Friday, November 25, 2016

Sigurimi i vërtetë - Ismail Kadare, oborrtar i dy regjimeve


Pasi lexova me vëmendje përgjigjen e autorit të librit "Kadare në Pallatin e ëndrrave" ndaj shkrimit tim "Kadare po fabrikon të shkuarën e vet - nuk e përndiqte Sigurimi", si dhe polemikën e botuesit Çili, që më thotë se thjesht "ka botuar dokumente" dhe pyet: "ku është manipulim-simulimi këtu?", u njoha më me detaje me materialet dhe vetë librin. Kjo njohje më konfirmoi çfarë shkruaja në përgjigjen dhënë “Panoramës” se ky libër (i cili nuk ka vetëm dokumente, por edhe interpretime, që më rezultojnë manipuluese, deformuese, keqdashëse) synon ta shtrembërojnë e kamuflojë të vërtetën, për qëllime që s'kanë të bëjnë me hedhjen dritë mbi të kaluarën, as me katarsisin për të cilin ka nevojë shoqëria. Ai është provë e vazhdimit të asaj kulturës së diktaturës, që karakterizohej nga dyfytyrësia, frika, gënjeshtra dhe manipulimi i njeriut; fabrikimi i historisë, i heronjve dhe i armiqve për interesa pushteti, që, fatkeqësisht, në kohën tonë po shfaqet në trajta të reja, ku drama merr ngjyrime groteske e të neveritshme.

Argumentet po i nis nga rasti im

Është manipulim të thuash se hetuesia e grupit tonë tregon se Sigurimi përndiqte Kadarenë me argumentin se “ka qenë më se normale që hetuesia ta pyeste Fatos Lubonjën edhe për Kadarenë” edhe për “faktin se Kadareja kishte pasur miqësi me Todi Lubonjën.” Në shkrimin paraardhës kam dhënë arsyet pse nuk ishte "normale" kjo. Tani them se edhe dokumentet nuk e provojnë këtë. Emri i Kadaresë nuk ka dalë si rezultat i ndonjë pyetjeje për të, por siç e nënkupton edhe përgjigjja, nga pyetja se ç’mendonte im atë për letërsinë. Dhe po të lexosh me vëmendje faksimilen me  shkrim dore, që afërmendsh ka qenë më afër fjalës sime, botuar edhe në gazetën “Panorama”, aty thuhet: “... (babai) ka pëlqyer  shkrimtarët Ismail Kadare, Dritëro Agolli. Për të tjerët thoshte që këta nuk shkruajnë mirë, nuk kanë kurajë pse vuajnë nga skematizmi. Ky ka qenë mendimi i tij për letërsinë tonë.” Autorët nuk kanë vënë këtë pohim, që nuk përmban as ndonjë gjë "armiqësore", por zbardhjen e tij me makinë të rënduar në formën: "më ka thënë se kishte simpati për Ismail Kadarenë, kurse për të tjerët se janë ta paaftë, se shkrimet i bëjnë nga frika." “se i futin brenda." 


Etika profesionale, duke parë këtë ndryshim jo të vogël, ta donte që të paktën autori të kërkonte një sqarim edhe nga unë, meqenëse jam gjallë. Dhe po të isha pyetur në hetuesi për Kadarenë, s'kisha pse ta mohoja. Jo vetëm nuk e ka bërë këtë, por ka vepruar në stilin e zbardhjeve që kanë bërë hetuesit dhe sekretarët e regjimit. Ka vënë si kryetitull të faqes ku janë bërë interpretimet/manipulimet frazën me të cilën u hapën edhe disa gazeta: "babai thoshte… se vetëm Kadare shkruan të vërtetën", frazë që nuk ekziston fare në asnjërin dokument.

Manipulimi me Fadil Paçramin

Duke shfletuar disa nga faqet e librit në kapituj ku preket koha e goditjes së liberalizmit, që e njoh mirë, vura re se të tilla manipulime nuk janë përjashtime, por rregull në këtë libër. E njëjta gjë ndodh me deponimin e Fadil Paçramit.

Fadil Paçrami është akuzuar për agjitacion e propagandë, paragrafi i dytë, që parashikonte dënimin nga 10 vjet deri me vdekje (u dënua 25 vjet). I shtrënguar të pranojë (gjithmonë sipas një dokumenti nxjerrë në ato kushte), se mendimet e tij - për konfliktin e brezave, romanin e shkurtër, traditën etj. - kanë qenë të gabuara dhe kundër vijës së partisë, por pa pranuar se ka pasur qëllim armiqësor, ai thotë fraza të tilla: “Biseda të tilla për këtë çështje kam zhvilluar me Ibrahim Uruçin, Kujtim Spahivoglin, Bardhyl Kosovën, Riza Hajron, Qamil Buxhelin, Ismail Kadarenë dhe kam folur në një mbledhje me trupën e Teatrit Popullor”. “Pikëpamje të ngjashme me mua për romanin e shkurtër ka pasur edhe Ismail Kadareja, Dhimitër Xhuvani e ndonjë tjetër i ri.” Emri i Kadaresë nuk ndahet në dokument nga shumë emra me të cilët Paçrami ka punuar si njeri i kulturës dhe si politikan, disa prej të cilëve, si Uruçi e Spahivogli, kanë marrë asokohe vërtet goditje të rënda si liberalë. Asnjë pyetje nuk i drejtohet në mënyrë të veçantë për Kadarenë. Kurse manipuluesit shkruajnë: “Ato çka deponon Fadil Paçrami në procesin e tij hetimor janë ‘kopsitur’ me shumë kujdes deri në detaje nga më të hollësishmet, për ta ‘implikuar’ Kadarenë ‘si bashkëpunëtor në veprimtarinë armiqësore’ të Paçramit”.

E pra, nuk mjafton fakti që këta njerëz nuk duan t’ia dinë për torturat që ka hequr ky njeri në hetuesi në kushte midis jetës dhe vdekjes. As për faktin se edhe Kadareja vetë ka kontribuar në arrestimin e tij duke amplifikuar në “Zërin e Popullit” akuzat e Enver Hoxhës për të si "armik i partisë", "kundërshtar i tërbuar i kombëtares", "djathtist", "antishqiptar", as për traumat që mund t’u ringjallin familjarëve me evokimin e tragjedisë së tyre, por, njëlloj si hetuesit e Enver Hoxhës, nxitojnë ta keqpërdorin fjalën e tij për qëllime të ulëta manipulimi të së vërtetës.

Selektiviteti

Etika profesionale e një studiuesi serioz, që kërkon të vërtetën, është ballafaqimi i të gjitha dokumenteve dhe argumenteve rreth një çështjeje. Ky libër në këtë aspekt ka një selektivitet të skajshëm, në funksion të manipulimit të publikut me të vërtetën që do të imponojë: se raporti i Kadaresë me diktaturën ka qenë ai i një kundërshtari që e ndiqte Sigurimi.

Po ndalem vetëm në disa shembuj selektiviteti:

Lidhur me poemën "Pashallarët e kuq", në libër vihet dokumenti me fjalët që ka shkruar Enver Hoxha në ditar, për "mutrat që ka bërë Kadareja", si dhe një intervistë që Kadare i ka dhënë autorit, ku i thotë se Hoxha u tërbua ngase unë kam përmendur "duart e përgjakura". Mirëpo, ndërkaq, autori ka neglizhuar një debat të tërë që u bë në fillim vitet 2000 lidhur me botimin e një libri me autor Maks Velon për "Pashallarët e kuq". Kadareja pretendonte në atë libër se poema ishte kundër Enver Hoxhës dhe nomenklaturës dhe se, jo vetëm nuk qe botuar, por qe zhdukur prej tyre, duke kryer kështu një krim ndaj letërsisë. Mirëpo në atë debat dolën edhe shumë dëshmi se ajo nuk ishte kundër Hoxhës, por kundër puçistëve dhe sabotatorëve që ky i kishte çuar në burg e në plumb; se mosbotimi i saj dhe zemërimi i Hoxhës lidhej me zellin e tepruar të autorit për t'ia veshur atij tërë meritat për vrasjen e këtyre armiqve, ndërkohë që ai në këto raste thoshte gjithmonë "partia". E, më në fund, u gjet edhe poema "e zhdukur", e cila provoi, jo vetëm se autori nuk kishte dashur ta kërkonte, por edhe se "duart e përgjakura" ishin të armiqve, kurse Hoxha mbante në dorë një pishtar me të cilin i zbuloi ata. Përse autori i këtij libri dhe botuesit nuk u referohen edhe këtyre dokumenteve. Përse, tek e fundit, nuk botojnë edhe poemën vetë, disa vargje të së cilës mund të shpjegojnë edhe zemërimin e Hoxhës, sepse e tejkalojnë edhe gjuhën terroriste që përdorte ai vetë në publik: "Klasën që u përmbys nën këmbë e mbaj./ Në se s’do që nesër skuadër e pushkatimit,/ Të të vejë në mur/tek Bulevardi i Madh."?   

