Tuesday, May 20, 2014

Harrojeni teorinë e të keqes më të vogël

Kam kohë që mbroj tezën se dy partitë kryesore PS dhe PD (si dhe LSI, herë si përbërëse e një maxhorance dhe herë e tjetrës) sillen në vend si banda, ose, po të doni, edhe si organizata kriminale dhe se sistemi që kemi ngritur, më shumë sesa demokraci, meriton të quhet bandokraci. Sot shtroj pyetjen: a nuk ishte debati parlamentar i të enjtes, më 15 maj, mbi ngjarjen e trafikut të drogës me avion prova më e mirë e kësaj? Për mua mjafton vetëm të bashkosh dy gjysmë të vërtetat: faktet dhe argumentet bindëse që thanë për njëra tjetrën deputetët e dy partive kryesore si dhe liderët e tyre. Kjo vlen edhe për gjysmagjelat e gazetarisë, që s’reshtin së manipuluari faktet në mbështetje të njërës bandë apo tjetrës. Ndërkaq, ajo që bije në sy, duke ndjekur akuzat e ndërsjella, është se njerëzit janë mësuar aq shumë me luftën e këtyre dy gjysmagjelave saqë e “shijojnë” spektaklin pa ngritur një pyetje elementare: si ka mundësi që në tërë atë parlament nuk ka një po një deputet të vetëm, që të dalë dhe tu thotë se që të dyja akuzat janë të vërteta prandaj që të dy palët janë për tu dërguar jo “në shtëpi”, siç tha Lulzim Basha për Edi Ramën, por në burg. Dhe ju siguroj unë se ky është mendimi i shumicës së shqiptarëve.
E pra, a mund të quhet demokratik një vend në Parlamentin e në mediet e të cilit nuk përfaqësohet mendimi që ka shumica e shqiptarëve  lidhur me partitë që sundojnë vendin? Jo, ky teatër parlamentar me gjysmë të vërteta, i shfaqur direkt edhe në mediet e tyre, është një gënjeshtër e madhe që të kujton përkufizimin e ideologjisë së diktaturës komuniste nga Solzhenjicini si një “gënjeshtër e madhe” që sundon vendin.
Tani, imagjinoni të dashur lexues një situatë hipotetike sikur të dilte një deputet “i çmendur”nga radhët e këtyre tre partive dhe të fillonte të denonconte këtë gënjeshtër të madhe; të akuzonte të dy palët duke u thënë se edhe ato që thotë njëra palë edhe ato që thotë tjetra janë të vërteta. Reagimi i parë do të ishte çudia dhe me shumë gjasa edhe injorimi. Askush nuk do t’i përgjigjej e nuk do të merrej me të. Sikur ky të ngulmonte me shumë gjasa edhe do ta çonin në psikiatri si të çmendur. Imagjinoni pastaj sikur të ndodhte që në një seancë tjetër të mos dilte një, por dy tre “të çmendur” si ai. Me shumë gjasa do të vazhdonte injorimi, por ndoshta duke u përzierë me ndonjë tallje, si ajo që bëri Rama kur i tha opozitës se i dukeshin mushkonjat aeroplanë. Po çfarë do të ndodhte sikur, nga dy tre, këta të mund të bëheshin ndonja gjashtë, a shtatë, a dhjetë? Jua them unë: do të përpiqeshin t’i blinin.  Po sikur, mos o zot, këta të mos pranonin të bliheshin nga asnjëra palë, por të vazhdonin t’i akuzonin të dy palët si banda edhe pas kësaj? Atëherë të dy bandat do ta ndërprisnin luftën me njëra tjetrën dhe do të fillonin të merreshin me ta: do t’i luftonin me ç’të mundnin. Edhe të vdekurit nga varri do tua nxirrnin për t’i luftuar e poshtëruar dhe asgjësuar. Dhe këtu po hap një parantezë. Si mendon ti i dashur lexues, a mund të ndodhë që dy banda kriminale të bien dakord për të ndërprerë luftën me njëra tjetrën dhe për të thërritur gjykatës të paanshëm që të vlerësojnë se kush janë kriminel midis tyre – sikurse shpresojnë evropianët që do të na japin statusin në qershor, e që, për këtë, kërkojnë bashkëpunimin e tyre? Sipas meje, po të vijë puna që dikush brenda