Para disa ditësh ne u bëmë dëshmitarë të një akti veçanërisht të rëndë. E kam fjalën për vënien e tritolit në makinën e prefektit të Vlorës, por edhe për qëndrimet që e pasuan atë.Sikurse duhet të jeni në dijeni, për këtë akt ne kemi dy versione diametralisht të kundërta. Njëri është versioni i palës së prefektit, që e lidh këtë akt me kërcënim për shkak të detyrës – më konkretisht me shembjen e pallatit në Vlorë.Në anën tjetër kemi versionin e opozitës, e cila e konsideroi këtë akt si një inskenim nga ana e maxhorancës, për të justifikuar blindimin e pushtetarëve si dhe për të larguar vëmendjen nga problemet e vërteta që ka vendi, siç është edhe debati i fundit lidhur me taksat.Sikurse besoj, ju e kuptoni qartë që të dyja këto versione kanë përmbajtje të lartë rrezikshmërie, dhe, me sa gjykoj, duhet të jenë objekt i hetimeve dhe i ndjekjeve penale.Nëse qëndron versioni i parë: domethënë se tritoli është vendosur në makinën e prefektit me qëllime mafioze, ky është një paralajmërim me përmbajtje tejet të rrezikshme për të gjithë shoqërinë. Ai të bën të mendosh se krimi i organizuar guxon të godasë shumë lart dhe të kërcënojë edhe stabilitetin e shtetit nëse preken interesat e tij. Kjo na e bën jetën të pasigurt të gjithëve, sepse jep sinjalin që shteti nuk do të forcohet dot kurrë për të na mbrojtur nga krimi i organizuar.Në rast se vendosja e tritolit është inskenuar nga pushtetarët, atëherë përsëri jemi përpara një akti me rrezikshmëri të lartë, që na e bën jetën të kërcënuar nga një qeveri dhe maxhorancë që nuk kursyeka as veprime të tilla mafioze për të arritur qëllimet e veta.Ndërkaq, nëse ky version i dytë është shpifje nga ana e opozitës – e cila, sikurse besoj se jeni në dijeni, nuk hezitoi të flasë edhe për “burime të saj të sigurta” -, atëherë besoj se përsëri kemi të bëjmë me një shpifje me pasoja të rënda për shoqërinë, që, sipas gjykimit tim, nuk mund të kalojë pa ndëshkimin e autorëve të saj.Besoj se është e qartë, zoti Kryeprokuror, se sa e rëndësishme është detyra juaj ndaj vendit lidhur me hetimin dhe sqarimin deri në fund të kësaj ngjarjeje. Ne nuk mund të vazhdojmë me të vërteta dhe verdikte që jepen nga partitë që akuzojnë njëra-tjetrën dhe që pretendojnë se versionet e tyre janë apo duhet të jenë edhe vendimet e Gjyqësorit, siç ka ndodhur deri më tani, fatkeqësisht.Ne kemi nevojë të ndiejmë se përtej luftës politike dhe akuzave politike, kur vjen puna për akuza kriminale, kemi besimin se këto do t’i vendosë një Drejtësi që nuk është as në shërbim dhe as e kërcënuar nga këto parti. Ne kemi nevojë të na bashkojë e vërteta e faktit dhe drejtësia edhe kur jemi të ndarë politikisht. Sikurse e dini, deri më sot, për fat të keq, organet e Drejtësisë nuk e kanë kryer këtë funksion. Njerëzit vazhdojnë të mendojnë se drejtësinë kundër atyre që kanë abuzuar me pushtetin do ta bëjnë ata që do të vijnë në pushtet, të cilët, në fakt, deri më sot kanë bërë revanshin e radhës me ndihmën aktive ose pasive të organeve të Drejtësisë. Konflikti maxhorancë-opozitë që provokoi interpretimi i ngjarjes i bën qytetarët e thjeshtë të përjetojnë vazhdimësinë e kësaj përvoje e ta jetojnë drejtësinë në këtë vend si një konflikt mafiozësh që janë mbi drejtësinë dhe ligjin. Pa dyshim se në raste të tilla si ky i fundit, dështimi i kapjes së fajtorëve e ndihmon edhe më shumë këtë përjetim, duke e bërë të paqartë kufirin që ndan drejtësinë, politikën dhe krimin e organizuar. E kjo bën që e ardhmja e shtetit ligjor të duket shumë larg dhe, kuptohet, bashkë me këtë edhe siguria, mirëqenia dhe liria e ne të gjithëve.Rasti në fjalë, sipas mendimit tim, është një sfidë për ju dhe kolegët tuaj, jo vetëm për të zbuluar kriminelët e vërtetë, por edhe për të ndihmuar në fillimin e një procesi pavarësimi dhe fuqizimi të organeve tona të Drejtësisë.Me shpresë se ju dhe kolegët tuajdo të ndani këtë shqetësim.Fatos Lubonja(Panorama, 18 dhjetor 2013)
Sunday, December 22, 2013
Letër e hapur Prokurorit të Përgjithshëm
Friday, December 13, 2013
Mbi ndërtimin dhe shembjen e pallatit të Vlorës
Çështja e pallatit të ashtu quajtur të Vlorës nuk është bërë më kot temë e ditës. Te ngritja e atij pallati reflektohen thuajse të gjitha problemet që na kanë sjellë në gjendjen kritike ku ndodhemi dhe, njëherësh, te shembja e tij edhe shumë pikëpyetje mbi zgjidhjet e tyre, veçanërisht në këtë kapërcyell pushteti, kur maxhoranca e re ka dalë me sloganin ambicioz “rilindje”. Le të shtjelloj disa nga temat e atij pallati.Grabitja e publikesDeti përballë pallatit ka kohë që ulërin për kapjen e shtetit nga “ata” që kontrollojnë njëherësh politikën, ekonominë, mediat, Gjyqësorin – gjithçka në këtë vend e që, duke mos qenë në gjendje të zhvillojnë një ekonomi të shëndoshë, i shfrytëzojnë institucionet e kapura për t’u pasuruar në mënyrën më të shëmtuar: duke grabitur pronën publike. Në këtë rast grabitja ka shkuar deri te grabitja e vetë detit, për t’u përdorur si truall ndërtimi të pallatit. Mjeti më i paturpshëm i grabitjes së publikes është përdorimi i institucioneve të kapura për të hartuar ligje apo për të nxjerrë vendime që kthehen në ligj, për t’i bërë kësisoj pronat e grabitura të paprekshme nesër, gjoja në emër të ligjit.Bashkëpunimi në grabitjePo flitet shumë për pallatin si pronë e vjehrrit të Lulzim Bashës dhe po i faturohet ndërtimi i tij pushtetit të kohës së Sali Berishës. Por, një minutë, pallati është ndërtuar në Vlorë që qysh kur s’mbahet mend është bastioni i Partisë Socialiste. Leja e ndërtimit të tij është dhënë nga një bashki socialiste. Jo thjesht kryetari, por edhe një numër njerëzish janë përgjegjës për legjitimimin e një akti të tillë grabitjeje: gjykatësit që kanë njohur prona inekzistente, juristët e Bashkisë që duhet të kontrollonin dokumentet, punonjësit e hipotekave që kanë regjistruar pronat, ndërtuesit që kanë bërë projekte mbi prona publike, noterët që kanë bërë shitjet. Por ka edhe më në këtë aspekt. Me sa jam i informuar, një pjesë nga ata që njihen sot si pronarë të ligjshëm të apartamenteve të atij pallati janë njerëz të pasur të Vlorës, që i kanë marrë apartamentet me klering, pasi kanë marrë pjesë në ndërtimin e tij duke kontribuar me betonin, pllakat, pajisjet sanitare e më the të thashë. Dhe po ta vësh re, si kategori, janë pjesa kryesore e atyre që sot quhen “të pasur” në Shqipëri. Sigurisht që ata nuk janë vetëm demokratët e Vlorës, por ta do mendja, shumica janë bashkëpunëtorë të afërt me Bashkinë e Vlorës dhe kryetarin e saj. Pra pallati, ose më mirë të them ndërtimi i tij, është edhe simbol i faktit se në të vërtetë këta të fortë dhe këta abuzues nuk janë të ndarë në parti politike kur vjen puna për të grabitur pronën publike.Shembja – fasadë apo fillim i pastrimitQë të rrimë shtrembër dhe të flasin drejt, ky pallat superskandaloz është sivëlla edhe i shumë e shumë pallateve skandaloze të ndërtuara edhe në Tiranë, edhe në Durrës, edhe gjetkë. Pallate në breg të detit, pallate që rrënuan qendrat historike, pallate në oborre shkollash, pallate mbi fusha sporti, pallate mbi lulishte – me lejet e kryetarëve socialistë të bashkive, demokratë, lsi-stë. Pikëpyetja që ngrihet është: do të vazhdojë e keqja edhe pas shembjes së këtij pallati; a do të vazhdojë i njëjti sistem i grabitjes së publikes, ndoshta në forma të tjera, – dhe sipas meje ka kohë që grabitja e pronës publike nuk është më e përqendruar te industria e ndërtimit – apo vërtet jemi në hedhjen e një hapi pozitiv? Pati