Poende, nëse do të kishim të bënim me një libër ku të kërkohej përmes dokumenteve e gjithë e vërteta për raportet e Sigurimit me Kadarenë, autorët duhet të merrnin e fusnin në këtë libër edhe deklarimin në gjyq të ish-zv/ministrit të Punëve të Brendshme, Zylyftar Ramizi, se Kadare ka qenë i rekrutuar nga Sigurimi dhe ka pasur pseudonimin "Gjenerali", gjë që e ka shkruar edhe shkrimtari Kasëm Trebeshina.

Ata do të duhej të kërkonin edhe në dosjen e internimit të Renato Rrapit, për të cilin e ëma ka dhënë prova se është internuar dhe ka përfunduar i gjymtuar psiqikisht për shkak se Kadare vuri në lëvizje Sigurimin për ta hequr qafe këtë djalë, krimi i vetëm i të cilit ishte se dashurohej me të bijën e tij duke mos qenë i të njëjtit rang.

Ata duhet të na kthjellonin ca më mirë se cili ka qenë  raporti i Kadaresë me Sigurimin në rastin e Dhora Lekës nëpërmjet botimit edhe të çfarë ka thënë ajo, të tjerë si Sulejman Mato e dokumentesh të tjera. Sepse, nëse Sigurimi e paska shtyrë Dhora Lekën për t'i dërguar letrat provokuese, kur ishte në Berat, mbetet pa përgjigje pyetja: Pse pas denoncimit të këtyre letrave nga Kadare ajo u linçua publikisht dhe u dërgua në burg? Me kë paska qenë ky Sigurimi, se s'po merret më vesh, me ata që i shërbenin apo me ata që i përndiqte?

Për t'i mbyllur me një ilustrim të fundit shembujt e selektivitetit, që mund të vazhdonin gjatë, them se autorët do të duhej të kishin përfshirë në libër edhe një letër të hapur që i ka dërguar ish-miku dhe kushëriri i gruas, shkrimtari Nasho Jorgaqi, i cili thotë aty disa fakte, të mbetura pa përgjigje nga Kadare. Ajo tregon se kjo historia e librit me denonciatorë të Kadaresë mund të jetë si historia e librit për "Pashallarët e kuq":

“Meqë jemi te raportet tona si shkrimtarë me Ministrinë e Brendshme, po përmend se kontaktet dhe lidhjet me të nuk të kanë munguar as ty, ndonëse tani s’ta ka qejfi t’i kujtosh. Ke pasur të njohur dhe miq prej tyre, me të cilët shkëmbeje mendime ose u kërkoje ndihmë për ndonjë hall që kishe. Po kështu, edhe ti ke kontribuar në botimet e këtij dikasteri, siç është parathënia që ke shkruar për serinë e librave “Heronj të heshtur” apo ke botuar tregime me temën e Sigurimit në revistën “Në shërbim të popullit”. […]Me këtë rast më shkon mendja dhe te ndonjë problem i vështirë familjar që e ke zgjidhur me ndihmën direkte të funksionarëve të lartë, deri edhe te Ministri i Brendshëm. Por, pa dashur të shkoj më tej e të bie në pozitat e tua, nuk mund të rri pa evokuar një episod që na ka treguar pas viteve ’90, mua dhe një mikut tonë të përbashkët, një ish-funksionar i Sigurimit të Shtetit. Sipas tij, në një bisedë të rastit që ke pasur me të nga vitet ‘80, në muhabet e sipër i ke shprehur pakënaqësinë që Sigurimi Shqiptar ka dështuar në zbulimin e agjenturës sovjetike në Shqipëri. Pas këtij takimi, funksionari nuk do ta linte problemin me kaq, por me rastin më të parë do t’ia raportonte Ministrit të Brendshëm, Hekuran Isai. Ai e mirëpriti dhe e porositi vartësin që të të ftonte në zyrën e tij për të pirë një kafe e për të biseduar. Dhe kështu u bë. Ti pranove menjëherë dhe pa e zgjatur, shkove në zyrën e Ministrit. Sipas funksionarit, që do të ishte prezent, biseda në pjesën më të madhe iu kushtua problemit të agjenturës sovjetike në Shqipëri, ku fjalën kryesore e kishe ti, ndërsa ata të dëgjonin me vëmendje. Një takim i vërtetë profesional, me arsyetime dhe fakte, të shprehura seriozisht e pa doreza. Unë e dija se ku e kishe hallin. Ti atëherë ishe i pakënaqur nga disa intelektualë partiakë që kishin studiuar në Bashkimin Sovjetik, me të cilët ishe i zemëruar pasi ata të sillnin pengesa ose flisnin keq dhe ndikonin për mosaprovimin e veprave të tua në Aparatin e K.Q. të Partisë. Por ti kishe pozita të forta dhe gëzoje përkrahje deri lart fare, pavarësisht nga këto pengesa.

Në fund, Ministri të falënderoi për mendimet me vlerë që shfaqe, duke shtuar se “derën e kini gjithnjë të hapur për çdo gjë që ju shqetëson”. Por kjo histori nuk u mbyll me kaq. Ministri, i prekur nga gjesti yt, nuk dinte si të ta shpërblente dhe, kur mori vesh, pas disa ditëve, se Lidhja e Shkrimtarëve të kish dhënë në përdorim, si drejtues i revistës, një veturë të konsumuar, urdhëroi që nga fondi i dikasterit të të dhuronte një nga pesë makinat “Volkswagen” të porsablera në Gjermani.”

Dokumentet e Sigurimit

Manipulimi më i madh me librin "Kadareja në Pallatin e ëndrrave" është se ai shitet sikur kemi të bëjmë kryesisht me "DOKUMENTE të panjohura arkivore të Sigurimit të Shtetit". Në të vërtetë, përveç një dokumenti për të cilin do të flas më poshtë, libri, në fakt, ka dokumente mbledhjesh organizatash partie, mbledhjesh të Lidhjes së Shkrimtarëve, raporte nga këto mbledhje dërguar lart, artikuj gazetash, letra, ankesa e raporte drejtuar ndonjë udhëheqësi, faqe nga dosje hetimore dhe gjyqësore të burgosurish, por jo dokumente të Sigurimit që të provojë ndjekjen e Kadaresë.

Dokumentet e Sigurimit që provojnë ndjekjen e personave të ndryshëm janë në të tjerë sirtarë, të cilët autorët as kanë bërë ndonjë përpjekje për t'i kërkuar.

Po sjell për ilustrim disa të tilla nga arkivi im i dokumenteve familjare, që kam mundur të siguroj për të sqaruar edhe publikun për mashtrimin që kërkojnë të na bëjnë.

Materiali i parë është kartela e dosjes sime të Sigurimit.


Ajo tregon se, kur fillonte një ndjekje, hapej një dosje që në krye ishte e kategorisë PP (që do të thotë procesi i përpunimit) dhe caktohej një operativ, i cili vinte në lëvizje agjentët ose rekrutonte enkas informatorë të rinj. Kur mblidheshin të dhëna të mjaftueshme, dosja kalonte në kategorinë 2A, siç ka kaluar në janar të vitit 1974 dosja ime e hapur më 6 korrik 1973, që do të thotë se personi ka aktivitet armiqësor.



