Emërimet kohët e fundit në dy poste tejet të rëndësishme si ai i Minstrit të Drejtësisë dhe ai i Prokurorit të Përgjithshëm të dy individëve me moshë të re nuk mund të mos ngrenë, ndër pikëpyetjet e shumta, edhe një pikëyetje që sillet në ajër në shoqërinë shqiptare pa u ulur asnjëherë në tryezat e analizës ashtu siç meriton. Të rinj apo të vjetër i duhen Shqipërisë në krye të vendit? Dilemë kjo universale, që mbetet e hapur gjithandej.
Nëse do të flasim përgjithësisht lidhur me dallimin midis të rinjve dhe të vjetërve nuk mund të mos veçojmë disa nga karakteristikat kryesore pozitive të të rinjve dhe të të vjetërve. Ndër to për të rinjtë do të theksonim energjinë dhe entuziazmin më të madh, aftësinë për të kapur të renë po ashtu, por edhe idealizmin e guximin më të madh për të ndryshuar gjërat e për të sakrifikuar për të tjerët sëbashku me kritikën më të fortë ndaj një realiteti dhe ndjerjen e nevojës për ta ndryshuar atë. Nëse do të flasim për anët pozitive të të moshuarve do të veçonim përvojën dhe urtësinë më të madhe, përgjegjshmërinë më të madhe, maturinë dhe tolerancën më të madhe. Po t'u kthehemi anëve negative, kur flasim për të rinjtë, do të veçonim si rreziqe më të mëdha egoizmin e patemperuar nga përvoja, papërgjegjshmërinë dhe fanatizmin, aventurizmit ashtu sikurse edhe rrezikun e manipulimin më lehtë apo edhe mungesën sa duhet të profesionalizmit. Kurse tek më të moshuarit do të mund të flitej negativisht duke përmendur mefshtësinë më të madhe, prirjen për të tuajtur statukonë, kompromisin shumë më të madhe me të keqen, konformizmin, rezistencë ndaj të resë.
Që t'i japësh një përgjigje sadokudo të saktë kësaj dileme them se ajo duhet shtruar në kontekstin historik e kulturor për të cilin bëhet fjalë. Sepse i thua gjithë ato që përmenda më sipër dhe përsëri të duket sikur nuk ke thënë asgjë lidhur me kontekstin në fjalë. Tek e fundit, përtej një përgjigjeje të përgjithshme se idealja është kombinimi i energjisë së rinisë me përvojën dhe maturinë e të vjetërve, pyetja shtrohet nëse ishte më mirë që u zgjodhën dy të rinj apo më keq, pavarësisht nga karakteristikat e tyre individuale që mund t'i bëjnë më të mirë ose më të këqinj se individë të tjerë të moshave të tyre apo të moshave të tjera. Për të tentuar t'i japësh një përgjigje sadokudo kësaj dileme them se duhet t'i referohemi përvojës sonë. Çfarë ka ndodhur në Shqipëri me të rinjtë dhe me të vjetrit në pushtet? Nëse do t'i referohemi historisë sonë të pas luftës së Dytë nuk mund të mos vemë re se pushtetin në Shqipëri e morën të rinjtë, Komunistë ishin shumica të tillë. Edhe Hoxha nuk ishte më shumë se 36 vjeç. Regjimi që ndërtuan ata me egërsinë, fanatizmin dhe aventurizmin e tij, por edhe me papërgjegjshmërinë e tij ndaj fateve të vendit e të të tjerëve, nuk mund të mos të të bëjë të mendosh se këto vinin edhe nga fakti se ata ishin të rinj, nuk kishin as pjekurinë as përgjegjshmërinë e të moshuarve dhe në këtë aspekt mund të thuhet se ata shfaqën karakteristikat më të këqia të të riut të përmendura në krye të këtij shkrimi. Ajo çka mund të vihet re gjithashtu tek ajo përvojë është se, në vazhdim, këta të rinj u bën të vjetër, por ndërkaq pushteti nuk i poqi, por i shkatërroi edhe më keq. Ata u zhytën nga krimi në krim, vranë shoqi shoqin, shkatërruan dhe nështruan brezat e bijve e sëbashku me to edhe vendin derisa u plakën. Përvoja e tyre tregon se të rinjtë kur janë të paformuar dhe u jepen role të rëndësishme pushteti në dorë ata mund të thellojnë të keqen me aventurizmin dhe papërgjegjmërinë e tyre. Përvoja e tyre të bën të mendosh se një individ kur të marrë përgjegjësi për jetët e të tjerëve, siç është rasti i politikanve, por jo vetëm, duhet të ketë një nivel të lartë diturie, pjekurie dhe përgjegjshmërie, përndryshe bëhet i rrezikshëm. Po të vesh re historitë e thuajse të gjitha diktaturave të shekullit të XX do të vesh re se protagonistët e tyre në fillesë kanë qenë të gjithë të rinj. Por nuk mund të mos vemë re gjithashtu se në thelbin e precesit që ndodhi në Shqipëri gjatë komunizmit kemi ripërsëritjen e një modeli shoqëror autoritarist, paternalist sadomasokist ku raporti at bir është fortësisht edipian. Biri është i detyruar t'i nënshtrohet autoritetit të atit, por, kur e merr pushtetin, sillet si i ati duke shkarkuar mbi të tjerët (ose edhe mbi vetë atin e rrëzuar nga pushteti) frustrimet e një raporti poshtërues që ka pësuar gjatë nënshtrimit të tij. Por le të hidhemi në përvojën e tranzicionot shqiptar. Sot brezi i të rinjve të shtypur nga etërit komunistë janë të vjetrit kurse kemi një brez të rinjsh që synon t'u zerë vendin ose që thirret nga të vjetrit në detyra kaq të rëndësishme. Ajo çka është vënë re në tërësi ka qenë vazhdimi i modelit autoritarist i raportit të vjetër - të rinj që kemi parë gjatë komunizmit. Në partinë demokratike mbizotëron modeli i nënshtrimit të brezit të ri ndaj brezi i vjetër, ku spikat veçanërisht figura e Sali Berishës që ka mbetur figura e patriarkut të paprekshëm e të