Wednesday, August 3, 2022

Oligarkët e Putinit dhe hipokrizia e Perëndimit me demokracinë

Me fillimin e luftës në Ukrainë është folur shumë për oligarkët e Putinit të cilëve në Perëndim iu sekuestruan apo ngrinë prona dhe biznese të rëndësishme si: vila, jahte, banka etj. Qëllimi i këtij veprimi, ishte i dyfishtë: të goditeshin oligarkët si bashkëpunëtorë e bashkëpërgjegjës me Putinin, por edhe të nxiteshin për t’iu kthyer kundër autokratit. Po t’i analizosh këta dy opsione, nuk mund të mos konstatosh se janë kontradiktorë, sepse, sipas të parit, oligarkët konsiderohen bashkëpërgjegjës e prandaj duhen ndëshkuar, kurse, sipas të dytit, ata janë të mirëpritur po t’i kundërvihen Putinit.

Ky kontradiksion është shprehje e një kontradiksioni më të thellë të Perëndimit, që shfaqet veçanërisht në qëndrimet e tij me standarde të dyfishta ndaj vendeve që më një anë ekonomikisht funksionojnë sipas kapitalizmit globalist dhe, më anë tjetër, janë autoritare, autokratike, antidemokratike. Rëndom, varësisht nga interesat e tij, Perëndimi i trajton disa nga këta vende si “beninjë” (nganjëherë deri si liridashës e demokratikë) dhe të tjerë si “malinjë”, si rrezik për demokracinë e lirinë. Nga ky rregull nuk bëjnë përjashtim edhe vendet oligarkike të ngritura në Lindjen ish-komuniste, siç po e evidenton edhe rasti i luftës në Ukrainë.


“Periudha Jelcin” dhe ajo “Putin” në Rusi

 

Për t’u thelluar në temën e këtyre standardeve të dyfishta perëndimore, si dhe të pasojave të tyre për demokracinë, më së pari le të shtroj pyetjen: a ka kuptim të bëjmë një krahasim mes sistemit oligarkik të Putinit dhe atij ukrainas, shqiptar, serb, polak, hungarez etj.? Mendoj se po, pasi ngjashmëritë janë të shumta, por në këtë shkrim dua të ndalem në atë që lidhet ngushtë me demokracinë: ngjashmëria në fenomenin e kalimit nga sistemi oligarkik i Jelcinit në atë të Putinit.

Në periudhën e Jelcinit, oligarkët ishin shumë të fuqishëm, kishin filluar të ndërtonin mediat e tyre, në rivalitet me njëri tjetrin dhe kishin ambicie politike gjithashtu. Kjo njihet si periudha kur oligarkët, nëpërmjet privatizimeve korruptive, grabitën vendin në mënyrën më të paskrupullt duke shkaktuar edhe rrënimin e autoritetit të shtetit. Por kjo njihet edhe si një periudhë me mundësi më të mëdha zhvillimesh demokratike për Rusisë, kur opozitat e mbështetura nga oligarkët opozitarë dhe mediat e tyre kishin shumë më tepër peshë në vendimmarrje. Këtë periudhë lirie e pluralizmi për oligarkët mund ta quajmë edhe si faza e parë e tranzicionit të dështuar drejt demokracisë, e cila, për të qenë e suksesshme, do të duhej të ishte pasuar nga një fazë kalimi në liri e pluralizëm demokratik. Ndërkaq periudha e Putinit shënon vënien në rresht të oligarkëve, burgosjen e atyre që ishin opozitarë si Kodorovski dhe lidhjen e një pakti me oligarkët, sipas të cilit, ata do të vazhdonin të pasuroheshin vetëm nëse bashkëpunonin me të. Nga mbështetësit e Putinit (mes tyre edhe Gorbaçovi) periudha e tij është interpretuar, veçanërisht në fillimet e veta, edhe si ajo e rivendosjes së autoritetit të shtetit në Rusi. Por, në fakt, është periudha e instalimit të autoritarizmit të Putinit, e asgjësimit të opozitës si mundësi për të ardhur në pushtet për të frenuar rreziqet që prodhon pushteti i tejzgjatur i një autokrati. Për sa i përket demokracisë, është periudha e braktisjes së saj në emër të autokracisë, çka nuk i dedikohet thjesht vullnetit për pushtet të Putinit, as thjesht kulturës së pakët demokratike të rusëve, por edhe faktit se sistemi oligarkik i ngritur ishte i bartur me mundësinë e kapjes së shtetit nga oligarkët dhe përdorimin e tij për të eliminuar rivalët.

Veç të tjerash, në këtë fenomen të kalimit në autokraci, vihet re se, për ta justifikuar këtë, krahas mbështetjes gjithnjë e më të madhe në ndjenjat e rikthimit të lavdisë së humbur perandorake ruse, Putini filloi të theksojë edhe diferencat midis qytetërimit rus dhe atij perëndimor në raport me konceptimin e vlerave të lirisë dhe demokracisë.

 

Shembuj të ngjashëm


Gjithë duke pasur parasysh specifikat e çdo vendi, mund të thuhet se edhe sistemi oligarkik në mjaft vende të tjera ish-komuniste ka kaluar një periudhë të parë të ngjashme me atë të Jelcinit dhe ka hyrë më pas në një periudhë të dytë të ngjashme me atë të Putinit. Për Shqipërinë me “periudhë Jelcin” kam parasysh se pas vitit 1997, oligarkët filluan të dalin në skenë jo vetëm si aktorë ekonomikë, por edhe mediatikë, duke qenë mbështetës ose edhe militantë të njërës nga tri partitë kryesore. Është një periudhë ku, me gjithë korrupsionin dhe problemet e shumta, kishte ende hapësira për zhvillime demokratike dhe rotacion pushteti. Ndërkohë, jo thjesht për shkak të vullnetit të mbrapshtë të Ramës për gjithëpushtetshmëri, as vetëm për shkak të kulturës së pakët demokratike të shqiptarëve, por edhe si ligjësi e sistemit ku oligarkët synojnë kapjen e shtetit dhe eliminimin e rivalëve, mandati i dytë dhe ky i treti i tij shënon fillimin e “periudhës Putin”: rreshtimin e oligarkëve në një anë, pamundësimin e zgjedhjeve të lira e të rotacionit dhe rritjen eksponenciale të pushtetit autokratik të Ramës në krye të tyre, duke arritur në një pikë që ndonëse nuk ka kapur nivelet e autoritarizmit të Putinit, i shëmbëllen gjithnjë e më shumë atij. Po ashtu, në sjelljet prej autokrati të Ramës, bie në sy, ndonëse ende nuk teorizohet, shpërfillja e vlerave të demokracisë, sikur këto të mos jenë kompatibël me traditën e kulturën e shqiptarëve, çka e tregon edhe afërsia e veçantë me vëllain e tij të madh në rajon, Erdoganin. Kohët e fundi vihen re edhe shenja sfidimi të BE-së, siç e tregojnë qëndrimet e fundit me “Ballkanin e Hapur” si sfidë ndaj Procesit të Berlinit apo referimi te sovranizmi kur i duhet të kalojë ligje të kritikuara nga BE, siç ishte ai i amnistisë fiskale.

Me gjithë specifikat, edhe në vende të tjera të ish-Lindjes, si: Serbia, Polonia, Hungaria etj., vihet re në thelb ngjashmëria me Rusinë në kalimin nga “periudha Jelcin” në atë “Putin” ku shohim daljen e liderëve që bëhen gjithnjë e më autoritarë duke kontrolluar gjithnjë e më shumë institucionet dhe ekonominë oligarkike, si dhe që i mbulojnë dështimet e tyre në aspektin e lirisë dhe demokracisë herë me instrumentalizimin e problemeve që ka krijuar neoliberalizmi globalist perëndimor, herë duke tundur flamurin e sovranizmit e krenarisë kombëtare, e herë duke sfiduar në emër të vlerave konservatore disa nga arritjet më të rëndësishme pogresiste të demokracive liberale në fushën e të drejtave civile.


Mbi standartet e dyfishta të Perëndimit 

 

Në qëndrimet e Perëndimit ndaj Rusisë, bie në sy se, me gjithë vënien në resht të oligarkëve, me gjithë shtypjen e egër të çeçenëve, megjithëse gazetarja Ana Politkovskaja u vra më 2006, Putini ka vazhduar të respektohet, madje edhe pas vitit 2008, kur ai iu kundërvu ftesës së NATO-s në Bukuresht ndaj Ukrainës dhe Gjeorgjisë duke pushtuar Osetinë e Jugut. Ndërkohë, oligarkët rusë dhe paratë e investimet e tyre janë mirëpritur, madje inkurajuar deri në fillimin e luftës në Ukrainë. Bën ferk në këtë mirëpritje Londra e antiputinianit më të thekur britanik, ish-kryebashkiakut, sot ish-Kryeministër, Boris Jonson, i cili jo vetëm që i ftonte oligarkët rusë të investonin në Britani, por ftonte edhe gratë e tyre t’i bënin në Londër gjyqet e majme të divorceve me ta.

Duke parë reagimin e Jonson-it e të ishmiqve të tjerë perëndimorë të Putinit pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, nuk mund të mos ngresh pyetjet: mos vallë këta nuk e kanë parashikuar se inkurajimi i oligarkëve rusë do të forconte autokratin dhe do të dobësonte demokracinë – me gjithë rreziqet që kjo sjell brenda dhe jashtë vendit? Duke parë se sa të shumta janë rastet dhe se sa evidente bëmat, vetëm naivët mund të besojnë se kemi të bëjmë me miopi. Në fakt, pas mbarimit të Luftës së Ftohtë, me fitoren e sistemit kapitalist, qëndrimi i Perëndimit ndaj vendeve ish-komuniste është mjaftuar me idenë se sa kohë që liderët autoritarë dhe oligarkët rreth tyre në këto vende kanë përqafuar sistemin e tyre ekonomik dhe veçanërisht nëse janë aleatë gjeostrategjikë ose u shërbejnë interesave të tyre ekonomike, problemet që këta kanë me demokracinë në vendet e tyre janë të dorës së dytë apo edhe të tretë. Me fjalë të tjera, kanë aplikuar të njëjtat qëndrime që kanë mbajtur para rënies së komunizmit edhe ndaj vendeve autokratike jokomuniste, te të cilat kanë pasur interesa ekonomike e gjeostrategjike, madje nganjëherë deri në atë pikë sa në disa prej tyre, kur ka pasur zhvillime demokratike që i kanë prekur interesat ekonomike, Perëndimi ka ndërhyrë për të vendosur në pushtet autoritarë vasalë në shërbim të tij. Një nga shembujt më domethënës është përmbysja e qeverisë së Musadekut në vitet ‘50 në Iran, për interesat e kompanive naftënxjerrëse britanike dhe riinstalimi i pushtetit autoritar të shahut, çka konsiderohet nga historianët si shkaku fillestar i revolucionit islamik që solli në pushtet në vitet ‘70 diktaturën e Khomnenit.

