Sunday, September 1, 2013

Pushteti i popullit; detyrat të qeverisë



Të gjithë e kanë përqendruar vëmendjen në ngjarjet e pakta politike që po ndodhin në këtë  sezon të nxehtë veror, në kapërcyell të ndërrimit të pushteteve. Nuk ka dyshim se të tejlodhur nga zhgënjimi dhe rrënimi material dhe shpirtëror, njerëzit presin ndryshim për mirë. Dhe, po ashtu, nuk ka dyshim se ndryshimin e presin nga ata që kanë ardhur në pushtet. Ja pse dhe vëmendja më e madhe është përqendruar mbi veprimet e politikanëve të maxhorancës së re.
Problemi është se, duke përjashtuar militantët, të cilët janë gjithnjë pro njërës palë dhe kundër tjetrës, qasja e njerëzve ndaj ndryshimit është pasive, si për mirë, edhe për keq. Një pjesë, siç e thashë, presin e shpresojnë për mirë, por pasivisht, sikurse ka edhe shumë të tjerë që presin pasivisht të ndodhë ajo që janë mësuar të ndodhë: mosmbajtja e premtimeve, pa menduar se mund të luajnë një rol në korrigjimin e trajektoreve.
Por mund të ketë edhe një qasje proaktive; kur veprimet e maxhorancës së re jo vetëm do të priten pasivisht, por edhe do të kërkohet të ndikohet mbi to. Sikur t’i marrim seriozisht fjalët e Edi Ramës se populli ka pushtetin, qeveria detyrat, do të ishte fiks kështu. Prandaj le të qëndrojmë pak te kjo fjalë. Pyetja shtrohet: si mund të bëhet që ne qytetarët të kemi pushtetin, kurse qeveria të zbatojë detyrat që i japim ne? Cila është puna jonë dhe cila e Edi Ramës për realizimin e kësaj thënieje që, me një fjalë të vetme, quhet demokraci?
Në një mënyrë ideale kjo do të ndodhte nëpërmjet një pjesëmarrjeje direkte në vendimet e qeverisë; dhe sot në botë flitet shumë për këtë. Aq më tepër kur edhe në vendet më të përparuara sot thuhet se demokracia ka hyrë në fazën e krizës post-demokratike në kuptimin se vendimet e rëndësishme që merren nga qeveritë dhe politika në përgjithësi nuk janë në emër të interesave të popullit, por të një pakice të fuqishme ekonomike financiare (Colin Crouch, Post-democracy, 2004). Interneti konsiderohet si një mundësi e madhe për të luftuar post-demokracinë. Nëpërmjet tij mund të realizohet që qytetari të votojë për vendime të ndryshme të qeverisë, por edhe të ketë mundësi t’i heqë votën një deputeti dhe t’ia japë një tjetri kur sheh se ai nuk po mban premtimet. Sigurisht, ne jemi larg kësaj, por do të thosha se që të realizohet sadokudo premtim-ideja e Ramës që populli të ketë pushtetin kurse qeveria detyrat, duhen parimisht dy gjëra. Më një anë ngulmimi i popullit në ushtrimin e presionit ndaj politikës në të mirë të tij, më anë tjetër, që politika të japë shenja se ajo reagon ndaj kësaj vëmendjeje dhe këtyre presioneve, se nuk bën veshin e shurdhër apo nuk e kualifikon çdo kritikë si vepër të armikut. E keqja e këtij sistemit tonë që s’mund të quhet post-demokraci, pasi s’e ka njohur ndonjëherë demokracinë – personalisht përkufizimi më i saktë më duket bandokraci – ka qenë se reagimin në emër të popullit e ka bërë banda tjetër që ka qenë e skualifikuar pasi është e cilësuar si bandë nga vetë kundërshtari. Gjithsesi, Ramës në këtë rast i duhet të sqarojë një pyetje: si do ta konsiderojë reagimin e opozitës ndaj vendimeve të qeverisë së tij, si zëdhënëse të popullit që ka pushtetin, apo do ta injorojë atë? Dhe, po ashtu, si do t’i konsiderojë zërat e shoqërisë që i bëjnë oponencë, si vegla të opozitës, apo si zëra të popullit? Sepse ka shumë rrezik që populli për Ramën të reduktohet vetëm në familjen socialiste dhe lsi-ste. Po të më lejonte t’i jepja një “detyrë”, si popull në pushtet që jam, do t’i thosha se reagimet e opozitës duhet t’i gjykojë e vlerësojë rast pas rasti duke parë racionalitetin dhe vërtetësinë e kritikave apo akuzave, dhe këto t’i vërtetonte edhe duke i ballafaquar me reagimet e popullit pa parti.
