Friday, June 10, 2005

Rreziku Berisha si deshtim i socialisteve

Sa me shume afrohet dita e zgjedhjeve aq me shume po behet e qarte se propaganda elektorale socialiste po i mbeshtet perpjekjet e saj per te ndikuar ne opinionin e zgjedhesve, por edhe ne opinionin e te huajve, por edhe ne thirrjen ndaj LSI per "kthim ne gjirin e familjes" mbi ate qe me dy fjale artikulohet si "rreziku Berisha". Nderkaq, paradoksalisht, sa me shume flitet per kete rrezik aq me pak ky racionalizohet dhe kontekstualizohet, dmth analizohet se cfare do te thote ne kontekstin qe po jetojme, i cili, pa dyshim, eshte i ndryshem nga ai i fillimviteve '90 dhe i '97-es.

Nese do ta perkufizonim me dy fjale ate qe socialistet e quajne "rreziku Berisha" ky eshte evokimi i imazhit te nje lideri politik autoritar qe, me etjen e tij per pushtet absolut e te pakontrollueshem, ve ne rrezik lirite e te tjereve e qe, po ashtu, e ka te veshtire, ne mos te pamundur, te kthehet nga rruga e tij edhe nese kjo eshte e gabuar. E per kete rikujtohet '97-ta. Por ky imazh nuk ballafaqohet nga socialistet me realitetet e sotme, me dinamikat e reja qe jane krijuar, per te na shtjelluar, midis te tjerash, edhe modalitetet se si mund te kthehet ne akt ky rrezik potencial. Ay mbahet ne nivele iracionale, mistifikuese, si frike e kthimit ne nje te kaluar.

Mendoj, prandaj, se perderisa flitet kaq shume eshte detyre te merret ne analize ai qe quhet "rreziku Berisha" per te zberthyer me mire kohen dhe problemet qe po jetojme, por edhe sepse keshtu do te mund te vihet ne peshoren e avantazheve dhe disavantazheve te sejciles parti garuese.

Sipas meje jane te shumta temat e debatit qe hap ballafaqimi i imazhit te quajtur "rreziku Berisha" me realitetin e tete vjeteve qeverisje socialiste. Ne kete shkrim nuk pretendoj ta shteroj, por thjeshte te provokoj reflektimin mbi kete ballafaqim.

Rreziku Berisha si deshtim i socialisteve

Sipas meje socialistet duke folur per "rrezikun Berisha" harrojne nje ane tjeter te medaljes qe,
jocuditerisht, po mbetet ne terr pasi, jo vetem socialisteve, por edhe demokrateve, nuk u intereson te ndalen e te diskutojne per te. Sipas meje pranimi i "rrezikut Berisha" duhet pare edhe si nje nga provat me eksplicite te deshtimit te socialisteve ne ndertimin e shtetit ligjor, ne ndertimin e institucioneve demokratike. Nese nje person i vetem ne krye te nje partie e rrezikon kaq shume vendin me ardhjen e tij ne pushtet kjo tregon se, pas tete vjetesh qeverisje, ne nuk jemi te mbrojtur ne te drejtat dhe lirite tona nga individet e rrezikshem qe personalizojne institucionet. Ngritja e rrezikut Berisha si pretendimi me i forte per te rimarre voten edhe nje here tregon se socialistet pranojne se ne Shqiperi nuk eshte kryer ende ndarja e pushteteve, se nuk kemi as nje gjyqesor te pavarur, as nje legjislativ qe kontrollon ekzekutivin, as nje media te pavarur as nje ndarje kompetencash ne adminstrate midis drejtuesve politike dhe specialisteve te administrates dhe as opozite e shoqeri civile te vertete, por gjithshka na u rrezikoka nga ai qe behet kreu i ekzekutivit njelloj si dikur nga kreu i partise shtet. Pra, thirrja se me Berishen vendi do te futet ne anormalitet prandaj socialistet duhet te mbesin ne pushtet mban si ane tjeter te medaljes faktin se, sipas vete socialisteve, vendi vazhdon te ndodhet ne nje anormalitet dhe rrezik te plote. Ne kete kontekst rreziku Berisha nuk eshte gje tjeter vecse nje reflektim ne pasqyre i rrezikut Nano, i rrezikut Rama etj. qe po i jetojme perdite si rreziqe ne akt, jo ne potence, te personave qe personalizojne institucionet, anashkalojne ligjet, lidhen me krimin dhe abuzojne me pushtetin. "Rreziku Berisha" ekziston, por ngulmoj se duke u transferuar ne '97-ten ai eshte nxjerre qellimisht jashte kontekstit. Ne kontekstin aktual, sipas meje, zorr se mund te abuzohet me teper se kaq sa c'po abuzojne socialistet me pushtetin.

Rreziku Berisha dhe rreziqe te tjera

Ne kontekstin e trajtimit te rrezikut Berisha si deshtim i socialisteve nuk mund te mos vihet ky rrezik perballe atyre qe mund te quhen rreziqet e tjera qe po kalon vendi. Nuk pretendoj te rendis ketu tere ata qe mund te quhen rreziqe te tjera. Ky shkrim, sic e thashe, me shume pretendon te nxise nje debat sesa ta shteroje ate.

Por nuk mund te mos kemi parasysh se perballe rrezikut te nje Berishe autoritar, duhet te veme ne krahun tjeter te peshores rrezikun qe paraqet sot lidhja e politikes me krimin ne formen e asaj qe tashme te gjithe e quajne "shteti i kapur nga mafia", cka nenkupton jo thjesht korrupsionin e individeve ne pushtet, por ndertimin e nje sistemi te lidhjes se krimit ekonomik me politiken. Pyetja qe mund te shtrohet eshte: a mund te jete i rrezikshem Berisha
nderkohe qe ka perballe nje mafie ekonomike qe ka kapur shtetin, por edhe shumicen e mediave, e qe sot per sot eshte kundershtare me te, apo mos ndoshta ai rrezikon te behet i rrezikshem pikerisht sepse mund te shtjere ne dore kupolen e kesaj mafieje e ta vere ate ne sherbim te pushteti te tij? Apo, mos valle ne vend te kesaj mafieje do te tentoje te vendose ne krye te krimit ekonomik te lidhur me politiken njerezit e tij? Ne te tre rastet nuk mund te mos kemi te bejme perseri me treguesit e nje deshtimi te socialisteve. E ketu fjalet e Nanos e Rames mbi rrezikun Berisha mund t'i perkthejme ndryshe si rreziqe per mafien e tyre dhe parine rrotull tyre me shume sesa si rreziqe per vendin.

Ne fakt, ekziston edhe nje rrezik tjeter per te gjithe ne. Nese vertet Berisha do te synoje, ashtu sic premton, te eliminoje kete mafie, do te duhet te marre parasysh rrezikun qe paraqet ndeshja me te; sepse ne momentet kur do te kerkoje te forcoje shtetin ligjor dhe te coje ne dyert e drejtesise kriminelet e lidhur me politiken dhe politikanet e lidhur me krimin, atehere mafia do te filloje te behet shume me virulente e mund te marre edhe jete njerezish, sikurse ka ndodhur edhe gjetke- e perseri ketu nuk kemi te bejme vecse me pergjegjesi socialiste qe na ka cuar deri ne kete gjendje. Nje elementi i rendesishem i kesaj pergjegjesie eshte edhe fakti se socialistet ne vend qe te benin drejtesi per krimet qe pretendojne sot me te madhe se ka kryer Berisha ne '97-ten e '98-ten filluan ta mbajne e tundin rrezikun Berisha si dordolec me njeren dore per t'i hapur rrugen dores tjeter te kryeje abuzime skandaloze me pushtetin ne krye te mafies se vjeter e te re. Kjo strategji, pas tete vjetesh, ka instaluar sistemin e pandeshkueshmerise qe po behet gjithnje e me i rrezikshem per tu thyer.

Rreziku Berisha si mosrrezik per te keqen

Personalisht ajo qe me tremb me shume ne kontekstin aktual nuk eshte autoritarizmi i Berishes, por nese Berisha do te kete, po te vije ne pushtet, autoritetin dhe forcen e duhur per te mos u bere vegel e sistemit qe kane ngritur e sofistikuar socialistet ne keto tete vjet. E ketu vijme tek ajo qe do ta quaja "rreziku Berisha si paradoks" qe lidhet me paradoksin se nderkohe qe Berisha paraqitet si djalli mbi toke, ky dhe ne sondazhet e manipuluara nga socialistet paraqitet si pretendenti kryesor per te marre pushtetin- cka flet vete se sa poshte kane rene
socialistet.