edhe një artikull në “Corriere della Sera”, që pasi përshkruante se çfarë ka ndodhur në Shqipëri këta njëzet vjet, fliste për një erë ndryshimi, por edhe ngrinte pikëpyetjen nëse kemi të bëjmë me flakë kashte.Kritika më serioze që i bëhet shembjes së pallatit, sipas mendimit tim, janë dy. E para, se shembja po bëhet në mënyrë të paligjshme arbitrare, pa përfillur vendime gjykatash, e kjo, nëse në këtë rast mund të duket e drejtë për shumicën e njerëzve, mund t’u hapë nesër rrugë arbitrariteteve të tjera të maxhorancës. Kritika e dytë është se kemi të bëjmë me një aksion thjesht populist, mediatik dhe selektiv: pra Edi Rama me një gur po vret dy zogj. Së pari, kështu ai bën shpaguesin për tërë ata që e identifikojnë këtë pallat me kundërshtarin; së dyti, me këto aksione Rama krijon, si brenda vendit, ashtu edhe jashtë vendit, imazhin se po lufton korrupsionin. E këtu kritika i thërret kujtesës së Ramës kryebashkiak. Faktit se ai bëri disa operacione spektakolare për të fituar kredibilitet dhe imazh mediatik kombëtar dhe ndërkombëtar, por prapa tyre Tirana pësoi masakrën më të madhe urbane, madje duke u bërë shembull edhe për masakrat urbane që pësuam në qytetet e tjera – pa harruar asnjëherë se kjo është bërë me sistemin e grabitjes që përmenda në fillim.Në këtë pikë të ngjarjes, sipas meje, shtrohen disa hipoteza që kërkojnë përgjigje. E para: a kemi të bëjmë përsëri me të njëjtën lojë shkatërrimesh për imazh të maxhorancës së radhës? (Le të kujtojmë se para tetë vjetësh edhe maxhoranca e Berishës bëri nja dy-tri shembje spektakolare: të mbikalimit te Zogu i Zi, i cili ligjërisht dukej i pashembshëm, por që ishte një gjë skandaloze që shumica e quajti të drejtë, një ndërtesë te Rruga e Elbasanit, si dhe vënien e dhëmbëve të buldozerit në një pallat në qendër të Tiranës të ndërtuar mbi rrugë.) Pra, a kemi të bëjmë në këtë rast me një projekt fasadë të Ramës që shëtitoren e Vlorës ta paraqesë si kartëvizitën e tij të suksesit, ashtu si bëri me Lanën dhe pastrimin e parkut “Rinia” e ndërkohë të tijtë do të vazhdojnë të grabisin ku të mundin, siç bënë asokohe me hapësirat publike të Tiranës? E dyta: mos vallë edhe sikur Kryeministri të ketë vullnet serioz ai nuk mund ta kryejë dot operacionin e pastrimit të Shqipërisë kështu siç është katandisur vendi, prandaj duke e ditur edhe këtë, ai bën këtë aksion imazhi? E treta: mos vallë Kryeministri do ta pësojë edhe vetë nga sistemi për të cilin fola më sipër po vazhdoi me këtë formë duke krijuar bindjen se e ka seriozisht?Sipas meje, duke pasur parasysh se Edi Rama mbështetet mbi përvojën e tij me Tiranën – që e ka quajtur gjithmonë “histori suksesi” – më e besueshme është hipoteza e parë: fasada që tenton të “ngopë” psikologjikisht mbështetësit e të krijojë imazh pozitiv, veçanërisht te të huajt, për të legjitimuar pushtetin. Gjithsesi, unë mendoj se fasada ka rëndësinë e vet, se ajo vendos disa limite që nuk duhen kaluar më. E keqja është se duke fshehur problematikën e vërtetë strukturore të së keqes, ajo e lë atë të përparojë.Opozita dhe konflikti permanentKy pallat do të duhej të shërbente si një moment reflektimi ndryshimi përgjegjshmërie ndaj publikut dhe interesit publik, por duket se kjo nuk po ndodh. Opozita po i bën një luftë shkatërrimit të pallatit, ku gati-gati ka humbur vija ndarëse midis interesit privat të kryetarit të saj dhe interesit publik që duhet të përfaqësojë një parti. Ajo po i mëshon vetëm paligjshmërisë së aksionit kundër pallatit, por në diskursin e saj nuk ka asnjë refleksion mbi vetë fenomenin që përfaqëson dukshëm ky pallat, që duhet të dënohet e korrigjohet. Nga ana tjetër, mënyra se si po e interpreton Edi Rama: si një aksion të maxhorancës që përfaqëson të mirën kundër së keqes, pa thënë asnjë gjysmë fjale për faktin se një pallat i tillë është ndërtuar në një bastion socialist, për faktin se pallate të tilla janë ndërtuar edhe në Durrës, edhe në Tiranën e tij sipas sistemit të grabitjes që përmenda më sipër, tregon se me shumë gjasa po vazhdon i njëjti teatër: ai i konfliktit permanent të dy llogoreve, i gjysmë të vërtetave, i delegjitimimit reciprok të palëve, që ka si anë tjetër të medaljes legjitimimin reciprok. (Panorama, 11 dhjetor 2013)
Wednesday, December 4, 2013
Zemërimi i njerëzve dhe mjeshtrit e statukuosë
Tema e protestave kundër armëve kimike vazhdon të ketë një farë jehone, por duket sheshit se ajo po zbehet shpejt, veçanërisht në mediat televizive dhe shtypin e shkruar të vendit tonë dhe, ç’është më e keqja, duke u keqinterpretuar edhe kur rimerret. Protestuesit kanë heshtur tashmë. Shumica e tyre janë strukur në shtëpi apo në foletë e blogjeve të internetit, kurse organizatorët ambientalistë apo ata të AKIPI-t nuk dihet se me çfarë merren tani në zyrat e tyre të vogla. Si rëndom, skenën e opinionit publik, veçanërisht atë mediatike, e zaptuan përsëri manipuluesit e përhershëm të statukuosë: ata që natë e ditë, ditë e natë merren vetëm me akuza të ndërsjella për të na provuar se kush është më i keq Berisha apo Rama, Rama apo Berisha apo Ilir Meta.Kur bie fjala për protestën, bie në sy se mjeshtrat e maxhorancës nuk kanë shumë qejf ta përmendin atë. Por, kur shtrëngohen, përdorin shpesh shprehjen “menaxhim i keq” që solli “panik”. Pra, me demek, të kapur në befasi nga armiqtë e popullit, që ishin “ekspertët e rrugës”, njerëzit i kapi paniku. Disa të tjerë, po nga kjo llogore, vënë në dukje faktin se sa e qetë, paqësore, ishte protesta – në sajë të ekipit të ri që na ka ardhur në pushtet. Andej nga llogorja tjetër, ndërkaq, askush nuk guxon të merret me faktin se Berishën dhe Bashën protestuesit i përzunë. Madje, disa syresh, të sigurt se s’ka asgjë tjetër përveç tyre në horizont, kanë filluar të fërkojnë duart e të thonë se edhe pak e, me këtë kryeministër që bën gafa kësisoj, atyre do t’u duhet t’u kthehen shpejt karrigeve që s’u ka dalë akoma era e korrupsionit të tyre.Ndërkaq, janë duke u shuar edhe debatet pa fund midis tri kategorish proamerikanësh, që mbushën mediat ditët e para pas protestave: proamerikanët e maxhorancës që na thanë se ky refuzim i gabuar na prishi shumë punë dhe ishte diçka e pafalshme për ata që e nxitën, proamerikanët e opozitës që na thanë se amerikanët nuk kishin faj në këtë punë, se fajin e kishte Edi Rama që iu ofrua atyre me vullnetin e tij për të marrë ndonjë çmim apo ftesë në Shtëpinë e Bardhë, si dhe proamerikanët që na thanë se ky refuzim nuk na prishi punë me amerikanët. Me mesazhin e John Kerrit për 28 Nëntorin, duket se u ftillua edhe kjo punë. Çdo gjë do të shkojë si më parë, për bukuri, ashtu siç kërkojnë edhe mjeshtrat e statukuosë. Amerikanët shohin te klasa jonë politike, si në maxhorancë edhe në opozitë, partnerë luajalë, ashtu sikurse ne shohim te SHBA mikun e madh. “Rroftë udhëheqja jonë e lavdishme!” “Rroftë miqësia shqiptaro – amerikane!” “Miqësia – garancia!” “Rrofshin festat e 28-29 Nëntorit!”