pakundërshtueshëm për 16 vjet. Në PS, ku autoriteti i atit ka qenë më i dobët (kam parasysh Ramis Alinë dhe pastaj Fatos Nanon) kemi fenomenin e të rinjve që kërkojnë të marrin pushtetin e atit pa vdekur ai, por që, kur e marrin pushtetin, sillen si ai, në mos më keq. Shembujt më tipikë janë Ilir Meta dhe Edi Rama të cilët ndonëse të rinj, në pushtet kanë shfaqur tipare të thekusuara autoritariste. Pra, përsa i përket atij që mund të quhet proces demokratizimi i politikës sonë, jemi ende në atë strukturë autoritare sadomasokiste paternaliste ku të rinjtë i nënshtrohen më të vjetërve që janë më të pushtetshm ose që, kur marrin pushtetin, sillen si të vjetrit. Megjithatë kur flitet për dallim midis të rinjve dhe të vjetërve nuk mund të mos shtrohet edhe çështja se çfarë përfaqësojnë ata si pasojë e edukimit në kohë të ndryshme dhe e jetës në kohë të ndryshme. Nëse do të marrim në analizë brezin e moshave në harkun që do të përfshinte moshat që nga ajo e Topit dhe Nanos deri tek ajo e Berishës do të thoja se karakteristikë e tyre e përbashkët është vula e fortë që ka lënë e kaluara në komunizëm në formimin e tyre. Ishte një kohë që këtyre u mësoi jetën e dyfishtë, marrëdhëniet e pasinqerta, demagogjinë, mungesën e idealit dhe të koherencës. Futja në politikë e këtij brezi ka pasur një aspekt të dyfishtë. Ajo edhe shprehte nevojën për t'u çliruar nga prangat që u kishte vënë diktatura por qe edhe e mbarsur me të gjitha difektet që u kishte formuar ajo. Ndërkaq brezi i ri që u rrit në tranzicion ka më shumë vulën e këtij tranzicioni sesa të së kaluarës komuniste. "Vlerat' që u ka përçuar atyre ky tranzicion janë ato të individualizmit ekstrem, kulti i pasurimit të shpejtë, mungesa e çdo ideali tjetër përveç atij të krijimit të mirëqënies personale, përdorimi i çdo mjeti për arritjen e këtyre "vlerave". Edhe futja e tyre në politikë ka qenë si një nga mënyrat për arritjen e këtyre "vlerave". Do të thoja se në shërbim të këtyre arritjeve kanë vënë edhe disa aftësi më të mëdha që u ka dhënë disave prej tyre mundësita për tu shkolluar apo për t’u specializuar jashtë shtetit ndonëse në këtë aspekt, në tërësi, mbetet e dyshimtë nëse kemi të bëjmë me një brez më të arsimuar apo më pak të arsimuar sesa ai i të vjetërve. Në tërësinë e vet mund të thuhet se Shqippëria gjatë kësaj periudhe është udhëhequr nga të rinj dhe të vjetër që kanë shfaqur anët më negative të të rinjve dhe të të vjetërve të përmendura në krye të këtij shkrimi. Duke patur parasysh gjithë çka thashë më sipër, pa pretenduar assesi të ezauroj një çështje kaq të gjerë dhe komplekse, lidhur me emërimit të dy të rinjve në poste kaq të rëndësishme si ai i Ministrit të Drejtësis dhe i Kryeprokurorit të Përgjithshëm do të thoja se këta dy individë kanë shumë rrezik të përfaqësojnë dy të këqija karakteristike të kontekstit historik shqiptar: atë të nështrimit ndaj autoritetit më të lartë që i ka emëruar si dhe, sëbashku me këtë, atë të vendosjes së interesit personal mbi detyrën ndaj publikut dhe mbi ligjin.
E përsëris, ky është një reflektimi i pambështetur asfare në njohjen e dy individëve në fjalë. Por është i mbështetur fortësisht në faktin se në shoqërinë shqiptare ende nuk po duket një brez i ri që të konfliktuojë me etërit jo për t’u bëri si ata, por pikërisht për të ndryshuar modelin e tyre. (Korrieri, 25 Nentor 2007)
Tuesday, November 27, 2007
Të rinj apo të vjetër
Thursday, November 22, 2007
Mbi dorëheqjen e Rusmailit
Dorëheqja e Rusmailit është komentuar mjaft në shtypin shqiptar. Ajo çka bije në sy është se komentet përqendrohen në dy plane të ndryshme në mos të kundërt. Një pjesë e konsiderojnë aktin e ish ministrit të Drejtësisë si një shembull moral, si vendosjen e një standarti të ri e të lartë moral për ata që merren me politikë. Kurse një pjesë tjetër nuk gjejnë atje ndonjë akt moral, përkundrazi e konsiderojnë si shprehjen e një konflikti mdis grupesh të ndryshme në PD ku disa dallojnë atë të Berishës përballë atij të Topit kurse të tjerë shtojnë edhe një grupim të Jozefina Topallit. Më depërtonjësi ishte shkrimi i Mero Bazes në Tema i cili njëherësh e shpjegon dorëheqjen e ministrit si një akt të moralshnëm të individit ministër Rusmali, por pa harruar të sqarojë se kjo dorëheqje ishte një punë e imponuar, pasi drejtori i burgjeve që u bë shkak i grindjes, Shehri, ishte një njeri me mbështetje të fortë në klanet e PD. Duke akuzuar direkt Presidentin Topi dhe kryeminstrin Berisha për dorëheqjen e Rusmailit, Baze, i cili është njeri që i njeh mirë punët e PD-së, e konsideron këtë dorëheqje si një hap që hedh korrupsioni në kapjen e mëtejshme të PD-së e të pushtetit të saj. E të duket sikur e konfirmon edhe Rusmaili, i cili, në konferencën e tij për shtyp, deklaroi hapur se në konfliktin me drejtorin i ka munguar mbështetja e kryeministrit dhe, çka është më e keqja, ai akuzoi thuajse direkt kryeministrin se ka mbyllur sytë ndaj pazareve të lirimit të burgosurve të rrezikshëmn që ka bërë drejtori, në këmbim rryshfetesh.
