Kryeministri nxitoi të na qetësojë që nga SHBA lidhur me tronditjet e fundit të tërmetit ekonomik dhe politik që ka përfshirë Europën dhe SHBA, me epiqendër kaq afër nesh, Greqinë. Madje ai tentoi të na japë edhe një faqe pozitive të kësaj krize: shqiptarët që kanë humbur punët në Greqi apo Itali po kthehen në Shqipëri dhe po i investojnë në vendin e tyre kursimet që kanë bërë në këto vende. Është e vërtetë se nuk pritet nga një kryeministër të bëjë të dëshpëruarin, por nuk pritet as të lëshojë deklarata të tilla që të lënë shijen e një politike struci, që mund të na çojë në një gjendje edhe më të dëshpëruar se ç’jemi kur të na vijë vala goditëse. Sipas meje, çështja e krizës greke, në kontekstin e asaj europiane, meriton të shtrohet fort në Shqipëri si në kontekstin e asaj se mund të na përfshijë në terma afatshkurtër, ashtu edhe në terma më afatgjatë.
Tri janë fjalët që lakohen më shumë në këtë ditë në mediat e huaja: deficiti, borxhi shtetëror dhe default (falimentimi). Lidhja midis tyre, e thjeshtëzuar, është kjo: një shteti i duhen para për të kryer tërë ato që quhen shërbime, duke filluar që nga investimet në rrugë, arsim, shëndetësi e më the të thashë, deri në pagimin e rrogave punonjësve të administratës, mësuesve, pensionet etj. Që të sigurojë këto para i duhet të mbledhë taksat dhe tërë ato detyrime që kanë shtetasit, çka nënkupton se, edhe në sajë të investimeve që bën shteti, në vend duhet të prodhohet mall që sjell para. Në pamjaftueshmëri të këtyre parave (diferenca midis shifrës që i duhet dhe shifrës që ai mund të mbledhë quhet deficit) shteti merr borxhe, të cilat kanë një koeficient interesi që varet edhe nga ajo se sa kredibilitet ka huamarrësi. Ajo që ka ndodhur në vende si Greqia (por dhe Italia e gjetkë), është se ky borxh është rritur duke mbërritur në shifra alarmante. Shkaqet janë disa: së pari, pasi shumë nga investimet publike kanë qenë investime për investime, për politika elektorale, për korrupsion, për të shpërblyer klientelat e partive etj.; së dyti, pasi administrata, e në përgjithësi sektori shtetëror, ka qenë tejet i fryrë; së treti, pasi nuk janë bërë reforma strukturore të mençura investimesh afatgjata që të sjellin zhvillim të qëndrueshëm. Dhe këtu del në skenë termi “default” që po përmendet kaq shumë këto ditë nga ekspertët e ekonomisë e që, më gazetarisht, do të thotë falimentim. Kur një ndërmarrje e madhe e kuotuar në bursë, një bankë ose vetë shteti deklaron paaftësinë për të respektuar kontratat e për të paguar borxhet, shpallet falimentimi. Nëse kjo ndodh me një shtet, kjo ka pasoja dramatike, sepse nëse tregu humbet besimin ndaj një shteti, atëherë vihen në lëvizje mekanizma politikë e financiarë që rrisin përqindjen e interesit të borxheve (ose që nuk japin më borxhe), e duke qenë se shteti është i lidhur me një mijë fije edhe me ekonominë private, tek e fundit, falimentimi i shtetit çon në falimentimin e krejt ekonomisë së një vendi. Në Greqi ka dalë se qeveritë i kanë trukuar shifrat e veta lidhur me borxhet dhe mundësinë për t’i paguar ato, derisa më në fund është zbuluar se ajo nuk mund t’i paguajë këto borxhe. Sipas ekonomistëve, në këto kushte, Greqia nuk ka rrugë tjetër veçse të shpallë falimentimin, që më konkretisht, sipas tyre, do të thotë që ajo të dalë nga zona “euro” dhe të kthehet te dhrahmia, të krijojë një inflacion të madh që, tek e fundit, do të thotë që një grek (apo edhe emigrant shqiptar) që ka sot në bankë, le të themi, 10 mijë euro, pas këtij operacioni do të ketë atje dhrahmi me një vlerë që, e konvertuar në euro, do të vlente vetëm 5 mijë. George Soros, në një artikull të shkruar së fundi në “New Yorker”, thoshte se vetëm një falimentim i kontrolluar i Greqisë, së bashku me atë të Portugalisë, madje edhe të Irlandës, do të mund të shpëtonte zonën “euro”, përndryshe, e ardhmja e euros është shumë e dyshimtë.Për t’i shpëtuar kësaj katastrofe, qeveria greke ka ndërmarrë së fundi masa të forta. Ka shkurtuar deri me 40% pensionet mbi 1000 euro, ka përgjysmuar rrogat e një numri jashtëzakonisht të madh të punonjësve në administratë, po bën shkurtime drastike në të, po rrit taksat e po shton taksa të reja – të gjitha këto për t’i siguruar europianët, kryesisht gjermanët, se ajo mund ta mbyllë deficitin e se nesër do të mund t’i paguajë borxhet, që t’i hedhin edhe një herë barkën e shpëtimit e t’i japin borxhe të tjera. Por, si pasojë, po përballet me trazira të mëdha sociale, sepse disa pyetje të rëndësishme ngrihen: Pse duheshin bërë tërë ato investime gjigante që rritën deficitin e borxhin? Kush përfitoi nga ato investime? Përse duhet t’i paguajnë njerëzit e thjeshtë