Motivi se pse u prish në atë mënyrë demonstrative, të
dhunshme dhe të paligjshme Kisha e Shën Thanasit në Dhërmi mbetet ende i errët.
Nëse do t'i referohem cicërimës së parë të Kryeministrit në Twiter motivi që
paraqitej dukej estetik. "Kisha si një garazh." Që ajo soleta e
betonit ishte një gjë e shëmtuar dhe që një kishë s'meriton një çati të atillë
kjo s'ka diskutim. Por a mjafton kaq për të shembur në atë mënyrë një objekt
kulti duke iu kundërvënë një komuniteti të tërë. Absolutisht jo. Aq më tepër
kur ke parasysh se shëmtimi që i krijonte ajo kishë pejsazhit të fshatit Dhërmi
është shumë herë më i vogël nga ai që është bërë me ndërtimet qoftë në fshat
qoftë në bregun poshtë tij. Për të mos folur për shëmtimin që i është bërë e po
vazhdon t'i bëhet tërë Jugut e tërë Shqipërisë çka kërkon një fshesë gjigante
riestetizimi të atij pejsazhi.
Më pas Kryeministri na paraqiti një foto të Kishës si
ka qenë duke nënkuptuar se do të rindërtohet duke u kthyer në atë pamje. Ide e
mirë, por a nuk do të ishte më normale që këtë ide Shteti ta bisedonte më parë
me pronarin, që rezulton se është Kisha Ortodokse dhe komunitetin i besimtarëve
dhërmiotë, tu paraqiste një projekt dhe, pasi të merrte edhe aprovimin e tyre,
të ndërmerrte, duke respektuat tërë hapat ligjorë, kthimin e kishës në pamjen
dhe dinjitetin që ka pasur përpara se të prishej më 1972, ndoshta edhe duke
ndarë të hollat e rindërtimit me KOSH?
Kështu duhej të kishte ndodhur, por fakti që u bë
ashtu si u bë e ka një motiv, që mbetet i errët. Por ndërsa motivet dhe "përfitimet"
e prishësve mbeten ende të errëta dëmet që i sollën Shqipërisë si shtet janë
shumë më "të ndritshme".
Dëmi në aspektin e shtetit të së drejtës
Ky veprim krijon imazhin e një shteti që vepron si një
grup banditësh që i përdorin instrumentet e dhunës, që shteti duhet t'i përdorë
vetëm për rastet ekstreme, në mënyrë abuzive dhe të papërgjegjshme duke shkatërruar
për qëllime të errëta apo deri thjesht për kënaqësi sadiste pronën dhe jetën e
qytetarëve të vet. Pas këtij akti dhune të pajustifikuar, deri edhe ndaj një
institucioni të tillë siç është Kisha, çdo qytetar shqiptar ndjehet shumë më i
pasigurt përpara arrogancës dhe papërgjegjshmërisë së pushtetarëve të vet.
Duke pasur parasysh selektivitetin, brutalitetin që po
përdoret jo rrallë në akte të tilla dhe faktin se më anë tjetër nuk po bëhet
asgjë që t'u japë shqiptarëve shpresë për një jetë më të mirë dhe më të sigurt
po rritet perceptimi se qeveria po ia hap me të shpejtë gropën vetes. Problemi është
se hedhja e kësaj qeverie në gropë nga veprime të dhunshme shkatërruese njerëzish
të shtyrë deri në dëshpërim do të ishte
një katastrofë e re për të gjithë shqiptarët.
Dëmi kulturor
Ky u shkaktua nga fakti se në mbrojtje direkt apo
indirekt të prishjes së Kishës, apo si nxitës të këtij akti, u rreshtuan një
numër politikanësh e intelektualësh - midis tyre edhe një këshilltar i
Kryeministrit - nga deklaratat e të
cilëve del qartë një mbetje e vendit në kulturën e ideologjisë nacional -
komuniste të Enver Hoxhës që, ndërkohë që me propagandë i ushqente shqiptarët
me mburrje kombëtare duke nacionalizuar historinë, duke bërë shqiptare çdo gjë
në këto treva që nga koha e gurit, e duke u premtuar një të ardhme të ndritur
(komuniste), realisht i mbante në varfëri, injorancë ekstreme dhe të izoluar
nga bota për t'i sunduar më lehtë. Ndryshmi i vetëm në mendjet e mbyllura të këtyre
nacionalistëve të rinj është një lloj zëvendësimi i propagandës komuniste me
katolicizmin medemek duke e njësuar të ardhmen evropiane me identitetin
katolik, sepse kështu na pranon më lehtë Evropa. Me këtë diskurs këta mjerisht
i bëjnë dëm jo vetëm kulturës
shqiptare e idesë së Evropës, por edhe katolicizmit që vetëm me nacionalizmin
nuk ka të bëjnë për dy arsye themelore: së pari pasi besimtari i vërtetë e ka
fenë mënyrë jetese dhe jo çështje mburrjeje identitare dhe, së dyti, pasi
katolicizmi është një fe e përbotshme besimtarët e së cilës i përkasin një
komuniteti që s'i dallon njerëzit nga identiteti kombëtar.