Më duket humbje kohe ta komentojmë aktin e Rusmailit si një shembull moral për klasën poltike shqiptare. Duke patur parasysh kontekstin e moralit të politikanëve shqiptarë në tërësi ky i Rusmailit, edhe sikur të jetë një akt i pastër moral, i një njeriu që sapo e pa veten të akuzuar dha dorëheqjen për t'i hapur rrugën drejtësisë, do të thoja se bën një përjashtim që përforcon rregullin në politikën shqiptare dhe kaq. Madje në këtë kontekst do të thoja gjithashtu se ndoshta e tillë mund të konsiderohet edhe ndërhyrja e vëllait të Rusmailit tek dretori i Burgjeve, e cila, ndonëse e dënueshme, me taktin dhe rezervimin me të cilin është bërë, siç del nga zbardhja e përgjimit, në raport me ç'na kanë parë sytë dhe na kanë dëgjuar veshët gjatë këtyre viteve duket si një muzikë e ëmbël. Po t'u jepej ai regjistrim atyre që e klasifikuan Shqipërnë në vendin e 105 në botë përsa i përket klasifikimit në perceptimin e korrupsionit, dhe do t'u thuhej se për këtë i vëllai i personit të inçizuar, ministri i drejtësisë, ka dhënë doroheqjen, rrezik se do të na hiqnin nga ai vend dhe do të na fusnin në vendet ku korrupsioni është duke u fshirë si plagë. Sipas meje është më i besueshëm varianti se dorëheqja ka qenë e imponuar direkt ose indirekt nga lufta e klaneve në PD dhe pa dyshim drejtori i burgjeve Shehri nuk mund të mos shihet si njeri me mbështetje të fortë në klanet e PD që u përdor në këtë luftë kurse Rusmaili një njeri që u elimnua në këtë luftë. Ajo ku dua ta përqendroj komentin mbi këtë ngjarje është pikërisht çështja e këtyre grupimeve. Dmth çfarë po ndodh në PD - ngrihet pyetja. Ajo çka bije në sy më së pari është se gjithshka po zhvillohet pa transparencë, nën rrogoz. Dhe kjo nuk mund të shpjegohet vetëm me ndrojen ndaj autoritetit ende të padiskutueshëm të Berishës në atë parti. Është e qartë tashmë se autoriteti i Berishës nuk është absolut tek mazhoranca as tek PD-ja, pasi ai, për të ruajtur pushtetin e tij në atë parti, i është dashur të bëjë lëshime të shumta ndaj grupimesh të ndryshme që nuk janë tërësisht nën kontrollin e tij. Çështja është se çfarë përfaqësojnë ato grupime që nuk identifikohen thjeshtë me Berishës dhe çfarë përfaqësojnë ata që identifikohen me Berishën dhe ç'kuptim ka lufta e tyre? Sepse nuk ka asgjë të keqe, madje do të ishte shumë punë e mirë, që në një parti të kishte grupe të ndryshme me ide të ndryshme që debatojnë e polemizojnë me njëri tjetrin në emër të forcimit të partisë dhe të qeverisjes së saj. Pra, kur bëhet fjala për të ashtuquajturit grupe kundërshtare ndaj Berishës pyetjet që mund të ngrihen janë: A është fjala për grupime që kërkojnë të demokratizohet më shumë PD-ja sepse ka mbetur shumë nën një dorë të vetme, atë të Berishës, duke mpakur energjitë krijuese të kësaj partie. A është fjala për grupime që kanë mendime të ndryshme për shumçka që nuk shkon si duhet të shkonte në PD dhe në qeverisjen e saj? A është fjala për grupime që edhe ideologjikisht kanë vizione disi të ndryshme? Ndërsa kur bëhet fjalë për grupin më afër Berishës përsëri shtrohet pyetja: çfarë përfaqëson ai në raport me këta grupime kundërshtare? Diçka më pozitive apo më negative, më të pastër apo më të pisët? Këto pyetje vlejnë edhe nëse bëhet fjalë për dy apo tre grupime që kanë rivalitet me njëri tjetrin e që luftojnë të fitojnë aleancën e Berishës, i cili gjithsesi qëndron përmbi ta më shumë si faktor bashkues dhe arbitrues sesa ndarës? Mungesa e transparencës ndaj këtyre pyetjeve të le të mendosh se kemi larg atyre zhvillimeve që mund të quehshin pozitive në PD. Më shumë gjasa ka se kemi të bëjmë thjeshtë me klane që kuftojnë me njëri tjetrin për atë se kush do të hajë apo kush po ha më shumë në tortën e shtruar të pushtetit? Për militantë të kënaqur dhe të pakënaqur? Për biznese të lidhur me militantë të kënaqur dhe biznese të pakënaqur? Pra thjeshtë me një histori të përsëritur e stërpërsëritur këto 17 vjet me këtë klasë politike sa majtas edhe djathtas. E në këto kushte dorëheqja e Rusmailit nuk entuziazmon njeri si akt moral që rrit standartet e politikës, përkundrazi dëshpëron e shton zhgënjimin tek politika. (Korrieri, 17 nëntor 2007)
Wednesday, November 14, 2007
Çështja pas Sollaku
Që Sollaku nuk mund ta kishte të gjatë, pas zgjedhjes së Topit president, këtë e kanë pasur të qartë edhe ai edhe socialistët vetë. Tërë ajo betejë për presidentin, u tha që në krye të herës, ishte betejë për kryeprokurorin. Çështja tashmë éshtë çfarë do të ndodhë pas Sollakut. Dhe, për të kuptuar se kjo nuk është një çështje ashtu dhe aq e lehtë, përkundrazi mjaft e komplikuar, mjafton të ngresh pyetjen: cili është ai bir nëne që do të pranojë të zerë vendin e Sollakut? Dikush mund ta ironizojë këtë pyetje si naive duke treguar se, që tani, është bërë pafundësisht e gjatë rradha për kryeprokror tek dera e Topit dhe Berishës. Ka madje nga ata që thonë se njerëzit paguajnë qimet e kokës që të bëhen kryeprokuror; ka të tjerë që të flasin për grupe të caktuara interesi të gatshëm të paguajnë edhe ata shuma të mëdha, sepse ky është një nga bizneset më fitimprurëse. Ka mundësi që të ketë një rradhë të gjatë kësisoj, në gjuajtje të karrikes së Sollakut, por, kur e ngrita pyetjen, e kisha fjalën për një tjetër rradhë, që më duket se është, në mos bosh, thuajse e tillë. E kam fjalën për një rradhë virtuale me ata njerëz (në këtë rast juristë) me integritet që do të zinin vendin e Sollakut me synimin për të bërë atë që paraardhësi i tij nuk ka guxuar, nuk ka mundur, nuk ka dashur të bëjë, e për të cilën edhe po shkarkohet: lufta kundër korrupsionit. Sepse për këtë është akuzuar e po hiqet Sollaku.