me pensionet e tyre këto kur, nga ana tjetër, ata që janë pasuruar do të bëhen edhe më të pasur me këtë operacion? Jo vetëm, por edhe një pyetje tjetër ngrenë ekonomistët: A do të mundet që këto masa të sjellin rritje të ekonomisë, apo do të ndikojnë që të kemi rënie të mëtejshme të saj?Kjo është pak a shumë gjendja në Greqi si skenar që, edhe pse në masë më pak dramatike, kërcënon më së pari Italinë, Spanjën e Portugalinë, por, sipas shumë ekonomistëve, edhe shtetin më të fuqishëm sot në botë, SHBA, duke vënë në diskutim serioz modelin e kapitalizmit neoliberist e të ekonomisë spekulative që është zhvilluar këto dekadat e fundit.A i lejohet Shqipërisë ta kalojë me frazat optimiste të Kryeministrit këtë situatë? Le të ndalemi për një çast në deklaratën e tij se shqiptarët e mbetur pa punë jashtë po kthehen dhe po investojnë këtu. Këtë vit pata rastin të vizitoj Veriun e Greqisë. Një nga gjërat që më befasoi ishte numri jashtëzakonisht i madh i shqiptarëve që takova atje. Pothuaj të gjithë punonin ose në ndërtim, ose në shërbime të tilla si kamerierë, kuzhinierë, pastrues nëpër shtëpi e hotele. Grekët vetë të thoshin se ndërtimet atje i kishin bërë duart e shqiptarëve. Në një fshat të gadishullit Pilion, Murizi quhej, kishte 80 shqiptarë të shpërngulur të gjithë nga i njëjti fshat i Peshkopisë. Nuk mund mos të të lindte mendimi se ndoshta krimi më i madh i klasës politike shqiptare që ka qeverisur këta 20 vjet është moskrijimi i kushteve që shqiptarët t’i derdhin energjitë në vendin e tyre, për të mirën e tyre, së bashku me ndjenjën e neverisë për ata sharlatanë pseudopatriotë që ndërkohë që me çka bëjnë në Shqipëri i detyrojnë shqiptarët të punojnë si shërbëtorë të grekëve, me fjalë hiqen sikur mbrojnë interesat e tyre duke manipuluar ndjenja e retorika nacionaliste antigreke me gjuhën e Enver Hoxhës. Është e vërtetë se një pjesë e emigrantëve nuk i kanë humbur lidhjet me Shqipërinë, por është edhe më e vërtetë se shumica e tyre nuk e shohin të ardhmen e tyre apo të fëmijëve të tyre në Shqipëri. Po ashtu, kur bëhet fjalë për investime, thuajse i vetmi investim është ndërtimi i ndonjë shtëpie, apo i ndonjë kafe-bari, apo restoranti. Por këto nuk prodhojnë para. Ato kërkojnë para. Një pjesë e mirë, pasi hedhin karabinanë, kthehen të punojnë në Greqi për të grumbulluar para për të plotësuar ndonjë kat. Po të udhëtosh nëpër Shqipëri do të shohësh se, në fakt, ajo është përplot me shtëpi të reja, shumica të papërfunduara, që janë ndërtuar me investimet e këtyre emigrantëve. Por zor se mund të mendohet se ato do të popullohen ndonjë ditë jo vetëm pasi janë bërë pa ndonjë koncept urbanistik e me pasoja katastrofike për peizazhin e territorin, por edhe pse pa asnjë strategji afatgjatë që të ketë parasysh se ku do të punojnë njerëzit që do të mund të banonin aty. Para disa kohësh isha në Bathore, ku, siç dihet, banojnë edhe shumë njerëz, të ardhur kryesisht nga Veriu. Kur i pyeta disa se me çfarë jetonin në atë vend, përgjigjja që më dhanë shumica ishte se jetonin me ato çika para që u dërgonin vëllezërit apo motrat nga emigracioni. Nëse këta do të kthehen në Shqipëri, me çfarë do të hanë këta që janë këtu? Si mund të thuash se kthimi i këtyre do të sjellë investime në Shqipëri? Çfarë do të investojnë në Bathore këta njerëz po u kthyen? Çfarë mundësish të tjera u ka krijuar qeveria për të investuar, përveçse i ka lënë të zaptojnë toka buke për të ndërtuar shtëpi e kafe-bare? Asgjë ose thuajse asgjë, është përgjigjja. Qeveritë tona kanë qenë e mbeten të kapura nga interesat e disa oligarkëve brenda dhe jashtë vendit, kurse përtej interesave të tyre nuk ka politika ekonomike. E kjo ngre pyetjen: Nëse nuk prodhohet asgjë në vend, ku do t’i gjejë qeveria paratë për të paguar borxhet që po akumulon?Pra, duket sikur në terma afatshkurtër, Shqipëria është jashtë skenarit grek të krizës. Kjo sepse në shumë aspekte është jashtë rrjetit të ekonomisë europiane, p.sh. nuk është në bursë, çka do të thotë se asaj nuk i digjen miliona brenda një dite për shkak të rënies së kredibilitetit të qeverisë, sepse ka shërbime nga ato që mund të quhen mizerabël, pensione e rroga shumë më të ulëta, së ka një ekonomi kryesisht informale, të bazuar edhe mbi trafiqe, që në një farë mënyre bën të pikojë ende para, ndonëse me një kosto afatgjatë tragjike, se ajo funksionon me lekë dhe qeveria i ka duart e lira të presë monedha, të krijojë inflacion kur t’i duhet. Por, ama, rënien e ekonomisë po e provojnë të gjithë. Duket sheshit se qeveria nuk ka likuiditet. Si i përgjigjet Kryeministri pyetjes pse ua mohoi lekët e dëmshpërblimit shtresës që e konsideron më afër