tyre të kërkojë prokurorë e gjykatës që të zbulojnë e dënojnë kriminelët në të dy krahët, ato do të bëhen bashkë, sepse një gjë e tillë është kundër logjikës të funksionimit të bandave kriminale sipas të cilit ligjin, të drejtën dhe të vërtetën e bën më i forti. Ja pse nuk ka shans të funksionojë drejtësia në këtë vend. Ajo ideja që kanë perëndimorët dhe që mbisundon në ideologjinë e gënjeshtrës sonë të madhe se demokracia do të ecë në këtë vend duke u shtrënguar vidat e shtetit ligjor dalëngadalë do të funksiononte sikur të kishte drejtësi dhe media të pavarura, që, rast pas rasti, do të pastronin të keqen, sëmundjen duke i nxjerrë jashtë parlamentit dhe punëve publike të korruptuarit dhe duke dhënë edhe një mësim për të tjerët. Dhe në këtë pikë të argumentimit më duhet të ve në dyshim atë që kam thënë më parë “më mirë dy banda se një bandë” duke sjellë si argument psh. faktin se ngjarjet e trafikimit të drogës me avion me bekimin dhe mbulimin e maxhorancës nuk do të mund t’i mësonim e as do të guxonim t’i thonim ndoshta sikur të mos ekzistonte banda e opozitës. Por  ekzistenca e dy bandave ka edhe një të keqe të madhe, sepse krijon iluzionin, gënjeshtrën, se mund  të mbështetemi tek njëra, ajo më pak e keqja, kundër më të keqes. Mirëpo përvoja ka treguar se opozita, si më pak e keqja, lufton jo kundër të keqes për interesa të shqiptarëve, por për interesin e vet sipas parimit të përdorimit të çdo mjeti e qelbësire për të arritur qëllimin. Dhe, sikurse thonë burime shumë të besueshme, duke u ndjekur ky parim, në Parlamentin tonë kanë hyrë deri edhe vrasës, me bekimin e kryetarëve, të cilët kanë lënë jashtë të ndershmit me arsyetimin se këta “të fortë” sigurojnë dhe mbrojnë votën. E pra një parlament me vrasës (se për njerëz të lidhur me trafikimet kjo s’diskutohet) as që u shkonte ndërmend shqiptarëve se mund të ndodhte dhjetë vjet më parë. Madje kam dëgjuar edhe deputetë të më thonë se u vjen turp që janë në atë Parlament me njerëz të atillë. Në këtë kushte a  mund të thuhet se jemi në një proces shtrëngimi vidash të shteti ligjor që po ecën përpara? Për mua vidat janë llaskuar me kohë, madje u janë zhdukur edhe vjaskat. Prandaj duhet ta harrojmë teorinë e së keqes më të vogël. Historia me avionin e drogës tregoi dy gjëra në këtë drejtim: e para, se që të dy të këqijat sa vjen e po përkeqësohen; dhe, e dyta, se e keqja më e vogël sa vjen në pushtet bëhet e keqja më e madhe. Dhe ka një arsye shumë të thjeshtë për këtë të dytën. Sepse sistemi i lidhjes me krimin që kanë ndërtua këto parti është i tillë që i krijon mundësi më të madhe grabitjeje atij që ka maxhorancën. Ja pse opozita nga e keqja më e vogël që kontrollonte 30 - 40 përqind të "territorit" të përfitimeve kur bëhet maxhorancë grabit 60-70 përqind duke u bërë shumë shpjet e keqja më e madhe.
E pra, që të kthehemi tek historia jonë hipotetike: çfarë do të ndodhte sikur ata shtatë, tetë apo dhjetë deputetë që përmenda unë, të mbështetur nga ndonja shtatë, tete apo dhjetë gazetarë t’i rezistonin edhe luftës së dy bandave e të vazhdonin t’i denonconin ato dmth. të mos frenoheshin në stadin e blerjes apo frikës por të vazhdonin luftën? Do të ktheheshin shumë shpejt në heronj, shpëtimtarë, ndonjëri edhe i vdekur sigurisht, që do të ndiqeshin menjëherë nga turma njerëzish të frymëzuar, që mezi e presin një moment të tillë, dhe do të bëheshin shumë shpejt aq të fortë sa do të fitonin.