Kur e shtron këtë pyetje askush nuk ka nevojë të mendojë më shumë se një gjysëm sekonde për të të dhënë përgjigjen se gjetja e një figure të tillë është një punë për të cilat shpesh themi: “që s’bëhet”. Po atëhere çfarë do të ndodhë? Mos duhet të linim Sollakun përderisa nuk gjejmë dot një figurë të tillë? Gjykoj se jo ndonëse duke thënë këtë “jo” ndjej përgjegjësinë e dhënies së’ një përgjigjeje të ngarkuar me dilema jo të vogla. Po përpiqem, megjithatë, të jap disa argumente në favor të “jo”-së. Sollaku duhet të ikë para së gjithash sepse është përgjegjës përpara shqiptarëve për grabitjen që ata pësuan nga korrupsioni galopant gjatë kohës që ai ka qenë kryeprokuror, pra se ka favorizuar lulëzimin e sistemt të korrupsionit, por edhe për të provuar se sa është përgjegjësia e tij për këtë dhe sa e të tjerëve. Ai duhet të ikë edhe për arësyesn se në pozicionin anormal që kishte krijuar në raportet me institucionet kryesore të shtetit me të cilët është i detyruar të punojë, i presidentit, kryeministrisë, apo plicisë, ai nuk mund të punojë më normalisht. Por ai duhet të ikë edhe thjesht për të vënë në provë Berishën dhe të tijtë, Argumenti se ai këmbëngul të rrijë atje për të na ruajtur lirinë dhe pavarësinë e institucionit fut ujë nga të katër anët se vetëm liri e pavarësi nuk ka patur ndonjëherë ai institucion. Né të vërtetë institucioni i Sollakut ka qenë “i biruar” nga shumë gozhda që e kanë mbajtur të mbërthyer. Kémbën dhe dorën e majtë ai e ka pasur të gozhduar tek PS-ja kurse ato të djathtat tek PD-ja, por nuk i kanë munguar edhe gozhdë të tjera që i janë ngulur nga ata që kanë korruptuar vetë institucionin e tij. Në këto kushte ai ka « meritën » se e ka mbajtur në minimo atë që mund të quhet instrumentalizim i institucionit të tij nga politika. Por s’mund të mohoet se me mosveprimin e tij ka favorizuar ish mazhorancën sepse gjatë kohës që PS ishte në pushtet PD e ndërtoi opozicionin e saj kryesisht mbi akuzat për korrupsion, të cilat nuk gjetën jehonë tek kryeprokurori, kurse gjatë kësaj periudhe që PD është kthyer në pushtet ai e ka penguar të realizojë premtimin e saj, kurse së fundi, me veprimet e tij, po synon përsëri të godasë PD-në duke krijuar dukshëm një instrumentalizim të institucionit çka është edhe një argument më shumë pse ai nuk mund të qëndrojë më në atë vend. Le t’i kthehemi tani anës tjetër të dilemës. Ndaj pyetjes a mund të kemi ne një jurist në krye të Prokurorisë që të ndërtojë një institucion të çliruar nga instrumentalizimi politik është naivitet të përgjigjesh « po »? Sepse nuk bëhet fjalë që Topi mund të verë gishtin tek ndonjë jurist me integritet dhe ai menjëherë do të pranojë i lumtur që do t’i shërbejë vendit. Gjasat më të mëdha janë që pikërisht njerëzit me integritet, që do të duhet të zinin atë vend, të mos e zenë atë, ose nga frika e gozhdëve që do t’i lidhnin tek PD-ja, ose pse nuk duhen njerëz të tillë. Ka pra më shumë gjasë që ta pranojnë pikërisht ata që s’kanë integritet e që mund t’i japin me qejf dorën dhe këmbën e djathtë PD duke i lënë të lirë dy të tjerat për të goditur majtas. Kjo edhe për arësyen e thjeshtë, të thënë dhe stërthënë, se e tillë është klima që kanë krijuar dy partitë kryesore nëpërmjet politikës “po nuk je me mua je me kundërshtarin tim”. Edhe Krishti vetë sikur të zbriste socialistët do t’i thonin ik se je vegël e Berishës. Éshtë një politikë që synon bash disintegrimin e personalitetit të kujtdo që do të guxonte të vinte bythën në karriket institucionale që propozojnë ata. Të shpresosh se mund të gjesh një njeri të ndershëm e të drejtë e të pavarur në mes të kësaj politike është njëlloj sikur të shtrosh pyetjen: a ka shpresë të mbesë i pacënuar një njeri që jeton në mes të ujqve ? Ai ose do të tentojë të kapet diku ose do të thyejë qafën. Kryeprokurori do të tentojë të kapet tek partitë politike, tek bizneset e mediat e fuqishme, tek ndërkombëtarët e fuqishëm, ndoshta edhe tek kapobandat e fuqishëm, por vetëm tek ligji do ta ketë vështirë të mbetet i kapur sepse tek ne ligji është ende filli që këputet më lehtë. Po t’i shtojmë kësaj faktin se vetë prokuroria si institucion, e ka shfrytëzuar pavarësinë e saj relative nga politika, në mënyrë të atillë që të lulëzojë abuzimi me pushtetin e prokurorëve, pra se edhe vetë prokuroria, ashtu sikurse edhe partitë politike, është një nga hallkat e sistemit të korrupsionit, bëhet edhe më e vështirë gjetja