt një regjimi “alla Putin” mbetet i fortë. Në këtë shkrim nuk po merrem me prirjet që ka treguar Berisha për kontrollin e tërë institucioneve të tjera që duhet të funksiononin si garant të kontrollit të pushtetit të tij ekzekutiv e me faktin se është evidente se me fitoren e dytë të Berishës këto insitucione (kam këtu parasysh psh. pushtetin gjyqsor apo edhe vetë insitucionin e Presidentit) do të ndjehen shumë më të dobët për të ruajtur pavarësinë relative që kanë pasur deri dje. Duke patur parasysh edhe këtë fakt duket sheshit se rreziku i një regjimi “alla Putin” bëhet edhe më i madh.
Nuk do shumë mend për të përfytyruar se vazhdimi i këtij procesi të rrezikshëm përqendrimi pushteti do të jetë shkatërrimi i opozitës deri në lënien e saj shumë të dobët. Është i imagjinueshëm një angazhim Berisha - Meta për shkatërrimin e çdo llogoreje kundërshtare apo edhe për larje përfundimtare hesapesh. Them se rritja e kontrollit nga ana e tyre mbi pushtetet mediatike dhe financiare do ta lehtësojë këtë proces. Këtu ngrihet pikëpyetja se çfarë duhet të bëjë opozita në këto kushte. Cili mund të jetë fati i Edi Ramës? Çdo të thotë qëndrimi apo ikja e tij nga PS në raport me rrezikun e regjimit “alla Putin”. Këtë temë po e le ta trajtoj në shkrimin pasardhës. (Korrieri, 13 korrik 2009)

3 comments:

fjorent said...

Jeni pak kontradiktor Z. Lubonja mbi rrezikun alla Putin kur flsini per Z. Rama si rrezik me i madh se Berisha dhe kjo per vete faktin qe pershkruani me vone. Pushteti gjyqesor eshte ai qe i ben balle pushteteve te tjera dhe ai presidencial duke qene i djathete do te ishte me i balancuar me nje qeveri te majte. Pra eshte e qarte se nje qeveri e dyte Berisha do te ishte me e rrezikshme sesa nje qeveri e majte me nje president te djathte e me gjyqesor le te themi me i balancuar.

Por ju nuk e keni njohur kurre nje gje te tille duke u fokusuar shume me teper mbi opoziten dhe manine alla Putin te liderit te saj.

Fatkeqesisht syrit e penes suaj te mprehte i shpetoi Z. Meta dhe spektakli i shemtuar i konventes ku as mendimet nuk mund te shpreheshin lirshem ne partine e atij qe mburrej per lejimin e korrenteve partiake. Pse penes suaj i shpetoi kjo Z Lubonja?

Ju ka shpetuar pa komentuar gjate edhe mire edhe transformizmi i Z. Meta si nje nga dukurite me te shemtuara ne politike- Kjo dukuri ka bere qe politika italiane te gjendet ne kete nivel te ulet sot qe e ka cuar vendin ne duart e nje personi si Berluskoni qe do te ishte nje Putin i vertete nese nuk do te ishin gjykatat me te vertete te pavarura ne krahasim me Rusine. Ky tranformizem ka shkaterruar edhe opoziten ne Itali.

Dhe ne fund i ka shpetuar penes suaj edhe gafat e Z Meta e Z. Prifti ku njeri del e thote nuk jemi takuar e tjetri deklaron se kemi bere negociata por do t'i shpallim ne fund te gushtit.

Politika shqiptare eshte llum por eshte pasqyre e shoqerise se saj. Por edhe ne kete llum nje analist i zgjuar si ju duhet te pretendoje qe politikanet e Shqiperse te kene moral. Ashtu sic beri Umberto Eko me qytetaret e tij keto dite ndaj Berluskonit. Per te vetmen arsye qe nese nuk do qe te degjoje populli le te ngelet ne historine e Shqiperise qe dikush na paralajmeroi.

Anonymous said...

Artikulli juaj eshte i dobet kete radhe zoti Lubonja.
Ne Shqiperi nuk ka parti politike, por ka vetem individe dhe ceshtja shtrohet cili nga dy individed do te ishte me i pershtatshem per vendin. Individe si Edi Rama duhen fshire nga faqja e politikes shqiptare dhe ky eshte nje sherbim i madh qe Berisha padashur po i ben kombit. Sa per Edi Ramen beni mire ti referoheni shkrimeve tuaja te meparshem per te.
Duke krahasuar Berishen me Putinin ju po i jepni figures se Berishes permasa boterore qe ai nuk i ka, e neqofte se ai do te ishte nje Putin i vogel, Shqiperia do te ishte me fat. Mundet qe ato qe ju shkruani per Putinin te jene te verteta, por ju nuk thoni te verteten historike qe Putini eshte shpetimtari i Rusise se sotme.

AlbShia said...

Ju faleminderoj per ekspozen brilijante rreth personalitetit te Skenderbeut ne TV Klan njekohesish ju jam mirenjohes qe moret parasysh dhe ne mbrotje njerezit qe patjeter nuk kane interes nga personaliteti i tij. Ju uroj shendet dhe suksese ne jeten tuaj private dhe porefsionale