Friday, January 19, 2007

Të gabosh për hesap të të tretëve

Kohët e fundit një grup analistësh dhe Mjafti kanë lançuar një lëvizje që vetë ata e kanë pagëzuar me emrin Aksion Civil. Si e shini një nismë të tillë të këtij grupi dhe a mendoni se mund të sjellë diçka të re në tregun e veprimeve shoqërore dhe politike në vend?

Jam njohur me këtë lëvizje sepse më erdhi edhe një e-mail që më ftonte për pjesëmarrje. Fillonte me fjalinë: “Qindra intelektualë kanë vendosur t'i japin jetë Aksionit Civil dhe të protestojnë nesër (e premte, 29 shtator 2006) në orën 12.00, përpara Ministrisë së Punëve Publike, për të mbrojtur demokracinë në Shqipëri.”. Kur e lexova këtë fjali më erdhi për të qeshur me dy gjëra: së pari me atë “qindra intelektualë” (sa shumë intelektualë paskemi!) dhe së dyti me idenë për t’i mbledhur këta përpara Ministrisë së Transportit e të Punëve Publike që do të thotë të protestojnë kundra Lulzim Bashës medemek se ky qënka ai që po na kërcënoka demokracinë. Është qesharake të imagjinosh qindra intelektualë duke protestuar për lirinë përpara Ministrisë së Transportit, mund të imagjinosh shoferë taksie apo autobuzi që protestojnë sëbashku me makinat apo autobuzat për liçenca apo rrugë a ku di unë, por jo intelektualë përpara Ministrisë së Transporti. Intelektualët mund të protestojnë më ndonjë shesh lirie, apo përpara ndonjë institucioni me funksion shtypës siç mund të jetë Ministria e Brendshme apo edhe përpara Kryeministrisë, por jo te Ministria e Transportit ta hajë dreqi.
Pastaj më poshtë në ftesë nxitohej të thuhej edhe diçka tjetër që nuk e prisja: “Brenda Aksionit Civil nuk do të gjeni asgjë që mund të ketë lidhje me partitë politike.” Kjo kërcet sepse tua thuash këtë injorantëve edhe mund ta hanë, por si mund t’u thuhet intelektualëve kjo via e-mail? Nëse dinë ndonjë gjë mirë intelektualët dhe pseudointelektualët tanë këto janë lidhjet që ka gjithsejcili me partitë. Dhe për mua s’ka ndonjë të keqe që të kenë lidhje me partitë. Problemi është që këto të jenë lidhje transparente, të sinqerata dhe të synojnë të mirën e vendit. Madje në këtë kontekst vlen të analizohet pse i ha meraku të thonë se nuk kanë lidhje me opozitën, sepse që shumica e këtyre janë në sintoni me kritikat dhe akuzat që bën opozita, kjo dihet. Tentativa për fshehjen e lidhjeve me opozitën, sikur kjo të ketë kolerën apo SIDA-n, sikur i fut në një krizë të dyfishtë edhe opozitën edhe këta intelektualët. Nuk di ta them me bindje pse bëhet kjo politikë kulisash: një mendje të thotë se nuk u intereson të thonë se po punojnë që ish ministrat e korruptuar të PS të rikthehen përsëri në postet ministrore që kanë pasur, sepse kjo u humbet kredibilitetin; një tjetër se ndoshta synojnë të krijojnë imazhin se përveç PS këtu ka edhe një popull tjetër që proteston, kurse një mendje e tretë se një palë në PS synon t’i përdorë nesër për të likuiduar pjesës tjetër të PS. Kjo formë veprimi më bën të dyshoj se kemi të bëjmë me mënyrat e bërjes politikë të kryetarit të opozitës Rama në stilet e të cilit spikat shpesh një ndarje nganjëherë thuajse diametralisht e kundërt midis qëllimeve të vërteta që i harton në kulisa dhe atyre që i shpall hapur nëpër ekrane. Sidoqoftë ka diçka që nuk shkon në këtë ngurrim, që të ngjall mosbesim, e që më duket se u reflektua edhe në numrin minimal të njerëve në tubimin para Ministrisë ku nuk i dallova intelektualët.
Problemi më i madh që sipas meje kanë si Mjafti dhe dy analistët nismëtarë të aksionit civil – se për kaq bëhet fjalë më duket - është çështja e humbjes së kredibilitetit të tyre si shoqëri civile apo si analistë jo pse rreshtohen sot me opozitën, as pse denoncojnë skandalin e Albatrosit e mbrojnë Presidentin, por pse nuk kanë qenë në opozitë as kur PS ishte në pushtet e kanë qenë selektivë kundrejt fenomenesh krejt të ngjashme. Kanë bërë lojën e Edi Ramës duke i mshuar vazhdimisht idesë se duhej të ikte Nanua dhe Berisha, por nuk e kanë ngritur thuajse asnjëherë zërin për fenomenet që e gërryen Partinë Socialiste të tilla si lidhjet e saj korruptive me bizneset sidomos me trustet e ndërtimit apo për blerjen e mediave nëpërmjet shesheve të ndërtimit dhe tenderave e fenomene të tjera të tilla kampion i të cilave në Tiranë ka qenë vetë njeriu që kanë mbështetur, Edi Rama. Po ashtu kanë ngritur zërin me të madhe ndaj Berishës autoritar kur ky ishte në opozitë e nuk kanë pasur as ndjeshmërinë më të vogël për të parë tek Rama një edhe më autoritar e më personalizues institucionesh kur ky ishte në pushtet.
Po ashtu mund të them se e keqja më e madhe që mund ta gjejë dikë që pretendon se bën analistin kur del në rrugë për të bërë militantin është se nëse analistit i duhet aftësia për të përimtuar argumentet në ato që qëndrojnë dhe ato që nuk qëndrojnë e të ngrerë dyshime militantit i duhet besimi absolut në palën për të cilën lufton.
Tek e fundit unë i mbetem mendimit se që Shqipëria të hedhë një hap të ri përpara sot, duhet të ngulmojë të krijojë institucione e shoqëri civile e media të tilla që të hyjnë gjithnjë e më fuqishëm e me besim e mbështetje në konfliktin midis dy partive të mëdha – institucione pra që do të zëvendësojnë autoritetin dhe kredibilitetin që e kanë sot vetëm ndërkombëtarët - dhe jo aksione të tilla që duket sheshit se bëjnë lojën e njërës palë kundra tjetrës.


Një ndër idetë e këtij grupimi është edhe mundësia e një Partie Demokratike pa Berishën. Sipas mendimit tuaj, kjo do të ishte në të mirë apo në të keq të zhvillimit të vendit?

Edhe kjo ideja e hedhur për të lënë PD në qeverisje, por pa Berishën do parë më thellë sesa akuzat që hidhen për një Berishë autoritar apo të paaftë. Edhe këtu ka diçka që fshihet apo që nuk u artikulohet hapur e gjer në fund njerëzve. Nëse ju kujtohet, Nano, kur ishte në pushtet, i thoshte Berishës: “ti je garancia ime më e mirë që unë të qëndroj në pushtet”. Me këtë donte të thoshte se ai nuk votohej nga shqiptarët. Nëse do të kemi parasysh se edhe pasi humbën pushtetin socialistët me në krye Ramën filluan fushatën e kryeministrit të paaftë, ta do mendja se në vazhdën e arsyetimit të Nanos e duke patur parasysh se ne nuk kemi një opozitë që e ha meraku që vendi të qeveriset mirë, prania e Berishës me gafat dhe paaftësinë që i atrubuohen do të ishte në interes të PS sepse një më i mirë do të përbënte një rrezik më të madh për rikthimin e tyre në pushtet. Atëhere pse ky ngulmim që të ikë Berisha? Pse ai përbëka një rrezik më të madhe për PS-istë ndërkohë që duhet të jetë një kundërshtar më i dobët sepse më i paaftë dhe më i padëshiruar nga opinioni? Këtu del akuza e tyre ndaj Berishës si kërcënues i lirive. Por sa kredibël është kjo në kontekstin ku ndodhemi dhe sa është produkt i paranojave të socialistëve? Unë nuk besoj se opozitarët i ha meraku për lirinë e qytetarëve në kuptimin që e ka artikuar së fundmi Rama: se Berisha po u heq mundësinë njerëzve të ndershëm për të jetuar me punë të ndershme. Nëse ka sistem që fjalën ndershmëri dhe punë të ndershme e fshiu krejt nga faqja e dheut në këtë vend është sistemi që ngriti Nano e Rama. Unë më shumë besoj se shqetësimi i tyre është ai që më tha Ben Blushi në debatin në Opinion kur i thashë se opozita nuk mund të ndërtojë që ditën e parë strategjinë e rrëzimit të mazhorancës sepse kjo ka të bëjë me mosrespektimin e vullneti të popullit që i ka dhënë mandatin dhe i solla shembullin e SHBA ku, ndonëse Bushit sot i janë ulur kuotat në minimum historik dhe demokratët i kanë shumë të larta, opozita nuk i kërkon të japë dorëheqjen, por pret të vijë koha e votimit. Përgjigja që më dha Blushi ishte se Berisha nuk është Bushi pasi ai del një herë në dy ditë e na akuzon si të korruptuar prandaj ne nuk mund ta lemë të qeverisë katër vjet. Mirëpo një gjë është ta akuzosh Berishën se kërkon të godasë lirinë e të korruptuarve dhe një gjë është se po godet lirinë e të gjithë shqiptarëve. Përshtypja ime është se ankthin e tyre vetiak një grup njerëzish kërkon t’ia transmetojë tërë vendit. Sot për sot unë nuk e gjykoj situatën të jetë dramatike përsa i përket kërcënimit të lirive dhe të drejtave të njeriut nga shteti. E kam thënë dhe e them se lirinë dhe të drejtat e shqiptarëve si mundësi për të jetuar e punuar ndershmërisht i ka dhunuar në mënyrën më të tmerrshme sistemi i korrupsionit që ngritën socialistët (bashkë me rritjen e papërballueshme që u bëri çmimeve e standartit të jetës ky sistem) dhe se lufta kundër tij do të hapte hapësira të munguara lirie e barazie përpara ligjit. Në këtë kuptim situata është vërtet dramatike për shumicën, por kjo nuk është gjendja e atij grupi njerëzish që akuzohen si të korruptuar se ata ekonomikisht e kanë siguruar jetën. Prandaj ndoshta rruga më e mirë do të ishte që këta të jepnin dorëheqjen nga postet e nga imuniteti që kanë e t’i kërkonin drejtësisë t’i hetojë sesa të fusin tensionin në tërë vendin. Duke mos u shkuar as ndërmend kjo ata sulmojnë Berishën sepse sipas meje ata tek Berisha pra shohin kërcënimin më serioz për veten e tyre. Kjo shpjegon sipas meje edhe pse ngulmojnë me çdo mjet për tu thënë shqiptarëve se edhe ky është i korruptuar. Kërkojnë ta godasin pra në atë që si të thuash është pika e tij më e fortë në opinion që do t’i hiqte të drejtën morale për t’i goditur për korrupsion. Sipas meje do të ishte shumë më e shëndetëshme për të gjithë që tërë këto energji t’i shpenzonin për të provuar se janë të pastër vetë sepse provimi i korrupsionit të Berishës nuk i çliron dot ata nga akuzat për korrupsion që kanë mbi shpinë dhe për më tepër krijon në vend një situatë edhe më të pashpresë përsa i përket ndryshimit për të cilin votoi shumica e shqiptarëve më 3 Korrik.