e dikujt që, i vetëm, të bëjë mrekullira. Megjithatë prap them se është më mirë që të hiqet Sollaku. Po të kesh parasysh edhe karrierën e tij, Sollaku, në atë kryqëzim të shumëfishtë, ishte qingji i mirë që arriti të thithë shumë nëna për një kohë shumë të gjatë. Ai u bë simbol i ruajtjes së një statukuoje degjenerative. Ikja e tij do të nxjerrë edhe më në pah nevojën e një ndryshimi në krejt sistemin politik, jo thejshtë në drejtësi. Ikja e tij do të nxjerrë edhe më në pah se i famshmi sistem i ngritur i korrupsionit nuk funksionon vetëm në sajë të të korruptuarve, por edhe korruptuesve dhe se kush mendon se mund të luftojë atë duke goditur vetëm të korruptuarit e duke ruajtur lidhje të mira me korruptuesit do të diskreditohet shumë shpjet. Po ashtu, gjithsesi, më mirë të ikë Sollaku sepse kushdo që të vijë, pavarësisht varësive që përmenda, pas gjithë këtyre luftrave që janë bërë, nuk do ta ketë ashtu dhe aq lehtë të bëhet vegël qorre e PD apo vetë Berishës sikurse thotë opozita, as mbrojtës i korrupsionit e të të korrupsutarve në pushtet. Besoj se lufta për prokurorin në të gjithë aspektet e saj është një luftë që ia ka vlejtur. Topi nuk mund të mos shtrojë sot me shumë seriozitet pyetjen se me cilin do ta zëvendësojë. Ai është shumë i vetëdijshëm se një gjë është që të kërkojë një prokuror që të ketë integritet e një gjë tjetër është të gjejë një prokuror të gatshëm për tu instrumentalizuar nga PD-ja. Pa harruar se nuk duhet të bëjë gabimin e zgjedhjes së një fotokopjeje të Sollakut. Si kryeargument për mosheqjen e Sollakut mbetet ai i rrezikut, të shpallur tashmë, se me një prokuror të instumentalizuar prej tij Berisha mund të luftojë opozitën. Është e vërteta se ai mund ta ketë të lehtë ta bëjë këtë, madje duke kërkuar respektimin e ligjit, sepse ka prova të mjaftueshme, që duken me sy, pa qenë nevoja të kalojnë në filtrin e prokurorisë, se shumica e opozitarëve të sotëm janë fajtorë pasi shkelës të ligjit dhe abuzues me pushtetin e djeshëm me pasoja të rënda. Dhe më e rënda, sipas meje, nuk do të ishte rënia e veprimit të ligjit mbi ta, por mbajtja nën shantazh, duke krijuar rrezikun e mbetjes me një opozitë të pafuqishme, ndërkohë që vendi ka nevojë për opozitë të fuqishme. Por a mos ka ardhur koha të ngremë pyetjen se ndoshta është më mirë të mos e kemi një opozitë të tillë të korruptuar prandaj dhe të kërcënueshme nga mazhoranca, një opozitë që tërë luftën politike e bën për vetveten dhe pushtetin e saj çka për vendin rezulton thjeshtë si një tentativë për të ruajtur sistemin e korrupsionit të ngritur prej saj ? Sepse, nëse bëhet fjalë për luftë ndaj korrupsionit, a mund të luftohet korrupsioni i demokratëve të sotëm pa u luftuar ai i socialistëve të djeshëm? Janë dilema të cilave nuk mund t’u japësh një përgjigje të prerë, por që synojnë, gjithsesi, të hedhin sadopak dritë mbi komplektistetin e çështjes pas Sollaku.(Korrieri, 13 Nëntor 2007)
Monday, November 12, 2007
Mbi bashkëkuvendimin e Edi Ramës
Edi Rama ka dalë nëpër Shqipëri dhe po bashkëkuvendon me shqiptarët për problemet e rënda që ka krijuar politika gjatë këtyre 17 vjetëve tranzicion. Denoncon pa rezerva sistemin e krijuar ku spikat, si metaforë vizuale e të gjitha problemeve, atyre materiale dhe atyre shpirtërore, degradimi i ambjentit ku shqiptarët jetojnë. Ja se ç’tha ai së fundi në një takim në fshatrat e Fierit: “17 vjet qeveritë nuk kanë mundur t'u japin zgjidhje problemeve pasi nuk kanë qenë të përgatitura për t’i zgjidhur problemet. Se çfarë kanë bërë këto qeveri (...) mjafton të shikosh majtas e djathtas kur ecën nëpër rrugë. Vetëm plehra, stacione karburantesh, tokë që pushtohet pa pikë turpi nga lloj-lloj nismash individuale jashtë çfarëdolloj programi, lumenj që shkatërrohen nga erozioni, nga prerja e pyjeve e shfrytëzimi i inerteve dhe sisteme kullimi që nuk funksionojnë. Një natyrë që po merr fund dita-ditës. Në vitin 2007, Shqipëria është vendi më qesharak e më i prapambetur i Ballkanit dhe Europës.”.(ZP 8 Nëntor 2007). Nuk ka se si të mos jesh dakort me konstatimet e kryetarit të PS dhe të Bashkisë së Tiranës. Sa mirë e ditka gjendjen! Por, duke ndjekur kuvendimin e tij me Shqipërinë, nuk mund të mos të të tërheqë vëmendjen ideja se qeveritë nuk paskan mundur t'u japin zgjidhje problemeve pasi nuk paskan qenë të përgatitura për t’i zgjidhur ato. Çdo me thënë: “nuk kanë qenë të përgatitura për t’i zgjidhur problemet”?
Ja se ç’thotë Makiavelit për problemet që duhet të zgjidhin qeveritarët: “Një problem mund të zgjidhet lehtë kur ai sapo lind, por për këtë duhet një sovran i aftë për ta njohur e identifikuar si problem. Pas një farë kohe, ky problem bëhet i dukshëm për të gjithë, por atëhere është shumë më i vështirë për tu zgjidhur.”
Ne që kemi ndjekur tranzicionin shqiptar e kemi Shqipërinë plot me shembuj që ilustrojnë këtë thënie të Makiavelit. Sa e lehtë do të kishte qenë për të gjithë sikur “sovrani” ynë i kohës së piramidave financiare, Berisha e të tijtë, ta kishin identifikuar që në fillim se çfarë po ndodhte me to dhe t’i kishin mbyllur. Sa e dhimbshme u bë mbyllja e tyre kur problemi që ekzistonte që në fillim u bë i dukshëm për të gjithë. E njëjta gjë mund të thuhet për zbritjen e pakontrolluar të njerëzve në bathoret e panumërta të Tiranës, për ndërtimet pa fund e pa kriter në bregdet e kudo me rradhë. Në fakt Edi Rama po u flet shqiptarëve për probleme të cilat ata nuk kanë nevojë t’ua tregojë ai pasi i shohin vetë. Puna është se tashmë shumë prej këtyre problemeve duken të pazgjidhshëm. E nuk mund të mos të të bjerë në sy se në vend të zgjidhjeve Rama kërkon të na thotë se fakti që ai i njeh problemet duhet të na mjaftojë që ne të besojmë se ai edhe do t’i zgjidhë. Mirëpo le të qëndrojmë pak në këtë mënyrë të të bërit politikë. Këta 17 vjet shqiptarët kanë mësuar një gjë me siguri: se nuk mjafton që një politikan të identifikojë problemet dhe të flasë me zjarr kundër tyre, duke krijuar kështu besimin se ai e ka seriozisht ose do ta ketë seriozisht përpjekjen për zgjidhjen e tyre. Shqiptarët kanë mësuar tashmë se politikanët tanë, pasi marrin pushtetin duke denoncuar me pasion problemet e tyre, kur venë bythët në karriken e pushtetit nuk bëjnë tjetër veçse vazhdojnë t’ua thellojnë këto probleme. Për të mos e ilustruar këtë me shembullin se si premtimet për luftë korrupsionit me emrat katarsis 1... 2... 3... 4 janë kthyer në ndotje edhe më të madhe le të kujtojmë për një çast një shembull tjetër emblematik të kësaj mënyre sjelljeje: se si janë sjellë me Vlorën dy partitë politike. Kur Nano ishte në pushtet ai bëri një plan monstruoz për ndërtimin e Tecit e të Petroliferës që i jep dërrmën Vlorën si zonë turistike. Berisha asokohe në opozitë, duke e njohur problemin dhe shqetësimin e vlonjatëve, hodhi parrullën “Vlora turistike” dhe fitoi votat e vlonjatëve me pretimin se do të ruante bregdetin e çmuar të Vlorës nga nafta dhe tymrat. Por sapo erdhi në pushtet edhe ky e ndryshoi planin. Tani në bregdetin e Vlorës kanë filluar të priten pishat për ndërtimin e Tecit e po planifikohet thellimi i një porti që do të sjellë naftë. Po çfarë ndodh ndërkaq me socialistët. Për të qeshur e për të qarë, por socialistët në opozitë kanë dalë përsëri në mbrojtje të Vlorës turistike, në mbështetje të referendumit që populli i Vlorës të vendosë vetë për çfarë do të bëhet në zonën e tij. Por le ta lemë Vlorën dhe t’i kthehmi Tiranës së Ramës. Nuk është nevoja të shkosh në fshatrat e Fierit për t’i gjetur plehërat sheshit. Mjafton të kthesh kokën « majtas e djathtas » në rrugët e qendrës së Tiranës për të parë edhe plehërat “sheshit” edhe truajt publikë e privatë të pushtuar e të përdhunuar « pa pikë turpi ». Dhe nuk mund të mos kujtosh se ishte Rama ai që tetë vjet më parë e ngriti fushatën elektorale duke denoncuar mungesën e planit urbanistik të Tiranës duke premtuar si gjë të parë kryerjen e tij. Problemet njiheshin që atëhere sepse kishin filluar t’i krijonin kryetarët demokratë të bashkive. Por me Ramën ato erdhën duke u shtuar. Tani që jemi ende pa plan urbanistik e na është bërë muti mullar, jo në kuptimin figurativ por real, ku jeta e kryeqytetasve po kancerizohet dita ditës, kryetari i Bashkisë, na këshilloi si zgjidhje të problemit të ndotjes të paparë të ajrit të ecim më këmbë. Mirëpo Rama na ka ndërtuar një qytet ku nuk mund të ecet më këmbë, mjafton të kesh parasysh se deri tani ka punuar për të zgjeruar rrugët e makinave e ngushtuar në maksimum trotuaret. Madje shumë shpejt si rrjedhim i thellimit të prishjes në përmasa të papara të raportit ndërtim gjelbërimi në favor të megandërtesave monstruoze që kanë zaptuar gjithshka në Tiranë (mjafton të imagjinosh sikur të realizohet i gjithi plani i tij francez) nuk do të mund të qarkullohet as me makina e do të duhen helikopterë për të lëvizur. Të na thuash, tani, ecni në këmbë, kjo do të thotë që në vend të zgjidhjes së problemit, tashmë thuajse të pamundur, të na ofrosh talljen. Çështja e ballafaqimit të politikës sonë me problemet tona është ndryshe dhe shumë më keq nga ç’sugjeron teza « papërgatitjes» së saj. Një problem mund të mos kesh sy ta shohësh e mund të jesh i justifikuar si miop, ndonëse as kjo s’të falet se për identifikimin e problemeve shoqëria demokratike ka shumë më tepër sensorë sesa ajo e Makiavelit dhe politikanëve tanë nuk u kanë munguar paralajmërimet për problemet që do të vinin duke u rritur. Një problem mund të mos kesh aftësi ta zgjidhësh e prap je i justifukuar, si i pazoti, ndonëse mund të kërkosh edhe dorëheqjen. Një problem mund të të befasojë dhe mund të thuash se u gjende i papërgatutur, ndonëse mund të kërkosh edhe ndihmën e atyre që e kanë përvojën. Deri këtu jemi gjithsesi tek shprehja “qeveri të papërgatitura”. Por tek ne nuk kemi të bëjmë me këto raste. Tek ne politikanët nuk i zgjidhin problemet jo pse nuk i njohin, as pse këta i gjejnë të papërgatitur, por sepse ata ndërtojnë me vetëdije mirëqënien e tyre personale mbi problemet e qytetarëve. Piramidat nuk u zbuluan si problem pasi paratë e tyre majmnin një grusht pushtetarësh. E njëjta gjë mund të thuhet për prerjen e pyjeve, shkatërrimin e lumenjve, çimentifikimin e bregdetit apo masakrën urbane të Tiranës. E gjithë kjo katrahurë që e shpërfaq Shqipërinë si “vendin më qesharak e më të prapambetur të Ballkanit dhe Europës” është thjeshtë punë njerëzish me vetëdije kriminale që kanë hyrë në krim e nuk tërhiqen dot më njëlloj si nomenklatura e regjimit të djeshëm. Prandaj duhet të jemi shumë të kujdeshëm kur krijuesit e problemit denoncojnë problemin duke na premtuar se do ta zgjidhin kur të kthehen në pushtet. Cikli i politikave të denoncimit të problemit për të fituar besimin e qytetarëve me qëllim mashtrimin e tyre ka mbaruar. Të gjithë sot e dinë se problemi ynë është se politikanët tanë janë problemi ynë më i madh. (Korrieri 9 Nëntor 2007)
Thursday, November 1, 2007
Të shpëtojmë fëmijët
Nuk ka prind shqiptar që duke përjetuar katrahurën që po ndodh në Shqipëri të mos ketë thënë me zë të ulët apo me zë të lartë shprehjen “të paktën të shpëtojmë fëmijët”. Për shumicën kjo shprehje ka kuptimin e krijimit të mundësisë për t’i nxjerrë fëmijët jashtë shtetit. Një pjesë jo e vogël, ku bën pjesë thuajse tërësisht elita, jo vetëm e gjakon, por edhe e ka realizuar këtë thirrje dëshirore. Ndërkaq jashtë shtetit gjen shumë të rritur shqiptarë që, ndonëse të mërzitur pasi nuk e kanë gjetur veten, të thonë: “s’kemi ç’u bëjmë fëmijëve, se mund të ishim kthyer.”
Por “të shpëtojmë fëmijët” ka edhe një kuptim tjetër, më të thellë, por jo pa lidhje me atë të thjeshtën thënie të shqiptarëve tanë post socialistë. Ajo është një thënie e psikoanalistit të famshëm William Reich, i cili, duke i quajtur tashmë të pashpresë të rriturit, hedh thirrjen se duhet përqendruar vëmendja tek fëmijët. Reich nuk e ka fjalën për nxjerrjen e fëmijëve jashtë një vendi ku mungon uji, dritat, drejtësia, meritorkacia e me rradhë tërë çka përbën nevojat materiale e shpirtërore si ato që ne nuk i kemi. Jo, ai e ka fjalën për nxjerrjen e fëmijëve jashtë kulturës e mendësisë së të rriturve. E ka fjalën, pra, për ndryshimin e mendësisë së fëmijëve nëpërmjet ndryshimt të kulturës së fëmijëve, çka do të thotë nëpërmjet ndryshimit të edukimit të tyre.
Ky shpëtim do të vinte kur të rriturit, të ndërgjegjësuar për atë çka janë bërë, për shkak të edukimit të prindërve të tyre, do të ndryshonin mënyrë trajtimi e edukimi të fëmijëve. Nuk është e lehtë një punë e tillë pasi në psikologjinë e prindërve, siç shkruan edhe Kafka në një letër drejtuar së motrës kur kjo u bë nënë, dominojnë natyrshëm dy tendenca thellësisht egoistike: ajo që fëmijët të bëhen realizuesit e arritjeve më të mira të prindërve, dhe ajo që fëmijët të realizojnë ato që prindërit nuk kanë mundur t’i realizojnë. Né të dy rastet kemi të bëjmë me një projektim të vetes së dashur të prindërve tek fëmijët e tyre të dashur dhe rezultati nuk është tjetër veçse një përsëritje në mos më e keqe e modelit të prindërve.