elektoratit të vet, ish-të burgosurve, përveçse me atë se arka e shtetit është bosh?Por, në terma më afatgjatë, kriza greke paralajmëron një të ardhme dramatike për Shqipërinë nëse politika nuk do të ndalet të nxjerrë konkluzione serioze prej saj. Së pari, sepse modeli i qeverisjes sonë është shumë i ngjashëm me ato që dëgjojmë për Greqinë, madje shumë më i keq. Mjaft të kesh parasysh se është vështirë të gjesh ekonomi të shëndoshë prodhuese në Shqipëri nga ato që rrisin edhe punësimin, edhe vjeljen e taksave për shërbime. Shteti ynë vazhdon të bëjë investime nga ato që thellojnë borxhin, për qëllime politike apo klienteliste, por që s’krijojnë hapësira për zhvillim nesër. Rruga Rrëshen-Kalimash, edhe për njëzet vjet do të kishte qenë e mjaftueshme me një korsi, por qeveria jonë e bëri me dy. Shumë më i rëndësishëm se tuneli i Kërrabës do të kishte qenë, për shembull, për elbasanasit një projekt për çlirimin luginës së Shkumbinit nga monstra tumorale që ndërtoi Enver Hoxha me Metalurgjikun. Në vend të projektit për të shembur Piramidën e ngritur aty një superparlament, Tirana ka nevojë për projekte serioze, për investim në kapitalin njerëzor, si p.sh. për shkolla e kopshte apo për pastrimin diferencial të plehrave, që po na mbysin me dioksinë. Mirëpo askush nuk mendon për këto. Nuk po i hyj këtu çështjes së rritjes së të ashtuquajturave kredi të këqija, që janë një bombë me sahat shtesë.Ndërkaq, në aspektin politik, kriza, edhe nëse nuk çon në një dalje të Greqisë nga euroja (paçka se shumë dyshojnë për këtë), do të thotë, gjithsesi, vonim i procesit të integrimit europian, në mos dështim i tij për shtete si Shqipëria. Kjo për Shqipërinë do të kishte pasoja tejet të paparashikuara, të mbarsura me rreziqe të mëdha, sepse një Ballkan që humbet orientimin europian në kushte krize ekonomike e të një Europe që nuk zgjidh dot as hallet e veta, shumë lehtë do të kthehej në një fuçi baruti. Disa sinjale për këtë po na vijnë nga Veriu i Kosovës. Si mund të kalohet gjithë kjo problematikë me deklaratën optimiste se kriza po i ndihmon shqiptarët të kthehen në vendin e tyre e të investojnë atje? Sipas mendimit tim, kemi të bëjmë me një papërgjegjshmëri të rrezikshme, që të kujton se Berisha bënte deklarata të tilla edhe kur thoshte në prag të rënies së piramidave, se paratë e shqiptarëve ishin të pastra e të sigurta. Shpjegimin e kësaj papërgjegjshmërie mund ta gjesh vetëm në atë se ndoshta Berisha e ata që e mbështesin në këtë aventurë, thonë me vete: “Përderisa kaluam pa na hyrë gjemb në këmbë ‘97-n, s’ka çfarë të na ndodhë edhe tani”. Mirëpo ka nga ata që thonë se ajo që mund të ndodhë tani është shumë më e rëndë se ‘97-a, pasi atëherë u vunë në lojë kursimet, kurse tani do të jetë në lojë buka e gojës e shumë më tepër. (Panorama 27 shtator 2011)
Wednesday, September 28, 2011
Kriza
Thursday, September 22, 2011
Mbi gjuhën e urrejtjes
"'Do përdorim pincat e ligjit për t'ju hequr dhëmbët një nga një', 'mafioz', 'lider i kupolës së mafias shqiptare', 'kokë dhi', 'kështjella e fundit e korrupsionit', 'dhunues grash'." (Sali Berisha për Edi Ramën, cituar nga kabllogramet e Ambasadës së SHBA)
“'Ne do të përdorim grushtin tonë t'ju thyejmë dhëmbët një për një', 'injorant', 'gënjeshtar', 'gjel në krye të një grumbulli plehu', 'Duçja shqiptar', 'Stalin', 'tiran', 'kloun', 'kryeministër pervers', 'gjuetar qensh i Enver Hoxhës', 'hajdut votash'." (Edi Rama dhe socialistë të tjerë për Sali Berishën, po aty)
Në një shkrim të disa kohëve më parë guxova të shkruaja për nevojën e kritikës brenda partive, nisur nga ideja se kjo pritet më së pari nga elementët më të arsyeshëm pranë tyre. Si për të provuar pashpresën e asaj që propozoja, mora si përgjigje vetëm sharje dhe gjuhë urrejtjeje nga dy prej të përmendurve në shkrim, Ardian Klosi dhe Agron Tufa. Megjithatë nuk më mungoi një përgjigje që prisja – si zhvillim debati – nga deputeti i PD, Mark Marku. Edhe pse jo si përgjigje ndaj meje, Marku, në një nga shkrimet e tij të botuara në Mapo, shkruante se polarizimi i thellë nuk lejon zhvillimin e mendimit kritik brenda partive sepse, linte të kuptohej, kur lufta me kundërshtarin është e egër, ajo që ndodh është bashkimi i të gjithëve kundër tij.Duke lexuar sintezën e gjuhës së urrejtjes të dalë nga goja e të dy liderëve, në kabllogramet e Ambasadës nuk mund të mos e rikujtoja këtë argument. Por m’u bë edhe më i fortë ky rikujtim , kur pashë lajmin se Edi Rama dhe Sali Berisha janë përballur në ceremoninë e 20-vjetorit të fondacionit gjerman në Shqipëri, Fridriech Ebert dhe, me gjithë përpjekjen e ambasadores që ata t’i japin dorën njëri-tjetrit, kjo s’ka