Edi Rama po tregohet i palodhur për të bindur qytetarët
se Teatri kombëtar duhet prishur, duke risjellë nëpër media deklarime dhe
argumente pro shembjes së tij të lëshuara
një herë e një kohë nga persona të njohur publikë, qofshin këta të gjallë
qofshin edhe të vdekur.
Kjo sprovë e tij nuk mund të mos më çonte në disa
kujtime të një herë e një kohe kur Edi Rama fliste ndryshe. Po përdor fjalën
"fliste" dhe jo "argumentonte" apo "mendonte"
pasi sot, që e njoh më mirë, them se ato që mund të quhen mendime të Ramës kanë
qenë dhe janë thjesht ide të huazuara sipas interesave të rastit mbi parimin
"përdor dhe hidh". Mendova, megjithatë, t'i risjell në kujtesë, jo për
të shtyrë Edi Ramën të rimendojë, pasi mekanizmi i mashtrimit dhe vetmashtrimit
është instaluar tashmë në mënyrë të pakthyeshme në psikikën e tij, por për t'iu
drejtuar atyre që ai u drejtohet sot, nëpërmjet vetë Edi Ramës kur pozonte si
intelektual që kërkonte të vërtetën
dhe përçmonte politikanët që kërkonin votën dhe intelektualët sherbëtorë të
regjimit të vjetër e të ri. Për këtë do të sjell disa nga kujtimet e mija të
atyre viteve me Edi Ramën, që lidhen me urbanistikën dhe arkitekturën e Tiranës.
Një ndër kujtimet e para është kur biznesmeni shqiptar
me origjinë nga Maqedonia, Vehbi Velia, kërkoi të ndërtonte një kullë në qendër
të Tiranës, në sheshin prapa monumentit të diktatorit Hoxha, midis Bankës dhe
Muzeut Kombëtar. Ai e kishte blerë asokohe atë truall dhe filloi lobimin për ta
ndërtuar kullën e tij. Në një moment të caktuar mua dhe Edi Ramës na u kërkua
nga njerëzit e tij të firmosnim një
tip peticioni të cilin, na u tha, e kishin firmosur shumë intelektualë të
shquar, me në krye Ismail Kadarenë e Dritëro Agollin, me të cilët synonte t'i
bindte autoritetet se ngritja e
saj do të ishte një hap i madh përpara i Tiranës drejt modernizimit. Më
kujtohet se e diskutuam firmosjen e këtij peticioni me Edi Ramën dhe argumenti
ynë kryesor kundër, nga pikpamja urbanistike - arkitektonike, ishte shprehja e
habisë se si mund të mendohet të ngrihet një kullë e tillë, që do të pengonte
shkimin e Malit të Dajtit e krejt kurorës së Tiranës. Sipas nesh ndërtesat e
larta do duhej të ngriheshin në periferi për të ruajtur edhe qendrën historike
edhe pamjen e kurorës. Kujtoj gjithashtu se kemi folur me qesëndi për delirin e
Vehbiut që donte të përçudnonte qendrën, duke parashikuar madje edhe
zhvendosjen nga pozicioni të Skënderbeut, si dhe për firmosësit e atij
peticioni.
Një tjetër kujtim që dua të sjell është një bisedë që
kam bërë me Edi Ramën, në kohën kur ky u bë ministër i kulturës. Ishim në një
sallë të katit të katërt të selisë së athershme (ish Komiteti Qendor), që
shihte nga veriu. Nga dritaret e saj dukeshin dy kullat, e quajura asokohe
"të arabit", kundër të cilave kishte folur e shkruar aq shumë Maks
Velo, me argumentin se kishin masakruar perspektivën e bulevardit. Nuk më
kujtohet nëse ishin mbaruar apo qenë në mbarim e sipër, por më kujtohet se Edi
Rama më tha, duke bërë edhe gjestin me dorë, se ato duhet të priteshin, dmth. të
mos kalonin lartësinë e ndërtesës së ish Komitetit Qendror.