.Në këtë atmosferë festive, deputetët e të gjitha palëve aprovuan me unanimitet rezolutën e paraqitur nga llogorja djathtas, që kërkon dhënien e statusit të vendit kandidat për Bashkimin Europian. E meritojmë, posi nuk e meritojmë, me këta burra fantastikë që kemi në krye të vendit. U harrua edhe shumëkatëshja që na ka vjedhur deri edhe detin për të cilën akuzojnë njëri-tjetrin.Ndërkaq, duket sikur askush nuk do t’i përmendë e analizojë fishkëllimat dhe dëbimin e Berishës, Bashës e Ilir Metës nga protestuesit dhe as zemërimin e tyre të pafund ndaj Ramës. Mjeshtrat e statukuosë na thonë: tani që ju doli paniku, kthehuni e rrini para televizioneve tona e ndiqni komedinë e trushpëlarjes që ju bëjmë ditë për ditë, duke ju treguar se kë duhet të votoni në zgjedhjet e ardhshme – koalicionin PS-LSI apo atë PD-LSI – sipas radhës gjithmonë, me rotacion, sepse jemi një vend demokratik si gjithë të tjerët. Si intermexo mund të ndiqni ndonjë takim të udhëheqësit të lavdishëm të maxhorancës me shkrimtarët dhe artistët, – kujdes, jo në Lidhjen e Shkrimtarëve as në Galerinë e Arteve, por në Kryeministri, – apo ndonjë refleksion në facebook të udhëheqësit historik të opozitës që tallet me piktorin e dështuar. Dhe për çdo rast ekstrem, si ai i armëve kimike, mos harroni se kemi Ilir Metën që i qetëson gjakrat duke u kujtuar ekstremistëve të të dy anëve të mos shkojnë shumë larg se po iu hapën petët lakrorit, s’ka qen që ta hajë më atë.Mirëpo mua më duket se këtij lakrori i janë zbuluar petët keqas tashmë. Dhe protesta e provoi këtë. Flaka e saj hodhi një dritë, që ndriçoi disa të vërteta, që s’mund t’i fshehin dot dritat e ekraneve dhe faqet e gazetave të llogoreve. Ajo tregoi zemërimin dhe mllefin e madh që ekziston ndaj kësaj kaste në pushtet. Ata që flasin për panik, duan të gënjejnë veten. Ajo që ndodhi nuk ishte panik, sepse paniku nënkupton një situatë ku njerëzit ikin me vrap për t’i shpëtuar një rreziku. Kurse njerëzit u mblodhën, sepse ndjenë sigurisht një frikë, por edhe sepse ndjenë një zemërim të madh. E vërteta është se ne u ndjemë të poshtëruar pa limit; dy herë të poshtëruar, shumë herë të poshtëruar – prandaj dhe të zemëruar. Në thelb, zemërimi u ngjall pasi donim të ndiheshin të barabartë në dinjitet me të gjitha shtetet e këtij rruzulli dhe me të gjithë individët e tij. Donim të ndiheshin të barabartë me norvegjezët, me turqit e të tjerë, qeveritë e të cilëve i thanë “jo” me shumë lehtësi asaj aventure, pa i shtrënguar qytetarët e tyre të dalin në protesta. Ne u ndjemë të poshtëruar, prandaj dhe të zemëruar, pse u paraqitëm, si gjithmonë, të gatshëm për t’u kthyer në kosh plehrash; por edhe pse dëgjonim të na thuhej, nga të ashtuquajturit miq apo partnerë: ju mund të keni goxha përfitime nga kjo punë, duke nënkuptuar atë që s’na e thoshin drejtpërdrejt: pse tregoheni edhe dhi e zgjebosur, edhe bishtin përpjetë; përderisa nuk jeni në gjendje të punoni e të ndërtoni një ekonomi të shëndoshë me bujqësi e turizëm dhe agroturizëm, të jetoni thjesht dhe me nder në një vend të pastër, pse nuk e pranoni këtë ofertë që mund t’ju ndihmojë të pastroni edhe haletë tuaja që nuk jeni në gjendje t’i pastroni vetë? Shikoni si jeni katandisur dhe ulni kokën, merrini ato para dhe filloni punoni; më mirë kjo punë e ndershme me maskat e gazit në fytyrë, sesa me maska grabitësish, hajdutësh e trafikantësh – siç e keni mbushur vendin. Tek e fundit, edhe po vdiqët ca vite më parë nga kanceri apo nga ndonjë shpërthim aksidental, nuk u bë kiameti. Pse ç’e dini veten, mos pandehni se jeta juaj dhe e fëmijëve tuaj vlen sa ajo e qytetarëve dhe fëmijëve amerikanë? Harruat se si jeni mbytur me gra e me fëmijë në ujërat e Adriatikut e Jonit për të shkuar të punoni si shërbëtorë. A nuk e shihni se po vriteni përditë rrugëve, ngaqë as dini t’i ndërtoni, as dini t’i ngisni makinat si njerëz normalë? A nuk e shihni se thithni në qytetet tuaja një ajër, që është njëqind herë më keq se helmet e Asadit?Njerëzit u zemëruan pra, edhe sepse ndienin një të vërtetë në këto “argumente”, por edhe sepse jo çdokush pranon ta identifikojë veten me llumin e këtij vendi dhe, mbi të gjitha, sepse këtë racizëm e poshtërim e ndiejnë se u vjen nga kasta në pushtet, mjeshtrat e statukuosë, që prej kohësh e kanë ndarë këtë shoqëri në capak, ata, që, me demek, do të hyjnë në histori e do të pasurohen për shtatë breza dhe në shumicën idiote dhe injorante që thjesht duhet të shërbejë si masë skllevërish, që duhet të punojë për pasurimin e tyre e për të ngritur piramidën e varrit të tyre.E pra, problemi është se zemërimi i protestave të nëntorit duhej të mbahej gjallë për t’i kërkuar llogari kësaj kaste, që na ka sjellë në këtë gjendje ku thuajse përditë ndodhin skandale për të cilat njerëzit thonë: kjo vetëm në Shqipëri mund të ndodhë. Sepse ndërkaq nuk vonuan poshtërimet e radhës, nga ato që ndodhin vetëm në Shqipëri. Paçka se jo aq të rënda sa sjellja e armëve kimike, ato janë të tilla që duhet t’i mbajnë njerëzit në rrugë. Ja shikoni kronikën e vetëm dhjetë ditëve të fundit: në burgjet tona të sigurisë së lartë të burgosurit mbajtkan brenda deri edhe kallashnikovë! Ndërkaq mjeshtrat e statukuosë grinden se policët e kujt i kanë futur: ata të këtyre apo të atyre? Prokurorët e gjykatësit rrjepin njerëzit me shifra marramendëse të hollash për t’u dhënë fajësi apo pafajësi – aq sa sot thuhet se të vetmit milionerë të vërtetë, nga ata që kanë para dhe jo borxhe në Shqipëri, janë prokurorët e gjykatësit – dhe njerëzit janë të detyruar të dëgjojnë mjeshtrat e statukuosë se kush i ka emëruar, këta apo ata. Dhe ja një skandal mbi skandalet: jemi i vetmi vend në botë, ku edhe kompanitë ajrore bien me rënien e qeverisë. “Belle air” grabit pasagjerët (janë afro 54 000 thotë media) në mënyrën më të paturpshme duke shitur bileta edhe disa orë përpara shpalljes së falimentimit dhe njerëzit nuk dinë se çfarë të bëjnë: janë grabitur, janë poshtëruar dhe s’kanë ku kërkojnë të drejtën e tyre. As emrin nuk ia dinë pronarit apo pronarëve, sepse nuk dihet se kush politikan fshihet prapa, por edhe sepse, me shumë gjasa, kanë korruptuar tërë gazetarët me fluturime gratis, siç thuhet se kanë bërë edhe për të sjellë votuesit e atyre që qenë deri dje në pushtet. Askush nuk arrestohet si përgjegjës për këtë megavjedhje. Dëgjojmë vetëm grindjen midis mjeshtërve të statukuosë: këta që na thonë se kjo ishte kompani e atyre dhe ata që na thonë se e falimentuan këta për të ngritur kompaninë e tyre.Nesër prisni skandalin tjetër poshtërues dhe spektaklin tjetër me akuza midis këtyre dhe atyre.E pra, kush ishte në protestë dhe ka mësuar ndonjë gjë prej saj – e, sipas meje, mësimi kryesor i saj ishte ai se i duhet dhënë fund nënshtrimit ndaj të keqes me shprehjen: këtë/këta meritojmë ne – duhet të nxitojë të mbledhë thëngjijtë e zemërimit që kanë mbetur ndezur të saj për t’i dhënë nismën një lëvizjeje që duhet të synojë t’i japë fund këtij poshtërimi tonë të përditshëm. (Panorama, 2 dhjetor 2013)
Saturday, November 30, 2013
Pas furtunës
Para disa ditësh u botua në “Mapo” një
intervistë e imja dhënë Aleksandra Bogdanit, me titull “Protesta si tragjeditë
greke, ku pesha e gjëmës tronditi thellë të keqen brenda nesh” dhe me
titull on line: “Protesta, fillimi i luftës për të ndryshuar Rama: mallkime në
vend të ndjesës”. Më la shije të keqe fakti që ndonjë media online e mori dhe e
sintetizoi duke i vënë titullin/lajm: “Lubonja e krahason fjalimin e Ramës me
atë të Hitlerit”. Dhe u shqetësova jo pse mendova se për qëllime sensacioni po
nxirrej nga konteksti dhe deformohej një thënie, por sepse ndjeva erën e
gazetarisë së llogoreve që nuk synon as t’i shërbejë informimit të publikut dhe
as thellimit të analizës së një ngjarjeje, por ruajtjes së statukuosë së
rreshtimit të njerëzve në llogoret e Ramës dhe të Berishës, duke skualifikuar
këdo që kërkon diçka përtej tyre e në radhë të parë shoqërinë civile e
gazetarët e pavarur. Ndërkohë më duket se ajo që ndodhi ishte pikërisht e kundërta
e rreshtimit në llogore.