Në këtë kontekst, ky shkrim është inspiruar, për shembull, nga mbledhja joformale e qeverisë së ardhshme në Vlorë. Dhe më duhet të them se në këndvështrimin e sloganit “pushteti i popullit; detyrat të qeverisë” edhe unë e pashë me zhgënjim mbledhjen e parë joformale të Këshillit të ardhshëm të Ministrave në Vlorë.
Më tërhoqi vëmendjen për keq simbolika e kësaj ngjarjeje – që dihet se kishte kuptim simbolik. Nuk dua të merrem me simbolikën e përçarjes Jug – Veri që ka ushqyer në një mënyrë herë më eksplicite, herë më pak eksplicite politika jonë konfliktuale PD – PS gjatë këtyre 20 vjetëve dhe që, sipas meje, e përcjell sadokudo edhe kjo mbledhje e parë e qeverisë në Vlorë. Kjo mund të kapërcehet, ndonëse, sipas meje, po të ishte bërë mbledhja në Shkodër, më mirë do kishte qenë për maxhorancën e re. E kam fjalën për simbolikën e faktit se mbledhja e qeverisë së parë u bë në një mjedis privat dhe se nuk pati asnjë transparencë për ne, popullin që kemi pushtetin, se kush e financoi hotelerinë dhe ngrënien e pirjen e qeveritarëve tanë të ardhshëm në këtë mjedis, duke pasur parasysh edhe faktin se jetojmë në kohë krize. Ishin para të partive ato, personale të ministrave, apo dolën nga xhepi “bujar” i mikpritësit dhe ndonjë kolegu të tij?
Dikush mund të thotë se bëhet fjalë për pak të holla ndoshta, por në kuptimin simbolik janë shumë. Sepse problemi i madh i mospasjes së pushtetit nga populli te ne ka një arsye shumë të thjeshtë: fushatat e partive politike deri më tani, në mënyrë të pakontrolluar as nga ligji dhe as nga populli, janë financuar nga interesa privatësh që i kanë parë këto financime si investime nëpërmjet të cilave kanë nxjerrë pastaj fitimet kur kanë ardhur në pushtet ata vetë apo politikanët që kanë marrë këta financime. Ka pasur, pra, premtime publike që i janë bërë gjithë popullit dhe premtime jopublike që u janë bërë këtyre. Dhe fatkeqësisht qeveritë kanë ushtruar detyrat për të realizuar premtimet e dhëna këtyre të dytëve. E duke qenë kështu, nuk mund të mos të të lërë shije jo të mirë simbolike mbledhja e parë e qeverisë së rilindjes në një hotel privat kur gjëja e parë që u vjen ndër mend shqiptarëve të lodhur është të paragjykojë pronarin se ka interesa të investojë te partia në pushtet, aq më tepër kur ajo po projekton një pastrim të bregdetit të Vlorës nga konkurrentët e tij. Të gjitha këto duhet t’i kishin menduar ministrat tanë. Por edhe ne si popull në pushtet duhet t’i mendojmë e t’i themi. Sepse ne si popull nuk mund të harrojmë se këta që kemi nuk janë të rinj në qeverisje, përkundrazi, Rama dhe Meta, për shembull, janë ndër administratorët më afatgjatë të punëve tona publike, të cilëve ne ua njohim stilin. Dhe zor se mund të dalë kush që mund të thotë se na paskan qeverisur me parimin “pushteti i popullit; detyrat të qeverisë”. Kjo është një “detyrë” e re e rilindjes. Deri më sot vendimet në Tiranë, Durrës e në Vlorë e Shkodër e me radhë; jo vetëm me Ramën e Nanon e Metën, por edhe me Berishën e me të vetët, janë marrë në emër të pushtetit të privatëve të fuqishëm – jo rrallë edhe kriminelë – që kanë qenë sponsorët dhe propaganduesit mediatikë të politikave që kanë rezultuar në dëm të popullit. Ky është problemi më i madh që ka Shqipëria. Është shumë e vërtetë ajo që tha Rama në një konferencë mbi territorin së fundi, se “… deri më sot vendi ka rënë viktimë e një zhvillimi kaotik, pafuqie për të implememtuar…” – por kjo pafuqi (e popullit) dihet se ka qenë e lidhur me fuqinë e sponsorëve të Ramës, Metës e Berishës me shokë. Pra, në thelb rilindja e jonë është e lidhur ngushtë me vdekjen e këtij sistemi ku privati, si ujku që kërkon mjegull, pasurohet nëpërmjet grabitjes së publikes dhe të territorit me ndihmën e politikës e duke ndarë përfitimet me të. Mirëpo mbledhja e parë e qeverisë në Vlorë në një mjedis privat, ngritur në një territor ku s’duhet të kishte ndërtime, nuk na e dha këtë mesazh, përkundrazi, na bëri të mendojmë se me fjalën “rilindje” Edi Rama ka parasysh stilin e tij tashmë të mirënjohur të qeverisjes. (Panorama, 29 gusht 2013)

No comments: