Intervistë me Fatos Lubonjën
Në vargun e emrave që Gazeta Express ka intervistuar me rastin e 15 vjetorit të pavarësisë është edhe shkrimtari dhe publicisti i njohur shqiptar, Fatos Lubonja. Në këtë intervistë e cila është realizuar për dy ditë, Lubonja ka folur për pozitën në të cilën gjendet aktualisht Kosova, përballjen me zhvillimet masive gjeo-politike dhe për rreziqet e mundshme të një lufte të botërore. Lubonja në këtë intervistë ka dhënë edhe pikëpamjet e tij për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova, për atë nëse kanë mundur gjërat të bëheshin më mirë dhe gjithashtu edhe për kryeministrin Kurti dhe ndryshimin e tij karshi Kosovës shtet.
Intervistoi Besnik Velija:
Gazeta Express: Çfarë dëshmon për vetë Kosovën dhe klasën politike kosovare fakti që shteti i Kosovës në këtë ditëlindje të 15 udhëhiqet nga një kryeministër i cili në statutin e partisë që drejton e ka synim bashkimin e Kosovës me Shqipërinë?
Fatos Lubonja:Për mua, kjo dëshmon faktin që politika shqiptare, politikanët shqiptarë, partitë politike shqiptare kanë ecur dhe ecin në dy shina, njëra evropianiste, e afrimit gjithnjë e më shumë me Evropën, e zhdukjes së dallimit të kufijve nëpërmjet futjes në ombrellën evropiane, etj. dhe tjetra nacionaliste. Problemi është se kjo e dyta, në vend se të vijë duke u dobësuar në favor të së parës, ka mbetur e fortë edhe për shkak se ideja e Europës nuk është më ajo e viteve 90-të të mbarimit të luftës së ftohtë kur ishte shumë më tepër inspiruese. Mund t’i quajmë dhe plani A dhe plani B. Sigurisht Kurti e ka pasur më të theksuar sesa partitë e tjera kosovare elementin nacionalist shqiptar që bën thirrje për bashkim. Por gjithsesi, mesa di, nuk ka ndonjë parti në Kosovë që të ketë dalë në mënyrë të hapur kundër idesë së bashkimit në emër të një Kosove të pavarur, sovrane e shtet me vete etj. Gjithmonë ka ekzistuar ky ambiguitet, edhe në politikat e Shqipërisë përsa i përket Kosovës. Ky është edhe një ambiguitet i Serbisë, sepse edhe serbët punojnë me një projekt evropianist A, dhe me një plan B sipas të cilit presin në një të ardhme një kontekst gjeopolitik tjetër ku mund të realizojnë synimet e tyre nacionaliste, të anulojnë njohjen e Kosovës etj.. Dhe do të thoja se ky dualizëm është një fenomen që e gjejmë edhe në BE madje në shtetet themeluese. Sigurisht jo në këtë dualizmin kaq hipokrit që kemi ne, por edhe atje gjithnjë e më shumë janë rritur partitë sovraniste, eurospektike, pasi gjysma e popullsisë nuk beson te Evropa sipas sondazheve. Dhe kjo reflektohet me politikat e dyfishta ku me një anë flitet për Evropën, për një federatë evropiane, për një ushtri evropiane, politika të jashtme evropiane, por nga tjetër politikanët shohin interesat e vendit të tyre ku thonë: “Italia e para”, “Franca e para”... Kjo vlen edhe për partitë që njihen si evropianiste. Në një kontekst më të gjerë unë kështu e interpretoj edhe Albin Kurtit dhe partinë e tij Vetëvendosje, si dhe ndryshimet që ka bërë ai nga ideja e parë. Sigurisht ka edhe veçoritë e veta.
Gazeta Express: Kryeministri Kurti e ka evoluar këtë qëndrimin e tij edhe për shtetin e Kosovës, për flamurin që e quante lara-lara , për himnin nuk zgjohej fare në këmbë, tani edhe kur pyetet për bashkimin me Shqipërinë i devijon paksa pyetjes. Si e shihni përshtatjen e z.Kurti me rrethanat. A është në shërbim të vetvetes dhe partisë duke e parë si interes ardhjen në pushtet, apo e shini si tregues që pas gjithë këtyre viteve që kryeministri ka filluar të besojë më shumë në Kosovën si shtet?