Nuk e mohoj se duke komentuar fjalimin e Ramës them
edhe se: “Nga pikëpamja e gjendjes së tij psikologjike (fatmirësisht jo e
pasojave), më kujtoi Hitlerin, që, kur po humbte luftën për fajin e tij,
mallkoi popullin gjerman që nuk e meritonte një lider si ai”. Për hir të së
vërtetës, nuk kam lexuar (dhe as flas për) ndonjë fjalim kësisoj të Hitlerit,
madje nuk di të them se në ç’libër fiction, dokumentar apo eseistik e kam
gjetur këtë pohim. Por thelbi është se i referohem “gjendjes psikologjie”
të një lideri, i cili nuk është në gjendje të shohë humbjen si pasojë e
gabimeve të veta, pasi është i zhytur në paranojën e tij dhe që, edhe kur
detyrohet t’i nënshtrohet një humbjeje, fajëson të tjerët, gjithë të tjerët,
përveç vetes. Nuk e mohoj, po ashtu, se asosacioni më ka ardhur ngaqë idenë e
sjelljes së armëve kimike në Shqipëri e kam përjetuar si një çmenduri të madhe
në luajtjen me fatet e një populli të tërë. Megjithatë, ndoshta e kam
ekzagjeruar. U kërkoj ndjesë mbështetësve të Ramës. Mund të kisha thënë: Më
kujtoi Sali Berishën, i cili, kur humbi zgjedhjet, ua vuri fajin mashtrimeve të
opozitës dhe budallallëkut të popullit shqiptar që nuk ditën të vlerësojnë
arritjet e tij. E di që edhe kjo do t’u duket e tepruar, por s’kam ç’u
bëj.
A nuk qe kështu? Në 29 minuta, nga 30 minutat që foli,
Rama, në vend se të shihte një realitet të ri, pa, apo deshi të shihte,
politikën e llogoreve dhe i ndau njerëzit që protestuan në dy pjesë: në një
pjesë që veproi “me poshtërsi” ku hynte opozita dhe “grupe mediatike”, dhe në
një pjesë të madhe budallenjsh, që ishte mashtruar nga këta maskarenj që
arritën deri atje sa të mërzitnin edhe partnerin amerikan. Akuza ndaj “të
poshtërve” ishte se gënjenim, pasi nuk kishte ndonjë vendim, dhe mashtronim kur
thoshim se Shqipëria do të kishte keq dhe jo mirë nga ajo punë.
Le ta fillojmë nga e para. Besoj se u pa qartë se
sikur njerëzit të mos kishin dalë në protesta ditën e premte “the decision”
(siç e quajti Walker në Al Jaseera, që përkthehet në shqip “vendimi”), do të
bëhej publik botërisht me miratimin e axhendës së Organizatës për Ndalimin e
Armëve Kimike. Pra mu atë ditë Shqipëria do të ishte shpallur vendi ku do të
depozitoheshin armët kimike. Pjesa tjetër e punës do të ishte thjesht procedurë
ligjore për ta kthyer këtë fjalë të dhënë në një vendim të qeverisë të aprovuar
nga Parlamenti shqiptar dhe për të përcaktuar pastaj procedurat e mëtejshme.
Për këtë kishte punuar edhe ambasadori amerikan, i cili, siç tha edhe vetë,
përveç “po”-së së Ramës, kishte marrë fjalën e opozitës shqiptare, që nuk do të
thoshte jo. E kjo shpjegon se pse deri të enjten në mëngjes, kur u pa se
zemërimi i njerëzve ishte i papërmbajtshëm, opozita ankohej vetëm për mungesë
transparence, por nuk fliste kundër sjelljes së armëve kimike. Dimë gjithashtu
– nga burime të pakonfirmuara zyrtarisht, por të besueshme – se shteti kishte
marrë edhe disa masa për mirëpritjen e këtyre armëve. Atëherë, kush gënjen
lidhur me atë nëse kishte apo nuk kishte marrëveshje apo vendim apo fjalë të dhënë,
quajeni si të doni?
Pjesa e dytë e “mashtrimit” gjithë sipas Ramës, ka të
bëjë me atë se ne “jo ekspertët” ia paraqitëm publikut një punë të mirë
pastruese si një zezonë helmimi. Mjerisht kjo fushatë vazhdon edhe pas fjalimit
të Ramës. Fakti është se ne, pa dallim midis njërëzve publikë dhe jopublikë, u
mbështetëm sa te bon sensi që merrte parasysh vogëlsinë e territorit shqiptar
apo përvojën e të tjerëve, aq edhe te ligji, si ai shqiptar i aprovuar nga
Berisha dhe i abroguar krejtësisht nga Rama, ashtu edhe te ligjet mbi ndalimin
e importimit të substancave kimike toksike në vendet e botës, duke përfshirë
edhe SHBA. Mirëpo, sipas ekspertizës së mosekspertizës së Kryeministrit pa
ekspertë, shqiptarët duhet të besonin se ne do të kishim dalë më të pastër. Së
pari, një pyetje më lind duke parë edhe vështirësinë e gjetjes në botë të një
Kryeministri të dytë si ky i yni: Pasi ato 1300 tonët të shndërroheshin në 13
000 tonë kontejnerë të ndotur e më the e të thashë, siç tha eksperti Walker, në
cilin vend do të çoheshin? Unë nuk pashë të dilte ndonjë emër në axhendën e së
premtes për këtë. Së dyti, unë e pranoj se dikush mund të ketë mendimin e tij
të kundërt, por tjetër gjë është mendimi i sinqertë kundër dhe tjetër është të
servirësh gënjeshtra si ato me 13 miliardë dollarët apo heqje vizash amerikane
e hyrje në Europë, që u vunë në qarkullim, për t’u thënë budallenj e të
manipuluar gjithë të tjerëve. Së treti, është gënjeshtër e madhe të thuash se
popullit iu drejtua vetëm opozita dhe disa grupe mediatike “të poshtër” e “me
borxhe”. A e ka parë Kryeministri një video të bërë nga intelektualë e artistë
që jetojnë jashtë Shqipërisë (shih videon:
http://mapo.al/2013/11/15/artistet-kunder-rita-ora-dhe-elsa-lila-jo-armeve-kimike-video/.)
Po shqiptaro-amerikanin Van Christo, veteran i Luftës së Dytë, kush e nxiti që
i ka shkruar, që me 9 nëntor, atë letër emocionuese John Kerry-t
(http://frosina.org/van-christos-letter-to-secretary-kerry/) ku e quan
“deplorable action” atë që donte të bënte qeveria amerikane? “Tmerrësisht i
keq, që meriton dënim të fortë” – është një nga shpjegimet që jep fjalori për
një veprim që meriton epitetin “deplorable”.
Është e vërtetë se “jo”-ja e njëminutëshit të fundit
të Ramës ishte çliruese për të gjithë. Është po ashtu e papranueshme që Berisha
kërkon ta interpretojë “po-jo”-në e tij si “pavendosmëri” apo si thyerje e
besës kanunore shqiptare që na paska prishur punë me amerikanët. Ne e dimë mirë
se si “vendosmëria” dhe “besa” e tij në raste të tilla veçse ua ka thelluar
tragjedinë shqiptarëve: le të kujtojmë ‘97-n apo 21 janarin. Berisha, po të
kishte reflektuar qoftë edhe një minutë me sinqeritet mbi këtë ngjarje, do
duhej të kishte thënë se ka edhe ai përgjegjësi për këtë që ndodhi me
servilizmin hipokrit që ka treguar ndaj amerikanëve kur i ka thënë “po” çdo
propozimi të kësaj natyre dhe duhej të dilte nga llogorja përfundimisht. Por
ama fjalimi i Ramës nuk na çliroi nga problemet që kemi pasur me Berishën,
përkundrazi. Për mua, jo vetëm, siç e thashë, ai i ngjante si dy pika uji fjalimit
të dorëheqjes së Berishës kur humbi zgjedhjet, por edhe reagimi i militantëve
të Ramës, që filluan të glorifikojnë njeriun që dëgjuaka, medemek, zërin e
popullit e të demonizojnë ata që kritikojnë fjalimin e tij të “dorëheqjes” nga
armët kimike, ishte një kopje e reagimeve të militantëve të Berishës, që u
mallëngjyen aq shumë nga dorëheqja e liderit të tyre “historik”, saqë nuk
duronin askënd që u thoshte se kjo dorëheqje ishte hipokrite.