Por standardet e dyfishta të Perëndimit ndaj vendeve të tjera për sa i përket mbrojtjes së lirive dhe demokracisë, nuk shpjegohen vetëm nëpërmjet politikave të dominimit të botës në emër të interesave të tij gjeostrategjike ekonomike (ku nuk mungojnë edhe rrënjët raciste e koloniale). Në kohën që po jetojmë, që konsiderohet si ajo e triumfit të ekonomisë mbi politikën, këtyre faktorëve u duhet shtuar edhe fakti se vendet perëndimore, me në krye SHBA-në, kanë një tendencë në rritje për t’u bërë edhe ato gjithnjë e më oligarkike, aq sa politologu i njohur Colin Klouch i konsideron prej vitesh si “post-demokraci” – në kuptimin që vendimmarrjet diktohen gjithnjë e më shumë nga pakicat e fuqishme ekonomikisht. Në këtë klimë postdemokratike, aleancat ose armiqësitë midis shteteve diktohen gjithnjë e më shumë nga interesat e përbashkëta ekonomike të këtyre pakicave dhe jo nga projektet e politikanëve vizionarë, të ndërtuara mbi vlerat e paqes, lirisë dhe demokracisë, duke i bërë kësisoj gjithnjë e më të ngjashëm këto shtete. Jo rastësisht një nga argumentet e Putinit për të justifikuar sulmin e tij në Ukrainë dhe jo vetëm, është se ai s’po bën gjë tjetër veçse atë që ka bërë SHBA, nëpërmjet NATO-s, në vende të tjera të botës për interesat e veta gjeostrategjike ekonomike.


Demokracia si fasadë e zhvleftësuar

 

E megjithatë, në propagandën perëndimore rreth luftës në Ukrainë, predominon retorika se mbështetja që i jepet Ukrainës bëhet pasi janë në lojë vlerat e botës demokratike që po ndeshet me botën autoritare, autokratike; se Ukraina po lufton për të mbrojtur vlerat perëndimore të lirisë dhe demokracisë; se Putini e sulmoi Ukrainën pasi nuk do që t’i afrohet në kufi një shtet demokratik që do t’i inspironte rusët ta rrëzonin edhe atë; se ky është shkaku që atë e mbështesin edhe vende të tjera autoritare, si Kina etj. Por a është vërtet kështu? Mjafton të kemi parasysh se vetëm disa muaj më parë, Perëndimi braktisi Afganistanin duke e lënë në dorë të regjimit të talibanëve, për t’i vënë në dyshim këto retorika. Investimi gjigant ushtarak, politik, mediatik e financiar në Ukrainë dhe braktisja aq dramatike e demokratëve afganë, nuk qëndrojnë dot së bashku në shportën e demokracisë si yll polar i Perëndimit. Paradoksi, që vihet re edhe kur kemi parasysh shembuj të tjerë, kërkon një shpjegim tjetër. Ai nuk mund të shpjegohet me atë se afganët apo kurdët janë myslimanë, se nuk janë aq të bardhë sa ukrainasit, se nuk vishen si perëndimorët. Ai shpjegohet me interesat gjeostrategjike veçanërisht të SHBA-së. Afganistani u braktis pasi aty nuk ishte në lojë rivali gjeostrategjik Rusia, siç ishte në vitet ’80 Bashkimi Sovjetik kur muhaxhedinët afganë u mbështetën deri në fitore, me pasojat që dihen për demokracinë në Afganistan. Sot rolin e muhaxhedinëve afganë po e luajnë nacionalistët ukrainas, kurse liria e demokracia po përdoret për të mbuluar qëllimet gjeostrategjike, madje pa e vrarë mendjen shumë për pasojat që ky keqpërdorim mund t’i sjellë vetë lirisë dhe demokracisë në botë.

Lufta që po zhvillohet në Ukrainë ka pak ose aspak lidhje me motivet e deklaruara jo vetëm nga Putini, por fatkeqësisht edhe nga Perëndimi. Ajo na provon për të shumtën herë atë që thotë Hannah Arendt se luftërat nuk bëhen për të vendosur të drejtën, por për të rikonfiguruar sundime. Në fakt, ajo ka filluar që në vitin 2014, si një luftë midis nacionalizmit ukrainas dhe imperializmit rus. Por mbi këtë fazë të parë të saj, nuk janë hedhur thuajse fare projektorët mediatikë perëndimorë. Ata u hodhën vetëm kur ajo u shndërrua në luftë ndërimperialiste Rusi-Perëndim, ku Putini përdor pretekstin e shkeljes së të drejtave të rusëve në Ukrainën Lindore për të rikonfiguruar sistemin e ekuilibrave botërorë të vendosur me mbarimin e Luftës së Ftohtë, kurse SHBA dhe vendet e NATO-s, po kërkojnë të ruajnë hegjemoninë e kërcënuar kohët e fundit nga Rusia, por edhe më shumë nga Kina. Për sa i përket demokracisë, kjo luftë, fatkeqësisht, nuk mund të mos na sjellë ndërmend thënien e një funksionari të lartë të Departamentit të Shtetit në kohën e luftës në Vietnam, sipas të cilit, atë luftë SHBA po e bënin 70% për ruajtjen e prestigjit të tyre, 20% për të mos lejuar që BS dhe Kina të hynin në Vietnamin e Jugut dhe 10% që vjetnamitët të mund të jetonin në një sistem demokratik dhe jo diktatorial. Nëse për Putinin mund të thuhet se i mungon edhe ky 10% ndjeshmëri demokratike, kaq diferencë nuk mjafton që Perëndimi ta paraqesë mbështetjen që i ka dhënë dhe po i jep Ukrainës si një luftë për mbrojtjen e lirisë e demokracisë në botë. Përkundrazi, të gjitha shenjat janë se kjo luftë do të përkeqësojë gjendjen e lirisë e demokracisë në të gjithë botën.


 “Fuck Europe” si “fuck democracy”

 

Po të gërmojmë në realitetin politik ukrainas, do të gjejmë edhe aty, ashtu si në rastin shqiptar dhe jo vetëm, shumë ngjashmëri me ato që i quajta “periudha Jelcin” dhe pastaj “periudha Putin”. Të paktën që nga viti 2004 i revolucionit portokalli, Ukraina është karakterizuar nga lufta për pushtet politik dhe ekonomik midis oligarkëve pro-rusë dhe atyre pro-perëndimorë – të lidhur këta edhe me krimin e organizuar – me prirjen e të dyja palëve për të eliminuar tjetrin duke ndezur për këtë edhe nacionalizmat e të dyja anëve. Nuk mohohet, megjithatë, se ky pluralizëm oligarkik, ashtu si ai i periudhës Jelcin në Rusi, me gjithë problemet që bartte, siguronte mundësi më të mëdha demokratizimi, që do të thotë edhe bashkëjetese midis ukrainasve properëndimorë dhe atyre rusishtfolës apo filorusë të Krimesë, Donbasit e Luhanskut. Pyetja ngrihet: mirë që Rusia e autokratit nacionalist imperialist Putin nuk mund të bëhej katalizatore e kalimit nga ky pluralizëm oligarkik në një pluralizëm demokratik, e prandaj punonte që të rivendoste atje një qeveri kukull proruse, por pse as Perëndimi, pas vitit 2014, nuk u përpoq të investonte në një qeveri që të punonte, sipas modelit aq të vlerësuar perëndimor, në emër të pluralizmit, kundër frymës përjashtuese nacionaliste, për vlerat e bashkëjetesës midis këtyre dy popullatave, por investoi për fitoren e oligarkëve pro-perëndimorë, madje të atyre me qëndrimet më radikale nacionaliste antiruse? Thënia “Fuck Europe” e ndihmëssekretares së shtetit Victoria Nuland në një telefonatë me ambasadorin amerikan në Kiev gjatë protestave në sheshin Mejdan në 2014, është ndriçuese për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje. Në këtë telefonatë – që thuhet se u hodh në “YouTube” nga shërbimet sekrete ruse, por që njihet si autentike – ajo i kërkonte ambasadorit të punonte në rrethet e opozitës ukrainase për zgjedhjen si Kryeministër të radikalit antirus Jatseniuk dhe jo të Klitchkos, i cili ishte asokohe kandidati i gjermanëve dhe kishte një qëndrim më të moderuar ndaj prorusëve. U bë ashtu siç deshën amerikanët, u zgjodh Jatseniuk-u, i cili, sapo erdhi në pushtet, hoqi gjuhën ruse si gjuhë zyrtare dhe mori vendime që e polarizuan frikshëm Ukrainën.

“Fuck Europe” e Nuland, që mund ta përkthejmë edhe “fuck democracy”, shënon fillimin e luftës civile në Ukrainë për përshkallëzimin tragjik të së cilës pa dyshim Putini ka përgjegjësitë kryesore, por, sikurse ka shkruar edhe Thomas Friedman në “New York Times”, SHBA dhe NATO nuk janë spektatorë indiferentë, sepse duket qartë se në vend të demokracisë dhe paqes, kanë investuar atje për këtë luftë.

