Friday, January 27, 2017

Fitorja e Trumpit dhe opozita

Partitë politike dhe mbështetësit e tyre mediatikë në Shqipëri e kanë pritur fitoren e Trumpit ndryshe nga ç'kanë pritur zgjedhje të tjera presidenciale në SHBA. Më parë të dyja palët, megjithë diferencat, kanë përshëndetur edhe fitoren e një demokrati edhe atë të një republikani, kurse kësaj here opozita duket mjaft më e ekzaltuar kurse maxhoranca mjaft më e heshtur. Kjo vjen kryesisht për arsyen se establishmenti amerikan dhe veçanërisht ambasada amerikane me Donald Lu janë identifikuar së fundmi fort si mbështetës të qeverisë shqiptare të Edi Ramës. Si pasojë, kush është në opozitë dhe vazhdon të besojë se fatet e pushtetit në Shqipëri vendosen nga të huajt, veçanërisht SHBA, sot ka shpresë se me ndryshimin e këtij establishmenti dhe ikjen e këtij ambasadori, mbështetja për këtë qeveri të korruptuar do të zhduket. Një qasje e tillë lidhet edhe me sulmet e opozitës ndaj miliarderit Soros, sponsorit kryesor të Clintonit dhe njëherësh mbështetës i njohur i klanit Rama.
Do të thoja se logjika e këtij entuziazmi opozitar mbështetet më së shumti në atë thënien e vjetër "armiku i armikut tim është miku im" kombinuar edhe me mendësinë enveriste që gjithmonë e gjente të keqen tek bashkëpunimi i armikut të jashtëm me atë të brendshëm, që janë ndër faktorët kryesorë kulturorë që na kanë lënë në mjerimin ku jemi.