Dokumenti i dytë tregon se personat me kësi dosjesh ndiqeshin edhe nëpërmjet përgjimit të telefonave, kur kishin të tillë në shtëpi. Ai tregon për përgjimin e telefonave të shumë familjeve në vitet '73, '74, '75 ku, përveç numrave të tjerë, do të bien në sy edhe numrat e disa Lubonjave dhe Paçramëve, që përfunduan më pas në burg. Po të vësh re me kujdes dokumentet, instalimi është bërë në datën 17 janar 1974 dhe vetëm pas 4 ditësh dosja ime ka kaluar në kategorinë 2A, mesa duket për shkak të interceptimit të ndonjë bisede.


Po ashtu, po botoj dy dokumente, ku i pari flet për ndjekjen e nënës sime Liri Lubonja, me dosje 2A, dhe i dyti për heqjen e përgjimit të familjes sime në vitin 1991, për të ilustruar se si vepronte Sigurimi për të "kopsitur" e futur në burg, nëpërmjet agjenturës së tij, dhe TO (teknikë operative) njerëzit me dosje. Aty bien në sy pseudonimet e agjentëve që ka vënë në aktivitet për këtë qëllim dhe instalimet e përgjuesve në shtëpi apo, te komshiu me të cilin ndaje murin.

E pra, asnjë dokument të tillë nuk na ka ofruar autori për të na provuar ndjekjen e Kadaresë nga Sigurimi. I vetmi dokument që vjen nga sirtarët e Sigurimit është ai që flet për kalimin nga një funksionar i Sigurimit në një tjetër të disa dosjeve dhe listave ku figurojnë 315 emra (disa edhe të njohur publikisht), ku është edhe emri i të shoqes. Së pari, vetë fakti që emri i tij nuk figuron ndër 315 emra flet për atë se intelektuali që kërkon të shitet si i vetmi thënës i së vërtetës në atë kohë, paska qenë më pak i rrezikshëm edhe se një numër kaq i madh intelektualësh. Së dyti, sikurse thotë edhe një ish-funksionar i Sigurimit që autori i librit e ka intervistuar, "lista apo dokumentet që botohen më poshtë, […] nuk ishin objekt ndjekjeje nga Sigurimi, por pika reference, për komunikim me udhëheqjen politike." "… lista, […] nuk është listë e ndjekjes operative ""kush të lexojë emrin e tij në ndonjë dokument si ky që po botoni ju, është i lirë që ta gjykojë vetë nëse ka qenë në ndjekje operative apo jo? Dhe kjo vlen veçanërisht për … të cilët janë në kërkim të një disidence të paqenë." Autori nuk na shpjegon se ç’kuptim kanë tri pikat në mes të frazës së ish-funksionarit. Është përmendur ndonjë emër që ai s'ka dashur ta vërë, apo ish-funksionari, për të mos përmendur emra, ka thënë gojarisht "pika, pika." E çuditshmja është se autori nuk e ka pyetur direkt për Kadarejtë, sepse ish-funksionari mund t'i jepte përgjigjen që kërkonte, siç i ka thënë për Petro Markon. Me gjasa nuk ka marrë përgjigjen që ka dashur. Megjithatë, manipulatorët nuk ngurrojnë t'i vënë  dokumentit titullin: "Elena Kadare në dokumentin sekret të 315 intelektualëve që survejoheshin nga Sigurimi i Shtetit."

***

Në fakt është e kotë të zgjatesh me argumente për të provuar një gjë që e dinë të gjithë. Fakti që autori, në vend se të ngrejë pyetjen: pse hyri ky shkrimtar në Parti, shet si "riedukim" edhe stazhin e partisë të Kadaresë në vitin 1970, që e bënte çdo njeri që bënte lutje për t'u anëtarësuar, e bën qesharake këtë histori. Problemi këtu nuk është e vërteta, por se si mund të ngrihet një mekanizëm i tillë manipulimi e mashtrimi dhe pakkush guxon ta denoncojë atë. Çfarë po ndodh në këtë vendin tonë? Apo, më saktë, çfarë ka ndodhur në ato vite që s'po del e keqja?

Kur vdiq Enver Hoxha në vitin 1985, Kadareja i dërgoi gazetës franceze Le Monde një letër proteste për çfarë kishte botuar ajo me rastin e vdekjes së diktatorit ku, mes të tjerash, i shkruante: "Emri i Enver Hoxhës është i lidhur pazgjidhshmërisht me themelet, me historinë dhe me ndërtimin e Shqipërisë së re. Ja çfarë e përcakton madhështinë e figurës së tij, dhe, për pasojë, se sa i madh është hidhërimi."

Sigurisht, këto fjalë nuk ia ka nxjerrë Sigurimi pas torturash në ndonjë qeli. E pra, mjafton të lexosh këtë letër për të përgënjeshtruar atë që shkruan botuesi Çili në parathënien e këtij libri se "Ismail Kadare ka një meritë, sepse ka shkruar, ka folur dhe ka vepruar sikur të jetonte në tejkohë, sikur ta dinte që të nesërmen do të jepte llogari për aktet e tij". Kjo letër Le Monde-it, ashtu si dhe vepra e tij, është shkruar në "kohë" jo në "tejkohë". Në fakt, vulën e kohës në veprën e tij e ka pranuar edhe Kadareja vetë në shkrimet e tij të viteve '90. Nuk ka njerëz që jetojnë jashtë kohës në të cilën kanë lindur dhe vdekur. Ka nga ata që bëjnë zgjedhje për ta refuzuar frymën dominuese të asaj kohe dhe nga ata që zgjedhin t'i përshtaten.

Kur vjen puna për zgjedhjet e njerëzve në atë kohë dhe kërkimit të llogarisë, fakti është se shoqëria jonë ka qenë në përgjithësi shumë mirëkuptuese. "Ashtu ishte koha" - është shprehja që përdoret për t'u rënë shkurt përgjegjësive që kemi të gjithë. Kjo, sepse aktet e asaj kohe janë kryer në mungesë të madhe lirie. Mungesë lirie për shkak të terrorit mbi ata që kishin mend dhe për shkak të padijes tek ata që s'kishin mend. Dhe sa më e madhe mungesa e lirisë, aq më e pakët përgjegjësia. Kjo e bën të vështirë të heqësh një kufi ndarës të prerë se ku fillon përgjegjësia për bashkëpunimin me të keqen. Sidoqoftë ka dy kritere që, sadokudo, i japin një përgjigje kësaj pyetjeje. Së pari, ai se kush përfitoi privilegje në atë kohë dhe kush pësoi vuajtje; se cilin e promovoi pushteti lart e më lart dhe cilin e varrosi poshtë e më poshtë. Kadareja, qartazi, ka zgjedhur t'i përshtatet, t'i shërbejë me talentin e tij ideologjisë dhe propagandës së pushtetit dhe jo t'u kundërvihet atyre, duke marrë maksimumin e përfitimeve.

Së dyti, kriteri i së tashmes. Kush ka punuar për të krijuar kushtet që njerëzit të mos jenë më të detyruar të bëjnë zgjedhje që shkojnë kundër bindjeve e mendimeve të tyre (për shkak të shtrëngimeve që në kohën tonë janë më së shumti ekonomike); dhe kush vazhdoi të bashkëpunojë me regjimin e ri autoritar, mafioz e të korruptuar që u instalua pas viteve '90, për të pasur përfitime dhe privilegje. Fakti që Kadareja nuk e ka ngritur një herë të vetme zërin kundër liderëve autoritarë, mafiozë e të korruptuar që kemi pasur dhe kemi në krye, por i ka shfrytëzuar ata për të marrë përfitime gjithfarëlloj, siç merrte dikur çmimet, rrogat e shkrimtarit profesionist, botimet jashtë shtetit  e apartamentin me gjashtë dhoma, është kriteri më i mirë për të përcaktuar edhe raportin që ka pasur ai me regjimin e kaluar. 

Fshehja në vend se denoncimi i kësaj të vërtete, me libra të kulturës së manipulimit dhe simulimit si ky, të sponsorizuar dhe trumbetuar nga njerëzit e kastës, që vazhdojnë të mashtrojnë e grabisin shqiptarët, është shenjë flagrante e vazhdimësisë së dominimit të kësaj kulture. Është, po ashtu, shenjë e vazhdimësisë së dominimit të modelit të intelektualit, që, për të arritur suksesin, zgjedh rrugën e bashkëpunimit apo vënies në shërbim të pushtetit duke përdorur këtë kulturë pushteti. Është  virusi i kësaj kulture, që i kthen njerëzit në skllevër dhe intelektualët në oborrtarë, i futur në kohën e komunizmit, që po vazhdon të punojë me kaq virulencë, duke i dhënë Kadaresë, që është autori i vërtetë i këtij libri, titullin e oborrtarit të zgjedhur të të dy regjimeve. Vetëm kur të çlirohet nga dominimi i virusit të kësaj kulture dhe i sojit të intelektualëve që e përdorin atë, Shqipëria do të fillojë të shohë dritën e lirisë dhe të së vërtetës, që një ditë shpresojmë se do të duket në horizont. 


