Kohët e fundit është përmendur shpesh krahasimi që ka bërë Kryeministri Rama midis fitores së koalicionit të tij më 23 qershor dhe fitores së PD në 22 mars të vitit 1992. E ka bërë edhe ambasadori amerikan, Arvizu. Nuk e di nëse e ka marrë Arvizu nga Rama apo Rama nga Arvizu, por di të them se Arvizu me siguri e ka marrë nga ndonjë shqiptar, prandaj edhe mund të mos i vësh faj. Për sa i përket Ramës, bie në sy se krahasimin e ka përdorur më së pari për konsum të jashtëm dhe kjo, sipas meje, ia shton shijen e keqe. E them këtë pasi, sipas meje, është një krahasim tri herë i gabuar: e para sepse është një interpretim i rrejshëm i asaj kohe, e dyta, sepse ka dallim midis asaj kohe dhe kësaj që po jetojmë për sa i përket votës së shqiptarëve; e treta, sepse duket sikur Rama synon të na manipulojë me stilin e tij, tashmë të njohur, duke manipuluar të huajat dhe pastaj duke na manipuluar nëpërmjet tyre: u themi të huajve ca gënjeshtra, ata i riciklojnë si të vërteta, dhe me to pastaj shpëlajmë trutë e shqiptarëve që, çdo fjalë që nxjerrin nga goja të huajt, e marrin si fjalën e Atit të Shenjtë.Sipas meje, krahasimi bëhet për të na sugjestionuar. Pra, për t’i dhënë rëndësi fitores së tij, çka, kuptohet, i rrit pushtetshmërinë, Rama e krahason fitoren e 23 qershorit me një ngjarje që na e shet si të madhe për mirë në historinë e shqiptarëve. Dhe këtu le të përmendim se kjo gjë revoltoi shumë ata të PD-së, me në krye Jozefina Topallin, që u lëshuan me akuza kundër ambasadorit që guxonte të bënte krahasim midis asaj ngjarjeje të madhe dhe kësaj fitoreje meskine. Por problemi im nuk është ai i zonjës Topalli. Përkundrazi, problemi im është se sipas shumë shqiptarëve sot, madje edhe Ramës vetë në atë kohë, 22 marsi është një ngjarje me të cilën merr nismën historia e tragjedisë postkomuniste shqiptare si vazhdimësi dhe jo si ndryshim i të keqes komuniste, prandaj krahasimi është shumë problematik qoftë për sa i përket kujtesës historike, qoftë për atë se sa na premton rilindje dhe se sa na motivon një njohje dhe vlerësim kësisoj i historisë.Atëherë le të kujtojmë pak më me gjakftohtësi se çfarë e shoqëroi vitin që solli 22 marsin e vitit 1992. Më së pari duhet thënë se ngjarjet më të rëndësishme që shënojnë rënien e regjimit komunist, janë lëvizja studentore që kulmoi me pranimin e pluralizmit politik, si dhe 21 shkurti 1991, kur populli rrëzoi monumentin e diktatorit – që sollën pastaj zgjedhjet e para pluraliste të 31 marsit 1991. Kurse periudha që pason, nga 31 marsi 1991 deri në 22 mars 1992, është një periudhë mjaft e errët në historinë e Shqipërisë, sepse është periudha e ngjitjes në pushtet të një monstre (disa i vënë emrin Sali Berisha, por unë kam parasysh jo thjesht atë, por frymën politike që u ngrit), që prodhoi rënien e shpresës së shqiptarëve për të ndërtuar demokraci, ekonomi të lirë tregu dhe që shkoi deri në tragjedinë e vitit 1997, që është një nga tragjeditë më të rënda në historinë e popullit shqiptar.Sipas meje, periudha mars 91 – mars 92 është periudha e shtatzanisë që e polli monstrën që lindi më 22 mars dhe pasojat e saj. Ai ishte një vit ku shqiptarët u bënë protagonistë të një destruktiviteti të paparë social, ekonomik dhe politik. Kujtoni se sa plaçkitje magazinash shtetërore u kryen në atë kohë, se si u prenë deri edhe pemët anës rrugëve automobilistike, eksodin dramatik që filloi të nxjerrë jashtë vendit energjitë më të mira dhe trurin më të mirë të shqiptarëve, shkatërrimin e administratës dhe të çdo autoriteti të shtetit e të ligjit. Të gjitha këto e të tjera nuk do të mund të ndodhnin pa aventurizmin dhe papërgjegjshmërinë politike të monstrës që polli ky vit, një monstër i motivuar vetëm nga etja për pushtet, që kërkonte me çdo kusht të fuste në krizë qeveritë që dolën atë vit, në mënyrë që t’i hapej rruga Sali Berishës e të tijve. Për këtë sigurisht u shfrytëzua edhe fakti se përballë në pushtet ishte një president që kishte humbur legjitimitetin dhe që nuk kërkonte gjë tjetër, veçse si ta lëshonte vendin në duart e aventurierierëve dhe të papërgjegjshmëve të parë, mjaft që të mos e gjente gjë atë dhe njerëzit e tij.Le të kujtojmë se fushata