Në shkrimet e tij të fundit, gazetari Mustafa Nano ju ka kujtuar disa artikuj tuaj të disa viteve më parë kundër Berishës. Si do t'i përgjigjeshit këtij sulmi të zotit Nano? Do të pranonit se keni gabuar atëhere apo se po gaboni tani?

Në përgjithësi unë kam pasur dhe kam bindjen se kur e kam akuzuar Berishën për autoritarizmin e tij në vitet 92-97 dhe personalizimin e pushtetit kam qenë në krahun e drejtë e jo të gabuar ashtu sikurse kam bindjen se nuk gaboj kur them se sot më i rrezikshëm se Berisha autoritar është sistemi mafjoz që ngritën socialistët gjatë tetë vjetëve, pra kapja e shtetit e se, gjithë kjo luftë që i bëhet Berishës me në krye opozitën nën petkun e luftës për liri është lufta që bën ky sistem për ta mbajtur shtetin të kapur. Por gjithë pa harruar asnjëherë të ve në dukje se lufta kundër korrupsionit nga ana e Berishës nuk duhet kurrsesi të bëhet duke e aplikuar ligjin në mënyrë selektive pasi kjo mund ta degjenerojë çështjen sepse ajo në thelb nuk duhet të jetë luftë kundër njerëzve, por kundër sistemit. A kam gabuar në tërë çka kam thënë e kam vlerësuar gjatë këtyre dy periudhave? Pa dyshim që kam gabuar. Një nga gabimet e mija është edhe Mustafa Nano psh. dhe, po të nisem nga llogjika që përdor ky mua nuk më mbetet gjë tjetër veçse të skuqem për gabimet që kam bërë: pse kam mbështetur Berishën dhe PD më 1991-1992; pse kam mbështetur Aleancën e Cekës në një kohë të dytë, Nanon e Metën më vonë, por edhe Ramën në fillim të karrierës. Sipas tij unë do të isha burrë i mirë nëse do t’i qëndroja besnik deri në vdekje ndonjërit prej këtyre. Por detyra e një intelektuali është tu qëndrojë koherent disa bindjeve dhe idealeve dhe jo disa personave aq më pak kur sheh se këta i nëpërkëmbin moralin, parimet e idealet. Kurse roli që reklamon Mustafai është ai i “chien de garde” (dmth qen roje i padronit).
Ndarjet e mija me ata që kam mbështetur kanë pasur të bëjnë me zhgënjime në raport me atë çka kemi pritur nga këta njerëz dhe po ashtu akuzat ndaj tyre aty e kanë pasur burimin. A kam gabuar në gjykimet e mija edhe në këto raste? E përsëris: po, pa dyshim. Do të rreshtoja një listë të gjatë gabimesh. Problemi është se nga kanë buruar këto gabime. E këtu do të jepja përgjigjen që dha Enzo Biagi, gazetari i njohur italian, kur e pyetën nëse ka gabuar në ato që ka thënë apo shkruar gjatë karrierës s tij. Ai u përgjegj: - si nuk paskam gabuar edhe shumë bile, por kam gabuar “in buona fede” (që në shqip do ta përkthenim: se ashtu kam besuar) jo për hesap të të tretëve. Edhe unë nuk besoj se mund të më provojë kush se gabimet që kam bërë i kam bërë për hesap të të tretëve e aq më pak se idetë apo parimet mbi të cilat jam mbështetur për të gjykuar e kritikuar të tjerët kanë qenë në kundërshtim me ato që kam shpalosur si bindjet e mija bazë gjithherë. Kurse ky Nanua me shokë kam frikë se nuk e provojnë dot se nuk kanë gabuar e nuk gabojnë për hesap të të tretëve. A e shikoni se si dalin dhe thonë “Brenda Aksionit Civil nuk do të gjeni asgjë që mund të ketë lidhje me partitë politike.” Që këtu duket sheshit, se nuk luajnë ndershëm. Dhe pastaj fajësojnë shqiptarët pse nuk i ndjekin. Po kush të ndjek po s’pati besim se po punon për ta dhe jo për të tretët që të tërheqin fijet nga kulisat?
(Rubrika Përpjekja, Standart, 30 shtator 2006)

Sa e vështirë është të hysh në institucionet shqiptare me idenë se ke marrë një mistri për të ndërtuar dhe jo një pushkë për të luftuar

Zoti Lubonja sapo keni dhënë dorëheqjen nga drejtimi i Këshillit Drejtues të Radio Televizionit. A ka ndonjë arsye tjetër që ju ka bindur të ndërmerrni një veprim të tillë përveç atyre që keni deklaruar? Për ju kjo ishte zgjedhja e rrugës më të lehtë e mundshme, por ndryshe a mund ta quajnë edhe dorëzim?

