Monday, March 25, 2019

Rënie drejt putinizmit apo ringritje

Në komentet përpara zgjedhjeve të vitit 2013 kam shprehur dy ide kontradiktore me njëra-tjetrën. E para, se do të qe më mirë të fitonte Edi Rama, jo për shkak të besimit që kisha tek ai dhe PS, por sepse kështu shqiptarët do të ndërgjegjësoheshin katër vjet më herët se edhe rilindësit ishin pjesë e të njëjtit sistem oligarkie kriminale që sundon vendin dhe kështu do të lindte katër vjet më herët një lëvizje e re kundër këtyre partive/ banda. Ideja e dytë ishte se kush do të fitonte zgjedhjet e 2013-tës, mund të instalonte një lloj putinizmi në Shqipëri, pasi ishte në logjikën e zhvillimeve të deriatëhershme që lufta midis tri bandave për territor (ose tepsi sipas gjuhës së Ramës) të përfundonte një ditë me mbisundimin e më së fortës.
Kontradiksioni midis këtyre dy ideve qëndronte në atë se, nëse flisja për rrezikun e një putinizmi, do të duhej të parashikoja se instalimi i një regjimi të tillë e vështirësonte mundësinë e lindjes së një force të re antisistem.
Po pse nuk e kam vënë në dukje këtë kontradiksion? Për shkak se në ato vite kam gjykuar se lindja e lëvizjes antisistem, për shkak të zhgënjimit të shqiptarëve me të gjitha partitë, dhe putinizmi ishin dy mundësi të hapura, njëra optimiste dhe tjetra pesimiste; si të thuash pjesa plot dhe pjesa bosh e shishes.
Me vullnetin për të inkurajuar lëvizjen antisistem, kam mbështetur e votuar lëvizjen e Bojaxhiut në zgjedhjet bashkiake 2015 dhe pastaj partinë e Ben Blushit në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017. Ndërkaq, zhvillimet që kanë ndodhur, ku hyjnë edhe dështimet e këtyre të dyve, edhe nxjerrja e LSI nga koalicioni në mandatin e dytë të Ramës, më kanë zhytur gjithnjë e më shumë për kah pjesa bosh e shishes: tek ideja se sistemi po degradonte në kontrollimin e gjithçkaje nga një bandë e vetme. Më duhet të pohoj se disa nga faktorët që kanë çuar në këtë rënie nuk i kam parashikuar dot më 2013. Nuk kam imagjinuar dot se papërgjegjshmëria e rilindësve (ngulmoj: e rilindësve, jo vetëm e Ramës, sepse i konsideroj të gjithë përgjegjës) mund të arrinte nivele të tilla bashkëpunimi me krimin; as nivelet kaq të larta të ikjes së shqiptarëve, si shpëtim nga e keqja; as nënshtrimin dhe bashkëpunimin deri në këtë shkallë të elitës intelektuale me të keqen; dhe as bashkëpunimin kaq të turpshëm të euroburokratëve me këtë regjim.
* * *
Kur shpërthyen protestat e studentëve, i jam rikthyer dilemës së vitit 2013 në formën e pyetjes: mos ndoshta jam gabuar duke u zhytur shumë në pjesën bosh/pesimiste të shishes, ndërkohë që procesi i kapjes së shtetit nga Rama nuk paska ecur aq përpara sa ç’më dukej? Mos vallë këto protesta flasin për një situatë ku mundësia e një lëvizjeje antisistem ekziston? Refuzimi i shumicës së studentëve për t’i kthyer në lëvizje politike antisistem kërkesat e tyre ekonomike ma shuan që në djep këtë pikëpyetje, duke i dhënë të drejtë pjesës bosh të shishes. Kufizimi më i madh që treguan ato protesta, qe pikërisht fakti se masa e studentëve u shfaq e paformuar kulturalisht për të ndërtuar një vizion tjetër për një Shqipëri demokratike dhe aq më pak për ta materializuar këtë vizion nëpërmjet një lëvizjeje apo partie të re. Protesta mbeti një kundërtim ndaj prekjes së interesave të studentëve nga e keqja, por pa sugjeruar ndonjë projekt politik për luftën kundër saj dhe ndërtimin e një vizioni alternativ për gjithë shqiptarët.
Dilema: rënie e mëtejshme drejt putinizmit apo ringritje drejt demokracisë ka mbetur gjithsesi e hapur për shkak se protestat e studentëve u pasuan shumë shpejt me ato të opozitës, me lënien e mandatit nga deputetët e saj, duke e shtruar edhe një herë atë në formën e pyetjes: a janë këto protesta dhe lënia e mandatit grahmat e fundit të rezistencës së këtij populli përpara instalimit të një putinizmi, apo nuk duhet nënvleftësuar shpirti i protestës së këtij populli, aversioni i tij ndaj figurave autoritare që kërkojnë të ringjallin fantazmën e Enver Hoxhës, sikurse është edhe Edi Rama?
Këtë pyetje mund ta artikulosh edhe në forma më konkrete të tilla si: A mund të qëndrojë në këmbë një regjim alla-Putin vetëm me propagandë pa një farë aftësie qeverisëse – çka ky ekip nuk e ka fare? A mund të mbahet ai vetëm te paratë e krimit pa një ekonomi të shëndoshë? A mos po ndodh që Rama, duke iu shtuar oreksi për t’i grabitur paratë e shqiptarëve vetëm me bandën e rilindësve, i ka vënë me shpatulla pas murit jo vetëm shqiptarët e tjerë, por edhe partitë/banda të tjera, duke u aktivizuar energjitë e luftës për mbijetesë dhe duke prishur ekuilibrin e sistemit? Apo pikërisht sepse ndodhet përballë gjithë këtyre vështirësive po i lind përditë e më shumë nevoja të shtojë metodat shtypëse kundrejt kundërshtarëve, siç u sugjerua qartë edhe nga fjalimi i fundit, në sheshin “Nënë Tereza”, dhe kjo do të na çojë drejt eliminimit të çdo mundësie kundërshtimi dhe instalimit përfundimtar të putinizmit?
Në momentin aktual, përgjigjja mbetet e hapur, por dy gjëra di të them me siguri. Së pari, se ata që mendojnë se Rama dhe rilindësit mund të kenë racionalitetin ta shohin humnerën se ku po na çojnë dhe të bëjnë prapaktheu, gabohen rëndë. Së dyti, se ashtu si lëvizja e studentëve, edhe protestat e opozitës nuk mund të kenë sukses nëse kufizohen vetëm në kundërshtimin e së keqes, pa na ofruar një projekt alternativ të besueshëm për rrëzimin e këtij sistemi kriminal. (Panorama, 25 mars 2019)