elektorale e marsit ‘92 është ajo e mbarsjes së njerëzve me teorinë e “terapisë së shock-ut”, që përfundoi në shock pa terapi; e premtimeve mashtruese të “çekut të bardhë”; e sloganit absurd “ne qeverisim, Europa na ndihmon”, që zëvendësoi sloganin e Enver Hoxhës “miqësia - garancia” dhe që praktikisht u përkthye në “ne vjedhim ndihmat që Europa jep për ju”. Le të kujtojmë gjithashtu se gjatë atij viti në Partinë Demokratike kishte filluar një luftë për pushtet me pastrime të stilit enverist të figurave që mund t’i bënin rezistencë demokratike Sali Berishës e që shpërtheu fill pas 22 marsit, duke e zhveshur partinë nga pjesa më intelektuale e duke e bërë të humbasë rëndshëm popullaritetin. Kujtoj se jo më shumë se tre muaj pas këtyre zgjedhjeve, pra fill pasi mori pushtetin, PD-ja i humbi zgjedhjet lokale; se dy vjet më vonë, PD-ja përsëri e humbi referendumin për Kushtetutën; se gjatë kësaj periudhe edhe ish-të burgosurit edhe ish-pronarët, që kjo parti gjoja përfaqësonte, e panë veten në greva urie prej të cilave u nxorën dhunshëm jashtë nga një parti që mbiquhej antikomuniste, por liderët kryesorë të së cilës ishin të llojit më të keq të komunistëve. Kujtoj po ashtu se jemi në periudhën kur iu hap rruga një vërshimi sa të paligjshëm, aq edhe të dëmshëm në aspektin ekonomik e social drejt rrethinave të Tiranës me zaptime tokash buke dhe tokash pronarësh të vjetër, zaptimit të hapësirave publike, trafiqeve njerëzore, privatizimeve klienteliste, ashtu sikurse një gjuhe urrejtjeje e lufte të re klasash ku njerëzit gjykoheshin, si në kohën e Enver Hoxhës, me familje e jo si individë etj. etj.Nuk kam harruar sigurisht bëmën më të rëndë, që s’besoj se e ka harruar kush: atë se, në vend të një ekonomie normale tregu, në këto vite u promovuan piramidat financiare, që qenë një formë e grabitjes së pasurisë së shqiptarëve që s’do të ishte kryer kurrë pa bashkëpunimin e mashtruesve me pushtetarët që merrnin llokmën e paligjshme për këtë bashkëpunim – çka është thelbi i frymës së ekonomisë sonë dhe i motivimit të politikanëve tanë edhe sot e kësaj dite.Kjo periudhë, pikërisht se ishte e zezë edhe në vlerësimin e shumicës së shqiptarëve, solli grabitjen e votës më 1996 dhe rrahjen në shesh të opozitës.Le të vë në dukje edhe diçka shumë të rëndësishme: monstra që lindi më 22 mars, riabilitoi me bëmat e saj një parti monstër, siç ishte Partia e Punës e kthyer në Parti Socialiste, pa bërë asnjë lloj vetëkritike për të kaluarën e saj të mbushur me krime, gjë që nuk ka ndodhur në vendet e tjera ish-socialiste, ku më së shumti ish-partitë komuniste janë shkrirë (kujtoj me këtë rast se edhe Edi Rama ka qenë për eliminimin e kësaj partie që sot kryeson). Kjo bëri të inaugurohet një politikë, ku të zezat dhe zullumet që bën një monstër në pushtet, riabilitojnë monstrën që ka qenë në pushtet më parë; një pandëshkueshmëri që vazhdon edhe sot për politikanët, çka zhvilloi me kalimin e viteve një raport dashuri – urrejtjeje midis dy monstrave dhe një teatralitet, ku në skenë dy monstrat luajnë herë lojën demokratike e herë një konfliktualitet të skajshëm, kurse në prapaskenë ndajnë tortën e abuzimeve me interesin publik.Dikush do të thotë se Rama ka pasur parasysh entuziazmin e njerëzve që dhanë votën më 22 mars 1992, jo ata që morën pushtetin dhe bëmat e tyre. Edhe për sa i përket entuziazmit, kam dyshimet e mia të mëdha, boll të kesh parasysh se shumica e shqiptarëve ëndërronte asokohe të ikte jashtë dhe jo të votonte. Madje, ka shumë zëra që thonë sot se edhe votat janë manipuluar më 22 mars, por s’janë kontestuar, pasi Ramiz Alisë nuk i interesonte mbajtja e pushtetit.Por gjithsesi, ngulmoj se një ngjarje përkujtohet lidhur ngushtë me efektet që ajo ka prodhuar. Për mua dhe besoj për shumicën e shqiptarëve, 22 mars 1992 është pikërisht momenti kur pasioni i ri i dashurimit të shqiptarëve me lirinë dhe demokracinë, që u manifestua në lëvizjet e viteve ‘90–‘91, u institucionalizua në një martesë zhgënjyese me Partinë Demokratike të Sali Berishës e që vazhdoi pastaj me martesat e tjera deri në ditët e sotme. Dhe kjo martesë e parë nuk mund të celebrohet si ngjarje e madhe nga një