Jemi në kohën kur Rama emëroi si kryetar të Institutit
të Monumenteve të Kulurës Artan Shkrelin,
i cili kishte punuar e ishte specalizuar në Itali për restaurim të monumenteve të kulturës. Në kohën kur
ishim të tre miq e intelektualë pa pushtet ky kishte botuar në revistën Përpjekja
(antar i bordit të së cilës ishte edhe Edi Rama) një artikull të shkëlqyer, me
bashkautor arkitektin Daniel Gjoni (edhe ky i thirrur më vonë nga Rama si bashkëpunëtor
i tij i afërt në Bashki), të titulluar "Tirana - ferri urban i fundshekullit
XX". Aty sinetizoheshin krejt kritikat që ndanim asokohe ndaj politikave të
deriatëhershme urbane - arkitektonike që po sillnin shkatërrimin e Tiranës
historike, të hapësirave publike etj. Mes të tjerave Shkreli sëbashku me Gjonin
shpreheshin edhe kundër ekspasionit horizontal dhe vertikal të Tiranës. Citonin
edhe historianin, kritikun e arkitekturës e planifikimit urban, filozofin që është
marrë me efektet e teknologjisë në jetën njerëzore, Lewis Mumford. Citimi i
zgjedhur kishte të bënte pikërisht me ekspansionin vertikal: “... fillimisht
ky ekspansion ndodhi në qytetet më të mëdha, por gabimet radikale që u bënë në
periudhën e ideimit të grataçelave, tani janë përhapur në të gjithë universin,
pak nga përgjumja e organeve të kontrollit, dikur shumë të rrepta, pak nga kërkesat
komerciale, pak nga dëshira për të ndjekur modën e pak nga dëshira e arkitektit
për të përdorur teknologjitë e reja”.
Shkreli dhe Gjoni shkruanin asokohe: "kombinimi i
ekspansionit horizontal me atë vertikal po prodhon përfitimet maksimale në kurriz të një mjedisi të pafuqishëm
për të rezistuar pa u degraduar, sikurse po ndosh realisht në Tiranë dhe
qytetet e tjera shqiptare, dhe për më tepër do tentojë të ndodhë akoma më
tragjikisht në të ardhmen." (Përpjekja 10, maj-gusht 1997)
Aq radikal ishte Shkreli në bisedat tona përsa i përket
ruajtjes së trashëgimisë dhe identitetit sa ankohej me të madhe se pse Hotel
Rogneri (që, gjithsesi, u projektua me kujdesin që të mos kalonte lartësinë e
ndërtesave të Kryeminstrisë dhe ish KQ) u ndërtua me material të dobët
(parafabrikate e suvatim) çka e bënte të mos rrinte mirë krahas ndërtesa përbri
të ndërtura me material shumë më të çmuar.
E pra, mbi këto ide e lançoi Rama veten e tij si ministër kulture e më pas si kryetar
bashkie. Premtimit të tij urbanistik - arkitektonik ia vuri emrin "kthim në
identitet" që e filloi me restaurimin e ministrive, me kthimin e aksit të
bulevardit dhe ndërtesave rreth e pranë tij (përfshirë edhe Teatrin) në
monument kulture si dhe pastrimin e kioskave.
Mirëpo s'kaloi shumë dhe Edi Rama ndërroi lëkurë. Një
ditë të bukur na u paraqit me një projekt-ide për shembjen e Teatrit Kombëtar
dhe ndërtimin atje të një kulle, që do të mbante brenda edhe një teatër. E
kishte harruar fare se kullat në qendër pengonin shikimin e kurorës së Tiranës
dhe se Tirana historike duhej kthyer në identitet. Asokohe në një debat të
organizar në sallën e Teatrit i pati thuajse të gjithë kundër. Me sa kujtoj bënte
përjashtim drejtori apo ish drejtori Xh. Ferri dhe dy ndërtues të interesuar për
kullën që qëndruan në fund të sallës, por që kujtoj se u bënë shumë agersive
ndaj meje, kur u mbyll debati. Për ironi, nga sharjet e kërcënimet e dhunshme të
këtyre miqve të rinj të Ramës më larguan asokohe Artan Shkreli dhe Artan Lame që
me hipën në makinën e tyre.
Vazhdimin e dinë të gjithë. Sot Malin e Dajtit dhe
kurorën e Tiranës që donte të mbronte Rama intelektual mund ta shohin vetëm
pronarët e kullave që ka ngritur Rama politikan nga katet e tyre të larta. Ndërtesat
historike, një listë të gjatë të të cilave e bëri Shkreli dhe Lame asokohe me
synimin për tu shpallur të mbrojtura, janë gllabëruar ose zhvleftësuar nga
monstrat njerëzore dhe arkitektonike të Ramës.
Shkreli dhe Gjoni dolën profetikë me artikullin e tyre
ku paralajmëronin se ekspansioni horizontal dhe vertikal do të zhvllohej edhe "më tragjikisht në të ardhmen", por jo
dhe aq për rolin e tyre në këtë tragjedi. Ndoshta në atë kohë nuk e kanë
menduar se do të bëheshin vetë protagonistë të parë të kësaj tragjedie, por më
shumë gjasa ka që, ashtu si kapua i tyre, idetë e "Tirana - ferri urban i
fundshekullit XX" t'i kishin edhe ata të huazuara sipas parimit "përdor
dhe hidh". Sot, sëbashku me Ramën e asaj kohe, edhe Shkreli e Gjoni i asaj
kohe kanë vdekur, por meqënëse Rama i sotëm po na sjell edhe argumente të të
vdekurve vlen që edhe argumentet e këtyre të vdekurve të publikohen sot si kundërpeshë
ndaj të vdekurve që Rama po na i
ringjall si mbështetës të shembjes
së Teatrit. (Panorama, 9 gusht 2019)
TIRANA - FERRI URBAN I FUNDSHEKULLIT TË XX
Artan Shkreli
Daniel Gjoni
[…]Politika urbane në Shqipëri përgjithësisht nuk u
udhëhoq nga parime urbanistike. Nuk arriti të përvijohej ndonjë politikë ripërcaktimi
territorial si në Çekosllovaki, një teori e zgjerimit të qyteteve ekzistuese pa
asgjësuar bërthamat historike si në Rumani, një politikë planesh në nivel
rrethi si në Bullgari apo ajo e krijimit të zonave rezidenciale me shtëpi të
tipit vila private si në Hungari. Ndonëse të ideologjizuara, këto politika patën
në bazë të tyre edhe parime urbane
të shkollave perëndimore.
[…] Në Shqipëri nuk ndodhi kështu, ato u ndoqën me një
fanatizëm primitiv. Arketipi urban i qytetit shqiptar rezultonte pa
karekteristika kulturore, gjeografike e historike (për shkak të eliminimit të
kuartiereve të “vjetra” që u zhdukën në emër të “së resë” dhe “luftës kundër
mbeturinave të së kaluarës”) pa ngarkesa emocionale (për shkak të atrofizimit
programatik të shpirtit krijues) e, mungesës së profesionalizmit në këtë fushë).
Qytetet, në pjesën më të madhe të tyre, ishin të trishtuara, por, sidoqoftë, të rregullta, të pastra dhe pak a shumë
në përputhje me normativat urbane të përcaktuara nga ligji.
Askush nuk imagjinoi atëhere se e keqja më e madhe për
qytetet tona akoma nuk kishte ardhur.
Ndryshimet politike dhe për rrjedhojë eliminimi i
faktorëve të sipërpërmendur, zgjoi shpresat për hartimin e një legjislacioni
apo kodi urbanistik të detajur, që duhej krijuar nga një bashkëpunim ekspertësh
të huaj me eksperiencë në sektor dhe specialistësh tanë të fushave të
arkitekturës, mjekësisë, sociologjisë, gjeografisë, agronomisë, policisë etj.,
mbi bazën e principeve të një qytetarie demokratike.
[…] Si rezultat kemi humbjen e kontrollit mbi
territorin e cila çon në degradim territorial. Tek ne është ushqyer kryesisht
nga dy faktorë bazë:
1. Mungesa e një Plani të Përgjithshëm Rregullues të
shoqëruar nga një legjislacion dhe një kod urban te pershtatshem,
2. Permisivizëm ilegjitim e abuziv, si shprehje e
impotencës së një organizimi të caktuar shoqëror për të frenuar korrupsionin në
instancat e ndryshme të burokracisë shtetërore;
Këto mund të konsiderohen ndër simptomat më evidente të
dekadencës së një shteti dhe shkallës së ulët të organizimit të një shoqërie.
Kjo gjë vihet re fare qartë në mungesën apo mospreokupimin për një politikë të
përcaktuar urbane në pothuajse të gjitha programet e grupimeve politike
shqiptare, gjë që domosdoshmërisht do të shpjerë në krijimin e ekzekutivëve të
paaftë për tu perballuar edhe me problemet më klasike urbane si strehimi,
trafiku, higjena, infrastruktura, shërbimet etj.