Duke instrumentalizuar katolicizmin, shembjen e kishës
ortodokse nacionalistët tanë e justifikuan dhe nxitën me pretendimin se në këtë
kishë paska ushtruar aktivitetin e tij në shekullin e XVII Nilo Catalan një
prift spanjoll që paska ardhur në këto treva për t'i lidhur apo mbajtur
shqiptarët etnikë nën Papatin nëpërmjet fesë uniate apo katolike të ritit
bizantin, apo greko shqiptar, siç quhet duke hapur madje për këtë deri shkolla
shqipe. Duke i dhënë aktivitetit fetar të Catalanit konotacion nacionalist, e
quajtën madje edhe si një
protorilindas shqiptar - njëlloj si në
historiografisë e Enver Hoxhës që i ka paraqitur Buzukun, Budin, Bogdanin
sikur e kanë shkruar shqipen për qëllime nacionaliste. E pra sot, çerek
shekulli pas rënies së nacional - komunizmit çdo nxënës i shkollës së mesme do
të duhej të dinte, edhe në respekt të njohjes së historisë së fesë
katolike, se shkrimi i shqipes në
atë kohë nga këta autorë nuk ka të bëjë fare me nacionalizmin dhe përpjekjet e
Rilindësve tanë të shekullit XIX për të krijuar një identitet shqiptar, por me
Kundër Reformën që ndërmori Vatikani në shekullin XVI si reagim ndaj Reformës së
Luterit që përktheu Biblën në gjermanisht, pra për ta prurë fenë sa më afër
besimtarëve që flisnin gjuhën shqipe. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për
aktivitetin e Catalanit.
Por dëmi kulturor i instrumentalizimeve të tilla të
historisë nuk mbetet vetëm në kuadrin e njohjes mbrapsht të historisë. Problemi
tjetër i madh është se kjo padituri e kthyer në veprim arrin të nxisë apo të
justifikojë aksione të tilla me pasoja të mbrapshta përsa i përket ndërtimit të
atyre vlerave të humanizmit e pluralizmit e bashkëjetesës në harmoni e paqe me
të ndryshmit që kërkohen të ndërtohen në këtë vend. Dashur pa dashur këta
diskurse krijojnë identitete superiore dhe inferiore, miqësore dhe armiqësore të
komuniteteve të ndryshme fetare që banojnë në Shqipëri dhe përçarje midis tyre.
Shembja në atë mënyrë e kishës e justifikuar me këtë diskurs nuk mund të mos
interpretohet si një sulm ndaj identitetit ortodoks të banorëve të sotëm të
asaj zone, qofshin ata shqiptarë apo grekë etnikë, dhe rindërtimi i saj pas kësaj
shembjeje vështirë të mos marrë simbolikën e ngritjes atje me dhunë të një
simboli që i kundërvihet ndjenjave të këtij komuniteti.
Dy fjalë për identitetin
Sipas një koncepti bashkëkohor ai që mund të quhet
identitet i një populli, nuk mund të jetë një identitet i vetëm dhe aq më pak i
ngurtë, por kemi të bëjmë me shumë identitete në proces ku këta identitete të
shumta ("të lëngshëm" i quan Zigmund Bauman) bashkëjetojnë e bashkëveprojnë
me njëri tjetrin apo edhe pasojnë njëri tjetrin përsa i përket rëndësisë dhe
dominancës. Edhe kur flasim për shqiptarët dhe veçanërisht për raportin e feve
të tyre me të ndjerit shqiptar duhet të flitet për shumë identitete ku hyjnë
edhe identitetet fetare që ata kanë përqafuar në shekuj si të krishterë
ortodoksë dhe katolikë, myslimanë sunitë dhe bektashi etj. e, po ashtu, duhet
pasur parasysh se kemi të bëjmë me një proces historik në të cilin kanë ndodhur
ndryshime e formime e zhdukje e
sinkretizma identitetesh në rrjedhë të shekujve ky spikasin gjatë shekullit XX.
