Politika dhe mediat shqiptare shpalosën ndaj raportit të Dik Marti, mbi akuzat për krime në Kosovë dhe Shqipëri nga njerëzit e UÇK, me në krye Hashim Thaçin; një refuzim me një nivel të tillë iracionaliteti, i cili habiti edhe shqiptarët, që sadokudo, e njohin klimën në vend, e le më pastaj të huajt. Do të thosha se po aq sa raporti vetë, edhe ky refuzim përbën një ngjarje që duhet analizuar.Para së gjithash, le të shtjelloj pse më duket kaq iracionale mënyra sesi u refuzua raporti.Së pari, ndërkohë që duket qartë se kemi të bëjmë me një raport të shkruar nga një ekip, (madje ka aty edhe një falënderim për ekipin), ai u trajtua sikur të ishte puna e një njeriu të vetëm, i cili pastaj u diskreditua duke u quajtur i sëmurë mendërisht, apo i blerë nga serbët e me radhë. Jo vetëm kaq, por kjo çmenduri vazhdoi edhe kur u pa se raporti u votua me unanimitet nga deputetët e Parlamentit Europian. Gjykoj, se qoftë puna e një ekipi, qoftë votimi nga një parlament i tërë, duhet të mjaftonte për ta ndaluar sadopak turra-vrapin absurd me akuza kundër “armikut të jashtëm”, në bashkëpunim me “armikun e brendshëm”.Së dyti, paksa të njohësh ato çka shkruhen e thuhen në Shqipëri dhe Kosovë për politikën dhe politikanët, si andej dhe këtej kufirit (madje ato që thonë ata vetë për njëri-tjetrin) del qartë një situatë ku nuk mund të dallohet se ku mbaron aktiviteti kriminal dhe ku fillon shteti. Mjaft të kujtojmë ato çka thoshte vetë Sali Berisha në vitin 2005 për qeverinë paraardhëse, apo ç’thotë opozita shqiptare për Sali Berishën. Apo mjaft të dëgjoje akuzat elektorale në Kosovë ku flitej jo vetëm për korrupsionin e sotëm e krimet e sotme, por edhe për vrasje politike që kanë ndodhur pas luftës në Kosovë, ndaj personash që janë konsideruar si rivalë të UÇK. Edhe kjo vetëdije besoj se duhet të kishte përftuar një lloj reflektimi ndaj akuzave të raportit.Së treti, nuk do shumë mend për të kuptuar se ky raport nuk është një vendim gjyqësor, por një raport që kërkon të hetohen një sërë akuzash, për të cilat ka disa të dhëna shqetësuese. Për shembull: rezultojnë të zhdukur pas luftës afro katërqind persona, ndër të cilët edhe shqiptarë, por shumica serbë, një pjesë prej të cilëve thuhet se kjo u ka ndodhur në territorin shqiptar. A mund të jemi ne të pandjeshëm ndaj këtij fakti, e të mos kërkojmë të hetohet se pse janë vrarë, cilët janë vrasësit dhe ku mund të ndodhen varret e tyre? Disa nga patriotët tanë mund të thonë: Jo, s’kemi pse të jemi të ndjeshëm, pasi ata kanë qenë armiq që na kanë vrarë apo bashkëpunëtorë të tyre. E megjithatë, edhe atyre mund t’u thuhet se fakti ekziston dhe s’mund të quhet fantazi e Martit. Dhe po ashtu, se s’ka vend në botë që i le pa varr njerëzit e vdekur, cilëtdo qofshin ata (përjashto për fat të keq ndonjë vend si ky i yni që në kohën e Hoxhës i linte pa varr armiqtë e pushkatuar) e se politikanët tanë të sotëm, si këtej dhe andej kufirit, thonë se po na çojnë në Europën e të drejtave të njeriut, që nuk njeh as dënimin me vdekje, e jo më lënien e të vdekurit pa varr.Së katërti, në raport thuhet se një pjesë prej të humburve dyshohet se u janë hequr organet dhe u janë tregtuar, pasi janë vrarë me plumb pas koke. E kjo, sipas raportit, mund të jetë kryer nga njerëzit e Thaçit në Shqipëri. Akuza është e tmerrshme, sigurisht, gati e pabesueshme, por përsëri një mendje e shëndoshë të thotë që nuk mund të refuzohet mundësia e hetimeve për këtë. Aq më tepër nëse autoritetet dhe ekspertët shqiptarë, së bashku me ata kosovarë, janë të bindur se është krejtësisht e pabazë. Përkundrazi, arsyeja e shëndoshë do që duhet bërë çmos që kjo akuzë të sqarohet një sahat e më parë, pasi, përndryshe, kush thotë se kjo akuzë nuk duhet hetuar, merr mbi shpinë dyshimin se e ka mizën nën kësulë.Personalisht nuk di se si t’u kundërvihem këtyre katër argumenteve, prandaj e quaj reagimin ndaj raportit krejtësisht iracional.