ndodhur, përkundrazi të dy liderët kanë derdhur helmin e urrejtjes së ndërsjellë me një sërë batutash denigruese për njëri-tjetrin. Duke parë dy liderë që kanë në dorë fatet tona të sillen si fëmijë, që edhe në familje t’i kesh të bëjnë gjëmën e jo më në krye të vendit nuk mund të mos të të lindin një sërë pyetjesh, të tilla si: këtë gjuhë e sjellje të urrejtjes e prodhon lufta për pushtet e për para apo është gjuha e urrejtjes që e ka ashpërsuar këtë luftë deri në këtë shkallë? Në ç’masë është kjo gjuhë e urrejtjes instrument i një pjese për të sunduar partinë dhe çfarë do të mund të ndodhte sikur kjo pjesë të sfidohej nga pjesa më racionale në emër të arsyes e të së mirës së shumicës? A nuk ka ardhur koha t’i ndërrojmë liderë si Berisha dhe Rama, që kanë gjeneruar gjithë këtë urrejtje, saqë as dorën nuk i japin njëri- tjetrit, apo këta, me sjelljen e tyre, nuk janë tjetër veçse shprehje e mënyrës se si ne sillemi në përgjithësi me kundërshtarin, çka do të thotë se ndryshimin duhet ta kërkojmë më thellë.Personalisht mendoj se ndryshimin duhet ta kërkojmë më thellë – ma provoi këtë edhe debati i dështuar që përmenda në krye të këtij shkrimi, – por nga ana tjetër gjykoj se liderë/elitë me tjetër kulturë, me tjetër shembull sjelljeje, do të ishin një instrument i rëndësishëm ndryshimi. Përndryshe, me këta urrejtës në pushtet, zor se mund të bëjmë përpara.Adam Michniku në librin e tij “Në kërkim të sensit të humbur”, të botuar së fundi në Shqipëri, thotë duke cituar Barbara Scarga: “urrejtja është një ndjenjë që nuk di ta vështrojë botën veçse nga optika e mohimit. Madje edhe në atë që të tjerëve u duket e vlefshme, e rëndësishme, ajo sheh vetëm veprim të nënrrogoztë, degradim, mashtrim, sepse i tillë është kondicioni i saj natyror njerëzor. Urrejtja asesi nuk synon përmirësim – përkundrazi, situata e krijuar asaj i shkon për osh, ajo konstaton me kënaqësi çdo gabim që konfirmon drejtësinë e pozicionit të vet, çdo ndërmarrje të paarrirë. Por, mbi të gjitha me këtë pozicion do të helmojë gjithçka përreth. Dhe kështu nis të precipitojë derisa mbërthen gjithë shoqërinë.”Duket sikur Scarga ta ketë shkruar për realitetin shqiptar. Tek ne sundon një situatë që i shkon aq për osh urrejtjes, saqë mund të thuhet se ajo mbretëron e parivalizuar nga ndonjë ndjenjë tjetër. Ngjarja në 20-vjetorin e fondacionit “Frederich Erbert” flet shumë për këtë. Liderët tanë në ato pak replika që shkëmbyen, duke përdorur një eveniment paqeje si spond lufte, treguan se nuk janë në gjendje të përçojnë asgjë tjetër veç urrejtjes. Një urrejtje, që synonte thjesht e vetëm ta ulte e poshtëronte kundërshtarin në sytë e të tjerëve.Nëse do të kërkonim rrënjët kulturore të kësaj urrejtjeje, do të thosha më së pari se, individualisht, ajo është shenjë e mungesës së pjekjes së këtyre individëve, shenjë e një egoizmi, që nuk është temperuar me moshën nga edukata e mirë, nga ndjenja më të larta e më fisnike, përkundrazi që ka ardhur duke u bërë më i rrezikshëm për shkak të pushtetit. Por, kjo urrejtje ka edhe një dimension të fortë social-politik. Urrejtja ka vetinë t’i bashkojë njerëzit rreth ndjenjave më të ulëta, që sillen rreth dhunës dhe frikës, veçanërisht në një shoqëri ku padituria dhe mungesa e ndjenjave të kultivuara bashkohet me frustracionet e varfërisë dhe të pasigurisë. Për të gjitha këto duhet të kemi/gjejmë/krijojmë një shkaktar/armik, të cilin duhet ta urrejmë, ta asgjësojmë, që të shpëtojmë. Kësisoj, asgjësimi i armikut bëhet shpejt program politik. Fatkeqësisht, ky është fillimi dhe fundi i programeve politike të partive tona. Përtej këtyre nuk ka asnjë projekt racional se çfarë duhet të bëjmë për të dalë nga gjendja ku jemi. Përkundrazi, ka një ngulmim për të na mbajtur në këtë gjendje, që të kujton ngulmimin e Enver Hoxhës për të na mbajtur vazhdimisht të rrethuar nga armiku i jashtëm e i brendshëm. Sepse urrejtja, për nga natyra e saj, nuk ka veti ndërtuese, por shkatërruese; sepse ajo nuk na e lejon vetëkritikën, që është kushti për ndryshim jo vetëm i vetes, por edhe i tjetrit; sepse ajo, sikurse thotë Scarga, nuk synon përmirësimin e gjendjes – përkundrazi, situata e krijuar asaj i shkon për osh, ajo konstaton me kënaqësi çdo gabim të armikut që i konfirmon drejtësinë e pozicionit të vet.Po të vesh re teknikat që përdor gjuha e urrejtjes për ta ndezur e mbajtur gjallë këtë ndjenjë, që e bën njeriun instrument të dhunës, – për çka ka mobilizuar një numër jo të vogël gazetarësh e propagandistësh në të dy kampet, – do të konstatosh se ajo ngulmon të godasë pareshtur thjesht e vetëm pjesën emotive të njerëzve, atje ku janë përqendruar frikërat dhe