Ne fakt nje nga paradokset me te frikshme qe kemi jetuar ne keta katermbedhjete vjet eshte fakti se per te shpetuar nga nje e keqe qe na ka pllakosur ne i jemi drejtuar nje te keqeje qe kemi menduar se e kemi hequr qafe. Askush nuk e ka menduar ne vitet 1991- 1992 se Partia e Punes e kthyer ne Partia Socialiste do te shnderrohej aq shpejt nga nje parti e kriminalizuar ne partine ku do te mbeshtetej shumica per tu mbrojtur nga regjimi autoritar qe ndertoi Berisha. Aresyeja kryesore pse u mbeshtetem ne ate parti ishte se Shqiperia nuk kishte forca intelektuale dhe njerezore, te ndryshme ne thelb nga ish-komunistet qe udhehiqnin Partine Socialiste, per te ndertuar parti alternative. Dhe fakti qe shoqeria u mbeshtet kryesisht tek ajo parti dhe nuk krijoi dot dicka tjeter nuk qe pa pasoja. Imoraliteti i thelle i futur ne frymen e asaj partie e ne individet rrotull saj ne periudhen komuniste nuk mbeti pa i nxjerre kryet. Te degjosh sot ish-studentin Pandeli Majko qe me 1991 mori pjese ne greven e urise per heqjen e emrit te Enver Hoxhes Universiteti te Tiranes, te na glorifikoje, ne petkun e ministrit socialist te mbrojtjes, Enver Hoxhen, kjo eshte prove se e keqja, si mungese moraliteti, ne Shqiperi nuk eshte shkulur rrenjesh, perkundrazi po jeton nje proces degradimi. Sipas meje nje nga shkaqet kryesore qe vendi ndodhet sot perpara kesaj krize te rende te vlerave qe eshte edhe ne rrenjen e krizes ekonomike qendron pikerisht ne faktin se nuk pati mundesi ta gjeje shpetimin me 1997 nga dicka qe te mos ishte nje ish e keqe.

Ne kete kontekst historia duket se kerkon te perseritet. Nuk eshte e para here qe ne luften tone politike te periudhes postkomuniste nje e keqe kerkon te mbroje pushtetin duke folur me te madhe per rrezikun e kthimit te se keqes tjeter. Te njejten gje e ka perdorur edhe Berisha kur e identifikonte kthimin e socialisteve ne pushtet me 1996 me kthimin e rrezikut komunist. Madje kjo ka patur mjaft sukses edhe tek te huajt, sic ka rrezik te kete edhe tani. Ky "rrezik" ka qene nje nga faktoret qe Perendimi i pranoi zgjedhjet e 1996-tes, ndonese ato ishin manipulimi vete. Prandaj, per ironi te fatit, ashtu sikurse ne shume gjera te tjera, edhe ketu Berisha paguan sot modelet qe ka krijuar vete para disa vjetesh. Mirepo keto modele dhe imitimi i tyre, po t'i veshtrosh me thelle, jane tregues te paaftesise sone per te dale nga qerthulli vicioz i thirrjes se te keqes per te na shpetuar nga nje e keqe me e madhe, pasi dy gjysmat, po t'i veshtrosh nga pak me larg, nuk jane tjeter vecse pjelle e nje te tere: pasoje e pesedhjete vjeteve degradim moral e intelektual te shoqerise.

Per keto paradokse e rreziqe mendoj se duhet folur me racionalisht e me kontekstualisht kur flitet per "rrezikun Berisha" ne prag te ketyre zgjedhjeve. Kurse keshtu si po flasin ata qe pretendojne te na shpetojnenga rreziku, nuk bejne gje tjeter vecse vertetojne sejane rreziku vete.

Wednesday, June 8, 2005

“Jo”ja kushtetutës evropiane dhe Shqipëria

Këto ditë në Evropën për të cilën flasim aq shumë – veçanërisht klasa politike duke akuzuar aq shumë ndërsjelltazi për vonimin në hyrjen në të – ndodhi një ngjarje shumë e rëndësishme, ngjarje e lajmeve të para, e krahasuar me një tërmet politik e që është pasuar e po pasohet me komente të shumta. E kam fjalën për referendumin francez që i tha jo kushtetetutës evropiane e që u pasua me “jo”në hollandeze. Pavarësisht se mjetet elektronike e dhanë lajmin ndjeshmëria ndaj ngjarjes në kuptimn e reflektimit apo thirrjes për reflektim thuajse mungoi në Shqipërinë e zhytur në furtunën e saj elektorale të një gote uji. Paradoksalisht ndonëse mjetet e komunikimit na i sjellin ngjarjet e Evropës aq afër - por edhe lufta politike bëhet në emër të saj – jetojmë si në provincën e provincës së kësaj Evrope. Duket sikur është punë e tepërt për politikën tonë e për shoqërinë tonë përgjithësisht të reflektojë për këto ngjarje. Sikur për këto punë u takon të reflektojnë vetëm politikanëve evropianë - se si të ndryshojnë e në ç’kahe të ndryshojnë politikat dhe realitetet ekonomiko sociale evropiane - e se ne nuk na mbetet veçse t’i ndjekim projektet e tyre. Por nuk është kështu. Politikat evropiane duhen ndjekur aktivisht me bërje politikash në Shqipëri dhe jo pasivisht duke pritur të adoptojmë modele të gatshme, që pikërisht për këtë mungesë nuk funksionojnë. Edhe kjo ngjarje duhet të na bëjë shumë më aktivë nga ç’mendojmë nëse vërtet e aspirojmë integrimin në Evropë.

Janë së paku tre aspekte që e sjellin këtë ngjarje shumë afër nesh e mbi të cilat duet reflektuar, doemos.
I pari ka të bëjë me “jo”në e djathtë evropiane e me projektin e djathtë që kjo implikon për të nesërmen. Në qëndrimet politike të së djathtës ka një element të fortë: frika nga hyrësit e rinj, si një përthellim i frikës nga emigrantët. Në median franceze flitej shumë për polakët. Besoj se kushdo që ka parasysh se shqiptarët janë popull emigrantësh e po ashtu ndër më të padëshiruarit e hyrësve kjo do të thotë një shtyrje e tyre larg Evropës. Rritja e masave për të penguar hyrësit kuptohet se edhe ne na largon. E për këtë së paku duhet të jemi të vetëdijshëm e duhet të reflektojmë më fort se çfarë duhet të bëjmë.

Aspekti i dytë ka të bëjë “jo”në e majtë evropiane. Në Francë Partia Socialiste u nda më dysh në ata që i thanë “po” dhe “jo” dhe po ashtu ishin kundra kushtetutës edhe e majta më ekstreme si komunistët. Këta i thanë “jo” kushtetutës për një arësye tjetër nga ajo e nacionalistëve: ata nuk e kanë frikë tjetrin e ndryshëm – sikurse dihet e majta ka qenë në krah të emigrantëve vazhdimisht jo vetëm në Francë, por kudo në Evropë. Ata i thanë “jo” kushtetutës sepse projekti politik i Evropës që parashikon kjo kushtetutë, sipas tyre, është një projekt ku nuk e gjen vendin e vet shteti social francez. Psh., Franca është një vend që ka 35 orëshin punë në javë dhe nuk do të heqë dorë nga kjo arritje. Me një fjalë e majta franceze i tha politikanëve aktualë se ata duhet të krjojnë një projekt tjetër për Evropën të ndryshëm nga projekti neoliberist nëse duan që ata të bashkohen në një votë “po”je nesër.
Edhe në këtë aspekt Shqipërisë i mbetet të reflektojë shumë sepse projekti për Shqipërinë që kanë ndërtuar politikanët tanë nuk është thjeshtë neoliberist si ai i politikanëve evropianë, por një surrogat i tij në ide kurse në realitet shumë më keq pasi i kombinuar me korrupsionin të ngritur në sistem të kapjes së shtetit nga mafja.
Nëse Evropa, sikurse shpresoj, do të bëjë korrigjimet e duhura për të shkuar drejt një Evrope edhe më sociale Shqipëria nuk mund të mos e integrojë këtë projekt në vizionet e politikanëve të saj. Ndërkaq vetëm për shtet social nuk flitet në Shqipëri, pra përsëri jemi shumë larg.

Së treti, politikanët tanë duke u ndjerë kaq larg mund të ndjehen edhe shumë mirë sepse sistemi neoliberisto - mafjoz që kanë krijuar mund të ketë kështu jetë më të gjatë. Mendoj se ajo që ka bërë që Shqipëria të mbetet e fundit në rradhën e atyre që mund të integrohen në Evropë nuk është thjeshtë rezultat i prapambetjes në start, si dhe i një paaftësie dhe papërgjegjshmërie të politikës. Izolimi i Shqipërisë është edhe rezultat i një vetëdije ose le të themi gjysëm vetëdije të politikanëve tanë, por edhe të oligarkisë së krijuar me ekonomi ilegale se integrimi në Evropë për ta do të thotë fundi i sundimit të tyre. Në këtë kuptim izolimi u shërben atyre si instrument pushteti dhe për këtë lloj instrumenti pushteti ne kemi kujtesë të freskët. Në thelb është e njëjta gjë.
Prandaj, për këto tre arësye, veçanërisht, sipas meje “jo” – ja franko hollandeze ndaj kushtetutës duhet përkthyer edhe si një thirrje që duhet të jemi vetë shumë më aktivë për ndryshimin e fateve tona për ta nxjerrë Shqipërinë nga prapambetja dhe izolimi.


Tuesday, May 24, 2005

Epidemia Natasha dhe kulturkëllira jonë

Para pak kohësh më qëlloi të shoh një dokumentar televiziv amerikan mbi historinë e një personi që kishte vrarë gruan e parë dhe që, megjithatë, kishte arritur të jetonte për një kohë të gjatë i pandëshkuar në sajë të aftësisë për të mashtruar gra të tjera të pasura të cilat e mbanin me të holla. Kishte arritur t’i fshihej policisë amerikane për afro njëzet vjet – gjersa më në fund e kapën.
Kur i kërkuan një psikologu shpjegimin e suksesit të tij ai tha një të vërtetë shumë të thjeshtë: “Suksesi i mashtruesit bazohet në prirjen që kanë qëniet normale për të besuar.”
Tani, sa herë shoh mashtrues e të mashtruar që adhurohen mes vetit, - e për këtë mjafton të hapësh televizionet e gazetat tona, - më kujtohet kjo thënie. Mu kujtua edhe këto ditë që gazetave tona u ka rënë një epidemi e re mashtrimi, virusi i së cilës kësaj here e ka emrin Natasha.
Një Natasha befas u shfaq në faqet e para të gazetave tona me foto të mëdha të sajat në faqe të parë shoqëruar me titujt bombastikë se na qënka e bija ilegale e ish kryeministrit Mehmet Shehu. Dhe jo në një, por në pesë a gjashtë të përditëshme që konkurronin se kush do ta bënte më grishës lajmin – që në fakt ishte lehtësisht i përgënjeshtrueshëm. Madje ajo i ftoi edhe për debat televiziv dy djemtë e Mehmetit.
Reagimi i parë i njerëzve që, megjithëse kanë prirjen normale për të besuar kanë edhe dy pare mend për të dyshuar, ishte pak a shumë ky: Mirë një të çmendure i hipën në kokë të dalë në gazetë, po gazetat pse janë çmedur?
Dhe këtu çështja bëhet më e koklavitur sesa duket, sepse, sado të marrë të jenë kryeredaktorët e gazetave, sado të paaftë, ata janë në gjendje të kuptojnë që një lajm që e nxjerrin, madje në faqe të parë, me foto të madhe, do verifikuar përpara se të botohet.
Prandaj problemi që shtrohet nuk është thjeshtë pse mashtron Natasha, (madje ajo mund të ketë njëmijë justifikime sepse dihet që mitomania, që shpesh shoqëron mashtrimin, është një sëmundje), por pse mashtrojnë gazetat.
Për shpjegimin e kësaj pyetjeje në median e kafeneve, ende të pa privatizuar, prandaj dhe të pablerë nga politika, qarkullojnë sot për sot disa variante. Po përpiqem të rreshtoj ato më kryesorët që më ka zënë veshi.
I pari është ai më i rëndomti se vetëm kështu mund të shiten gazetat në krizë. Pikë dhe kaq. Shumë e thatë. Paçka se kjo thatësirë hap një temë shumë të njomë: atë se ku mbaron prirja normale e shqiptarëve për të besuar dhe ku fillon budallallëku i tyre, sepse, të pretendosh të shesësh më shumë gazeta në këtë mënyrë, do të thotë ta konsiderosh lexuesin tënd budalla?
Një variant tjetër, më i njomë, është se Natasha ka mashtruar disa kryeredaktorë duke u premtuar se po e botuan lajmin se ajo është e bija e Havasë dhe Havaja e dashura e Mehmetit, Natasha mund ta paraqesë këtë si dëshmi jashtë shtetit dhe kështu do të trashëgojë një goxha pasuri (sepse Havaja na paska vdekur vetëm pak kohë më parë dhe burri egjyptian i paska pas lënë një goxha trashëgim) dhe kryeredaktorët, afërmendsh, do të kenë kësisoj 10% -shin që u takon automatikisht, njëlloj si politikanët për tenderat. Sipas këtij varianti pronarët e gazetave nuk dinë gjë. Kemi të bëjmë me përdorim të gazetave nga gazetarët ashtu si përdoren institucionet e administratës shtetërore nga punonjësit e saj të ulët për përfitime të vogla, nga ato që nuk i hyjnë në sy shefit të madh.
Ka edhe nga ata (të pakët në fakt) që thonë se e gjithë kjo gjurulldi u bë për të përgatitur daljen në skenë të kandidaturës së të birit të Mehmet Shehut si kandidat i Partisë Agrare në Tepelenë.
Por ka edhe një variant më të njomë se të tjerët, që e ka dukjen paska paranojake, por, megjithatë, jo aq sa lajmi për Natashën: Sipas këtij varianti kjo punë nuk duhet marrë aq thjesht: kemi të bëjmë me një punë të orkestruar nga një apo disa zyra – ca thonë të Shishit ca të Shikut, ca të tjerë të ish Sigurimit ca të tjerë të Partisë Socialiste - me qëllim largimin e vëmendjes së publikut nga problemet e mëdha që ka vendi, aq më tepër tani në fushatën elektorale. Sipas një sondazhi të fundit të një OJQ-je që bashkëpunon me të huajt, pas epidemisë “Natasha”, është rritur me disa pikë përqindja e atyre socialistëve që, të mërzitur nga martesa e dytë e Nanos, kishin vendosur të votonin për LSI, - pasi Mehmeti mbetet shtyllë e fortë e PS dhe dalja e një të dashure tregon se kjo parti ka qenë progresiste prej kohësh. Diçka si puna e Miteranit.
* * *
Personalisht epideminë e re “Natasha” prirem ta shikoj si faqe kulturore gazetash. Si një kullim kulturor të periudhës që po jetojmë ku mashtrimi dhe broçkullimi janë instumentet kryesorë të komunikimit mes njerëzve, - që nga Kryeministri e biznesmenët tanë më të pasur e inteletkualët tanë më të shquar e deri tek lypësi më i mjerë i rrugës. Por edhe si instrument pushteti, mos e merrni me shaka. Kemi të bëjmë në fakt me thelbin e kulturpushtetit të kësaj epoke që fare mirë mund të quhet kulturkëllirë. Unë ve bast se Natasha do të dalë së shpejti në emisionin e televizionit kombëtar TVArbëria të Arjan Çanit “Zonë e Lirë” dhe Çani do të bëjë gallatë të lirë me të, e do të na dëfrejë të gjithëve këllirisht – veçanërisht do të dëfrejë elitën në pushtet të stresuar nga punët e rënda të ditës dhe nga shpifjet e poshtra për korrupsion - duke e pyetur Natashën për politikën e madhe globale e për gjëra të vogla lokale. Çfarë do t’i sugjeronte Natasha Bushit për eksportimim e demokracisë në Irak; ç’mendim ka Natasha për mallrat e lira kineze që po fusin në krizë Evropën dhe SHBA; a e takoi Putinin kur ishte në Moskë e çfarë i tha ay për Moisiun; ç’mendon ajo për liberalët e rinj shqiptarë, po për Mjaftin, për të majtën dhe të djathtën shqiptare, për sulmet e Lubonjës ndaj pronarëve të mediave? E në fund do t’i thotë: betohu për kokën e Edi Ramës dhe të Kaç Çaushit se është e vërtetë që je e bija e Mehmet Shehut! Dhe Natasha me siguri do të thotë: betohem!, edhe për kokën e Fatos Nanos! Dhe pastaj, në fund të emisionit, do të dalin sponsorizuesit: Vodafon, AMC, Birra…, Uji… e më the të thashë që do të përmbyllen me siglën përfundimtare: ky emision special u krye nën kujdesin e Ministrit të Kulturës Rinisë dhe Sporteve Blendi Klosi.
Unë madje do tu rekomandoja edhe Klosit edhe Çanit edhe gazetarëve të tjerë të nxitojnë të gjejnë, sa është gjallë, nëse nuk ka vdekur akoma, Kolonel Nasip Metën, i cili ka mundësi të ketë lidhje me Natashën se andej nga Selenica më duket se ishte edhe Nasipi. Po edhe po nuk pati lidhje farefisnore, vetëm mirë do t’i bëjë shtypit dhe medias sonë elektronike dhe kulturkëllirës sonë në përgjithësi kontakti me kolonelin. Cili është Nasip Meta do të thoni ju? Nasipi është një ish kapterr andej nga Selenica që, pasi e futën në burg dhe e sollën në Spaç, e gradoi veten Kolonel të Aviacionit Gjerman të Luftës së Dytë Botërore.
Nasipi tregonte histori të hatashme që do t’i mrekullonin lexuesit e gazetave dhe spektatorët e televizioneve tona. Le pastaj sikur të futej tek Kafazi i Artë i News 24 Nasipi çfarë mrekullie do të ishte! Ai në kafaz të hekurt dhe bënte çudira. Mjafton të tregojë historinë se si, kur avioni i tij ngrihej e fluturonte mbi Londër, e gjithë Britania dridhej nga tmerri dhe lajmi vinte gjer në Itali: “Attenzione attenzione, - ulërinin radiot italiane - il colonello Nasip Meta sta bombardando Londra.” Dhe kjo, madje, do të na ngrejë lart edhe brekët e kranarisë kombëtare, që sikur na kanë rënë pak poshtë këto kohët e fundit. Aq i fashmëm u bë Nasipi sa Hitleri e ngarkoi të shkonte të takonte Çurçillin. “Kur e takova, thoshte Nasipi, barkmadhi ngriu në vend: - Ti mor Çurçill pisi, i thashë, a do të rrish urtë apo do të ta zhdukim Gadishullin Britanik nga faqja e dheut? Kishte edhe atë kurvën, Elisabetën, me vete, që nuk pipëtiu fare gjatë gjithë takimit.”
Me seri mund të vazhdojnë historitë e Nasipit. Që nga dashuria e zjarrtë me Greta Garbon (hajde seks hajde!) e më the të thashë e deri tek takimet me Enverin, Mehmetin, Kadriun, Beqirin.
Por kam edhe një propozim shekullor: Sandrën e Dardanit që gjer tani nuk ka dalë në shtyp. Cila është Sandra e cili është Dardani? Dardani kishte vuajtur si Nasipi nga diktatura e gjatë dhe kohët e fundit iu lodh shumë truri dhe filloi t’i fanepseshin gjëra të çuditshme. Nga këto fanepsje më interesantja ishte ajo sikur njëri nga gardianët e Burrelit, ai më karaduzi, i ishte qepur gruas së tij, Sandrës. Dhe sa herë i vinte kjo fanepsje, kudo që ishte: në dhomë, në qeli ndëshkimore, duke ngrënë, i ulur në hale, Dardani fillonte e thoshte pa pushim me orë të tëra: “Mbahu Sandra!” “Mbahu Sandra!”, “Mbahu Sandra!” Dhe vetëm kështu lirohej. Po cila ishte Sandra do të thoni ju? Kush i vardisej në të vërtetë Sandrës së bukur (hëm në Tiranë, hëm, andej nga Blloku)? Se kot nuk i fanepseshin Dardanit ato gjëra. Nuk e tregoj sepse kërkoj edhe unë shpërblimin tim (material, të kuptohemi). E shes, madje shtrenjtë këtë material, se nuk e di njeri përveç meje. Ma ka thënë një nga kapot e sigurimit të Bllokut. Deri këtu po e le, sa për të ndjellur gazetarët, por ju siguroj se do të jetë lajmi i shekullit.



Tuesday, May 17, 2005

Kongresi socialist dhe vetvrasjet e adoleshentëve

Më qëlloi para do ditësh ta pi kafen bri një tryeze ku dy persona kishin përpara një të përditshme që qe hapur në një faqe ku spikaste titulli: “A mund të bëjmë shtet”. Të dy dukej se qenë nga ata që kanë bërë një farë shkolle dhe që pretendojnë se i kuptojnë e shpjegojnë gjërat e kësaj bote e të kësaj shoqërie. Po debatonin me zë të lartë pasi njëri prej tyre sapo kishte mbaruar së lexuari artikullin me titullin në fjalë.
- Kjo është teza e serbëve. – iu drejtua ay që nuk e kishte lexuar atij që sapo e kishte mbaruar së lexuari artikullin.
Tjetri, pasi ndejti pak mendueshëm, iu përgjegj:
- Sipas meje - i tha - dobësia jonë nuk mohoet dot, por arësyeja është madhore. Ne kemi qenë nën goditje të vazhdueshme.
“Për çfarë goditjesh e ka fjalën?”- më lindi kurioziteteti dhe ngrita veshët.
- Ki parasysh – i tha, duke filluar që nga romakët kur erdhën e na pushtuan; vazhdo pastaj me të tjerat: kulmi i kulmeve është turku; pas turkut nuk na lanë rehat serbët, grekët, rusët me komunizmin.
Shkurt, i nisi një leksion të historisë ashtu siç mësohej në kohën e Enver Hoxhës: me armikun që kërkonte të na shkatërronte dhe me heroizmin tonë ndër shekuj që na la me plagë në trup, por krenarë.
Kush di sadopak nga roli i ideologjisë nacional – komuniste si instrument pushteti në kohën e Enver Hoxhës nuk çuditet shumë kur i dëgjon nëpër tryeza njerëzish të teshtë kësi argumentiesh nacional romantike. Mirëpo është për tu çuditur, madje për tu tronditur më shumë sesa për tu çuditur, kur këto gjedha të menduari e të gjykuari i sheh të vazhdojnë të mbretërojnë thuajse të patrazuara edhe tani, në shekullin e XXI-të, e të zaptojnë thuajse tërësisht jo vetëm tryezat e kafeneve, por edhe atë që mund të quhet mendim elitar politik e kulturor, mbizotërues në shkollat, universitetet, mediat, tribunat politike. Dhe aq më për tu tronditur është kur në mënyrë gjysëm të vetëdijshme gjysëm të pavetëdijshme kjo mënyrë manikeiste, mistifikuese e demonizuese e shpjegimit të gjërave bëhet me qëllim shpëlarjen e truve të njerëzve çka, tek e fundit, gjeneron një rreth vicioz ku elitat politike dhe kulturore me synim që të ruajnë popullaritetin, por edhe pushtetin, i mshojnë gjithnjë e më shumë shpjegimeve të tilla dhe, më anë tjetër, nga rradhët e të shpëlarëve nga trutë dalin gjithnjë e më shumë liderë që ligjërojnë me këtë gjuhë.

Shprehjen par exellence të kësaj shpëlarjeje trush në nivle kombëtar e pamë tek kongresi i socialistëve, që synoi të ngacmojë vetëm trurin e vogël të njerëzve më një anë duke satanizuar të tjerët, duke ua transferuar atyre të keqen dhe, më anë tjetër, duke glorifikuar të vetët. Por këtu nuk po merrem me atë kongres. Do të doja të merresha me fenomenin që shpjegon atë lloj kongresi duke e ilustruar, madje, me një rast tjetër, më minor, por që e përmban brenda tij tërë dramacitetin kulturor dhe politik që përçoi ay kongres sepse ka, në thelb, të njëjtën antropologji kulturore që e shohim të nxjerrë krye në çdo hap që të hedhësh në jetën tonë që nga kongreset e mëdha e deri në muhabetet e vogla të kafeneve.
E kam fjalën për atë lloj histerie mediatike që pamë të ndizet e të shuhet e të tentojë prap të ndizet kohët e fundit lidhur me disa vetëvrasje adoleshentësh e më konkretisht tek prirja për ta gjetur menjëherë fajtorin, të keqen, armikun jashtë nesh, në rastin në fjalë tek Dëshmitarët e Jehovait apo tek “profecitë kineze”. Aq sa pati një moment kur mendova se do të mjaftonin edhe dy tre vetëvrasje të tjera dhe të fillonte si në Mesjetë kërkesa për linçimin e Dëshmitarëve të Jehovait si bashkëpunëtorë me satanin. Sinjalin e dha ngjarja në Korçë kur një prind hyri dhe ushtroi dhunë ndaj vajzës së tij, që duket se ishte konvertuar në dëshmitare të Jehovait, për ta nxjerë nga grupi.