Problematika e fitores së Trumpit

Kush e ka ndjekur fjalimin e Trumpit ditën e betimit nuk mund të mos dallonte shtyllën kryesore të politikës së tij të ardhshme: "America first" (Amerika para së gjithash). Gjatë gjithë fjalimit, lakimi i këtij togfjalëshi nuk na dha vizionin e një Amerike si violinë e parë e një orkestre që do të vazhdojë të luajë simfoninë e bashkëpunimit me aleatët evropianë, por të një Amerike që kërkon të luajë solo, madje në kompeticion me të tjerët, madje madje edhe  duke fajësuar të tjerët se ata janë shkaktarët kryesorë të rënies amerikane, veçanërisht të varfërimit të shtresës së mesme.
Gjithashtu, po të vesh re, fjalimi i Trumpit në vende aleate evropiane si Franca, Italia, Gjermania u mirëprit nga partitë e ekstremit të djathtë antiestablishment pikërisht pasi këto parti kanë në projektin e tyre kthimin e vendimmarrjes në duart e shteteve të tyre kombe duke ia hequr atë Brukselit, madje dhe kthimin në monedhën e tyre kombëtare, sikurse edhe mbylljen e kufijve ndaj emigrantëve.
Pyetja e parë që duhet të shtrojnë partitë tona opozitare, duke parë këto zhvillime është: a kemi ne në programin tonë një premtim të tillë për Shqipërinë, të daljes nga projekti evropian dhe, a do të ishte më mirë për Shqipërinë një program i tillë? Çuditërisht dhe jo çuditërisht ato nuk e ngritën fare këtë pyetje. U mjaftuan me faktin që Trumpi është armiku i armikut të tyre.
***
 Pa dyshim kjo situatë krize është krijuar në Perëndim për shkak se i ashtuquajturi bashkëpunim nën emrin e globalizimit dhe liberizmit ka sjellë pasurimin e një grupi gjithnjë e më të vogël njerëzish në dëm të shumicës. Pa dyshim ai që quhet "establishment", si në SHBA edhe në Evropë, është përgjegjës për këtë krizë. Si nevojë e daljes nga kriza një numër gjithnjë e më i madh njerëzish në Evropë ka gjetur fajtorin tek establishmenti dhe shpëtimin tek kthimi në sovranitetin kombëtar, thuaj po deshe edhe solidariteti kombëtar. Partitë që i përfaqësojnë ata në Evropë kërkojnë shpërbërjen e perandorisë euro-atlantike që u krijua pas Luftës së Dytë dhe shkatërrimin e projektit të Bashkimit Evropian. Ata kanë  hedhur parullën që popujt duhet të rifitojnë lirinë nga zgjedha e Brukselit. Nuk mund mos të të vijë ndërmend shpërbërja e Perandorisë Austro-Hungareze e cila etiketohej nga lëvizjet nacionaliste të shek. XIX si "burg i popujve". Në këtë kontekst Trumpi nuk ngurroi që, në ditën e betimit, të deklaronte në prani të pesë ish presidentëve, se po fillonte një epokë e re historike ku pushteti zhvendosej nga Washingtoni tek populli. Është një parullë e bukur, por që e kemi parë të prononcohet nga shumë diktatorë gjatë shekullit XX.
***
Opinionet ndahen përsa i përket asaj se sa projekti i rikthimit në sovranitetin kombëtar, nëse realizohet, do të mund t'u sjellë të mira vendeve që po e promovojnë. Ky shkrim nuk i dedikohet kësaj teme. Këtu dua ta shoh këtë projekt në raport me projektet e partive tona dhe më gjerë me pasojat që mund të ketë realizimi i tij për ne.
S'është vështirë të kuptohet se në rrafshin ndërkombëtar Trumpi premtoi kthimin e supremacisë së zbehur amerikane ndaj të tjerëve. Në rrafshin kombëtar do të konstatosh se ai është mbështetur fort nga amerikanët e bardhë, që në një Amerikë të përmbytur nga emigrimi i të gjitha racave dhe popujve, e të tradhtuar nga të bardhët liberistë dhe globaliste, janë ndjerë gjithnjë e më të frustruar  e kërkojnë rimarrjen e pushtetit të humbur. Ndërkaq, terma të tilla si bashkëpunimi apo solidariteti, qoftë edhe përsa i përket rreziqeve të përbashkët si ato të ndotjes së planetit, nuk u dëgjuan fort në fjalimin e tij.
Edhe në Evropë partitë e djathta i mëshojnë më së shumti egoizmit kombëtar, supremacisë së më të fortit dhe më të suksesshmit, jo solidariteti apo bashkëpunimit.
Problemi për ne është se, nëse do të përpiqemi t'i gjejmë një vend vetes në një Evropë që e ndan botën në shtete më të fortë dhe shtete më të dobët, në popuj superiorë dhe inferiorë, nuk do të duhej assesi ta duartrokisnim këtë politikë. Sepse, pavarësisht retorikëve lavdimadhe me të çilat na ka ushqyer ideologjia nacional - komuniste e Hoxhës dhe që i kemi ruajtur në diskurset brenda vendit, historia jonë tregon se jemi ndër ato vende evropiane që kanë dëshpërimisht nevojë për solidaritetin e mbështetjen e vendeve të tjera. Kjo vërtetohet edhe me faktin se megjithë vetëmburrjen  e ekzagjeruar, paradoksalisht, gjithmonë kemi ekzaltuar "vëllamin e madh" që na mbështet. Veçanërisht klasa politike që kemi sot, që aplikon politikën "ne vjedhim shqiptarët ju na mbështesni të rrimë në pushtet" s'do të dinte as se si të sillej po t'i thuhej: tani s'të mbështes më, as do të merrem më me ty, merri të gjitha përgjegjësitë vetë.  Madje kemi vendosur të mbyllim edhe kufijtë tanë për shqiptarët e vjedhur.
Duke e parë klasën tonë politike si përfaqësuesen më të denjë të popullit, do të thoja se një fitore e projektit Trump do të ishte për shqiptarët sikur të na hiqeshin më në fund patericat me të cilat kemi ecur këtë çerek shekulli. Pyetja që duhet të shtrojmë  është: a mund të na ndihmojë kjo që, më në fund, të mësojmë të ecim vetë apo do të rrëzohemi e do të thyejmë qafën?
 Do të ishte mirë që partitë tona opozitare të thelloheshin në këtë problematikë. Kurse të reagosh sikurse reaguan ato është njëlloj sikur brenda ekuipazhit të një anijeje të bëhet luftë se kush do të marrë drejtimin e saj dhe askush të mos shohë se, ndërkaq, anija është duke shkuar drejt theqafjes. (Panorama, 25 janar 2017)