Sot ndjeshmëria ndaj demokracisë ka rënë aq poshtë në Perëndim sa, kur bëhet fjalë për Ukrainën, thuajse askush nuk guxon të thotë një gjysmë fjale për atë se, duke shfrytëzuar situatën e luftës, Zelenskyy ka nxjerrë jashtë ligjit të gjitha partitë opozitare, po eliminon figura të rëndësishme deri dje bashkëpunëtorë të tij, ka vënë nën kontroll të gjitha mediat, ka rreshtuar edhe më afër vetes oligarkët dhe po merr vendime në emër të të gjithë ukrainasve pa asnjë debat, pasi askush nuk guxon më t’i vërë në diskutim vendimet e tij, jo vetëm për shkak të regjimit të instaluar, por edhe presionit perëndimor. Është një presion antidemokratik ky që vihet re edhe në Perëndim ndaj figurave që i kundërvihen mendimit dominant që propagandon luftën deri në shkatërrimin e Rusisë si zgjidhjen e vetme, që venë në dukje edhe përgjegjësitë e SHBA-së dhe NATO-s në këtë histori dhe që kërkojnë gjetjen e rrugëve të tjera për të ndaluar masakrimin e Ukrainës dhe rrezikimin e të gjithë botës nga kjo luftë.

Pandjeshmërinë ndaj demokracisë e tregon edhe rendja e qeveritarëve perëndimorë për të zëvendësuar burimet energjetike ruse me ato të vendeve që qeverisen nga Putinë të vegjël nëpër botë. E tregon edhe heshtja e kritikave ndaj autoritarizmit në rritje të Kazinskit në Poloni. Por shembulli më elokuent i kësaj pandjeshmërie është qëndrimi ndaj autokratit Erdogan. Vetëm disa muaj para luftës, Kryeministri italian Dragi e cilësoi atë publikisht “diktator”, kurse sot autokrati që po masakron kurdët, që burgos gazetarë e intelektualë, që mbështeti Azerbajxhanin në luftë me Armeninë, që së fundmi shantazhon vende demokratike si Suedia dhe Finlanda me mospranimin e futjes së tyre në NATO pa ekstradimin në Turqi të kurdëve dhe gylenistët respektohet si kryenegociator pa menduar dy herë se kjo forcon pushtetin e tij autokratik me pasoja dëshpëruese për gjithë ata opozitarë e intelektualë turq që presin nga Perëndimi mbështetje në emër të parimeve të demokracisë.

Dikush do të thotë se sot në Ukrainë nuk bëhet më fjalë për demokraci versus autoritarizëm, por për një shtet agresor që ka sulmuar ushtarakisht një shtet sovran, çka i justifikon aleancat me shtetet autoritare kundër këtij agresori, madje, siç thonë shumë komentatorë luftënxitës perëndimorë, edhe shtyrjen pas mbarimit të luftës të analizave për përgjegjësitë në të shkuarën të Perëndimit, madje edhe zëvendësimin e informacionit të paanshëm në mediat perëndimore me propagandën e luftës që shkon deri në demonizimin si putinist të çdokujt që mendon ndryshe. Por pikërisht kjo qasje, që injoron demokracinë, që deri dje është aplikuar në terma ekonomikë në formën e mbylljes së syve ndaj oligarkive, na ka sjellë sot në këtë luftë me armë. Në fakt, vendimet më të drejta të së sotmes nuk mund të merren duke sakrifikuar lirinë dhe demokracinë, por duke i respektuar ato si kushti i domosdoshëm për të arritur, nëpërmjet dëgjimit e respektimit të të gjithë zërave, sa më afër së vërtetës dhe të drejtës.


Poshtë shënim ballkanik


Kryefjala e këtij shkrimi është demokracia dhe teza e tij është se lufta në Ukrainë është përgatitur nga mosdemokracia dhe po rrit mosdemokracinë. Ai është shkruar duke u nisur nga zhvillimet jodemokratike të së djeshmes dhe të së sotmes në Rusi, Ukrainë e më gjerë, si dhe nga qëndrimet e dyfishta të Perëndimit, të keqpërdorimit apo injorimit të demokracisë në këto zhvillime. Gjatë shtjellimit të argumenteve, kam pasur vazhdimisht parasysh edhe zhvillimet në vendet ballkanike – të ngarkuara nga historia me konflikte të ngrira nacionale territoriale – si dhe qëndrimet e Perëndimit, veçanërisht SHBAsë, ndaj tyre. Është evidente se, në klimën e kësaj lufte, qasja perëndimore e vënies së interesave gjeostrategjike mbi demokracinë në rajon, që ka inkurajuar edhe më herët Putinë më të mëdhenj apo më të vegjël me oligarkët rreth tyre, mbetet shumë problematike. Kjo mbi të gjitha pasi autokratët ballkanas po inkurajohen direkt ose indirekt të injorojnë në mënyrë gjithnjë e më të paskrupullt demokracinë duke i shkaktuar dëme të pallogaritshme popujve që qeverisin. Por nuk përjashtohet që nesër, në një kontekst tjetër gjeopolitik, pushteti i tyre i pakontrolluar nga demokracia, të mund të ndezë edhe një herë Ballkanin “fuçi baruti”, duke shkaktuar tragjedi si kjo që po përjetojmë me luftën në Ukrainë. (Panorama, 3 gusht 2022)

 

Monday, February 21, 2022

Xhafer Deva i demonizuar ose i glorifikuar duhet studiuar që shqiptarët të kuptojnë historinë e tyre tragjike e të nxjerrin mësime për sot

 


1.           Figura e Xhafer Devës është përfolur ditëve të fundit për rolin e tij gjatë Luftës së Dytë Botërore. Si e shihni ju rolin e Devës si ministër i Punëve të Brendshme të Shqipërise gjatë pushtimit nazist të Shqipërisë dhe Kosovës?

 

Mendoj se Xhafer Deva i përket asaj kategorie nacionalistëshantikomunistë shqiptarë që bashkëpunimin dhe gjermanët e panë - do të thoja me miopi politike dhe morale - si një mundësi për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën. Ndërkaq si kosovar dhe mitrovicar figura e tij ka disa specifika që e dallojnë nga nacionalistët shqiptarë të Ballit Kombëtar me të cilët u bashkua më pas. Në rastin e Devës bashkëpunimi vjen më herët – në 1941 me pushtimin prej gjermanëve të Jugosllavisë që përfshinë edhe Mitrovicën në territorin e kontrolluar prej tyre, ndërkohë që pjesa tjetër e Kosovës u bashkua me Shqipërinë e pushtimit italian që iu aneksua Mbretërisë Italiane. Kjo humbje e pavarsisë ka bërë që ballistët e Shqipërisë t’i kundërvihen italianëve ndërkohë që Deva i aktivitetit në Mitrovicë e Kosovë, ku shumica e shqiptarëve aspironin pavarësimin nga Jugosllavia dhe bashkimin me Shqipërinë, ka qenë bashkëpunues me pushtuesit qysh në fillim duke i konsideruar edhe si çlirimtarë.

Karriera e Devës në Mitrovicë ka ndikuar që pas kapitullimit të Italisë dhe ardhjes së gjermanëve në Shqipëri Deva të bëhet Ministër i Brendshëm në Tiranë. Mos të harrojmë se gjatë këtij tranzicioni ka ndodhur një ngjarje që do të përcaktonte fatet dramatike të shqiptarëve në të ardhmen gjysmë shekullore dhe vazhdon të ndikojë edhe sot. E kam fjalën për prishjen e marrëveshjes së Mukjes midis Frontit Nacional-Çlirimtar të dominuar nga komunistët dhe Ballit Kombëtar që deri atëhere kishte luftuar kundër italianëve. Dhe dihet se kjo u bë me  ndërhyrjen e komunistëve Jugosllavë, sepse jemi në kohën kur u panë qartë fatet e Luftës edhe kur komunistët filluan të punonin për të marrë të gjitha pushtetet sipas përvojës së Revolucioni të Tetorit në 1917. Xhafer Deva u impenjua ta pengojë këtë me më shumë përkushtim se çdokush tjetër duke bashkëpunuar me gjermanët e duke sjellë në Shqipëri edhe regjimentin Kosova, por pa sukses, siç e dimë, kryesisht për shkak se ndarja e zonave të influencës ishte përcaktuar në Jaltë. 

Komunistët fitimtarë e trajtuan Devën dhe ballistët e tjerë si Bahri Omari apo edhe figura të tilla si patër Anton Arapi si tradhëtarët që kishin bashkëpunuar me pushtuesin kundër çlirimtarëve duke injoruar motivet e tyre për bashkim të Shqipërisë me Kosovën si dhe faktin që në shtetin filogjerman, që krijuan nazistët, kishin bërë edhe të mira për shqiptarët. Besoj se motivi kryesor i egërsisë që treguan ndaj tyre ka qenë pastrimi i rrugës për pushtetin diktatorial që krijuan. Nga ana e tyre ballistët humbës përfunduan të pushkatuar, nëpër burgje e internime apo në emigrim dhe derisa vdiqën shprehën bindjen se ishin komunistët tradhëtarët e çështjes shqiptare pasi u bënë vegla të sllavëve. Opinionet janë të ndara edhe sot emocionalisht mbi atë se kush kishte të drejtë dhe kush jo. Personalisht kur gjykoj atë situatë them  se Shqiptarët do të duhej të kishin luftuar së bashku “pa dallim feje, krahine dhe ideje” - siç ishte parrulla e Frontit Nac - Çl në krye të herës - e pas çlirimit të bashkëjetonin në pluralizëm dhe demokraci. Përgjegjësia kryesore që nuk ndodhi kështu bije mbi komunistë që, nën diktatin jugosllav por edhe nga ideologjia që kishin përqafuar, prishën marrëveshjen e Mukjes dhe e kthyen fazën pas Mukjes të Luftës, në revolucion e luftë civile për të marrë të gjitha pushtetet e për të vendosur diktaturën e proletariatit. Nuk përjashtoj nga përgjegjësia kurrsesi edhe nacionalistët si Deva që i shihnin komunistë jo si shqiptarë që mendonin e aspironin ndryshe, por si një “farë e keqe” që duhej eliminuar. 