Nuk jam ndonjë njohësi i fesë që quhet Dëshmitarë të Jehovait. Di se është një fe e lindur në SHBA në shekullin e 19 e që mbështetet mbi interpretimin e Shkrimve të Shenjta duke pretenduar se vetëm ata, dëshmitarët e Jehovait, i interpretojnë në mënyrën më autentike Shkrimet e Shenjta. Di gjithashtu se ky interpretim i ndan ata nga të krishterët katolikë dhe ortodoksë në mjaft gjëra midis të cilave edhe në atë se nuk e njohin Trinitetin (Ati, Biri, Shpirti i Shenjtë) si tre shfaqje të të njëjtit Zot, por thonë se Zoti, emri i të cilit sipas tyre është Jehova, është një, dhe i vetëm, ndërsa Shpirti i Shenjtë është fuqia e tij kurse Jezusi biri i tij. Di se aderimi në këto fe krijon një kontroll të fortë psikologjik të grupit mbi individin që hyn atje dhe shpesh nuk është e lehtë të dalësh e po ashtu se është një fe më pak tolerante sesa katolicizmi ndaj mëkatarëve, e me moral me te rrepte seksual. Por gjithsesi asnjëherë nuk kam lexuar apo dëgjuar që kjo fe të predikojë shkurtimin e rrugës për në parajsë nëpërmjet vetvrasjes ,përkundrazi se është një fe që predikon jo parajsën, por jetën e lumtur mbi tokë pas betejës finale që do të bëjë Zoti me Djallin dhe forcat e tij.
Më anë tjetër, nga sa kam lexuar e dëgjuar, çështja e vetëvrasjes së adoleshentëve nuk është ndonjë gjë e panjohur që mund të shpjegohet vetëm me magjira dhe me punët e “të paudhit”. Është një fenomen i njohur i moshës, por edhe i shoqërisë jo vetëm shqiptare. Një nga shpjegimet për vetëvrasjet e adoleshentëve është ai që quhet “bulizëm”. Është fenomeni i prepotencës e agresivitetit deri në dhunë që adoleshentët më të fortë, vetëm apo në grup, ushtrojnë mbi më të dobëtit, apo mbi ata që kanë ndonjë difekt fizik herë duke i sulmuar fizikisht e herë duke i tallur e përqeshur çka, duke patur parasysh psiqikën e brishtë të moshës, i ve këta të fundit në një krizë të thellë zhvleftësimi të vetvetes që i çon në rastet ekstreme deri në vetëvrasje. Dhe pa dyshim bulizmi është tregues i një kulture dhune e agresiviteti, që, tek e fundit duhet të bëjë të reflektojë më gjerë shoqërinë tonë e veçanërisht bulistët tanë me moshë të rritur. Por problemi i këtyre vetvrasjeve sipas meje duhet parë edhe lidhur me raportevt e adoleshentëve me familjen dhe me vetë krizën e familjes sonë në përgjithësi – sepse edhe në rastin e atyre adoleshentëve që kanë aderuar në një fe që nuk ia pranon familja, ashtu sikurse edhe kur kryejnë të tjera gjëra si marrja e drogës apo futja në kriminalitet kemi të bëjmë me një krizë që nuk mund ta gjejë zgjidhjen e saj tek gjetja e një demoni jashta nesh.

Pra mënyra sesi tentoi të reagojë shoqëria jonë ndaj vetëvrasjes së adoleshentëve, - fatmirësisht jo e tëra dhe jo në bllok - me mbushjen e titujve të gazetave dhe të komenteve televizive me komente që direkt apo indirekt demonizonin Dëshmitarët e Jehovait apo “profecitë kineze” tregoi tiparet e një shoqërie të cilës i mungojnë instrumentet kritikë për të njohur e kuptuar problemet e veta të vërteta dhe prandaj arratiset një forme primitive të menduari manikeiste, mistifikuese demonizuese, që dominohet nga pasionet e që përmban rrezikun edhe të persekutimit e të linçmit të tjetrit të ndryshëm në rastet ekstreme, e veçanërisht në kriza. Për ata që studiojnë sot persekutimin e çifutëve nga gjermanët, që arriti deri në makabritetet si Holokausti, është e qartë se persekutimi i çifutëve ishte reflektim i vetë problemeve të jetës së gjermanëve nën diktaturë: i një procesi shpëlarjeje trush më një anë, por edhe i shkarkimit të frustrimeve të tyre mbi më të dobëtit apo mbi ata që manipulohen si shkaku i së këqes më anë tjetër.
Është shumë dramatike kur këtë mungesë instrumentesh të kompensuar me larje trush e sheh të manifestohet, me të gjithë forcën e agresiviteti dhe dëmit të saj, në kongresin e një partie që udhëheq vendin prej tetë vjetësh e pretendon ta udhëheqë edhe katër vjet të tjerë. Në thelb kemi të bëjmë me të njëjtën gjë: me një ikje nga realiteti me një paaftësi për të analizuar krizën e thellë social ekonomike e të vlerave që po përjetojmë, por edhe me një ikje nga përgjegjësia që kanë socialistët për këtë krizë. Dhe rreziqet që sjell ndarja e fortë emocionale midis “nesh” dhe “të paudhëve” që krijon kjo mënyrë të menduari, veçanërisht në momente krizash si kjo që po përjetojmë në prag të fushatës elektorale, janë shumë të mëdha.