Friday, January 20, 2017

Mediat si instrument i fashizmit ekonomik

Kur mora vesh lajmin e shkarkimit  të gazetarit Armand Shkullaku (drejtor i ABCnews) dhe të mbylljes së kontratës së Alfred Lelës (drejtor i gazetës Mapo) për "mosndjekje të politikave editoriale të pronarit" e kapa veten gafil duke menduar: a përbën ky një lajm, për të cilin duhet të ulem të shkruaj, apo jemi në rutinën e rëndomtë të gjërave në mediet tona, për çka kam shkruar dhe rishkruar aq sa s'ka më kuptim fjala? 
Pas disa ditësh, duke ndjekur edhe komentet e shumta, vendosa të shkruaj edhe për t'iu kundërvënë kësaj plogështie të vullnetit, por mbi të gjitha pasi më duket se fenomeni "i rëndomtë" po manifestohet në një kontekst të ri me agresivitet të ri.

Fenomeni i rëndomtë
Të gjithë ne që njohim sektorin, madje edhe vetë pronarët, nuk e kemi të vështirë të imagjinojmë bisedën e kryer apo të nënkuptuar të pronarëve me drejtorët e tyre miq apo ish miq apo pseudomiq: "Shiko, unë këtë media e kam hap për hallet e mija. Por po vazhdoi kështu unë s'paguaj dot as rrogat, se ju e dini se si funksionon këtu. Po s'e pata mirë me këta unë nuk zgjidh dot as hallet e mija as nxjerr dot rrogat tuaja. Prandaj, nëse doni t'i bini burimit të lekëve, gjeni vend tjetër."
Sigurisht ky mund të jetë dialogu në këtë rast të veçantë pasi rëndom kjo bisedë nuk zhvillohet pasi "politikat editoriale" për të zgjidhur "hallet" e pronarit, - që do të thotë për të marrë ndonjë leje ndërtimi, ndonjë tender apo hequr qafe ndonjë media rivale, - janë bërë në harmoni të plotë pronar-drejtor. Kjo ngjarje bën lajm pasi është një thyerje që prish rendin e gjërave në mediet tona. Është një përjashtim pra, që, siç thuhet, përforcon rregullin. Por, si i tillë na vlen për të shtruar pyetjen: si është e mundur që kemi arritur në këtë pikë sa të na duket "rregull" që pronarët e medieve tona të pasurohen nëpërmjet një gazetarie që punon në të kundërt të parimeve që përcaktojnë se si duhet të punojë një media në demokraci dhe treg të lirë? Sepse, po të ishte një biznes tjetër si p.sh. biznes prodhimi marmelate kjo do të ishte  sikur produkti të dilte gjithnjë e më mut dhe megjithatë, në vend se të falimentonte, pronari të pasurohej. Mirëpo ja që kjo po ndodh?  Po pse? Sepse dikush ia ble mutin ngaqë i duhet për t'ia dhënë ta hajë mileti si dhe për të lyer kundërshtarët. Dhe që të realizojë këtë i duhet, mundësisht, që në treg të ekzistojë vetëm ky lloj malli edhe ky lloj prodhuesi. Dhe kështu ka ardhur ky moment kur njerëzit nuk e ndjejnë më erën e tij të keqe, aq sa nuk shtrojnë më disa pyetje elementare që, mesa kujtoj, kur lindën mediet private rreth 15-20 vjet më parë, kanë qenë në rend të ditës.
Janë pyetje të tilla si: Ore, ç’kuptim ka kjo "e shkarkoi pronari"? Po a kemi parë ndonjë media në botën demokratike që të mos ketë filtër midis pronarit dhe gazetarëve që do të thotë borde që bëjnë politika editorale? A ka kund raste që një pronar të deklarojë publikisht, pa i bërë syri tërr, se politikat editoriale i bën ai vetë? A kemi parë e dëgjuar kund që universitetet private të kenë gazeta të përditshme e televizione që bëjnë politikë? Po si ka mundës që e harruam fare konfliktin e interesave të pronarëve të medieve për të cilin është folur aq shumë dhjetë vjet më parë? Si ka mundësi që lejojmë që dy mediet private kombëtare i kemi thjesht e vetëm biznese familjare të lidhura me qeverinë? Si ka mundësi që askush nuk kujtohet më tu thotë këtyre se frekuencat kombëtare janë pronë publike jo private, dhe nuk u janë dhënë për t'i keqpërdorur duke disinformuar e deformuar publikun, por për ta informuar sa më drejt atë.
Nuk ia vlen të zgjatem më me këto pyetje muti që janë bërë mullar prej kohësh. Le të shohim më mirë se çfarë po ndodh me mullarin në këto ditë të ftohta dimri