Mund ta quanit edhe rruga më e lehtë e mundshme, por jo më e lavdishmja po të kesh parasysh atë që thotë Miltoni, se është e bukur t’u këndosh udhëve të Zotit, por është shumë më e lartë t’i realizosh ato. Do të përpiqem të shpjegoj, mesa të mundem se pse sipas meje mosdorëheqja zor se do të mund të më çonte drejt lavdisë.
Fillimisht le të përsëris arsyet edorëheqjes: së pari marrëveshja që, në vazhdën e akteve të politikës që nëpërkëmbin ligjin, krijon pak shpresë e garanci se ky mund të zbatohet, e se dikush mund të punojë jashtë diktatit të këtyre partive; së dyti formula e cila pas marrëveshjes më nxorri në pozicion “jashtë loje artificial”, po të përdor këtë term futbollistik, dmth. më bëri lojtar të PD ndërkohë që isha i shoqërisë civile, së treti mugesa e projekteve të politikës e klima në rrethet mediatike që unë testova pas zgjedhjes e cila ishte dekurajuese. Do të mjaftonte njëra, veçanërisht e dyta që për mua ishte shumë e rëndësishme sepse kisha deklaruar që me formulën me balancim nuk do të kisha pranuar të zgjidhesha, për të dhënë dërëheqjen. Të treja janë shumë. Nuk ka ndonjë arësye tjetër nga ato që gjithmonë kërkohen në Shqipëri e besohen më shumë, si me thënë arësyeja e fshehtë. Nuk ka pasur as ndonjë intrigë pas shpine, as ndonjë ndërhyrje nga pushteti për të imponuar ndonjë zgjedhje që unë nuk mund ta pranoja, as ndonjë konflikt të brendshëm në shtatëshen e të zgjedhurve. Nëse do të shtoja ndonjë arësye tjetër do të thoja se edhe kur pranova të kandidoja kisha shumë ndërdyshje si përsa i përket asaj se sa i aftë do të isha të vazhdoja të bëja njëherësh edhe punën e gazetarit e shkrimtarit edhe atë punë ashtu edhe duke patur parasysh vështirësitë e mëdha që paraqet reformimi i atij institucini. Tri arësyet që kam përmendur si shkaqe e prishën krejtësisht balancën.
E këtu vijmë tek pyetja juaj që më djeg sepse dorëheqja interpretohet edhe si dorëzim, si rruga më e lehtë, por jo më e lavdishmja.
Një zgjedhje si kjo kishte një sërë kundërthëniesh. Kundërthnia më e rëndësishme për mua ka qenë ajo se nga një anë në pozicionin e inteletkualit, shkrimtarit apo gazetarit kërkohet të jesh radikal, gjithherë në luftë të papajtueshme me të keqen në emër të idealit dhe parimeve kurse në rolin e drejtuesit të një institucioni që të kërkon të punosh me të tjerët, me institucionet e tjera, quaje po deshe të bësh politikë, kërkohet moderacioni më shumë sesa radikaliteteti, realizimi i gjërave konkrete më shumë sesa shprehja e idealeve. Që të jem i sinqertë kur mora propozimin e shoqatës së gazetarëve profesionistë për të qenë antar i KDRTSH nuk e mendova se një detyrë e tillë do të politizohej aq shumë e do të futesha në qendër të polemikave politike. Pra, kam menduar se emri im si gazetar do të mbetej kryesori dhe nuk do të ekliposohej nga ajo detyrë, por mbi të gjitha se nuk do të ishte në kontradiktë të fortë me atë detyrë. Kam menduar se mund të gjeja një lloj kompromisi midis punës sime si gazetar dhe qënies antar i një bordi të Televizionit Publik, aq më tepër duke patur parasysh ndjeshmërinë që kam treguar vazhdimisht për publiken çka do të thoshte për mua se kahja e ideve për të cilat jam shprehur idealisht është e njëjtë me kahen e punës për bërjen e tyre realitet, e jo e kundërt. Duhet ta pranoj se në këtë llogari kam gabuar sepse nënvleftësova faktin (që e di) se sa xheloze dhe e sëmurë është politika për të ruajtur kontrollin total mbi çdo gjë që ekziston në Shqipëri dhe veçanërisht mbi sistemin mediatik, por edhe sepse besova se tashmë ka ardhur koha kur të gjithë aktorët janë ndërgjegjësuar se nuk mund të shkohet më kështu me këtë bathore mediash që kemi.
“Jeta është në ëndërr ëndrra bëhet realitet” thotë romantiku Novalis. Ju me fjalë të tjera më akuzoni se hoqa dorë nga vullneti për të bërë realitet ëndrrën. Edhe në shtypin e këtyre ditëve gjeta një kritikë të artikuluar nga Rudina Xhunga në gazetën Shqip e cila kritikonte një lloj idealizme që të shtyn “tu rrish larg skemave, marrëveshjeve intrigave, prapaskenave me drojën se mos ndotesh.” “Por nëse punon edhe do të bëhesh pis.”. “Të kesh frikë se mos bëhesh pis [...] është si të mos bijesh në dashuri nga frika se mos vuan.” – thotë Xhunga edhe pse kur kjo gazetë ku ajo punon më akuzoi me të keq se “u bëra pis” nuk më përkrahu duke paraqitur këtë filozofi. Është shumë e vërtetë megjithatë ajo që thotë sepse tek e fundit këtu vijmë tek thelbi i çështjes që, po të ekstrapolojmë, mund ta shtrojmë kështu: a mund të themi se jemi të moralshëm e të lirë duke ndejtur në shtëpi e duke prerë çdo marrëdhënie me shoqërinë nga frika se humbasim moralin dhe lirinë? Unë them jo sepse në fakt edhe liria edhe morali janë dimensione të njeriut si qënie sociale, që kanë kuptim vetëm në atë kontekst. Nuk mund të thuhet se dikush është i lirë nëse largohet nga të tjerët ngase i gjykon se nuk janë të lirë, e, as i moralshëm nëse nuk është në marrëdhënie ndërveprimi me të tjerët. Por nga ana tjetër kjo nuk do të thotë se duhe të bëjë imoralitete meqë është në një ambjent të pamoralshë apo të dhunojë liritë meqë është në një ambjent ku dhunohen liritë. Problemi pra më shumë është të luftosh për lirinë dhe të luftosh për moralitetin sesa të jesh i lirë, të jesh i moralshëm. Ose, nëse do të përdor metaforën e dashurisë që ka përdorur Xhunga do të thoja se liria ka të bëjë edhe me ndërmarrjen e rrezikut për t’u lidhur me dikë. Nga kjo lidhje nesër mund të kesh edhe telashe edhe zhgënjime edhe dhimbje, por vetëm nga kjo lidhje do të kesh mundësi të gjenerosh jetë, të fitosh frymëzim ose të gjesh një kuptim jete. Mirëpo akti i lidhjes nënkupton një gjë fillestare; besimin, në kohën kur bën lidhjen, se kjo do të ecë. E problemi është se që nga koha kur unë bëra “fejesën” e deri kur vendosa të mos “martohem” ndodhi diçka që më humbi atë besim të kursyer që kisha ushqyer në mundsinë e realizimit të diçkaje. Kur pranova e pata të qartë se po “nxirrja nga xhepi” një pjesë të lirisë sime apo edhe të moralit për ta investuar me besimin se për një kohë më të shkurtër apo më të gjatë nëpërmjet rezultateve të kësaj “martese” do të mund të fito/ja/nim diçka më shumë liri dhe moral. Pra shumë njerëz që mund ta kishin parë me dyshim këtë vendim duke parë disa rezultate të prekshme në RTSH e në mënyrën e funksionimit të tij qoftë përsa i përket paanshmërisë, qoftë përsa i përket shërbimit ndaj publikut, qoftë përsa i përket transparencës së menaxhimit do të mund të më rikthenini ndoshta edhe më shumë besim. Në këtë kontekst edhe mazhranca që zgjodhi atë formulë duke pasur besim në zgjedhjen e saj dhe në qëllimin e mirë të zgjedhjes së saj do të mund të merrte ndonjë pikë më shumë nga elektorati edhe për përmirësim të gjendjes së RTSH. Mirëpo mazhoranca e sakrifikoi shumë shpejt kalin për torre nëse do të përdorja një metaforë shahistike. Kurse opozita vazhdoi të shqetësohet vetëm për një gjë: se si kjo mazhorancë të mos pranohet në asgjë, të mos ketë mundësi për asnjë lloj suksesi, madje mundësisht Shqipëria të bjerë poshtë e më poshtë gjatë kësaj kohe derisa ajo të rikthehet në pushtet.
Prandja në thelb, me gjithë kontradiktat që bart kjo dorëheqje ashtu sikurse edhe zgjedhja, mendoj se kam marrë një vendim të drejtë dhe se rasti im mund të shërbejë sadopak për të ilustruar se sa e vështirë është të hysh në institucionet shqiptare me idenë se ke marrë një mistri për të ndërtuar dhe jo me idenë se ke marrë një pushkë, që ta ka dhënë partia, për të luftuar kundërshtarin.

Kohët e fundit një nga temat më të diskutuara në opinion publik shqiptar dhe sidomos në atë politik ka qënë bllokimi i kompanisë ajrore Albatros. Si e shihni gjithë këtë histori dhe a mendoni se ky ka qënë një veprim i qeverisë për t'i bërë presion presidentit?

Për këtë çështje jam shprehur edhe më herët me një shkrim të titulluar “Dy modele të dështuar”. E kam fjalën për dy modele të menaxhimit të vendit që na paraqiten nga politika lidhur me raportin e shtetit me shkelësit e ligjit – e këtu e kam fjalën kryesisht për rastet e bizneseve që ndërtohen me afera korruptive e shkelin ligjin. Po të kesh parasyh tërë qëndrimin e opozitës ndaj tentativave të mazhorancës për të dënuar shkelësit e ligjit apo korrupsionin ato mund të sintetizohen në kërkesën: o dënojini të gjithë ose asnjërin. E meqënëse të gjithë nuk mund të dënohen atëhere s’keni të drejtë të dënoni asnjërin sepse ata që po dënoni doni t’i zgjidhni nga rradhët e mbështetësve tanë ose t’u bëni presion për synimet tuaja. Në rastin e Albatrosit kjo mendësi shprehet në atë se opozita nuk thotë qoftë edhe një fjalë të vetme për nëpërkëmbjen që i ka bërë ligjit kjo kompani, por e merr në mbrojtje duke theksuar vetëm gjysmën e kësaj historie: goditjen selektive të saj për të bërë presion mbi Presidentin. Unë besoj se bërja presion dhe përdorimi selektiv i ligjit në këtë rast ekziston. E besoj këtë edhe thjeshtë duke iu rferuar faktit se ky ka qenë dhe mbetet një model i bërjes politikë tek ne dhe është një model i dënueshm dhe i dështuar njëkohësisht. Sepse nëse mazhoranca tregon selektivitet në aplikimin e ligjit dhe më anë tjetër arrin nëpërmjet mjetesh të pamoralshme të heqë prokurorin e të vendosë një prokuror të vetin atëher nuk do të kishim asnjë garanci që ky prokuror nuk do të përdorej gjithnjë në mënyrë selektive për të topitur çdo kundërshtar politik. Personalisht kam qenë dhe mbetem i mendimit se sot për sot rreziku më i madh nuk është ky, por kapja e shtetit nga krimi e korrupsioni, mbretëria a pandëshkueshmërisë që ndërtuan socialistët për krimin e se prokurori me kohë duhet të kishte dhënë dorëheqjen për këtë. Por nuk duhet të neglizhojmë faktin se duke patur parasysh se shumicën e liderëve të opozitës mund t’i kapësh e dënosh me ligj do të mund të ndodheshim përpara situatash shumë komplekse. Po të kesh një prokuror që nuk jep garanci se nuk mund të përdoret për të shkatërruar opozitën duke përdorur ligjin në mënyrë selektive mund të vijmë në një situatë mungese opozite dhe autoritarizmi të ushtruar nëpërmjet kërcënimit të dënimit. Dhe problemi më i madhe që do të sillte kjo situatë është ai se kush do ta korrigjonte Berishën dhe PD kur të bëjë politika të gabuara? Po t’i hysh thellë fenomenit me Albatrosin do të shohim se jemi pikërisht përpara këtyre dilemave të vështira që kërkojnë vërtet përgjegjësi dhe debat të thellë për të gjetur mënyrat e daljes nga dy modelet e dështuara, atë të pandëshkueshmërisë dhe atë të aplikimit selektiv të ligjit e të ndërtojmë modele që të çojnë drejt kthimit të autoriteti të shtetit më një anë e krijimit të barazisë përpara ligjit më anë tjetër.

Çështja Albatros ka sjellë në skenë edhe një problem tjetër për shoqërinë shqiptare. Fjala është për modën e përgjimeve. Mendoni se "çimkëzimi" po vë në rrezik lirinë e individit?

Kjo puna e përhapjes së modës së përdorimit të çimkave për përgjime është diçka që shoqëria duhet ta trajtojë seriozisht sepse është treguesi i asaj se çfarë marrëdhëniesh kemi krijuar në këtë shoqëri të kapitalizmit të egër dmth. se ku po shkon shoqëria nga pikpamja e moralit, e besimit të njeriut tek njeriu, e ndershmërisë së raporteve dhe zgjedhjes së mjeteve për zgjidhjen e problmeme që ka të bëjë, mes tjerash, edhe me krijimin e kushteve për një treg të lirë e të ndershëm. E kjo është gjëja më e rëndësishme sepse ajo që e quajmë cilësi e jetës mbi të gjitha ka të bëjë me gjendjen shpirtërore të një individi apo të një shoqërie dhe jo me gjendjen materiale. Historitë me çimka tregojnë se përdorimi i çdo mjeti për të arritur qëllimin tek ne ka arritur nivele degraduese të papara, por sapo thua këtë kujtohesh se nga kemi dalë: nga shoqëria komuniste e mbushur me përgjues natyralë, veshë të ngritur, që, për të bërë një copë karrierë çfarë nuk bënin. Prandaj nuk mund të mos mendosh se këtu nuk kemi të bëjmë me degradim nga një gjendje më e mirë, por me një vazhdimësi imoraliteti me përmirësime teknologjike.
Nuk e dimë tamam se si janë zhvilluar ngjarjet, por, nga sa kam ndjekur mediat, mua më duket se në një situatë me moral të shëndëshë dhe respekt për ligjin si në nivel individual edhe në nivel institucionesh, kur një kompani ka një borxh dhe kur, nga ana tjetër, pronarët kanë lidhje të afërta me Presidentin dhe e dinë se ky është në një moment delikat të karrierës së tij gjëja më e moralshme që do të duhet të bënin, madje pa marrë sinjalin se borxhi i tyre po përdoret për të bërë presion, duhej të ishte pagesa e borxhit pikërisht për ta lehtësuar jo vetëm presidentin, por edhe klimën politike. Aq më tepër kur shifra e borxhit është 400 mjë euro kurse fitimi, sipas shtypit, vetëm në një vit është 17 milion. Kurse futja në skenarin e përgjimit është komprometuese aq më tepër pse Albatros nuk merr dot përsipër as autorësinë e përgjimit sepse është e paligjshme. Kurse po ta kërkonin lejen e përgjimit në prokurori do të ishte prap e papëlqyeshme sepse prokurori në këtë rast do të akuzohej se po përdorte institucionin për të mbrojtur vetveten. Pra ky përgjim sipas meje më shumë ka sjellë dëm sesa fitim qoftë në kuptimin e moralitetit të një akti që përdoret për të arritur një qëllim qoftë në kontekstin e klimës së përgjithshme të marrëdhënies midis institucioneve. Këtu po merrem me përgjimin pa harruar se ky nuk justifikon tentativën e cilitdo pushtetar për të përdorur borxhin për qëllime politike apo aplikuar ligjin në mënyrë selektive. Edhe kjo është e dënueshme, madje po ta vesh në ballancë rëndon më shumë sepse është shteti i pari që duhet të rrezatojë moralitet. Kurse akoma më e dënueshme bëhet gjendja kur i sheh të dyja këtë forma në bashkveprim sepse përçojnë një klimë tejet të rëndë përsa i përketë shëndetit moral dhe respektit për ligjin në shqërinë shqiptare. (Rubrika Përpjekja, Standart, 23 shtator 2006)

