Ndaj pyetjes “për kë sugjeron të votojmë në këto zgjedhje?” përgjigjja që më rezulton më e arsyeshmja është: Nuk duhet të mbajmë përgjegjësi as për lënien e Berishës në pushtet dhe as për sjelljen e dyshes Rama – Meta në pushtet. Por nuk mjafton kaq, duhet të shprehet me votë edhe protesta ndaj të dyja palëve. Dhe kjo bëhet jo duke abstenuar, por duke shkuar në qendrën e votimit, duke e marrë fletën dhe duke i futur një kryq të madh asaj flete.Nëse do t’i përmblidhja arsyet e këtij qëndrimi sa më shkurtimisht, këto do të ishin:Berisha ka dështuar në krijimin e shtetit të së drejtës.Ka dështuar në luftën kundër sistemit të korrupsionit, klientelizmit, të kapjes së shtetit nga krimi.Ka dështuar në futjen e vendit në një ekonomi të qëndrueshme, me vizion afatgjatë.Së fundi, por me shumë rëndësi: ka grumbulluar shumë pushtet, ndërkohë që e ka humbur thuajse fare kontaktin me realitetin, dhe ta lësh atë në pushtet akoma, do të thotë ta thellosh këtë të keqe.Në këtë pikë, madje, pyetja shtrohet: A është e drejtë të thuhet “ka dështuar?” Sepse dështimi nënkupton një punë në një drejtim që nuk e arrin rezultatin e pritur. Më duket se i bën një favor të madh Berishës të besosh ende se ai i kishte seriozisht premtimet elektorale të vitit 2005, por se, për një mijë rrethana, nuk mundi t’i mbajë ato, prandaj le t’i japim një shans tjetër. Berisha dhe të tijtë na kanë mashtruar me vetëdije të plotë në vitin 2005. Synimi i tyre ka qenë kapja e sistemit që kishin ngritur socialistët dhe shfrytëzimi i tij për qëllime personale dhe të klanit. Rezultati është një përkeqësim edhe më i madh, pasi ky sistem, kështu siç është, nuk mund të bëjë veçse keq.Pse të mos votojmë atëherë për atë që shumë e quajnë “e keqja më e vogël”, dyshja Rama – Meta?Së pari, sepse këta nuk të lënë as shpresën më minimale se kanë për synim të ndryshojnë sistemin. Qëllimi i tyre është i qartë: rimarrja e tij nga duart e Berishës në duart e tyre. Dhe, siç e thashë, ky sistem, kështu siç është, nuk mund të prodhojë veçse të këqija njëlloj si një sëmundje që vjen e përkeqësohet kur nuk kurohet si duhet. Futja e Metës në koalicion me Ramën hoqi çdo iluzion lidhur me këtë kurim.Së dyti, ashtu siç janë zhvilluar ngjarjet, dita-ditës po bëhet më e qartë se këto zgjedhje jo vetëm që nuk do të ndryshojnë gjë në sistemin politik ekonomik e mediatik, por do të jenë më shumë si lufta finale për eliminimin e tjetrit. Pra, nëse këta njëzet vjet kemi pasur luftën e dy copave të Partisë së Punës që kanë funksionuar me të njëjtën mendësi autoritare, përjashtuese, sot kemi arritur në një moment kur ai që fiton e përjashton përfundimisht tjetrin, duke marrë në dorë krejt sistemin dhe duke na e kthyer të plotë në pushtet Partinë e Punës. Një largim i Berishës me shumë gjasa do të ishte edhe një shkërmoqje e PD-së, që mbahet në këmbë kryesisht në sajë të favoreve të pushtetit, veçanërisht në këtë gjendje krize.Thënë këto, tek e fundit, personalisht preferoj të bëj pjesë tek ata që mendojnë se duhet të hidhet që sot fara e gjësë së re që duhet të lindë në Shqipëri: një lëvizje apo parti që duhet të ketë në programin e saj dy gjëra kryesore:Së pari, denoncimin e kësaj kaste të superkorruptuar e të superkriminalizuar – një arsye kjo shumë e rëndësishme për të mos votuar as njërën, as tjetrën.Se dyti, përfaqësimin e interesave të shtresës së papërfaqësuar nga partitë e sotme, çka do të thotë se duhet të jetë një parti e majtë e që së bashku me këtë përfaqësim, do të duhet të luftojë për ndërtimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës, që mungojnë krejtësisht në këtë vend.Pra, duhet të jetë një parti që do të lindë si opozitare e vërtetë ndaj cilësdo nga të dyja që do të vijnë në pushtet pas këtyre zgjedhjeve – edhe kjo është një arsye tjetër shumë e rëndësishme që të mos votohet asnjëra.Pyetja që mund shtrohet sot në këtë kontekst është: Fitorja e cilës palë do ta bënte më të lehtë krijimin e një partie të tillë? Edhe këtu jemi plot me kundërthënie. Një fitore e Ramës dhe Metës në disa aspekte do ta ndihmonte, pasi do të lëviznin më shumë ujëra. Po ashtu zhgënjimi i shpejtë me