Wednesday, March 13, 2019

Pse nuk mjafton largimi i Edi Ramës

Në fillimin e fjalës së tij në një nga deklaratat e fundit mbi gjendjen e krijuar në vend, (në emisionin “Të paekspozuarit”) kreu i opozitës Lulzim Basha u shpreh me frazën: “Nuk merrem më me Ramën, ai është përfaqësues i një sistemi të shembur nga populli tashmë”. Mirëpo, më pas ai vazhdoi e tha: “Ky sistem duhet shembur dhe rrafshuar në mënyrë që të mos mbijë asnjë Ramë tjetër. Për këtë, unë bashkë me PD-në jemi të vendosur t’i japim jetë një projekti të ri, një demokracie ku të ketë kufizim të pushtetit, institucione që i kontrollojnë këto persona. Të ketë Parlament, jo thjesht paradhomë të Kryeministrit”.
Nuk mund mos të vësh re një kontradiktë midis frazës së parë që e deklaron Ramën dhe sistemin “të shembur tashmë” dhe frazave, ku deklaron se “ky sistem duhet shemburdhe duhet ndërtuarnjë projekt i ri”. Interpretimi i parë që mund t’i japësh kësaj paqartësie është se Basha ka dashur të thotë se Rama si person është i shembur, por jo sistemi që ai përfaqëson. Mirëpo, në fillim ai thotë se Rama është “përfaqësues i një sistemi të shembur nga populli tashmë”. Pra, ky interpretim bie. Një interpretim tjetër që të vjen në mend është se Basha, duke dashur të tërheqë sa më shumë njerëz në protestën e opozitës, në fillim flet për ata që i konsideron militantë, të cilëve u duhet ngritur entuziazmi, dhe më poshtë u drejtohet skeptikëve që nuk besojnë te PD-ja apo se kjo punë mund të kryhet aq lehtë.
Personalisht dua t’i jap një interpretim të tretë kësaj paqartësie, sepse më intereson për të shprehur një të vërtetë më të rëndësishme. Sipas këtij interpretimi, fraza e parë nënkupton se çdo shqiptar, populli pra, ose shumica e tij, e ka shembur tashmë në mendjen e tij, në imagjinatën e tij, thuaj po deshe në dëshirat e tij këtë sistem që përfaqëson Rama; ndërsa pjesa në vazhdim të zbret nga dëshira në realitet dhe të thotë se “duhet ndërtuar” një projekt për shembjen e këtij sistemi që pjell politikanë si Rama. Më intereson ky interpretim sepse në të gjej një të vërtetë që qarkullon në mendjen e shumë shqiptarëve. Madje, ndoshta edhe në mendjet e atyre që ditë e natë nuk mendojnë gjë tjetër, përveçse si të pasurohen e të mbajnë pushtetin; si edhe të atyre që, sikur nesër Edi Rama të deklarojë se po largohet nga politika, do të thërrasin “Fitore! Fitore!”, duke harruar projektin që duhet të bëjnë që të mos mbijë një e keqe tjetër si ai. Është e vërteta e kontradiktës midis vetëdijes për të keqen që na ka kapluar dhe pamundësisë, pafuqisë, paaftësisë, për ta shembur atë dhe për të ndërtuar projektin e ri që do të fillonte të na çlironte prej saj. Në një kuptim më universal, kemi të bëjmë me kontradiktën nëpërmjet asaj që Kanti e quan “ligji moral që ekziston brenda nesh, që na shtyn për kah e mira” dhe shtysave të shumta që e çojnë njeriun për kah e keqja.
Pafuqia jonë për ta kthyer historinë tonë për kah e mira, edhe pse e shohim të keqen për kah po shkojmë, na shoqëron qysh prej krijimit të shtetit shqiptar. Ja çfarë shkruan një prej mendjeve më të mprehta që ka njohur Shqipëria, Faik Konica, në një artikull botuar në vitin 1922: “Shqiptarët kishin zakon të thoshin se shpëtimin dhe përparimin e shtetit e ndalojnë tre veta: Esadi (Toptani), Bib Doda, Ismail Qemali. Njëri nga këta vdiq, dy u vranë. Që të tre u çduknë. Po në vënt të tyre duallnë një duzinë tiranë dhe intriganë të tjerë.” “.. më parë kish një ballancë të tiranisë në Shqipëri: despotizma e Esadit në mes, intrigat e Bib Dodës në Veri, gënjeshtrat e Ismail Qemalit në Jug, rëndonin njëra kundër tjetrës. Kur shkuan Bib Doda me Ismail Qemalin, duallnë n’ato vënde një grup tiranësh dhe vagabondësh të cilët menjëherë ballancuan tiranin’ e Esadit. Si u çduk Esadi, ballanca u prish me njëherë: U sulnë në shesh një tokicë aventurierësh, të dehur me ambicje, të ndezur nga etja e pasurisë, të tërbuar nga lakmia e fuqisë dhe e arit. […] “Ngjarjet e sotme tregojnë sheshit gabimet e atyre filozofëve kafeneshë që kujtojinë se shpëtimi i Shqipërisë varet nga vrasja e dy apo tre vetëve. […] Se këtu s’ke të bësh me ca njerës të veçuar, ke të bësh me një pemë që e pjell Dhe’u i Shqipërisë.”
Edhe pas një shekulli nuk mund të mos ndalesh në këtë përshkrim për të kërkuar natyrën e këtij “dheu” ku mbilulëzon fara e keqe e “tiranëve dhe vagabondëve”, e “aventurierëve të dehur me ambicie, të ndezur nga etja e pasurisë, të tërbuar nga lakmia e fuqisë dhe e arit”. Kur shikon Edi Ramën e kujton edhe paraardhësit e tij, thua se asgjë nuk ka ndryshuar që prej asaj kohe. Faiku na ka paralajmëruar për këtë mosndryshim: “Duke parë dhe duke dëgjuar, bota mësojnë mend dhe ndërtohen. Ne shqiptarët s’marrim dot mësime; malet të tunden dhe të rrëkëllehen, ne nuk këmbejmë mënyrën tonë. Mbani mirë këtë që po ju them: në njëqind vjet, në vafshim si po vemi, do të jemi aq poshtë sa edhe sot”.
Dhe vërtet, pas njëqind vjetësh, a nuk jemi edhe më poshtë se asohere kur shkruante Faiku këto fjalë? Unë them se po. Mjaft të kemi parasysh se pas Luftës së Dytë dolën tiranë dhe vagabondë edhe më të shfrenuar se ata që ka pasur parasysh Faiku, si Enver Hoxha me shokë, që e kthyen Shqipërinë në një burg deri në vitin 1991. Mjaft të kesh parasysh se edhe pas asaj tragjedie, shqiptarët nuk mësuan, por prapë nxorën në krye të tyre aventurierë të dehur edhe më rëndë se në kohën e Faikut, me ambicie të ndezur edhe më keq nga etja e pasurisë, të tërbuar edhe më shumë nga lakmia e fuqisë dhe e arit, si Sali Berisha, Fatos Nano, Edi Rama me shokë, që ua kanë bërë jetën aq ferr shqiptarëve, sa sot më shumë se gjysma e tyre duan të lënë vendin?
Pra, ka njëqind vjet që e jetojmë këtë të keqe dhe ka njëqind vjet që është ngritur pyetja: Çfarë duhet të ndryshojmë që të arrijmë “shpëtimin dhe përparimin e shtetit”? Ajo që na sugjeron Faiku është që të mos ua vëmë fajin një apo dy vetëve të veçuar, por të ndryshojmë llojin e dheut që pjell “pemë” të tilla. E kjo do të thotë, pa metafora, që të ndryshojmë kulturën tonë që plazmon këtë lloj shqiptari, d.m.th. të ndryshojmë veten tonë? Po si i bëhet të ndryshosh kulturën, që prodhon veten kur, në rreth vicioz, njerëzit që kemi në pushtet jo vetëm e mbajnë gjallë atë kulturë, por heqin qafe këdo që kërkon ta ndryshojë, dhe ajo kulturë, pastaj, pjell të njëjtin