Në fakt ndarja nacionalistë – komunistë ka rezultuar tragjike edhe në botë në atë kohë, pasi të dy palët predikonin se përfaqësonin të ardhmen e vërtetë që duhej realizuar edhe nëpërmjet dhunës. Boll të kemi parasysh tragjedinë e Luftës Civile në Spanjë ku fitoi krahu tjetër.

Gjakderdhja që shqiptarët i kanë shtuar njëri tjetrit në atë kohë nuk mund të kuptohet pa këto dy ideologji kundërshtare, por pa harruar se kulti i dhunës e i më të fortit ushqehej edhe nga një nënshtresëzim më primitiv në ndërgjegjen kolektive shqiptare: ai i gjakmarrjes së Kanunit. Ngjarja që e ka demonizuar më shumë Xhafer Devën, ajo që është quajtur “masakra e 4 shkurtit”, ashtu sikurse edhe krimet  edhe masakrat që kanë kryer komunistët, duhen analizuar e kuptuar në këtë kontekst historik e kulturor. 

 

2. A pajtoheni me mendimet se Deva ka qenë përkrahës i ideologjisë naziste dhe ka kontribuar në dorëzimin e hebrenjeve që kanë jetuar në Kosovë e Shqipëri tek gjermanët gjatë Luftës së Dyte Botërore?

 

Unë mendoj se po. Mos të harrojmë se nacionalizmi, i shprehur edhe si epërsi e racës së një kombit ndaj asaj të një kombi tjetër apo edhe ndaj një pakice brenda kombit, ka qenë po aq në modë në atë kohë sa edhe idetë komuniste të barazisë dhe internacionalizmit proletar. Ka shumë dokumente që provojnë se shqiptarët mburreshin asokohe se ishin arianë si gjermanët dmth. eprorë ndaj armiqve të tyre sllavë e grekë. Po ashtu edhe ideja e një kombi grushtbashkuar rreth një partie vizionare të vetme me një “führer” vullnethekurt si Hitleri, Musolini apo Stalini në krye ka qenë shumë më e përhapur asokohe duke u propaganduar si më efikase sesa debatet shterpe ndërpartiake në parlamentet e demokracive liberale apo si rruga më e shpejtë drejt progresit e vendeve të prapambetura. Edhe në Shqipëri ka pasur intelektualë që kanë kërkuar asokohe një “duce” të modelit Musolini.  Por edhe në botën demokratike nuk kanë qenë shumë të qartë se deri ku mund të çonin këto ideologji në pushtet e këta “diktatorë të ndritur”. Mos të harrojmë se në SHBA Musolini lëvdohej si burrë i madh shteti nga shtypi amerikan der në vitin 1935, kurse Hitleri, megjithë ligjet raciale e persekutimin e hebrejve, u shpall “njeriu i vitit” nga revista Times në 1938 pas marrëveshjes së Munichut. Kur gjykojmë figura si Xhafer Deva duhet t’i shohim në këtë kontekst dhe jo nga optika e sotme, kur jemi shumë më të qartë se çfarë prodhojnë urrejtjet nacionale edhe diskriminimet racore ashtu sikurse edhe zëvendësimi i pluralizmit dhe demokracisë me partinë-shtet të führerit. 

Përsa i përket hebrejve mund të thuhet se shqiptarët me shumicë muslimane, që sapo kishin dalë nga Perandoria multifetare e multietnike Osmane, nuk kanë ushqyer ndjenja agresive armiqësore ndaj tyre siç filluan të ushqejnë ndaj sllavëve e grekëve për shkak të luftrave të tyre për territoret e banuar nga shqiptarë. Por s’mund të thuhet se nuk kanë pasur ndjenja përçmimi fetar apo racor ndaj tyre. Noel Malcolm në librin e tij thotë se në kampin e Prishtinës bashkë me shumë komunistë kanë vdekur edhe 200 hebrej, çka përgënjeshtron mitin e përhapur në Shqipëri, pas rënies së komunizmit, se shqiptarët paskan shpëtuar ebrejtë. Besoj se është ndikimi i këtij miti që një pjesë e trajtojnë sot Devën edhe si shpëtues të hebrejve gjatë kohës që ka qenë ministër në Shqipëri. Personalisht nuk e besoj këtë ashtu siç nuk besoj se shqiptarët, që kanë treguar atë mizori ndaj njëri tjetrit, paskëshin qenë më njerëzorët në Evropë ndaj ebrejve. 

 

 

3.           Si e gjykoni ju historiografinë komuniste për figurën e Xhafer Devës dhe a mendoni se ka të pavërteta në të?

 

Nuk jam specialist për të hyrë në detaje mbi të vërtetat dhe të pavërtetat mbi jetën e Devës, por, duke patur parasysh se historiografia komuniste është e mbushur me të pavërteta edhe për figura të tjera, për shkak se më së shumti komunistët e kanë shfrytëzuar historiografinë si mjet instrumentalizmi në funksion të legjitmimit të pushtetit të tyre, gjykoj se edhe për figurën e Xhafer Devës ka si të pavërteta ashtu edhe të vërteta selektive. Ajo historiografi e ka kthyer atë në një figurë të demonizuar, por kurrsesi së studiuar e kuptuar. Ndërkaq nevoja e studimit për të kuptuar sa më mirë shqiptarët e Kosovës gjatë Luftës së Dytë  s’ka të bëjë vetëm me Xhafer Devën, por me të gjithë shqiptarët, sepse, sikurse dihet, Deva s’ka qenë një fenomen i izoluar. Mjaft të kemi parasysh Divizionin SS Skanderbeg që përbëhej nga mijëra shqiptarë nga Kosova.

 

4. Xhafer Deva përflitet për masakrën e 4 shkurtit në Tiranë, numrin e viktimave të kësaj masakre e kontestojnë. Cila është e vërteta e kësaj masakre sipas jush?

 

Tashmë dihet që historiografia komuniste ka abuzuar edhe me shifrat. Psh. të gjithë shqiptarët e Shqipërisë kanë mësuar nëpër shkolla e muzeume shifrën 28000 dëshmorë për  të rënët gjatë Luftës. Sipas të dhënave që kanë dalë më vonë ata nuk kanë qenë më shumë se 4000.  Po kështu është abuzuar edhe me numrin e armiqve të vrarë. Edhe në trajtimin e historisë së 4 shkurtit e kemi këtë fenomen. Po ashtu një element që ka munguar në trajtimin e asaj masakre ka qenë fakti se Xhferr Deva e ndërmori atë edhe pasi një ditë më parë kamunistët i vranë me atentat të nipin – çka flet për atë që thashë më herët: nënshtresën kanunore të dhunës ndaj njëri tjetrit të shqiptarëve të të dy krahëve. 

 

 

5. Deva pas Luftës së Dytë Botërore emigron në SHBA dhe sipas dokumenteve ai rekrutohet nga CIA amerikane, pse mendoni se amerikanët e kanë amnistuar Devën edhe pse ka bashkëpunuar me nazistët gjatë Luftës së II Botërore si ministër i Brendshëm?

 

Edhe kjo kuptohet qartë duke e parë në një kontekst më të gjerë. Pas Luftës së II Botërore filloi Lufta e Ftohtë. Historia tregon se kjo ka ndikuar që edhe në Gjermaninë Perëndimore edhe në Itali e gjetkë të frenohet procesi i kërkimit dhe dënimit të kriminelëve të luftës për shkak se këta kishin qenë edhe antikomunistë dhe kjo komponente i bënte ata aleatë në raport me armikun e ri kryesor, komunistët stalinistë të Kampit Lindor. Besoj se është antikomunizmi që e ka çuar CIA-n tek Deva ose Devën tek CIA.

 

6. Restaurimin e shtëpisë së tij e kanë kundërshtuar ambasadori gjerman ne Kosove, Jorn Rhode dhe eurodeputetja Viola von Cramon. A mendoni se shtëpia e Xhafer Devës ne Mitrovicë duhet të restaurohet? Nëse po në çfare mënyre?

 

Nuk më duket se lënia në degradim apo edhe shembja e një ndërtese të jetë mënyra më e mirë për të mos përsëritur kohën e historinë që lidhet me pronarët apo banorët e saj të dikurshëm. Nuk di që gjermanët të kenë aplikur këtë parim me ndërtesat e tyre të kohës së nazizmit apo edhe me ndërtesat e diktaturës komuniste të ish Gjermanisë Lindore ku më ka qëlluar të vizitoj si muzeum zyrat e Stazit të lëna në gjendjen që kanë qenë. Madje do të thoja se po të aplikohej ky kriter përgjatë gjithë historisë qytetet evropiane e më gjerë do të duhet të dukeshin si grumbull rrënojash. 

Ne kemi pasur deri pak kohë më parë në Tiranë, mu në qendër të kryeqytetit, një ndërtesë që njihej si Hotel Vjosa që gjatë Luftës së Dytë ka qenë selia e Gestapos. Kur u shemb nga barbarët e Tiranës unë e konsiderova si një humbje edhe për shkak të këtij fakti historik.