ta do të hiqte edhe iluzionin e fundit te pjesa që ende beson te kjo klasë politike. Por, në disa aspekte të tjera, sipas meje, do ta vononte më shumë se sa një fitore e Berishës, pasi këta do t’ia zgjasnin më shumë jetën sistemit që kanë ngritur. Një fitore e Berishës, nga ana tjetër, do ta delegjitimonte përfundimisht këtë të ashtuquajtur të majtë dhe liderët e saj Rama - Meta, do të ndihmonte për lindjen e diçkaje të re, por, nga ana tjetër, duke pasur parasysh se Berisha kontrollon edhe institucione të tjera, do të krijonte një klimë edhe më të vështirë për lirinë.Tek e fundit, mendoj se edhe këto kundërthënie janë një argument më shumë për t’i hequr një kryq të madh fletës së votimit si shenjë proteste dhe mosmbajtjeje përgjegjësie për sjelljen në pushtet të kësaj kaste, si dhe si thirrje për të krijuar diçka të re. (Panorama, 29 maj 2013)
Friday, May 31, 2013
Një kryq të madh fletës së votimit
Tuesday, May 21, 2013
Heqja e maskave
Pse kur dëgjon njerëzit duke komentuar listat e famshme të deputetëve të krijohet përshtypja se perceptimi i tyre është se jemi në një fazë të re të degjenerimit të sistemit tonë politik? Një militant i lodhur socialist më tha para ca ditësh, kur doli lajmi se Kokëdhima ishte bërë kandidat për deputet ndërkohë që Malaj ishte flakur, se “ky Rama shkatërroi një parti”. “Po pse, kur ka qenë parti ajo?” – iu përgjigja. Dhe u futëm në historikun e politikës sonë dhe të politikanëve tanë. I kujtova vitin 1945, kur Sejfulla Malëshova paralajmëronte se partia mëmë e PS-së dhe e PD-së po kthehej në një “bandë”, duke u përpjekur ta bind se ndryshimi sot nuk është thelbësor; se trashëgimtarët e saj sot nuk na burgosin e nuk na vrasin, por vetëm na vjedhin (edhe me të vrarë rrugës kur është shumë e nevojshme), por ama s’ka dyshim që vazhdojnë të jenë të organizuar si banda për të na plaçkitur dhe shfrytëzuar, jo për të na shërbyer. Politika shqiptare nuk ka hyrë ende në atë fazë. Përkundrazi, ndihet se diçka e re, për keq, ka ndodhur. Një “hop cilësor” pas ndryshimesh “sasiore” do të thuhej duke përdorur një terminologji të përdorur në kohën e diktaturës për të na përshkruar rrugën e progresit, por që unë po e përdor ironikisht për të përshkruar rrugën e regresit. Sipas meje, jemi gjithsesi të befasuar për keq, dhe kjo na vjen jo pse nuk e dimë se me kë kemi të bëjmë, por nga heqja e maskës. Ose më saktë, nëse u besojmë ekzistencialistëve kur thonë se maska është vetë njeriu, jemi të tronditur nga shëmtimi i maskës së re që na ka dalë pas heqjes së asaj së vjetrës që shihnim.E vërteta është se deri dje sikur ishte shumë më e detyrueshme për deputetët tanë të vinin maskën e atyre që e kanë një parti, një ideal, një program, një moral dhe një elektorat që i zgjedh për këto. Sigurisht, ne kemi thënë vazhdimisht se “të tjera thonë e të tjera bëjnë”, se prapa maskës vepronte instinkti i hajdutit dhe i mashtruesit. Ne e pamë se shpjet u bë maskë edhe vetë politikani, që fshihte interesat e oligarkëve dhe mafiozëve, por, gjithsesi, maska e hipokrizisë së tij kishte rëndësi. “Hipokrizia është taksa që vesi i paguan virtytit”, thotë La Rochefoucauld. Dhe njëfarësoj ne merrnim “shpërblimin” e kësaj takse. Çfarë shpërblimi ishte ky? Në ç’formë e merrnim? Para së gjithash, duke parë se të pushtetshmit, edhe pse të pasur, edhe pse të fortë, edhe pse njerëz të vesit, detyroheshin të flisnin me gjuhën e virtytit dhe ne ngushëlloheshim me atë se virtyti jo vetëm ekzistonte, por edhe se kishte të drejtën me vete, se ishte më i fortë se ata, derisa i detyronte të flisnin ashtu. E kjo na ushqente shpresën se në një të ardhme virtyti do të merrte edhe pushtetin. Kurse këto lëvizjet e fundit qenë një zbritje dramatike e pagimit të “taksës”, aq sa kjo që na japin sot nuk mund të mjaftojë për të mbajtur gjallë shpresën.Sipas mendimit tim, pas ngjarjes së futjes së Metës në koalicion me Ramën, dy ngjarjet më emblematike që i bënë njerëzit të shohin hop cilësor në degradim, qenë hyrja e Kokëdhimës në listat e PS dhe kalimi i Islamit te PD-ja. Kokëdhima, i akuzuar publikisht për abuzimin me pronën dhe paranë publike nëpërmjet