shpresat, inatet dhe mëritë e së tashmes e të së kaluarës, paragjykimet, supersticionet, tabutë, kodet morale. Për t’i prekur këto tastiera, urrejtësi nuk ngurron aspak t’i hyjnë të urryerit në jetën private, në familje, në marrëdhëniet intime, në krevat, në nevojtore, në të kaluarën komuniste, në mënyrë që t’i gjejë dobësi për t’i bërë ato publike, ashtu sikurse nuk ngurron të përdorë shpifjen, fyerjen, shtrembërimin. Në pamundësi apo në pritje për ta vrarë atë fizikisht, ai kërkon “ta vrasë” atë moralisht, ta mohojnë, ta poshtërojnë, deri në pikën që ta përjashtojë mundësinë që ky të mund t’i japë dorën urrejtësit – në rastin më të mirë vetëm mund t’ia puthë ngaqë s’ia kafshon dot. E, për të mbretëruar i qetë në këtë punë, urrejtësi ngulmon ta helmojë krejt opinionin publik me frymën dhe teknikat e tij. Opinioni publik, – thotë Pazolini, – si një kafshë e egër, ashtu sikurse ka nevojë të qetësohet lidhur me gjëra që nuk do t’i urrejë, po ashtu ka nevojë të nxitet lidhur me gjëra që kërkon t’i urrejë. A e keni vënë re se si urrejtja arrin të bashkojë në tryeza kafenesh apo mbledhje partie individë që mund të kenë kritika pa fund për njëri-tjetrin, kujtime më se të këqija, por këto qetësohen e harrohen pasi, sapo ulen së bashku, fillojnë e flasin për armikun e urryer me një solidaritet të rremë.Kam përshtypjen, megjithatë, se tani që kanë kaluar njëzet vjet nga rënia e komunizmit, njerëzit sikur janë zgjuar nga një gjumë i thellë me një ëndërr të gjatë, duke thënë: njëzet vjet janë shumë, janë vërtet shumë. Dhe ky zgjim shoqërohet me zhgënjimin e madh me këtë klasë politike, që i ka drejtuar me një zemërim e neveri, e thellë ndaj saj. Dhe më duket se më të madhen neveri e ngjall gjuha e urrejtjes që përdor kjo klasë si shoqëruese e korrupsionit të saj, akuzat e ndërsjella plot urrejtje pa asnjë program serioz, racional ndryshimi, pa asnjë dashuri të vërtetë ndaj tyre. Ajo sikur është faqja më e shprehur së jashtmi e degradimit të saj moral. Nëse korrupsioni është dëmi material që pësojnë njerëzit përditë, kjo gjuhë është dëmi shpirtëror.E megjithatë, dikush mund të thotë: po çfarë ndjenje do të duhet të provojnë të ndershmit ndaj tyre? A nuk meritojnë këta urrejtje dhe kjo që po shkruan ti, a nuk është gjuhë urrejtjeje ndaj tyre? E kjo pyetje lidhet me pyetjen: në kërkim të ndryshimit a duhet të mbështetemi tek kjo ndjenjë që i ka çuar njerëzit edhe në revolta e rebelime çliruese? Pyetje më se e drejtë, përgjigjet ndaj së cilës mund të jenë edhe kontradiktore. Ka të urtë që thonë se ndjenjën e urrejtjes duhet ta evitojmë, gjithsesi, të tjerë se të urresh maskarenjtë është një gjë fisnike sepse, po ta shohësh thellë-thellë, kjo do të thotë të çmosh të ndershmit.Personalisht e njoh këtë ndjenjë si çdo qenie tjetër njerëzore, e mund të bashkohem me ata që thonë se s’ka gjë më të urryer sesa njerëz që përdorin mashtrimin, dhunën, padrejtësinë ndaj të tjerëve për qëllime të ulëta. Por, nga përvoja mund të them se edhe në marrëdhëniet private duhet përpjekur që asnjëherë të mos e lemë urrejtjen në dorë vetëm të zemrës, por ta kontrollojmë përherë me arsyen, në atë masë sa ta kthejmë në përçmim, por edhe në kuptim. Po ashtu mendoj se, gjithë me ndihmën e arsyes, duhet të dimë të ndajmë në ndjenjën tonë të urrejtjes individin nga fenomeni që paraqet një punë e tij e urryer. Sepse një urrejtje e madhe e pakontrolluar nga arsyeja mund të na vendosë poshtë atyre që urrejmë. Ndërsa kur bëhet fjalë për shprehjen e urrejtjes publikisht, gjykoj se cilido ka një përgjegjësi të madhe për gjuhën me të cilën i drejtohet tjetrit. Instrumentalizimi i urrejtjes është një krim shumë herë më i madh sesa vetë aktet e urrejtjes që mund të kryejnë individë të caktuar të nxitur prej këtij instrumentalizimi. Jo vetëm kur bëhet fjalë për instrumentalizime për qëllime të ulëta, siç bën rëndom politika jonë, por dhe kur bëhet fjalë për rebelime e revolta të drejta e të përligjura, këto nuk duhet të na bëjnë humbasim humanitetin brenda nesh si aftësi për të dashuruar, për të qenë të drejtë e për të arsyetuar. Përndryshe, mbetemi tek rebelimi si urrejtje e verbër dhe, sikurse thotë Georges Bernanos, “Kam frikë se rebeli nuk do të jetë kurrë në gjendje të ushqejë për ata që do një dashuri po aq të madhe sa urrejtja që ushqen për ata që urren.” (Panorama, 19 shtator 2001)
Monday, September 12, 2011
Mbi WikiLeaks dhe Temën