Mosthellimi në këto problematika solli në tragjedine
urbane, aktor i së cilës është çdo kryeqytetas e çdo shqiptar. TIRANA ËSHTË
FERRI URBAN E FUNDSHEKULLIT XX, një shembull manuali “par excellence”, objekt
interesant studimi nga ana e urbanologëve, politikanëve dhe legjislatorëve.
* * *
[…] Shkaqet janë të shumta e të njohura, por mungesa e
respektimit të së drejtës në raport me komunitetin (qytet apo kuartier) ose me
individin sjell pashmangësisht përdorimin jokorrekt të territorit. Ky përdorim
jokorrekt çon në humbjen e kontrollit mbi këtë territor duke vënë në dyshim jo
vetëm efikasitetin e politikave urbane, por edhe ekzistencën e vetë shtetit,
parë në kuadrin ligjor. Anarkia është produkti më i natyrshëm dhe lehtësisht i
vërejtshëm në shoqërinë e sotme shqiptare, ku rregulli konsiderohet si një përjashtim.
[…]
Tek ne bonum commune nuk është përcaktuar
nga një politikë që ka në bazë të saj kulturën urbane, por nga një politikë që
konsideron si parësore dhe të vetme vetëm vlerat materiale në kuptimin negativ të
shprehjes. Kjo gjë bëri që njerëzve t’u lindin (e t’u nxiten) ide të gabuara
mbi të drejtën, demokracinë, lirinë dhe tregun. Ideja se mund të blihet dhe të
shitet çdo gjë gjeti shprehjen ideale në zgjerimin intensiv (si fazë e parë e cila akoma nuk ka përfunduar) dhe
atë ekstensiv (gjë që ka filluar të vihet në zbatim sidomos nga investitorët e
fuqishëm e që akoma nuk është bërë karakteristike) të qytetit.
“Kapitalizmi” i 3-4 viteve të fundit “u mësua ta
konsiderojë” parcelën e vogël, bllokun hapësinor të banimit, parqet, rrugicat
dhe bulevardet si njësi abstrakte që blihen dhe shiten pa marrë parasysh
traditat historike, kushtet topografike, nivelin e urbanizimit apo nevojat shoqërore.
Dhe jo vetëm kjo por ideja se toka është e imja dhe me të bëj ç’të dua, mposhti
çdo rezistencë institucionale dhe u rrënjos si diçka normale (gati-gati
ligjore) edhe në mentalitetin e shtresës drejtuese shqiptare. Natyrisht që kjo
nuk ndodh vetëm për paaftësi, por kryesisht për shkak të një kompromisi të
heshtur njerëzish (publikë e privatë) të lidhur me fushën në fjalë, që për t’i
hequr kalit të ngordhur patkonjtë, hoqën dorë nga planet e vjetra rregulluese
(e duke zvarritur perpilimin e PPR të ri) nën alibinë e paaplikueshmërisë së
planeve socialiste rregulluese dhe mosadaptueshmërinë e tyre për kushtet e
reja.
Kështu, në pjesën më të madhe të ndërhyrjeve
urbanistike apo ndërtimeve nuk merren parasysh nevojat dhe aktivitetet njerëzore,
por vemendja përqëndrohet vetëm në ato njësi apo pjesë të cilat mund të blihen
ose shiten. Njësia bazë tani nuk është më blloku ose lagjja e banimit, por sipërfaqja
e veçantë e ndërtimit vlera e së cilës mund të çmohet në bazë të metrave
katrore dhe numrit të apartamenteve që shiten e që, për efekt të shfrytëzimit
maksimal, shpesh herë kompozohen në projekt me sasira minimale ajri dhe drite.
Për shkak të këtij kompromisi të heshtur, nuk gjendet
askush që të protestojë pasi të gjithë ndodhen në të njëjtin pozicion përfitimi:
qoftë arkitektët e inxhinierët që bëjnë projektin, qoftë spekulatorët që
shesin, qoftë noterët apo avokatët që përpilojnë aktet, qoftë ndërmarjet e ndërtimit,
qoftë imobiliarët që kontraktojnë e deri te funksionarët e shtetit që
korruptohen për shkak se shesin fuqine e tyre mbi lejet e shesheve apo ndërtimeve
(kjo në rastin më të mirë kur këto bëhen me leje - në rast të kundërt e njëjta
gjë vlen dhe për organet administrative te kontrollit dhe ato të policise ndërtimore).