privatizimeve skandaloze (le të kujtojmë Frigoriferin e Durrësit me 22 mijë metra katrorë terren vetëm për 2000 USD), për rrugë të papërfunduara, për qenien bashkëpunëtor i Ajdin Sejdisë, që hapi piramidën e parë etj., etj., ka qenë për një kohë të gjatë simbol i kapjes së shtetit dhe të mediave nga oligarkët dhe veçanërisht i kapjes së Edi Ramës. Të bërat dhe të pabërat e tij i mbulonte asokohe “maska” Rama. Sot ai hyn në politikë i patrazuar, madje edhe i duartrokitur nga vetë maska. Dhe kjo ndodh jo pse njerëzit kanë harruar, por sepse fenomeni i heqjes së maskave është bërë kaq masiv gjatë këtyre viteve në vazhdim, – edhe nën qeverisjen e Berishës, i cili fitoi më 2005-n duke promovuar heqjen e konfliktit të interesit për kandidatët për deputetë, – saqë nuk bën më përshtypje. A e keni vënë re se askush nuk kujtohet më për fjalët “konflikt interesi”?“Po autobusi i opozitës e ka emrin ‘Rilindja’, ja pra që vesi taksën po ta paguan”, – mund të thotë dikush. E vërtetë, por, e thashë, është një taksë në zbritje progresive në kahe të kundërt nga ajo progresivja që premton Edi Rama për bizneset. Fjala “Rilindje” tingëllon më shumë si tallje, sesa si hipokrizi, sepse nga dritaret e autobusit ne shikojmë kush është brenda dhe themi menjëherë se emri i vërtetë i autobusit të mbushur me biznesmenë është, në fakt, “Konflikt Interesi”.Edhe Islami nuk është i pari ndër politikanët që kalon sa andej-këndej, por statura e tij intelektuale nuk mund të mos na bëjë të mendojmë se kemi hedhur një hap më tej në humbjen e çdo lloj koherence intelektuale dhe morale në politikë. Sepse ai, gjithsesi, kishte ruajtur imazhin e politikanit që ende i bënte një pjesë të mendonin se i ka parimore dhe për hir të vendit dhe të partisë së tij kritikat, dhe jo për interesa personale. Edhe mbështetja e çështjeve të caktuara, të cilat i gjykonte ndryshe nga linja e partisë, justifikohej me këtë. Edhe mëria me Edi Ramën ishte e kuptueshme. Por kalimi në kampin e Berishës sikur na zbuloi gjendjen ku janë katandisur politikanët tanë intelektualë. Duke hedhur përfundimisht tej maskën ai na la mesazhin se në këtë vend s’ke shpresë mbijetese dhe mbrojtjeje veçse duke u bërë pjesë e njërës nga dy bandat. Nga ana tjetër, pranimi i tij në listat e PD çori edhe maskat e fundit të një PD-je që medemek nuk të fal kur vjen puna për ata që kanë qenë apo janë në krah të ish-bllokmenëve.E përsëris, heqja e maskave nuk ndodhi ashtu, menjëherë. Në fakt, më duket sikur kemi të bëjmë me rënien një nga një të cipave të lëkurës. Dikur tregohej ajo përralla e mbretit lakuriq kur të gjithë nuk guxonin t’i thoshin mbretit se ishte lakuriq, derisa këtë ia tha një fëmijë. Tani mua më duket se jemi në një fazë kur mbreti është lakuriq dhe e di që është lakuriq, por nuk i vjen turp fare se është i rrethuar me oborrtarë që e dinë se janë lakuriq dhe po ashtu kur edhe fëmijët janë bërë pleq. Ditët e fundit mësova se në një nga gjimnazet e kryeqytetit, nxënësit që u ka rënë çatia e rikonstruksionit të biznesmenëve klientelarë mbi kokë, kanë bërë zgjedhjet për senatin e shkollës… dhe e dini çfarë ka ndodhur: kanë vjedhur votat e njëri-tjetrit. (Panorama, 15 maj 2013)
Tuesday, May 14, 2013
Arsyeja dhe dashuria - udhërrëfyesit e jetës
Interviste dhënë gazetës online "Start 19+1"
1. Patriot, nacionalist apo kozmopolit?Preferoj ta quaj veten humanist, ose edhe socialist libertar, ne kuptimin e atij që ve në qendër të interesit të tij njeriun dhe shoqërine njerezore kudo ku jeton qoftë kjo lagjja, qyteti, shteti apo bota; në kuptimin e atij që respekton - duke e jetuar dhe jo duke e zgjidhur - kontradiktën mes nevojës së njeriut për përkatësi, pasi është një qënie shoqërore, dhe atë për liri pasi është edhe një qënie individuale.2. Majtas apo djathtas?Majtas, pasi shqisa morale që rregullon raportin tim me të tjerët është (ose më saktë është bërë gjithjë e më shumë me kohën) shumë e ndjeshme ndaj barazisë së njeriut me njeriun dhe ndaj alienimit/tjetërsimit të njeriut. Dhe e majta, siç e kuptoj unë atë, ka në thelbin e vet luftën përdrejt barazisë si dhe luftën kundër tjetërsimit të qënies njerëzore