* * *
Thënë këto, pyetja që ngrihet është se prej nga buron ky iracionalitet, sepse, sikurse thuhet, edhe iracionaliteti ka racionalitetin e vet. Gjykoj, se megjithë kufizimet mendore të njohura të politikanëve tanë dhe servilizmin e nënshtrimin e mediave tona ndaj tyre, ata nuk janë kaq iracionalë sa të mos kuptojnë katër argumentet që kam shtjelluar më sipër. Po atëherë?E këtu nuk mund të mos ndalesh tek ajo pikë e raportit, që e bën kaq të papranueshëm raportin për shqiptarët. Dhe kjo, afërmendsh është akuza për trafikim organesh, pasi për fat të keq, akuza se vendet e Ballkanit qeverisen nga mafiozë e trafikantë, tashmë është një gjë që s’përbën as lajm. Shih për këtë reagimin e mediave të huaja, të cilat u përqendruan vetëm tek trafikimi.Pyetja e parë që ngrihet lidhur me këtë akuzë është: nëse janë të bindur se nuk është e vërtetë, pse e pengojnë mundësinë e hetimit shqiptarët e akuzuar, apo mos vallë ka ndonjë mundësi të jetë e vërtetë? Pyetja e dytë është: mos vallë, ndonëse janë të bindur se akuza e organeve nuk është e vërtetë, kanë frikë se hetimi mund të çojë në zbulime krimesh të tjera, që gjithsesi janë të rënda dhe, tek e fundit, do t’i ngarkonte me përgjegjësi penale? E pastaj vijnë disa pyetje të tjera: mirë ata në Kosovë që akuzohen si autorët, po këta në Shqipëri ku e kanë hallin?: se janë lidhur tashmë me klasën politike në Kosovë edhe me interesa, se janë në një farë mënyre të përfshirë edhe vetë në ndonjë nga krimet, apo mos e kanë hallin të tregojnë sesa e duan Kosovën, meqenëse kjo është një nga kartat e vetme që u ka mbetur për ta quajtur veten burra të mirë përpara shqiptarëve - sigurisht me kutin e tyre? Janë pyetje që mbeten të hapura e që do ta mbajnë hapur këtë çështje sipas mendimit tim.Por analiza e këtij refuzimi nuk mund të ndalet këtu.Ka një pjesë njerëzish racionalë, shqiptarë dhe të huaj, që kërkojnë ta shpjegojnë këtë refuzim iracional me rrezikimin e mitit të UÇK. Me fjalë të tjera, kemi të bëjmë me skizofreninë shqiptare (dhe jo vetëm) të të jetuarit midis lavdisë së një bote virtuale plot me heronj e trima të lavdishëm dhe mjerimit të botës reale të mbushur me maskarenj. Të tjerë e shpjegojnë me faktin më prozaik, sipas të cilit Hashim Thaçi dhe të tijtë, meqenëse kanë pushtetin, kanë arritur, duke i ngritur edhe monumente vetes, t’u imponojnë njerëzve në Kosovë mitin e tyre, i cili pastaj i shërben pushteti të tyre. Nuk mungon për të shpjeguar këtë refuzim edhe argumenti se kjo akuzë, po të dalë e vërtetë, u delegjitimon shqiptarëve të drejtën për të pasur shtetin e tyre në Kosovë, prandaj duhet hedhur poshtë pa hezitim.Personalisht, dyshoj se miti i liderëve të UÇK-së, i ndjerë apo i vetëpromovuar, të jetë kaq i fortë midis shqiptarëve në Kosovë, saqë ruajtja e tij të jetë arsyeja pse refuzohet në mënyrë kaq iracionale raporti i Martit. Hashim Thaçi e drenicarët dihet se kanë edhe shumë kundërshtarë në Kosovë, që do të donin t’i shihnin të rrëzuar nga pushteti së bashku me mitin e tyre; kam parasysh LDK-istët, p.sh., që i kanë akuzuar për vrasje të njerëzve të tyre, por edhe të tjerë. Dhe ky argument është në favor të idesë se nuk do të bëhej ‘qameti’ në Kosovë, sikur disa udhëheqës të UÇK të hetoheshin nga EULEX. E për këto janë të vetëdijshëm edhe shqiptarët e Shqipërisë.Gjykoj, se ndonëse tërë këto argumente shpjegues kanë peshën e tyre, gjithsesi ka një element më të rëndësishëm mitik sesa miti i UÇK, për shpjegimin e refuzimit iracional të shqiptarëve, për të hetuar mbi këtë akuzë. Sipas meje, ky refuzim ka të bëjë kryesisht me frikën e një njolle në identitet, që do të merrnin shqiptarët sikur kjo akuzë të provohej. Pra, akuza nuk përjetohet si një sulm kundër mitit të UÇK, por kundër imazhit të shqiptarit në përgjithësi, si mit identifikues. Të vrasësh dikë mund të quhet “krim” sipas një kodi njerëzor, mund të quhet “nevojë” sipas një kodi mafioz, mund të quhet edhe “shërbim ndaj atdheut” sipas një kodi nacionalist; kurse t’i heqësh organet këtij të vrari dhe t’ia tregtosh, kjo sikur i kalon caqet dhe i fut autorët në kategorinë e atyre që quhen “monstra”, të cilët dalin jashtë çdo kodi. Me këtë akt, sikur arrihet “e keqja absolute” siç quhet Holokausti, ajo që të ndan nga raca njerëzore. Këtu është problemi kryesor që hap raporti “Marti”, do të thosha unë. Mbas serbëve që identifikohen me Srebrenicën do të dilnin disa monstra edhe më të këqij se këta, shqiptarët, që jo vetëm vrasin njerëz të pafajshëm, por edhe u tregtojnë organet. Në fakt, është një krim që nuk e kemi dëgjuar të bëjë pjesë në historinë tonë dhe të popujve të tjerë të Ballkanit, e prandaj na frikëson si identitet. Reagimi ndaj tij është i njëjtë me atë që kemi kur dëgjojmë për dikë të bëjë një krim të paparë, autorit të të cilit menjëherë i vëmë epitetin “monstër”, si për të thënë se ne, si njerëz, s’kemi asgjë të përbashkët me të. E këtu s’bëhet fjalë për ndonjë monstër dosido, por për njerëz që i kemi përfaqësues të të tërëve. Atëherë, më mirë të mos lejojmë të hetohet kjo, sepse po të dilte e vërtetë, do të njolloseshim të gjithë. Dhe kështu, ata që e pengojnë hetimin automatikisht bëhen mbrojtësit tanë, kurse kush e kërkon hetimin, armiku ynë.Për mua, pa mohuar faktorët e tjerë, është ky faktor që e bën kaq iracional dhe njëherësh kaq përbashkues mes shqiptarëve refuzimin e raportit “Marti”. Dhe ndonëse