Wednesday, May 11, 2005

Faturat rozë të Bashkisë

Për ata qe nuk janë as të majtë e as të djathtë, as të sipërm e as të poshtëm, por që, përkundrazi, janë të varur në pikë të hallit për të zgjedhur midis mbrojtjes së të ardhmes socialiste Nano – Rama dhe sulmit të gjithshkaje tjetër që na ofron politika jonë po tregoj një histori të shkurtër të një të hëne të mbushur me atmosferën tonë paraelektorale.
Të hënën paradite në mëngjes më lindi nevoja të konsultohesha me një otojatër dhe i rashë numrit të telefonit të Poliklinëkës 8 dhe pastaj të Poliklinikës 9 që i kam më afër, për të pyetur për orare e për të fiksuar ndonjë takim me mjekun. Telefoni më jepte përgjigjen: “numri që ju kërkoni është përkohësisht jashtë shërbimit”. Pasi u interesova tek një i njohuri im që shkon atje rregullisht për të parë nëse ata ishin numrat, ai mi konfirmoi numrat, por edhe më tha se po lodhesha kot sepse telefoni nuk funksiononte qysh prej tre muajsh ngaqë drejtoria e këtyre poliklinikave nuk paskësh paguar faturën e telefonit dhe kështu Albtelekomi ua ka prerë. Mu duk çudi, por ç’të bëja. Thashë po nisem vetë për atje.
Kur dola të marr makinën e gjeta atë midis dy makinash të tjera në një mënyrë aq presato saqë mu desh të kërkoja ndonjë gjysëm ore shoferët e makinave nëpër bilardo e kafenera gjersa më në fund njëri prej tyre erdhi e më liroi rrugën.
Për të shkuar në poliklinikë mu desh të futem në trafikun ferrësor të paradites kryeqytetase me semaforët shumica të prishur e veç kësaj edhe të marr një rrugë nga ato që quhen “ta kapësh veshin nga prapa kokës” sepse, sikurse e dinë të gjithë qyetarët e kryeqytetit, kryetari ynë fjalëmadh i ka kthyer përmbys tërë rrugët, sepse Tiranën ai e shikon si një instalacion gjigand jo si një vendbanim njerëzish.
Që t’i bije shkurt më në fund arrita të parkoj në një vend shumë larg njërës Poliklinikë sepse, që të shkoja mu tek vendi, e dija se do të më duhej të rrotullohesha edhe një herë.
Nuk besoj se përbën ndonjë çudi fakti se kur shkova atje gjeta një rradhë që nuk më lejonte të qëndroja. Gjer këtu megjithë tre muajt e poliklinikës që nuk paguan telefonin e i le qytetarët pa një nga shërbimet më të nevojshme, gjëra të tilla nuk përbëjnë ngjarje për tu treguar, aq më pak elektorale. Pra gjer këtu kemi të bëjmë me bukën tonë të përditshme që na kërcet në gojë nga pluhuri dhe plumbi, por që jemi të detyruar ta hamë dhe asgjë prej fushate paraelektorale nuk ka këtu.
Elektoralja fillon kur, pasi kryeva edhe një punë tjetër, u ktheva për tek makina dhe pashë të vezullonte në rrotën e saj të parë një gjësend i verdhë si ndonjë bubrrec i madh gjigand. Mu desh të fërkoja nja dy herë sytë për të kuptuar se nuk ishte ndonjë nga ato copat e plasmasit që fluturojnë rëndom nëpër rrugët tona e që e kishte rrasur era në rrotën e makinës sime. Jo, ishte një si biçim mjeti që bllokonte makinën. Duke dashur të gjej arësyen i erdha rrotull makinës gjersa vura re në një nga pastruesit e xhamit një si faturë në ngjyrë rozë.
E hapa dhe pashë me çudi se lajmi rozë kishte rënë nga sqepi i zogut të Bashkisë së Tiranës. “Parkim i keq në vendin e autobuzit. Gjoba 5000 lekë” (to reja ore!, jo të vjetra!).
Gjëja e parë që kërkova të gjeja ishte viza që duhet të shënonte zonën e parkimit të autobuzit, sepse mu kujtua se kur kisha parkuar kisha ndalur përpara një autobuzi të ndalur, por kisha parkuar ndonja dy tre metra përpara atij. As vizë që të tregonte kufirin e autobuzit e asgjë nuk kishte në atë shkretëtirë në mes të Tiranës. Vetëm një tabelë llamarine “Qëndrim autobuzi” e varur në shtyllën e elektrikut, që mund të ishte aty që në kohën e Enver Hoxhës. “Si guxojnë këta të kërkojnë një të tretën e një rroge mesatare të një qytetari, pa pasur as të vizuar vendin që shonon kufijtë e vendparkimit të autobuzit?” – ishte reagimi i parë që më kaloi nëpërmend. Dhe kuptohet se pastaj më vërshuan nëpër tru pluhurat që hamë, ndotja akustike, ndotja vizuale, ato trotuaret e bllokuara tërësisht me llamarina që të detyrojnë të zbresësh në rrugë e prapa të cilave ngrihen pallate të ububushëm korruptivë e më the të thashë. Pale pastaj kur u kujtova se e gjithë kjo bela më kishte dalë pasi kjo palo administratë hajdutësh nuk paguan çprej tre muajsh telefonat e poliklinikave që kushedi se në ç’hale private i shpenzojnë shefat.
I rashë disa telefonave që më çuan deri tek njeriu më i rëndësishëm në Bashki që merrej me transportin të cilit i shpreha ankesën se nuk mund të gjobitej qytetari me 5000 lekë kur ai nuk kishte as të vizuar vendin e autobuzit e as një stacion normal, por vetëm një tabelë llamarine në shtyllë të elektrikut. Zotëria më tha se deri në 5000 lekë ishte kompetencë e policit që e kishte vendosur gjobën dhe se – dëgjoni mirë o qytetarë që guxoni të parkoni keq! - shifra deri në 5000 lekë është një shifër për të cilën nuk mund të bësh ankesë. Pra po e vendosi polici i Bashkisë ka marrë fund: buburreci i verdhë nuk hiqet nga rrota pa derdhur 5000-shen në arkën e Edi Ramës.
Zotëria megjithatë pati mirësinë të njoftonte furgonin me gjobëvënësit, që duket kishin dalë për gjah në tërë kryeqytetin. Të them të drejtën më futën frikën kur dolën nga furgoni nja katër karaduza me uniformë të zezë, si fashiste. Merre me mend – thashë me vete - sikur te ketë në dorë tërë ushtrinë e policinë ky kapterri ynë i Bashkisë! Por nuk e bëra veten. I kërkova vizën: ku e ke vizën? - i thashë, që të vërtetojë se makina ime ka shkelur mbi zonën e autobuzit? - Zotëri - më tha - ja ku e ke shtyllën ku është vendosur tabela. - Po shih sa larg jam unë nga shtylla – i thashë. - Zotëri, më tha – a e di ti se rregullorja e ka 15 metra para dhe 15 metra prapa tabelës. Të them të drejtën nuk e dija, por e mora veten dhe i thashë – Po pse duhet të marr metër me vete në makinë unë që të mas distancën nga shtylla? Pastaj – shtova – ç’është kjo shifër 5000 lekë? Sa e ke rrogën zotrote? Ai më nxorri bllokun dhe më tha se kaq ishte shifra taksative dhe më shfletoi bereqetin e ditës për të vërtetuar se të gjithë viktimat kishin paguar jo më pak se 5000 lekë. As më e ulët as më e lartë. Je i sigurtë, i thashë? Po po – kaq e kemi.
Dmth. – thashë me vete - e paskan sa maksimalja që mund të grabitet pa gjyq. Aq mu çakordua truri sa nuk di se si më bëri asosacion me një hedhje në gjyq që pësova para disa kohësh nga miku më i ngushtë i Kryetarit të Bashkisë, 2K-ja, ku, edhe në atë rast, shifra që më kërkohej si dëmshpërblim ishte 10 milion lekë: bash maksimalja që mund të kërkohej nga një gjyq me një gjyqtar të vetëm.
Thashë një herë të merrja ndonjë televizion ta filmonte atë farë stacioni, por pastaj mendova: po ku ka lënë pronar televizioni pa i dhënë leje ndërtimi ky Kryebashkiaku i botës që të më vijë mua gazetar këtu. E pashë se ishte e kotë të merresha më gjatë me ta dhe u nisa për në Bashki të paguaj shifrën e të bëj edhe një ankesë.
Në Bashki mora vesh dy gjëra: e para, se ky na qënkësh urdhëri i freskët i Kryetarit, i cili ishte shumë i mërzitur me shrregullimin që sundonte në rrugët tona dhe, prandaj, kishte urdhëruar të vendosej rregull, së dyti, se, si pasojë e këtij urdhëri Bashkia e kishte filluar javën me korrje të mbara (elektorale).
Pasi pagova prita në rradhë për të bërë ankesë. Të merremi vesh, do të isha shumë i kënaqur të paguaja një shifër më të proporcionuar me rrogat sikur të ndjeja se kisha shkelur vizën, se do ndjeja se po funksionon shteti e në thelb se po më shërbehet, (por edhe sikur të mos dija se nga kjo Bashkija, që i do kaq shumë ligjet dhe taksat kanë “ikur” të paktën nja dymbëdhjetë juristë këto vitet e findit). Nuk e fillova dot ligjëratën sepse ajo vajza e ankesave më tha: - zotëri, un do t’ju jap një formular dhe ankesën bëjeni me shkrim. - Sa për me shkrim – i thashë, po e bëj më mirë në gazetë.
Ika nëpër pluhur e zhurmë me kuletë të boshatisur të marr makinën dhe nuk mund të mos më vinte nëpërmend – çfarë do të thoni ju? Telefonat e poliklinikës? Jo. Kazanët e plehërave që kanë filluar të kutërbojnë? Jo mor jo. Kongresi i Partisë Socialiste. Dhe çfarë mu kujtua nga ay kongres? As Edi Rama që më kishte gjobitur as Fatos Nano, po sulmuesi, as i majtë as i djathtë, por pyka shqiptare e Bolonjës Igli Tare dhe deklarata e tij se kishte marrë çarter për katër orë vetëm e vetëm për të ardhur e përshëndetur socialistët. Po si mund të marrë tjetri çarter për këtë mutsihane – thoja me vete – dhe seç më thoshte një mendje e çartallosur se çarterin ia kishin paguar këta të Bashkisë me paret e mija dhe nuk u çlirova nga kjo paranojë derisa hyra në shtëpi dhe pashë buzëqeshjen e vajzës sime të vogël.