Në një prononcim për shtyp mbi dokumentet e WikiLeaks-it, Berisha tha se nuk ka asgjë të re, janë gjëra që i ka parë në shtypin e përditshëm shqiptar. Ky është një pohim që duket i pakundërshtueshëm, por që paradoksalisht askush s’e beson. Vërtet shumicën e atyre gjërave që thuhen në kabllot i kemi lexuar apo dëgjuar , por ato, megjithatë kanë një rëndësi të veçantë – me gjithë përpjekjen e Berishës për të na thënë se asgjë e re s’ka ndodhur. Po pse kështu? Së pari, sepse ato, ndryshe nga ç’thotë Berisha, nuk janë thjesht grumbullim faktesh. Nga dokumentet del qartë se Ambasada e SHBA, për t’u informuar mbi çfarë ndodh në emër të interesave të veta më së pari, por edhe të vendit që konsiderohet aleat në NATO, mban kontakte me politikanë, gazetarë, përfaqësues të shoqërisë civile, ndjek shtypin. Kuptohet se s’ka se si të mos ndodhë që shumëçka nga ato që këta thonë në publik, ta thonë edhe në Ambasadë. Por kabllot, megjithatë, nuk janë thjesht një renditje e informacioneve që ata vjelin. As një bashkim mekanik i atyre që thonë politikanë e gazetarë të maxhorancës dhe të opozitës. Ato janë më shumë se kaq, sepse janë edhe shqyrtim e seleksionim i tyre mbi bazë kredibiliteti, janë edhe të shoqëruara me konkluzione e komente si sintezë logjike e informacionit të mbledhur. Në një farë mënyre, pra, ato çka thuhen aty identifikohen me të vërtetën që nxjerrin amerikanët për këtë vend, veçanërisht do ta thosha këtë duke iu referuar komenteve dhe konkluzioneve. Së dyti, ato janë të rëndësishme nga fakti se këtë punë e bën një aktor i huaj që nuk është i përfshirë në luftën politike shqiptare, pra që s’ka interesa të lidhur me partitë që merren në shqyrtim. Së treti, se ky aktor nuk është dosido, por ambasada e shtetit më të fuqishëm në botë që, pa dyshim, ka pushtet e ndikim të madh mbi politikën shqiptare. Së katërti, sepse shqiptarët vetë i mbajnë shumë sytë nga SHBA e të huajt në përgjithësi me shpresën se do t’i nxjerrin këta nga balta ku kanë ngecur.Cili është konkluzioni që del duke lexuar raportimet e ambasadorit Withers dhe jo vetëm? Sipas çfarë kam lexuar, konkluzioni kryesor del në një kabllo dramatike, ku thuhet se “ligjin në Parlamentin shqiptar e bëjnë kriminelët”, i cili përfundon me këtë vërejtje: “Ky është një fenomen shumë shqetësues, me të cilin ne (kupto SHBA) dhe komuniteti ndërkombëtar do të duhet të merremi në një të ardhme”. Në konkluzionet bie po ashtu në sy se nuk bëhet dallim midis maxhorancës dhe opozitës në këtë drejtim. E njëjta gjë kur flitet edhe për ngjashmërinë midis Berishës dhe Ramës përsa i përket prirjes për të kontrolluar gjithçka në emër të pushtetit të tyre e të klientelës së tyre.“Një pikë dritë” vjen, sipas Ambasadës, nga fakti se ka disa pak deputetë që kanë filluar të bëhen të vetëdijshëm se Shqipëria nuk duhet të ketë kriminelë në Parlamentin e vet. Por, Ambasada, gjithsesi, është e shqetësuar kur shtron pyetjen “se sa kohë do të na duhet për t’i hequr këta rufjanë nga pushteti?” – sepse Shqipëria e njerëzve të ndershëm është e varfër, sepse mungon transparenca, se ka një Gjyqësor dhe Prokurori që kuptohet qartazi se janë të pafuqishëm për të vepruar kundër “peshqve të mëdhenj” edhe për shkak se janë të infektuar rëndë nga korrupsioni. Pesimizmi shtohet kur sheh se të njëjtat konkluzione të errëta hidhen edhe mbi rolin e gjendjen e mediave shqiptare, të cilat cilësohen si medie ku “pavarësia është përjashtim dhe jo normë” dhe ku “politika, media dhe biznesi janë partnerë të pandarë”.Me fjalë të tjera, sikur amerikanët të mos kishin thjesht e vetëm autoritetin moral, por të kishin në komandën e tyre edhe Prokurorinë e Gjyqësorin, në Shqipëri do të ishin hapur një numër i madh procesesh të bujshme që do të çonin në shkrirjen e dy partive të mëdha e të disave më të vogla dhe pluralizmi shqiptar, e shumëçka rreth tij do të fillonte nga e para. Në fakt, kjo është ajo që kërkojnë shqiptarët e thjeshtë në mënyrë naive nga amerikanët. Mirëpo kjo nuk ka gjasa të ndodhë, sepse, sikurse e provon edhe përvoja e vendeve arabe, ndryshimi nuk mund të vijë dot nga amerikanët nëse nuk lëvizin shqiptarët. Ata mund të japin vetëm një dorë dhe, për më tepër, ne jemi në një sistem tjetër nga ai i vendeve arabe, sepse jemi në një demokraci, paçka se në kuptimin më të keq që i japin disa autorë kësaj fjale: si sistemi më i sofistikuar për të fshehur e zbutur shfrytëzimin dhe grabitjen e njerëzve dhe jo si pushteti i këtyre njerëzve, siç e do fjala. Duke qenë kështu ne kemi ende iluzionin se, edhe me ndihmën e amerikanëve, dy bandat që kemi në drejtim të vendit tash njëzet vjet, do të mund të shndërrohen në parti normale e se Gjyqësori, mediat dhe bizneset do të çlirohen nga kthetrat reciproke që i lidhin me këto banda. Dokumentet e WikiLeaks-it tregojnë jo vetëm se “e vërteta hollohet, por nuk këputet”, por edhe se edhe ashtu “e holluar” ajo punon në këtë drejtim.