njeri që thotë se kërkon të ndryshojë Shqipërinë që ndërtoi Sali Berisha. Këtë periudhë, kur hidheshin rrënjët e Shqipërisë kapitaliste, ai do të duhej ta kishte pjesë të reflektimeve të tij kritike dhe vetëkritike dhe jo të na e shiste si ngjarje historike, pasi shumë shqiptarë të sotëm janë bij jetimë të asaj martese të dështuar.Në këtë pikë le të vijmë te një dallim i rëndësishëm i 22 marsit me problematikën e ditëve të sotme, që Rama duket sikur kërkon ta kalojë, pikërisht duke mitizuar 22 marsin. Nuk mund të mohohet se një pjesë shqiptarësh kanë shpresuar te “martesa” e 22 marsit 1992 me ata që i zhgënjyen, sepse ata nuk ishin provuar në pushtet. Nuk mund të mohohet gjithashtu se hapësirat që ishin krijuar asokohe, mbanin gjallë shpresën se monstra që u ngrit në pushtet, në sajë të monstrave me fytyrë njeriu që derdhnin përditë dhunë, ligësi, vrer dhe injorancë mbi tërë shoqërinë – për të vjedhur e mashtruar sa më lehtë, – do të ishte e përkohshme, se ne kishim mundësi t’i ndryshonim e ndëshkonim ata, sepse tani ishim në demokraci. Pastaj kishim edhe asistencën ndërkombëtare tek e cila besonim shumë. Kurse fitorja e 23 qershorit 2013 është në një kontekst tjetër në këtë aspekt. Së pari, ajo nuk ka sjellë në pushtet njerëz që nuk i kemi provuar në pushtet, përkundrazi, ka sjellë ata që i kemi ndëshkuar me votë, madje edhe shumë nga monstrat e atyre viteve të para, pasi një pjesë e mirë e tyrja janë sot me Ramën. Së dyti, sot është zhdukur thuajse çdo shpresë për ndëshkimin e këtyre monstrave, sepse ka njëzet vjet që këta fuqizohen duke përqendruar në duart e veta pushtetin politik, financiar, mediatik, duke kontrolluar Gjyqësorin dhe duke na imponuar alternativën e kalimit nga një monstër te tjetra. Së treti, pafuqia dhe dështimet e ndërkombëtarëve me shtete si ky i yni sot njihen nga të gjithë, botërisht.Thënë të gjitha këto, pyetja që ngrihet, është: nëse e pranojmë se Rama krahasimin me një ngjarje që na e shet si të madhe e ka bërë për t’i dhënë rëndësi fitores së tij, për t’i rritur vetes pushtetshmërinë, e ndoshta edhe për të mobilizuar e motivuar shqiptarët, a mund të rezultojë ky krahasim dobiprurës? Personalisht mendoj se jo. Them jo, sepse ashtu sikurse edhe premtimet e tij, ky krahasim flet për një humnerë të madhe në vetëdijen e Kryeministrit midis, më një anë, gjendjes reale të vendit, duke filluar që nga realiteti i ardhjes së tij në pushtet, dhe pritshmërive që na servir, më anë tjetër. Realiteti është se ai ka ardhur në pushtet në sajë të përvojës së hidhur të shqiptarëve me monstrën para tij, madje deri duke përdorur parullën “të bashkohen të gjithë qelbësirat kundër Sali Berishës” dhe jo si udhëheqës i një gjenerate të re shqiptarësh të ndershëm, që kërkojnë të hapin një epokë të re historike. Problemi i fjalëve të Ramës përballë këtij realiteti është se ai na premton një revolucion moral duke pasur prapa një ushtri me mëkatarë, ndër të cilët edhe shumë nga ata të viteve ‘90, madje duke qenë edhe vetë një i tillë. Problemi i këtij realiteti është se ndryshimi i vërtetë i tij do të mund të kryhej duke e njohur mirë atë dhe historinë e tij më së pari, me punë serioze njerëzish të ndershëm më së dyti dhe duke evituar sa të jetë e mundur premtimet e fjalët e mëdha, më së treti. Dhe shqetësimi i dukshëm në këtë rast është se, në mungesë të këtyre kapaciteteve, Kryeministri falsifikon një të kaluar historike për të na ndërtuar një të ardhme të falsifikuar. Me fjalë të tjera, shqetësimi është se ne do të vazhdojmë të jetojmë skizofreninë midis mjerimit të botës reale të politikës sonë dhe lavdisë së botës virtuale të propaganduar nga fjalët e mëdha të politikanëve tanë.(Panorama, 23 shtator 2013)
Wednesday, September 25, 2013
Një krahasim i gabuar
Tuesday, September 24, 2013
Mbi vendimet e para të qeverisë