Faksimile e ndjekjes se Liri Lubonjes





LENDA: Mbi shfrytëziin e TO në drejtim të elementit antiparti



MINISTRISË SË PUNEVE TË     BRENDSHME DREJTORISË SË PARË

TIRANË



Gjegje telit tuaj Nr. 979 datë 26.10.1983.



Siç kemi njoftuar me informacionin tonë Nr. 907/2, datë 30.59. 1983, në rrethin tonë kemi një element të cilësuar antiparti e kjo është e quajtura Liri Ibrahim Lubonja, në përpunim aktiv 2/A dhe e internuar në fshatin Fishtë të këtij rrethi.

Në drejtim të këtij objekti, gjatë vitit 1983 nuke kemi arritur të kryejmë ndonjë kombinacion T.O, kjo edhe për shkak se në banesën ku ndodhet aktualisht mungon T.O stacionare, gjë për të cilën po sudiojmë mundësitë për instalimin e saj. Ndërsa për kontrollin e këtij objekti kemi përdorur forma të tjera të punës agjenturore - operative si agjenturën ekzistuese, KP-në, vijën e masave, survejimin e jashtëm e veçanërisht kur kjo ka lëvizur jashtë rrethit tonë, nga përdorimi i të cilave nuk ka dalur që të zhvillojë aktualisht veprimtari armiqësore të mirëfilltë, me përjashtim të ndonjë reagimi për vështirësi të jetesës së saj, mundësitë e pakta që ka për të ndihmuar materialisht bashkëshortin dhe djalin e saj që i ka të dënuar  për veprimntari armiqësore, të cilat nuk formojnë figurë krimi. Edhe në muajin nëntor të këtij viti u shfrytëzua me kombinacion vajtja e objektit në Tiranë dhe në kombinim me Drejtorinë e Punëve të Brendshme  të atij rrethi, u organizua survejim për ditët që qëndroi atje dhe u aktivizua bp me pseudonimin "Erka", vjen nga lidhjet e saja, por në përfundim nuk doli ndonjë material me interes operativ.

Veçori e këij objekti është se, duke njohur pozitën shoqëore të saj, qëndron e veçuar nga njerëzit, qoftë dhe ndaj lidhjeve miqësore e me karakteristika të përafrëta me të, i shmanget çdo bisede me karakter politik, të cilën e shpreh edhe vetë objekti "me politikë unë, as djali, nuk merremi" ose "nuk di pse jam e ndjeshme edhe ndaj njerëzve që më parë i kemi konsideruar të afërmit tanë" etj. Këto deri në një farë shkalle kanë  vështirësuar edhe kontrollin e saj nga ana jonë.

E megjithatë, jemi të ndërgjegjshëm se duhet organizuar më mirë puna agjenturore - operative në drejtim të shfrytëzimit të kombinacioneve me TO, sepse, pavarësisht nga pasiviteti i përkohshëm i saj, bindja jonë është se ajo qëndron në pozita armiqësore, kjo edhe për shkak të masave që janë marrë ndaj saj dhe lidhjeve kryesore të saj.

Kurse në radhët e të dënuarve të repartit të riedukimt Nr. 302 kemi 3 elementë antiparti: Dashnor Mamaqin, Vasil Kati e Kristofor Mërtiri për të cilët, me gjithë kontrollin që bëhet me agjenturë, nuk janë marrë të dhëna për veprimtari armiqësore. Dashnor Mamaqi dhe Vasil Kati në raste të veçanta kanë mbajtur edhe qëndrim pozitiv në ambjentin ku jetojnë, ndërsa Kristofor Mërtiri menjëherë posa erdhi në repartin 302 filloi të nxiste elementë të veçantë në rrugën e veprimtarisë armiqësore dhe për këtë u muar masa e izolimit në repartin 321 Burrel. Pas ardhjes nga Burreli në përgjithësi qëndrimi i tij është jo i keq.

Pavarësisht nga këto qëndrime, të cilat mund të jenë të përkohshme, kontolli ndaj tyre do të vazhdojë edhe në të adhmen duke përcaktuar masa më të mira e të studiuara.



KRYETARI I DEGËS SË PUNËVE TE BRENDSHME

KADRI IBAJ





Shënim me dorë mbi dokumentin:

Shokut J Gjika

Të bisedojmë me shokët e Degës V çështja e TOp që nuk funksionon dhe të merren masa për kontrollin e saj. Të ndiqet në të gjitha rethe përgjijet e tel me 879 dhe 261.

30.12.83

firma   
 
Faksimile e heqjes së TO në 1991.

(Panorama, 22-23 nëntor 2016)


Saturday, November 19, 2016

Trump, Evropa, Shqipëria, Kosova

Deri ditën e zgjedhjeve amerikane, ndonëse parashikimet jepnin si fituese Hilary Clinton, prapë kishte tërhequr vëmendjen suksesi i një figure si Donald Trump. Megjithë gjuhën e tij, që binte ndesh me disa vlera që konsideroheshin të stabilizuara në shumicën e shoqërisë amerikane, ky kishte arritur të fitonte primaret në Partinë Republikane e rrezikonte edhe Clintonin? Shpjegimi më i besueshëm ishte se forca e tij nuk qëndronte edhe aq tek gjuha raciste, maçoiste, antiemigracion që përdorte për të tërhequr votën e një pjese të shoqërisë amerikane, por tek fakti se Clintoni përfaqëson sistemin, establishmentin, institucionet e korruptuara, vendimmarrja e të cilëve gjithnjë e më shumë diktohet nga interesat e oligarkisë amerikane; kurse Trumpi një “lëvizje” - siç e quajti ai fushatën e tij, për tu diferencuar nga Partia Republikane - që kërkonte shkatërrimin e këtij sistemi.
Ishte e vështirë të besoje se Trump mund të fitonte, duke patur parasysh se sistemi grumbulloi katër herë më shumë para se ai për të sponsorizuar fushatën e kundërshtares dhe se, në krah të Clintonit, u vunë thuajse të gjitha mediat e SHBA-ve. Fakti që ai fitoi tregoi se sëmundja e sistemit qenkësh shumë më e rëndë sesa mendohej. Ajo tregoi se jo vetëm elita politike amerikane, por edhe mediat edhe yjet e Hollivudit, duke qenë në një mënyrë apo një tjetër pjesë e sistemit, ishin shkëputur nga realiteti amerikan.
Pra, pa kompontenten e sulmit kundër sistemit një figurë si Trump zor se do të mund të fitonte.

Karakteristikat e sistemit
Pikërisht pse bëhet fjalë për goditje kundër “sistemit”, fitorja e Trumpit i ka kapërcyer kufijtë e SHBA-ve duke u krahasuar me ngjarje që kanë ndryshuar botën, si rënia e Murit të Berlinit apo 11 Shtatori. Duke komentuar fitoren e tij, kryetarja e partisë Fronti Nacional në Francë Marine Le Pain tha se kjo që ndodhi “Nuk është fundi i botës, por fundi i një bote.”
Po si do ta përkufizojmë këtë “botë që ra” sipas Le Pain, apo që ajo kërkon ta rrëzojë? Përkufizimi i kësaj bote mbështetet mbi dy fjalë kyçe rreth të cilave u ndërtua, pas Luftës së Ftohtë, ideologjia dominante e elitave perëndimore në pushtet: “neoliberizëm” dhe “globalizëm”. Me neoliberizëm duhet të kuptojmë njeriun e çliruar nga pesha e komunitetit apo shoqërisë apo kombit, që mendon e punon vetëm për suksesin e tij individual, të cilin, gjithnjë e më shumë, e mat me paratë që fiton. “Nuk ka shoqëri, ka vetëm individë.” – deklaronte Thatcheri, duke promovuar sistemin ku nëse çdokushi mendon e punon për vete, gjithshka shkon mirë edhe për të gjithë. Me globalizëm do të kuptojmë dobësimin e rëndësisë së shtetit komb për njeriun neoliberal, qoftë përsa i përket identitetit të tij kombëtar qoftë edhe, çka është më e rëndësishmja, aktivitetit të tij ekonomik. Mbi bazën e këtyre dy parimeve biznesmenë amerikanë (dhe jo vetëm) kanë transferuan bizneset e tyre nga SHBA në Kinë apo gjetkë për të rritur fitimet e tyre. Po mbi bazën e këtyre parimeve janë arritur (ose janë në përpjekje për arritje) traktatet e shkëmbimeve të lira tregëtare.