Vetëm kështu territori urban mund të shndërrohej në një
mall, vlera e të cilit përcaktohet jo vetëm nga tregu, por dhe nga shkalla e
korrupsionit. Tani po asistohet në fenomenin e trajtimit të terreneve vetëm nga
pikëpamja e fitimit, pa u marrë në konsideratë elemente të rëndësishëm
profesionalë si trafiku, orientimi, drejtimi i erërave, pejsazhi urban, dendësia
e popullsisë etj.
[…]
Qyteti i viteve 90, jo vetëm që nuk arriti të prodhojë
të paktën ndonjë kuartier rezidencial të privilegjuar, por shkatërroi dhe të
vetmin ekzistues në Shqipëri: ish-bllokun, që tani po transformohet në një
kuartier popullor.
Justifikimet morale “de facto” të këtij shkatërrimi
janë të shumta, por një ndër më të rëndësishmet konsiderohet bumi demografik që godet pa mëshirë Tiranën e viteve ‘90. Ardhja e pakontrolluar e mijëra
dhe mijëra familjeve brenda një harku të shkurtër kohor nuk është shoqëruar
kurrë me masa shtetërore për të zbutur dhe kontrolluar sa më tepër këtë impakt
që po rezulton shkatërrues.
[…]
Kuartieret që sot po lindin jashtë kontrollit e po
dendësohen jashtë një plani logjik urbanistik do të jenë problemi i së nesërmes
për një sërë patologjishë urbane që njihen mirë nga eksperienca botërore, por
dhe lehtësisht të imagjinueshme duke parë se ç’po ndodh në Tiranë. Do të ndodhë
që nuk do të gjendet hapësirë që qyteti të ndërtojë godinat e tija publike,
pasi nuk mund të bëhet kjo gjë pa blerë dhe ruajtur terrene shumë kohë më parë
se të paraqitet nevoja; do të ndodhë që nuk do të gjenden më hapësira për
parkim dhe qarkullim; do të ndodhë që higjena do të mbese e komprometuar edhe
pas ndërhyrjesh serioze që dikur edhe mund të ndërmerren; do të ndodhë që
kriminaliteti të mos kontrollohet
në kuadrin e normalitetit. Zonat urbane që po lindin jashtë kontrollit dhe
kuadrit ligjor do të jenë problemet e së nesërmes. Që tani është bërë i pakontrollueshëm degradimi i jetës sociale dhe
rritja e krimit në kuartieret e tronditura nga urbanizimi i paplanifikuar.
[…]
Përdorimi i ashensorit po rrit edhe vertikalisht
qytetin (ekspansion vertikal).
Lewis Mumford për këtë thotë se “... fillimisht ky ekspansion ndodhi në
qytetet më të mëdha, por gabimet radikale që u bënë në periudhën e ideimit të
grataçelave, tani janë përhapur në të gjithë universin, pak nga përgjumja e
organeve të kontrollit dikur shumë të rrepta, pak nga kërkesat komerciale, pak
nga dëshira për të ndjekur modën e pak nga dëshira e arkitektit për të përdorur
teknologjitë e reja”.
Kështu kombinimi i ekspansionit horizontal me atë vertikal po prodhon përfitimet
maksimale në kurriz të një mjedisi të pafuqishëm për të rezistuar pa u
degraduar sikurse po ndosh realisht në Tiranë dhe qytetet e tjera shqiptare dhe
për më tepër do tentojë të ndodhë akoma më tragjikisht në të ardhmen. Trafiku
kaotik është i pranishëm nën dritaret e secilës shtëpi, pasi numuri i automobilëve
nuk varet më vetëm nga sipërfaqja që zenë godinat, por dhe nga lartësia e tyre.
Në këtë mënyrë mungesa e hapësirës së lëvizjes ka bërë atë që zona gjithnjë e më
të mëdha të qytetit të shndërrohen në rrugëza, në sheshe të ndyra parkimi, rrugë
kalimi makinash, garazhe apo varreza automjetesh.