Monday, May 2, 2005

Kodi feudal i mirësjelljes dhe zgjedhjet

Atë ngjarjen historike në atë sallën tek Presidenca jonë historike ku politikanët tanë historike, me tagrin e kryetarëve të partive, firmosën një si biçim marrëveshjeje historike mbi kodin e sjelljes së mirë në zgjedhjet 2005, personalisht nuk e përjetova aspak si sukses historik, sikurse e paraqitën disa medja e politikanë, përkundrazi e pashë me një lloj trishtimi të hidhur që më çoi në një si vetëtallje kombëtaro historike. Më mjaftonte nevoja e kryerjes së këtij akti me kryetarët e partive për të shkuar tek kjo gjendje, por edhe vetë vënia në skenë nuk qe e pakët. Ajo më zgjoi imagjinatën e atyre kohërave mesjetare që në historiografi mund t’i gjesh nën emrin “luftra feudale” apo “anarki fudale” kur, feudalët, që ishin rrazbitur në luftra pa fund me njëri tjetrin, më në fund, nën imponimin e një autoriteti superior, mbretëror apo kishtar, uleshin e firmosnin marrëveshje se do të reshtnin së luftuari.
Sikur “mbreti” apo “papa” i marrëveshjes së feudalve tanë të politikës të kishte qenë Presidenti Moisiu, megjithë trishtimin e prapambetjes historike, të them të drejtën edhe mund ta kisha pranuar. Por ajo më bëhej edhe më vetëtallëse ngase e dija - nuk duhet të jesh ndonjë njohës i thellë i kontekstit tonë politik për të kuptuar këtë – se tërë ajo gatishmëri e përunjësi ndaj Presidentit nuk ishte tjetër veçse një vënie në skenë për tu treguar ambasadorëve perëndimorë, që ishin autoritetet reale në atë sallë e që nuk munguan as me praninë e tyre fizike, se sa sa të urtë e të mirë jemi, pa çka se njëri tjetrit nuk ia japim dorën e besës.
Për më tepër paraqitja në atë vënie në skenë e feudalëve tanë të politikës përpara autoriteteve perëndimore nuk di se si më kujtoi edhe një ndër të shumtët heroizma të popullit tonë në shekuj. Më kujtoi bash atë legjendën e Isa Buletinit për të cilin kemi treguar, duke u mburrur, se, kur shkoi të takonte ministrin e jashtëm anglez dhe ky i tha, me humor, se ishte detyruar të ndahej nga arma, pasi e kishin çarmatosur tek dera, ai i nxorri një pisqollë të dytë që e kishte mbajtur të fshehur.
Kështu mu dukën edhe feudalët tanë në atë sallë përpara ambasadorëve perëndimorë, si trima legjendarë me pisqollë të dytë të fshehur pas ushkureve, por edhe të armatosur me atë thënien tonë të lashtë se për të qenë i suksesshëm në këtë jetë duhen “shtatë hile dhe një trimëri”.
Për mua ata ishin atje për të demostruar pikërisht të kundërtën e asaj që u dukej se po bënin. Pra, jo për të kryer një hap përshpejtimi drejt demokracisë e zgjedhjeve të lira, por për ta vonuar atë. Ajo vënie në skenë ishte si puna e atyre që duan të luftojnë gjakmarrjen duke forcuar Kanunin dhe jo Kushtetutën. Sepse nuk ka vend vërtet demokratik në botë ku garant për zgjedhje të lira dhe të nderëshme të bëhen kryetarët e partive që garojnë.
Ajo skenë vërtetoi diçka që bije në sy dramatikisht në prag të këtyre zgjedhjeve: mungesën brenda vendit qoftë të institucioneve shtetërore apo jo shtetërore që të gëzojnë autoritetin e besimit se ata mund të jenë garant të zgjedhjeve, ose ose që mund të jenë arbitër të drejtë e të paanshëm të zgjedhjeve apo edhe që mund të kryejnë sondazhe të besueshme, të paanëshme, të pamanipuluara nga një forcë politike apo nga një tjetër. E kjo mungesë është shenja më e sigurt se nuk kemi ndërtuar demokraci e se, madje, jemi prapa zgjedhjeve që kemi bërë më 1992 dhe 1994 – e kjo prapavajtje mendoj se duhet të jetë burim reflektimi i kujtdo që kërkon të ndërtojë parti të vërtetë demokratike në këtë vend. Ajo misanskenë, prandaj, ishte edhe lënie e arbitrimit të zgjedhjeve në dorën e të huajve dmth., në fakt, një kapitullim i besimit se ne mund të bëjmë zgjedhje të lira e të nderëshme.

Për këto arësye sipas meje ajo firmosje ishte një fasadë që u duhej aktorëve të vet, të huaj dhe shqiptarë, për të fshehur dështimin e tyre në punën e ndërtimit të demokracisë në Shqipëri, por edhe për të fshehur atë që po ndodh e mund të ndodhë me zgjedhjet si vërtetim i këtij dështimi. Për të kuptuar atë që qëndron prapa kësaj fasade nuk ke nevojë për shumë: mjafton të dëgjosh njerëzit se si flasin nëpër tryeza po u hap biseda e zgjedhjeve. Për besë nuk dëgjon tjetër veç historitë e marifeteve e të manipulimeve të vjetra dhe të reja, të blerjeve që janë bërë dhe po bëhen dhe dyshohet se po përgatiten në një klimë mosbesimi të thellë. E këtu nuk e kam fjalën për Dushkun e madh apo të vogël me pesë variantet e Odirit që botonte Korrieri. Ato më duken lule. Këtu e kam fjalën për gjëra që tregojnë se çfarë raporti të deformuar etik e njëherësh përfaqësimi ka midis zgjedhësve dhe kandidatëve për tu zgjedhur. Por edhe midis këtyre të fundit dhe arbitrit perëndimor sepse, veç tjerash, variantet e marifeteve që dëgjon kanë një synim të rëndësishëm të përbashkët: si t’i bëjmë në mënyrë që tua hedhim perëndimorëve. Çfarë xhambazllëqesh nuk të dëgjojnë veshët! Mbizotërojnë ata sipas të cilëve votat do të blihen me lekë dhe se, për këtë, shtabet e kandidatëve kanë zbritur në terren e kanë filluar tashmë punën. Por edhe më e tmerrshme është se edhe tek këto blerje mbizotëron mosbesimi i thellë midis shitësit dhe blerësit. Prandaj variatet më “të sigurta” marrin parasysh edhe se si të mos na mashtrojë personi që do të shesë votën e tij, të familjes apo tarafit. Për këtë duhen marrë masa që ai të mos ketë mundësi t’i marrë lekët dhe të votojë për një tjetër, apo që t’u marrë lekë të dy palëve. Prandaj një nga variantet “e sigurta”, njëherësh edhe i pakapshëm nga vëzhguesit perëndimorë është ky: X zgjedhës (shitës i votës) do të fusë në kuti një letër kot kurse letrën e vlefshme do ta fusë në xhep e do ta nxjerrë jashtë të bardhë. Aty do t’ia dorëzojë një matrapazi partie/kandidati që e pret. Vetëm kur matrapzi do të marrë në dorë këtë fletë do t’ia japë lekët. Pastaj matrapazi do t’i verë kryqet e duhura kësaj letrës e do t’ia japë një tjetri që pret në rradhë për të shitur votën. Ky do të shkojë brenda dhe do të fusë në kuti fletëvotimin e kryqëzuar nga matrapazi kurse fletëvotimin e vet do ta marrë me vete të bardhë e t’ia dorëzojë matrapazit i cili, vetëm atëhere do t’i japë lekët. E kështu me rradhë.
Jam i bindur se shumëkush që ka patur durimin ta lexojë këtë shkrim deri në këtë paragraf do të thoshte me vete: mirë mirë po si t’ia bëjmë, se këto i dimë.
Nuk pretendoj të jap këtu zgjidhje, aq më pak të menjëherëshme, por desha të ve në dukje se nuk është zgjidhja ajo e firmosjes në skenë e kodit të mirësjelljes kalorsiake ndërkohë që prapa skene “firmoset” një kod monstruoz keqsjelljeje. Desha po ashtu të ve në dukje se është ecje në drejtim të kundërt të punosh për zgjedhje të lira jo duke i mshuar forcimit të autoritetit të institucioneve që duhet të garantojnë zgjedhjet e lira, por duke u mbështetur në forcime me shije feudale autoritetesh jashtë institucionale. Ashtu sikurse është provë e ecjes në drejtimin e kundërt dhe rritja - në vend se ulja gjatë këtyre viteve - e rolit dhe autoritetit të të huajve në arbitrimin e zgjedhjeve. Thelbi i zgjedhjeve të lira nuk është arritja e një rezultati njëditor që nuk kontestohet dot formalisht nga humbësit, por puna e përditshme shumëvjeçare për ndërtimin e demokracisë e, në këtë kontekst, edhe e institucionit demokratik të zgjedhjeve që ndërtohet mbi marrëdhënie krejt të tjera etike e të përfaqësimit e të mbrojtjes së të drejtave nga ato që po eksperimentojmë.