* * *
Në këtë pikë përfitoj nga rasti të sqaroj disa lexues që më kanë kërkuar të vërtetën mbi përfshirjen e emrit tim në një kabllo të Ambasadës lidhur me gazetën “Tema”. Sipas kësaj kablloje, në një eveniment në Ambasadë i kam thënë njërit prej funksionarëve se “pronari i Temës (i kujtoj lexuesit se bëhet fjalë për Beson e Tajvanit, jo për Mero Bazen), ka interesa të rëndësishme financiare”. Më tej thuhet se “Lubonja dhe gazetarë të tjerë e kritikuan rrahjen e Bazes, por janë të kujdesshëm të vënë në dukje se Tema, që dikur ka qenë pro-Berisha, është kthyer në anti-Berisha kur marrëdhënia e tyre reshti së qeni fitimprurëse materialisht”. Personalisht nuk e kujtoj këtë bisedë, por konfirmoj se si gazetar dhe aktivist i të drejtave të njeriut, kam pasur kontakte me Ambasadën Amerikane prej kohësh dhe se i gjej ato që thuhen në këtë kabllo, për mediat në përgjithësi dhe Temën në veçanti, në përputhje të plotë me mendimet e mia. Gjej, po ashtu, se dy pohimet që më atribuohen janë shumë pak në krahasim me çfarë kam shkruar e thelluar në artikuj, si: “Pse u shit/ble gazeta Tema”, “Gazetarë llogoresh”, “Mbi mizerabilitetin e mediave”, “Punë batakçinjsh” etj. (Të gjitha të botuara në gazetën “Korrieri”, që nuk ka pasur pronar Frangajn e Klanit, por të njëjtët pronarë për të cilët punonte asokohe Mero Baze, ata të Vizion +). Madje, në shkrimin “Punë batakçinjsh” (Korrieri 28 dhjetor 2009), kam shtjelluar qartë se pretendimi i Bazes se Berisha në 2005-n ka qenë i ndershëm, por u korruptua nga familja, është një gënjeshtër që e provon pikërisht rasti i Bazes dhe i atij që u bë më pas pronari i Temës. Pasi kam komentuar shitblerjet spekulative të ndërtesës së ish-”Tajvanit” si grabitje të pronës publike (shoqëria e PD Shqiponja në 1997-n ia shiti një biznesmeni për një shifër të ulët, i cili, ia shiti një greku për 750 000 dollarë, i cili, vetëm pas gjashtë muajsh ia shiti Besos së Tajvanit për 1 milion e 200 mijë) kam shtjelluar edhe se si pronarit të ri i duheshin edhe 1300 e ca metra katrorë pronë publike përreth; se si për ta blerë këtë me një çmim qesharak i duheshin, përveç votave të këshilltarëve të mikut Rama, edhe votat e të paktën dy këshilltarëve të PD (që na kishte premtuar se do ta hiqte kazinonë e Besos nga Tajvani dhe e kishte akuzuar këtë si simbol të korrupsionit të socialistëve) dhe se si, për këtë, i erdhi në ndihmë kush: vetë këshilltari i PD, Mero Baze, që shkoi në zyrën e Berishës një ditë para votimit, i mori dorën këtij … dhe votimi e pastaj shitja “u kryn”. Dhe pastaj, gazeta “Tema”, megjithëse me humbje, u shit nga Merua tek Besua për 500 000 euro – histori kjo që vërteton se Berisha ka bërë korrupsion me njerëz si Merua shumë më herët nga koha kur ky filloi t’i sulmojë familjen si shkak i korrupsionit të tij e se, madje, e ka bërë edhe me njerëz të PS, duke konsoliduar kësisoj të njëjtin sistem.Siç shihet, pra, mendimin se Merua, i cili njihet si gazetari që për 15 vjet i ka shërbyer Berishës si tub i jashtëqitjes së pjesës së tij më të keqe (po të perifrazojmë një shprehje të Edi Ramës mbi gazetën ku ky punonte asokohe), nuk është prishur me Berishën dhe bashkuar me Ramën për çështje ndershmërie, por me logjikën e banditit që, po s’u pagua si duhet, kalon në bandën tjetër, e kam shprehur shumë më detajuar në shtypin shqiptar. Këtë mendim e kam konsoliduar edhe më fort kur kam parë se Merua, që s’ka lënë gjë pa thënë për korrupsionin dhe klientelën socialiste në përgjithësi e të Ramës në veçanti, jo vetëm reshti së kritikuari këta, por filloi të punojë si “tub” i bosit të ri me të njëjtin gjuhë e stil. Duke qenë se kam menduar e shkruar kështu, s’kam pasur se si t’i them të tjera gjëra kujt më ka pyetur në Ambasadë. Dhe komenti i