njeri? Nuk e ka përgjigjen të thjeshtë kjo pyetje. Në fakt, duhet një debat i hapur e serioz në mes të gjithë shqiptarëve se si duhet të arrihet kjo. Dhe koha ka ardhur më shumë se kurrë, që të hapet ky debat, pasi jemi në zgrip. Fakti që opozita ka ndërmarrë një hap radikal duke dalë nga sistemi dhe duke deklaruar nëpërmjet liderit të saj se, “Ky sistem duhet shembur dhe rrafshuar në mënyrë që të mos mbijë asnjë Ramë tjetër”, duhet të shoqërohet pikërisht me këtë debat. Por e para gjë që i duhet thënë Lulzim Bashës në hyrjen e debatit është se edhe Edi Rama, përpara se të vinte në pushtet, thoshte “e ka fajin sistemi, jo njerëzit”; se “ky sistem korrupton edhe një gjerman po të vijë të jetojë këtu”, por kur erdhi në pushtet, e ngriti sistemin në shkallën më dramatike të korruptimit të njeriut. Debati, pra, duhet të merret fort me pyetjen: pse veproi Rama kështu? Sipas meje, veproi pasi ajo kultura që kemi trashëguar, e ka “mësuar” ndryshe nga ç’na mëson Kanti me imperativin e tij moral, që tjetrin ta shohë vetëm si mjet për të realizuar qëllimet dhe pastaj ta hedhë në koshin e plehrave, jo edhe si një të singjashëm me veten që ka edhe ai qëllimet e ëndrrat e veta, humanitetin e vet. Prandaj, dhe sot s’ka turp t’ua blejë dinjitetin e votës me lekët e kriminelëve. Them se kjo qasje e shqiptarit ndaj tjetrit është e para gjë që duhet ndryshuar në kulturën që kemi trashëguar. Dhe nuk është çështje e Ramës vetëm, por edhe e shumicës, edhe e atyre oligarkëve që i shohin punëtorët e tyre vetëm si mjet për t’u pasuruar dhe jo si njerëz për t’u realizuar e prandaj i paguajnë sa për të mbajtur frymën gjallë dhe paratë e tjera i ndajmë me Ramën me shokë; edhe e atyre që grabisin pasurinë publike apo nxjerrin njerëzit nga shtëpitë për të ndërtuar kulla për të larë paratë e siguruara mbi fatkeqësinë e të tjerëve; edhe e atyre gjyqtarëve që ligjin e përdorin për t’u pasuruar dhe jo për të dhënë drejtësi, edhe e atyre gazetarëve e intelektualëve që në vend të së vërtetës, i shërbejnë atij që i paguan më shumë, e me radhë e me radhë.
Me çfarë kam parë e reflektuar, di të them se e keqja na sundon mu pse kultura e trashëguar na mëson t’i përshtatemi sistemit të ndërtuar nga njeriu, që tjetrin e sheh vetëm si mjet dhe jo edhe si qëllim. Kjo përshtatje është hapi i parë që hedhim drejt skllavërimit tonë, pasi, duke u bërë bashkëpunëtorë me sistemin, nuk e luftojmë dot më. Prandaj, siç thotë Konica, nuk janë individët e veçuar si Rama, por vetja jonë ajo që nuk na le të çlirohemi sepse rrjeta që na mban në skllavëri është ndërtuar me fillin e vetes sonë. Nga kjo vete duhet të çlirohemi më së pari që të çlirohemi nga njerëz si Rama. Nga kjo vete mendoj se duhet të çlirohet edhe opozita që të mund të ndërtojë “një projekti të ri”, një politikë që ta shohë njeriun jo vetëm si mjet, por edhe si qëllim. Ky do të ishte realizimi i mësimit, për të cilin flet Konica që para njëqind vjetësh. Dhe as atëherë, Basha nuk do të duhet të thotë “Nuk merrem më me Ramën, ai është përfaqësues i një sistemi të shembur nga populli tashmë”, pasi përvoja tregon se historia përsëritet po e harrove.(Panorama 12 mars, 2019)