Agresiviteti i ri
.
Gjykoj se dekompozimi erëkeq i mullarit ka hyrë në një fazë të re. Kjo fazë ka një anë pozitive dhe një tjetër shumë negative. Ana pozitive ka të bëjë me lindjen e portaleve online që, sadokudo, sjellin ajër të ri që ndikon që receptorët e hundëve të qytetarëve të mos bukosen krejtësisht, por të arrijnë të ndjejnë erën e keqe. Gjithnjë e më shumë portalet po shërbejnë tashmë si pika referimi për një pjesë gjithnjë e më të madhe qytetarësh për të kuptuar degjenerimin e medieve tradicionale.
Por kjo anë pozitive është një ngushëllim i vogël përpara të keqes së madhe që po ndodh duke marrë parasysh se shumica e shqiptarëve ushqehen ende kryesisht me mullarin.
Vini re: si asnjëherë tjetër, që kur kanë lindur mediet private, po jetojmë një situatë mediaike ku thuajse të gjithë  pronarët kanë vendosur të bëjnë politika editoriale pro qeverisë. Ç'do të thotë kjo? Le ta analizojmë fenomenin pak më thellë. Disa i quajnë mediet tona private si shprehje e zhvillimit të kapitalizmit liberal. Mirëpo, ajo çka shohim, është bash e kundërta e tregut të lirë. Sepse ky bazohet mbi larminë e produkteve, larminë e konsumatorëve dhe shijeve si dhe konkurrencën me produktin më të mirë dhe më të lirë. Kurse mediet tona na del se duan të prodhojnë të gjitha një mall të vetëm: politika editoriale pro qeverisë, dhe, ç'është më e keqja, duke larguar profesionistë dhe duke i zëvendësuar ata me lakej apo deri me familjarë. Po ashtu, kjo vënie e medieve në shërbim të qeverisë bije ndesh me një parim themelor të liberalizmit: atë të pronës private si garant të mbrojtjes së lirisë së individit ndaj rrezikut që paraqet shteti kur mbijetesa e qytetarit varet vetëm prej tij. Sipas këtij parimi edhe bizneset edhe mediet private duhet të ishin mbrojtëse të lirisë veçanërisht në vende me të kaluar apo prirje autoritare. Kurse këtu po bëhen të gjitha me qeverinë.
Nuk do shumë mend për të kuptuar se sistemi që kemi ngritur sa më shumë kalon koha aq më shumë po merr tiparet e atit që e ka pjellë: regjimit të djeshëm që ishte kapitalizëm shtetëror (jo liberal) ku një tufë banditësh, duke vendosur monopolin e ekonomisë, media dhe politikës, u sollën si pronarë të vendit, duke e vënë gjithë popullin të punonte si argat për të. Në regjimin e sotëm, në thelb, po ndodh e njëjta gjë me trajtimin e pasurive të vendit dhe të njerëzve, Ndryshimet në egërsi, në metoda shfrytëzimi apo faktit se nomenklatura dje i kishte vilat shtetërore kurse kjo e sotmja i ka private janë dytësore përpara thelbit të ngjashmërisë. Edhe synimi për t'i dhënë të gjithë konsumatorëve të njëjtin mall mediatik rilindës mban erën e trushpëlarjes së atij regjimi ashtu sikurse edhe zëvendësimi i politikës me propagandë.