në sitemin që jetojmë ku njeriu konsiderohet gjithnjë e më shumë vetëm si mjet për të pasuruar njeriun dhe jo si qëllim. Po të shikosh momente të tilla historike si heqja e skllavërësë, heqja e kolonializmit, barazija e burrit me gruan e deri tek të drejtat e minoriteteve apo të homoseksulëve të gjitha të sugjerojnë se barazia e njeriut me njeriun, si dinjitet më së pari, është një motiv për të cilin ia vlen t’i japim kuptim jetës tonë si qënie shoqërore. Po ashtu kapitalizmi liberist që e ve theksin tek pasurimi, tek gara e shfrenuar për t'ia kaluar tjetrit, kanë krijuar një tjetërsim të madh të njeriut përsa i përket atyre vlerave që lidhen me të mirat jomateriale por relacionale, shpirtërore. Dhe më duket se ndaj këtyre vlerave e majta evropiane është më e ndjeshme se e djathta.3. Kur ju duhet një mendim i mençur si veproni?Kur s'kam siguri pyes ata që dinë më shumë se unë për çështjen në fjalë, por vendos vetë duke marrë edhe përgjegjësinë e zgjedhjes.4. Cili libër ju ka bërë të reflektoni më së tepërmi, kur e keni lexuar?Nuk mund kurrsesi të përmend një libër të vetëm. Në një farë kuptimi të gjithë librat që kam lexuar i konsideroj si një libër i vetëm i madh. Them se klasikët kanë ndikuar në formimin bazë të rinisë, edukimin sentimental. Pastaj kujtoj librat që më kanë tronditur vizionin e botës që na kishte imponuar materializmi dialektik e historik dhe ideologjia nacional komuniste e Hoxhës si surrogat i saj. Ndër këta kujtoj si më të hershmit veçanërisht pesë leksione mbi psikoanalizën të Frojdit si dhe "Konsiderata joaktuale" të Niçes që më dhanë çelësa të tjerë për të lexuar botën.Në mënyrë më të veçantë kujtoj Don Kishotin rilexuar dhe rizbuluar në burg, me botimin e vëllimit të dytë, të përkthyer nga Petro Zheji. Them i rizlubuar pasi në moshën e rinisë (gjimnazit) e kisha lexuar i manipuluar nga parathënia e Nolit, që ishte e vetmja pikë referimi në shkollën tonë. Noli e kishte politizuar Servantesin për ta përdorur për të larë hesapet me kundërshtarët e tij politikë të kohës – siç bëjmë edhe ne sot – duke na e bërë Don Kishotin një qënie për tu tallur, ngase Noli vetë donte të tallte bejlerët prapannikë që kishin qenë kundërshtarët e tij politikë. Dhe ky sulm i shkonte goxha për shtat edhe propagandës komuniste që godiste “botën e vjetër”. Kurse në atë moshë më të pjekur, kur më ra në dorë vëllimi i dytë, tek ky libër gjeta tjetër gjë. Gjeta “esencën e luftës midis idealit dhe realitetit.” siç thotë Shellingu, ku “prapanikja” që mbronte Kishoti paskëshin qenë idealet e përjetëshme të njeriut për drejtësi dhe mirësi kurse “realiteti”: e shëmtuara dhe padrejtësia që mbretëron në këtë botë; kurse tek Don Kishoti, që e kishim përdorur për të tallur ëndërrimtarët budallenj, gjeta heroin që na mëson se njeriun nuk duhet të reshtë së ëndërruari dhe së luftuari kundër padrejtësisë, injorancës, ligësisë megjithë disfatat që mund të pësojë.5. Çfarë ka ndryshuar pas 100 viteve shtet shqipar?Pako gjë, dhe më shumë për keq se për mirë.6. A ka një krizë në shoqërinë shqiptare?Më shumë se krizë; një sëmundje në fazë terminale.7. Jepni 3 këshilla, si mund të bëhet ky vend?Të shpëtojmë fëmijët duke investuar në shkolla e mësues të mirë. Të krijojmë prokurorë e gjykatës të ndershëm e guximtarë.Të zhvillojmë ekonomi të qëndrueshme.8. A ka një personazh historik shqiptar që ju frymëzon?E kam kaluar kohën kur frymëzohesha nga heronj. Personazhet historikë shqiptarë nuk i shoh në bardhë e zi, por në një gri në të cilën, për shkak të ambjentit ku kanë jetuar, dominon e zeza.9. Sa monark ishte Zogu, sa komunist ishte Enver Hoxha dhe sa demokratik janë liderët e sotshëm politikë?I përkasin në thelb të njëjtës kategori: të njerëzve që nuk dinë ç’është ideali dhe që e bëjnë të zezën të bardh dhe të bardhën të zezë shpesh me një paturpësi kriminale.10. Pas 20 viteve tranzicion, jemi në demokraci apo post-komunizëm?Jemi në periudhën e kalbëzimit të kufomës gjigante të komunizmit që vdiq njëzet vjet më parë, që dergjet e shtrirë përgjatë gjithë territorin të vendit tonë si dhe të lulëzimit të krimbave që po e hanë atë.11. Shqiptarët, orientalë