Fatos Lubonja: Kjo është një pyetje shumë intriguese që na bën të hyjmë në hamendje, në psikologjizma, ndoshta edhe në traditën tonë që na tregon se politikanëve tanë, si rregull, tjetër gjë kanë premtuar kur kanë qenë në opozitë dhe tjetër gjëkanë bërë kur kanë marrë pushtetin.
Unë mendoj se Kurti i ruan ende ato shpresa, ato mendime të bashkimit, por ka përballë një pamundësi realizimi që i tejkalon mundësitë e tij. Nuk duhet të harrojmë kur flasim për këtë temë një aktor tjetër në lojë që historikisht ka qenë vendimtar edhe për njohjen e Shqipërisë, por edhe çlirimin e njohjen e Kosovës, atë ndërkombëtar. Fatet e vendeve si tona fatkeqësisht janë vendosur nga fuqitë e mëdha sipas konteksteve gjeopolitike të kohës. Kjo i jep Kurtit një alibi për ndërrimin e qëndrimit: ai mund të thotë se i duhet të nënshtrohet për interesin e Kosovës jo të pushtetit të tij. Prap ne ngremë pyetjen: historia jonë tregon se politikanë tanë për pushtetin e kanë tradhtuar çdo flamur që kanë tundur më herët: a bën përjashtim Kurti këtu apo jo? Përshtypje që kam unë është që ai e ka një sedër akoma, por edhe tundimin e pushtetit ia shoh të madh. Megjithatë ju e dini më mirë sesa unë, e njihni më mirë në detaje, ne e shikojmë pak nga larg ndoshta edhe idealizojmë. Duke parë situatat e më hershme në Kosovë unë kam menduar se Kurti mund të ishte një shpresë, por jo në kuptimin e një bashkimi, por në kuptimin e ndërtimit të një shteti të së drejtës në Kosovë, më të mirë më të shëndosh, që mund të nxiste edhe ndryshime pozitive në Shqipëri. Nuk di të them nëse ka bërë përpara në këtë drejtim pasi nuk jetoj aty. Kjo më është dukur më e rëndësishmja për momentin dhe, gjithë duke menduar se ëndrra finale e Kurtit është përsëri bashkimi, them se ideja e bashkimit dhe e ndërtimit të një shteti më të mirë në Kosovë, që nesër mund të bashkohet me Shqipërinë, nuk janë kontradiktore me njëra-tjetrën.
Ajo që nuk shoh të ndodhë në Kosovë edhe nën drejtimin e Kurtit (ashtu sikurse edhe në Serbinë e Vuçiçit) është dështimi i atij projektit që do t’i bënte idetë e shteteve të pastëra etnikisht të ishin një gjë e të kaluarës në favor të ndërtimit të shoqërive multikulturore dhe multietnike ku kulturat shkëmbehen duke pasuruar njëra-tjetrën. Më ka bërë shumë përshtypje kur kam vizituar manastirin e Deçanit dhe patriarkanën e Pejës se si ishin të rrethuara me sistem sigurie a thua se bëhej fjalë për burgje të sigurisë së lartë. Ato duhen trajtuar si pasuri e madhe kulturore jo vetëm e serbëve, por edhe e kosovarëve. Janë vende që duhet t’i vizitojnë edhe kosovarët dhe jo të trajtohen prej tyre si tokë e armikut, pasi janë pjesë e historisë së përbashkët me të mirat dhe të këqijat e saj. Në këtë drejtim nuk punohet. Punohet për ndarje si dhe për të evituar më të keqen, luftën, por jo për të ndërtuar komunikim, bashkëpunim. Dhe këtë të fundit, vetëm për përfitime politike, e kanë bërë monopol ca lidera autoritarë si Vucic apo Edi Rama, që s’janë të zot të komunikojnë e bashkëpunojnë me njerëzit në vendet e tyre. Në aspektin, e këtij projekti të bashkëpunimit kulturor unënuk shoh ecje përpara. Përkundrazi mund të thuhet që ka hapa mbrapa. Por kjo po ndodh edhe në botë siç e tregon lufta në Ukrainë.
Gazeta Express: A e dëmton një qasje e tillë Kosovën. Pra nëse themi që kryeministri Kurti luan më këtë dualizmin që e le edhe një shteg të hapur për bashkim me Shqipërinë, në të njëjtën kohë vazhdon e qeveris me Kosovën. A mund të hidhen dyshime për sinqeritetin e Kurtit karshi edhe proceseve aktuale nëpër të cilat po kalon Kosova?