Tri arësye pse jap dorëheqjen nga KDRTSH

Këto ditë, pasi u njoha më nga afër me marrëveshjen midis PD dhe PS e cila midis të tjerash ka prekur edhe Këshillin Drejtues të RTSH anëtar i të cilit jam zgjedhur si dhe zhvillimet pas saj vendosa të jap dorëheqjen nga kjo detyrë.
Janë kryesisht tri arësyet që më shtynë të marr këtë vendim.
Së pari, këtë marëveshje e konsideroj fryt të një politike që e kam denoncuar mëse një herë - kohët e fundit në një shkrim “Shteti i ligjit dhe shteti i marrëveshjes”- që sipas meje e ka lënë vendin në një nëpërkëmbje permanente të ligjit. Sipas gjykmit tim loja e politikës sonë me dualizmin ligj - marrëveshje, për fat të keq edhe me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve, ku, për interesa të ngushta partiake në më të shpeshtën e herëve marrëveshja ka nëpërkëmbur ligjin, i ka dhënë udhë arbitraritetit, lojës së forcës dhe ka depersonalizuar çdo institucion tjetër që buron prej ligjit. Edhe në marrëveshjen e fundit ndodhi e njëjta gjë. U arrit deri sa u shkel Kushtetuta vetëm pse dy parti donin të kishin nga një antar në KQZ. Përsa i përket KDRTSH marrëveshja e bërë nëpërkëmb ligjin që sapo ishte votuar nga Parlamenti duke ndryshuar numrin e antarëve të KDRTSH që u bë nga 7 në 11, duke ndryshuar formulën e përzgjedhjes së anëtarëve si dhe duke parashikuar shtesa të tjera që nuk ekzistonin në ligj. Një akt i tillë në vazhdën e akteve të mbivendosje së marëveshjes mbi ligjin le pak shpresë se respekti dhe aplikimi i ligjit do të jetë i garantuar. Në këtë kontekst po të shikosh gjendjen e mediave në Shqipëri ajo është e zhytur në paligjshmëri dhe vetëm një zbatim me rigorozitet i ligjit do të mund të krijonte premisat e një normalizimi dhe ringjallje të RTSH, kurse në këto kushte ajo çka ndodhi tregon se partitë do të venë interesat dhe vullnetin e tyre mbi ligjin. Një akt i tillë depersonalizon dhe shkurajon këto që kërkon të besojë e mbështetet vetëm tek ligji duke e bërë të ndjehet instrument në duart dhe interesat e këtyre partive dhe jo në shërbim publikut
Së dyti, lidhur ngushtë me të parën: kam qenë në mënyrë koherente dhe mbetem gjithaq kundër formulës së zgjedhjes të institucioneve të tilla si KDRTSH sipas formulës me balancim politik nëpërmjet përzgjedhjes së anëtarëve me propozim të dy forcave kryesore politike sepse kjo formulë nuk ka lejuar krijimin e institucioneve që duhet të funksionojnë të pavarur nga pushteti i këtyre partive, duke i ka lënë ato peng të tyre dhe të partitokracisë së tyre. Edhe në rastin e RTSH ajo ka treguar joefikasitetin e saj. Në rastin në fjalë ligji ende ekzistues parashikonte që Këshilli Drejtues i RTVSH zgjidhej nga Parlamenti mbi bazën e propozimeve të shoqërisë civile dhe jo mbi bazën e përzgjedhjes së tyre nga dy partitë me formulë balancimi që automatikisht i rreshton anëtarët e KDRTSH në dy kampe. Ky ligj që megjithë mangësitë që mund të ketë garantonte pavarësi nga dy partitë kryesore si dhe numri i vogël i anëtarëve qenë një nga arsyet pse pranova që kandidatura ime të bënte pjesë në një listë personash të propozuar nga shoqata të ndryshme. Dhe këtë e kam deklaruar mëse një herë publikisht. Kthimi në formulën me balancim përfaqësuesish të dy partive si dhe propozimet që janë bërë në marrëveshje kërkojnë minimalisht nga Parlamenti të kërkojë votimin e të gjithë antarëve që të mund të pranojnë apo jo të venë kandidaturën e tyre sipas marrëveshjes së re të kthyer në ligj yë ri. Përsa më përket në një ligj të hartuar mbi bazën e kësaj merrëveshjeje nuk e gjej veten sepse nuk do të pranoja të shndrohesha në përfaqësues të cilësdo nga dy partitë që kanë bërë marrëveshjen dhe, po ashtu, e shoh si një ligj bllokues që ruan statukuonë duke mos më lënë mundësi të realizoj shumë nga idetë që kisha në mendje kur pranova të bëhem antar i KDRTSH.
Së treti, gjatë kësaj periudhe të shkurtër si Kryetar i KDRTSH kam dhënë një numër intervistash lidhur me Televizionin Publik dhe nevojën e normalizimit të sistemit tonë të mediave që noton në paligjshmëri. Ato ishin për mua edhe një test për të parë reagimin ndaj këtyre propozimeve nga ana e atyre forcave pa bashkveprimin e të cilave, sikurse e kam thënë dhe rithënë shpesh, ato nuk mund të bëheshin sadopak realitet. E kam fjalën për aktorët politikë, pronarët e mediave dhe gazetarët. Nga ana e opozitës kam gjetur armiqësinë e saj – sipas meje pse është krijuesja e sistemit mediatik që kemi dhe përgjegjësja kryesore për shkatërrimin e RTSH; kurse mazhorancën e kam gjetur të frustruar pjesërisht nga trashëgimia e vjetër e Berishës, dhe pjesërisht ngase, sipas meje, edhe ajo është ndërdyshëse nëse duhet të përpiqet ta ndryshojë këtë sistem apo ta kthejë atë në favorin e saj. Këtë mosinteresim apo pafuqi për ndryshimn e statukuosë sipas meje e tregon edhe fakti se ndërkohë që këto dy parti kanë shpenzuar energji pa fund për të gjetur formulat e ballancimit të pushtetve duke e kthyer edhe çështjen e KDRTSH në një arenë lufte midis tyre nuk kanë shpenzuar asnjë sekondë për të hartuar e debatuar projekte për ndryshimin e gjendjes së sistemit tonë të mediave.
Përsa i përket kolegëve gazetarë (gjej këtu rastin të falenderoj edhe një herë ata që e kanë mirëpritur kandidaturën time) shumicën i kam parë të merren me gjithshka lidhur me zgjedhjen time, por jo me atë që, sipas meje, është thelbi i asaj që kam ngritur: nevoja urgjente e normalizimit të mediave. Nga shumica e tyre kam marrë mesazhin se ose nuk kanë besim se mund të ndryshohet ky sistem mediatik ose se janë vegla të këtij sistemi e prandaj luftojnë që të ruhet statukuoja. Kuptohet që aq më pak kam ndjerë mbështetjen e pronarëve të medive private, të cilët, përveç të tjerave, e shohin TVSH si konkurent. E ndërkaq mendimi im ka qenë dhe mbetet se pa një prokjekt tërësor për normalizmin e mediave në Shqipëri për futjen e tyre brenda ligjit e tregut të lirë as TVSH nuk do të mund të merrte dinjitetin dhe seriozitetin që kanë trelevizionet publike në tërë Evropën.
Këtë janë tre arësyet kryesore që më detyruan të jap dorëheqjen e parevokueshme nga Këshilli Drejtues i RTSH.