e kuptoj, nuk mund ta pranoj një iracionalitet të tillë. Gjykoj se kjo frikë për të njohur përbindëshin brenda nesh është iracionale dhe tregon papjekuri. Dihet se lufta e kthen njeriun në një përbindësh. Dihet se edhe etja e shfrenuar për para, e kombinuar me injorancën, e kthen atë në një përbindësh. Mendo pastaj bashkimin e të dyjave. Madje, kemi dëgjuar se në kushte “normale”, në vende “normale” janë zbuluar klinika, ku njerëzve u bëhen operacione të panevojshme për para. Kemi dëgjuar edhe se rrëmbehen fëmijë për trafikim organesh dhe është e vështirë të përcaktosh se cili është më monstër: rrëmbyesi barbar që e sheh njeriun si një copë mishi për ta shitur, apo i qytetëruari, që paguan e pranon të transplantojë organe, burimi i të cilëve është i paidentifikuar. Këto nuk i them për lehtësim përgjegjësie, por për të ndihmuar racionalitetin. Akuza është e rëndë sigurisht, por refuzimi për hetimin e saj është edhe më e rëndë, pasi është njëlloj sikur ta mbajmë përbindëshin brenda nesh, në vend që ta nxjerrim jashtë e dënojmë. Ky refuzim na bën bashkëfajtorë të gjithëve dhe besoj se shumica e shqiptarëve nuk duan të ndihen të tillë në këta krime. E jo vetëm, por të jetosh me dyshimin se ke në krye të vendit kriminelë të këtij kalibri, do të thotë për çdo shqiptar të jetojë i kërcënuar, pasi sikurse ka thënë Davidi dhjetëmijë vjet para Krishtit “Abyssus abyssum invocat” (humnera ndjell humnerën). (Panorama, 22 dhjetor 2010)
Wednesday, December 22, 2010
Pse refuzohet raporti i Dick Martit
Tuesday, December 21, 2010
Wikileaks dhe Dick Marty
Në Shqipëri është folur më pak se kudo për WikiLeaks, por është folur e debatuar megjithatë mbi kundërthëniet e aktit të Assange. Të tjera dokumente që pritet të dalin edhe mbi Shqipërinë ndoshta do ta rindezin debatin, por ky tashmë është eklipsuar nga raporti i Dick Marty-t me akuzat mbi krimet e UÇK-së, me në krye Hashim Thaçin, në mbarim të luftës në Kosovë, si dhe mbi kapjen e shtetit nga krimi i organizuar atje, ashtu sikurse edhe për mosbashkëpunimin e qeverisë shqiptare për hetimin e akuzave ndaj Thaçit e njerëzve të tij. Të dy ngjarjet duken si krejt pa lidhje me njëra-tjetrën, por kanë disa pika interesante kontakti, sipas meje. Së pari, pasi të dyja kanë të bëjnë me informacione që i jepen publikut mbi atë se çka bëjnë të pushtetshmit, ndonëse debati mbi Assange është më i komplikuar, do të thoja, pasi veprimi i tij nuk vjen nga institucione në pushtet që japin informacion mbi pushtete të tjera, si raporti i Dick Marty-t. Së dyti, kanë lidhje me njëri-tjetrin, sipas meje, sepse ato që ka zbuluar Assange, në një farë kuptimi na tregojnë se çfarë ndodh në prapaskenë derisa gjërat dalin në skenë, siç doli Marty, por edhe pse nganjëherë ato nuk dalin asfare në skenë.
Personalisht bëj pjesë ndër ata që, ndonëse njohin faqet e rrezikshme të aktit të Assange, e konsiderojnë pozitive punën e WikiLeaks, pasi e shoh si një akt që e ndihmon demokracinë, duke u dhënë më shumë pushtet njerëzve në kontrollimin e përfaqësuesve të vet. Tek e fundit, demokraci do të thotë pushtet i popullit dhe, nëse pranojmë se një instrument i rëndësishëm i pushtetit është zotërimi i së vërtetës, atëherë në sa më shumë mendje të jetë e vërteta, aq më shumë demokraci kemi; kurse në sa më pak mendje të jetë kjo, aq më pak demokraci kemi. Thënë kjo, duhet shtuar se, sigurisht, ashtu sikurse ndodh me demokracinë në përgjithësi, kjo situatë nënkupton edhe më shumë kompleksitet, prandaj dhe më shumë vështirësi menaxhimi - shpesh ky menaxhim krahasohet me atë si të bësh muzikë me një orkestër dhe jo me një instrument të vetëm. Dikush do të thotë se një shtet si SHBA-ja nuk mund të konsiderohet si një shtet që vepron kundër interesave të popullit të vet, prandaj s’ka pse të zbulohen gjëra që ai shtet, për të mirë të popullit të vet, i gjykon se duhet të jenë sekrete. Ashtu është, por edhe s’është. Së pari, pasi duket ende e largët, në mos e paarritshme, dita kur shtetet do të realizojnë atë idealin kur të konsiderohen se gëzojnë besim të plotë për të mos u kontrolluar nga qytetarët e tyre. Ndoshta ai lloj shteti do t’i përkiste një tjetër lloj sistemi nga ky që sot e quajmë demokraci, e cila është e bazuar mbi qasjen antropologjike që e konsideron njeriun si të papërsosur, madje me prirje për të abuzuar me pushtetin, prandaj dhe duhet kontrolluar. Së dyti, pasi botimi i këtyre dokumenteve edhe pse mund të jetë kundër interesave të shtetit e popullit amerikan, mund të jetë në favor të interesave të popujve të tjerë, pasi dihet përsëri se nuk e kemi arritur ditën kur të gjithë shtetet të punojnë në harmoni me njëri-tjetrin për të mirën e të gjithë popujve të tyre. Ka pasur jo pak raste kur interesat e shtetit amerikan, që mund të kenë qenë (por edhe mund të mos kenë qenë) edhe të popullit amerikan, mund të jenë përputhur me interesat e pushtetarëve të vendeve të tjera, por jo me interesat e popujve të këtyre vendeve.Këto konsiderata të përgjithshme mbi WikiLeaks i kam shprehur edhe më parë me median elektronike dhe nuk do të isha ulur të shkruaja sikur rasti të mos më sillte të lexoja një faqe të tërë të “Le Monde” me titull “Diktatura dhe Mafia e Azisë Qendrore” (14 dhjetor 2010), që u referohej materialeve të nxjerra nga WikiLeaks, i cili më tërhoqi vëmendjen në mënyrë të veçantë e më bindi edhe më fort për dobishmërinë