Dhe kjo na mban te politika e vjetër e personalizimit
të institucionit nga lideri, te politika e luftës për pushtet dhe para të dy
llogoreve, që kërkojnë të bëjnë aleat për këtë ambasadorin amerikan. Për mua
nuk ishte normale, p.sh., që njerëzit po prisnin me ankth se çfarë do të
vendoste Kryeministri në orën e fundit pas protestave të tyre, ndërkohë që do
të duhej të kishin ditur me kohë se Këshilli i Ministrave, pas konsulencës me
këshilltarë dhe ekspertë të fushës, me ekspertë ligjorë, të ambientit, të
politikës, të Europës së Bashkuar etj., i kishte thënë “jo” një kërkese të SHBA
për sjelljen e armëve kimike të Sirisë në Shqipëri. Ishte e papranueshme që
Kryeministri na mbajti edhe 29 minutat e fundit në ankth, dhe ç’është më e
keqja, tha: “Unë u thashë atyre dhe tani po ju them edhe juve…”. Edhe Enver
Hoxha, ndonëse vendoste vetë, kurrë nuk thoshte “unë”, por “Partia”, “Byroja
Politike”, “Kuvendi Popullor”.
Deri më sot, siç tregoi edhe kjo ngjarje dramatike,
personalizimi i institucionit ka bërë që vendimet arbitrare të “shefit” t’i
imponohen ligjit, procedurave, institucioneve. Pastaj, për të justifikuar këto
vendime që më së shumti kanë rezultuar të gabuara apo të dëmshme për shumicën,
sepse në favor të vetes, mikut, sekserit, djalit, vajzës, klanit… është
përdorur politika e llogoreve “jeni me ne apo kundër nesh?” Çdo kundërshti
është justifikuar me atë se ata që kundërshtojnë janë të llogores së armikut
dhe e bëjnë këtë se janë armiqtë tanë, prandaj dhe të Shqipërisë, prandaj dhe
të amerikanëve, dhe broçkulla si këto.
Kësaj i thanë “jo” shqiptarët me forcë kësaj here. Ata
thanë se në demokracinë që po ndërtojmë ne presim që vendime apo marrëveshje të
tilla, kushdo qofshin ato, të jenë në interes të shqiptarëve, dhe jo të
pushtetit apo parasë së llogoreve, e për këtë ato duhet të merren pas
konsultimesh e ekspertizash nga institucionet dhe jo nga “shefi” i llogores
personalisht, dhe të kthehen në vendim duke u votuar në Parlament vetëm pas
konsultimesh me popullin e tërë apo me popullsinë e një zone të interesuar kur
e do rasti.
Ata që nuk e kanë nxjerrë këtë mësim edhe nga kjo
ngjarje, vështirë se hyjnë në kategorinë e njerëzve që mund të mësojnë diçka të
re në këtë jetë, që të mund të bëhen, kësisoj, edhe më të ditur e më të mirë
për të tjerët. (Panorama 21
nëntor 2013)
Sunday, November 17, 2013
Lubonja: Protesta, fillimi i luftës për të ndryshuar, Rama, mallkime në vend të ndjesës
Intervistoi Aleksandra Bogdani (Mapo 16 nëntor 2013)Zoti Lubonja, shqiptarët dolën në rrugë, të frikësuar nga sjellja e armëve kimike pas një bllokade informacioni prej mëse trejavëshe nga qeveria, ndërsa mediat ndërkombëtare raportonin se vendimi ishte thuajse përfundimtar. Më në fund protesta popullore fitoi kundër marrjes së këtij vendimi, ndërsa kryeministri na transmetoi idenë se kjo ishte një fitore e gabuar. Ju si e komentoni këtë situatë?Për mua ky ishte si ai rasti kur një sëmundje, që e kemi në trup prej kohësh, shpërthen me virulencën e saj maksimale duke bërë që i sëmuri kësaj here të kuptojë se po i rrezikohet jeta dhe prandaj duhet të marrë masa serioze. Kjo që ndodhi ishte reagimi i popullit ndaj sëmundjes. Cila është sëmundja dhe agjentët e saj? Paaftësia jonë për të ndërtuar një shtet dinjitoz, që ka gjetur shprehjen e saj më të shëmtuar tek politikanët e korruptuar e të pandëshkuar e paranojakë që kemi, të cilët, duke qenë edhe të paaftë për të ndërtuar ekonomi të shëndoshë, kërkojnë të rrinë në pushtet duke mashtruar, manipuluar e shantazhuar njerëzit e duke kërkuar të fitojnë legjitimitetet e para me mbështetjen e të huajve, duke u bërë atyre çdolloj koncesioni. Këtë sëmundje tonën e kanë shfrytëzuar në këtë rast amerikanët për interesat e tyre, edhe të paqes, por jo të Shqipërisë. Shqipëria në këtë rast, përsa i përket amerikanëve, ishte në rolin e të sakrifikuarit për një çështje shumë më të madhe. A e lexuat ç’thoshte deputeti gjerman Jan van Aken: “…kërkohet hallka më e dobët e një zinxhiri dhe Shqipëria si një vend i vogël, në borxh, vihet nën trysni për ta kryer këtë punë. Politikisht, teknikisht dhe nga aspekti shkencor nuk ka asnjë arsye për të zgjedhur Shqipërinë…”.Kjo mpleksje interesash bëri që midis kësaj race politikanësh që kemi dhe amerikanëve të arrihet një marrëveshje e turpshme kulisash, si ato që amerikanët, për interesat e tyre, kanë bërë me regjime autoritare dhe jopopullore, jo në pak vende të botës. Por Shqipëria dhe shqiptarët, megjithë mangësitë e mëdha përsa i përket demokracisë, treguan edhe kësaj here, siç e kanë treguar në raste ekstreme, se ka një kufi autoritarizmi dhe abuzimi që ata s’e lejojnë më të kalohet. Sepse kësaj here, kjo racë politikanësh tentoi të shkojë shumë larg. Një nervozizëm të tillë të popullit unë e kam përjetuar vetëm në vitin ’97, kur u vodh nga piramidat financiare.Si e komentoni fjalimin e Ramës? Ç’duhet të bëjë një kryeministër pas kësaj ngjarjeje, si e parashikoni të ardhmen e Ramës në qeverisje?Unë bëj pjesë ndër ata që janë shprehur se kjo klasë politike duhet të ndëshkohet e tëra dhe jo të ketë luksin e rotacionit mes vetit. Megjithatë jam shprehur edhe se nuk është racionale të vësh bast për dështimin e kësaj qeverie dhe të Ramës në krye të saj, pasi ky dështim do të bjerë mbi kurrizin e të gjithëve, prandaj duhet mbështetur çdo gjë që na duket pozitive, në interesin publik. Jam i vetëdijshëm se tregohem kontradiktor, kur edhe kërkoj të gjej zgjidhjen jashtë kësaj klase politike, duke mos pasur besim tek ajo, edhe mbështets selektivisht ndonjë zgjedhje të Ramës. Por kjo vjen për të vetmen arsye se zgjidhja e parë më duket shumë e vështirë. Ndërkaq, ngjarja e fundit duke përfshirë edhe fjalimin e Ramës, ma ka thelluar edhe më kontradiktën, pasi është sinjal i pastër se ky Kryeministër, që nuk duhet t’ia uronim asesi dështimin, e ka dështimin të shkruar në ballë. Fjalimi i tij ishte ogurzi për mua në këtë drejtim. Nga pikëpamja e gjendjes së tij psikologjike (fatmirësisht jo e pasojave) më kujtoi Hitlerin, që kur po humbte luftën për fajin e tij, mallkoi popullin gjerman që nuk e meritonte një lider si ai. Fjalimi ishte një shoshë me gënjeshtra që kërkonte të mbulonte diellin e së vërtetës që e pa çdo shqiptar: e para, se ajo që ai donte të bënte ishte në dëm të Shqipërisë dhe vetëm në interes të tij e të pushtetit të tij personal e prandaj dhe e kishte mbajtur fshehur – sepse përndryshe do të na e kishte thënë me gaz që ditën e parë, siç na tha, pa u bërë ende kryeministër, se do të shkonte në luftë në Siri – dhe e dyta, se atë e detyroi të sprapset presioni i madh popullor, ku duhen futur edhe njerëzit e tij, dhe jo opozita e mallkuar dhe grupe mediatike që e paskan manipuluar rininë. Shkurt, në vend se të dëgjonim një ndjesë të madhe, madje edhe një dorëheqje, dëgjuam mallkimet e fyerjet e një njeriu që të kujtonte në disa pasazhe fjalimet e Enver Hoxhës kur fliste për Bashkimin e lavdishëm Sovjetik. Në një vend normal do të kërkohej menjëherë dorëheqja e Kryeministrit, pasi ai paraqet