Tuesday, April 26, 2005

Fundi i berluskonizmit dhe Shqipëria

Një diplomate suedeze që punonte para disa kohësh në ambasadën suedeze në Itali, por që mbulonte edhe Shqipërinë, e që vinte herë pas here për të ndjekur ngjarjet në emër të vendit të vet, më tha një ditë, teksa rrekesha t’i shpjegoja ato që ndodhnin në këtë vendin tonë të bekuar: “Zoti Lubonja, unë përpiqem ta kuptoj këtë vendin tuaj, por, të them të drejtën, pak kuptoj dhe atë pak e kuptoj sepse njoh Italinë, sepse, po të vija direkt nga Suedija nuk do të mund të kuptoja asgjë.”
Gjatë bisedës mu bë e qartë se e kishte fjalën për Italinë që shpjegon ardhjen në pushtet të Berluskonit dhe berluskonizmin në përgjithësi.
Mu kujtua kjo histori këto ditë, kur, pas humbjes dërrmuese që pësoi në zgjedhjet rajonale qendra e djathtë me në krye Berluskonin, në Itali po flitet gjithnjë e më shumë për “fund të berluskonizmit”. E u ula të shkruaj jo për merakun e Italisë, por të Shqipërisë, që e ka dashur dhe e do ende kaq shumë Berluskonin dhe berluskonizmin. Jo vetëm, por edhe duke patur parasysh se një nga shkaqet e dështimit tonë në këtë tranzicion drejt sistemit kapitalist ka qenë edhe imitmi më i keq i Perëndimit e më konkretisht i Berluskonit dhe i berluskonizmit, tiparet e të cilit gjente diplomatja suedeze në Shqipëri.

Po çfarë është berluskonizmi si fenomen politik, social dhe kulturor? Me dy fjalë është një lloj populizmi i ndërtuar mbi premtime për pasurime e zhvillime të shpejta, i mbështetur fort nga mjetet mediatike të Silvios që kanë krijuar një realitet virtual edhe me ndihmën e kulturës së gërvisht dhe fitosë e të quitz-eve e spektakleve të lehta, por edhe mbi kulturën e ilegalitetit e të lidhjes së politikës me mafjen, justifikuar edhe me një ideollogji liberiste që propagandon dobësimin e rolit të shtetit, e një mistifikim të privates dhe inisiativës së lirë. Figura e politikanit që e mishëron berluskonizmin është karizmatiku Silvio që shtypi (i majtë) italian e quan “antropologjikisht gënjeshtar” e që ka arritur të bashkojë racistin Bosi që e quan Jugun hajdut me Finin e Follinin që elektoratin e kanë në Jug. Ndërkaq, përtej fasadës, berluskonizmi ka në themel të motivimit të vet, jo shërbimin ndaj shoqërisë, por mbrojtjen e interesave private të Berluskonit e të tijve, çka ka çuar deri në hartimin e ligjeve ad personam apo deri në synimin për vënien në kontroll të gjyqsorit. Pas katër vjetësh eksperience aventura e tij ka çuar në pasurimin e një grupi të vogël e në varfërimin e shumicës së italianëve të cilët sot e kanë vështirë të mbyllin muajin me ato që fitojnë. Humbja drastike e Berluskonit në zgjedhjet rajonale, veçanërisht e partisë së tij Forca Italia, ishte përgjigja që i dhanë italianët kësaj aventure duke treguar njëherësh se ajo Italia tjetër, e punës dhe e talenteve gjeniale dhe e traditave të forta të majta, ka antikorpe për të reaguar.

Është folur shpesh për faktin se ajo që ne kemi bërë gjatë këtyre viteve është marrja e gjërave më të këqija të sistemit kapitalist. Në fakt, edhe sistemin komunist e ndërtuam në mënyrë të atillë që u bë shembulli më i keq i komunizmit në të gjitha vendet lindore, më i egri, më ekstremisti. Shkaku pse ne arrijmë të marrim më të këqijat dhe jo më të mirat është një çështje që kërkon një thellim antropologjik që nuk pretendoj ta bëj në këtë shkrim. Me dy fjalë, sipas meje, burimi është injoranca, (dikush e ka quajtur nëna e të gjitha të këqijave) si mungesë e instrumenteve kulturore, kritike për të përvetësuar dije në mënyrë krijuese, si mungesë e kulturës humaniste gjithashtu, kombinuar kjo me traditën tonë dominante: kulturën e pushtetit.
Për të njëjtat shkaqe do të thoja edhe sprova jonë kapitaliste ka prodhuar një karikaturë të shëmtuar të kapitalizmit e më konkretisht të atij që sot në Itali quhet berluskonizëm.
Për ta ilustruar këtë karikaturë le të tregoj një pamje që mu shfaq sapo zbrita në tokën mëmë pas udhëtimit të fundit që më solli pikërisht nga Italia e Berluskonit në Shqipëri
Sapo kalova kontrollin policor të Rinasit, duke pritur të vijnë valixhet nga ay ruli që i fut nga jashtë brenda, shkova të marr një nga ato karrelat që qenë aty mënjanë, për t’i ngarkuar e tranportuar me to në makinë. Mirëpo menjëherë mu afrua një person i veshur me një lloj uniforme i cili më tha: 1000 lekë (të vjetra) kushton. U bëra gati t’i nxjerr, por jo pa një lloj revolte që më bërë t’i them: thuaji atij drejtorit tënd (e kisha fjalën për drejtorin e aeroportit) se nuk ka aeroport në botë ku paguhen karrelët, sepse - shtova - këtu pasagjerët paguajnë edhe taksë aeroporti. Në fakt, sapo kisha ardhur nga një aeroport i Italisë së Berluskonit ku me një karrel më të mirë se ay kisha transportuar valixhet pa paguar asnjë kacidhe dhe pa paguar as taksë aeroporti. Muhabetin e dëgjoi një punonjës i aeroportit i cili më tha: këta nuk janë tanët, këta janë privatë. Pra shërbimin e karrelave ia kishin lënë privatit. I mora valixhet në krah nga inati dhe, sapo dola, u ndesha me anën tjetër të medaljes: lypsat. Për besë në njëqind metra rrugë deri tek makina mu vërsulën nja 10 a 15 lypësa që ia linin stafetën njëri tjetrit çdo pesë metra e që nuk më lanë rehat derisa futa valixhet në bagazh, mbylla portën e u nisa.
Duke i “qarë hallin” për këtë gjendje një punonjësi të aeroportit që po ecte krahas meje ai më tha: - Mos u mërzit se edhe pak kohë do të zgjasë kjo dhe pastaj do ta marrin gjermanët aeoportin – duke i dhënë kështu dorën e fundit skicë metaforës së Shqipërisë së sotme.
Ky detaj që tregova është pa dyshim vetëm një nga devijimet e vogla të “vijave të skicës” që, në përpjekjen për të kopjuar modelin, e ka nxjerrë atë një karikaturë të shëmtuar të Italisë së Berluskonit. Them karikaturë sepse, le të jap dhe një shembull tjetër të vogël, në Itali nuk mund të bëjë vaki që të futesh në një lulishte mu në qendër të kryeqytetit e të të fryjë me bilbil një polic privat e të të thotë se nuk mund të kalosh në anën tjetër sepse aty nuk ka dalje pasi aty është dyqani i privatit që e ka rregulluar lulishten, të cilit, si kompesim, “modeli socialist i qeverisjes” i ka dhënë të drejtën të hapë dyqan shitjeje e të bëjë aty ligjin, deri ta bëjë lulishten me hyrje, por pa da dalje simetrike me të. Ose, as në ëndërrën më të keqe studentët e universiteteve italiane nuk mund t’i shohin oborret e universiteteve të tyre të mbushura me kafenera dhe restorante private që menaxhohen, madje, nga profesorët e tyre.
Nejse, siç e thashë, këto janë vetëm devijime të vogla dhe nuk kam ndërmend të merrem me ato më të mëdhatë që i kam trajtuar mëse një herë, aq sa jam bërë i mërzitshëm.
U nisa të shkruaj këto rradhë duke parë se sot po flitet për “fundin e berluskonizmit” jo pa sjellë ndërmend se edhe komunizmit tonë nuk do t’i kishte ardhur fundi sikur të mos i kishte ardhur fundi më parë në vende të tjera. Pra edhe me shpresën se, më në fund, do të ndryshojmë diçka jo falë antikorpeve tona dhe as falë krijimtarisë sonë, por falë majmunërisë sonë. Mirëpo, sipas teorisë që shtjellova më sipër, ajme, kështu përsëri mund të përftojmë ndonjë karikaturë. Le të shpresojmë, megjithatë, se fundi i berluskonizmit, aq i adhuruar në vendin tonë saqë hapëm edhe bare e restorante me emrin e tij, do t’i bëjë ca më shumë shqiptarët të mendojnë për majmunërinë e tyre, - politikanët tanë veçanërisht, e ata të majtë edhe më veçanërisht, - e të zhvillojnë ca më shumë instrumente kritikë ose, së paku, të kërkojnë të shkërbejnë ca modele që bota e qytetëruar i çmon e vlerëson më shumë, si psh vendin e diplomates suedeze që mezi arrinte ta kuptonte këtë “modelin” tonë.