apo oksidentalë?Ka kohë që kam reshtur së kategorizuari njerëzit në orientalë dhe oksidentalë.12. Ku ndryshon një qytetar shqiptar nga një qytetar evropian?Nuk i ndaj njerëzit as në shqiptarë dhe evropianë, por do të thoja se në tërësi ndarja themelore midis kulturave dominante qëndron në mosrespektin dhe respektin ndaj ligjit.13. “Besa e shqiptarit si purteka e arit”. Besa, një vlerë e tejkaluar?Besa ka qenë një normë e Kanunit; shprehje e nevojës për të venë sadopak rregull në një shoqëri primitive, fisnore që nuk kishte ndërtuar ende shtetin. Ishte pra një lloj neni i ligjit të pashkruar të maleve që përcaktonte se kur, ku dhe si mund dhe nuk mund ta vrisje gjaksin. Ne e kemi bërë mit/simbol të fjalës së dhënë që shqiptari e paska të shenjtë edhe e kemi përdorur fort si mit identitar. Por unë mendoj se identifikimi me këtë mit është gjë e tjekaluar dhe nga ana jetër se përvoja reale na mëson se njeriu e mban fjalën e dhënë më shumë si rezultat i edukimit e zhvillimit të personaliteti dhe dinjitetit të tij si qënie njerëzore në një shoqëri të lirë dhe të drejtë sesa prej kultit të ngrirë të besës. Për të ilustruar këtë ju ftoj të mendoni për atë se sa e mbajnë fjalën e dhënë shqiptarët në përgjithësi dhe udhëheqësit tanë në veçanti.14. Tirana, metropol apo fshat urban?Tirana është shprehja më e dukshme vizualisht dhe më e zorrëshmja për t'u jetuar fizikisht dhe shpirtërisht e paaftësisë së shqiptarëve për të ndërtuar komunitet dhe shtet të së drejtës.15. Çfarë është kombi për ju?Kombi është një “bashkësi imagjinare” (Benedict Anderson) në të cilën na mësojnë se bëjmë pjesë që kur jemi fëmijë dhe që mbahet gjallë në imagjinagtë nëpërmjet narrativash, simbolesh e mitesh, por edhe nëpërmjt jetës së përbashkët e gjuhës së përbashkët. Ai është shprehje e nevojës së njeriut për identitet e përkatësi, por tek ne, për shkak të nacional - komunizmit dhe izolimit gjysëm shekullor përkatësia në këtë bashkësi është ekzagjeruar dhe mistifikuar duke u paraqitur si e vetmja bashkësi dhe më sipërorja. Në fakt kombi s’është as identiteti i vetëm dhe as përkatësia e vetme. Njeriu ka edhe shumë identitete e përkatësi të tjera që, varësisht nga konteksti, i thekson apo i injoron dhe që e bëjnë atë një qënie tejet komplekse dhe unike njëkohësisht. Edhe motivimet e tij në jetë po ashtu janë shumë komplekse.16. Çfarë është familja për ju?Një strehë e ngrohtë, por që ka nevojë për shumë dyer e dritare për të mos u kthyer në një vend të mërzitshëm e mbytës.17. Më rrëfeni një vend që ju ka bërë përshtypje?Narva 17, një qytet fantazëm në Estoni, i cili nuk kishte ekzistuar në hartë pasi atje kishte pasur, në kohën e BS, industri të karburantit të raketave që ishte sekret. Pas rënies së komunizmit ishte kthyer në një qytet thuajse të zbrazët, pa banorë. Ma ngacmoi shumë imagjnatën.18. A do të veçonit një moment kulmor në karrierën tuaj?Kur pasi u dënova për herë të dytë në burg refuzova të punoj në minierën e Spaçit duke duruar katër muaj birucë ndëshkimore. Kjo më krijoi mundësinë që në 12 vitet e tjera të burgut të mos i derdhja krejt energjite në punën e rëndomtë fizike në minerë, por të merresha shumë më tepër me libra dhe mendjen time.19. Nëse do t’ju jepej mundësia, çfarë do të ndryshonit nga jeta juaj?Kjo pyetje përmban paradoksin brenda sepse mund të thoja menjëherë: burgun, apo vendin ku linda, Shqipërinë, sepse linda në një diktaturë. Por atëhere do të isha njeri tjetër, që s'do të mund t'i bënte as këto ndryshime. Edhe nëse e keni fjalën për zgjedhjet që kam bërë në jetë prap do të thoja se ka aq shumë zgjedhje që me pjekurinë që kam sot do t’i kisha bërë ndryshe. Por prap edhe ky ndryshim është i pamendueshëm sepse ky që jam sot nuk do t'i bënte dot këto vlerësime, pa ato gabime. Prandaj them se e rëndësishme është t’i japësh një kuptim fatit që të bije në jetë dhe të mësosh nga gabimet, për të ndërtuar, nëpërmjet kësaj, jetën dhe personalitetin tënd. Nëse mendon se e ke bërë dhe bën këtë atëhere përgjigja do të ishte, jo nuk do të ndryshoja asgjë, as edhe burgun.
20. “Bëhu i ditur të jesh i lirë!” – Sa të lirë janë shqiptarët?