edhe shqiptaria e shqiptaristëve që, nën thirrjet e Vaso Pashës, vunë atdheun
mbi fenë, edhe identiteti i komunistëve që e mohuan fenë gjithë duke ekzaltuar
shqiptarinë, por edhe identitetet paskomuniste të atyre që iu kthehen feve të
paraardhësve të tyre, që përqafuan fe të tjera apo që ruajtën ateizmin e tyre.
Problemi është se i gjithë ky proces që në fakt gjeneron nga nevoja të së
sotmes shpesh ngatërrohet me historinë e së shkuarës që manipulohet pra për qëllime
të së tashmes. Veçanërisht kjo ndodh në mendjet e njerëzve të paditur apo të
cilëve nuk ua kanë mësuar kurrë historinë siç ka qenë dhe as konceptin e
identitetit si një proces historik, përkundrazi që dje u kanë thënë se ju keni
qenë shqiptarë kështu siç jeni sot që në kohën e gurit, kurse sot u thuhet se
ju përpara se të bëheshit myslimanë keni qenë të krishterë, madje katolikë dhe
kjo është feja juaj e vërtetë dhe identiteti juaj i vërtetë.
Në këtë kontekst diskursi nacional - katolik që
justifikoi shembjen e kishës synon të na thotë se shqiptarët në krye të herës
kanë qenë katolikë (prandaj dhe Skënderbeun e kanë bërë nga ortodoks në
katolik) dhe se bërja evropian nuk është gjë tjetër veçse kthim në fenë e të
parëve. Nuk mund të mos rikujtoj me këtë rast edhe faktin se me rastin e vizitës
së Papës Kryeministri ynë pagëzoi të birin si katolik dhe, një dy, sa herë
takon politikanë apo gazetarë perëndimorë u thotë se ka pasur një gjyshe
katolike.
Mirëpo një diskurs i tillë nuk mund të mos përjetohet
si një akt diskriminues si ndaj
komunitetit ortodoks, qofshin këta shqiptarë apo të etnisë greke etj., edhe
ndaj komuniteteve të tjera fetare. E them këtë pasi tentativa për t'i dhënë apo theksuar identitetin uniat kësaj kishe e për ta justifikuar shkatërrimin
e saj me kthimin në këtë identitet në thelb është e njëjta histori me tentativën
për t'i kthyer në kishë rrënojat e kishëxhamisë në kalanë e Shkodrës që bëri të
revoltohet krejt komuniteti mysliman. Në fakt, nëse Kisha e Shën
Thanasit paska qenë një farë kohe në shekullin XVII katolike e ritit bizantin nuk mund të mohohet se ajo ka qenë edhe bizantine, edhe ortodokse në kohën e Perandorisë Osmane edhe e varur nga kisha autoqefale ortodokse shqiptare deri kur është prishur nga komunistët. Dhe vlerën historike duhet ta ketë e gjithë kjo histori e jo të instrumentalizohet historia e saj duke iu glorifikuar një moment katolik e duke iu harruar krejt historia tjetër siç bënë nacional - katolikët tanë.
Thanasit paska qenë një farë kohe në shekullin XVII katolike e ritit bizantin nuk mund të mohohet se ajo ka qenë edhe bizantine, edhe ortodokse në kohën e Perandorisë Osmane edhe e varur nga kisha autoqefale ortodokse shqiptare deri kur është prishur nga komunistët. Dhe vlerën historike duhet ta ketë e gjithë kjo histori e jo të instrumentalizohet historia e saj duke iu glorifikuar një moment katolik e duke iu harruar krejt historia tjetër siç bënë nacional - katolikët tanë.