Mendimi që e kam shprehur mëse një herë përsa u përket pritshmërive që kemi nga qeveria e re dhe qëndrimeve që duhen mbajtur ndaj saj, veçanërisht nga mediat, është se ajo duhet ndjekur hap pas hapi në vendimet e saj. Kjo veçanërisht në kushtet kur kemi një opozitë që ka një qëndrim që e bën jokredibël për më shumë se një arsye: së pari, pasi ajo nuk ka bërë as minimumin e vetëkritikës lidhur me humbjen e saj, por shkakun e ka gjetur jashtë vetes, te naiviteti i popullit shqiptar që ka besuar premtimet e gënjeshtërta të Edi Ramës me shokë dhe, së dyti, pasi më një anë ajo premton racionalitet dhe konstruktivitet dhe më anë tjetër shpall luftë totale në stilin e njohur të bërjes opozitë destruktive deri në kockë.Me këtë rast më duhet të shtoj se janë iracionale edhe disa qëndrime që kërkojnë nga mediat apo gazetarë të caktuar që të mos bëjnë oponencë ndaj opozitës, por vetëm ndaj maxhorancës, apo që kërkojnë që oponenca që duhet t’i bëjë shtypi e mediat maxhorancës të shprehet në formën e bashkimit me opozitën. Kjo është një sëmundje infantile e shtypit tonë, e stimuluar nga mungesa e ndarjes së vërtetë të pushteteve në Shqipëri, ku bën pjesë edhe fakti se interesat financiare të pronarëve të mediave kanë qenë dhe janë edhe ato të varura nga pushteti politik i njërës ose tjetrës palë. Kam qenë dhe mbetem i mendimit se shoqëria jonë civile dhe mediat duhet të luajnë rolin e një pushteti të pavarur në shoqërinë tonë dhe se përballë tyre duhet të jetë pushteti politik me të cilin kam identifikuar dhe vazhdoj të identifikoj të tërë klasën politike, maxhorancë dhe opozitë, dhe strukturat ekonomike e mediatike që e mbështesin atë, pasi sistemi i mbrapshtë që na sundon është pjellë e të dyja palëve.Duke u nisur, pra, që në nisje, nga një dyshim i thellë te të dyja palët dhe në mungesë të një force opozitare ndaj tyre, gjykoj se gazetarët dhe intelektualët vërtet të pavarur mund të luajnë një rol të rëndësishëm në këtë fazë kur vendi është në udhëkryqin e ndryshimit të pushteteve, duke mbajtur qëndrime jo totalisht në favor apo kundër njërës palë, por në varësi të racionalitetit të vendimeve e qëndrimeve qoftë të maxhorancës, qoftë të opozitës. Për ta konkretizuar çka thashë më lart, do të shpreh qëndrimin tim ndaj dy prej tri vendimeve të para të qeverisë së re, ndër të cilat njërin e aprovoj dhe tjetrin e kundërshtoj.Jam plotësisht dakord me vendimin për ndalimin e importimit të plehrave në Shqipëri. Kjo jo vetëm pse jam një prej nismëtarëve të lëvizjes për referendumin kundër plehrave, por edhe sepse te vendime si ato që promovojnë importimin e plehrave, të marra nga maxhoranca që sapo iku, kam parë dhe shoh pikërisht të keqen e madhe që ka pësuar vendi nga sistemi i ngritur që e ka vënë shtetin në shërbim të atyre interesave private që i kundërvihen interesit publik. Në këtë kontekst më duhet të shtoj se qeveria jo vetëm duhet përgëzuar për këtë vendim, por duhet nxitur të bëjë ç’është e mundur që imazhi i vendit tonë si një vend ku gëlojnë plehrat kudo që të shkosh të ndryshojë radikalisht. Ka nga ata që bashkëjetesën e shqiptarëve me plehrat deri në atë shkallë sa ato nuk u bëjnë përshtypje, e quajnë një gjë që ka të bëjë me kulturën shekullore të këtij populli, ashtu siç edhe të pështyrit përtokë. Sipas mendimit tim, problemi i mbytjes sonë nga plehrat është fortësisht i lidhur edhe me sistemin që u promovua këta njëzet vjet të ngritjes së kultit të privates mbi rrënimin e publikes.Po të vësh re, plehrat gëlojnë te ne pikërisht në hapësirat publike: rrugët, lumenjtë, bregdetet ku derdhen këta, hapësirat midis ndërtesave të ndryshme etj. Po ashtu ato janë më së shumti produkt i aktiviteteve private që nuk shohin përtej gardhit të tyre. Mjaft të kesh parasysh lokalet pa fund që i hedhin mbeturinat e mutrat si pa të keq në lumenj, në dete apo në rrëpirën më të afërt. Edhe vetë vendimi i importimit të plehrave në një kohë kur në Shqipëri gëlonjnë plehrat nga të katër anët, ishte shprehje e këtij realiteti. Disa industri që kanë vetëm interesin e tyre – si p.sh. ato të shkrirjes së aluminit – kërkojnë të sjellin plehrat nga jashtë, ndërkohë që nuk bëhet asgjë për mbledhjen e diferencuar të plehrave brenda vendit, që mund t’i shërbente edhe kësaj industrie, por sigurisht, në atë shkallë që interesi i tyre të mos dëmtonte interesin e të gjithëve.Pra, ne kemi nevojë të djegim plehrat tona duke ndotur ajrin aq sa prodhojmë plehra vetë, dhe jo të djegim plehrat e tërë Europës në emër të përfitimit të një grushti njerëzish në dëm të ajrit të të gjithëve. Në këtë kontekst aksionet e ndryshme për zhdukjen e sëmundjes së ndyrë të shpërhapjes së plehrave në tërë territorin tonë do të ishin edhe një sinjal i kthimit të shtetit nga shërbyes kriminalë të interesit të disa privatëve, në kujdestar të interesit publik, çka është edhe detyra e shtetit.* * *Ndërkaq nuk jam dakord me vendimin për heqjen nga muret e institucioneve qeveritare të portretit të Presidentit të radhës Bujar Nishani dhe zëvendësimin e tij me portretin e Ismail Qemalit. Ky është një akt që fshin një traditë – jo vetëm shqiptare – kuptimi i së cilës është se Presidenti është figura që jo vetëm simbolizon unitetin e kombit, por edhe që ushtron funksionet e tij në këtë drejtim. Pra nuk mjafton që një figurë thjesht dhe vetëm të jetë simbol i unitetit, se atëherë ndoshta mund të mjaftonte edhe një i vdekur si Ismail Qemali, por ai duhet të veprojë politikish si i gjallë në funksion të këtij roli kushtetues, që nuk është roli i Kryeministrit.Së dyti, ekzistenca e figurës së Presidentit në vendin tonë ka qenë gjithsesi një lloj mbrojtjeje nga autoritarizmi i figurës që konsiderohet si figura më e pushtetshme, që në rastin tonë, që prej vitit 1997, ka qenë Kryeministri. Kush e kujton historinë e presidentëve tanë gjatë këtyre viteve do të verë re se presidentët, kush më shumë dhe kush më pak, edhe pse asnjëherë mjaftueshëm, e kanë luajtur një rol kundërbalancues.Me fjalë të tjera, tjetër gjë është se sa zgjedhja e Nishanit ka qenë zgjedhja më e duhur për një figurë që duhet të luajë rolin e Presidentit, dhe tjetër gjë është se ç’përfaqëson institucioni i Presidentit. Dhe sipas meje, ky vendim sulmon institucionin, jo Nishanin, edhe pse mund të duket se është bërë për të sulmuar Nishanin. Dhe ky është një akt që bëhet edhe më shqetësues po të kemi parasysh prirjet autoritariste dhe prepotente që kanë manifestuar kryeministrat tanë, shoqëruar kjo gjithmonë, si anë tjetër e medaljes, nga prirjet serviliste të vartësve të tyre.Zëvendësimi i autoritetit të të gjallëve me atë të të vdekurve që nuk mund të flasin, por veç përdoren, dihet se është praktikuar rëndom nga diktatorët për të eliminuar çdo autoritet tjetër përveç atë të tyrin. Ne presim nga maxhoranca ndryshime kushtetuese që do t’i forconin institucionet që kanë për detyrë të jenë arbitër midis maxhorancës dhe opozitës, dhe jo dobësimin e tyre. Pra ajo që presim ne nga maxhoranca e re është një ndryshim që do të forconte rolin e Presidentit si arbitër, si përfaqësues të të gjithëve, dhe jo një akt që dukshëm e dobëson figurën e Presidentit në këtë rol në sytë e publikut.(Panorama, 18 shtator 2013)
Saturday, September 7, 2013
Lepujt e qeverisë, qerrja e Folisë dhe ekspertët e Ramës
Konferenca e Ramës me ekspertë ndërkombëtarë nuk mund të mos më rikujtonte një ide të Makiavelit. Në Princin e tij ai thotë diku se detyra e Princit është që t’i shquajë problemet atëherë kur nuk i dallojnë dot të tjerët. Në këtë rast, thotë Makiaveli, korrigjimi apo zgjidhja e tyre është e lehtë, sepse kemi të bëjmë me fillimet. Ndërsa kur vjen puna që problemet i shohin të gjithë, zgjidhja bëhet shumë e vështirë.E pra, sipas meje, ekspertët njëditorë ndërkombëtarë të Ramës bënë një xhiro të kotë nëpër Shqipëri për të konstatuar, duke parë territorin, diçka evidente: se i sëmuri na qenka duke vdekur dhe se ky na qenka problem. Puna është se çfarë duhet bërë për ta ngjallur.Lidhur me ngjalljen e të vdekurit nuk ma merr mendja se ekspertët na thanë ndonjë gjë të madhe, që nuk e dinim. Në fakt, ata do të duhej të gjenin shkakun e sëmundjes më së pari. Dhe ky nuk mund të gjendet në një ditë.Le t’ju jap një shembull për ta ilustruar këtë pamundësi objektive të ekspertëve njëditorë të Ramës. Gjatë gjithë gushtit e në vazhdim, mu në qendër të Tiranës, nga një lokal që më thanë se quhet Folia, jo më larg se 80 metra nga Bashkia dhe 50 metra nga Ministria e Rendit gjëmon muzika deri në orën 04:00 të mëngjesit. Si qytetar i kam telefonuar Policisë Bashkiake në numrin që ka për qytetarët, për të kërkuar zbatimin e ligjit, i cili thotë se në orën 23:30 përfundon muzika (në 24:00 në fundjavë), i kam