Debati
i rihapur mbi importimin e plehrave për industrinë e riciklimit ka mbetur në
nivel emocional duke u përqendruar tek ndjenjat e zhgënjimit me rilindësit, apo
të revoltës ndaj mos mbajtjes së
premtimeve. Emocionet bëjnë mirë, por më duket se është koha që, përtej
emocionalitetit, të mendohet më racionalisht për çka po ndodh. Debati duhet ta
kalojë nivelin e ndjenjave, që në këtë rast rezultojnë tejet sipërfaqësore
(sepse të thuash se kisha besim tek këta do të thotë të mos kesh jetuar me mend
në kokë), dhe të integrohet në një debat më të gjerë e më racional.
Debati
që propozoj duhet të sillet rreth pyetjes: si ka mundësi që në Shqipëri, tash
25 vjet, kategoria e njerëzve që është e dhënë pas pasurimit zhvillon thuajse
vetëm industri nga ato që janë kundër interesit publik, kundër asaj që quhet
ekonomi e qëndrueshme - siç është edhe kjo që kërkon të sjellim plehra nga
jashtë? Për të bërë pak historik le të kujtoj se në fillim të viteve 90, dmth. në
kohën e Berishës 1, pasurimi u bazua kryesisht mbi dy industri kriminale: trafikimin
e njerëzve dhe piramidat financiare. Pas këtyre, me ardhjen e socialistëve,
përsëri industria që zëvendësoi piramidat ka rezultuar shkatërruese. E kam
fjalën për atë të ndërtimit, rezultatet e së cilës shikohen kudo, duke filluar
nga Tirana që është bërë e pabanueshme me një ndotje ekstreme dhe me një cilësi
jete mizerabël e deri tek shkatërrimi i brigjeve të Adriatikut e të Jonit, për
të mos folur për masakrat që janë bërë në qytetet dhe rrethinat e Durrësit,
Vlorës, Sarandës, Lezhës. Në kohën e qeverisjes Berisha 2, me dobësimin e
industrisë së ndërtimit, shohim ngritjen e industrive që janë përsëri kundër
interesave publike si në terma afatshkurtra edhe në terma afatgjata. Gjashtë
fabrika çimentoje nga Tirana deri në Lezhë, dhënie me koncesione pa numër e
lumenjve të Shqipërisë për të ndërtuar hidrocentrale, ndërtimi i petroliferave
e termocentraleve në vende si brigjet rreth Vlorës që duhet të ishin perla
turistike. Edhe industria e përpunimit të mbetjeve të sjella nga jashtë hyn në
këto. Me ardhjen e rilindësve asgjë nuk ndryshon, siç po duket çdo ditë. Edhe
ata vazhdojnë të bëjnë projekte për porte gjigante si ai i Karpenit, për
hidrocentrale, petrolifera, t’i rihyjnë edhe një herë ndërtimeve të larta, të
lejojnë lulëzimin e supermarketeve e karburante jashtë çdo proporcioni në
raport me nevojat ashtu sikurse të ndërtimeve shkatërruese të brigjeve të
Adriatikut dhe Jonit.
Ç’është
ky mallkim? Nga na vjen? Si është e mundur që tek ne nuk flitet për zhvillime
që janë në përputhje me politikat e asaj që sot në botë është bërë fjalë
rutinë; ekonomia e qëndrueshme? Pse s’kemi rëndom të pasur të fuqishëm që vijnë
nga bujqësia, blegtoria, agroturizmi, industria e përpunimit të produkteve
ushqimore, por kush merret me këto është krejt margjinal në raport me pasanikët
që vijnë nga investimet rëndom kundra interesit publik?
Ky
mendoj se duhet të ishte debati kryesor, në nivel racional, i nxitur edhe nga
skandali i fundit, me synim gjetjen e rrugëve që nesër të mos guxojë më kush të
na sjellë plehra pa u pastruar një herë plehrat tona.
Shkaku:
pula politike apo veza ekonomike?
