Wednesday, October 20, 2010

Forcimi i sistemit të korrupsionit


Poshtë flakës së kashtës (të kthyer tashmë në hi) të votimit nga Parlamenti Evropian në favor të heqjes së vizave për Shqipërinë, në jetën tonë politike vazhdon të digjet prej kohësh zjarri i akuzave të ndërsjellta për korrupsion. Me një egërsi gjithnjë e më të madhe të dy palët vazhdojnë aksionin mediatik të djegies së kundërshtarit në turrën e druve të moralit duke krijuar përshtypjen sikur ata do ta eliminojnë këtë përfundimisht në flakët e këtij zjarri. Por le ta analizojmë pak më ftohtësisht këtë që po ndodh.

Fundi i viteve 90 mund të thuhet se ishte koha kur lufta për të marrë pushtetin nëpërmjet premtimeve të partive politike për më shumë të drejta edhe liri, kundër autoritarizmit, filloi t’i lëshojë vendin kërkesave dhe premtimeve për luftë kundër korrupsionit. Që prej asaj kohe antikorrupsioni bëhet prioritet i politikës. Pas dhjetë vjetësh, duke parë se çfarë po ndodh me akuzat e ndërsjellta, çështja shtrohet: a ka ndonjë zhvillim të ri në këtë proces? Sipas meje po: me akuzat e ndërsjellta për korrupsion po përjetojmë një fazë të tretë të kësaj periudhe të dytë dhjetëvjeçare. Por përpara se të kaloj tek ajo le të shtjelloj shkurtimisht se cilat janë, sipas gjykimit tim, dy fazat që i kanë paraprirë asaj.
Me fazë të parë kam parasysh kohën kur akuzat kundër korrupsionit ishin të lidhura fort me shpresën e publikut se ato do të sillnin zhvillime të vërteta në luftën kundër tij. Kam parasysh këtu si luftën politike që nisi Fatos Nano kundër Ilir Metës në vitin 2000 ashtu edhe akuzat e PD me në krye Sali Berishën kundër Fatos Nanos, Ilir Metës e Edi Ramës deri në 2005.
Me fazë të dytë kam parasysh periudhën kur Partia Demokratike, e sapoardhur në pushtet në vitet 2005 – 2006, filloi fushatën për shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm Sallaku me argumentin se ishte ky që nuk po e linte atë të realizonte shpagimin e premtuar publikut ndaj të korruptuarve si Fatos Nano, Edi Rama me shokë. Në këtë fazë të dytë PS, me në krye Edi Ramën, reagonte duke thënë se antikorrupsioni ishte ideologjia e re e pushtetit me të cilën po abuzonin demokratët për qëllimet e tyre njëlloj siç kishin abuzuar me antikomunizmin në fillimvitet 90. Sipas argumentimit të PS të kësaj faze korrupsioni nuk mund të reduktohej në luftë kundër personave të caktuar pasi kështu ai kthehej në gjueti shtrigash, se ai, pra, ishte një çështje sistemi më shumë se sa çështje personash. Sëbashku me këtë mbrotje PS nuk ngurronte të paralajmëronte, direkt dhe indirekt, se duhet të prisnim edhe pak e do të shihnim se si këta gjuetarë shtrigash do të katandiseshin, si ata, në gjuetarë të lekut.
Faza e tretë për të cilën e kam fjalën ndoshta fillon me Gërdecin, kur akuzat për korrupsion ndaj liderit të PD-së Sali Berisha familjes së tij dhe ministrave e njerëzve afër tij vijnë e bëhen arma kryesore politike e opozitës socialiste: pra hyjmë kështu në fazën kur të dy palët përdorin si kalë kryesor beteje denoncimin e korrupsionit të kundërshtarit. Kjo fazë përkon edhe me faktin se për herë të parë të dy forcat janë në pushtet: PD ka pushtetin qëndror kurse PS ka Bashkinë e Tiranës.
Pyetja që shtroj është: a ka ndonjë të re në këtë fazë të tretë të kësaj loje që ka disa vjet që po zgjat? Sipas mendimit tim kohët e fundit ka diçka të re që lidhet me një përjetim të ri të publikut mbi këtë fenomen.  Personalisht më duhet të pranoj se në kohën kur filloi faza e akuzave të ndërsjellta  kam qenë më pozitiv ndaj tyre duke u nisur nga dy gjëra: së pari, nga ideja se gjysëm të vërtetat që thuheshin nga njëra apo nga tjetra palë do ta ndërgjegjësonin publikun lidhur me  të vërtetën e plotë se kemi ndërtuar një sistem që funksionon nga korrupsioni dhe për korrupsionin, së dyti, sepse ato diskreditonin këtë klasë politike duke krijuar kështu terrenin e lindjes së diçkaje të re. Ajo çka konstatoj me dëshpërim është se edhe kjo nënfazë e parë e kësaj faze të tretë ka mbaruar. Të paktën siç e përjetoj unë, por, ve re se është një përjetim mjaft i përhapur ndër ata që nuk janë të lidhur direkt me interesat e njërës parti apo tjetrës. Ajo çka vihet re së fundi, pra, është se, paradoksalisht, sa më shumë që palët akuzojnë njëra tjetrën