Fatos Lubonja:Siç e kuptoj unë pyetjen tuaj, e keni fjalën për një mossinqeritet të Kurtit ndaj ndërkombëtarëve, ndaj prindërve, ndaj të mëdhenjve që na drejtojnë. Por unë nuk i mendoj aq të sinqertë as ata vetë, sepse edhe ata vetë kanë interesa te tyre edhe dualizmat e tyre, siç thashë më lart. Unë jam nga ata që mendojnë se ndërhyrja që bëri Nato në Kosovën nuk ishte për të drejtat e njeriut të shkelura nga serbët, por se këto shkelje dhe abuzime ishin një pretekst për ekspansion gjeopolitik. Dhe në këtë aspekt hyjmë në terrenin e politikës, që është arti si mundshmes, për të kërkuar më të mirën e mundshme për Kosovën, kuptohet. Mendoj që kosovarët nuk duhet t’i nënshtrohen çdo gjëje, çdo lloj kërkese që del nga perëndimi. Sepse edhe këmbëngulja në ca qëndrime ka vlerë, sigurisht duke patur parasysh se sa i fortë je. Dhe kjo do zgjuarsi politike për të ruajtur interesat e tua deri në atë cak sa të mos kalosh në prekje të interesave të të mëdhenjve. Në këtë aspekt Kurti ka treguar një lloj fleksibiliteti ndaj tyre duke tentuar të rezistojë, por është një proces që duhet matur hap pas hapi, duke ndjekur situatën, duke shquar rreziqet, tendencat që aktualisht, sipas meje, janë të dominuara nga lufta në Ukrainë.
Gazeta Express: Marrë parasysh zhvillimet gjeopolitike dhe luftën në Ukrainë, cila mendoni se do të ishte lëvizja “vetëvrasëse” që mendoni se Kosova s’do të duhet ta bënte assesi?
Fatos Lubonja: Pyetja juaj më sugjeron, indirekt, një përgjigje që besoj se është një ide e përhapur edhe në Kosovë edhe në Shqipëri sipas së cilës “vetëvrasje” do të ishte prishja me aleatët, duke nënkuptuar SHBA kryesisht. Vërtet kur mendon se, sic po tregon lufta në Ukrainë, edhe shtete serioze evropiane të vjetra po sillen si vasalë të SHBA-së, është politikisht e drejtë të mendosh se për Kosovën, qëedhe u çlirua nga SHBA, prishja me ta do të ishte vetvrasje. Por duhet të kemi parasysh se çdo të thotë prishje me ta. Për mua kjo do të ishte kalimi në kampin armik të tyre, dhe jo thjesht t’i kundërshtosh për të mbrojtur disa interesa të tua legjitime.
Por do të doja ta sfidoja përgjigjen e nënkuptuar nga ana juaj, duke pohuar se më “vetëvrasëse” nga të gjitha është ajo lufta e pa principtë politike, ajo paaftësia e shqiptarëve për të gjetur gjuhë të përbashkët edhe për gjërat më të përbashkëta. Sepse sigurisht opozita dhe mazhoranca duhet të kenë programe të ndryshme, por jo të venë pushtetin e partisë (pjesës) mbi të tërën. P.sh. kur ishte ideja e ndryshimit të kufijve të Kosovës, që mesa e di unë u lëshua nga amerikanët, nga ai Grenelli i famshëm, që tani u dekorua nga Vuçiçi, dhe kjo jo për interesat e Amerikës, por të fushatës elektorale të Trumpit, ishin shqiptarët që u bënë instrument i rrëzimit të qeverisë Kurti në kohë pandemie. Për çështje themelore duhet të ketë shumë më tepër bashkëpunim demokratik në mes të të gjitha forcave politike. Edhe ajo çështja e ndryshimit të kufijve: unë kam qenë dhe mbetem kundër duke qenë kundër shteteve të pastra etnikisht. Por edhe nëse një pjesë mendonte se mund të ishte një zgjidhje kjo nuk mund të bëhej ashtu si u tentua të bëhej, në mënyrë të fshehtë, duke hapur fjalën se kështu kanë vendosur të fuqishmit etj.. Ajo mund të bëhej duke folur me njëri tjetrin, duke ia shtruar popullit, duke peshuar me transparencë favoret dhe disfavoret. Prandaj mendoj se “vetëvrasjen”, – në fakt do ta quaja autolezionizëm të përditshëm, – janë shqiptarët vetë që ia krijojnë Kosovës.