Njeriut iracional – thotë Poperi – i intereson të ketë gjithmonë të drejtë, (dmth. t’i dalë e vetja, siç themi ne), kurse njeriut racional i intereson të mësojë. Shumicës së shqiptarëve i intereson vetëm t'i dalë e vetja e kjo, faktkeqësisht, na le të paditur çka do të thotë edhe robër të injorancës. Pra shqiptarët kanë nevojë të zhvillojnë arsyen për të qenë të lirë. Por, megjithatë, edhe pse jam një njeri që beson shumë tek forca e arsyes, unë them se ka një ndjenjë, që shpesh quhet edhe iracionale, që e kalon arsyen jo për keq, por për mirë, e që të zbulon një tjetër dimension të lirisë. Kjo është dashuria, e cila nuk mund të përkufizohet lehtë. Fetarët e identifikojnë me manifestimin e Zotit në të cilin ata besojnë. Unë e shoh në termat e energjisë libidinale frojdjane që manifestohet në lidhjet më të forta shpirtërore midis njerëzve ku veçohen ato të të dashuruarve, ato midis prindërve dhe fëmijëve, miqësitë e thella që tek e fundit burojnë nga e njëjta rrënjë dhe janë në bazën e vazhdimësisë së jetës e të shoqërisë.
Arsyeja dhe dashuria tek komedia Hyjnore simbolizohen nga Virgjili dhe Beatriçja. Janë ato që e udhëheqin poetin (Danten) në rrugëtimin e tij. Janë këto që duhet ta udhëheqin njeriun në jetë. Edhe shqiptarët, sipas meje, kanë shumë nevojë t'i kultivojnë të dyja për të ecur në rrugën drejt lirisë, pasi i kanë shumë pak të kultivuara.
Tuesday, May 7, 2013
Të kapur për dy veshësh
Sikur të mos e kisha njohur Egin Cekën personalisht, mund ta kisha besuar se një diplomat shqiptar ka shkuar dhe ka provokuar Edi Ramën në takimin e tij në Vjenë. Akuzat për diplomacinë tonë, që historikisht ka punuar si shërbëtore e pushteti të radhës dhe jo si përfaqësuese e shtetit shqiptar, qëndrojnë dhe jo pak. Por, duke e njohur Eginin, mendimi që kam krijuar për dinamikën e incidentit të Vjenës është se s’kemi të bëjmë me provokim, por se pikërisht pasi ai i është drejtuar Ramës me mirësjelljen që e karakterizon, kjo i ka dhënë “zemër” kryetarit të PS që të bëjë gjestin e shkuljes apo tërheqjes së veshit.Personalisht mendoj se një gjest i tillë është tregues i një kulture primitive, paternaliste, autoritare, prandaj dhe i palejueshëm, madje i dënueshëm edhe kur e kryejmë ndaj fëmijëve tanë në familje, qoftë edhe me gjysmë përkëdhelie. Kurse i kryer nga kryetari i opozitës ndaj një të rrituri, qoftë ky diplomat apo jo, është ngjarje që i kalon kufijtë e normales. Në një vend normal me njerëz normalë – kam parasysh me “normal” një vend të lirë dhe demokratik ku njeriu, pikërisht pse e konsideron tjetrin të barabartë në dinjitet, nuk e prek me dorë – ky gjest, për një politikan, do të ishte i barabartë me vetëvrasje politike. Sepse mendimi i parë që të vjen ndër mend është: edhe pa pushtet ky sillet kështu, mendo sikur të ketë edhe pushtetin e një Kryeministri; do të kërkojë të na marrë për veshi të gjithëve. Në fakt, politikani në një vend të lirë dhe demokratik është i detyruar të durojë edhe njerëz të pakënaqur ndaj tij që e sulmojnë verbalisht apo edhe me domate apo me vezë, e jo të bëhet agresor.Por ne nuk jemi një vend normal. Ne jemi një vend ku anormaliteti legjitimohet me një anormalitet edhe më të madh nga pala tjetër. Mjaft të shohësh mënyrën se si u mor ngjarja nga PD-ja dhe pastaj u rimor nga PS-ja dhe mediat pranë saj për të kuptuar se njeriu shqiptar është i kapur jo për një veshi, por për të dy veshët, që i tërhiqen fort e më fort nga të dyja palët në garë se cili është më i dhunshëm.Si kundërpërgjigje ndaj aktit të Ramës pamë Kryeministrin të lëshojë një lumë sharjesh që tregonin edhe ato një mendësi super paternaliste – sikur është ai mbrojtësi ynë nga dhunuesit, pasi është më i fortë se tjetri në përdorimin e dhunës qoftë fizike, qoftë verbale – ndërkohë që edhe mund të mos prononcohej fare për këtë punë e t’ia linte Ministrisë së Jashtme dhe gazetarisë. Pamë pastaj shumë nga mediat pranë maxhorancës të gënjejnë haptazi duke thënë sikur Edi Rama e kishte qëlluar Egin Cekën me grushte, pa përfillur fare as deklaratën e tij, duke e keqpërdorur, kështu, edhe ata njeriun Egin. Dhe, sikur të mos mjaftonin këto, u krijua edhe një komision parlamentar hetimi për ngjarjen që tingëllon krejtësisht grotesk. Pra, ndaj tërheqjes së veshit pala tjetër vuri në përdorim grushtet. Dhe si përgjigje ndaj “grushteve”, pala tjetër e pa të arsyeshme të hedhë ca “shqelma”. Jo vetëm që nuk pamë ndonjë grimë reflektimi, por të gjithë militantët grushtbashkuar kryetarit të PS filluan të sulmojnë Egin Cekën. Kjo u shoqërua edhe me fushatën kundër tij në shtypin pro opozitës. Kulmin papërgjegjshmëria e tyre e arriti – të paktën deri tani – me deklaratën publike të Ramës, i cili, duke u tallur me të gjithë të vegjlit e këtij vendi, deklaroi se në popullin e internetit (kupto të b…lëpirësve të tij) paska gjetur shumë entuziazëm propozimi i akademikut Fatmir Velaj që 24 prilli të bëhet dita e festës kombëtare të tërheqjes së veshit.Unë nuk e di a e ka thënë Velaj këtë apo e ka sajuar Rama, por cilado qoftë e vërteta, e gjithë kjo ngjarje të bën të mendosh se ne jetojmë në një çmendinë publike që të kujton thënien e Lacanit: “Një njeri që pandeh se është mbret, është i çmendur, por është shumë herë më i çmendur një mbret që pandeh se është mbret”.Sipas meje, ka ardhur dramatikisht koha që shqiptarët të mendojnë seriozisht: pse këtij vendi i dalin gjithherë në krye njerëz kaq të papërgjegjshëm që do të duhej të ishin duke kryer psikoterapi intensive në vend se duke u marrë me punën më të rëndësishme që mund t’i bjerë njeriut në jetë: menaxhimi i fateve të jetës së bashkatdhetarëve të tyre. (Panorama, 3 maj 2013)
Wednesday, May 1, 2013
Loja para dhe prapa fasadës
Çfarë po ndodh - pyesin shumë. Me KQZ jemi apo pa KQZ? A do të bëjmë zgjedhje apo jo? Ku po shkojmë? Çfarë rreziqesh kemi përpara? Nga sa ve re shumica e njerëzve këto pyetje i bën me një kuriozitet që do ta mbiquaja të mefshtë, ngase ndjehet përvoja e gjatë zhgënjyese.Në fakt le të bëjmë pak kronikë duke i bërë thirrje sadopak edhe kujtesës. Kalimi i Ilir Metës ne kampin tjetër nuk se ishte ndonjë gjë e re. Kalime të tilla kane ardhur duke u shtuar nëper vitet me partitë apo personat e ashtuquajtur satelitë. Ky ishte disi më skandaloz, pa dyshim, por edhe me këtë rritje doze të skandalit jemi mësuar. Mjaft të kesh parasysh deklaratat e Berishës para do kohe kur tha se gjithë ç'kishte thënë e bërë kundër Nanos (duke e akuzuar për vrasës dhe vjedhës) kishin qenë ndoca llafe "elektorale" apo se në zgjedhjet për Tiranën LSI-ja tërhoqi në krahun kundër Ramës partinë e Hysni Milloshit.Ishte e pritshme gjithashtu që me ketë logjikë Berisha të largonte të gjithë të punësuarit e LSI, edhe pse me ligj administrata duhet të jetë e depolitizuar. Edhe me rritjen e dozës së emërimeve dhe shkarkimeve në funksion të klientelës jemi mësuar.Duke patur parasysh këto nuk mund të mos ishte e pritëshme që Berisha të hiqte edhe të propozuarin nga LSI në KQZ. Nuk ka burrë nëne të besojë në këtë Shqipërinë tonë se dikush mund të propozohet e zgjidhet në ato vende nisur nga mendimi se është njeri i ndershëm që do të verë ligjin përpara gjithshkaje. Të gjithë e dimë se propozimi dhe zgjedhja e antarëve të KQZ bëhet mbi pyetjen: a është me ne ky apo kundra nesh?Ndërkaq duhet të ndalemi pak këtu. Thashë "të propozohet" sepse, sipas ligjit, antarët e KQZ vetëm propozohen nga maxhoranca dhe opozita, madje duke u përzgjedhur jashtë politikës, por këta bëjne betim se do të sillen si të pavarur dhe mandati i tyre zgjat më shumë sesa një legjislaturë. Pra, ligjërish, ata konsiderohen si të pavarur nga urdhërat e politikës çka i detyron të luajnë një dopio lojë. Njëra është fasada, betimi se do t'i sherbëjnë vetëm ligjit, që bëhet kryesisht për shkak të ndërkombëtarëve; tjetra është ajo që ata bëjnë dhe kanë bërë realisht: zbatimi i urdhërave të atyre që i kanë propozuar/zgjedhur. Dhe tashmë ky është bërë sistemi me të cilin jetojmë gati pa e vënë në diskutim, dy fytyrat kryesore të të cilit janë: një bandokraci, ku kapobandat, ndërtojnë apo prishin aleancat sipas interesave të tyre dhe një fasadokraci ku ligji shërben si një gjethe fiku deri aty ku nuk prish punë, sidomos për sytë e ndërkombëtarëve, sepse, përndryshe, i nxjerrim organet e bandës jashtë dhe as na bëhet vonë fare.Kësisoj, sipas logjikës së bandokracisë ishte e qartë se anëtari i KQZ do të ndrrohej nga Berisha dhe se lufta për të mbajtur të vetin nga Meta e Rama ishte luftë për epërsi jo për pavarësi të KQZ-së. Ndërkohë nga reagimi ndërkombëtar, në emër të fasadokracisë Berisha zgjodhi ta shkarkojë nënkryetarin e KQZ duke i gjetur