Në rastin konkret e rëndësishme nuk është ndërtesa, por si dhe pse e restauron: që ta kthesh në objekt kulti për të nxitur nacionalizmin shqiptar, urrejtjen ndaj serbëve, për vlerën arkitekturore, apo për të mësuar nga historia tragjike e Luftës së Dytë se ku të çojnë urrejtjet nacionale e ideologjike? Sipas meje ajo ndërtesë duhet ruajtur dhe restauruar jo vetëm për vlerën arkitekturore, por edhe për faktin se ka qenë shtëpia e Xhafer Devës. Fare mirë mund ta shikoja atë si një muze ku do të tregohej historia e trazuar dhe plot kontradiksione e Kosovës gjatë Luftës së Dytë, ku ndër të tjera të ekspozohej edhe masakra e 4 shkurtit edhe historia e batalionit SS Skenderbej edhe historia e kampit të Prishtinës ku kanë vdekur 200 hebrej, por edhe masakra e Tivarit e krime të tjera të komunistëve shqiptarë e jugosllavë ndaj kosovarëve në atë kohë. Kjo është shumë më me vlerë për të njohur drejt historinë e për të ndërtuar një kulturë të paqes e mirëkuptimit mes shqiptarëve e me fqinjët sesa mburrja, duke falsifikuar historinë, sikur paskemi qenë  i vetmi popull evropian që ka shpëtuar hebrejtë, ndërkohë që vazhdojmë të dëbojmë nga vendi njëri tjetrin dhe serbë t’i shohin si armiq, që mundësisht duhen pastruar fare nga territoret ku banojnë shqiptarë. Do të ishte një shembull edhe për serbët, madje, që më të shumtët vazhdojnë t’i shohin shqiptarët po me këtë sy.

Siç duket ambasadori dhe eurodeputetja kanë reaguar sepse i tremben instrumentalizimit të kësaj ndërtese në frymë ncionaliste duke patur parasysh konfliktin e ngrirë me serbët që tregon se ne ballkanasit vazhdojmë të tregojmë se jemi të paaftë për të nxjerrë mësime nga historia.  Po bash në emër të ndryshimit të këtij realiteti mendoj se shndërrimi i asaj shtëpie në një muze, ashtu siç e përfytyrova, do t’i shërbente shumë më tepër kulturës së dialogut e bashkëjetesës në mirëkuptim midis shqiptarëve mes vetes e shqiptarëve dhe serbëve sesa lënia e asaj saj si një fantazëm e së kaluarës që pret të rikthehet fryma e kohës së ish pronarit të saj.

Së fundi do të thoja se ndër mësimet e shumta që na jep historia tragjike e shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë, që nuk kemi ditur t’i nxjerrim, janë edhe dy që kanë të bëjnë veçanërisht me partitë/pjesët tona politike: mësimi se shërbimi më i mirë ndaj së tërës vjen nga respekti reciprok e dialogu mes pjesëve dhe jo nga dominimi deri me dhunë i njërës ndaj tjetrës (me pretendimin se e drejta dhe e vërteta qëndron e gjitha në anën e saj) dhe mësimi i ndërtimit të legjitimitetit politik nëpërmjet shërbimeve ndaj shqiptarëve dhe jo nëpërmjet shërbimeve ndaj interesave të fuqive të mëdha të radhës. (Intervistë gazetës Express, 19 shkurt 2022)

Monday, October 4, 2021

Mbi filmin “Rilindja e PD-së dhe e Shqipërisë fillon me vdekjen e Berishës.”

Në artikullin “Të luftosh Berishën për të fuqizuar berishizmin” kam shkruar se qëndrimi i Lulzim Bashës dhe i shumëve që e mbështesin lidhur me përjashtimin e Berishës nga Grupi Parlamentar është një hipokrizi e katërfishtë ndaj Berishës, amerikanëve, shqiptarëve dhe vetvetes. Në funksion të kësaj loje të traditës kulturore shqiptare, ku hipokrizitë dhe gënjeshtrat janë të ndërsjella, është ngritur me kohë një makineri e madhe manipulimi që punon për të na bërë të jetojmë me hir dhe pahir ngjashëm me mënyrën e jetës në “gënjeshtrën e madhe” që na detyroi të jetonim propaganda komuniste. Kësaj here filmi i prodhuar nga “Kinostudio Shqipëria e Re Kapitaliste” është ai me temë: “Rilindja e PD-së dhe e Shqipërisë fillon me vdekjen e Berishës”. Po jap vetëm disa argumente pse flas për gënjeshtër e hipokrizi:

– Sepse momenti i kulmit të mbështetjes amerikane ndaj qeverisë, nëpërmjet goditjes së opozitës, po kërkohet t’u shitet shqiptarëve shpresëhumbur si moment i shpresëgjetjes te një opozitë pa Berishën që do të fituaka kësisoj mbështetjen e Amerikës në luftën e vërtetë ndaj korrupsionit të Ramës. Thënë ndryshe, sepse politikën e Ramës “përça dhe sundo opozitën me ndihmë amerikane” për të fuqizuar sundimin (bashkë me këtë edhe krimin e korrupsionin) po kërkojnë të na e shesin si politikë amerikane që synon aleancën me opozitën “e pastruar” në luftë të përbashkët kundër korrupsionit të Ramës.

– Sepse, ndonëse edhe më naivi e kupton se përçarja e ka dobësuar dhe do të vazhdojë ta dobësojë opozitën, kërkojnë të na mbushin mendjen se dobësimi do të jetë i përkohshëm me argumentin se ishte e domosdoshme që PD t’i nënshtrohej operacionit të heqjes së një tumori malinj dhe se, pasi të bëjë kimioterapinë dhe radioterapinë Rama-Kim-SPAK, më në fund ajo do të rilindë.

– Sepse bëjnë sikur nuk e shikojnë se kjo “kurë” jo vetëm do ta lektisë, por mund ta vdesë fare PD-në (veçanërisht kur sheh se disa ngulmojnë se pas metastazës “Berisha” duhet të hiqet edhe metastaza “Basha”); pra, sikur ta kenë harruar atë që deklaronin deri dje se përballë opozitës është një kundërshtar që ka kohë që kërkon ta “kurojë” kësisoj jo vetëm çdo opozitë të vërtetë, por edhe çdo zë kundër dhe që i ka tashmë në dorë thuajse të gjitha mjetet kirurgjikale për ta realizuar qëllimin e tij.

– Sepse predikojnë se largimi i Berishës së keq do t’i heqë Edi Ramës alibinë e të qenët e keqja më e vogël që e mban në pushtet, ndërkohë që po të dëgjoje se çfarë thoshin kur hynë në çadër apo kur lanë mandatet shkakun e qëndrimit të Ramës në pushtet e lidhnin me të qenët e tij super e keqja në krye të sistemit të grabitjes së votës nëpërmjet oligarkisë e krimit të organizuar çka, gjithë sipas tyre deri dje, e provoi edhe masakra e fundit zgjedhore.

– Sepse bëjnë sikur besojnë se pa Amerikën nuk fitohen zgjedhjet, megjithëse e dinë se historia e këtyre 30 vjetëve ka treguar të kundërtën dhe sikur nuk e shohin se reagimi i shumicës së shqiptarëve në këtë rast, jo vetëm brenda PD-së, tregon se ata nuk janë aq budallenj sa ç’kërkojnë t’i bëjnë, gjë që e kanë treguar edhe në rastin e tentativës amerikane për të sjellë armët kimike siriane.

– Sepse manipulojnë me përdorimin e fjalës “fitore” që do të ardhka pas katër vjetësh në sajë të moderacionit dhe urtësinë parlamentare të këshilluar apo diktuar nga amerikanët, duke i cilësuar protestat, veprimet e forta që kanë organizuar deri dje mbi fjalën “fitore”, si gabime të diktuara nga Berisha. Me fjalë të tjera, kastrimin që po u bën Rama sot me bisturi amerikane si vazhdimësi e atij që u ka bërë më herët me oligarkët e kapur prej tij – duke u ulur besimin e popullit të Astirit, të Kukësit etj., e për pasojë mbështetjen e fuqishme popullore në protesta si i vetmi mjet i vërtetë për të rrëzuar këtë regjim – po duan të na e shesin si rritje të potencës dhe të fertilitetit.

– Sepse bëjnë sikur nuk shohin e dëgjojnë se argumentet pro Basha mbështeten nga të gjithë ramistët që deri dje e kanë akuzuar Bashën si njeri “të paaftë”, që “fle gjumë”, “i korruptuar”, “humbës i lindur” etj., etj. Thënë ndryshe, bëjnë sikur nuk e kuptojnë se skenari i filmit “Rilindja e PD-së dhe e Shqipërisë fillon me vdekjen e Berishës” i ka zyrat te rilindja e PS-së.

* * *

Ironia e historisë është se për ta bërë më “të vërtetë” gënjeshtrën e këtij filmi po kontribuojnë edhe ambasadorët euro-amerikanë, njëlloj siç kontribuonin për “gënjeshtrën e madhe” të regjimit komunist ambasadorët sovjeto-kinezë. Fakti është që skenari i këtij filmi ka filluar të ideohet e shkruhet që kur, paradoksalisht, dyshja ambasadoriale LuVllahutin i kërkonte prokurorit Llalla të arrestonte Berishën dhe Metën, me idenë se kjo mund të shitej si sukses i madh i Shqipërisë që do ta fuste atë në Europë – ndërkohë që këta ambasadorë mbyllnin sytë ndaj shifrave të rritjes së korrupsionin që jepte “Transparency International” gjatë qeverisjes Rama, ndaj rritjes dramatike të azilkërkuesve në vendet e BE-së dhe kur fushat me kanabis që po kaplonin Shqipërinë u dukeshin si fusha me grurë.

E di që në këtë pikë do të më vërsulen me pyetjen: ç’është kjo marrëzi, çfarë interesi paskan vende demokratike si SHBA apo të BE-së të mbrojnë një regjim duke dobësuar opozitën e tij?! Meqenëse i kam dhënë shpesh disa nga argumentet e kësaj mbrojtjeje, po u përgjigjem me një pyetje: çfarë interesi kishin amerikanët të mbulonin për njëzet vjet dështimin e shpenzimit të 300 milion dollarëve në ditë në Afganistan? Gjithsesi, përtej interesave të SHBA-së dhe BE-së, gjykoj se interesi kryesor i shfaqjes së këtij filmi është i brendshëm dhe përgjegjësia është jona.