Gazeta Express: Angazhimi aktual ndërkombëtar është ndoshta i krahasueshëm me Rambujenë dhe bisedimet e Vjenës, megjithatë s’ka njohje reciproke. Sipas jush, ku e çon Kosovën një ujdi e tillë potenciale?
Fatos Lubonja:Gjykoj se ka dallim në mes Rambujesë dhe kohës së sotme. Janë dy kontekste gjeopolitike të ndryshme. Në kohën e Ramubjesë ne kishim një Perëndim dhe një SHBA dhe një NATO në ekspansion dhe dominim të plotë, një Rusi shumë të dobët që nuk pretendonte hapësira gjeo-politike të vetat dhe një Serbi që kishte shkaktuar lufrat në ish Jugosllavi dhe që ishte armiqësore ndaj kampit perëndimor. Ishte një kontekst ku interesat perëndimore dhe ato amerikane për ekspansion përkuan me interesat dhe luftën e Kosovës për t’u pavarësuar nga Serbia dhe krijimin e një shteti të pavarur. Në atë kohë unë gjykoj që liderët kosovarë kanë humbur shumë mundësira, sepse atë kohë u investua aq shumë në Kosovë dhe duhej arritur shumë më tepër për ndërtimin e një shteti sa më të shëndosh, të së drejtës etj. Ishte dhe një kohë kur Serbia qe shumë e dobët, pasi e ndëshkuar në opinionin publik botëror dhe me Millosheviqin në Hagë. Kurse sot jemi në një kontekst tjetër, ku, sipas mendimit tim, për shkak edhe të përgjegjësisë së politikanëve të saj, Kosova nuk ka ecur ashtu siç duhet dhe nuk ka atë entuziazmin dhe mbështetjen që ka pasur dikur, edhe perëndimore. Ka skepticizëm, ka mëdyshje etj.. Nga ana tjetër Serbia ka bërë politika evropianistë që e kanë legjitimuar, plus që është bërë shtet që ka peshë sot në Ballkan dhe nuk mund të injorohet siç injorohej atëherë. Përveç kësaj, kemi dhe Rusinë që është një shtet që kërkon hapësirat e veta gjeopolitike. Ka hapur një luftë që është një luftë me Perëndimin, në emër të vendosjes së një rendi të ri botëror. Konteksti sot është nën shenjën e luftës në Ukrainë. Dhe në këtë kontekst, nuk e dimë saktë se kush përfiton më tepër përsa i përket qëndrimit të Perëndimit, Serbia apo Kosova. Në kohën e Rambujesë ishte Kosova fitimtare dhe Serbia humbëse. Tani bëhet fjalë për ruajtjen nga Perëndiim të një ekulibiri që të mos shpërthejë ndonjë konflikt në Ballkan, ku Vuçiçi luan kartat e tij, kërkon edhe ai të marrë ato që kërkon. Por edhe Kosova po ashtu. Unë e ndjej që ka një lloj sakrifikimi të Kosovës për t’i bërë lëshime Vuçiçit në emër të evitimi të këtij konflikti. Pra janë dy kontekste të ndryshme.
Gazeta Express: Ju pak a shumë e thatë që qasja në dialog vjen pak a shumë edhe si rezultat i ngjarjeve në Ukrainë, pse mendoni që Perëndimi u dorëzua karshi kërkesës për njohje reciproke, a ka faj Kosova, a e shihni si përgjegjëse edhe Shqipërinë për qasjen ndaj procesit apo Shqipëria s’ka këtu kurrfarë faji?
Fatos Lubonja: Unë gjykoj se Perëndimi u dorëzua, siç thatë ju, apo hoqi dorë përkohësisht, për t’i bërë një lëshim Serbisë. A kanë përgjegjësi shqiptarët e Kosovës dhe Shqipërisë, ose politikanët e tyre? Pa dyshim. Kosovarët kanë më shumë përgjegjësi sepse s’kanë shfrytëzuar momentet më të mira të mbështetjes perëndimore, entuziazmit për të ndërtuar një shtet sa më të shëndosh të së drejtës, me të gjitha të drejtat për serbët, në të gjitha aspektet. Ndërsa për rolin e Shqipërisë, pa dyshim që kemi përgjegjësi. Së pari, pasi nuk kemi ndërtuar një shtet që të meritojë respekt ndërkombëtar. Shikoni se ç’ndodh me ikjen e shqiptarëve nga vendi. Pastaj kemi një kryeministër si Edi Rama, që shikon interesat e veta politike dhe Kosovën e përdor nganjëherë si kartë elektorale për të marrë simpati dhe herë të tjera duke e sakrifikur për të fitur simpati e mbështetje të tjera, si me Open Balkans; pra pa treguar koherencë. Herë dashurohet shumë me Vucicin, herë kthehet të miklojë Kosovën siç bëri në Këshillin e Evropës ku doli në mbrojtje të Hashim Thaçit, por duke përdorur një gjuhë dhe sjellje agresive e fyese ndaj vendeve evropiane që më shumë e dëmtoi edhe vetë Kosëvën.
Gazeta Express: A e keni parashikuar në vitin 2008 që gjërat për Kosovën do të shkonin në këtë drejtim?
Fatos Lubonja:Njeriu gjithmonë është i ndarë midis ca gjërave që dëshiron dhe realitetit që jeton dhe lexon. Besoj se e kam parashikuar që rruga e Kosovës drejt një shtetit të së drejtës do të ishte e vështirë, sigurisht pa detaje që është e pamundur t’i imagjinosh. Kam parashikuar gjithashtu që kosovarët do të vazhdonin të mbeteshin të varur tek vullneti i të huajve, që, siç e thashë edhe më lart, kanë interesat e tyre të parat dhe mund të ndërrojnë edhe qëndrime, çka ma ka bërë edhe më të paparashikueshme situatën.
Pyetja që ngrihet lidhur me këtë temë është kjo: sa ne jemi të zhgënjyer me të huajt sepse nuk na kanë mbështet aq sa do të donim për të ndërtuar shtetin e pavarur dhe sa është përgjegjësia e kosovarëve në këtë vonesë dhe për këtë situatë të papëlqyeshme? Unë mendoj se janë të dyja. Kur flas për vonesa, kam parasysh faktin se klasa politike ka punuar, siç është tradita historikisht, për interesat e veta, për para, për pushtet dhe jo për të ndërtuar një shtet në shërbim të qytetarëve. Dhe kjo ka ndikuar shumë për të ardhur në këtë pikë. Nga ana tjetër nuk mohoet roli negativ i një lloj degradimi që ka pësuar Perëndimi që mendohej se do ta ndriçonte dhe udhëhiqte procesin. Nuk e kam parashikuar që punët do të shkonin kaq keq, të paktën siç më duken mua.
Gazeta Express: Pra që do të ishin këto probleme nuk e kishit parashikuar?
Fatos Lubonja:Nuk e kam imagjinjar se do të punohej kaq pak nga të dy palët, në Kosovë e Serbi, për të ndryshuar kulturalisht shoqëritë. Partitë politike kanë bërë gjithmonë lojën nacionaliste brenda vendit duke ushqyer urrejtjen e ndërsjelltë. Dhe kjo e ka çuar gjendjen në një konflikt të ngrirë. Tani po ndërhyet nga Perëndimi për shkak se gati u duk se ky konflikt po shkrinte dhe po hapej një vatër zjarri këtu. Planin franko-gjerman, në këtë kontekst e shikoj, se si të zgjatet ngrirja. Është si një sëmundje kronike që do të vazhdojë me shpresë që me kohën do të gjejë shërim. Por asgjë se përjashton krijimin e situatave më të këqija, sidomos nëse dështon projekti evropian, d.m.th. të fitojnë nëpër vendet kryesore europiane projektet që janë për “exit” nga Evropa. Atëherë situata bëhet edhe më e paparashikueshme.
Gazeta Express: A e sheh problematik faktin që plani franko-gjerman nuk e përfshinë njohjen reciproke fare. A mund t’i zihet besë Serbisë qoftë edhe nëse arrihet një marrëveshje e përkohshme siç parashihet me këtë plan?
Fatos Lubonja: Ky është një hap në favor edhe të Kosovës por edhe në favor të Serbisë, sidomos sa i përket Asociacioneve. Por, për mua, siç e thashë, është një hap që më së shumti e shtyn konfliktin e ngrirë. Asociacionet ashtu siç janë menduar mund t’i konsiderosh hap drejt një Kosove demokratike, por mund t’i konsiderosh edhe si pyka që nesër mund të përdoren për ndërhyrje për ndonjë destabilizim të Kosovës në një situatë tjetër gjeopolitike. Të dyja janë të mundshme. Do të varet nga vullnetet politike të palëve që nuk i shoh pozitive, perkundrazi, dhe nga sa do të punohet që të ndryshojë kultura e njerëzve, qoftë brenda vendit me njëri-tjetrin, qoftë në mes të shqiptarëve dhe serbëve.
Gazeta Express: Një prej synimeve qendrore aktualisht është anëtarësimi i Kosovës në OKB. A keni ide se si mund të evitohet vetoja e Rusisë dhe Kinës dhe a mendoni që Rusia mund ta braktisë Serbinë, siç e tha edhe presidenti kroat që “Serbia do të dalë një dashnore e mashtruar pasi Rusia, për shkak të Krimesë, do të ndërrojë qëndrim për Kosovën”?
Fatos Lubonja:Për t’i dhënë një përgjigje kësaj pyetje duhet të dimë se si do të përfundojë lufta në Ukrainë. Sepse është e qartë që kjo luftë bëhet për të ndryshuar një rend botëror. Dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me pretendimet e Rusisë, por edhe të Kinës. Sot po flitet edhe për një luftë SHBA – Kinë që duket në horizont. Çfarë do të ndodhë? A do të bëhet një rend i ri botëror, do të triumfojë Perëndimi apo do të kthehemi në një lloj lufte të re të ftohtë? Në këtë situatë është në pikëpyetje edhe vetë OKB-ja. Sidoqoftë edhe në rastin më pozitiv për Kosovën: në qoftë se Rusia humbet dhe dobësohet keq, e mund të detyrohet që, për të mbajtur Krimenë, të braktisë Serbinë, nuk duhet të harrojmë se në këtë rast Serbia, që e ka njërën këmbë në Evropë, mund të kalojë plotësisht në këtë krah dhe në këtë rast prap duhet parë se çfarë do të dojë të përfitojë nga kjo situatë në raport me Kosovën, siç janë ato zgjidhjet me ndryshimet e kufijve apo ku e di unë. Në qoftë se lufta në Ukrainë s’ka këtë rezultat, por do të kemi një ndarje përsëri të botës me fuqi armike, duke pasur parasysh që Serbia nuk ka hequr dorë nga Kosova, do të kemi një zgjatje të historisë së konfliktit të ngrirë. Këto janë disa hipoteza. Por në tërësi klima nuk është e mirë, veçanërisht në kuptimin e asaj që thashë më herët, të një vizioni për botën të paqes dhe të bashkëpunimit. Dikur kishim vizionin e një zone euro-aziatike ku hynte edhe Rusia në Evropë pak a shumë. Kjo situatë nuk është më, kemi degradim, konfliktualitet deri rrezik për luftë botërore. Në qoftë se do të fillojmë të flasim pastaj për një luftë botërore, gjëja bëhet krejtësisht e paparashikueshme.
Gazeta Express: A e keni guximin të na e thoni apo ta bëni një parashikim se ku do të jetë Kosova pas 15 vitesh të tjera?
Fatos Lubonja:Unë e kam të vështirë sepse nuk jetoj atje, që ta njoh edhe më mirë situatën. Por nga përvoja edhe e Shqipërisë, 15 vjet nuk më duken shumë për shpejtësinë e breshkës me të cilën ecim ne. Kaq vjet mund të sjellin ndonjë zgjidhje gjeopolitike, përsa i përket konfliktit me Serbinë, që ka shumë rëndësi, por prap për mua më e rëndësishme sesa kjo është se sa do të ndryshojë shoqëria kosovare në aspektin e ndërtimit të një shteti të së drejtës, çlirimit të shtetit nga kapja siç ka premtuar Kurti, etj.. Sepse kjo ka të bëjë me jetën e përditshme të njerëzve. E kam vështirë të parashikoj. Por duke marrë pikë referimi Shqipërinë mund të them se parashikoj se ndryshimi i shoqërisë kosovare, përdrejt më shumë demokracie, një ekonomie më të qëndrueshme dhe më të shëndoshë, një kulture më të pasur e më me mendim kritik do ta gjejë Kosovën pas 15 vjetësh edhe më përpara se ç’është sot në raport me Shqipërinë. Por edhe këtë nuk guxoj ta them me gojën plot sepse kam shumë frikë nga infektimi i Kosovës me virusin degradues të Shqipërisë.
Intervistoi Besnik Velija
Gazeta Express, 18- 02 - 2023