telefonuar pa fund edhe 129-s. Me shumë mirësjellje dezhurnët e turnit më kanë thënë se do të njoftonin patrullat e policisë që qarkullojnë nëpër qytet, më kanë thënë edhe se kanë pasur me dhjetëra telefonata nga banorë që ankohen për të njëjtën ndotje akustike. Por Folia ka vazhduar pa e prishur terezinë e vet. I kam dërguar edhe nja dy SMS kryetarit të Bashkisë, kam folur edhe me shefin e Policisë Bashkiake. Por Folia po foli.Tani më thoni ju, të dashur lexues, se çfarë mund të ketë thënë një ekspert njëditor i Ramës, nëse do t’i ketë qëlluar që hoteli i tij te ketë qenë në rrethin me rreze thuajse një kilometër që ndotet akustikisht natë për natë nga Folia. Se unë kaq larg e kam dhe, në katin tim, zhurma e saj vjen sikur ta kesh në oborr, sidomos kur ora shkon afër 3:00 pas mesnate. Me siguri do të çuditej, por do të thoshte se ky do të jetë rasti i ndonjë të çmenduri. Me gjasë do të jepte këshilla se si trajtohen në Europë të sëmurët psikikë që kanë prirjen ekzibicioniste të tërheqin vëmendjen e të tjerëve duke bërë zhurma kësisoj. E pra, dua të them se atij do t’i duhej të paktën të rrinte disa ditë të dëgjonte se si kavaleria muzikore e Folisë kalëron mbi gjumin e qytetarëve çdo natë, për të filluar të kuptojë që zhurma nuk vjen nga shtëpia e ndonjë individi të çmendur, por nga një lokal me emrin çmenduria, të kuptonte se pse policia është e pafuqishme ndaj tij, dhe të hynte pastaj të kërkonte ndonjë zgjidhje se si mund të shpëtohet qyteti nga kjo çmenduri, duke shtruar madje edhe pyetjen: nëse nuk jeni në gjendje të mbroni qytetarët nga shkelësit e ligjit 80 metra nga Ministria e Rendit dhe 50 metra nga Bashkia, ç’na sillni kot të merremi me ju?Tani po ju kujtoj se ekspertët njëditorë të Ramës vizituan Shqipërinë dhe dhanë këshilla të ndryshme se çfarë duhet bërë për territorin. Meqë ra fjala – një njeri shumë i udhëtuar dhe shumë i ditur që nuk bënte pjesë në grupin e ekspertëve të Ramës, por që kishte ardhur për pushime në Shqipëri – iku duke u lënë miqve shqiptarë përshtypjen se nuk kishte parë në asnjë vend tjetër të botës atë që kishin bërë shqiptarët me territorin. Çmenduri! Por ai nuk kishe mundur të zbulonte se i çfarë natyre është ai virus që ka shkaktuar këtë çmenduri të paparë. Aq më pak them se do ta kuptonin ekspertët njëditorë të Ramës. Më thoni ju, të dashur lexues, a do të mund të bënin p.sh. ekspertët e Ramës ndonjë lidhje midis çmendurisë së Folisë dhe shkatërrimit të territorit? Ma thotë mendja se jo, kurrsesi. Kurse ne shqiptarët e bëjmë menjëherë. Ja unë vë bast që, cilëtdo qofshin pronarët e Folisë që na prishin gjumin, ata me 99% kanë zaptuar edhe territore me leje dhe pa leje. Po ashtu, eksperti me shumë gjasa do të na thoshte se tani që kemi Kryeministrin e ri, ky do të vërë rendin në rregull. Por unë sërish vë bast se pronarët e Folisë e kanë grurë edhe me Ramën apo do ta kenë grurë edhe me të, edhe me Sajmir Tahirin, edhe me Lulzim Bashën.Po si ka mundësi kjo? Jua them si. Dikur ka pasur një thënie, sipas së cilës shteti e kap lepurin me qerre. Në Shqipërinë tonë është Folia që i kap lepujt e qeverisë me qerre. Ja ky është problemi. A e keni vënë re se sa të gatshëm janë ato qerret, më falni karroatrecët që ia rrëmbejnë qytetarit makinat, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake, sapo parkon makinën gabim, nganjëherë edhe pa e parkuar gabim? Të fluturon 7000 lekëshi fët e fët pa pasur mundësi ku të ankohesh. Pse Policia Bashkiake nuk i ve gjoba Folisë, siç ua ve qytetarëve në emër të ligjit? Pse nuk ia merr altoparlantët, siç u rrëmben makinat qytetarëve? Sepse qerret, më falni karoatrecët, janë të Folisë, nuk janë të qeverisë.Disa lexues të mi, një dy e më shkruajnë: lëri diagnozat se na mërzite, zgjidhje Lubonja, zgjidhje të problemit duam. Këtyre lexuesve që s’kanë kuptuar ende se zgjidhjen duhet ta kërkojnë te vetja, u them: lexoni fillimin e shkrimit, ç’thotë Makiaveli. Pse ka ekspertë që t’ia gjejë ilaçin kësaj folie? Personalisht ndihem i pafuqishëm. Edhe Policinë Bashkiake dhe atë qendrore nuk e marr më në telefon. I vetmi ngushëllim që kam, është ajo thënia: ndaj të marrëve edhe Zoti është i pafuqishëm. (Panorama, 2 shator 2013)
Sunday, September 1, 2013
Pushteti i popullit; detyrat të qeverisë
Të gjithë e kanë përqendruar vëmendjen në ngjarjet e pakta politike që po ndodhin në këtë sezon të nxehtë veror, në kapërcyell të ndërrimit të pushteteve. Nuk ka dyshim se të tejlodhur nga zhgënjimi dhe rrënimi material dhe shpirtëror, njerëzit presin ndryshim për mirë. Dhe, po ashtu, nuk ka dyshim se ndryshimin e presin nga ata që kanë ardhur në pushtet. Ja pse dhe vëmendja më e madhe është përqendruar mbi veprimet e politikanëve të maxhorancës së re.Problemi është se, duke përjashtuar militantët, të cilët janë gjithnjë pro njërës palë dhe kundër tjetrës, qasja e njerëzve ndaj ndryshimit është pasive, si për mirë, edhe për keq. Një pjesë, siç e thashë, presin e shpresojnë për mirë, por pasivisht, sikurse ka edhe shumë të tjerë që presin pasivisht të ndodhë ajo që janë mësuar të ndodhë: mosmbajtja e premtimeve, pa menduar se mund të luajnë një rol në korrigjimin e trajektoreve.Por mund të ketë edhe një qasje proaktive; kur veprimet e maxhorancës së re jo vetëm do të priten pasivisht, por edhe do të kërkohet të ndikohet mbi to. Sikur t’i marrim seriozisht fjalët e Edi Ramës se populli ka pushtetin, qeveria detyrat, do të ishte fiks kështu. Prandaj le të qëndrojmë pak te kjo fjalë. Pyetja shtrohet: si mund të bëhet që ne qytetarët të kemi pushtetin, kurse qeveria të zbatojë detyrat që i japim ne? Cila është puna jonë dhe cila e Edi Ramës për realizimin e kësaj thënieje që, me një fjalë të vetme, quhet demokraci?Në një mënyrë ideale kjo do të ndodhte nëpërmjet një pjesëmarrjeje direkte në vendimet e qeverisë; dhe sot në botë flitet shumë për këtë. Aq më tepër kur edhe në vendet më të përparuara sot thuhet se demokracia ka hyrë në fazën e krizës post-demokratike në kuptimin se vendimet e rëndësishme që merren nga qeveritë dhe politika në përgjithësi nuk janë në emër të interesave të popullit, por të një pakice të fuqishme ekonomike financiare (Colin Crouch, Post-democracy, 2004). Interneti konsiderohet si një mundësi e madhe për të luftuar post-demokracinë. Nëpërmjet tij mund të realizohet që qytetari të votojë për vendime të ndryshme të qeverisë, por edhe të ketë mundësi t’i heqë votën një deputeti dhe t’ia japë një tjetri kur sheh se ai nuk po mban premtimet. Sigurisht, ne jemi larg kësaj, por do të thosha se që të realizohet sadokudo premtim-ideja e Ramës që populli të ketë pushtetin kurse qeveria detyrat, duhen parimisht dy gjëra. Më një anë ngulmimi i popullit në ushtrimin e presionit ndaj politikës në të mirë të tij, më anë tjetër, që politika të japë shenja se ajo reagon ndaj kësaj vëmendjeje dhe këtyre presioneve, se nuk bën veshin e shurdhër apo nuk e kualifikon çdo kritikë si vepër të armikut. E keqja e këtij sistemit tonë që s’mund të quhet post-demokraci, pasi s’e ka njohur ndonjëherë demokracinë – personalisht përkufizimi më i saktë më duket bandokraci – ka qenë se reagimin në emër të popullit e ka bërë banda tjetër që ka qenë e skualifikuar pasi është e cilësuar si bandë nga vetë kundërshtari. Gjithsesi, Ramës në këtë rast i duhet të sqarojë një pyetje: si do ta konsiderojë reagimin e opozitës ndaj vendimeve të qeverisë së tij, si zëdhënëse të popullit që ka pushtetin, apo do ta injorojë atë? Dhe, po ashtu, si do t’i konsiderojë zërat e shoqërisë që i bëjnë oponencë, si vegla të opozitës, apo si zëra të popullit? Sepse ka shumë rrezik që populli për Ramën të reduktohet vetëm në familjen socialiste dhe lsi-ste. Po të më lejonte t’i jepja një “detyrë”, si popull në pushtet që jam, do t’i thosha se reagimet e opozitës duhet t’i gjykojë e vlerësojë rast pas rasti duke parë racionalitetin dhe vërtetësinë e kritikave apo akuzave, dhe këto t’i vërtetonte edhe duke i ballafaquar me reagimet e popullit pa parti.Në këtë kontekst, ky shkrim është inspiruar, për shembull, nga mbledhja joformale e qeverisë së ardhshme në Vlorë. Dhe më duhet të them se në këndvështrimin e sloganit “pushteti i popullit; detyrat të qeverisë” edhe unë e pashë me zhgënjim mbledhjen e parë joformale të Këshillit të ardhshëm të Ministrave në Vlorë.Më tërhoqi vëmendjen për keq simbolika e kësaj