e kurajos së Assange. Dhe nuk është se e nxora këtë përfundim pa lidhje me realitetin shqiptar. Përkundrazi, pikërisht në lidhje me të, madje dalja e raportit të Marty-t në të njëjtën kohë sikur ma ilustroi atë që po mendoja. Le të shpjegoj me pak rreshta se çfarë shkruante “Le Monde” bazuar mbi dokumentet e WikiLeaks: Fillonte me materiale të Ambasadës Amerikane në Baku të Azerbajxhanit. “Interlokutor qendror dhe prioritar për SHBA-në” e cilëson ambasadori në një dokument të vitit 2008 këtë vend; “aleat në luftën kundër terrorizmit”, “partner vendosmërisht laik dhe pro amerikan në një zonë të kërcënuar nga islami radikal”. Por, vini re, nga ana tjetër, ai raporton edhe për mungesë të demokracisë dhe korrupsion e abuzime të mëdha të pushtetit në Azerbajxhan. Në një telegram të vitit 2009, ambasadori flet për presidentin Ilham Aliev, duke e quajtur Majkëll Korleone (padrinoja i famshëm i filmit me famë) për të cilin thotë se me të huajt paraqitet si një kozmopolit, kurse brenda vendit po bëhet gjithnjë e më autoritar. Në dokumentet për Uzbekistanin, protagoniste na del e bija e Presidentit të vendit, Karimova: “një person i etur për para e për pushtet, që përdor të atin për të shkatërruar biznesmenët e tjerë që i dalin në rrugë.” Lidhur me Kazakistanin, ambasadori amerikan atje raporton një bisedë që ka bërë gjatë një darke kokë më kokë me një drejtues të lartë kazak, i cili i ka thënë: “Kapitalizmi - siç e quani ju ekonominë e tregut - do të thotë shumë para. Dëgjomëni mua, të gjithë ata që kemi lart janë të marrë fund. Janë të marrë fund për shkak të mentalitetit sovjetik që kanë; janë të marrë fund edhe për shkak të teprimeve korruptive të kapitalizmit. E dini ç’thonë? Përderisa edhe ata të Goldman Sachs fitojnë 50 milionë dollarë në vit dhe udhëheqin pastaj ekonominë amerikane, ç’ndryshim ka me këtë që bëjmë ne këtu?” Kurse lidhur me Kirgistanin, “Le Monde” shkruan se atje ka një bazë amerikane në të cilën rifreskohen trupat e Afganistanit. Aty ka pasur trazira të mëdha kohët e fundit, që kanë sjellë edhe vdekjen e shumë personave, për të cilat është akuzuar edhe i biri i presidentit Bakiev, një njeri i fuqishëm në vend. Ambasadorja amerikane ha një drekë të përzemërt me këtë njeri, gjatë së cilës ky i flet për makinacionet e rusëve - sipas lojës që ka bërë edhe i ati për të përfituar nga të dy palët. Por ambasadorja nuk e ha sapunin për djathë: “Malinj i shkolluar mirë” e quan këtë personazh në raportin që dërgon, por ndërkaq shkruan: “Nëse marrëdhënia me këtë njeri do të trajtohet me kujdesin e duhur, ne mendojmë se mund të nxjerrim përfitime prej saj” - paçka se në analizat që i dërgohen Departamentit të Shtetit shkruhet edhe se “korrupsioni i gjithëpërhapur në të gjitha nivelet e qeverisjes është pengesë për zhvillimin ekonomik.”Mua më duket se mjafton një “NO COMENT” për t’i mbyllur këto radhë. Besoj se nuk ka shqiptar në Shqipëri e në Kosovë - nuk e kam fjalë për ata që janë në pushtet, por për shumicën që vuan prej pushtetit - që, duke lexuar këto që shkruan “Le Monde”, mbështetur mbi dokumentet e WikiLeaks, të mos nxjerrë përfundime të mençura për vendin e vet dhe të mos falënderojë për këtë edhe guximin e Assange. (Panorama, 18 dhjetor 2010)
Saturday, December 18, 2010
Mbi lëvizjen studentore dje dhe sot
Me rastin e përvjetorit të lëvizjes studentore të dhjetorit 1990 është hapur një diskutim - më shumë nëpërmjet internetit sesa në mediat elektronike e të shkruara, - që ve në diskutim çështjen nëse lëvizja studentore lindi spontanisht apo ishte një lëvizje e manipuluar apo instrumentalizuar nga të tjerë. Më tërhoqi vëmendjen artikulli i Shinasi Ramës, një ndër protagonistët e asaj lëvizjeje, i cili zhvillonte idenë se lëvizja studentore u manipulua dhe u stimulua nga regjimi i cili kishte dëshpërimisht nevojë për ndryshime (sipas gjithë të dhënave pasi nuk mund të mbijetonte më ekonomikisht) e, meqënëse nuk pati shumë sukses me intelektualët pseudodisidentë të takimit me Ramis Alinë, të cilët ishin shumë të trembur, vuri në lëvizje studentët. Por artikulli nuk kishte ndonjë dokument apo dëshmi të re të zbuluar, ishte thjesht një opinion mbështetur në kujtimet e autorit, ashtu sikurse ishin të tilla edhe përgjigjet e atyre që i mëshonin mitit tashmë të krijuar mbi atë lëvizje si një nga momentet e lavdishme të rinisë studentore shqiptare.Për historinë thuhet se nuk është shkencë ekzakte që shkruhet në mënyrë objektive pasi gjithmonë në të ka një aspekt subjektiv; se atë e shkruajnë fitimtarët e se, se po ta shkruanin luanët e jo gjahtarët e tyre, do të ishte ndryshe. E megjithatë, ekzistojnë disa të vërteta që nuk mund t'i mohojnë asesi historianët. Janë ato që mund të quhen të vërteta faktike, që provohen me dokumente apo me dëshmitarë ngjarjeje të cilat sigurisht mund të kenë interpretimet e tyre, por që gjithsesi janë fakte. Ndërkaq ne, sikurse e kam thënë edhe herë tjetër, nuk jemi në fazën e shkrimit të historisë lidhur me këtë epokë të afërt, (e jo vetëm) por në atë të memuaristikës, e cila është shumë më subjektive, shumë më e ngarkuar me emocionet e të sotmes, pasi ajo është pjesë e jetës së të sotmes, e manipulimeve, politizimeve, interesave të caktuara të individëve apo të grupve të ndryshme, që e tregojnë apo mbajnë mend ndryshe të njëjtën ngjarje. Madje që edhe i mbitheksojnë apo i fshehin disa fake.