Ai kërkon t’i zgjasë jetën këtij regjimi nëpërmjet mbulimit kriminal të faktit se “tumori” që kërkojnë t’i heqin opozitës për ta “shëruar” është vetëm një metastazë sekondare në trupin e Shqipërisë; se ky tumor e ka qendrën e tij gjeneruese në sistemin që komandon partia në pushtet, nëpërmjet së cilës ai ka kapluar shtetin, ekonominë, krejt shoqërinë dhe se ai nuk kurohet me operacione fasadë kirurgësh amerikanë, por nëpërmjet kurash të tjera të cilat njerëzit e PD-së nuk janë në gjendje as t’i gjejnë, as t’i aplikojnë, pasi janë brenda tumorit edhe vetë. E prandaj, disa me vetëdije e të tjerë ndoshta pa vetëdije kanë zgjedhur të bashkëpunojnë në prodhimin e filmit “Rilindja e PD-së dhe e Shqipërisë fillon me vdekjen e Berishës”, me regji dhe skenar të Edi Ramës dhe aktorë kryesorë Yuri Kim, Lulzim Basha, Sali Berisha etj.  (Panorama, 4 tetor 2021)

 

Wednesday, September 29, 2021

Luftë Berishës për të fuqizuar berishizmin

 

Lulzim Basha dhe mbështetësit e tij pasi kanë shpalosur një çarçaf me meritat e mëdha të kapitenit “historik” të anijes PD shtojnë në fund se ai duhet hedhur nga anija pasi lundrimi drejt pushtetit nuk mund të vazhdojë kështu, pasi me Berishën në anije na bombardojnë amerikanët. “Nec plus ultra”,  mos shko më tej, duket sikur i thonë ata mendimit të tyre. E kërkojnë amerikanët dhe pikë! Por a është vallë kështu? Absolutisht jo. Në këtë vendim të Lulzim Bashës ka që çke me të një mendim kalkulues - fatkeqësisht të gabuar - që karakterizohet nga një hipokrizi alla shqiptarçe e katërfishtë: ndaj amerikanëve, ndaj Berishës, ndaj shqiptarëve dhe ndaj vetes. Pse e them këtë? Pasi as ai dhe as mbështetësit e tij, duke menduar me dinakëri, s’kanë ndaluar asnjë çast tek argumenti që kanë dhënë amerikanët për të kërkuar largimin e Berishës nga grupi parlamentar i PD-së: “korrupsion i nivelit të lartë” që “ve në rrezik interesat amerikane”, - që do të thotë automatikisht edhe ato shqiptare. Madje tashmë argumenti amerikan i korrupsionit sikur është harruar edhe nga vetë amerikanët duke mbetur debati tek vlerësimi i personit Berisha, aq sa Lulzim Basha ka bërë disa aludime, sipas të cilave informacione që i di vetëm ai, të bëjnë të mendosh se amerikanët kanë për Berishën prova shumë më të rënda se sa korrupsioni. Në këtë pikë vlen të shtrohet pyetja nëse vërtet korrupsioni përbën një shqetësim të vërtetë të opozitës shqiptare dhe të amerikanëve, apo është një pretekst për luftë politike - siç ka qenë këta tridhjetë vjet në Shqipëri?

***

Që në PD, me në krye Berishën, Bashën etj. nuk ka pasur e nuk ka impenjim të vërtetë në luftën kundër korrupsionit, kjo është provuar me kohë. Një nga karakteristikat kryesore të berishizmit (përveç shumë të tjerave, ku hyn edhe hipokrizia e shumëfishtë që po manifestojnë trashëgimtarët e tij) ka qenë pikërisht përdorimi i korrupsionit të kundërshtarit për të bërë korrupsion vetë. Nuk ka person që e kupton më mirë këtë që sot po i bije mbi shpinë, sesa dora vetë Sali Berisha, sepse është ai që e inauguroi përdorimin e korrupsionit për korrupsion në vitet ’90 me arrestimin (edhe me mbështetje amerikane) të liderit të opozitës Fatos Nanos me qëllim dobësimin e opozitës. Për hir të së vërtetës duhet thënë se ky moment shënon një pikë kulminante të berishizmit, si forma më e egër e luftës për eliminimin e kundërshtarit që kemi njohur. Në periudhën e mëvonshme 1997 - 2013 ky mjet lufte mbeti në nivele retorike, pa arritur të bëhet agresiv deri në arrestime dhe konfiskime pronash të kundërshtarëve. Por me Ramën në pushtet,  me kapjen e drejtësisë nëpërmjet të ashtuquajturës Reformë në Drejtësi, po arrijmë me shpejtësi në nivelet e berishizmit të fillim viteve ’90, edhe pse në një trajtë më të sofistikuar dhe shumë më të vështirë për t’u luftuar. Dhe një nga vështirësitë është kontributi agresiv amerikan në këtë demagogji.

***

Po të lexosh analizat e përvojës së dështimit amerikan në Afganistan, siç është p.sh. shkrimi i “The Economist” “Pse amerikanët vazhdojnë të ndërtojnë shtete klientelare të korruptuara?” do të shohin se në vend që të çmontojnë sistemin e lidhjeve klientelare të korrupsionit amerikanët i kanë paguar të pushtetshmit e korruptuar atje, për hir të paqes e stabilitetit. Edhe atje amerikanët kanë ndihmuar në ngritjen e një institucioni  që duhet të luftonte korrupsionin por që në fakt u dobësua shpejt nga afganët e amerikanëve. Edhe atje, kur Karzai i fitoi për herë të dytë zgjedhjet me manipulim gëzoi mbështetje amerikane. Si përfundim , doli se kishin ndërtuar një shtet fasadë “të ngjashëm me fshatin Potemkin”, që u shkërmoq sapo ata vendosën të ikin.

Pyetja në rastin tonë shtrohet nëse amerikanët – ose ai grup lobistësh amerikanësh që po përdorin etjen e papërballueshme për protagonizëm të ambasadores Kim - janë të paaftë të mësojnë nga dështimet e tyre apo e përdorin edhe ata korrupsionin me të njëjtën metodë. Të vjen vetvetiu kjo pyetje duke parë se argumenti amerikan se Berisha po ndëshkohet pasi, nëpërmjet korrupsionit, ka vënë në rrezik interesat strategjike amerikanë çalon me të dyja këmbët: si mjet dhe si rezultat. Çalon si mjet sepse, sikurse do të thoshte edhe vetë Rama i fushatës elektorale të 2013-tës, Berisha nuk ka bërë korrupsion vetë, por në sajë të ngritjes së një sistemi korruptiv ku biznesi shqiptar, ndryshe oligarkët shqiptarë, nuk funksionojnë sipas rregullave të tregut të lirë, por si klientë të partive në pushtet - çka dora dorës i ka shndërruar ose në kapës të shtetit duke i bërë deri deputetë e ministra ose në të kapur prej shtetit. Ky është thelbi i berishizmit përsa i përket korrupsionit.  Dhe problemi është se ky berishizëm gjatë tetë vjetëve të Ramës është fuqizuar dhe sofistikuar në nivele shumë më të larta, sepse oligarkët që akuzoheshin nga Rama për korrupsion me Berishën sot punojnë të gjithë me Ramën, sipas të njëjtit sistem; sepse shumica e mediave të këtyre oligarkëve (apo të sponsorizuara prej tyre), deri edhe gazetarë që i kanë shërbyer berishizmit më të egër  të viteve ’90, sot i shërbejnë Ramës me të njëjtin stil. Dhe, po tu shtosh këtyre faktin se gjatë qeverisjes Rama krimi i organizuar ka njohur një hop cilësor drejt kapjes së jetës politiko-ekonomike shqiptare nuk mund të mos vijmë në konkluzionin e Ramës së viteve 2013 se në Shqipëri edhe një gjerman po të vijë do të korruptohet.

Në këto kushte çështja shtrohet: çfarë ndodh në një vend ku zor të gjesh “gjerman”, të cilit, për shkak të sistemit, të mos mund t’i ngresh dot një akuzë për korrupsion dhe ku pushtetarët nuk punojnë për çlirimin e “gjermanit” nga ky sistem por për sundim dhe përfitim korruptiv nëpërmjet kapjes së tij? Përgjigja është ajo që po ndodh sot me “gjermanin” Berisha: “gjermanin” e shantazhon, deri dhe e fut në burg, po të doli kundër, për t’i hapur rrugë një abuzimi të pakontrolluar me pushtetin. Sulmi ndaj Berisha është bërë me këtë metodë që inauguroi Berisha në 1993.

***

I kthehemi edhe një herë pyetjes: a janë kaq miopë amerikanët sa Rama ka arritur t’i manipulojë apo po e përdorin edhe ata luftën ndaj korrupsionit si instrument për të mbështetur autokratin për interesat e tyre? Sa më shumë kalon koha aq më shumë po provohet se kemi të bëjmë me një përdorim të ndërsjellët. Përsa i përket Ramës manipulator vlen të kujtojmë se përdorimin e luftës ndaj  korrupsionin për të eliminuar kundërshtarët, duke përdorur ndërkombëtarët, e ka zanat të vjetër. Kujtoni “Mjaft” të Erjon Velisë, sesi lindi me mbështetje financiare ndërkombëtare ambasadash dhe fondacionesh si ai Soros, kundër ish komunistëve të korruptuar Nano-Berisha, por që i mbajti sytë mbyllur ndaj super mekanizmit korruptiv me oligarkë ndërtues  dhe pronarë mediash që kishte ngritur Rama në Bashkinë e Tiranës - aq sa i doli shprehja “një pallat një votë.” Se kush qëndronte prapa “Mjaft”- it sot e kanë të gjithë të qartë.  Edhe rezultatin po ashtu e kemi po e shohim nëpërmjet masakrës që po u bën krimi i organizuar qytetit të Tiranës.

Eliminimi i dyshes Berisha – Meta me dorën ndërkombëtare është stratagjemë së njëjtës mendje ku, paradoksalisht, vendin e Erjon Velisë sikur po kërkojnë t’ia ngarkojnë Lulzim Bashës.