Kriza e sistemit
Problemi është se pas suksesit në vitet ’90 ky sistem filloi të njohë krizat e tij të thella. Rezultoi se ky liberalizmin pa rregulla e ky  globalizim pa shtet global fuqizoi dhe pasuroi gjithnjë e më shumë një pakicë, ku spikasin spekullantët financiarë të Wall Streetit e të bankave; dobësoi ekonominë prodhuese në favor të ekonomisë financiare, dhe varfëroi, për pasojë, gjithnjë e më tepër shumicën duke filluar që nga shtresat  mesme dhe poshtë. Nga ana tjetër pakicat e të pasuruarve nga ky sistem u bënë gjithnjë e më të rëndësishme  në vendimmarrjen e qeverive duke bërë që shumë kritikë të thonë se SHBA dhe Perëndimi kishin kaluar nga një sistem demokratik në një sistem post-demokratik ku politikanët ishin kthyer në menaxherë të oligarkëve.
***
Në zgjedhjet amerikane sistemi neoliberal - global u godit nga dy lëvizje politike; nga e majta nëpërmjet rivalit të Clintonit në primaret, socialistit Bernie Sanders, dhe nga e djathta, nëpërmjet rivalit të saj në presidenciale,  Trump. Sandersi e goditi në frymën e lëvizjes “Ocupy Wall Street”, duke e akuzuar për polarizim të theksuar, varfëri dhe pasiguri për 99%-shin e shoqërisë dhe duke e vënë theksin tek solidariteti, rishpërndarja më e drejtë në emër të barazisë, shtetit social. Trumpi e goditi nëpërmjet retorikash të djathta, duke premtuar ulje të taksave, proteksionizmin e shtetit komb, mbrojtjen ndaj emigracionit, si dhe duke evokuar vlera si ato të familjes, të fesë, deri supremacinë e racës së bardhë, që karakterizojnë të djathtën koservatore.
Ndërkaq, ndonëse Sandersi dallon shumë nga Trumpi përsa i përket kulturave që përfaqësojnë, duket se një pjesë e votuesve të tij ia dha votën Trumpit si mundësi për të goditur sistemin dhe për të hapur rrugën e ndryshimit. Më emblematike në këtë kuptim ishte fitorja e Trumpit në shtete si Pennsylvania apo Michigan, që kanë qenë historikisht demokratë sepse atje dominonte klasa punëtore e industrisë së makinave. Mirëpo, paradoksalisht, këta punëtorë u rreshtuan me Trumpin, i cili u premtoi proteksion nga globalizimi e nga emigracioni dhe ndëshkim të sistemit që i kishte rrënuar. Votën e tyre pro Trump regjizori i njohur amerikan Michael Moor e quajti “bomba molotov kundër sistemit që hodhën këta njerëz që kishin humbur gjithshka, përveç të drejtës që u garanton Kushtetuta Amerikane: atë të votës.” Këtë lloj qëndrimi pro Trump të një pjese të së majtës e shprehu edhe filozofi Slavoj Zhizhek, i cili, kur u pyet se për kë do të votonte, sikur të ishte amerikan, u përgjegj se do të votonte për Trump-in, jo pse ndante shumë nga idetë e tij të neveritshme, por sepse rreziku i vërtetë, sipas tij, ishte Clintoni - në kuptimin se me Trump-in mund të tubullohen ujrat që të dalë një zgjidhje, kurse me Clintonin do të kemi të njëjtën gjëndje, të njëjtin sistem, establishment.
Trumpi dhe projekti evropian
Nëse Trupi do të arrijë të ndryshojë sistemin, do të krijojë “turbullirën” për të “kthjelluar” pastaj daljen e një alternative, apo do t’i nënshtrohet sistemit, kjo mbetet për  tu parë. Më shumë gjasa ka të kemi një rezultante e cila, sot për sot, përmban shumë të panjohura. Por, që bota nuk do të jetë më ashtu siç ka qenë, kjo duket e sigurt. Dhe ajo që bije në sy është se në goditjen e “botës” apo “sistemit” neoliberist global, për fat të keq (ky është mendimi im)  sot për sot po ka më shumë sukses e djathta sesa e majta. Fitorja e Trumpit u ka bërë jehonë, duke i amplifikuar, lëvijeve politike të djathta nacionaliste si triumfi i Brexit në Britani, fuqizimi i Marine Le Pain në Francë, fuqizimit të së djathtës ekstreme në Austri, politikave të Urbanit në Hungari, të Kazinskit në Poloni, të Salvinit e pjesërisht të lëvizjes Pesë Yjet në Itali, referendumit në Holandë për dalje nga Evropa etj.
Shumë më pak sukses ka e majta evropiane antisistem që e denoncon Evropën e sistemit duke bërë thirrje për një Evropë të qytetarëve evropianë, të solidaritetit, që duhet të funksionojë më mirë sesa shteti komb social për qytetarin si përsa i përket mirëqënies edhe demokracisë. Qëndrimi ndaj kësaj të majte nga ana e sistemit u duk pikërisht në qëndrimin ndaj Greqisë.  Establishmenti evropian bëri gjithshka që Greqia t’i nënshtrohet sistemit duke rrezikuar që - nëse kemi parasysh se çfarë ndodhi në SHBA – votat antisistem të së majtës të shkojnë nesër tek e djathta në rritje.
Problemi më i madh që del përpara këtij reaksion zinxhir të mundshëm është prishja e projektit të Evropës së Bashkuar, një nga projektet më të bukur në historinë e njerëzimit, por që u keqpërdor nga oligarkitë evropiane dhe establishmentet e korruptuara të sistemit neoliberal global. Shtetet kombe, që kishin lëshuar një pjesë të sovranitetit të tyre në emër të një të mire mbinacionale, me shumë gjasa do ti rikthehen përsëri idesë së superioritetit të shtetit komb, duke kaluar në një gjendje që shpejt i është gjetur edhe mbiemri “hipersovraniteti”.
Efekti mbi Shqipërinë dhe Kosovën
Lidhur me efektin e këtyre zgjedhjeve në prishjen e projektit evropian do të thoja se, nëse ndodh një gjë e tillë, humbësit më të mëdhenj do të ishin vende si Shqipëria apo Kosova. Kjo për disa arsye:
Së pari, Shqipëria dhe Kosova nuk bëjnë pjesë në shtetet kombe të fuqishme, përkudrazi, janë shumë të dobët ekonomikisht dhe politikisht. Për faj të klasës politike që ka kërkuar legjitimitetin e vet tek establishmenti evropian dhe amerikan dhe jo tek puna për forcimin e shtetit të së drejtës dhe ndërtimin e një ekonomije të shëndoshë, ato mbijetojnë kryesisht në sajë të emigracionit dhe ndihmave evropiane që parashikon ky projekt. Në një Evropë ku çdo shtet kërkon të largojë e refuzojë emigracionin dhe të shikojë interesin e vet, Shqipëria dhe Kosova do të dobësoheshin sepse kanë shumë më pak fuqi se vende të tjera ballkanike për t’u mbështetur në këmbët e veta.
Së dyti, një Shqipëri dhe Kosovë pa projektin evropian do të ishin më të rrezikuara se vendet e tjera ballkanike edhe përsa i përket standarteve të lirisë e demokracisë së brendshme. Kritikat e vazhdueshme që kanë ardhur nga Brukseli, përsa i përket arritjes së standarteve demokratike apo goditjes së krimit të organizuar, kanë shërbyer, gjithsesi, si shina ku duhej të orientohej ecja e vendit. Ato kanë inkurajuar, sadokudo, opozitat e brendshme apo edhe atë pak shoqëri civile e media të besueshme për të qenë disi më aktivë. Me dështimin e projektit këto shina do zhduken. Idetë se establishmentet perëndimore kanë legjitimuar këtë sistem dhe këtë klasë politike të korruptuar dhe jo demokratike  prandaj më mirë të rrëzohen së bashku apo se, në kushte të mungesës së patericave evropiane, Shqipëria e Kosova mund të forcojnë këmbët e veta, kanë logjikën e tyre, por kanë edhe shumë pikëpyetje dhe pasigurira nga prapa.  Së pari, sepse nuk është e thënë që kasta jonë do të rrëzohej, në kushtet e braktisjes nga Perëndimi. Ndoshta do të favorizohej edhe më shumë, pasi ajo ka kapur vendin dhe mund të lidhej edhe më shumë me krimin e ogranizuar. Së dyti, sepse forcat e brendshme kundër kastës sonë duken shumë të brishta dhe nuk kanë ndonjë projekt jashtë evropian që njerëzit ta ndjekin me besim.
Së fundi, por e para nga rrezikshmëria, në mungesë të projektit përbashkues evropian, erërat nacionaliste ndarëse rrezikojnë shumë më tepër të ndezin zjarrin e konflikteve në rajon, ku Shqipëria dhe Kosova, ashtu siç ka ndodhur historikisht, kanë qenë dhe kanë mbetur në pozitat më të dobëta. (Panorama, 15 nentor 2016)