Fatos Lubonja
Korrieri 20 shtator 2006

Dy modele të dështuar

Këto ditë shtypi shqiptar po zien lidhur me çështjen e një kompanie ajrore me emrin e një zogu që ca e njohin për ndjellakeq e ca për lartfluturues: Albatros. U botuan dy dokumente/akuzë. Njëri ishte zbardhja e një inçizimi të fshehtë që drejtuesit e kompanisë Albatros i kanë bërë drejtorit të Aviacionit Civil, ku del se midis zyrtarit dhe inçizuesve është bërë një si pazar që këta të ndërhyjnë te Moisiu që ky i fundit të firmosë shkarkimin e prokurorit Sollaku në këmbim të hapjes së kafazit për Albatrosin. Dokumenti tjetër është mbrojtja që drejtori ka menduar të paraqesë, edhe si justifikim i bisedës, duke botuar një dokument sipas të cilit del se nga zyrat e presidencës i është kërkuar të ndërhyet në mbrojtje të Albatrosit kundër një kompanie rivale, Bell Air. Me një fjalë Presidenti paska ndërhyrë për të mbrotjur bizneset e nipit të tij po te ky zyrtar ku ka shkuar pastaj i nipi me mikroçip përgjimi. Punë e ngatërruar shqiptarësh, me përgjime dhe letra që ruhen për momentin e duhur, me ndërhyrje, shantazhe. përzjerje të politikës me biznesin, e me rradhë.
Duke dashur t’i bësh një shkoklavitje kësaj ngatërrese të re mund të thuash dy gjëra pa patur frikë se gabon: Së pari shumica e shqiptarëve besojnë se Albatrosi ligjin e ka shkelur duke mos i paguar ato borxhe e për këtë (sikurse edhe për hapjen e biznesit) ka pasur edhe mbrojtje apo mbështetje politike. Së dyti, shumica nuk e ve në dyshim faktin se sikur kompania Albatros të mos kishte këtë lidhje me presidentin Moisiu dhe se ky, nga ana tjetër, të mos kishte bllokuar shkarkimin e Sollakut gjërat, pas shumë gjasash, nuk do të kishin shkuar kështu për këtë kompani.
Mbi këto dy fakte të pakundërshtueshme për shumicën komentet janë të ndryshme. Në tërësi do të vesh re se ato ndahen në dy linja kryesore: më një anë mbështetësit e Qeverisë e të Berishës dhe më anë tjetër kundërshtarët e tij mbështetës të opozitës. Mbështetësit e qeverisë e hapin debatin me shkeljen e ligjit dhe nevojën e zbatimit të ligjit duke treguar se Albatrosit, sipas ministrit Basha, pas disa paralajmërimesh i është ndaluar fluturimi për 900 mijë euro borxhe të papaguara ndër të cilat mbi 400 mijë shtetit dhe të tjerat TAP-it, shoqëria që po ndërton aeroportin e Rinasit. Kundërshtarët nuk i lenë të mbarojnë fjalën dhe hidhen e përmendin rastet ku qeveria ka mbyllur sytë, madje edhe ka favorizuar të tjerë shkelës, për të provuar se kemi të bëjmë me goditje selektive që bëhet për hesap të bërjes presion mbi presidentin. Në përgjithësi debatet ngecen këtu, por atje ku debatuesit janë më të sofistikuar do të shohësh se mbështetësit e qeverisë i kundërpërgjigjen akuzës për selektivitet duke thënë se shteti do dhe duhet të godasë atje ku ka rrezik më të madh e se nuk ka rrezik më të madh sesa kur krimi ekonomik ka mbështetjen e presidentit. A e kuptoni pse Presidenti nuk e heq Prokurorin? – thonë ata. Kurse kundërshtarët e Berishës ngulmojnë prap duke thënë se kemi një përdorim të ligjit për qëllime që janë larg moralitetit të ligjit, çka paraqet rrezikshmëri edhe për lirinë sepse edhe institucini i presidentit kështu rrezikon të humbasë lirinë. Mbështetësit e Berishës, ndërkaq, kundërpërgjigjen duke thënë se Presidenti nuk ka qenë i lirë sepse, sikurse dhe e provon ky rast, ka qenë i kapur nga krimi. Kundërshtarët thonë se për këtë mund të akuzohet edhe Berisha.
Prapa gjithë këtyre debateve do të vemë re se kjo ngjarje rihap për të shumtën herë një çështje që është kyçe në situatën politike aktuale sepse ka të bëjë me ballafaqimin e dy modeleve që kemi provuar deri më sot në menaxhimin e vendit nga ana e politikës.
Po të vesh re kundërshtarët e Berishës e ndalin arsyetimin deri tek akuzat për selektivitet për të provuar se Berisha po kërkon të na pushtojë institucionet (në këtë rast Presidencën e Prokurorinë) e pas kësaj liritë. Ata nuk merren fare me çështjen nëse është apo jo shkelës ligji nipi i presidentit, as nuk merren (fatkeqësisht edhe kur janë gazetarë) me faktin se shqiptarët e shkretë kanë fluturuar në këtë kompani me një avion të vetëm të cilit nuk i janë hapur rrotat në kohën e duhur nja dy herë. Ata nuk e shtrojnë fare çështjen se Presidentit edhe si baba i kombit, të paktën një gjë i takonte të theksonte e të kërkonte nga bijtë dhe nipërit e tij: që të ishin në rregull me ligjin e t’i paguanin borxhet një sahat e më parë. Nuk mundet një baba të justifikohet duke thënë se djali i tij nuk duhet të ndëshkohet meqënëse në këtë botë ka kaq shumë kriminelë. Le pastaj që këtë punën e përgjimit që ngjan edhe si provokim nëse e ka ditur ai duhet ta ndalonte me çdo kusht. Por mbi të gjitha aq më pak merren opozitarët me çështjen se çfarë na mbetet të bëjmë nëse nuk i ndëshkojmë shkelësit e kësaj kategorie? Ajo që na lenë ata të nënkuptojmë me formën e kundërshtimit të tyre që sheh vetëm gjysmën që u intereson është se duhet të kthehemi tek modeli qeverisës Nano – Meta – Rama - Gjinushi etj. që me një fjalë të vetme është quajtur i pandëshkueshmërisë ku ka mbizotëruar liria e të gjithëve për të shkelur ligjin dhe dallimet janë bërë vetëm duke përdorur pushtetin politik për të favorizuar klientelën kurse ndaj kundërshtarëve është përdorur blerja. Ndërkaq, në krahun tjetër na shfaqet një model (Berisha) që luftën kundër shkelësve e trumbeton si pjesë të një programi politik për të vendosur shtetin ligjor, që i kërkon me ngulm prokurorisë të veprojë, por që jep shenja të dukëshme se në morinë e shkelësve goditja do të bjerë mbi ata që janë kundërshtarë të pushtetit apo që sponsorizojnë opozitën për të rrëzuar këtë pushtet.
Nuk ka dyshim se kemi të bëjmë me dy modele të këqinj, që janë vërtetuar të dy si të dështuar. Ai socialist sepse krijoi mbretërinë e një pandëshkueshmërie dhe imoraliteti të paparë, kurse ky i dyti të se mund të bëjë të ndjehet i kërcënuar nga goditja gjithsejcili që nuk pajtohet me politikën e partisë në pushtet e të lihen të lirë të tjerët që e mbështesin atë duke cënuar një nga të drejtat më themelore të njeriut: atë të barazisë përpara ligjit dhe pa e zhdukur, nga ana tjetër, korrupsionin.
Po a mund të dalim nga këta dy modele? Nëse gjërat do t’i shohim në mënyrë mekanike do të na duhej të thoshim se duhet të zgjedhim midis njërit dhe tjetrit model çka do të ishte, sipas gjykmit tim, njëlloj tragjike. Nëse do të niseshim nga ideali e do të kërkonim nga prokurori që të ngrihej në nivel të tillë pavarësie e neutraliteti e autoriteti saqë asnjë shkelës i ligjit të mos ndihej i sigurtë, qoftë mbështetës i njërës apo tjetrës parti, në pushtet qendror apo lokal, do të etiketoheshim si njerëz me këmbët në ajër jo në tokë.
E vetmja gjë që mbetet është pikërisht vështrimi i kësaj situate në dialektikën e vet. Pra kur përballë shkelësit të ligjit prokuroria të detyrohet të veprojë e kërkush të mos e mbrojë për sa kohë që provohet si i tillë, e kur, më anë tjetër, opozita të denoncojë me forcë selektivitetin si kërcënim duke kërkuar dënimin edhe të mbështetësve të Berishës që provohet se shkelin ligjin. Vetëm nëpërmjet kësaj dialektike mund të dilet ndoshta, them ndoshta dhe vetëm ndoshta, nga ky bllokim për të shkuar drejt një modeli të ri. Por kjo nënkupton, më së pari, ndërgjegjësimin e të dy palëve se dy modelet e tyre janë të dështuar dhe, mbi të gjitha, se nuk pranohen më nga shqiptarët. Mirëpo, ndërkaq, është e qartë se një klasë politike që i ka krijuar këta modele e ka dy herë të vështirë të dalë prej tyre jo vetëm pse ato janë pjesë e kulturës së saj, por edhe pse i duhet të përgjigjet për dëmet që ka sjellë – e kjo është vështirësia më e madhe. Por, nga ana tjetër, vetëm dialektika që përmenda më lart them se mund të sjellë, në proces, edhe lindjen e një klase me një ndërgjegjeje tjetër politike. (Korrieri, 14 shtator 2006)