ngjarjeje – që dihet se kishte kuptim simbolik. Nuk dua të merrem me simbolikën e përçarjes Jug – Veri që ka ushqyer në një mënyrë herë më eksplicite, herë më pak eksplicite politika jonë konfliktuale PD – PS gjatë këtyre 20 vjetëve dhe që, sipas meje, e përcjell sadokudo edhe kjo mbledhje e parë e qeverisë në Vlorë. Kjo mund të kapërcehet, ndonëse, sipas meje, po të ishte bërë mbledhja në Shkodër, më mirë do kishte qenë për maxhorancën e re. E kam fjalën për simbolikën e faktit se mbledhja e qeverisë së parë u bë në një mjedis privat dhe se nuk pati asnjë transparencë për ne, popullin që kemi pushtetin, se kush e financoi hotelerinë dhe ngrënien e pirjen e qeveritarëve tanë të ardhshëm në këtë mjedis, duke pasur parasysh edhe faktin se jetojmë në kohë krize. Ishin para të partive ato, personale të ministrave, apo dolën nga xhepi “bujar” i mikpritësit dhe ndonjë kolegu të tij?Dikush mund të thotë se bëhet fjalë për pak të holla ndoshta, por në kuptimin simbolik janë shumë. Sepse problemi i madh i mospasjes së pushtetit nga populli te ne ka një arsye shumë të thjeshtë: fushatat e partive politike deri më tani, në mënyrë të pakontrolluar as nga ligji dhe as nga populli, janë financuar nga interesa privatësh që i kanë parë këto financime si investime nëpërmjet të cilave kanë nxjerrë pastaj fitimet kur kanë ardhur në pushtet ata vetë apo politikanët që kanë marrë këta financime. Ka pasur, pra, premtime publike që i janë bërë gjithë popullit dhe premtime jopublike që u janë bërë këtyre. Dhe fatkeqësisht qeveritë kanë ushtruar detyrat për të realizuar premtimet e dhëna këtyre të dytëve. E duke qenë kështu, nuk mund të mos të të lërë shije jo të mirë simbolike mbledhja e parë e qeverisë së rilindjes në një hotel privat kur gjëja e parë që u vjen ndër mend shqiptarëve të lodhur është të paragjykojë pronarin se ka interesa të investojë te partia në pushtet, aq më tepër kur ajo po projekton një pastrim të bregdetit të Vlorës nga konkurrentët e tij. Të gjitha këto duhet t’i kishin menduar ministrat tanë. Por edhe ne si popull në pushtet duhet t’i mendojmë e t’i themi. Sepse ne si popull nuk mund të harrojmë se këta që kemi nuk janë të rinj në qeverisje, përkundrazi, Rama dhe Meta, për shembull, janë ndër administratorët më afatgjatë të punëve tona publike, të cilëve ne ua njohim stilin. Dhe zor se mund të dalë kush që mund të thotë se na paskan qeverisur me parimin “pushteti i popullit; detyrat të qeverisë”. Kjo është një “detyrë” e re e rilindjes. Deri më sot vendimet në Tiranë, Durrës e në Vlorë e Shkodër e me radhë; jo vetëm me Ramën e Nanon e Metën, por edhe me Berishën e me të vetët, janë marrë në emër të pushtetit të privatëve të fuqishëm – jo rrallë edhe kriminelë – që kanë qenë sponsorët dhe propaganduesit mediatikë të politikave që kanë rezultuar në dëm të popullit. Ky është problemi më i madh që ka Shqipëria. Është shumë e vërtetë ajo që tha Rama në një konferencë mbi territorin së fundi, se “… deri më sot vendi ka rënë viktimë e një zhvillimi kaotik, pafuqie për të implememtuar…” – por kjo pafuqi (e popullit) dihet se ka qenë e lidhur me fuqinë e sponsorëve të Ramës, Metës e Berishës me shokë. Pra, në thelb rilindja e jonë është e lidhur ngushtë me vdekjen e këtij sistemi ku privati, si ujku që kërkon mjegull, pasurohet nëpërmjet grabitjes së publikes dhe të territorit me ndihmën e politikës e duke ndarë përfitimet me të. Mirëpo mbledhja e parë e qeverisë në Vlorë në një mjedis privat, ngritur në një territor ku s’duhet të kishte ndërtime, nuk na e dha këtë mesazh, përkundrazi, na bëri të mendojmë se me fjalën “rilindje” Edi Rama ka parasysh stilin e tij tashmë të mirënjohur të qeverisjes. (Panorama, 29 gusht 2013)
Subscribe to:
Posts (Atom)
-
Në Bibël ka një pasazh që është komentuar shumë: ai ku përshkruhet çfarë ndodhi në momentin para se Kaini të vrasë Abelin. Komentohet fakti...
-
Në mbyllje të 2005-sës, vit të cilin, në petkun e gazetarit, e kam ndjekur hap pas hapi me shkrime, kryesisht mbi jetën dhe zhvillimet polit...
-
Një her ë e një koh ë e kam dashur edhe unë Vaçen, por më duhet të them se kjo i përket periudhës së jetës kur njeriu ende beson tek m...