një kleckë në biografi që deri pak më parë nuk e paskërka ditur (?!).Disa që besojnë ende se këtu tek ne komandojnë ndërkombëtarët thonë se në këtë situatë Edi Rama dhe Ilir Meta do të duhej të vazhdonin denoncimin e këtij akti të paligjshëm duke ia lënë Berishes të gjithë përgjegjësinë për prishjen e zgjedhjeve dhe të Komisionit Zgjedhor dhe jo të bënin atë që bënë: kundersulmin duke tërhequr të propozuarit e tyre duke e lënë kështu vendin pa Komision Zgjedhor sepse me këtë akt provuan se edhe të zgjedhurit/propozuarit e tyre janë politikë. Dhe, gjithë sipas këttyre zërave, kjo bëri që ndërkombëtarët të rikonfirmojnë mendimin se Rama është një partner jo kredibël.A kanë të drejtë? Duke iu referuar lojës së dyfishtë unë do të thoja "jo" sepse kjo do të thoshte që Edi Rama dhe Ilir Meta të vepronin vetëm sipas logjikës së fasadokracisë e të harronin se loja e vërtetë është ajo e bandokracisë. Kur shpallën kundërsulmin ata treguan qartë se ka më shumë rëndësi ajo që ndodh prapa fasadës, bandokracia, sesa fasadokracia. Madje edhe ndërkombëtarët kanë nevojë jo vetëm për "karrotën' e fasadës, por edhe për "shkopin" e bandës. Sepse tashmë roli i tyre i dështuar në fasadë dihet përmendësh. Shumë shumë mund të bëjnë ndonjë deklaratë që Berisha do të përpiqet ta balancojë duke marrë deklaratat e ndonjërit nga ata të Partive Popullore Evropiane. Prandaj duhet ta fusim vendin në krizë aq thellë, deri në atë pikë, sa ndërkombëtarët të detyrohen të ndërhyjnë. Madje edhe me ushtri si në 97-tën, po të jetë e mundur.Ndërkaq edhe Berisha nga ana e tij e di se më e rëndësishme është loja prapa fasadës sesa ajo para fasadës. Edhe ai e di se ndërkombëtarët kanë një limit në fuqinë e tyre për të vepruar. Ata nuk mund as të shkarkojnë as të emërojnë kryetarë partie, kryeministra apo antarë të KQZ-së, as mund të shpallin fitues apo humbës në zgjedhje. Aq më pak kanë ata mundësi të futen në lojën prapa fasadës. Berisha ka po ashtu parasysh se nuk është gjendja e 97-tës; se njerëzit kanë aq përvojë tashmë sa të mos ndjekin qorrazi drejt kryengritjes njerëz që sapo marrin pushtetin fillojnë e vjedhin e bëjnë kërdinë.Jemi kështu në rrethin vicioz ku na ka futur kjo lojë e dyfishtë për të cilin ka punuar sistematikisht politika jonë dhe në të cilën janë bërë lojtarë edhe ndërkombëtarët. Nuk është gabim të thuhet se është një situatë që nuk ka zgjidhje demokratike. Dhe nuk mund të ketë zgjidhje demokratike në një sistem që është ndërtuar për të mos qenë demokratik. Normalisht ne jemi të gjithë të përgatitur për të parë se cili është më i forti. Edhe kalimi i LSI në krahun e Ramës u bë me këtë logjikë. Vini re: sikur njerëzit të kishin shpresë se me opozitën gjendja në të cilën janë katandisur do të ndryshonte do t'i kishe sot tek selia e Komisionit Zgjedhor duke protestuar dhe nuk do të shkuleshin prej andej pa u vene e drejta në vend. Por ne popullin e kemi zevendësuar me ambasadorin amerikan i cili bën ndonjë deklaratë që ze faqet e para të lajmeve në medjat opozitare, por që harrohen të nesërmen.Në fakt e gjithë kjo lojë po ngushtohet brenda një ringu që bëhet gjithnjë e më i vogël ndërkohë që pjesa më e madhe e njerëzve qëndron jashtë tij pasi është indiferente apo ka frikë të përfshihet në boksin e rradhës. Metaforikisht duhet thënë se në këto kushte do të duhej zëvendësimi i ambasadorit amerikan me popullin që do të thotë edhe kalimi i lojës politike nga ringu i bandokracisë dhe fasadokracisë në fushën e gjerë të demokracisë, por, fatkeqësisht s'duket asgjë e tillë në horizont. Ne jemi në pritje të ndeshjes së rradhës së boksit që ia njohim stilin, por që, megjithatë, të renë dhe rreziqet i ka në procesin e degradimit të vet. Dhe ky degradim na thotë se, të paktën psikologjikisht, duhet të përgatitemi që zgjedhjet do të jenë një ndeshje shumë e vështirë. (Panorama, 25 prill 2013)
Subscribe to:
Posts (Atom)
-
Në Bibël ka një pasazh që është komentuar shumë: ai ku përshkruhet çfarë ndodhi në momentin para se Kaini të vrasë Abelin. Komentohet fakti...
-
Në mbyllje të 2005-sës, vit të cilin, në petkun e gazetarit, e kam ndjekur hap pas hapi me shkrime, kryesisht mbi jetën dhe zhvillimet polit...
-
Një her ë e një koh ë e kam dashur edhe unë Vaçen, por më duhet të them se kjo i përket periudhës së jetës kur njeriu ende beson tek m...