Monday, November 27, 2006

Enver Hoxhë dhe rrokenrroll

“Si shpjegohet që numrin më të madhe të simpatizantëve ti e ke tek moshat e treta dhe rinia?”. Kjo është pyetja që një gazetar i huaj i ka shtruar para tre vjetësh kandidatit për herë të dytë për Bashkinë e Tiranës, Edi Rama, pasi kishte bërë një shëtitje nëpër tendat e tij elektorale duke intervistuar njerëzit aty. Përgjigja që i kishte dhënë kryetari ishte se këto janë moshat më të pastra, më idealiste, më të ç’interesuara për gjërat materiale të jetës, kurse moshat midis tyre janë bërë pis tashmë nga paraja. Gazetarit i ishte dukur interesante kjo përgjigje, por edhe pak e dyshimtë dhe kur më takoi më kërkoi t’i jepja mendimin tim nëse ishte apo nuk ishte kështu dhe ta thelloja kuptimin e saj po të qe e mundur.
Duke parë organizimin e Pezës mu kujtua biseda me atë gazetar dhe thashë me vete se për ta gjetur të vërtetën e përgjigjes së kryesocialistit të sotëm gazetari nuk do të kishte pasur rast më të mirë sesa të merrte pjesë në festimet e Pezës më 16 shtator organizuar nga Bashkia e Tiranës. Paradite ai do të gjente atje kryetarin e Bashkisë dhe liderët e tjerë të së ashtuquajturës e majtë së bashku me moshat e treta duke brohoritur për Enver Hoxhën, pasdite do të gjente boshllëk, kurse në mbrëmje dhe natën vonë do të gjente kryetarin e Bashkisë së bashku me rininë duke kënduar e kërcyer rrok. Pra aty do të kuptonte më mirë se kudo se “ideali” dhe “pastërtia” e atyre moshave të treta që ai ka parë në tendat e kryebashkiakut socialist është Enver Hoxha kurse ai i rinisë është rroku. Sigurisht do ta kishte ca të vështirë t’i bashkonte të dyja. Si ka mundësi që kjo rini që duhet të adhurojë lirinë dhe demokracinë shkon e feston të njëjtën festë me të atyre që adhurojnë diktatorin e kanë ndërtuar diktaturën? Do të duhej t’i jepej pak shpjegim për atë se ne kemi më një anë një kategori politikanësh si kryebashkiaku që nuk e ka për gjë që, për interesat e veta, t’i ulë në një tryezë të hanë e të pinë edhe djajtë edhe ëngjëjt e, më anë tjetër, një popull të vuajtur e të mbajtur në padituri nga kjo kategori politikanësh. Sidoqoftë besoj se do ta kuptonte më shpjet se bashkimi paradoksal i dy kategorive të përkundërta të simpaztizantëve të kryebashkiakut do të shpjegohej jo me idealizmën dhe pastërtinë e tyre, por me manipulueshmërinë e tyre më të lehtë.
Problemi është se cilat janë pasojat jashtelektorale dhe afatgjata të këtij manipulimi. E kur flas për pasojat sigurisht e kam fjalën për të rinjtë sepse për ata që brohorasin edhe sot për diktatorin Enver Hoxha nuk mund të them tjetër veçse thënien popullore: “Gungën e kurrizos e drejton vetëm varri.” Dikujt mund t’i duket e rëndë kjo që thashë, por po të rikujtoj ata mijëra që ka çuar në varr në moshë të re Enver Hoxha me shokë besoj se do t’i duket më e lehtë.
E pra problemi kryesor që nxjerr në pah kjo dritëshkurtësi e politikanëve tanë që, për të fituar një votë, janë gati të bashkëpunojnë edhe me kriminelë, është rinia, është fakti se në vend se ta edukojmë e diturojmë rininë kërkojmë që asaj t’i shpëlajmë trutë. Sepse nuk do shumë mend për të kuptuar se bashkimi i rrokut me Enver Hoxhën kryhet nëpërmjet një operacioni manipulimi. Ditë festa e ish Partisë së Punës të Enver Hoshës mbahet gjallë dhe festohet nga partitë bija socialiste të Nanos, Metës, Milos dhe Ramës sepse nëpërmjet saj bashkohen votuesit veteranë shumica e të cilëve adhurojnë Enver Hoxhë. Por, meqënëse votat e tyre nuk na mjaftojnë, atëhere duhet të bëjmë çmos që kjo festë të jetë tërheqëse edhe për rininë e prandaj në darkë ta kthejmë në koncert rroku. Pra në mëngjes u flasim veteranëve për Babë Myslimin dhe Enver Hoxhën kurse në darkë i japim rinisë koncert rrok. Dhe sa për artistë nga ata që i kanë kënduar dhe diktaturës dhe demokracisë kemi me bollëk. Ndonëse të dy grupet e festuesve as nuk takohen me njëri tjetrin, rëndësi ka që lidhësit e tyre, liderët e sotëm politikë, të ndodhen në të dy grupimet. Pastaj kemi edhe televizionet që na bëjnë jehonë.
Ndërkaq, po t’i marrësh e t’i intervistosh ata të rinj që kanë kërcyer rrok në mbrëmjen dhe menatën e 16 shtatorit në Pezë nën thirrjen e një ftese për të cilën Bashkia kishte paguar tërë televizonet e mundshme që ta raklamonin pareshtur, shumica do të të thonë se nuk dinë gjë fare se ç’ishte Konferenca e Pezës, as do të dinë të të flasin për Luftën, madje, po t’i besojmë një anketimi të fundit të një shoqate. një pjesë e tyre nuk dinë as se cili ka qenë Enver Hoxha. Megjithatë ata mësojnë këtu aq sa u duhet liderëve tanë: se kjo është festa jonë me të cilën identifikohemi ne socialistët, që e duam aq shumë rrokun, që e doni edhe ju, që ju bëjmë të kërceni e të dëfreheni; e se rrënjët tona kaq të vyera i kemi tek Lufta dhe tek Bab Myslimi dhe Enver Hoxha që u mblodhën në këtë ditë të shënuar para 64 vjetësh. Kurse të tjerët që nuk vijnë këtu janë kundërshtarët tanë, por ne jemi shumica reale e vendit.
E di që në këtë moment, duke lexuar këto rradhë, të gjithë enveristë dhe socialistë do të më gërmushen: po çdo të thuash ti, kërkon të mohosh luftën? Kërkon të mohosh konferencën e Pezës ku ka qenë edhe yt atë? Lufta dhe Peza janë të të gjithë shqiptarëve jo vetëm të socialistëve. Dhe unë do të përgjigjem: po dua të mohoj Luftën dhe Konferencën e Pezës të trajtuar ashtu siç e ka trajtuar historiografia e Enver Hoxhës - që ishte mënyra se si e trajtuan liderët socialistë në festimin e fundit - e për pasojë edhe faktin se ajo kërkohet të na shitet si festë e të gjithë shqiptarëve. Dhe do të vazhdoja me pyetjet: përse kur përmendin Pezën ata zenë në gojë vetëm Muslimin dhe Enver Hoxhën e nuk përmendin Abaz Kupin psh.? Përse i cilësojnë tradhëtarë me gjuhën e Enver Hoxhës ata që u ndanë nga Fronti e nuk kujtonë se tradhëtia më e madhe ishte ajo ndaj idesë themelore të Pezës: bashkimi pa dallim feje, krahine dhe ideje, të cilën e tradhëtuan komunistët për shkak të ideologjisë totalitare që e ushtruan edhe gjatë luftës - me të vetët më së pari (kujtoni dënimet e eliminimet e Sadik Premtes, Anastas Lulos Zef Malës, Mustafa Gjinishit e shumë të tjera) - por në mënyrën më tragjke me kundërshtarët veçanërisht pasi morën pushtetin. Mjafton kjo mënyrë trajtimi e Luftës dhe e Konferencës së Pezës për të kuptuar se socialistët me të njëjtën mendësi totalitare, përjashtuese dhe manipuluese kërkojnë ta shesin si të të gjithëve një festë që në të vërtet e duan, e trajtojnë dhe e festojnë si të vetën.
Nuk mund t’ua ndalosh veteranëve të luftës të mblidhen e të festojnë Pezën. Nuk mund t’ua ndalosh me ligj që të brohorasin për Enver Hoxhën, ndonëse nuk duhet të harrojmë se propaganda naziste dënohet me ligj në Gjermani. Nuk mund t’ia ndalosh historianit Paskal Milo të bëjë ndonjë seminar mbi Konferencën e Pezës e të përmendë atje edhe rolin e Enver Hoxhës. Por të çosh të rinjtë të festojnë të njëjtën festë ku ekzaltohet diktatori e ta sponsorizosh këtë si festë të të gjithë shqiptarëve kjo më duket se do të bënte të lëviznin nga varri ata mijëra të vrarë me gjyq e pa gjyq nga diktatura e Enver Hoxhës dhe e veteranëve që ende e brohorasin atë.

Politika nuk është luftë për eliminimin e kundërshtarit por shërbim interesit publik

Z.Lubonja, a mendoni se ka ndryshuar diçka në mënyrën e rekrutimit të specialistëve në administratën tonë? Sepse, po të bësh një vëzhgim përciptazi, dallon seministritë dhe strukturat që varen këtej janë sërish të dominuara nga njerëzit e partive, apo të atyre që
dhanë kontribute në fushatë. Kur dhe si mund të rregullohet ky mekanizëm që të sigurojë përfshirjen e më të mirëve?

Është kështu si thoni ju ndonëse kam përshtypjen se vitet kanë sjellë edhe ndonjë diferencë sado të vogël në favor të moszevendësimit të gjithkujt. Sipas gjykimit tim para se të kërkosh mekanizmin e rregullimit duhen parë shkaqet pse ndodh kështu. Ka disa arësye kryesore pse në administratë ne shohim militantët e partisë që vjen në pushtet në vend të meritokratëve ose mbi shpinë të tyre. Nëse ju kujtohet konceptin e meritokracisë e futi Nano i pari dhe nuk mund të harrojmë se shumë shpejt i erdhi reagimi i parë, edhe nga të vetët, që i quajti meritokratët e Nanos “shkërdhatokratë”. Arësyeja, siç ta sugjeron edhe kjo neologjizëm, është mungesa e moralit në politikë në kuptimin e mungesës së atij virtyti që Monteskië e quan “virtyti politik i demokracisë”. Le ta citoj edhe një herë këtë thënie të Monteskës që e kam komentuar dikur gjatë në një shkrim: “Virtyti politik (i demokracisë) është heqja dorë nga vetvetja, gjë që është shumë e lodhshme për tu duruar. Ky virtyt konsiston pikërisht në vënien në mënyrë të vazhdueshme të interesit publik mbi atë privat”. Tek mungesa e këtij virtyti është problemi. Tek ne ende mbizotëron mendësia e padurimit për të hyrë në politikë jo me mendimin se kështu do t’i shërbejnë interesit publik, madje jo vetëm brezave që jetojnë, por edhe atyre që do të vijnë, por me mendimin se politika do tu shërbejë interesave të tyre private, madje imediate. E në këtë drejtim interesat janë dy llojesh shpesh të lidhur me njëri tjetrin si dy anë të medaljes: pushteti dhe paraja. Të dyja këto të çojnë tek militanti. PD në këtë drejtim kishte edhe një “handikap” të madh sepse të vetët qëndruan tetë vjet në opozitë duke parë nga stolat e opozitës se si socialistët duke ndejtur në kolltuqet e pushtetit po pasuroheshin e po zhvillonin bizneset e tyre në mënyrën më të paturpshme. Po t’i shtosh kësaj edhe polarizimin e fortë të jetës politke, që prap ka në themel mungesën e virtytit politik të demokracisë, militanti është ai që i bën të dy palët të ndjehen më të sigurtë se po mbrohen pushteti dhe interesat e tyre. Akoma nuk është kuptuar se politika nuk është luftë për eliminimin e kundërshtarit por shërbim interesit publik. E në këto kushte do të thoja se kur një ministër i sapoardhur në pushtet hyn në zyrën e tij duket sikur nuk e ndërton dot bashkëpunimin normal me paraardhësit e vendosur atje nga kundërshtari. Ky deformimim i misionit të politikës e bën të shohë tek punonjësit që ka gjetur sabotatorë tek të cilët nuk beson sa duhet të cilët, nga ana tjetër, shpesh vërtet me humbjen e pushtetit të partisë së tyre nuk kanë ndonjë interes të punojnë në atë administratë pasi mendojnë se përfitimet tani do të rrjedhin nëpër kanale të tjera.
Si mund të ndryshojë kjo situatë? Duke ndërruar morali i politikës nëpërmjet shembullit të më të mirëve do të thoja, shembullit të atyre që nuk pajtohen me këtë realitet dhe i kanë vënë vetes misionin ta ndryshojnë. Kjo kërkohet në nivelete larta më së pari, por edhe në nivele administrate. Kur dikush jep prova se ka punuar në një vend me ndershmëri, përkushtim dhe profesionalizëm ndaj interesit publik jo vetëm që inspiron edhe të tjerë, por është edhe shumë më e vështirë të hiqet nga ai vend pune. Po ashtu ajo që kërkoni mund të arrihet edhe duke u përkrahur sa më shumë, edhe nga pikpamja e hartimit të ligjeve, ngritja dhe ekzistenca e insitucioneve jeta e të cilëve nuk varet nga partitë kryesore dhe nga ndërrimi i pushtetit midis tyre. Duke u luftuar pra ajo paranojë e dy partive kryesore të cilat nuk kuptojnë dot se mund të ekzistojnë insitucione ku ata nuk kanë përfaqësuesit e tyre, vulën e tyre, pushtetin e tyre e që ka bërë që thuajse gjithshka të jetë ndarë midis tyre: mediat, bizneset, shoqëra civile, e të tjera. Por mbi të gjitha mendoj se këtë situatë mund ta ndryshojë presioni i shumicës e cila kërkon që politika t’i shërbejë e jo t’i shfrytëzojë e grabisë. Shoqëria duhet ndërgjegjësuar gjithnjë e më shumë se ky presion nuk duhet të ushtrohet vetëm ditën e zgjedhjeve, por duhet të gjejë fomat dhe mënyrat për të qenë gjithmonë i pranishëm dhe aktiv.