E ndërtova këtë histori hipotetike duke iu referuar thënies së një fitimtari të tillë: Gandit i cili thotë: “Në fillim të injorojnë, pastaj të tallin, pastaj të luftojnë dhe pastaj fiton.” (Panorama, 20 maj 2014)
    

Sunday, May 11, 2014

Pse Lufta Nac-Çl duhet studiuar dhe jo festuar


Me rastin e 5 majit u rihapën debatet mbi Luftën Nacional-Çlirimtare. Shkak u bë një foto fëmijësh që, të vendosur secili në një nga varret e dëshmorëve të Përmetit, nderonin me grusht: sipas disave me simbolin e Luftës Nacional - Çlirimtare; sipas të tjerëve me simbolin e regjimit të Enver Hoxhë dhe të vetë diktatorit. Kësaj ngjarjeje iu shtua edhe një foto ku tregohet një fotografi e Enver Hoxhës e vendosur në një lapidar tek i cili shkoi të bëjë nderime ministri aktual i drejtësisë. Dhe e gjithë kjo ndërkohë që, nga partitë në pushtet PS dhe LSI, është shtuar zhurma e  përgatitjeve për festimin me madhështi të 70 vjetorit të çlirimit që bije më 29 nëntor të këtij viti. Gjykoj se përpara se të përgatisë këto festime maxhoranca duhet të mendojnë një çikë më thellë për atë nëse duhet festuar apo jo dita e ashtuquajtur "e çlirimit"; se mos do të ishte më mirë që të hollat e festës të shpenzoheshin që Lufta të studiohet e të njihet më mirë në kompleksitetin  saj me çka kuptoj edhe dekonstruktimin e mitit të Luftës si mit themeltar i pushtetit diktatorial të Enver Hoxhës. Personalisht jam për këtë të dytën dhe më poshtë po rendis argumentin kryesor që s'është i vetmi.
Sipas gjykimit tim në bazë të problematikës nëse duhet festuar apo jo sot nga të gjithë shqiptarët e ashtuquajtura "festë e çlirimit" ka një truk që ka filluar që me Luftën vetë dhe emërimin e saj e që nuk është denoncuar sa duhet qëllimisht edhe sot. Truku qëndron në përdorimin e dy ideologjive që ka përdorur pushteti i Enver Hoxhës si instrumente të pushtetit: asaj nacionaliste dhe asaj komuniste dhe në moskthjellimin si duhet të këtij fakti. Sikurse dihet Lufta filloi me emrin Nacional - Çlirimtare, sipas shembullit të Stalinit që e quajti "Patriotike" luftën kundër gjermanëve, megjithëse kishte mbi njëzet vjet që, medemek, ndërtonte sistemin më të lumtur në botë dhe prandaj ta donte logjika që ta quante "Lufta për Socializmin". Kjo u bë sepse, ajme, mu për shkak të dështimeve dhe të krimeve që kishte bërë, ai e dinte se patriotizmi mund të bashkonte me shumë sesa komunizmi. Edhe në luftën tonë Nacional - Çlirimtare qoftë rinia qoftë më të moshuarit u bashkuan më së shumti në bazë të kësaj ndjenje dhe deri më 1943, kur kapitulloi Italia fashiste, shumica e shqiptarëve ishin bashkë: si komunistët, si ballistë si legalistët.
Por, sipas planeve të komunistëve, lufta nuk do të mbaronte si një luftë patriotike, por si një revolucion që do të përmbyste borgjezinë dhe do të vendoste diktaturën e proletariatit. Dhe e vërteta është se që nga fundi i vitit 1943 deri në nëntor 1944 Lufta mori gjithnjë e më shumë trajtat e një vëllavrasjeje apo lufte civile  që më shumë sesa çlirim nga pushtuesit - të cilët u mundën jo për shkak të rezistencës së brendshme, por për shkak të situatës që u krijua prej tyre në krejt frontin e luftës - solli triumfin e komunistëve që vendosën diktaturën e proletariatit duke filluar menjëherë edhe goditjen dhe shfarosjen e klasave të tjera.