Saturday, November 12, 2016

Në vendin e gënjeshtrës e vërteta është një sëmundje - Kadare fabrikon te kaluarën; nuk e përndiqte Sigurimi

(Me kërkesë të Panoramës kam dhënë mendimin tim mbi librin e Kaloçit për Kadarenë, duke iu referuar përmendjes së deponimi tim ne hetuesi sipas te cilit im atë më paska thënë se Kadare “shkruante të vërtetën”; “nuk kishte frikë si të tjerët”)



Afro një vit pas Pleniumit IV unë jam arrestuar, vetë i katërt, sëbashku me babain, xhaxhain dhe burrin e hallës pasi Sigurimi, nëpërmjet agjentëve të tij, arriti të marrë informacion se në shtëpinë e xhaxhait gjendeshin të fshehura disa armë të babait (trofe të Luftës). Aty, gjatë kontrolleve, gjetën të fshehura edhe materiale të tim eti dhe shkrime të mijat: një antiroman, poezi dhe ditaret e pesë viteve universitet, që i kisha fshehur pasi kishin përmbajtje kundër regjimit. Gjatë kontrollit në shtëpinë time mu gjet edhe një letër kundër Enver Hoxhës, që ma kishte dërguar im atë nga Lezha, ku gjendej asokohe gjysmë i internuar.
U gjenda, pra, përballë këtyre fakteve që hetuesit i kishin të përforcuarae dhe me dëshmi të të arrestuarve e dënuarve më parë, me dëshmitarë nga jashtë e përgjime të teknikës operative që kishin kryer. Gjëja më e frikshme ishte kërcënimi lidhur me armët që donin të na i vishnin si përgatitje për të vrarë Enver Hoxhën d.m.th. terror. Janë situata, që, kush i ka provuar, e di mirë se ç’do të thonë. Hetuesia luante me ty si macja me miun pasi ti nuk dije as se ç’thonin të tjerët jashtë e brenda, ndërkohë që ata të kishin futur dhe spiunin e birucës në qeli. U përpoqa të mbroj veten duke mohuar akuzën për terror dhe, kur erdhi puna për të shpjeguar se pse kisha shkruar ato gjëra, si dhe pse im atë kishte shkruar një letër aq të rëndë kundër Enver Hoxhës, u përpoqa të reduktoja gjithçka në pakënaqësitë tona personale. Se të thoja të vërtetën që mendoja, se e keqja nuk ishim ne, por regjimi dhe Enver Hoxha, kjo ishte barazi me vetëvrasje dhe, për fat të mirë a të keq, më mungonte ky guxim.
Kur kam parasysh se edhe pa gjetur armë të fshehura e dokumente ku udhëheqësi cilësohej si “idiot”, shumë të arrestuar kanë pranuar akuza për agjenturë e komplote e terror, them se, me papërvojën që kisha, kemi shpëtuar mirë vetëm me akuzën për agjitacion e propagandë. Merita kryesore për këtë e pati im atë, i cili mohoi se armët ishin të tijat, mohoi se letra ishte për Enver Hoxhën, por ai kishte edhe më shumë përvojë, ishte edhe më trim.
***
E bukura në këtë histori është që Kaloçi dhe ata që promovojnë librin e tij, nuk nisen të kërkojë të vërtetën e këtyre dramave. As të evidentojë faktin (sado modest, por për t’u njohur) se në atë kohë paska pasur edhe të rinj që bënin letërsi sirtaresh kundër regjimit, që eksperimentonin forma të tjera nga socrealizmi; që nuk i ngrinin hymne partisë dhe shokut Enver, po shkruanin për varfërinë, mjerimin dhe udhëheqjen “idiote”; as se si regjimi i vriste në një mënyrë apo në një tjetër këta të rinj. Ata i (keq)përdorin  drama si kjo për t’i shërbyer gënjeshtrave të një shkrimtari të socrealizmit si Kadareja, i cili, edhe pse në vend të dënimeve dhe ridënimeve me burgje ka njohur vetëm promovime e privilegje e çmime, duke arritur deri të bëhet deputet dhe Zv/Kryetar i Frontit Demokratik, pretendon se na qenka persekutuar nga Enver Hoxha dhe Sigurimi.
Mirëpo, duke qenë se në vend se të kërkojë të vërtetën nëpërmjet fakteve e dokumenteve, autori i manipulon ato, duke i seleksionuar dhe deformuar e nxjerrë jashtë kontekstit, nuk i jep dot përgjigje një pyetje shumë të thjeshtë: ore, nëse Enver Hoxha e Sigurimi paskan qenë kundër Kadaresë, si shpjegohet që e kanë ngritur lart e më lart  në karrierë e privilegje?

***
Ka edhe një problem të madh etik tek këto dokumente  gjyqesh apo hetuesie që botohen kështu. Ato nuk janë shkruar nën vullnetin e lirë të atij të cilit i atribuohen, por nga hetuesit apo sekretarët duke zbardhur, në funksion të fajësimit, fjalët e një njeriu që është nën shtrëngim dhe torturë fizike dhe psikologjike. Dihet se në këto kushte njerëzit kanë arritur edhe të pohojnë gjëra të paqena, që i kanë çuar deri në pushkatim. Në këtë kuptim ato më së shumti janë dokumente që denoncojnë regjimin dhe veglat e tij shypëse. Dhe aq më pak ato mund të merren si dëshmi të vërtetash. Për shembull: sipas Kaloçit në dokument shkruhet se unë u paskam thënë hetuesve se im atë çmonte vetëm Kadarenë, pasi vetëm ai thoshte të vërtetën kurse të tjerët kishin frikë. E vërteta është që im atë në atë kohë çmonte Kadarenë, si më të talentuarin e shkrimtarëve dhe se e kishte mik, por kurrsesi nuk mund të thoshte se ky shkruante të  vërtetën. As unë s’mund ta sajoja këtë. Kjo është një fyerje për inteligjencën, edhe të hetuesve madje, pasi çdokush me dy pare mend ishte i vetëdijshëm se askush nuk guxonte të thoshte të vërtetën në atë kohë. Se përndryshe ç’kuptim kishte që unë shkruaja letërsi sirtarësh po qe se të vërtetën mund ta shkruaje si Kadareja? Prandaj nëse dokumenti thotë vërtet kështu, atëhere fjala ime është zbardhur në mënyrë të deformuar. Dhe gjëra të tilla duhen pasur parasysh kur kërkojmë të kuptojmë të vërtetën e asaj kohe nëpërmjet dokumenteve të Sigurimit. Jo më kot në Gjermani, krahas arkivit të STAZ-it, sot ka edhe një arkiv tjetër ku njerëzit që figurojnë në dosjet e STAZ-it janë ftuar të dëshmojnë të vërtetën e tyre.  Prandaj dhe Adam Michniku ka thënë se “ne (disidentët polakë F.L.) nuk mund të gjykohemi nga dokumentet që kanë bërë persekutorët tanë për ne.”
Në fakt, e vërteta e asaj kohe është se Kadarenë nuk e ka përndjekur Sigurimi dhe se as që më kanë pyetur me këtë qëllim. Çështja nëse do të dënohej apo jo Kadareja si këlysh i Fadil Paçramin dhe Todi Lubonjën (siç thuhej asokohe për disa) - duke u ditur që ky ishte benjamin i tyre - ishte zgjidhur që para Pleniumit IV, një vit e ca më parë. Në pranverë 1973, kur filluan disa kritika për “Dimrin e madh”, Nexhmija i bëri një vizitë në shtëpi dhe më pas Enver Hoxha e lavdëroi librin në Elbasan. Pas kësaj Kadareja u fut në korin e atyre që godisnin liberalët dhe jo në listën e atyre që po goditeshin, sepse këtyre iu hoq edhe e drejta e botimit, kurse ky shkruante e botonte rregullisht. Këto unë i kam ditur, sikurse kam ditur, nga im atë, se Kadareja nuk do të prekej pasi, që para botimit, “Dimri” kishte kaluar kapitull më kapitull tek Enver Hoxha nëpërmjet Ramis Alisë dhe ky e kishte pëlqyer. Prandaj thënia ime mund të jetë si përgjigje e pyetjes se cilët shkrimtarë vlerësonte im atë. Ndërsa po të doja vazhdoja të thoja të vërtetat që dija për Kadarenë në atë kohë unë mund të thoja shumë gjëra, pasi ai dhe e shoqja ishin miq të familjes dhe kam qenë i pranishëm në shumë biseda ku shprehnin edhe pakënaqësi për gjendjen e vendit dhe atë të letërsisë dhe arteve. Psh. mund të thoja se ai kishte dijeni për letërsinë e sirtarëve që shkruaja unë dhe se disa nga shkrimet e mija, që u kapën, ai i kishte lexuar; apo se im atë i thoshte vazhdimisht me humor: “Kështu si je bërë ti Ismail, po të të fusin në një thes dhe të të hedhin nga kati i pestë, do të biesh në këmbë.” Por as ata s’më kanë pyetur dhe as mua nuk më ka shkuar ndërmend një gjë e tillë.
***
Sipas mendimit tim ky libër, njëlloj si ai ku Kadare, për funksion të jashtëm, ka kthyer kokëposhtë historinë e poemës “Pashallarët e Kuq”, është një zgjedhje selektive dokumentesh, sipas kulturës që e kam quajtur të “manipulim simulimit”. Në këtë libër nuk kërkohet e vërteta, por i shërbehet hallit të madh të Kadaresë për të fabrikuar një të vërtetë tjetër të jetës e veprës së tij. Mirëpo këto fabrikime demaskohen më së pari nga vetë librat e tij, karriera e tij gjithnjë në ngritje gjatë regjimit, publicistika e  tij. Këto janë dokumente shumë më të rëndësishme sesa disa spiunime pa qeder që paska pësuar ky nga kolegët, qoftë për të bërë historinë e asaj kohe, qoftë për të kuptuar dritëhijet e figurës së tij. Psh., bash në atë kohë, pak muaj para arrestimit tonë, në 13 janar të vitit 1974, ai shkruante në Zërin e Popullit artikullin “Realizmi socialist - arti i madh i revolucionit”. Aty, pasi sulmon Biblën dhe Kuranin, e më pas shkrimtarë të mëdhenj të shekullit XX si Xhojs, Kamy, Myzil, Beket, u vërsulet edhe ish miqve dhe mbrojtësve të tij, tani armiq të partisë në prag të burgut, Todi Lubonja dhe Fadil Paçrami: “Nuk është rastësi që pseudoshkrimtari dhe armiku i partisë Fadil Paçrami i linte të mbushura pseudodramat e tij me hije dhe jo me njerëz. Nuk është e rastit që ai, së bashku me T. Lubonjën, ishin kundërshtarë të tërbuar të karakterit kombëtar në artet tona. Në poezi F. Paçrami urrente figurën e baballarëve, në skulpturë figurën e nënës, në prozë përbuzte plakat shamizeza. Ai tmerrohej nga figura e Skënderbeut më keq se një pasha turk. Pra, ai nuk duronte dot asgjë që kishte lidhje me themelet e popullit e të kombit. Nga kjo pikëpamje ai të kujtonte ata pseudodijetarë të Ishullit të Liliputëve për të cilët Suifti tregon se kërkonin të shpiknin një metodë për të filluar ndërtimin e shtëpive nga çatia. Djathtizmi i T. Lubonjës e F. Paçramit, kozmopolitizmi, urrejtja për folklorin dhe antishqiptarizmi i tyre, treguan se lufta e klasave në terrenin e letërsisë dhe të arteve është e gjallë dhe do të jetë e tillë për një kohë shumë të gjatë.”

A mendonte vërtet kështu? Sigurisht që jo. I duhej të shkruante kështu për të mbijetuar, për të vazhduar karrierën. Ja pse nuk e përndiqte regjimi. E ç’ndryshim ka ky dokument nga ata 101 që denoncon nëpërmjet Kaloçit, në mos qoftë më i rëndë, qoftë edhe për peshën që kishte fjala e tij? Por, përtej personales, fakti që shkrimtari më i njohur i vendit, edhe botërisht, shkruante kështu, pa qenë as në hetuesi as në kërcënim jete, por i lirë, flet shumë për atë se si ajo kohë deformonte personalitetet e njerëzve. Sot në vend se t’i analizojmë këto raporte dramatike të njeriut me pushtetin, me synimin që ato të mos përsëriten më, (siç po ndodh edhe sot nën diktatin e pushtetit të ri që Kadare s’ka guxuar ta denoncojë një herë), ne vazhdojmë me kulturën e vjetër të manipulimit të njerëzve me gënjeshtra dhe simulimin e heronjve të paqenë. Kështu kemi ardhur përsëri në një gjendje kur të gjithë e dinë të vërtetën, por askush nuk guxon ta thotë, pasi sundon gënjeshtra e atij që ka pushtetin dhe paranë. Aq e neveritshme është bërë kjo gjendja në jetën tonë, sa të vjen në mend ajo thënia e Gianni Rodarit: “Në vendin e gënjeshtrës, e vërteta është një sëmundje.” (Panorama, 10 nentor 2016)

Partitë si pjesë dhe sherri Shqipëri – Kosovë

Vizita e Ramës në Serbi ka ngritur një sherr midis Kosovës dhe Shqipërisë, të paprovuar deri më sot në historinë dypalëshe. Reagimi i parë ishte ai i politikanëve dhe intelektualëve kosovarë (ku spikati deklarata e Ministrit të Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj) se Shqipëria nuk mund të përfaqësojë Kosovën në Beograd, sikurse ka vepruar Rama. Nga Tirana, në vend të një analize nëse është e vërtetë se ka ndodhur kështu, dhe a duhet të ndodhte kështu, u hodhën sulme ndaj kosovarëve ku dominoi akuza se këta duan një Kosovë më vetë, jo të bashkuar me Shqipërinë? Të dy palët hodhën benzinë pa ngurrim në një zjarr të kryqëzuar dhe shumë kontradiktor. Cilët janë shkaqet më të thella të këtij sherri? Thënia e Oscar Wilde-it se e vërteta nuk është kurrë e pastër dhe asnjëherë e thjeshtë i shkon shumë të vërtetës së shkakut të kësaj situate. Po përpiqem megjithatë të jap një këndvështrim.
***
Në thelbin e sherrit mendoj se qëndron fakti se ne vazhdojmë të vuajmë kontradiktën midis kulturës së trashëguar totalitare të partisë-shtet dhe sistemit demokratik që kemi instaluar, që i ka ndarë shoqëritë tona në shumë parti. Vetë koncepti “parti” në demokraci nënkupton një pjesë, kurse, sipas kulturës totalitare të trashëguar, partia/pjesa, paradoksalisht, përfaqëson të tërën.  Sherri, pra, erdhi si pasojë e rrekjes së Ramës për të përfaqësuar në Beograd të tërën, ndërkohë që është një pjesë, që, për shkak të mendësisë totalitare, nuk e ka vetëdijen se është pjesë. Por edhe për shkakun se pjesët që e kundërsulmuan përdorën të njëjtën gjuhë. Por s’mund të mohoet se ai është kryeprotagonisti i sherrit.
Në shkrimin “Gjuha e trefishtë e Edi Ramës dhe flamuri si cohë toreadori” (Panorama, 6 prill 2015) kam komentuar paradën me shqiponjë dhe bashkim kombëtar që bëri Rama në Pallatin e Kongreseve me rastin e takimit të dy qeverive. Mes të tjerash aty kam konstatuar faktin se gjuhës së dyfishtë - nacionaliste për konsum të brendshëm dhe evropianiste për konsum të jashtëm - kryeministri i ka shtuar, së fundi, edhe një gjuhë të tretë: atë për kosovarët, duke u paraqitur edhe si babai, mbrojtësi apo përfaqësuesi i kosovarëve. Tek thellimi i kësaj tendence delirante duhet kërkuar rrënja kryesore e sherrit. Por pa harruar se në ato fillime, që pasuan edhe ndeshjen e futbollit në Beograd, Rama nuk u sulmua kështu nga kosovarët, përkundrazi u duartrokit. Pse kësaj here prodhoi këtë reagim? Së pari, sepse vjet e parvjet Rama ka përdorur shumë më tepër një gjuhë antiserbe, nacionaliste të bashkimit, duke venë në fasadën e Kryeministrisë edhe flamurin e Shqipërisë së madhe që valëviti droni në Beograd, e cila ka shumë më pak kundërshtarë në Shqipëri dhe Kosovë,  kurse sivjet përdori gjuhën evropianiste,   për nevojën e dialogut, paqes e bashkëpunimit me serbët. Së dyti, sepse kësaj here i injoroi thuajse plotësisht liderët kosovarë në tentativën e tij për t’u paraqitur si baba i tërë shqiptarëve të Ballkanit.

Në fakt, nëse ka politikan që harron se është pjesë dhe pretendon se është e tëra, që qëndrimin që i duhet për momentin e paraqit, me arrogancë madje, si qëndrim i së tërës, ky është Edi Rama. Në këtë aspekt ia kalon edhe Berishës i cili, p.sh., ka qenë gjithnjë i kujdesshëm që liderve kosovarë t’u linte hisen e tyre të pushtetit. Ndërsa Rama, vini re, shkoi në Beograd jo vetëm si përfaqësues i shqiptarëve edhe i kosovarëve, jo vetëm i (shumë) nacionalistëve edhe i (pak) kozmopolitëve, jo vetëm i atyre (shumë) që janë për bashkim kombëtar edhe të atyre (më pak) që janë për një Kosovë të mëvetëshme, por edhe si përfaqësuesi i gazetarëve dhe intelektualëve kritikë shqiptarë. Libri i tij “Kurbani”, do t’i “prezantojë publikut serb ngjarjet kulturore, politike dhe sociale në Shqipëri” (tha botuesi i tij Veran Matiç), “vizionin e tij të transformimit demokratik dhe modernizimit përballë vizionit autoritar të rivalit të tij Sali Berisha.” (është shprehur Shkëlzen Maliqi për Danas).
Edhe në regjimet komuniste zor se do të ecte, pa kërcitur keqas, kjo karrocë e mbingarkuar, jo më sot. Prandaj, ashtu siç kërciti në veshët e gazetarëve pretendimi i informimit të serbëve për realitetin shqiptar nëpërmjet “Kurbanit” ashtu dhe kërciti në veshët e politikanëve kosovarë pretendimi i tij për të bërë shiun edhe diellin e Kosovës, nacionalistin antiserb dje dhe evropianistin që citon Andriçin sot.
***
Me këtë nuk dua të them se kryeministri duhet të shkonte në Beograd si kryetar partie/pjese; as se duhet të fliste me gjuhën nacionaliste me të cilën iu drejtua Vuçiçit para dy vjetësh. Dua të them se duhet të shkonte me një qëndrim koherent dhe, mbi të gjitha, si politikan i një shteti demokratik. Me koherencë kuptoj përdorimin e një gjuhe të vetme si për shqiptarët e Shqipërisë, si për të huajt si për kosovarët. Me “demokratik” kuptoj gjuhën e kryeministrit të një vendi demokratik dhe jo autokratik, çka do të thotë të një kryeministri që e ka vetëdijen se ka dalë nga një force politike që është pjesë, dhe se në vendin e tij ka pjesë të tjera që nuk do të flisnin njëlloj si ai po të takoheshin me një kryeministër të huaj. Vetëdije që do të duhej t’ia kushtëzonte gjuhën, mënyrën e tij të të shprehurit ashtu që, edhe pa prezencën e tyre, këto pjesë të kishin zë në Beograd. Kurse ai duket sheshit se nuk e ka këtë vetëdije. Ai foli me një gjuhë absolutiste dhe të kundërt me gjuhën që ka përdorur para dy vjetësh po vetë, jo vetëm në emër të të gjithë shqiptarëve të Shqipërisë, por edhe në emër të shqiptarëve që kanë qeveri tjetër, histori tjetër me Serbinë, që kanë parti me qasje të ndryshme brenda vet, siç është Kosova.

***
Dhe këtu dalim tek problemi i kulturës politike totalitare që kemi trashëguar dhe nevojës për ta ndryshuar atë, nëse duam të jetojmë në demokraci.
Në realitetin tonë, si në Shqipëri dhe në Kosovë, nuk mund të mos konstatosh grupe njerëzish me prirje më nacionaliste apo më evropianiste, që janë për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën apo për dy shtete, më antiserbe apo më të hapur për dialog me serbët, që janë më evrocentrike apo më evroskeptikë, më të djathtë përsa u përket politikave ekonomike apo më të majtë, më konservatorë përsa i përket moralit apo më progresistë, me frymë fetare apo me frymë laike. Disa syresh më afër ekstremeve dhe të tjerë më të moderuar. Ndërkaq, ajo që ndodh për shkak të trashëgimisë totalitare është prirja e partive ekzistuese për t’i përfaqësuar vetë të tëra këto prirje që ekzistojnë në shoqëri, në funksion të një pushteti gjithëpërfshirës e gjithëpërfaqësues. Si rrjedhojë, këto parti sillen edhe si përjashtuese të të tjerëve. Pikërisht prej kësaj kulture tek ne vazhdon të mbisundojë koncepti i fitores mbi tjetrin, i shuplakave që i japim tjetrit. Kjo kulturë i bën politikanët tanë të flasin në emër të të gjithëve me arrognacë sepse të mundurit për ta nuk kanë gojë. (Prandaj Rama përdori të njëjtën gjuhë edhe kur tentoi të miklojë shqiptarët duke u thënë se  ne e kemi fituar kundër Serbisë). E pra, në një shoqëri demokratike partitë dhe politikanët duhet të ndahen nga kjo kulturë. Partitë tona duhet të sillen si përfaqësuese të pjesëve, si shprehëse të vizioneve dhe interesave të tyre, duke dialoguar me njëra tjetrën në një proces pa fund që çon drejt përmirësimit të jetës shpirtërore dhe materiale të të gjithëve. E sipas këtij koncepti në demokraci nuk mund të ketë humbës dhe fitues, por një pjesë që, falë zgjedhjeve, merr detyrën që të qeverisë në emër të interesave të të gjithëve dhe që, për ta bërë sa më mirë këtë punë, ka nevojë për dialogun dhe konfrontimin e vazhdueshëm me pjesët e tjera, për kritikën e oponencën e tyre ashtu sikurse ka nevojë edhe për mediet e lira, shoqërinë civile. Dhe jo ta konceptojnë demokracinë si një ditë të vetme zgjedhjesh pas të cilës fituesi merr gjithshka dhe humbësi del nga skena e vendimmarrjes.

Po nuk hyri kjo kulturë politike në Shqipëri e Kosovë do të vazhdojmë të shohim parti/pjesë që, duke u sjellur sikur përfaqësojnë të tërën dhe të vërtetën e vetme, do të përdorin çdo mjet për të asgjësuar pjesët e tjera me pasojat tragjike që po shohim përditë. (Panorama, 18 tetor 2016)