Po bëhet një vit nga qeverisja e Berishës. Në një analizë të shpejtë, çfarë do të veçonit si tre nga
arritjet që mund t'iu kujtohen, dhe në të kundërtën, tre dështime që mund të ndërmendni?

E kam të vështirë t’i rradhis në mënyrë mekanike tre gjëra pozitive dhe tre negative sepse nganjëherë gjërat janë më të komplikuara ngase të lidhura me njëra tjetrën e, po ashtu, ngase shpesh tek e mira mund të gjesh edhe të keqen dhe e kundërta. Psh. lufta kundër korrupsionit është pa dyshim një gjë e mirë, por përdorimi i tij në mënyrë selektive për të eliminuar kundërshtarët apo mbështetësit e tyre është gjë e keqe.
Megjithatë shpejt e shpjet do të veçoja ndër tre gjërat më pozitive: eliminimin e disa bandave që veç tjerash ishin tregues se deri në ç’shkallë kishte degraduar shteti; buxhetin shtesë që duket se vjen si rezultat i një funksionimi më të mirë të vjeljes së detyrimeve ndaj shtetit si dhe aksionin e pastrimit të disa ambjenteve publike nga uzurpimi që i kishin bërë privatët sipas një modeli krejtësisht pervers që ndërtuan socialistët e që çoi në kapjen e shtetit.
Siç e shihni vendosa tre gjëra që sipas meje tregojnë “urinë” e madhe që kanë njerëzit për të parë një shtet që nuk është më në duart e bandave e të privatëve që e përdorin atë për qëllimet e tyre, por duhet të funksionojë në funksion të interesit publik. Nëse do të rendisja tre të këqija edhe ato do t’i gjeja në mangësitë ndaj kësaj “urie”, që i ka lënë qytetarët ende në gjendje “urie” për shtet të ligjit e të barazisë përpara ligjit. Më së pari do të vendosja prirjet selektive që vihen re në kërkesën për zbatimin e ligjit, të cilat me kohën të çojnë në të njëjtën qafë: tek kapja e shteti nga ata që nuk goditen e në mungesën e moralit për të dënuar të tjerët pastaj. Së dyti, prirjet selektive që vihen re në kërkesën për zbatimin e ligjit, të cilat me kohën të çojnë në të njëjtën qafë: tek kapja e shtetit nga ata që nuk goditen e në mungesën e moralit për të dënuar të tjerët pastaj; së treti prirjet selektive që vihen re në kërkesën për zbatimin e ligjit, të cilat me kohën të çojnë në të njëjtën qafë: tek kapja e shteti nga ata që nuk goditen e në mungesën e moralit për të dënuar të tjerët pastaj. Preferova ta vendos tre herë të njëjtën gjë jo vetëm për ta theksuar se sa e rëndësishme është kjo, por edhe sepse gjithshka tjetër do të vendosja është variacin i kësaj të keqeje. Sepse do të përmendja psh. atë që thatë ju: vendosjen e militantëve e jo të meritokratëve në shumë poste. Por a nuk është ajo shprehje e kësaj të keqeje të seleksionimit, tek e fundit? Mund të vendosja edhe një lloj pafuqie që vihet re gjithnj e më shumë për tu shkuar gjërave deri në fund me forcën e ligjit. Por a nuk është edhe ajo refleks i selektivitetit pasi ky të heq forcën morale për ta zbatuar ligjin deri në fund e ndaj kujtdo?

Po i afrohemi pjesës së fundit të këtij viti. Ishte parashikuar që Kosova do të merrte pavarësinë brenda vitit 2006. A jeni optimist për këto afate, dhe nëse jo, cilat mendoni se janë pengesat?

Nuk bëj pjesë ndër ata që kanë informacionin më të mirë e më të bollshëm për atë që po ndodh, por, me sa i ndjek lajmet dhe komentet nuk jam shumë optimist se 2006 do të na japë një datë që do të shënohet në histori si data e pavarësisë së Kosovës. Meqë ra fjala po rikujtoj edhe një herë faktin se edhe 28 nëntori 1912 nuk është data reale se kur fitoi Shqipëria pavarësinë. Ajo u fitua më 1913 pas mbarimit të bisedimeve e marrëveshjeve midis fuqive perëndimore dhe Turqisë. Ndoshta mund të kemi një situatë të ngjashme edhe tani në Kosovë ku tjetër të jetë data kyçe apo vendimtare që kthehet edhe në mit dhe tjetër data formale.
Pengesat që gjërat të bëhen me një datë të vetme janë shumë sipas meje dhe përgjithësisht i kemi ndjekur gjatë gjithë këtij procesi. Më së pari janë ato që burojnë nga konteksti gjeopolitik i sotëm i marrëdhënieve ndërkombëtare. Kam përshtypjen se ndërkombëtarët, që janë edhe aktorët kryesorë në këto negociata, kanë kundërthënie midis vetes përsa i përket vendosjes së statusit të Kosovës, veçanërisht pavarësisë. Janë kundërthënie që lidhen sa me problematikën që hap krijimi i precedentit të ndryshimit të kufijve aq edhe me ekuilibret e sotme të brishta në kuadrin e luftës kundër terrorizmit. Përshtypja ime është se mjafton kjo që ata të kenë tërë interesat që kjo të shtyhet edhe ca. E kjo nevojë për shtyrje ka edhe justifikim të fortë në kontekstin e rajonit veçanërisht kur ke parasysh se reagimet e fundit të Serbisë nuk mund të mos jenë shqetësuese dhe shtyrëse e, po ashtu, po të kesh parasysh se shqiptarët nuk konsiderohen të përgatitur ashtu dhe aq sa duhet për të marrë në duart fatet e veta e për ta drejtuar Kosovën me këto duar në rrugë të mbarë e demokratike. Kuptohet se nga ana tjetër edhe shtyrja ka problemet e veta sepse kjo gjendje e tejzgjatur e një vendi anormal siç është Kosova, me kufij dhe pa kufij, me qytetarë të vetët dhe pa qytetarë të vetët, me qeveri të vetën dhe pa qeveri të vetën mund të konsiderohet edhe dështim e dështim do të thotë edhe fillim nga e para. Për momentin duket sikur rruga e suksesit dhe rruga e dështimit ecin bashkë si dy korsi autostrade. Nuk di të them se cila do të ishte pika ideale ku do të lihej përfundimisht rruga që të çon për nga dështimi dhe thellimi i tij, sikurse shpresojmë e do të merrej rruga e suksesit përfundimtar. (Rubrika Përpjekja, Standart, 16 shtator 2006)