Të parat që u nënshtrohen modifikimeve masakruese janë
ato zona historike (me dendësi
të ulët ndërtimesh), që kanë mbetur gjysmë të rrënuara nga e kaluara. Pas një
procesi asgjësimi me natyrë ideologjike që pësuan këto kuartiere gjatë viteve të
diktaturës, tani po i nënshtrohen një tjetër procesi që asgjëson dhe memorien e
tyre (amnezi urbane) e që ka natyrë komerciale. Kujtesa historike e
lagjeve, parqeve të lojrave, atyre të gjelbëruar, pikave të takimit të njerëzve
po humbasin me një shpejtësi tronditëse. Gati askush nuk i gjen më kopshtet e fëmijërisë,
shkollat, parqet ku ka shëtitur në mbrëmjet e dashurive rinore, fushat e
sportit ku ka luajtur, shtëpitë e vjetra të gjyshërve etj. Përmasat e kësaj
katastrofe shpirtërore janë akoma të pallogaritshme. Bile as godinat, rrugët,
lagjet apo qytetet “e ruajtura” nga shteti nuk i kursehen kësaj shfarosjeje të
grimcave të fundit të kujtesës dhe kulturës sonë materiale.
Duket se të gjithë janë çmendur dhe se askush nuk
shqetësohet për faktin elementar se e ardhmja përcaktohet në një masë të madhe
nga e kaluara.
Në zona të tëra po eliminohen parqet dhe sheshet
rekreative - dhe ky është një skandal; po priten pemë të vjetra e dekorative -
dhe ky është një tjetër skandal, po prishen godina që transmetojnë një kujtesë
të çmuar të së kaluarës - dhe ky është një skandal; po komprometohet gati në mënyrë
të parekuperueshme pejsazhi urban - dhe ky është një nga skandalet e
skandaleve. Dhe të gjitha këto nuk janë vepër e privatëve zotërinj, të gjitha këto
janë vepër ekskluzive e Shtetit Shqiptar, e politikanëve shqiptarë, e
profesionistëve shqiptarë të fushës.
Gafat janë të panumërta: kioskizimi neveritës që arrin
kulmin në parkun “Rinia”; mbyllja përfundimtare e kompleksit të lojrave për fëmijë
në hyrje të rrugës së Elbasanit (madje kjo duhet konsideruar vepër penale dhe
krim kundër fëmijëve); zhdukja e ndërtesave të Tiranës së viteve 20 - 30, mjaft
interesante nga pikëpamja kulturore e artistike, shembull tipik i një stili
eklektik (si në rastin e ish-jetimores në rrugën e Kavajës); për të arritur në
nivele të pakonceptueshme, si ngritja e një mega-godine për Bnakën e Kursimeve
të degës së Tiranës, gjë që solli “coup de grace” së pari për Hotel Internacionalin - dëshmitar i jetës
politike të periudhës së mbretit Zog dhe hotel që me imazhin dhe historinë e
tij të “Belle Epoque” shqiptare meritonte një restaurim shkencor dhe një
rekuperim “alla francaise” të sheshit përpara tij deri në trotuarin e rrugës së
Kavajës, së dyti, nxjerrjen krejt jashtë loje të godinës së Lidhjes së Shkrimtarëve
dhe Artistëve, shembulli më i shkëlqyer i neoklasicizmit në Shqipëri. Mund të
renditen këtu me dhjetra e dhjetra shembuj të shëmtuar që nuk i lejon hapësira
e këtij shkrimi, por nuk
mund të lihet pa përmendur krimi që po bëhet në kurriz të bulevardit “Dëshmorët
e Kombit” nga një godinë shumëkatëshe që pret për t’u ndërtuar pak a shumë përballë
Kryeministrisë, godinë që me lartësinë e saj do të “thyejë” vazhdimësinë e qetë
të bulevardit dhe do dëmtoje rëndë perspektivën e tij duke krijuar një pikë
frakture që vizualisht shkurton distancën. Ç’gabim i rëndë ky qoftë edhe për
profesionistët më pak largpamës. Do të ishte njësoj si të ndërtoje një gratacelë
në mes të Champs Elysee-se në Paris_.
Ç’është më e keqja, me ç’shihet, ky është vetëm
fillimi. Nëse vazhdohet me këtë politikë urbane, Tirana nuk do të ketë më parqe
lojrash për fëmijet e saj për shkak të çmimeve të larta të terrenit të tokës e,
si rrjedhim, rrugët gjithnjë e më tepër do të fitojnë një rëndësi që nuk duhet
ta kenë. Ato tani do të shndërrohen padrejtësisht në “parqe”, në “vende shëtitjeje”
dhe “fusha loje”, por fatkeqësisht do të jenë parqe të zvjerdhura, vende shëtitjeje
plot baltë ose pluhur dhe fusha lojrash të rrezikshme.