Po
t’i pyesësh shumicën e shqiptarëve të përgjigjen se shkaku i kësaj gjendjeje është
klasa politike e korruptuar dhe elita intelektuale në shërbim të saj. Ka që
flasin edhe për biznesmenë të korruptuar apo të lidhur me krimin. Por ajo që bëhet
më pak është lidhja e të dyjave si një fenomen ku në njërën anë të shkakut është
politikani dhe më anë tjetër biznesmeni në një raport shkak pasojë që mbyll një
rreth vicioz sipas dilemës “veza pulën apo pula vezën”. Problemi është se në debatin
shqiptar mbi gjetjen e shkakut tek “veza” apo “pula” theksi është venë, me
qëllim dhe pa qëllim, tek pula/politika duke u lënë gjithnjë në hije
veza/ekonomia. Kjo ka bërë që edhe kur janë ndërruar pulat, ato që i kanë
zëvendësuar kanë dalë nga e njëjta vezë me të njëjtat karakteristika siç i ka të
përcaktuara në ADN veza. Vështroni, ligjin mbi sjelljen e mbetjeve. Pulat
politike ndruan vend kurse vezët që e mbështetën ligjin si dje edhe sot janë po
të njëjtët biznesmenë. Sot ne bërtasim “korrupsion!” kundër Ramës siç bërtisnim
dje kundër Berishës ndërkohë që korruptuesve nuk dimë as emrat. Këtu ka diçka
që nuk shkon. Mendoj se në debatin tonë sot duhet sjellë me forcë pyetja: pse
këta të pasurit tanë kanë nevojë të korruptojnë politikën dhe hartojnë thuajse
gjithmonë projekte që janë kundër interesit publik?
Kjo
pyetje me doemos do të na çojë tek analiza e historisë së pasurimit të atyre që
u bënë biznesmenë në Shqipëri dhe që dora dorës kapën politikën. Në shkrimin
paraardhës kam folur për oligarkë me pasurim të dyshimtë. Pa dashur t’i fus të
gjithë në një thes do të thosha se një nga shkaqet kryesore të këtij degradimi
është veza që ka nxjerrë pulën: shpesh paraja
e pisët, që ka pasur, në një sasi të madhe, burim krimin. Dhe lidhja është
shumë e thjeshtë: krimit ka si psikologji pasurimin e shpejtë dhe të lehtë të
njerëzve që nuk dinë të bëjnë gjë tjetër, që s’kanë as pasione të tjera veç
parasë dhe as moral. Në thelbin e vet një ekonomi e bazuar mbi krimin si një
ekonomi njerëzish të paaftë s’mund të jetë veçse një ekonomi e dështuar. Kjo do
të prodhojë politikë të dështuar kur politikanët qëndrojnë në pushtet me paratë
e biznesmenëve të korruptuar ose janë vetë këta. Gjykoj se këtu duhet kërkuar
më së shumti burimi i kësaj ekonomike që po përparon në Shqipëri me shpejtësi
dramatike duke zaptuar gjithnjë e më shumë politikën, mediet, drejtësinë,
shoqërinë civile. Është pikërisht degradimi që vjen nga dështimi ai që shpjegon
pse Parlamenti u mbush me kriminelë, pse nga Lazarati sot kemi tërë Shqipërinë
vend kultivimi të kanabisit dhe se pse po i hapet rruga sjelljes së plehrave.
Krimi ndjell krimin – thotë një fjalë e urtë.
Si
mund të dilet nga ky rreth vicioz?
Sot
është bërë e modës fjala “veting” duke iu referuar Reformës në Drejtësi. Ajo që duhet bërë për
të dalë nga ky rreth është një tjetër veting: ai i të ashtuquajturve të pasur
shqiptarë në emër të një tjetër reforme: Reformës në Ekonomi. Ata që kanë
ndërtuar biznese kundër interesit publik duhen futur të parët në shoshë për të
bërë të qartë se si e kanë bërë pasurinë, se sa kanë qenë të rregullt në
pagimin e taksave, nëse janë apo jo borxhlinj nëpër bankat tona etj.. Por, në
këtë pikë, pyetja që shtrohet është: a mund t’ia bëjë vetingun këtyre drejtësia
pasi të ketë kaluar vetingun e vet? Personalisht dyshoj shumë se një drejtësi
edhe sikur të jetë vërtet e pavarur mund të përbllojë pushtetin e kësaj
ekonomie që ka me vete edhe pushtetin politik edhe atë mediatik. Është kjo një
arsye më shumë për të mbështetur idenë e një lëvizjeje të re politike që, duke
mbrojtur interesat e të papërfaqësuarve, duhet të bëjë presion edhe për shëndoshjen
e ekonomisë shqiptare, për pastrimin e saj nga metastazat e ekonomisë që po e
kthen vendin në plehër, duke ushtruar një kontroll të rreptë ndaj çdokujt që
kërkon të investojë paratë e krimit në vendin tonë.
Përndryshe
na pret rënia e këtyre “piramidave” kriminale dhe zhyia e vendit në një kaos të
ri. (Panorama, 30 shtator 2016)