Euroburokratët perëndimorë - pse janë pjesë e problemit jo e zgjidhjes


Ashtu siç pritej, pas vendimit të opozitës shqiptare për të lënë mandatet, pasi nuk mund të bëjë më fasadën e një diktature me fytyrë demokratike, euroburokratët perëndimorë erdhën në Tiranë, dënuan bojkotin e i bënë thirrje opozitës të rikthehet në hapësirat e dialogut parlamentar. Qëndrimi i tyre, shkurt mund të përmblidhet në formulën tashmë bajate: Shqipëria ka bërë hapa përpara, prandaj nuk duhet ta bëjë këtë hap prapa. Kjo formulë ishte njëherësh edhe një mbyllje sysh përballë autoritarizmit, korrupsionit dhe bashkëpunimit me krimin në rritje të Edi Ramës.
A duhet kërkuar shkaku i këtij qëndrimi, thjesht në akuzat se një pjesë euroburokratësh janë korruptuar nga narkoshteti i pagëzuar së fundmi nga “The Independent” si “Kolumbia e Europës”? Edhe pse me shumë gjasa fenomeni i korruptimit të euroburokratëve, që sipas “Transparency International” shndërrohen lehtësisht në lobistë, luan një rol, nuk gjykoj se është ky shkaku më i thellë. Duke parë se i njëjti qëndrim është shfaqur edhe ndaj protestave të opozitave në Serbi dhe Malin e Zi, gjykoj se shkaku i mbështetjes duhet kërkuar më thellë: në kontekstin e zhvillimeve në vendet perëndimore gjatë periudhës së Pasluftës së Ftohtë dhe në raportet e ndërtuara midis tyre dhe vendeve të dala nga regjimet komuniste.