Pakkush, ose askush, preokupohet për faktin elementar se
një qytet nuk mund të kontrollojë zhvillimin e ekspansionit të tij nëse nuk
kontrollon ndryshimet dhe zhvillimin e territorit të tij. Nga sa shihet, gjithkush ka të drejtë të mendojë se
qyteti shqiptar me politikën dritëshkurtër
e sharlatane të klasës drejtuese ka pushuar tashmë së konsideruari si një
institucion publik, por përkundrazi, po funksionon si një ndërmarrje tregëtare
private, që preokupohet të garantojë vetëm përfitimet më të mëdha pa përjashtime
apo skrupuj.
Spekullimi i shfrenuar dhe i pakontrolluar po varfëron
deri në pika kritike nivelin higjenik të mjedisit. Higjena urbane kërkon domosdoshmërisht madje me
urgjence, hapësirat ligjore të saj, pajisje bashkiake dhe rezerva të tjera që
janë neglizhuar.
Në asnjë vend të botës furnizimi me ujë, heqja e
plehrave dhe mbeturinave, si dhe pastrimi i gropave të zeza nuk i është lënë në
dorë iniciativës private për arësyen e thjeshtë se aktivitetete tilla nuk mund të sigurojnë fitime që ta tërheqin
privatin. Kjo gjë vlen akoma më shumë për kushtet aktuale ekstreme në të cilat
ndodhet higjena urbane e kryeqytetit shqiptar.
[…]
Ajri
rezulton akoma më i pashëndetshëm. Monoksidi i karbonit helmon përditë mushkëritë
e njerëzve në çdo pikë të qytetit. Askush nuk e di se sa është sasia e tij në
ajër sepse nuk egzistojnë pajisje që ta masin atë, por dihet me siguri që në
distancë kohore ai bashkë me mishelën e pluhurave dhe pezullive që qelbin ajrin
e Tiranës, do të shkaktojnë shumë më tepër viktima se sa plumbat e gjithë kalashnikovëve
të marrë së bashku. Specialistët e sektorit janë të bindur për këtë.
Niveli i smogut që ka arritur Tirana nuk i skandalizon
njerezit sepse askush nuk u ka bërë të ditur atyre për rrezikshmërinë e tij,
por kjo është njësoj si të jesh i sëmurë me kancer dhe të rrish i qetë sepse
nuk e di një gjë të tillë. Pa njohje të problemit nuk mund të ketë terapi të
tij. Dhe pa një impenjim human, politik dhe ekonomik nuk mund të njihen e të
zgjidhen probleme të tilla të një rëndësie kapitale për një shoqëri civile.
Situata rëndohet më tej dhe bëhet skizofrenike nëse
kemi parasysh dhe nivelin e zhurmave në akset kryesore të qytetit. Bëhet fjalë për një helmim të vërtetë
akustik pasi është provuar se zhurmat provokojnë ndryshime të mëdha
fiziologjike dhe disa sëmundje si ulcera gastrike dhe hipertensioni arterial të
cilat mund të rëndohen në një mjedis të mitraluar nga zhurmat e burive dhe
motorrëve të makinave. As për këtë nuk egzistojnë impiante apo indikatorë që të
masin nivelin akustik të zhurmave në pika të ndryshme të qytetit. Pajisjet për
këtë nuk janë të shtrenjta (sikurse ato për ta shëndoshur këtë situatë), por
mungon preokupacioni i administratave dhe sensibilizimi i opinionit publik që e
lejon këtë gjendje të shkojë përpara.