për korrupsion me idenë se po e dobësojnë, aq më shumë forcohen. Dhe kjo, nga ana e vet, aq më shumë i fut në depreson të gjithë ata që aspirojnë për ndryshim. Kam parasysh këtu edhe të rinj që në një farë mënyre kanë shumë më tepër mundësi të shpresojnë në të ardhmen. Numri i të rinjve që besojnë se mund të lindë diçka që do të na çlirojë nga pushteti i këtij sistemi është në shuarje totale ndërkohë që rritet dramatikisht numri i atyre që duan të ikin dhe i atyre që, për t’u punësuar, zgjedhin hyrjen në njërën apo tjetrën parti të korruptuarish. Pra, ndërgjegjësimi për të keqen që normalisht mendohet si hapi i parë për të kërkuar ndryshimin në këtë rast sikur prodhon forcimin e të keqes njëlloj siç ndodh kur një i sëmurë mëson se ka kancer dhe kjo nuk i jep atij forcë për t’u shëruar, por e zhyt në një depresion edhe më të thellë duke ia pëshpejtuar vdekjen.
Një formë e këtij forcimi të pushtetit të sistemit shfaqet edhe në ligjërimet e një kategorie gjithnjë e më të gjerë intelektualësh që plazmon opinionin publik të cilët shpesh e më shpesh kanë filluar t’u thonë shqiptarëve: qetësohuni, pajtohuni sepse kjo që po ndodh është normalja, ky është kapitalizmi, tani kemi hyrë në fazën në të cilën do të duhet t’i adoptohemi atij, mos dëgjoni moralistët, idealistët, komunistët, por bëhuni garantistë, realistë, kapitalistë; të ashtuquajturit akte korrupsioni duhen parë me kujdes sepse një akt, nëse është në përputhje me ligjin, edhe pse mund t’ju duket i pamoralshëm, nuk quhet korrupsion; sepse, tek e fundit, e keqja nuk mund të pastrohet plotësisht nga kjo botë, do të bashkjetojmë me të; a s’ka thënë edhe Krishti se gruri me egjrin do të bashkëjetojnë mbi tokë pasi drejtësia e kulluar do të vendoset në botën e përtejme?
Mirëpo, megjithë “urtësinë” e këtyre mjelësve të kënaqur të sistemit të korrupsionit, thirrjet e britmat e të dy palëve kundër njëra tjetrës nuk reshtin. E ndërkaq, megjithë këto britma, njerëzit janë gjithnjë e më shpresëshuar. Atëhere nga kush deprimohen më shumë njerëzit: nga ata që thonë qetësohuni, adoptohuni apo nga ata që akuzojnë ndërsjelltazi ministra e kryeministra e bashkiakë e kryebashkiakë se janë të lidhur me mafjen kombëtare e ndërkombëtare për të grabitur shqiptarët? Sipas meje nga të dy palët, pasi kjo fazë e tretë për të cilën po flas është ajo e ndërgjegjësimit të publikut për konsolidimin e pushtetit të sistemit të korrupsionit  dhe të kastës së tij, pra, se në rastin në fjalë, s’kemi të bëjmë veçse me dy anë të së njëjtës medalje. Të urtët që thonë “adoptohuni” përfaqësojnë faqen realiste të pushtetit të sistemit të korrupsionit, kurse retorikat me akuza e kundërakuza për korrupsion që bëjnë politikanët nëpër media përfaqësojnë instrumentin që përdor ky sistem për të gënjyer njerëzit sipas një teorie tashmë të njohur sipas së cilës pushteti për të qenë sa më i besueshëm dhe sa më jetëgjatë duhet të përmbajë në vetvete edhe kundërpushtetin. Pra, kur dëgjojmë këto akuza kaq të tmerrëshme, nuk duhet të mendojmë se jemi si të thuash në një gjendje lufte, dmth., anormale që, duhet të pushojë për të na kthyer në normalitet, me eliminimin përfundimtar të njërit e vendosjen e hegjemonisë së tjetrit ose me kthimin e konfliktit në pluralizëm të vërtetë politik midis forcash vërtet kundërshtare që me debatin dhe polemikat e tyre korrigjojën ecjen përpara të vendit e të shoqërisë. Jo, lufta e ndërsjelltë kundër korrupsionit kështu si zhvillohet sot në Shqipëri është instrument pushteti i vetë sistemit të korrupsionit. Pra akuzat e tmerrshme të ndërsjellta që premtojnë proceset e shekullit si ato që ka bërë sëfundi ish ministri Prifti ashtu sikurse edhe deklaratat e Presidentit se deputetët duhet të heqin imunitetin, apo ato të kryetarit të PS e të Bashkisë së Tiranës “ja ku jam, le të më hetojnë për akuzat e tyre” janë pjesë e kësaj loje pushteti të sistemit të korrupsionit.  Kush ka shpresë se përmirësimi apo ndryshimi mund të vijë nga kjo lojë le ta harrojë. Për fat të keq ashtu si rënia e komunizmit edhe rënia e pushtetit të këtij sistemi korrupsioni do të vijë në Shqipëri për shkak të dekompozimit të tij të plotë, nxitur edhe nga zhvillime ndërkombëtare. Por do të vijë. (Panorama, 20 tetor 2010)

3 comments:

hap parpara said...