Dëmi në aspektin e të drejtave të minoriteteve
Nuk ka pikë dyshimi se ky akt ndaj Kishës, për të
cilin ka zëra që thonë se është
thjesht një akt i lidhur me babëzinë e panginjshme për prona të deputetit të
zonës Koço Kokëdhima, vishet lehtësisht me një petk nacionalist në Dhërmi -
duke ilustruar edhe një herë atë shprehjen "nacionalizmi është streha e
fundit e horrave", - pasi atje jeton një komunitet i cili në pjesën më të
madhe e konsideron veten minoritet grek. Me këtë akt, direkt apo indirekt, këtij
komuniteti i thuhet se ne shqiptarët këtë kishë, që ju e quani tuajën, dmth. greke, e shkatërrojmë sepse në
fakt kjo është shqiptare pasi në shekullin e XVII atje është folur shqip dhe
madje madje ju në fakt nuk jeni tjetër veçse shqiptarë të greqizuar. Mirëpo ka
një princip sipas të cilit identitetin etnik nuk ta përcakton ajo se çfarë ke
qenë ti në shekullin XVII, por ajo se çfarë ndjehesh dhe deklarohesh ti sot.
Kjo e bën edhe më të rëndë incidentin pasi ky komunitet, qoftë edhe vetëm një
pjesë e banorëve të Himarës, ka gjithë të drejtat ta quajë veten të dhunuar dhe
diskriminuar nga qeveria shqiptare në ndjenjat e veta identitare e në të
drejtat e veta fetare dhe gjuhësore. Është pikërisht kjo gjë që ka shkaktuar ndërhyrjen
e shtetit grek duke krijuar një incident diplomatik goxha serioz dhe krejtësisht
të panevojshëm.
Në kontekstin e perspektivave evropiane që kërkojmë të
ndërtojmë për të ardhmen e rajonit minoritetet duhet të jenë ura lidhëse midis
vendeve dhe jo faktorë ndarës e armiqësimi. Prandaj të kryesh me kaq lehtësi një
akt që armiqëson komunitetin etnik grek me atë shqiptar në ato zona më duket një
akt i pa përgjegjshëm edhe sikur ky të kryhet nga individë, e jo më kur kryhet
nga shteti. Është edhe më e papërgjegjshme të ngulmosh në mbrojtjen e këtij
akti duke instrumentalizuar pastaj ndjenja urrejtjeje nacionaliste antigreke ndër
të gjithë shqiptarët apo duke e justifikuar këtë akt me racizmin ndaj shqiptarëve
që kanë manifestuar grekët - siç bëjnë disa - apo me akte të papërgjegjshme
shtetasish shqiptarë të etnisë greke që kanë ndodhur apo ndodhin në ato zona.
Si përfundim
Ekzistenca e larmisë së objekteve të kultit në Shqipëri
si kisha ortodokse dhe katolike, xhami teqe apo e objekteve si kishëxhamija në
kalanë e Shkodrës janë simbol i historisë së të gjithë shtetasve shqiptarë në këto
treva, të çdo etnie qofshin ata, janë një pasuri kulturore e të gjithëve që edhe vetëm me ekzistencën
e tyre na mësojnë bashkëjetesën midis të ndrushmëve. Pikërisht për këtë ata nuk
duhet kurrsesi të përdoren për interesa politike apo ekonomike, të bëhen
instrument i një komunitet që pandeh se është më i fuqishëm për të shembur
simbolet e një komuniteti tjerëve. Enver Hoxha këtë ka bërë gjoja në emër të
shqiptarisë me pasojat që dihen.
Diskurset që justifikuan dhe nxitën prishjen e kishës janë marrë hua nga mendësia e asaj kohe. Edhe ideja
se Evropa na pranon më lehtësisht nëse bëhemi të krishterë apo katolikë është
sa e rreme aq edhe kundër produktive. Në fakt vlerat evropiane të lirisë
demokracisë dhe shtetit të së drejtës që na mungojnë kanë të bëjnë pikërisht me
mbetjen në trashëgiminë e shtetit autoritar e arrogant që u manifestua edhe me
aktin e prishjes së asaj kishe.
Prandaj gjykoj se shteti shqiptar duhet t'i kërkojë
ndjesë në emër të të gjithë shtetasve shqiptarë Kishës Ortodokse dhe
komunitetit dhërmiot për atë aksion të shëmtuar që kreu dhe të ndërmarrë hapa të
shpejta për rindërtimin e Kishës së Shën Thanasit duke i kthyer asaj bukurinë
dhe historinë e vërtetë shumëshekullore. (Panorama, 31 gusht 2015)