Përsa u përket amerikanëve nuk gjykoj se kanë rënë pre e manipulimit të Ramës nga naiviteti. Sepse duke parë veprimet e tyre nuk mund të mos shtrosh disa pyetje parimore: nëse Shqipëria qenka vend kaq i pasigurt për interesat amerikane, saqë një ish president, ish kryeministër shpallet armik i Amerikës, si ka mundësi që e trajtojnë këtë vend kaq të brishtë si vend të sigurt ku mund të depozitojnë armët kimike siriane për t’i çmontuar, ta bëjnë vendstrehimin e muhaxhedinëve opozitarë të regjimit iranian apo të sjellin edhe afganët, ndërkohë që vende të tjera të Natos, shumë të konsoliduara e të fuqishme, hezitojnë për shkaqe sigurie të vendeve të tyre? Poende, nëse vërtet kanë hallin e popullit shqiptar që, për shkak të korrupsionit, po ikën masivisht në emigracion, aq sa në 10 vjetët e fundit 60000 fëmijë në moshën e adoleshencës janë braktisur qëllimisht nga prindërit nëpër Evropë pasi nuk shohin të  ardhme për ta në Shqipëri, si ka mundësi që nuk reagojnë fare ndaj korrupsionit të Ramës. Poende, si nuk reagojnë as ndaj Lulzim Bashës dhe mbështetësve e tij kur i shohin të vazhdojnë ta ngrenë në qiell trashëgiminë e Berishës në vend se të përqafojnë seriozisht argumentin amerikan të korrupsionit? Madje po t’i besojmë të dhënës që qarkullon nëpër media se kanë përdorur si presion ndaj Bashës kërcënimin se përndryshe do ta shpallnin edhe atë “non grata”, a nuk na çon edhe kjo, sëbashku me çka rreshtova më sipër, në idenë se ata nuk kanë hallin e liderëve të korruptuar, por se si t’i përdorin liderët e korruptuar për qëllimet e tyre?

***

Megjithatë, tek e fundit, përtej qëllimeve e mjeteve, që mbeten të diskutueshme, rezultati është se amerikanët - gjithmonë në kuptimin e grupit të lobistëve amerikanë që po përdorin etjen e papërballueshme për protagonizëm të ambasadores Kim - po kontribuojnë në fuqizimin dhe sofistikimin e berishizmit si në partinë në pushtet edhe në partinë më të madhe opozitare, të cilën  e kanë çuar në pikën më të dobët historike përsa i përket forcës dhe kredibilitetit. Me këto praktika dështimi i tyre në Shqipëri është i garantuar. Madje mund të them se tashmë ai është një realitet që nuk duan ta shohin Sepse “talebanët” e kanë marrë tashmë pushtetin në Shqipëri, - kam parasysh me këta krimin e organizuar në pastrimin e parasë. Prokurori i mirënjohur italian Gratteri, autor midis të tjerash i librit “Si Ndrageta u bë klasë drejtuese”  në një intervistë të dhënë kohët e fundit thotë: “nëse askush (në Perëndim) nuk i kundërvihet mafjes shqiptare në Shqipëri këta do të bëhen shumë të fuqishëm shumë të pasur sepse kanë mbrojtje në të gjitha nivelet dhe do të shpërhapen e të hyjnë në Evropë…“ Problemi amerikan  është se ata po i trajtojnë talebanët tanë si “our son of the bitch” (birin tonë të kurvës) dhe siç e ka provuar historia, ka shumë rrezik të veprojnë kështu deri kur këta t’u bijen ndesh interesave të tyre.

Do të doja ta mbyllja këtë shkrim duke shtuar: “prandaj është detyre e shqiptarëve të përveshin mëngët nëse nuk duan të jetojnë nën sundimin e “talebanëve” të tyre, por duke i parë shqiptarët kaq të nënshtruar dhe kaq të tradhtuar po e mbyll duke uruar të ndodhë ndonjë mrekulli që t’i shpëtojë. (Panorama, 21 shtator 2021)

Thursday, August 19, 2021

Një leksion për shqiptarët nga Kabuli

 


Dështimi i SHBA dhe Perëndimit në Afganistan nuk po shihet si një ngjarje e largët, siç ka qenë deri dje tek ne, pasi në vend sot po flitet veç për vendimet e qeverive për strehimin në Shqipëri dhe Kosovë të afganëve të rrezikuar nga talebanët. Fatkeqësisht në lajmet po mbizotëron aprovimi i njëzëshëm i politikanëve tanë  që i mbiquajnë këta vendime një "detyrë" si "vend i NATO" si "partner i ShBA", si "besa shqiptare" si "vend emigruesish"  çka po e dështon pa lindur debatin që gjykoj se duhej nisur, jo vetëm në emër të përfaqësimit të një pjesë jo të vogël shqiptarësh që reagojnë në rrjetet sociale me shqetësime dhe paqartësi gjithfarëshe, por edhe duke pasur parasysh se shqiptarët kanë ushqyer dhe vazhdojnë të ushqejnë aq shumë shpresa se amerikanët dhe Perëndimorët do të ndërtojnë në Shqipëri shtetin e së drejtës që do t'i çlirojë nga elitat e korruptuara që i qeverisin.


E kam fjalën mbi debatin se pse dhe si dështuan amerikanët në Aganistan?

Pa marrë përsipër të analizoj të gjithë faktorët e dështimit, duke u nisur edhe nga çfarë shoh në Shqipëri (dhe jo vetëm) gjykoj se një prej faktorëve kryesorë duhet ta gjejmë në një lajm që tregonte se talebanët, pasi pushtuan qytetin Mazar-i Sharif, publikuan video të vilës së liderit ushtarak afgan, Rashid Dostum, aleati kryesor i amerikanëve,  njëherësh edhe themeluesi i partisë Junbish-e, e cila rezultonte "e larë në ar".

Është vështirë të besosh se populli afgan, që ka luftuar trimërisht edhe kundër pushtimit sovjetik, qenka kaq armik i demokracisë, i lirisë dhe i disa vlerave perëndimore sa të zgjedhë telebanët e dhunshëm dhe fanatikë në vend të tyre. Për mua nuk ka pikë dyshimi se një nga faktorët që i ka bërë afganët e thjeshtë e të shumtë të mbështesin talebanët në luftë me botën e qytetëruar nuk lidhet me dashurinë e tyre për burkën, që përmendet aq shumë këto ditë, apo për islamin fundamentalist, por me korrupsionin e elitave që kanë mbështetur amerikanët. Është kjo një histori e njohur që ka gatuar më herët edhe ngjarje të tilla si Revolucioni Islamik iranian, pranverat arabe etj., për të mos dalë në vende të tjera të botës me fe të tjera. Do të shpresoja qe administrata Biden është nisur nga përvoja e këtij dështimi për ta cilësuar korrupsionin si rrezik strategjik për SHBA, por këtë do ta tregojë e ardhmja. Deri më sot kemi parë mbështetjen e të korruptuarve deri në dështimin final.

Problemi, pra, është se në këto vende pa kulturë demokratike, ku interesat janë mbuluar me petkun e të drejtave të njeriut dhe demokracisë, amerikanët kanë mbyllur sytë ndaj bëmave të politikanëve që kanë mbështetur. Sikurse shkruante "The Washington Post" këto ditë gazetarët amerikanë prej kohësh kanë konstatuar se ajo që po bënin në Afganistan ishte e dështuar, por, si administrata e Bushit ashtu edhe ajo e Obamës, kanë preferuar të mbyllin sytë për të mos pranuar dështimin politik - derisa erdhi ky dështim kaq i turpshëm, kaq spektakolar dhe kaq i rrezikshëm për popullin afgan.

Leksioni edhe këtë radhë për amerikanët është ai se demokracia nuk eksportohet. Por ka edhe një leksion tjetër, duke patur parasysh se këtë të parin nuk duhet ta absolutizojmë: nëse vendos të ndërhysh në emër të demokracisë duhet të ndjekësh me vëmendje dhe hap pas hapi realitetin në atë vend, të bësh çmos të mbështetësh me dashuri dhe përgjegjësi procesin demokratik duke respektuar e përfshirë të gjitha palët  dhe jo duke ngulmuar të mbështetësh një palë edhe kur e sheh duke abuzuar e duke ndërtuar vila prej ari, sepse këtë e manipulon më lehtë edhe ngase është e korruptuar e ka nevojë për mbështetjen tënde për të sunduar. Sepse popujt nuk janë aq budallenj sa të mos e kuptojnë këtë, herët ose vonë. Dhe kështu vjen një ditë kur, duke pas mbetur pa mjete demokratike edhe për fajin tënd që ke fuqizuar abuzuesit autoritarë, mbështesin talebanët kundër teje dhe elitave të tua. Ose edhe më keq, kur nuk kanë talebanë ikin nga sytë këmbët.

Po leksioni për shqiptarët cili do të ishte? I njëjti do të thoja unë: përkushtimi ndaj demokracisë që në këtë rast do të thotë e kundërta e reagimit të liderit të opozitës Lulzim Basha në këtë rast (e jo vetëm). Pse? Sepse në prononcimin e tij ai mbështeti plotësisht vendimin e Edi Ramës pa trajtuar fare disa pyetje që ngrenë shqiptarët e thjeshtë të cilat kanë të bëjnë sa me akuzat që opozita shqiptare ka ngritur ndaj Ramës autoritar e të korruptuar aq edhe me disa shqetësime të tyre mbi lajmin në fjalë. Dhe që të dyja këto janë të lidhura ngushtë me demokracinë që edhe Basha e shpërfilli të emër të sundimit të shqiptarëve nëpërmjet amerikanëve pa menduar asnjë çast se edhe këta mund të dështojnë. Po përmend vetëm disa që janë edhe shqetësime të mijat:

- Po mirë, a nuk kishte nevojë për një lloj transparence ky vendim i Ramës sepse çështja është kush vendos për këtë "demosi" apo princi? Mirë se meqenëse më herët në histori kemi shpëtuar Evropën, ebrejtë s'ka se si të mos e bëjmë edhe këtë sakrificë sublime  për afganët, po a nuk e meritonim sqarimin e disa pyetjeve dhe shqetësime të tilla si: sa afganë mund të vijnë?, kush do të investojë për ta?, a ka vende të tjera që do të ndajnë këtë barrë dhe sa do të jetë pesha e barrës tonë duke pasur parasysh se jemi një vend i vogël, me mundësi shumë të kufizuara ekonomike?,  a ka vende që refuzojnë dhe me çfarë argumentesh?, etj etj.