Personalisht kam qenë në burg ato kohë dhe nuk mund të them asgjë lidhur me atë nëse dritat në konviktet e studentëve në atë dhjetor u fikën nga dikush në mënyrë që të fillonte instrumentalizimi (një pjesë thonë nga pushteti, por ka edhe që thonë nga të huajt) apo ndodhi që u fikën vetë për t'u bërë kësisoj pika që derdhi kupën e revoltimit të studentëve tanë. Pa dyshim i kam dëgjuar më pas të dy versionet dhe kam pikëpyetjet e mia. Mungesa e dëshmive të sinqerta të gjahtarëve të asaj kohe e vështirëson këtë punë. Kësisoj, sot për sot mund të them se mbetem në dyshim, por, në rrekjen për t'u dhënë përgjigje këtyre pikëpyetjeve, gjykoj se është e arsyeshme të ngrihet edhe kjo pyetje: A mund ta kërkojmë të vërtetën e një ngjarjeje të së kaluarës, të cilën nuk e kemi jetuar, duke u nisur nga ajo që shohim të kenë bërë më pas protagonistët e saj; apo kjo mund të na çojë në përfundime të gabuara pasi një akt i mëparshëm dhe një akt i mëvonshëm i një njeriu apo grupi njerëzish nuk mund të jenë shprehje e të njëjtit thelb, pasi edhe vetë ata mund të ndryshojnë? Për shembull: a mund të gjykojmë se çfarë kanë qenë e si janë motivuar komunistët gjatë luftës Nac-Çlirimtare duke u nisur nga diktatura që ndërtuan më pas? Ose, le të vijmë pak më pranë dilemave që ngre një ngjarje si ajo e studentëve. Ne kemi një numër personazhesh nga ata që kanë inspiruar apo drejtuar lëvizjen studentore të cilët janë debatur mjaft lidhur me të kaluarën e tyre në periudhën komuniste. Është debatuar shumë psh. për Kadarenë - i cili thuhet se me ikjen e tij e përshpejtoi lëvizjen studentore në vitin 90 - nëse ka qenë apo jo kundërshtar i regjimit. Pyetja që po shtroj është: a mund të gjykojmë nga fakti se si është sjellur ky në këta njëzet vjet tranzicion në raport me të pushtetshmit e pas komunizmit, si Sali Berisha, Fatos Nano, Ilir Meta apo Edi Rama, për të thënë nëse ka qenë apo jo disident në kohën e Hoxhës e për të nxjerrë natyrën e ikjes së tij në Francë? E njëjta pyetje mund të shtrohet për Sali Berishën. A mund të gjykojmë nga sjelljet e Sali Berishës në pushtetin pas komunist për atë nëse ky ka qenë komunist i moderuar liberal, siç deklaroi edhe disa ditë më parë, apo nga ata që në vitet ‘70 grisnin pantallonat e studentëve siç e akuzojnë të tjerë, për të kuptuar, kësisoj, edhe bashkimin e tij me studentët më 1990? Po Edi Ramën, a mund ta gjykomë nga sjelljet e tij të mëpasshme ndaj ish kryeministrave që e kanë pasur në vartësi për të thënë nëse ka qenë një njeri që i vardisej bllokut për t'u ngjitur lart, siç thonë disa, apo një rebel brenda familjes komuniste siç thonë të tjerë, që të kuptojmë më mirë edhe angazhimin e tij në atë kohë?
Duke e ekstrapoluar pyetjen nga individi tek grupi ajo mund të shtrohet kështu: a mund të gjykojmë nëse lëvizja studentore ishte spontane apo e manipuluar duke u nisur nga ajo që pamë të bëjnë më pas shumë nga protagonistët e saj, madje në këtë rast edhe duke parë se si sillen studentët e sotëm?
Më duhet të them se ky refleksion nuk më lindi thjesht duke ndjekur debatet mbi lëvizjen studentore të 90-tës, por edhe duke parë studentët londinezë që i vunë flakën Londrës gjatë protestave të fundit kundër rritjes së kostos së studimit. Pyetja që më lindi duke parë ata që herë pas here i shoh të veprojnë kështu ishte: a mund të ndodhë që një traditë studentore e zjarrtë të shuhet pa lënë gjurmë, aq sa sot nuk i shkon ndërmend kujt se studentët tanë mund të bëhen protagonitë ndryshimi në këtë vendin tonë? Dhe kërkimi i përgjigjes së kësaj pyetjeje afërmendsh nuk mund të mos më çonte tek ideja se ajo lëvizje ka qenë e manipuluar nga të tjerë. Por deri në një farë pika ama, se po të ishte se studentët mund të manipulohen sa herë t'ua dojë qejfi manipulatorëve atëhere do të kishim edhe sot greva urie studentësh.
E vërteta pra është komplekse. Njerëzit në zgjedhjet e tyre mund të kryejnë akte të mira ose të këqija, ata janë akti i tyre në momentin e dhënë, nuk se kanë një thelb të tyrin të keq apo të mirë - thonë ekzistencialistët. E vërtetë. Por është po ashtu e vërtetë se shpesh këto zgjedhje nuk janë të lira, por të kushtëzuara apo determinuara nga një ambjent ku jetojmë, nga një kulturë me të cilën jemi rritur e formuar gjithashtu - do të kundërpërgjigjeshin strukturalistët.
E vërtetë edhe kjo. Nuk e mohojmë dot se shumë zgjedhje që bëjmë në jetë janë produkt i një presioni të opinionit apo të kodeve morale me të cilët jemi edukuar. Tek e fundit edhe historinë për këtë duam ta njohim që të mund të kuptojmë më mirë këta kode e këtë kulturë që na ka drejtuar e ndoshta vazhdon të na drejtojë për mirë a për keq.
Nuk po shtyhem më tej në filozofimin mbi këtë kundërthëne. Me dy fjalë, ashtu sikurse gjykoj sot me këtë mendjen time, që më thotë se vërteta nuk është kurrë e thjeshtë dhe as e pastër (Oscar Wilde), e që pa dyshim, ka limitet e veta të njohjes, më rezulton se kundërthënia midis njeriut të lirë për të zgjedhur dhe njeriut të kushtëzuar nga ambjenti e kultura kur zgjedh e vepron nuk zgjidhet, por jetohet ashtu sikurse edhe ajo midis njeriut si qënie individuale dhe njeriut si qënie sociale. Vetëm duke e jetuar, jo duke e zgjidhur këtë kontradiktë, mund të jemi më afër asaj që quhet liri, kurse, nëse tentojmë ta zgjidhim duke vendosur për njërën apo për tjetrën mund ta humbasim lirinë tonë. Me fjalë të tjera, ajo çka mund të bëjmë sot mund të jetë rezultat i një personaliteti të formuar në një ambjent dhe kulturë të dhënë, çka mund të quhet një thelb i krijuar i yni gjatë jetës, por mund të jetë edhe akt rebelimi ndaj këtij ambjenti dhe asaj kulture, çka tregon se ky thelb nuk është i gjithpushtetshëm dhe se ne dijmë ta distancojmë veten tonë prej tij. E kjo aftësia për t'u distancuar nga pushteti i një kulture të dhënë në një kohë të dhënë, për ta parë atë me sy kritik, edhe për ta mohuar, bëhet edhe ajo kulturë që zhvillohet përditë duke u ndare me te tjeret e duke na e rritur gjithnjë e më shumë lirinë si individe për ta ndryshuar ate vete neser dmth. edhe boten.