Siç e kam shprehur në një shkrim të paradokohshëm, me rilindësit kemi hyrë në fazën kur "pluralizmi oligarkik", që shërbente si maskë demokratike e sistemit, po degjeneron në fashizmin ekonomik. Me këtë kuptoj grumbullimin e të gjithë oligarkëve rreth një partie të vetme, që në vendimmarrje s'pyesim më as për opozitë dhe as për interesa të tjera përveç atyre të vetave dhe që si mjet kryesor sundimi kanë kontrollin e bukës së gojës së njerëzve. Ajo që po ndodh me mediet tradicionale të oligarkëve është prova më eksplicite e kësaj.
Pse po ndodh kjo dhe jo e kundërta, kalimi në më shumë demokraci? Është e gabuar të mendosh se kjo vjen thjesht nga ndryshimi midis Ramës dhe Berishës, me idenë se ky i dyti, po na del sot si më i hapur për të bashkëjetuar me mediet kundërshtare se sa i pari. Arsyet e kalojnë kulturën dhe sëmundjen e liderit narçizist të PS, që kërkon të thyejë edhe më të voglën pasqyrë që nuk ia nxjerr surratin ashtu siç e trukon ai.  Kjo nuk do të mund të bëhej kurrsesi faktor po të mos kombinohej me një sërë faktorësh të tjerë. Kombinohet me faktin se jo vetëm fytyra e Ramës, por edhe fytyra e qeverisjes së tij ka gjithnjë e më shumë nevojë për trukim për të mbuluar dështimin. Kombinohet edhe me krizën ekonomike që ka shtuar rivalitetin midis oligarkëve dhe ka bërë që peshqit e mëdhenj pranë qeverisë të hanë ata më të vegjlit. Kombinohet edhe me faktin se kjo krizë ka bërë të zhvillohet gjithnjë e më shumë ekonomia kriminale, e cila, për të lulëzuar, ka nevojë për bashkëpunim me pushtetin. Kombinohet po ashtu me faktin se populli tashmë e ka mësuar përmendësh këngën e opozitave që sapo vijnë në pushtet punojnë për të njëjtët oligarkë, pasi janë pjesë e sistemit, dhe sillet ftohtë ndaj saj duke i bërë oligarkët të mos kenë frikë nga rotacioni që i shtynte të paguanin të dy palët. Por mbi të gjitha kombinohet edhe me një faktor që mua më rezulton më dramatiku: ulja gjithnjë e më poshtë e nivelit arsimor dhe kulturor të njerëzve në përgjithësi që i bën të mos kenë zgjedhje dhe mendim të pavarur por t'i nënshtrohen më të forti e më të pasurit për një kothere.
Në këto kushte është  e lehtë t'i bësh mediet të funksionojnë si organet e shtypit në kohën e komunizmit kur edhe Zëri i Popullit, edhe Bashkimi, edhe Zëri i Rinisë, edhe TVSH, edhe, edhe bënin të gjitha politikën editoriale të partisë-shtet.
A mund të zgjasë shumë kjo gjendje dhe a mund të shkojmë edhe më keq? Gjykoj se katër vjet të tjera me këta banditë injorantë dhe të papërgjegjshëm në drejtim të politikës, ekonomisë dhe medieve të vendit janë të paparashikueshme përsa i përket shkallës se ku mund të arrijë fashizmi ekonomik i tyre. Nuk e di se mund të zgjasë kjo. Por e sigurt është se sa më shumë të zgjasë aq më shumë dëme do të bëjë, aq më me turp do të përfundojë dhe aq më e vështirë do të jetë kthesa për mirë. (Panorama, 18 janar 2017)