Besoj se nje dite ,nese lloji yne do mbijetoj mjafte gjate, e kur pasardhesit te studjojne paraardhesit e tyre te shekullit 20 e ata te fillimit te shekullit te 21 ,te studjojne zakonet e tyre ,vendbanimet ,makinat ,armet , mardheniet e tyre ndernjerzore si dhe ato me natyren.
Do perpiqen ti kuptojne ata ,dhe do te cuditen me perpjekjen e tyre per tu larguar nga vetja,nga njeri tjetri,nga natyra si dhe deshiren per te shkaterruar llojin e vete.
Do te perpiqen te kuptojne sistemin e vlerave te kesaj race te pazakonte.Do te cuditen me dashurine e tyre per sendet ,e cila eshte me e madhe se dashuria per njerzit.
Ata do te dalin ne perfundimin se njerzit e kohes se gurit ishin me te natyrshem dhe me shpirteror,dhe do ti deklarojne superjor ne krahasim me keta te sotmit se ata me siguri do ti kuptojne me mire

olsi said...

Temat rreth ketyre personazheve duhet te trajtohen rralle. Nuk eshte e lehte. Lexueshmeria apo ndjekja e ketyre temave, duhet ta pranojme, ka publik dhe treg. Mirepo ia kemi rritur vleren shume me teper se c vlejne ne te vertete. E kam fjalen per personazhet politike. Mbase trajtimi i tyre me ironi, mbase duke u gjetur te meta, se edhe ata njerez jane, duke i trajtuar keto te meta mund ti cmitizojme. Se nuk jane me te mire se ata qe mbreteruan per 4o vjet. Se nuk i afrohen aspak as kolegeve te ballkanit, e ku me nje Toni Blair. Pra nje zhvleresim i tyre, i ve njerzit te mendojne per alternativa politike, u jepet shans dhe te tjerve. Besojme se biem dakord, se fjala vjen sikur te zhduken per nje moment shume syresh qe mbushin mediat, nuk eshte se atdheun tone e merr lumi. Prandaj them se nese publicistet dhe gazetaret ndryshojne taktike koha do filloje te punoje per njerzit e thjeshte. Mendojeni...

hap parpara said...

Ajo qe ndodh ne media me akuza e kunderakuza politikanesh ndodh cdo dite ne institucionet buxhetore. Shpesh mendoj se ata qe nuk punojne ne te tilla institucione as nuk e dine se sa e keqe eshte gjendja. Pervetsohet hapur ajo qe eshte prone e te gjithve.Nuk ekziston frika per te mos kryer veprime te kundraligjeshme, se per ndergjegje as behet fjale.
Shkelet ligji dhe kjo nuk i bene pershtypje njeriu.Duket sikur te gjithe shohin te kapin copen e vete sado e vogel qofte kjo.
Kontrollet qe behen nga institucionet qendrore fillojne punen me vrull,por ne fund shkeljet e rendesishme e pervetsimet lihen ne nje ane e flitet vetem per gabime te pa rendesishme.
Ti ngushellon veten se megjithese eshte e pa mundur te mbrosh ligjin ,te mbrosh ate qe eshte e te gjithve, te pakten mund te rrezatosh korrektese tek miqt e tu e mund te behesh shembull per dike.
Por eshte e trishtueshme se askush nuk e cmon kete dhe ti ve re se te shohin me keqardhje e duket sikur te thone se ke zene kot nje vend i cili dikujt tjeter do ti sillte perfitime.
Pra mendoj se eshte dicka e rendesishme qe mungon tek ne .
Ne nuk e cmojme sjelljen ne perputhje me ligjin.
Kam pershtypjen se as ata qe nuk pervetsojne nuk i gjykojne ata qe e bejne kete , thjesht u vjen keq qe ata nuk e kane kete shans.
Mandoj se menyra se si sillemi cdo dite ka shkaterruar thelbin tone.
Ne si prinder shkojme pas pune ne shtepi e tregojme se si ja hodhem shtetit ,se si siguruam dicka mbi pagen tone dhe me kete edukojme femijet tane ,te cilet vec shohin ne bangat e shkolles se note te mir nuk merr ai qe meson por ai qe mundet te bej nje dhurate per mesuesin e tije etj etj.
Bejme ligje ne por kush do ti zbatoj ato?
Shpesh me vjen te bertas per ato qe shoh,por mendoj se do jete e tmerrshme pasi askush nuk do mendoj se ky njeri po denoncon nje shkelje po mbron nje te drejte , perkundrazi ….