Kriza e narrativës së tranzicionit

Narrativa e tranzicionit të vendeve ish-komuniste drejt shteteve të modelit perëndimit, e ndërtuar në fillimvitet ’90, u mbështet në idetë sempliste të “fundit të historisë” së Fukajamës dhe atë të “torn countries” të Huntingtonit. Sipas kësaj narrative, elitave me mendësi perëndimore të vendeve të Lindjes, e kundërt kjo me mendësinë lindore të popullsive të tyre, (prandaj Huntingtoni i quan “torn countries”, vende të përçara), do t’u duhej një kohë relativisht e gjatë për t’i udhëhequr popujt e tyre për në “tokën e premtuar”, që vendet perëndimore e kishin arritur tashmë (fundi i historisë). Imagjinata e këtij rrugëtimi u quajt “tranzicion”, i cili do të realizonte zgjerimin e Europës sipas një modeli që do të pushtonte më pas krejt botën.
Roli i elitave politike perëndimore ndaj vendeve të Lindjes gjatë këtyre 28 vjetëve u bë ai i udhëzuesit dhe kontrollorit të këtij tranzicionit, që aq shpesh e kemi parë të shprehet nëpërmjet formulës: keni bërë hapa përpara drejt standardeve tona, por duhet të ecni akoma për të arritur te ne. Ndërkaq, elitat e Lindjes morën këtë rol që u siguronte edhe legjitimitetin e sundimit. Ato i mbështetën garat e tyre elektorale mbi atë se kush po bënte më shumë për të arritur standardet e diktuara nga perëndimorët për t’u integruar në BE. Disa prej këtyre vendeve e arritën suksesin e hyrjes në BE; të tjerat, si ato të Ballkanit Perëndimor që kishim mbetur në pjesën e fundit të karvanit, sipas narrativës po vazhdojnë gjithsesi të sigurta ecjen përpara në drejtimin e duhur.
Mirëpo, prapa këtij rrugëtimi virtual, propagandistik, në realitet ka ndodhur një rrugëtim tjetër, si në vendet perëndimore edhe në ato lindore, që i ka çuar këto vende në pika shumë të ndryshme në krahasim me konvergjencën e pritshme të fillimviteve ’90. Për sa i përket Perëndimit, mjaft të kemi parasysh ardhjen e Trump-it në SHBA, Brexit-in dhe lëvizjet sovraniste në vendet e BE-së; për sa i përket Lindjes, mjaft të kemi parasysh zhvillimet autoritariste autokratike në vende tashmë anëtare të BE-së si Hungaria apo Polonia, për të mos folur për vende që ende nuk janë bërë pjesë e BE-së, siç janë Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, ku asistojmë në një kapje gjithnjë e më dramatike të shtetit nga oligarkitë kriminale. Nëse kemi parasysh se në fillimvitet ‘90 në narrativën e tranzicionit përfshihej edhe Turqia dhe Rusia, pamja e rrugëtimit real bëhet edhe më komplekse.
Shqipëria ka të përbashkëtat e veta me vendet e tjera ish- komuniste në këtë histori, por edhe veçantitë e veta që e bëjnë një nga shprehëset më ndriçuese të krizës së narracionit të tranzicionit. Ka të dhëna të shumta që provojnë se gjatë këtyre 25 vjetëve, më shumë sesa hapa para përdrejt modelit ideal perëndimor të “shtetit të së drejtës”, vendi ka ecur në drejtim të gabuar. Do të përmendja vetëm tri më kryesoret. Së pari, ekonomia shqiptare, që ka qenë gjithnjë e dobët, informale dhe e lidhur me krimin, gjatë viteve të fundit është mbështetur si kurrë ndonjëherë më parë në paratë e krimit të organizuar. Mjaft të kesh parasysh burimin e parave të investuara për bumin e ndërtimeve në Tiranë gjatë dy-tri viteve të fundit për ta konstatuar këtë. Së dyti, mu për shkak të këtij fenomeni social – ekonomik, edhe politika shqiptare është bërë gjithnjë e më shumë përfaqësuese dhe menaxhere e interesave të krimit, duke degjeneruar në një sistem gjithnjë e më autoritar me ngushtim të hapësirave demokratike. Hyrja e trafikantëve dhe vrasësve deri në Parlament nuk është një rastësi. Së treti, si rrjedhojë e dëshpërimit që ka krijuar ky tranzicion drejt më së keqes, numri i shqiptarëve që ikin nga vendi është rritur dramatikisht vitet e fundit. (Sipas një sondazhi të Galupit të vitit 2017, 56 % e shqiptarëve duan të migrojnë).
Pra, ndryshe nga ç’reklamojnë euroburokratët perëndimorë, sot nuk mund të flitet më për tranzicion drejt shtetit të së drejtës, por për instalimin e një e regjimi autoritarist me prirje për t’u përkeqësuar. Po përse ata ngulmojnë të pohojnë se vendi ka bërë hapa përpara, paçka se kur trajtojnë ecuritë në vendet e tyre gjatë kohëve të fundit nuk ngurrojnë të flasin për hapa të rrezikshme prapa. Gjykoj se, në thelb, kjo ndodh për shkak se sëmundja që e ka shkaktuar krizën, si andej dhe këtej, është e përbashkët.