Ajo që reflektoi reagimi i shpejtë i Lulzim Bashës ishte se edhe ai do të sillej njëlloj si Rama në karriken e kryeministrit (ashtu siç ka bërë edhe Sali Berisha para tij) e se mezi paskësh pritur t'u thoshte "po" amerikanëve se sa për shqiptarët nuk e ka problem pasi tek fundit edhe për punën e vilave janë amerikanët që vendosin nëse i ke bërë me nder apo pa nder.

Deri sa një ditë të vijnë talebanët.

 

PS. Për ilustrim po sjell një lajm që sapo e lexova në shtypin italian:

"Italisë iu dha që nga viti 2002 roli i vendit që do të udhëhiqte reformën afgane në drejtësi. Për vite të tëra ekspertët tanë u morën me stilimin e kodeve lokale. 'Nuk funksion asgjë. Vijmë këtu për periudha të shkurtra, për pak muaj dhe sa fillojmë të kuptojmë ndonjë gjë zëvendësohemi nga të tjerë, të cilët duhet të fillojnë të studiojnë dosjet nga e para. E kotë të  them se propozimet tona mbeten letër e vdekur, se bëhet fjalë për para të hedhura dëm.' Kështu shkruante në 2013 një jurist i dërguar nga Roma.

Tani me talebanët në pushtet edhe ajo pak që ishte implementuar do të zerohet."  (Panorama, 16 gusht 2021)

Sunday, July 25, 2021

Një çështje e munguar në debatin mbi PD

 

Debati nëpër media i shpërthyer edhe nga fjalimi i Mark Markut në Kongresin e fundit të PD nuk mund të mos lidhet me pyetjen se si po sillen shqiptarët në këtë fazë të re të regjimit që personalisht e konsideroj fazë hopi të rrezikshëm të politikës “krimi ndjell krimin”. Duke thjeshtëzuar do t’i ndaja bashkatdhetarët në katër kategori: 

- në kategorinë e atyre që ndjehen pjesë e regjimit dhe përfitimeve që ai u sjell dhe që, në një mënyrë apo tjetër, janë bërë pjesë e politikave “krimi ndjell krimin”, 

- në kategorinë e të nënshtruarve që thonë se duhet të përshtatemi se s’ke çfarë bën; 

- në atë të atyre që thonë se duhet të ikim për të ruajtur dinjitetin dhe të ardhmen e fëmijëve, 

- në kategorinë e atyre që mendojnë se duhet të rezistojmë për ta ndryshuar këtë gjendje.

Brenda kategorisë së fundit meriton të analizohen në mënyrë të veçantë aktorët që pretendohet të sjellin ndryshimin, ku do të dalloja:

- partitë që i kam quajtur “të sistemit”, 

- partitë apo lëvizjet “antisistem”, 

- shoqërinë civile.

Në këtë shkrim, duke u nisur edhe nga debatet pas Kongresit, do të analizoj gjendjen e PD-së.

 

***

 

Pas zgjedhjeve të 25 prillit brenda PD-së janë shfaqur dy rryma kryesore. Njëra përfaqësohet nga kryetari Basha dhe mbështetësit e tij që i mëshojnë tezës se zgjedhjet u manipuluan nga Rama me të vetët, se po të kishin qenë të lira opozita do të dilte fituese, pa mbajtur ndonjë përgjegjësi për humbjen. Tjetra, është e ndarë midis atyre që fajësojnë Bashën, pa përmendur masakrën zgjedhore, dhe atyre që, gjithë duke theksuar masakrën zgjedhore, e akuzojnë kryetarin se nuk arriti të bashkojë, mobilizojë e frymëzojë sa duhet njerëzit për të votuar dhe për të mbrojtur votën.

Ajo që vihet re është se në këtë debat grupi i parë e përqendron diskursin tek individi Edi Rama si shkaktar i humbjes së PD-së kurse i dyti tek individi Lulzim Basha duke mos prekur thuajse fare një çështje, sipas meje themelore, që kërkon thellim dhe analizë serioze nëse vërtet PD synon të ndryshojë veten për të ndryshuar Shqipërinë. Duke rimarrë një metaforë që e kam përdorur më herët - ku e krahasoj sistemin/regjimin me një ndërtesë trekatëshe dhe bodrumin - gjykoj se sot kemi hyrë në një fazë të re që e bën thuajse të pamundur atë që ka ndodhur deri më 2013: rotacionin në katin e tretë të ndërtesës së regjimit pa prekur katet e mëposhtme të saj. Kjo sepse katet e mëposhtme, dmth. ai i mediave të oligarkëve na katin e dytë, ai i oligarkisë në katin e parë si dhe “krimi i organizuar” në bodrum, janë bërë thuajse një me partinë e vetme në pushtet, kështu që nëse loja e zgjedhjeve luhet me dhe për lojtarët brenda kësaj ndërtese shanset e opozitës për të arritur rotacion janë afër zeros. 

Nëse pranojmë se është kështu, siç besoj, ideja se PD-ja humbi/humb pasi Luli është i paaftë apo fle gjumë (ashtu sikurse ajo se Rama është i aftë dhe se fiton pasi zgjohet  që në orën 5 të mëngjesit) është tejet reduktive, dhe, dashur pa dashur, i shërben sistemit për të vënë në gjumë shqiptarët që të mos shohin se shkaku i vërtetë pse opozita nuk sjell dot ndryshim në Shqipëri është ai. 

Për hir të së vërtetës opozita i është afruar - në mënyrë hileqare – kësaj teze kur la Parlamentin dhe deklaroi se nuk mund të shërbente më si fasadë e një regjimi. Them “hileqare” pasi edhe fliste për regjim edhe e reduktonte këtë në vullnetin e mbrapshtë të një individi si Rama pa e lidhur me tërë strukturat e kateve të poshtme të ndërtesës. Kuptohet se kjo hile kishte arsyet e veta. PD nuk donte, apo nuk ishte në gjendje, të prekte gjithë ndërtesën pasi, duke qenë  parti e ndërtuar brenda saj, nuk shkëputej dot nga oligarkët dhe mediet e tyre përdhe metë cilët kishte punuar më herët, por edhe për shkak se nuk e shihte realiste arritjen e rotacionit në zyrat e katin e tretë nëse kateve të tjera do t’u jepte sinjalin se do të punonte kundër tyre. Në fakt këtë “mësim” PD e kishte marrë që në zgjedhjet e vitit 2017 kur në vend se të rritej qoftë edhe pak si opozitë në krahasim me 2013-tën e pa veten, paradoksalisht, të vetmen parti që humbi vota në krahasim me tre partitë e sistemit në pushtet. Prandaj edhe në zgjedhjet e fundit thellë-thellë, pavarësisht disa retorikave kundër oligarkëve dhe krimit të organizuar, ajo shpresonte të kthehej në pushtet në një ndërtesë ashtu siç ajo ishte kur e mori Rama në 2013, kur oligarkët dhe mediat ishin të ndarë midis partive kryesore kurse krimi i organizuar ishte dhe ai më i ndarë dhe jo kaq vendimtar sa tani në ekonominë, mediet dhe politikën e vendit. Mjafton të shikosh se një pjesë e mirë e kandidatëve të PD këtë vit janë përzgjedhur mbi kriterin e vjetër të sistemit: pra duke tërhequr të pasurit që investojnë me shpresë se dalja deputet apo marrja e pushtetit do t’u krijojë më shumë mundësi për bizneset e tyre dhe jo pse aspirojnë të përfaqësojnë interesat e viktimave të këtij regjimi, për tu bindur për këtë.

Personalisht e kam mbështetur kthimin në gjendjen e vitit 2013 me logjikën pragmatiste (më mirë tre banda se një bandë) duke argumentuar se kjo mund të shërbente si një frenim i përshpejtimit që i ka dhënë Rama makinerisë së “krimi ndjell krimin” dhe si mundësi kthese; por zgjedhjet konfirmuan se lojtarët e kateve poshtë, me të cilët më herët opozita ka luajtur në kushte pak a shumë të barabarta, tani luajnë thuajse të gjithë me bandën e Ramës (fatkeqësisht sëbashku me arbitrin ndërkombëtar). 

Ndërkaq, shqiptarëve të shumtë që janë viktima të këtij regjimi, materialisht dhe moralisht, sikurse e tha edhe Mark Marku, pak u intereson nëse ndodh mrekullia e PD-ja fiton zyrën e kryeministrit në katin e tretë nëse jeta e tyre nuk ndryshon. Sipas meje  ky ndryshim mund të vijë  vetëm mbi një projekt të premtimit të çmontimit të ndërtesës: dmth. që do ta çonte krimin e organizuar në burg, bizneset e oligarkëve në tregun e lirë të bazuar mbi meritat, kurse mediat nga instrumente të tyre do t’i kthente në mjete investigimi e denoncimi të krimeve të tyre? Kjo nuk mund të mos të të çojë tek ideja se për të realizuar këtë projekt PD, si parti e sistemit,  duhet të nxjerrë të paktën kokën, njërën dorë dhe njërën këmbë nga ndërtesa e sistemit për t’i lidhur ato me viktimat e tij dhe për të punuar me to për çmontimin e saj. Mirëpo kjo çon tek problemi tjetër për të cilin fola më lart: i gjarprit që kafshon bishtin e tij, pasi kjo parti e sistemit, në një mënyrë apo tjetër, direkt apo indirekt, e ka shumicën e aktorëve të saj, duke përfshirë edhe kryetarin, të lidhur mendërisht dhe materialisht me sistemin.

Vështirësia për ta gjetur rrugën e daljes nga ky rreth vicioz është ekstreme, por meqenëse bëhet fjalë për hapjen e një debati, gjykoj se asnjë shpresë për ndryshim të vërtetë nuk mund të ketë nëse ky nuk përqendrohet në këtë çështje. (Panorama, 20 korrik 2021)