një rrezik të madh me pushtetin që ka, papërgjegjshmërinë, mungesën e serioziteti ndaj popullit që e ka zgjedhur, mungesën e transparencës, me hiletë dhe mashtrimet që përdor. Nga ana tjetër nuk mund të mos mendosh se çfarë vjen prapa. Sepse Berisha na ka krijuar bindjen se do të kishte bërë të njëjtën gjë sikur të ishte në pushtet. Madje, ndoshta do të gjendeshim edhe më keq, sepse në partinë e tij nuk do të dilnin dot zëra kundër, siç dolën në PS kësaj here.Personalisht ndjehem shumë i shqetësuar për çfarë na pret, megjithë entuziazmin e kësaj fitoreje që i ka kapur disa. Imagjinoni, Rama hapi një betejë për kontrollin e territorit dhe kundër ndërtimeve pa leje, hapi edhe atë kundër lojërave të fatit, edhe kundër evazionit fiskal – për të cilat e kemi mbështetur. Vetëm njëra nga këto kërkon përqendrim e energji të jashtëzakonshme për t’u realizuar dhe do të mjaftonte për t’i shtuar pikë qeverisë po të realizohej. Dhe befas krijoi një situatë të tillë, që e zhvendosi krejtësisht vëmendjen, duke na humbur besimin në seriozitetin e këtyre betejave. Ky njeri kujton se të qeverisësh do të thotë thjesht të bësh ndonjë gjë spektakolare, që të dalësh në televizion dhe gazeta të huaja dhe të bësh ndonjë fotografi me Obamën dhe jo siç, ka thënë vetë duke vjedhur ndonjë frazë të cilën në fakt nuk e ndjen: të punosh për të kryer me përkushtim, modesti dhe durim detyrat që të ngarkon populli që është në pushtet.Në këto kushte, kjo protestë, minimalisht duhet të ndikojë në korrigjimin e kësaj klase politike, e me çka kuptoj edhe mundësinë e zgjedhjen së një kryeministri tjetër nga kjo mazhorancë. Vetëm gatishmëria për të protestuar për çdo gjë të mbrapshtë mund të krijojë një shpresë se mund të fillojmë të hapim tunelin ku jemi ngujuar e të dalim në dritë. Përndryshe, do të na zërë brenda. Si mund të vijë kjo? Imagjinoni, pa këtë protestë, helmet do të silleshin dhe imagjinoni pastaj një aksident që do të mbyste me mijëra njerëz. Atëherë do të vinte fundi edhe i kësaj klase politike, edhe i joni. Këtë shikojeni edhe si mundësi reale, që u evitua, por edhe si metaforë të gjendjes në të cilën jemi.Protesta tek Ambasada amerikane mund të quhet “një ngjarje brenda ngjarjes” për një popull që është konsideruar si më pro-amerikani në botë. Rama i mëshoi shumë detyrimeve të tradhtuara, sipas tij, ndaj Amerikës në fjalimin e tij. A po rritet bashkë me protestën një frymë anti SHBA në Shqipëri dhe në këto rrethana, a mund të konsiderohet e dëmshme?Dashuria jonë e madhe për Amerikën është një manipulim i trashëguar nga kultura propagandiste e Enver Hoxhës. Ju kujtoj se edhe në dashurinë midis dy njerëzve, ka një fazë që quhet “dashurimi”, ajo e fillimit, kur ndjenja është e fortë, quaje po deshe irracionale, ku tjetrit nuk arrin t’i shohësh edhe defektet, por kjo mbaron shpejt për t’ia lënë vendin kthjellimit, institucionalizimit të raportit, çka nënkupton se ai kthehet në dashuri. Dhe kjo dashuri bazohet mbi njohjen dhe respektin reciprok, mbi kritikat reciproke. Një dashuri e tillë nuk ekziston midis nesh dhe Amerikës sepse, sikurse e thashë, kjo nënkupton respekt të ndërsjelltë dhe barazi. Me fjalën “partneritet” është abuzuar shumë këto ditë duke harruar se partneriteti nënkupton barazi, ndërkohë që vetëm barazi midis SHBA dhe Shqipërisë nuk ka në këtë histori. Veç nëse shohim ëndrrat me sy hapur të kohës së Hoxhës, kur na dukej vetja (në fakt i dukej atij paranojakut) si të barabartë me Kinën. Sikur të bëhej fjalë për një raport të tillë dashurie, edhe sikur ne të donim t’i merrnim helmet e Asadit, amerikanët do të na thoshin: jo, do t’i marrim ne, se jemi një vend shumë herë më i madh, më i pajisur, më i sigurt e më me kompetenca e ekspertizë. Po e citoj edhe një herë deputetin gjerman kur tha se kriteret duhet të ishin ose afërsia – duke përmendur Turqinë dhe Qipron, ose përgjegjësia që kanë shtetet për fabrikimin e këtyre armëve, duke përmendur Gjermaninë, megjithëse ai vetë është gjerman. Ka në botë edhe politikanë të ndershëm, e shihni!E pra, e vërteta e dashurisë sonë për Amerikën është se ne vuajmë nga komplekse të thella inferioriteti. Kjo vjen ngaqë jemi mbajtur për një kohë të gjatë në stadin e fëmijës që i është imponuar nga prindërit e paaftë, injorantë e impotentë, adhurimi për Dajën, nënshtrimi apo bindja ndaj tij, sepse Daja është i pushtetshëm, na mbron, ka para etj.. Fatkeqësisht mesa duket, edhe me ndihmën e Dajës. Ne kemi nevojë të rritemi e ta shikojmë Amerikën ashtu si edhe gjithë shtetet e tjera: si miq në pozitat e të barabartit në dinjitet. Them në dinjitet, nuk po them në pasuri dhe as në fuqi ekonomike apo ushtarake. Tek e fundit, kjo do të thotë që ne, si individë, të ndjehemi të barabartë në dinjitet me çdo individ amerikan. Pastaj ju kujtoj se Amerika nuk është një gjë e vetme që duhet adhuruar si një e tërë. Amerika ka kontradiksionet e veta brenda saj, ka qëndrime të ndryshme brenda Amerikës edhe për politikat e jashtme amerikane, edhe për çështje si kjo që po diskutojmë. Po ashtu, Amerika ka bërë mjaft punë të mira në botë, por ka bërë edhe gafa të rënda edhe punë të pista – për interesat e amerikanëve, që në mjaft raste kanë rezultuar edhe kundër vetë amerikanëve. Mjaft t’ju kujtoj mbështetjen e diktaturave në Amerikën Latine, që edhe sot ndikojnë aq shumë për ndjenja antiamerikane atje, apo mbështetjen që i kanë dhënë Bin Ladenit e talebanëve. Apo luftën në Irak, që u mbështet edhe mbi një gënjeshtër të madhe: atë se Sadami kishte armë të shkatërrimit në masë.Prandaj, në këtë kontekst, mendoj se protesta para ambasadës është një ngjarje krejt normale, madje për t’u parë me gëzim, sepse tregon se shqiptarët po rriten, dhe jo si një shqetësim. Sot për sot në përqindje popullsie, ka më shumë antiamerikanë – në kuptimin e atyre që janë kundër politikave të qeverive amerikane – në SHBA sesa në Shqipëri. Këtu nuk shtrohet problemi i të qënit “anti”, por i të qënit “për” mbrojtjen me forcë të interesave tona, të dinjitetit, të vizionit që kemi për vendin tonë dhe për botën, tek e fundit. Edhe në të gjithë vendet perëndimore ka një pjesë shumë të madhe, veçanërisht të majtët, që janë kundër politikave amerikane, nganjëherë sipas rastit, nganjëherë edhe vazhdimisht. Dhe kjo është normale në demokraci. Anormale – madje antiamerikane në kuptimin se si e idealizojmë ne Amerikën si vend i demokracisë – është që ambasadori amerikan, që na ka dhënë kaq e kaq leksione për demokracinë në Shqipëri, të marrë vendime në errësirë me Edi Ramën duke shpërfillur institucione e ligje të vendit. Dhe më keq akoma, edhe kur sheh një vullnet masiv të popullit kundër këtij vendimi, të shantazhojë shqiptarët me forcën e shtetit më të fuqishëm në botë.A shihni ju një shpresë për ndryshim tek forca e protestës, në mos për të diktuar vendime, për të detyruar klasën politike të jetë më e përgjegjshme?Idealisht do të thosha se lëvizja Aleanca Kundër Importimit të Plehrave duhet të shndërrohet në lëvizjen “Aleanca kundër plehrave” – duke nënkuptuar me këtë aleancën e shqiptarëve