Këta fitimtarë ndërtuan pastaj dhe historinë edhe mitin e Luftës, duke instrumentalizuar edhe gjakun e idealistëve të rënë, në funksion të pushtetit të tyre. Nëpërmjet një loje propagandistike, për të cilën vunë në shërbim propagandën e mirënjohur të masave, shtypin, sistemin arsimor, shkrimtarë, artistë, muzikantë regjisorë etj. ata e paraqitën luftën si një vepër ekskluzivisht të tyren dhe po ashtu, sipas kësaj propagande, që zgjati 45 vjet, shqiptarëve u thuhej përditë se Lufta u kishte sjellë dy çlirime të  mëdha të pandashme nga njëri tjetri: nga pushtuesi dhe nga klasat shfrytëzuese. Pra, duke filluar që nga 1944 - në propagandën e Hoxhës u kultivua dhe u monopolizua dhe retorika komuniste edhe ajo nacionaliste duke i etiketuar kundërshtarët e tyre jo vetëm si armiq të partisë e socializmit, por edhe të popullit edhe të atdheut. Po tel cili armik dhe cili çlirim vihej theksi? Sipas meje këtë e tregon zhvendosja e datës më të rëndësishme historike të shqiptarëve. Deri në ardhjen e komunistëve në pushtet data më e rëndësishme ishte 28 nëntori, shpallja e pavarësisë. Me ardhjen e tyre në pushtet data më e rëndësishme u bë 29 nëntori që, si ditë çlirimi, nuk mund të ishte kurrsesi më e rëndësishme sesa dita e pavarësisë, por ajo bëhej e tillë si data e triumfit të revolucionit të tyre që do të hapte epokën e re në historinë e popullit shqiptar ngjashëm me ditën e Revolucionit të Tetorit që ishte data më e rëndësishme në Bashkimin Sovjetik.  Po të shfletosh dokumentet dhe literaturën e kohës ky theks është mëse i qartë.
Ajo që "harrohet" më së shumti në kohën e sotme është pikërisht ky aspekt i dytë i propagandimit të Luftës dhe të asaj që quhet "dita e çlirimit": se ajo pra është përjetuar dhe përkujtuar nga shqiptarët, për mirë dhe për keq, më së shumti si dita e triumfit të revolucionit që solli në pushtet një parti që, ajme, qysh në atë kohë zërat më kritikë brenda saj, si Sejfulla Malëshova, kishin filluar ta quanin "bandë kriminale". Dhe ç'është më tragjikja këta banditë ishin luftëtarët e kësaj Lufte dhe viktimat e këtyre banditëve ishin edhe ata shqiptarët ndër të cilët edhe shumë pjesëtarë të kësaj Lufte. Kjo e bën shumë të ndryshme Luftën dhe përkujtimin e ditës së mbarimit të saj nga vende të tjera që, pas Luftës II, patën sisteme demokratike ku festat e lidhura me Luftën e II-të përkujtohen si momente që bashkojnë shumicën e banorëve në diversitetin e tyre. Në Itali psh. 25 prillin  1945 e përkujtojnë si ish komunistët e socialistët edhe ish demokristianët. Kujtoj po ashtu se në një vend si Greqia përkujton si festë kombëtare 28 tetorin 1940 kur Metaksa refuzoi ultimatumin italian dhe u rreshtua në anën e aleatëve çka ka bashkuar dhe bashkon dhe komunisttë edhe nacionalistët grekë të asaj kohe e më vonë e pasardhësit e tyre. Për fat të keq Lufta jonë i ka ndarë shqiptarët më dysh mu për shkak se ajo shërbeu, më shumë sesa për çlirimin e  atdheut, si revolucion në emër të vendosjes së një sistemi që rezultoi i gabuar dhe tragjik për shqiptarët.
Prandaj sot nuk mund të mos shtrohet pyetja: a duhet përkujtuar mbarimi Luftës si ditë e çlirimit dhe prandaj duhet festuar apo duhet përkujtuar si dita e vendosjes së regjimit më të egër që kanë provuar ndonjëherë shqiptarët në historinë e tyre me pasoja të pariparueshme që vazhdojnë edhe sot?
Mendimi im është se ajo mund të festohet vetëm nga ata që, për një arsye apo për një tjetër, nuk janë ndërgjegjësuar për të keqen që kemi kaluar nga protagonistët e Luftës, por kurrsesi nga shumica e shqiptarëve. Dhe pikërisht për këtë mendoj se ajo që duhet bërë nuk është festimi, por përpjekja për ta njohur e studiuar në kompleksitetin e saj për të kuptuar më mirë se si kemi qenë dhe si jemi. (Panorama, 10 maj 2014)