E çfarë mund të themi për studentët tanë të djeshëm dhe të sotëm pas gjithë kësaj? Se kjo kulturë ne na ka munguar shumë e vazhdon të na mungojë. Sjelljet e mëvonshme të studentëve të dhjetorit 90 dhe ato të pasardhësve të tyre më bëjnë të mendoj më shumë se ata kanë qenë të manipuluar me teknikat e kulturës së vjetër sipas së cilës rinia është levë e partisë, çka do të thotë se nuk kanë qenë të lirë e autonomë në zgjedhjen e tyre në kuptimin që i dhashë më sipër lirisë. Fakti që edhe lëvizje të mëvonëshme rinore si Mjafti psh. u iniciuan nga të huaj dhe u instrumentalizuan nga partia e të rriturve, tregon për mbizotërimin e kësaj kulture të vjetër që determinon veprimet e rinisë sonë. Që të kemi lëvizje studentore autonome, të painstrumentalizuar nga një autoritet superior ne na duhen shembuj individësh apo grupe individësh që të jenë të aftë që me vullnetin e tyre të lirë të sfidojnë kulturën e vjetër që i kushtëzon të mbeten leva të partisë e po ndodhi kjo këta do të çelin nesër kapituj të rinj në kulturën tonë që do t'ua lenë trashëgim brezave më të rinj në mënyrë që edhe shoqëria jonë të fillojë të shpresojë tek rinia. (Panorama, 15 dhjetor 2010)
Friday, December 10, 2010
Pa përgjegjësi s'ka solidaritet
Gjatë këtyre ditëve të përmbytjes, mazhoranca në pushtet, kryesisht PD, por me një rol mjaft aktiv të LSI-së, i ka mëshuar shumë, nëpërmjet zëdhënësve të ndryshëm, një retorike sipas së cilës duhet të ndjehet fajtor cilido, që në vend se të ndiejë keqardhje të sinqertë për të përmbyturit e të solidarizohet me të gjithë ata, që me në krye qeverinë po merren me aksionin e ndihmës ndaj tyre, gëzohen thellë- thellë për këtë që ndodhi, pasi kështu mund të bëjnë namin kundër qeverisë, duke theksuar përgjegjësitë e saj. “Politizim i fatkeqësisë” e quajnë. Kryesisht këto akuza i drejtohen opozitës, por nuk mund të mos ndihet presioni edhe ndaj zërave të tjerë, tek të cilët fus edhe veten. Mirëpo le të imagjinojmë për një çast se çfarë do të ndodhte sikur në gjithë këtë “fatkeqësi” - të stërparalajmëruar sipas meje - të mos dëgjonim asnjë fjalë nga aktorët politikë e mediatikë, për përgjegjësitë e maxhorancës. A nuke do të tingëllonte si shumë komuniste kjo: të gjithë nën udhëheqjen e partisë të mobilizuar për kapërcimin e fatkeqësisë. Jam i bindur se kësisoj do të mbetej e papërfaqësuar ajo pjesë e madhe e popullsisë, që e shikon me ndjenjë revoltimi ndaj politikës këtë përmbytje. Maxhoranca duhet ta dijë se njerëzit janë të revoltuar, shumë të revoltuar. Dhe jo thjesht e vetëm për atë që nuk është bërë në Shkodër, por sepse tek ajo që nuk është bërë në Shkodër njerëzit shohin edhe atë që nuk është bërë ndaj pritshmërisë së tyre. Dhe këtë revoltë e bën edhe më të fortë fakti se, më anë tjetër, shohin politikanët tanë të tunden e shkunden nëpër televizore duke folur për suksese, ndërkohë që thjesht pasurohen e majmen duke projektuar buxhete për t’u pasuruar e majmur edhe më tej. A kanë ata të drejtë të na flasin për solidaritet, kur me tërë sjelljen e tyre morale dhe politike kanë treguar se nuk e njohin këtë fjalë? Në këtë kuptim ndihen të përmbytur shumica e shqiptarëve: edhe pensionistët që jetojmë nën kufirin e varfërisë, edhe ish të persekutuarit, të cilëve nuk u është dhënë dëmshpërblimi i premtuar, edhe pedagogët e universitetit që nuk kanë marrë ende rrogat që u takojnë, edhe ata që e kanë gjithnjë e më të vështirë të gjejnë punë pa qenë militantë partiakë, edhe ata që vazhdojnë të paguajnë ryshfete të majme nëpër administratë për të zgjidhur punët e tyre, edhe ata që po u falimentojnë bizneset për shkak të klientelizmit të pushtetarëve, edhe ata që duhet të paguajnë nën dorë nëpër spitalet që janë në gjendje mizerabël, e me radhë e me radhë... Pra, ndjenja e revoltës, ndjenja e nevojës për të ndëshkuar përgjegjësit njerëzorë të përmbytjes është shumë e fortë këto ditë dhe të kërkosh të mos shprehet ajo në emër të solidaritetit, është të refuzosh çdo lloj përgjegjësie, madje do ta quaja edhe një formë dhune verbale. Janë të gjalla si sot imazhet e Gërdecit. Edhe shpërthimi i tij vrastar u tentua të shitej si fatkeqësi, si pakujdesi e ndonjë individi, madje atje pamë edhe solidaritetin e Edi Ramës me Sali Berishën. Por shumë shpejt doli se përgjegjësitë ishin të mëdha dhe se solidariteti paskësh qenë me baza kriminale, pasi autorët e shpërthimit ishin bashkëshokë të maxhorancës dhe të opozitës bashkë. Prandaj, ata që mendojnë apo kanë menduar se mund t’u krijojnë njerëzve një realitet tjetër virtual, nëpërmjet një imazhi solidariteti, krejt pa lidhje me atë që jetojnë, duhet të dinë se pikërisht në ditë të tilla, kjo perde bie për ta nxjerrë krejt lakuriqësinë e mbretit dhe të oborrtarëve të tij.