Po t’u shtojmë këtyre edhe atë që e di mirë kush ka rritur fëmijë, prirjen e natyrshme të fëmijëve për të imituar më të rriturit, kryesisht prindërit, mund të shpjegojmë pse shoqëritë kudo riprodhojnë aq shumë të njëtën kulturë e të njëjtët njerëz. Në vendin tonë kësaj prirjeje universale duhet t’i shtojmë edhe disa tipare lokale që e bëjnë edhe më konservatore shoqërinë tonë prandaj edhe më ulëritëse klithmën e Reichut për të shpëtuar fëmijët nga të rriturit. Nëse do të kërkojmë një nga tiparet më të shëmtuara të kulturës sonë lokale përsa i përket edukimit të fëmijëve them se më e shëmtuara gjë është ajo që përmblidhet në thënien që të rriturit tanë e përsërisin shpesh “më mirë mut se i vogël”. Éshtë një thënie që, thellë thellë, shpreh një kulturë sjelljeje ndaj fëmijëve. Atë të dhunimit të personalitetit të fëmijëve, të injorimit, të moskuptimit se ata, që në moshë të vogël, janë të ndjeshëm e kuptojnë shumë më tepër nga ç’u duket të rriturve. Është kultura që shoqërohet me imponim edhe me forcën e dajakut të mendimeve të rriturve e të kërkesave të tyre, e përdorimit të gënjeshtrës për t’i “gabuar”, e trembjes me lloj lloj gogolësh të improvizuar, apo me jevgj, me plaka e me qenër. Është një kulturë që e gjen të shpërndarë rëndom në krejt shoqërinë tonë. Por nuk është vetëm kaq. Ajo çka ne u mësojmë përditë fëmijëve me këtë kulturën tonë është sjellja ndaj tjetrit, kur ky është “i madh” dhe kur ky është “i vogël”. U mësojmë që të madhit tu lëpihen. Kurse ndaj tjetrit, kur ky është i varfër, i dobët, fatkeq, u mësojmë sjelljen e arrogantit e të dhunshmit, e lehtësisë së padrejtësisë ndaj tij - sikur ky të mos jetë i barabartë me të tjerët në dinjitet e të drejta, por sikur të jetë poshtë këmbëve të tyre, - çka herë herë arrin deri në kërkesën që ky të mos ekzistojë. Të gjitha këto i shkrova duke patur parasysh një ngjarje që ka ndodhur së fundi. E kam fjalën për ngjarjen e të dy binjakëve të sëmurë me Sida që u supermediatizua disa ditë më parë për shkak të kërkesës të prindërve të fëmijëve të tjerë që kërkonin largimin e dy fëmijëve nga shkolla e që, në thelb, ishte kërkesë që ata të mos ekzistonin.Ishte e paparë paturpësia e prindërve të tjerë që, pa gjetur as mënyra diskrete, arritën të shprehin hapur kërkesën e padrejtë për largimin nga shkolla të dy binjakëve. Edhe mediatizimi i kërkesës së tyre i kaloi kufijtë e arrogancës ndaj dy binjakëve të vegjël. Pyetja që lindte natyrshëm, duke parë lajmet e duke lexuar shtypin, ishte: si ka mundësi që nuk u vu kush nën petkun e atyre fëmijëve kur ka trajtuar këtë problem. Trauma që kanë pësuar ata e që me siguri vazhdojnë ta përjetojnë, - mjaft të mendosh se kjo ishte mënyra se si ata mësuan nga të rriturit për sëmundjen e rëndë që kanë - është një gjë që do të mbetet e pashlyer në psiqikën e tyre, që me siguri u ka ndryshuar jetën dhe marrëdhëniet e tyre me njerëzit. Përpara tyre është hapur një botë e mbushur me njerëz të liq dhe kjo nuk mund tu mbjellë veçse urrejtje e ndjenja negative në shpirt. Sepse ajo që ra në sy ishte mungesa e empatisë, mungesa e ndjenjës së solidaritetit ndaj atij që është në fatkeqësi, mungesa e asaj që quhet pieta që është poezia e zemrës së njeriut. Ndonëse në përgjithësi institucionet mbajtën një qëndrim të drejtë përsa i përket kërkesë për përjashtimin e tyre nga shkolla nuk mund të mos binte në sy se i vetmi argument që mbizotëroi në të gjithë debatin ishte ai se nuk kishte asnjë rrezik pasi Sida nuk mund të ngjitej me ato lloj kontaktesh që kanë fëmijët prandaj prindërit nuk kishin pse shqetësoheshim. Ishte e habitëshme se sa mirëkupëtim gjenin nëpër media ata prindër për kërkesën e tyre, se sa kujdes bëhej që ata të qetësoheshin, e se sa pak merak kishte, nga ana tjetër, për traumën që po u shkaktohej dy binjakëve të sëmurë. Sigurisht sikur të bëhej fjalë për një rrezik të vërtetë shqetësimi i prindërve do të ishte i justifikuar, por përsëri, duke patur parasysh se shkakatarët e këtij rreziku ishin dy fëmijë të vegjël, krejtësisht të pafajshëm, qëndrimi duhet të ishte shumë më njerëzor. Përkudrazi ajo që binte në sy ishte ngulmimi i prindërve për të mos e kuptuar mosrrezikun. Meraku për t’i shpëtuar fëmijët e tyre nga çdo rrezik që mund t’u vijë nga tjetri shkelte me çizme mbi çdo ndjenjë njerëzore për tjetrin. Edukimi që dhanë ata fëmijëve të tyre ishte lënia e fatkeqit në mëshirën të fatit. Nga informatat që kam nëna fatkeqe që e ka marrë sëmundjen pa pasur asnjë faj, ndaj së cilës mjekësia jonë është shumë përgjegjëse, sot jeton thuajse e izoluar jo vetëm nga shoqëria, por edhe nga mjaft familjarë. Ky rasti ishte emblematik për të treguar se sa poshtë janë ato vlera që e bëjnë një shoqëri të meritojë të quhet e tillë e që fatkeqësisht nuk po u transmetohen as fëmijëve, përkundrazi. Duke ndjekur atë nuk mund të mos mendosh se shprehja “të shpëtojmë fëmijët”, me idenë e nxjerrjes së tyre nga e keqja e këtij vendi, nuk është gjë tjetër veçse rimarrje e një kulture të vjetër që nuk premton se mund t’i shpëtojë vërtet fëmijët - jo vetëm ata që mbesin këtu me “sida”, por do të thoja edhe ata që ikin. Sepse fëmijët që janë rritur nga prindër si ata që kërkuan me aq paturpësi largimin e binjakëve nga shkolla, të cilët me siguri nesër nuk do të lënë gur pa luajtur për t’i “shpëtuar” edhe nga Shqipëria fëmijët e tyre, do të mund të shpëtojnë vërtet jo duke kaluar kufijtë e Shqipërisë, por ato të kulturës së prindërve të tyre. (Korrieri, 30 tetor 2007)
Subscribe to:
Posts (Atom)
-
Në Bibël ka një pasazh që është komentuar shumë: ai ku përshkruhet çfarë ndodhi në momentin para se Kaini të vrasë Abelin. Komentohet fakti...
-
Në mbyllje të 2005-sës, vit të cilin, në petkun e gazetarit, e kam ndjekur hap pas hapi me shkrime, kryesisht mbi jetën dhe zhvillimet polit...
-
Një her ë e një koh ë e kam dashur edhe unë Vaçen, por më duhet të them se kjo i përket periudhës së jetës kur njeriu ende beson tek m...