Zhvillimi kaotik nuk merr parasysh as minimalisht transportet* duke prodhuar pashmangësisht parregullsi të mëdha
urbane. Sot nuk egziston praktikisht diferencë ndërmjet rrugëve kryesore dhe jo
kryesore dhe aq i pazgjidhur është sot trafiku saqë praktikisht Tirana është në
gjendje kolapsi. Shpesh rezulton më i shpejtë spostimi në këmbë nga unaza në
qendër se sa me makinë (sidomos në orët e mëngjezit) pasi të gjitha flukset e
hyrjes së makinave në qytet përplasen në dy tre akse që nuk janë në gjendje t’i
përballojnë ato dhe për më tepër nuk janë projektuar për një gjë të tillë. […]
* * *
Kurrsesi nuk duhet menduar se privatët janë shkaktarët
e një gjendjeje të tillë. Ata duhet të kërkohen në politikat e mbrapshta që e
spostojnë shoqërinë shqiptare si lavjërrësin e Foucault-së nga një komunizëm
paranojak në një individualizëm të shfrenuar. Pas 45 vjetesh të një ekonomie të
centralizuar dhe planifikuar, liberizmi u pa si liri për të bërë gjithshka dhe
ishte pikërisht ky liberizëm dhe ky permisivizëm që e bëri Tiranën një Las
Vegas në mizerje; ku në vend të krenarisë për gjelbërimin e qytetit, për
Universitetin dhe institucionet publike i dha turpin e shndërrimit të Pallatit
të Kulturës në bingo. Asgjë nuk mund ta dëmtonte më tepër imazhin e iniciativës
private që duhet të lindte se sa mungesa dhe preokupacioni i politikanëve për
t’u marrë ca më seriozisht me problemet urbane dhe e profesionistëvë të fushës
që të protestonin ca më tepër për një politikë urbane në shërbim të të gjithëvë.
Politika më tepër se luftë ndërmjet kundërshtarësh duhet parë edhe si një
analizë për zgjidhjen e problemeve individuale dhe të grupeve.
Dëshpëruese është se fëmijët e kryeqytetit rriten me
urrejtjen dhe repulsionin për këtë mjedis, për Tiranën për Shqipërinë dhë
nihilizmin për çdo gjë që bie era Shqipëri. Urbanistika është parë nga
iluministët gjithnjë me prioritet dhe është trajtuar si një diskutim i hapur
mbi edukatën. Kjoskizimi apo jo i Place
de la Concorde ka të njëjtën peshë me
edukimin ose jo të fëmijëve se nuk është mirë të vjedhin. Dhe kjo është e
natyrshme pasi në bazën e urbis qëndron dhe duhet të qëndrojë koncepti i bonus
commune. Humbja e vlerave në një mënyrë
apo një tjetër është e lidhur edhe me degradimin e mjedisit urban dhe për
rrjedhojë uljen e nivelit të konceptimit politik për të ardhmen. Dhe kjo përkthehet
në atë që qytetet dhe periferitë e tyre paraqesin një degradim kaq bombardues këto
vite saqë banorët e Tiranës kanë humbur ndjeshmërinë ndaj kësaj mynxyre dhe jo
vetëm ata por edhe profesionistët dhe njerëzit e kulturës, të cilët ndoshta
mund të ndikonin dicka në këtë drejtim - deri sot shpesh i kanë pranuar këto
skandale me indiferencë.
Ky është një rreth vicioz i vështirë për t’u krijuar
dhe akoma më i vështirë për tu prishur. Në Shqipëri ky rreth në një masë të
madhe është krijuar. I takon klasës udhëheqëse që ta konsiderojë qytetin më së
fundi si problem të theksuar politik. I takon politikanëve të programojnë një
P.P.R., ti rijapin qytetit gjelbërimin e humbur, diellin e humbur, qiellin e
pastër, ajrin, ujrat, të marrin nën mbrojtje çka mund të mbrohet akoma, të
sigurojnë urbanizime në toka të shëndetëshme për kuartieret e reja të banimit për
të cilat njerëzit kanë aq nevojë, të zgjithë sistemin e transporteve, të përmirësojë
shërbimet në qytet: shkollat, ambulancat, urbanin, telefoninë, ujin,
elektrikun, ngrohjen; të ruajë kurorën ë gjelbëruar nga prerjet dhe ndërtimet;
të pengojë me çdo kusht betonizimin e kodrave të Tiranës si një pasuri kombëtare
dhe individuale; ti verë fre abuzivizmit në ndërtim dhe të ndëshkojë ashpër, pa
dallim e këdo që nuk e konsideron qytetin si institucion publik.
Nëse nuk do të shpresonim për një gjë të tillë nuk do
t’i shkruanim këto rreshta.
Tiranë, Maj 1997
-
Qe nga ata trondites si perdhunimi i zones rezidenciale te ish-bllokut me
ndertimin e godinave shumekateshe e deri te ato qesharake se lyerja e
Ministrise se Mbrojtjes me boje roze, pa u ndalur ne faktin se rifinitura e
tulles ˙facciavistaî nuk lyhet me boje, por vetem pastrohet.