Sigurisht, duke pasur parasysh edhe Gërdecin, nuk mund të mos ngresh pyetjen: a ka ndonjë dallim midis atyre që ndihen të revoltuar, sepse kërkojnë ndryshim, sepse kërkojnë të dalin përgjegjësitë, në mënyrë që tragjedi të tilla të mos përsëriten dhe atyre që kërkojnë ta instrumentalizojnë këtë revoltë për qëllime pushteti, e që pastaj, sapo hipin në karrige, harrojnë ndryshimet e premtuara, harrojnë edhe emrat e atyre që kanë akuzuar (apo thonë se i kanë akuzuar thjesht e vetëm për qëllime elektorale)? Pa dyshim ka. Dallimi kryesor është se shumica e të revoltuarve të kësaj përmbytjeje, që mban mbi kurriz një mori mashtrimesh nga të dy palët, nuk bën ndonjë dallim të madh midis maxhorancës dhe opozitës, si përgjegjës kryesorë për fatkeqësitë e vazhdueshme. Shumica janë të vetëdijshëm se opozita lufton thjesht e vetëm për të ndryshuar shoferin e të njëjtës makinë, që do të vazhdojë të njëjtën rrugë drejt përmbytjes së radhës. E megjithatë, kjo s’do të thotë se maxhoranca në pushtet s’paska nevojë të dëgjojë të flasë njeri për përgjegjësitë e saj, në emër të solidaritetit. Po ashtu, kjo s’do të thotë se ajo s’ka nevojë të dëgjojë, qoftë edhe nga zëri i opozitës, propozime se çfarë duhet bërë, si ato që ajo artikuloi këto ditë: se duhet riparë buxheti i vitit 2011, se duhen adresuar disa fonde për parandalimin e përmbytjeve, se duhet miratuar një moratorium minimalisht tre vjeçar për mosshfrytëzimin e shtretërve të lumenjve dhe të pyjeve, se duhen bërë ndryshime në Kodin Penal për veprat e dënueshme lidhur me cenimin e pyjeve, të lumenjve dhe mjedisit; se duhen ngritur struktura shkencore që do të studiojnë çfarë duhet bërë për të parandaluar kthimin e mëtejshëm të vendit në kënetë.
E vërteta që vonon por s’harron, e që shpesh e gjen mënyrën për të dalë në dritë edhe nëpërmjet punësh të mbrapshta, është e mira të mos vonojë aq shumë, pasi sa më të mëdha vonesat, aq më të mëdha dëmet. E këtu duhen thënë dy fjalë për dy mungues të mëdhenj në këtë sistemin tonë politik, që vetëm demokraci s’më bën zemra ta quaj. Mund ta quajmë edhe përmbytjekraci. E kam fjalën për pushtetin mediatik dhe pushtetin gjyqësor. Sikur të funksiononin ata, siç duhet të funksionojnë në një demokraci dhe jo siç funksionojnë në këtë përmbytjekraci, ne nuk do të kishim përmbytje të tilla si ajo e Shkodrës dhe as si ato të tjerat që përmenda. Sepse, tek e fundit, problemi ynë nuk është se nuk e dimë se cilët janë përgjegjësit e përmbytjes, madje këtë e dinë edhe vetë përgjegjësit, problemi ynë është se nuk i kemi këta dy instrumente për t’i vënë përpara përgjegjësisë ata, pasi ai i medias s’ka kredibilitet, sepse konsiderohet në shërbim të njërës apo tjetrës parti politike, kurse ai i gjyqësorit ia ka harruar emrin politikanëve në pushtet. Sikur këta të kishin njohur e gjykuar përgjegjësitë, atëherë do të kishim edhe më shumë solidaritet. (Panorama, 10 dhjetor 2010)
Friday, December 3, 2010
Fatkeqësi, por jo natyrore
Kur përmbytet Tirana nga shirat e rrëmbyeshëm kemi dëgjuar shumë shpesh përfaqësues të maxhorancës dhe media afër saj të deklarojnë se kjo vjen për shkak të papërgjegjshmërisë të kryebashkiakut socialist, që s’ka bërë kanalizime, që ka betonizuar kryeqytetin, që merret me lejet e veta të ndërtimit etj., etj. Nga ana e vet përfaqësuesit socialistë që qeverisin Tiranën s’kanë marrë kurrë ndonjë përgjegjësi për këto përmbytje, por ia kanë lënë gjithherë, me heshtje apo me prononcime, fatkeqësisë natyrore. Tani që po përmbytet Shkodra dëgjojmë se kjo maxhoranca e përgjegjësive njerëzore në Tiranë po na thotë se përmbytja e Shkodrës është fatkeqësi natyrore dhe, nga ana tjetër, dëgjojmë opozitën e fatkeqësive natyrore në Tiranë të akuzojë se kjo e Shkodrës është papërgjegjshmëria e qeverisë së njerëzve të korruptuar.