për pastrimin e kësaj kaste politikanësh dhe jo vetëm, që boll dëme i ka bërë këtij vendi. Ju vë në dukje se lëvizje të tilla ka sot edhe në vende me një klasë politike shumë më të suksesshme se e jona, si p.sh në Bullgari, Rumani, por edhe në Itali. Unë shpresoj shumë që rinia veçanërisht të ndërgjegjësohet për këtë dhe të gjejë rrugët e mençura për ta bërë këtë. Por nga ana tjetër, e shoh edhe shumë të vështirë një gjë të tillë, sepse një gjeneratë e re e shëndoshë lind nga suksesi dhe jo nga dështimi i paraardhësve. Të jeni të sigurt se ishte dështimi aq i rëndë dhe total i komunizmit që na ka sjellë këtë Shqipëri kaq të dështuar. Dhe ju kujtoj se ishte një regjim, që erdhi duke u përkeqësuar, jo duke u përmirësuar, si përsa i përket ekonomisë, ashtu edhe moralit të shoqërisë e të njerëzve, derisa i ra tuneli mbi shpinë. Shoh me dëshpërimi se të njëjtën rrugë dështimesh të njëpasnjëshme, kemi marrë me klasën politike që ka njëzet vjet që abuzon, përdhunon e poshtëron shqiptarët. Prandaj e shoh shumë të vështirë kthimin e një lëvizjeje si kjo e këtyre ditëve në diçka më të strukturuar, që e quajta “Aleanca kundër plehrave”, sepse gjatë këtyre njëzet vjetëve, shqiptarët janë shumë të përçarë, shumë individualistë, pa aftësinë për t’u bërë bashkë për ideale, pa besim tek njëri- tjetri dhe shumë egoizëm dhe një sistem vlerash ku mbizotëron suksesi apo pasurimi i shpejtë, banal, individual dhe jo ai i komunitetit. Në këtë protestë i mblodhi rreziku i madh që ndjenë. Sidoqoftë, një ngjarje si kjo e shoh edhe me shpresë. Sepse ajo ishte si ato tragjeditë greke, ku pesha e gjëmës i trondit thellë njerëzit për të keqen që kanë bërë apo që kanë brenda tyre, duke prodhuar katarsis, duke ndarë të ndreqshmit nga të pandreqshmit Sepse tek e fundit, asnjë nga ne nuk është engjëll. Papa Françesku kur e pyeti një gazetar se cili është Françesku, u përgjigj: “një mëkatar”. Ne të gjithë kemi kohë të pendohemi e të ndryshojmë këtë që i kemi bërë vetes, e që na solli deri në këtë pikë, sa mund të na sillnin helmet në shtëpi.Një koment të fundit për imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare pas kësaj ngjarjeje….Unë mendoj se kjo ngjarje, ky refuzim për t’u nënshtruar e për t’u bërë kosh plehrash e ngre imazhin e Shqipërisë në sy të botës. Aq sa do të thosha se një figurë si Rama, i aftë për ta bërë të bardhën të zezë dhe të zezën të bardhë si pa gjë të keq, mund të dalë pas ca kohësh e të mburret për vendimin që mori për ta ruajtur Shqipërinë të pastër. Sepse jam i bindur se do t’i vijnë edhe shumë komplimente. Por nga ana tjetër, kjo ngjarje duhet parë vetëm si fillimi i një lufte për të ndryshuar vërtet Shqipërinë dhe jo imazhin e saj, që shpeshherë është manipulativ e virtual e përmbyset menjëherë. Me këtë dua të them se duhet të ndryshojmë Shqipërinë reale, që vazhdon të vuajë rëndë nga sëmundja që përmenda në krye të intervistës e që është shkaku kryesor që ende pas njëzet vjetësh, nuk kemi pastruar as ato 31 hot-spotet me helme që përmendi Rama, e që vazhdojmë të prodhojmë të tjera.
Wednesday, November 13, 2013
Pse kemi frikë se do na e sjellin helmin në shtëpi
Tashmë kjo ka ndodhur, propozimi është bërë. Ndoshta ndonjë ditë do t’ia marrim vesh edhe emrin propozuesit, sepse ka gjithmonë një njeri të parë të cilit i shkon ndër mend. Një gjë di të them me siguri: cilido qoftë ai i huaj që ka propozuar sjelljen e armëve kimike siriane në Shqipëri, nuk mund të jetë mik i shqiptarëve. Në rastin më të mirë ai ka bërë thjesht pazaret më me leverdi për vendin e tij dhe karrierën e tij personale. Sidoqoftë, një racizëm ndaj shqiptarëve nuk duhet t’i mungojë, por do të thosha edhe më shumë se kaq. Qoftë amerikan, qoftë rus, qoftë europian, qoftë afrikan, kristian apo mysliman, qoftë agjent i CIA-s apo i KGB-së, ai duhet të jetë shumë i varfër nga ndjenjat humane dhe demokrate. Jo për gjë, por mjafton të kesh parasysh se Shqipëria është një vend i vogël dhe i varfër, me një histori aq të dhimbshme në të kaluarën dhe me politikanë aq mafiozë në të tashmen, saqë një individi me ndjenja humane dhe demokrate do t’i ngjallej ndjenja e ndihmës ndaj popullit të këtij vendi kundër kujtdo që kërkon ta fyejë dhe përdhunojë edhe më. Sepse ky është edhe një akt përdhunimi. Personalisht kështu e përjetoj dhe e shoh jo vetëm unë, por shumica dërrmuese e shqiptarëve. Na kanë gjetur të varfër, na kanë gjetur pa brekë dhe duan edhe të na përdhunojnë. Dhe, ironikisht, duke kërkuar të na mbushin mendjen se kështu mund të fitojmë ndonjë para dhe mund të fitojmë titullin “qytetarë të mirë ndërkombëtarë”.Dhe meqë ra fjala: kush e ka thënë që Amerika është partneri ynë më i madh strategjik? Me sa di unë, ne kërkojmë të bëhemi shtet pjesëtar në Europën e Bashkuar, dhe jo shtet i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. I ftoj ata që merren me shifra të kontrollojnë se sa para ka dhënë Europa për Shqipërinë dhe sa SHBA-të. Nga sa di unë, Europa ka dhënë e jep shumë më tepër, kurse Amerika shumë më pak. Ne kemi po ashtu vendet fqinje që janë shumë më strategjikë sesa Amerika. E vërteta është se një Amerikë kësisoj, së cilës u dashka t’i themi “po” për gjithçka, na e kanë projektuar politikanët tanë për të na shpëlarë trutë, siç na ka pas projektuar Enver Hoxha dikur BS-në apo Kinën. Në fakt, Amerika ka të mirat dhe të këqijat e saj, ashtu sikurse ka edhe axhendën e saj, në të cilën, ju siguroj unë, Shqipëria zë një vend të papërfillshëm.Por, tek e fundit, problemi nuk është Amerika dhe as politikanët, apo ambasadorët, apo spiunët amerikanë. Problemin ne e kemi me ata që jo vetëm nuk kanë turp të marrin kësi vendimesh, por që edhe kërkojnë të na mbushin mendjen se kjo punë nuk është përdhunim, por akt i lirë dashurie nga i cili duhet të ndiejmë kënaqësi dhe, madje, të jemi krenarë, sepse po na e fut Amerika.Pyetja që shtroj unë, megjithatë, është një tjetër. Si ka mundësi që ne kemi frikë se kjo mund të ndodhë, ndonëse, siç duket sheshit kësaj radhe, nuk ka shqiptar normal, përveç një grushti shumë të vogël banditësh anormalë, që ta pranojë një përdhunim të tillë? Kam ndjekur me vëmendje reagimin në shtyp dhe në përgjithësi opinionin publik. Rrallëherë në historinë e këtyre njëzet vjetëve ka ndodhur që të shikosh bashkë, në të njëjtën mendje, tërë ato figura të njohura të jetës sonë publike në përgjithësi si shprehës të opinionit të gjerë publik. Dhe megjithatë, ne kemi frikë se banditët do të na i sjellin plehrat kimike. Atëherë pse e kemi këtë frikë?Ka dy arsye kryesore, do të thosha unë, që ne kemi frikë.E para është psikologjike dhe ka të bëjë me përvojën tonë historike. Që njerëz si Sali Berisha, Fatos Nano, Edi Rama, Ilir Meta e të tjerë janë të gatshëm që për pushtet e për para të përdhunojnë e bashkëpunojnë me përdhunues, këtë e dimë prej kohësh. Në fakt, po të qetësohesh pak, do të kuptosh se në histori përdhunimi jemi ndoshta që në krye të herës, kur u formua shteti shqiptar. Prandaj dhe na ka hyrë thellë, deri në palcë, ajo ndjenja e pafuqisë dhe e nënshtrimit ndaj përdhunuesit. Dhe jua them unë se të njëjtën ndjenjë kanë edhe Sali Berisha, Edi Rama, Ilir Meta me shokë. Në këtë histori ka edhe një sadomasokizëm të paparë. Me të njëjtën arrogancë dhe paturpësi me të cilën ata përdhunojnë të vetët që kanë poshtë, me të njëjtën paturpësi dhe vetënënshtrim përdhunohen nga krerët e Amerikës që i kanë sipër. Imagjinoi sikur Edi Rama të dalë e t’u thotë “jo” përdhunuesve që ka sipër, ne do të dalim ta brohorasim si shpëtimtar, ndërkohë që do të duhej t’i kishim kërkuar dorëheqjen vetëm pse na futi në këtë telash, pse ka kaq ditë që s’jep përgjigje e s’bën transparencë duke na rritur mjaft dyshimin se propozuesi mund të jetë edhe ai vetë. Ja, kaq poshtë jemi psikologjikisht për shkak të përdhunimeve të vazhdueshme.Arsyeja e dytë është politike: ka të bëjë me parimet e demokracisë të tradhtuara këta njëzet vjet. Që një demokraci të funksionojë si demokraci duhet një minimum gjërash. Që të ndalosh një akt të tillë duhet të ketë një opozitë të fortë, për shembull. Ne kemi një opozitë që mezi po flet jo vetëm pse ka të njëjtën mendësi – për pushtetin dhe paranë mund të bëjë gjithçka – por që edhe është e komprometuar thellësisht me akte të tilla të turpshme. Kush ngrihet me avion nga Rinasi dhe hedh vështrimin poshtë, sheh një vend që duket sikur është bombarduar jo me bomba të thjeshta, por me bomba bërthamore. Janë rrethinat e fabrikave të çimentos që ka lejuar Berisha, që pasurojnë një grusht njerëzish dhe që po shkatërrojnë natyrën dhe tërë ekosistemin me një shpejtësi që mund të krahasohet vetëm me shpejtësinë e rritjes së barkut të këtyre të babëziturve. Të bashkohesh sot me këtë opozitë për të protestuar për ndalimin e mbetjeve kimike është sikur të bashkohesh me ata që të kanë përdhunuar deri dje, e për të cilën je i sigurt se sapo të vijnë në pushtet do të të bëjnë të njëjtën gjë. Sepse në këtë rast duhet të kemi parasysh edhe ata që, bashkë me Edi Ramën, ndoshta kanë filluar të bëjnë hesap se si do të vjedhin paratë e demontimit, siç kanë bërë me paratë e rrugëve e të tenderëve të ndryshëm. Por a mund të ketë kredibilitet një opozitë e demontimit të Gërdecit, e fabrikave të çimentove, e koncesioneve skandaloze të hidrocentraleve, e sjelljes së plehrave nga jashtë etj. në këtë luftë, që me shumë gjasa ka në prapavijë të njëjtët biznesmenë që bashkëpunojnë edhe me Ramën? Prandaj dhe duke qenë pa opozitë të vërtetë ne kemi frikë.Por që të mos kishim frikë të ndalonim këtë akt, do të duhej të kishim pasur edhe një drejtësi të pavarur. Sikur të kishim pasur një drejtësi të pavarur, do të kishim bërë me kohë drejtësi ndaj Sali Berishës, Fatos Nanos, Edi Ramës, Ilir Metës e shumë bashkëpunëtorëve të tyre, dhe jo vetëm këta nuk do të kishin qenë në pushtet, por politikanët që do t’i kishin pasuar nuk do të kishin guxuar as t’u shkonte ndër mend të sillnin armët kimike siriane në Shqipëri. E pra, një drejtësi që të na mbrojë nga banditët ne nuk e kemi, përkundrazi, janë ata që e përdorin drejtësinë kundër nesh, prandaj dhe kemi frikë.Por që të ndiheshim të fortë ne do të duhet të kishim pasur edhe një opinion të fortë publik me shoqëri civile dhe media të pavarur si zëdhënësin kryesor të saj. Ne as këto nuk i kemi, sepse të dyja bandat kanë punuar për ta ndarë më dysh opinionin publik, shoqërinë civile, mediat me filozofinë enveriste, kush nuk është me mua është me armikun tim, apo me filozofinë e zgjedhjes të së keqes më të vogël. Nuk keni asnjë shpëtim tjetër: o me Saliun, o me Edin. Kështu na thonë. Dhe “Edi është më i mirë se Saliu, se Saliu është malok, kurse Edi është qytetar”. Kështu na thanë ata që mbështetën të keqen më të vogël të radhës që, me këtë akt, do bëhet menjëherë më e madhja. Kanë dalë madje disa teoricienë që na thonë se edhe betonizimin e Tiranës nuk e bëri Edi, por e bënë malokët që zbritën nga veriu. Ja, këtë punë bëjnë mediat tona, intelektualët tanë, që u plaçin sytë më shumë se ç’u kanë plasur! Në vend që të punojnë për të vërtetën që i bashkon të gjithë, punojnë natë e ditë të përçajnë shqiptarët në emër të interesave të dy bandave, njëlloj siç vepronte dikur propaganda enveriste për interesat e një bande të vetme. E ky sistem përçarjeje, që kërcënon edhe me bukën e gojës ata që qëndrojnë jashtë tij, punon në mënyrë perfekte. Madje në harmoni edhe me amerikanët. E ku ta gjejnë amerikanët një vend të tillë të rehatshëm, pa opinion publik. A e patë se ç’ndodhi kur deshën të lançojnë sulmin mbi Siri? Ky i gjati ynë doli menjëherë me gaz në fytyrë të na tregojë se sa krenarë duhet të ndiheshim për sulmin ushtarak që do të bënim bashkë me amerikanët, pa pritur as të shohë se ç’do të bënin britanikët, partnerët superstrategjikë të SHBA-ve, që e votuan kundër. Sepse atje ka opinion publik që të dërrmon, kurse ne jo, jemi të frikësuar, pasi jemi të përçarë nga dy bandat që na kanë në dorë edhe bukën e gojës.Me dy fjalë, ne kemi frikë se këta mund të na bëjnë të pabërën pasi pushtetin te ne nuk e ka populli, por bandat, të cilave u intereson një operacion i tillë ashtu siç i ka interesuar, për shembull, Kamorras në Itali të varroste mbetjet kimike toksike të Veriut të Italisë në Campagnia.Megjithatë, thënë të gjitha këto, në këtë rast është me vend ajo thënia: “Çdo e keqe e ka një të mirë”. E mira e kësaj gjëme të mundshme është se ngjarja është kaq e rëndë, saqë edhe pa ndodhur, po e ndihmon opinionin publik të bëjë një hap të madh ndërgjegjësimi mbi atë se kjo klase politike duhet konsideruar si armike në bllok, se duhet krijuar një lëvizje përtej dhe kundër saj, nga i cila të lindë nesër edhe demokracia shqiptare, në kuptimin e vërtetë të fjalës si pushtet i popullit, dhe jo i përdhunuesve të tij. E provon këtë edhe fakti se njerëz të njohur si fanatikë apo partizanë të llogores së maxhorancës janë shprehur kundër apo kanë heshtur. Me këtë rast i ftoj lexuesit e mi, veçanërisht të rinjtë, të firmosin peticionin e Aleancës Kundër Importi të Plehrave https://secure.avaaz.org/ en/petition/ Peticion_ kunder_ pranimit_ te_ armeve_ kimike_ te_ Sirise_ nga_ Shqiperia_ No_to_Assad_Chemical_//////Weapons_in_Albania/?kocEbgb dhe t’i kthehen edhe një herë këngës “Mjaft më me ju”, të lançuar nga një grup të rinjsh në prag të zgjedhjeve, http://www.youtube.com/watch?v=6wIoT10S8Z8. Ka ardhur koha që ata të mendojnë seriozisht se duhet të dalin në skenë, të marrin në dorë të ardhmen e tokës së tyre, që, siç thotë kënga, “s’mban dot më”, në mënyrë që nesër të gjithë të kemi më pak frikë se banditët mund të na sjellin helmin në shtëpi.
(Panorama, 13 nëntor 2013)
Subscribe to:
Posts (Atom)
-
Në Bibël ka një pasazh që është komentuar shumë: ai ku përshkruhet çfarë ndodhi në momentin para se Kaini të vrasë Abelin. Komentohet fakti...
-
Në mbyllje të 2005-sës, vit të cilin, në petkun e gazetarit, e kam ndjekur hap pas hapi me shkrime, kryesisht mbi jetën dhe zhvillimet polit...
-
Ajo që po ndodh në Shqipëri këto ditë i ka ndarë njerëzit në dy kampe të mëdha. Në njërin kamp bëjnë pjesë ata që mendojnë se kjo që po ndod...