Neoliberizmi

Në fillim të viteve ’90, modeli ideal që u paraqit si “fundi i historisë” ishte ai i triumfit të neoliberizmit ndaj socializmit real, etatizmit apo kapitalizmit shtetëror që u mbështet në idenë e Thatcher-it: “Nuk ka shoqëri, ka vetëm individë”. Edhe si reaksion ndaj këtyre, u harrua se njeriu është edhe një qe nie sociale, që, përveç jetës individuale në një të tashme pa të kaluar e të ardhme, ka nevojë edhe për një projekt që lidh këtë të tashme me të kaluarën e me të ardhmen. Triumfi i “Hommo economicus”, që krijoi iluzionin e më shumë lirie dhe pasurie për individin, i hapi rrugën një rendje të shfrenuar pas pasurimit me pasoja varfërimin e shumicës dhe pasurimin e një pakice. Ky polarizim në rritje prodhoi postdemokracinë në Perëndim (Colin Crouch), një sistem ku vendimmarrja diktohet gjithnjë e më shumë nga interesat e një pakice të etur për para dhe pushtet, ku politikanët janë kthyer nga shërbëtorë të publikes në menaxherë të interesave ekonomike të kësaj pakice.
Për vende si Shqipëria mund të thuhet se, nëse gjysma e së keqes i vjen nga trashëgimia e së kaluarës, gjysma tjetër i vjen ngase zhvillimet postkomuniste në Shqipëri janë edhe reflektimi më i keq, më dramatik, i postdemokracisë së prodhuar nga neoliberizmi në Perëndim. 
Pse them “më i keq”, “më dramatik’”? 
Së pari, sepse nëse vendet perëndimore, duke pas njohur demokracinë, kanë krijuar reagimin e tyre imunitar ndaj vendimmarrjeve postdemokratike të pakicave sunduese, së fundi edhe nëpërmjet lëvizjeve të ashtuquajtura populiste të majta dhe të djathta (që në thelbin e tyre i bashkon qëndrimi kundër kastës neoliberale, si dhe nevoja për një rikthim te socialja, komunitarja), në vendet si Shqipëria, po të përdorim termin e Crouch mund të themi se pakicat sunduese i kanë çuar këto vende nga diktatura direkt në postdemokraci, pa pasur sistem imunitar mbrojtës, me sjellje dhe vendimmarrje shumë të ngjashme me ato të ish-nomenklaturave të komunizmit dhe liderëve të tyre arrogantë dhe autokratë. Së dyti, sepse nëse oligarkitë perëndimore gjithsesi kanë vepruar në një kuadër ligjor, me ndarje pushteti dhe kanë zhvilluar gjithsesi një ekonomi që prodhon të mira materiale, një model zhvillimi që synon tek ekonomia e qëndrueshme, në Shqipëri oligarkia dhe krimi i organizuar, kanë vepruar dhe veprojnë pa asnjë kontroll nga institucionet shtetërore, ligji, drejtësia dhe mediat, të cilat i kanë si ana tjetër e medaljes së pushtetit të tyre ekonomik.

Si përfundim

Ngulmimi i euroburokratëve për të folur për përparim të vendeve si Shqipëria në drejtim të integrimit në BE, në thelb buron nga refuzimi i tyre për të njohur dështimet që ka krijuar neoliberizmi si në vendet e tyre edhe ndaj projektit europian. Ata përpiqen të ruajnë narrativën e tranzicionit, sipas së cilës vende si Shqipëria janë ndryshe thjesht për shkak të së kaluarës komuniste, për të mos parë se këto vende janë edhe manifestimi më i rëndë i sëmundjes që ka kapluar vendet e tyre, i dështimit të tyre. Në këtë përpjekje, ata kanë të përbashkët me autokratët properëndimore të Ballkanit edhe nevojën e ruajtjes së narrativës së tranzicionit si ideologji pushteti, mbështetjen e njëritjetrit duke ngritur alarmin e rrezikimit të kësaj narrative, që ua faturojnë lëvizjeve që i etiketojnë si populistë të majtë edhe të djathtë, apo efekteve të gjeopolitikave të vendeve armike si Rusia, por kurrsesi gabimeve të rënda që kanë bërë gjatë këtyre tri dekadave. Edhe qëndrimi i fundit ndaj opozitës shqiptare, si gjoja penguese e përparimit të Shqipërisë drejt Europës, duhet parë si produkt i këtyre nevojave.
Ndërkaq, duke vazhduar të sillen kështu, euroburokratët perëndimorë po i shëmbëllejnë gjithnjë e më shumë atij gomarit të anekdotës që, ndërkohë që po e hante ujku, thoshte: “Do Zoti jam në ëndërr”. (Panorama, 8 mars 2019)