Po ç’thonë njerëzit për këtë përmbytjen e fundit si vazhdë përmbytjesh? Që kjo e Shkodrës nuk është fatkeqësi thjesht natyrore e provon fakti se përmbytje në Shkodër po kemi përvit tashmë. Fatkeqësia, kur bëhet e përvitshme, nuk quhet natyrore, por e paralajmëruar, e për kësi fatkeqësish merren masa. Njerëzit që kanë pak kujtesë thonë edhe se, ndërkohë që hidrocentralet janë ndërtuar që në kohën e regjimit, nuk kemi parë apo dëgjuar asokohe për përmbytje të tilla. Pra, diçka “njerëzore” bënte asokohe regjimi, që s’kishte të tilla “fatkeqësi natyrore”. E këto “diçkara njerëzore” duhen bërë përsëri, madje shumë më mirë dhe jo të mos bëhen fare. E dyta që thonë njerëzit e thjeshtë është se, nëse ka njerëz që kanë ndërtuar në vende që parashikoheshin si zona rreziku, shteti duhet të kishte gjetur me kohë mënyrat për t’i zhvendosur këta në mënyrë që të mos dëgjonim më për gra që mbeten të izoluara dhe u vdes fëmija në bark, për barka të improvizuara shpëtimi apo evakuime urgjente me mobilizim të ushtrisë në zona të tilla. Taksapaguesi shqiptar ka të drejtë të thotë se nuk jep asnjë lek ndihmë më për raste të tilla.Mirëpo, teksa bëjmë këto diskutime duke parë përmbytjen e rradhës nuk mund të mos na vijnë ndërmend skenat e maskaradës që pamë në Parlamentin shqiptar para disa ditësh ku, të mbledhur për të diskutuar buxhetin, deputetët tanë s’bënë gjë tjetër, deri afro në agim, por veçse u shanë ndërsjelltazi për vjedhje e korrupsion e vetëm për analizë buxheti nuk folën. E ndër tjera nuk mund të mos sjellësh ndërmend se nuk pamë e dëgjuam që në atë buxhet të kishte ndonjë zë të rëndësishëm për investime për pengimin e përmbytjeve në Shkodër dhe, po ashtu, nuk pamë e dëgjuam ndonjë deputet të opozitës të zonës së Shkodrës të ngrihej e të protestonte për këto mungesa në buxhet.Tani vjen përmbytja e njëra palë fillon a akuzon kurse pala tjetër thotë “fatkeqësi natyrore”.Që fatkeqësia nuk është natyrore, por politike, njerëzore dmth. që ka të bëjë me atë që njerëzit e thjeshtë i dëgjon shpesh të thonë: “ç’është kjo fatkeqësi që na ka gjetur ne që na kanë rënë këta politikanë për hise” këtë e dinë edhe kafshët e përmbytura të asaj zone e jo më njerëzit. Debati mund të zhillohet në nivel filozofik mbi atë se sa kjo fatkeqësi është një rastësi dhe sa është e determinuar nga vetë niveli kulturor e moral i popullit tonë heroik e liridashës. E në këtë aspekt do të thoja se me siguri duhet thënë se, ashtu si fatkeqësia e përmbytjes që nuk është vetëm natyrore dmth. rastësore, por edhe njerëzore, ashtu edhe kjo fatkeqësi politike nuk është vetëm rastësore, por ka të bëjë edhe me nivelin e njeriut tonë demokratik. Dhe kur themi “njeriu” kam parasysh faktin se ai ka në dorë të bëjë të mundurën për të evituar fatkeqësitë, apo për t’i parandaluar ato, apo për t’i pakësuar ato. Dhe nuk ka pikë dyshimi se, ashtu sikurse për evitimin e përmbytjeve në Shkodër ka pasur shumë gjëra për t’u bërë, ashtu edhe ndaj kësaj fatkeqësisë tjetër njerëzore ka shumë gjëra për t’u bërë.E ndërsa shkruaj këto rradhë, më vjen ndërmend se në buxhet parashikohen miliarda për të hapur një tunel të gjatë e të gjerë në Krrabë që (thonë këta të pushtetit) elbasanasit të vijnë për 30 minuta (jo për një orë) në Tiranë. Dhe pyes me vete: e ç’kuptim ka që elbasanasit të vijnë një gjysëm ore më herët në Tiranë ndërkohë që ti ke njerëzit që po të përmbyten vit për vit në Shkodër? Apo se mos ka punë në Tiranë? Mirëpo arësyeja e mosarësyes së fatkeqësisë së politikanëve tanë nuk thotë kështu. Dhe këtu, tek e fundit, kthehemi përsëri tek pyetja: çfarë mund të bëjmë që ta evitojmë këtë fatkeqësi njerëzore, ose që të pakësojmë dëmin e saj? Me fjalë të tjera: ka njëzet vjet që na përmbytet Parlamenti e qeveria me të paaftë, të korruptuar e të babëzitur, çfarë mund të bëjmë për ta parandaluar këtë? Personalisht mendoj se ka shumë më tepër shans të bëhet ndonjë gjë për të evituar përmbytjet në Shkodër sesa për të evituar këto përmbytjet në Parlament.Kaq. Nuk po jap ndonjë zgjidhje nga ato që lexuesi pastaj të më thonë: analizën e ke bërë mirë, por zgjidhjen e ke dhënë të dobët.Mirëpo, ndërsa shkruaj, më bëhet sikur i dëgjoj ata lexues që do të thonë: prap po një fyelli pesimizmi po i bije ky Lubonja, nëse ke ndonjë zgjidhje thuaje, përndryshe mos na shkruaj gjëra që i dimë sa për të na deprimuar edhe më. I shtrënguar nga ky zë, duke e lodhur mendjen për ndonjë zgjidhje optimiste, pasi e lexova edhe një herë që nga fillimi e në fund shkrimin deri këtu dhe vërtet pashë se shumë gjëra janë thënë e stërthënë jo vetëm nga unë, më në fund më erdhi ideja e zgjidhjes: Pse të mos bëjmë dy parlamente? Një parlamet që është ky që është, që sheh interesat private të politikanëve dhe oligarkëve që janë këta që janë, që bëjnë buxhetet e përcaktojnë prioritetet sipas interesave të tyre; dhe një parlament tjetër që të shohë interesat e njerëzve si puna e atyre që përmbyten në Shkodër e jo vetëm. Unë jam i sigurt që, po të hidhet në referendum, kjo ide do të miratohet nga shumica e njerëzve. Gjithë duke e zhvilluar këtë ide më del se i bije që të kemi edhe dy polici edhe dy gjyqsorë edhe dy lloje mediash, deri edhe dy kryeqytete. Dmth gati si të krijojmë një shtet të ri. E meqë siç dihet shpesh shtetet fillojnë nga përcaktimi i kryeqyteteve unë propozoj që kryeqytet i këtij shtetit të dytë shqiptar të bëhet… le ta mendomë pak… Përfundimish më del se duhet të themelojmë një kryeqytet të ri dhe ta quajmë “Fillimngazero”. Parlamenti në “Fillimngazero” rrëzoi qeverinë me mocion mosbesimi për shkak të përmbytjeve në Shkodër. Çfarë lajmi i bukur! I ftoj lexuesit ta votojnë propozimin tim. (Panorama, 3 dhjetor 2010)
Subscribe to:
Posts (Atom)
-
Në Bibël ka një pasazh që është komentuar shumë: ai ku përshkruhet çfarë ndodhi në momentin para se Kaini të vrasë Abelin. Komentohet fakti...
-
Në mbyllje të 2005-sës, vit të cilin, në petkun e gazetarit, e kam ndjekur hap pas hapi me shkrime, kryesisht mbi jetën dhe zhvillimet polit...
-
Një her ë e një koh ë e kam dashur edhe unë Vaçen, por më duhet të them se kjo i përket periudhës së jetës kur njeriu ende beson tek m...