“Uji i ndotur” dhe Nano

Skena politike shqiptare është bërë ndoshta më intriguese se kurrë me rifutjen në lojë të Fatos Nanos i cili ka zgjedhur një moment interesant për ta bërë këtë. Është folur mjaft kohët e fundit për mundësinë e kthimit të Nanos, por shumëkush nuk e ka besuar si të mundur. Një pjesë e ka menduar si të pamundur për shkak se ka pasur besim se Edi Rama do të ishte më i aftë nga çështë treguar për të krijuar një shpresë të re nga hiri i PS të djegur nga korrupsioni; një pjesë tjetër sepse, duke besuar serizosht në premtimet e Berishës për të luftuar korrupsionin, ka menduar se këto premtime do ta mbanin Nanon larg pretendimeve për tu kthyer në pushtet; kurse të tjerë sepse kanë menduar se LSI do të mbyllte dy porta të rëndësishme prej nga mund të hynte Nano në politikë: atë të luftës kundër korrupsionit mafjoz në PS si dhe atë të ekzistencës së një force politike në opozitë të aftë për të dialoguar me PD.
Ndërkohë që e kemi më të vështirë të flasim me bindje se Berisha është një faktor me rëndësi në këtë zhvillim e kemi më të lehtë të shohim se Nano ka gjetur momentin e duhur për të rihyrë në lojë mu pse janë tronditur shumë këto tre besime.
Për të rihyrë në lojë Nanos i duheshin tre gjëra: një krizë e PS dhe aleatëve të saj, një krizë e PD si dhe një premtim i ri. Krizën e PS duket se e ka sepse gjatë këtij viti lideri i saj agresiv Rama, me konfliktualitetin e tij gjenetik, (mjafton të shikosh faqet e ZP për të kuptuar se në çfarë gjendje është katandisur politika e partisë që ka qeverisur për tetë vjet vendin) nuk ka prodhuar dot politikë, por veçse obstruksionizëm destruktiv. Po ashtu Rama është treguar i paaftë të mbajë sëbashku tërë ato interesa brenda PS që tani janë në krizë, jo vetëm për shkak të metodave të tij të keqkomunikimit, por edhe pse nuk ka më pushtetin që ka patur më parë për të shpërndarë leje ndërtimi e favore të tjera. Kështu Nano gjen një moment të përshtatshëm për të hyrë në politikë edhe duke na rikujtuar aftësitë e tij prej moderatori dhe dialoguesi si brenda partisë ashtu edhe me kundërshtarët, të cilat askush nuk ia mohon dot. Duke deklaruar se e “shqetëson institucionalizimi i një konflikti të egër dhe të vjetër në politikën shqiptare.” se “marrëveshja më e fundit midis përfaqësuesve të moderuar kërkon investimin e autoriteteve kryesore të dy kampeve dhe konsolidimin e saj me një pakt më të gjerë se sa kaq dhe të garantojnë një bashkëjetesë politike dhe institucionale sidomos për çështjet e integrimit të vendit...” kuptohet qartë se Nano e ka fjalën se është ai dhe jo Rama që mund të garantojë, sëbashku me Berishën, këtë marrëveshje që, pa dyshim, edhe pse ai nuk e thotë, nënkupton deri zgjedhjen e tij president dhe implikimet që ka një zgjedhje e tillë për shpresat e opozitës për ta shfrytëzuar këtë moment.
Ndërkaq Nano ka edhe një mbështetje jo të vogël, pavarësisht se e heshtur, që buron nga një krizë e PD, kryesisht nga mospasja e një numri të qëndrueshëm deputetësh në parlament për zgjedhjen e presidentit, por edhe nga aktiviteti destruktiv i PS dhe sigurisht nga mosekzistenca e një force morale të qëndrueshme në atë parti. Berisha ka nevojë të qeverisë ndërkohë që Rama, pa e kuptuar se nuk jemi më në 96-97 tën, nuk po do ta lerë të qeverisë dhe në një farë mënyre e ka futur në krizë edhe PD me krizën e tij. Në këto kushte, për të realizuar qëllimet e tij, Berisha duket se fare mirë mund të pranojë një kompromis të heshtur ose të hapur me Nanon. Por edhe në rastin më të keq mjafton sherri brenda PS për t’i krijuar Berishës hapësirë më të qetë veprimi.
Ndërkaq, sipas deklarimeve në shtyp të njërit prej mbështetësve të Nanos deputetit Balla, Nano duket se ka edhe një premtim të ri për të na ofruar, një Katarsis 2. Pas një viti agjërim duke patur parasysh më një anë se sa të shkurtër e kanë kujtesën shqiptarët, dhe, më anë tjetër, faktin se ata që ka rrotull janë të gjithë të korruptuar, duket se ai tenton sërisht të hedhë premtimin që e bëri më popullor se kurrë ndonjëherë në karrierën e tij kur shpalli fushatën për katarsis. Duke e hedhur të keqen tek Rama & Co, përkundrazi, ai shpreson të marrë edhe një herë në dorë flamurin e moralitetit në PS. Dhe ai di më mirë se kushdo ta ndalojë atë në momentin e duhur, pra deri atje sa të heqë qafe kundërshtarin siç bëri me Metën. Prej kohësh ai ka hedhur tezën se katarsisin nuk e vazhdoi dot për shkak të të tjerëve. Në këtë kontekst lëvizja e Nanos duket se është prap në kohën e duhur edhe duke patur parasysh se ai ka pritur sa të dikreditohet LSI në këtë aspekt, e cila nuk mund të luajë më rolin e partisë që u shkëput nga PS për shkak të luftës kundër korrupsionit që e identifikonte me Nanon dhe me Ramën e po ashtu duket se është vënë në një pozicion ku i bëhet e pamundur loja midis PD dhe PS.
Me një fjalë Nano si pokerist i vjetër që ka ditur ta luajë bllofin ndoshta më mirë se kushdo tjetër duket se i ka dalë ose bën sikur i ka dalë asi në dorë e po luan/bllofon përsëri. (Pa dyshim prapa ka interesa të prekura biznesmenësh e politikanësh e më the të thashë siç i ka pasur edhe në kohën e katarsisit 1). Në fakt askush nuk di të thotë me siguri nëse midis tij dhe Berishës ka ndonjë marrëveshje për president më 2007. Një dorë e shtrënguar diku në një festë midis tij dhe Berishës e shoqëruar me një batutë apo një rrugëtim sëbashku për në Bari, apo mbizotërimi në kulturën tonë politike të thënies “Armiku i armikut tim është miku im” janë, megjithatë, të mjaftueshëm për të luajtur lojën/bllofin. Askush nuk beson më se luftën kundër korrupsionit ai mund ta bëjë për katarsis, por ndërkaq mund të besohet fare mirë se ai mund ta bëjë atë - në petkun e një presidenti që nuk mbron të kapurin nga mafja, Sollaku, - për të pastruar disa kundërshtarë të tij që janë edhe të Berishës. Këto hamendje nuk mjaftojnë, sigurisht, për të krijuar sigurinë se Nano ka një as vërtet në dorë nëse dikush do t’i përgjigjej lojës/bllofit me kërkesën e hapjes së kartave, por ja që Nanon e kanë futur në lojë.
Këto janë disa komente të para që do të mund të bëheshin kësaj ngjarje të cilat në ditët në vazhdim pa dyshim kanë nevojë për thellim dhe zgjerim në ndjekje edhe të hapave të tjera që do të hedhë Nano. Por do të ishte të bije në gracën këtyre pokeristëve, që shpesh është edhe grackë e pokeristëve të shtypit shqiptar në tërësi, sikur në këto komente dhe analiza të para të mos shtroje edhe një pyetje tjetër që është edhe më e rëndësishmja për të mos thënë e para që duhet shtruar. Mirë se komentuam çfarë fiton e humbet Nano me këtë lëvizje, Berisha, Rama apo Meta & Co, po Shqipëria a fiton apo humbet nga kjo lëvizje dhe në ç’mënyrë ajo mund të fitojë e në ç’mënyrë mund të humbasë?
Nëse do të kërkojmë anën pozitive të kësaj lëvizjeje të Nanos duhet të aplikojmë shprehjen e një politikani të njohur gjerman i cili, duke folur për ndotjen gjatë nazizmit të figurave të ndryshme që drejtuan më pas Gjermaninë ka thënë: ”Nëse nuk ke ujë të pastër, uji i ndotur nuk hidhet” Në fakt historia e tranzicionit shqiptar është historia e rrethqarkullimit të një uji të ndotur për shkak të mungesës së ujit të pastër.
E si mund të hyjë në punë “uji i ndotur” Nano në këtë rast? Sipas meje ai mund të hyjë në punë ashtu sikurse hyri në punë “uji i ndotur” Meta para një viti për të ndërgjegjësuar Shqipërinë për rrugën e mbrapshtë ku ka hyrë përsa i përket kapjes së shtetin nga mafja. Sepse ndeshja e Nanos me Ramën sikurse pritet të ndodhë, e dialektika që ajo mund të prodhojë do të nxjerrë edhe më në pah nevojën për ndryshim të këtij sistemi të autoritarizmit mafjoz që kemi ndërtuar. Në fakt është folur shumë për katarsisin 1 të Nanos duke i përmendur vetëm anën negative: atë që Nano e la në mes ose më saktë e përdori si mjet për qëllime krejt të tjera nga pastrimi i vërtetë i partisë dhe i vendit nga të korruptuarit. Por nuk mund të mohojmë se, nga ana tjetër, katarsisi 1 i Nanos përbën edhe një moment të rëndësishëm në historinë e vendit pasi kritikat e hershme për “kleptokraci”, “shkërdhatokraci” që u pasuan me ato për ndërtim sistemi korrupsioni e kapje të shtetit nga majfa, që deri atëhere ishin kufizuar në kritikat e një numri gazetarësh, u artikuluan politikisht dhe, që prej atëhere, edhe kur i la Nano, i mori në dorë Berisha duke i bërë si prioritetin e prioriteteve të vendit. Me një fjalë Nano, pa dashjen e tij ose më saktë edhe kundër dashjes së tij solli atbotë edhe diçka pozitive.
Por nga ana tjetër “uji i ndotur” Nano i cili që nga koha e katarsisit e këtej ka vazhduar të ndotet gjithnjë e më shumë sëbashku me politikën shqiptare, duke rihyrë në politikë, do të përforconte të keqen më të madhe që ka sipas meje politika dhe politikanët në Shqipëri: mungesën totale të moralitetit e të besimit në qëllimet e tyre të mira. Berisha nëse do të pranonte që këtë bllof të Nanos ta shtynte deri në pranimin e tij si President do të fundoste çdo shpresë se në këtë vend do të ketë sadopak drejtësi. Çfarë depresioni!
E kështu, mungesa e ujit të pastër për shkak të një rine që korruptohet gjithnjë e më shpejt nga lakmia për tu bërë si etërit, shtron për të disatën herë një alternativë dramatike para së cilës ndodhen shqiptarët në raport me klasën e tyre politike. Më një anë kemi kërkesën aq të munguar për moralitet në politikë që s’ka si shprehet më bukur sesa me thënien romake “E mira qëndron në qëllimin e jo në mjetin”, sipas së cilës kur qëllimi është i keq veprat/mjete që mund të duken të mira (siç është psh. sot lufta kundër korrupsionit) nuk janë të mira, por i shërbejnë të keqes; si dhe atë tjetrën sipas së cilës “Rruga për në Parajsë kalon nëpërmjet Ferrit“ e cila nënkupton se shumë vepra e mjete edhe pse nisur nga qëllime të këqija mund të bëjnë mirë.
Mbetem i mendimit se vetëm forca e shumicës qytetare e frymëzuar nga ëndrra për një jetë me më shumë drejtësi, moralitet, demokraci dhe liri mund të imponojë zgjidhjen më të mirë në mes të kësaj alternative dramatike. Prandaj edhe Nanot edhe Berishët edhe Ramët e kushdo qoftë që aspiron të merret me politikë duket ta ndjejnë veten gjithnjë e më shumë në presionin e kësaj ëndrre qytetare, të shtërnguar gjithnjë e më fort të bëhen vetëm e vetëm mjete të saj. (Korrieri 7 shtator 2006)