Ambasadës, pasi ka shoshitur tërë burimet, duke përfshirë edhe versionin e Bazes, është ky: “Historia e Temës është historia e gazetarisë shqiptare në mikrokozmos. Baze ka përdorur lidhjet e tij të afërta me Berishën për të ngritur gazetën dhe për të tërhequr mbështetës financiarë për Temën dhe, sipas disave, për të pasuruar veten”. “Shkurt, mbyllja e Temës na hedh dritë të keqe mbi klimën e pashëndetshme të mediave shqiptare, ku politika, media dhe biznesi janë partnerë të pandarë”.Ky realitet shqiptar është i dukshëm për të gjithë, me gjithë shoshën që përdorin gazetarët e bandave për ta mbuluar atë. Si pjesë e vrimave të kësaj shoshe ishte edhe gjuha e Hoxhës që përdorën disa duke na cilësuar ne që ftohemi në Ambasadë (në fakt edhe ata janë ftuar) si “spiunë” të Ambasadës, a thua se paskam pirë ndonjë kupë gjak me padrinot e tyre që më detyron të ruaj sekretet e krimeve të bandës, apo se i paskam shërbyer Berishës, ndërkohë që Mero e di mirë se në shkrimin që përmenda e kam cilësuar edhe Berishën si atë: batakçi.Për hir të së vërtetës, presioni i asaj që e kam quajtur gazetari e llogores, e gjysmë të vërtetave e larjes së mëkateve vetjake duke denoncuar mëkatet e kundërshtarit, e hajdutit që bërtet kapeni hajdutin, që, tek e fundit, kërkon të përjetësojë sistemin e dy bandave që zëvendësojnë njëra-tjetrën në pushtet, është i madh. Në “Liri e mediave apo liri e shprehjes” (Korrieri, 12 nëntor 2009), kam shkruar se “mediat në Shqipëri nuk janë viktima, që kërkojnë të çlirohen, sikurse janë përpjekur shumë gazetarë (dhe jo vetëm) t’i paraqesin ato (…). Në Shqipëri, viktima e vërtetë është liria e shprehjes, kurse çështja e lirisë së mediave është diçka tjetër (…). Sepse mediat tek ne janë, fatkeqësisht, një nga shtyllat kryesore të sistemit të korrupsionit që është ngritur në Shqipëri”. Megjithatë, gazetarët nuk janë të gjithë njëlloj. Ka nga ata që e kritikojnë këtë gazetari në emër të pavarësisë së pushtetit të katërt, ka nga ata që e vuajnë pasivisht, edhe pse nuk e thonë dot një fjalë kundër tij, ka nga ata që kërkojnë ta mbajnë më këmbë si mënyrë mbijetese e pasurimi; ka edhe nga ata që këtij shërbimi të keq i mbivendosin edhe ligësitë personale, injorancën dhe moralin e shprishur thellë. Besoj që shkrimet dhe prononcimet e mia të shumta lidhur me këtë temë vërtetojnë se unë bëj pjesë ndër të parët. Dhe ndjehem mirë kur shoh se edhe përfundimet e Ambasadës përkojnë me idetë dhe të vërtetat e mia. (Panorama, 10 Shtator 2011)
Sunday, September 11, 2011
Opozita dhe çështja morale
Një lexues i shkrimt tim "Dy të djathtat dhe opozita që na duhet" replikonte në internet duke më shkruar: "Ç'kuptim ka të ndryshojë PS kur PD nuk ndryshon asnjëherë? - duke shprehur kështu një mendim mjaft të përhapur sipas të cilit opozita s'ka asgjë në dorë sepse dikton maxhoranca e se, që ajo të fitojë e të bëhet maxhorancë, duhet të luftojë me mjetet e kundërshtarit. Kjo çon pastaj në idenë se ndaj një koke të ndezur si ajo e Sali Berishës duhet një kokë e ndezur si ajo e Edi Ramës, ndaj të fortëve të Berishës duhen të fortët e Ramës që ushqehet prej propaganduesve të tyre me idenë se kush kritikon njërin është në shërbim të tjetrit. Ky është një qendrim shumë i përhapur që mban në këmbë një sistem që prej kohësh e kam quajtur "dy bandash që luftojnë thjeshtë e vetëm për kontroll territori", "dy llogoresh" e dy "gjysëm të vërtetash që së bashku bëjnë një dopio gënjeshtër": atë se në vend se të kërkosh shpëtimin tek goditja e sistemit të bandave ta kërkosh atë tek njëra prej tyre duke i siguruar kësisoj vetes një skllavëri të përjetëshme.Kush ka pak kujtesë do të sjellë ndërmend se opozitat tona janë bërë të suksesëshme vetëm kur kanë kritikuar e ndryshuar vetveten duke u bërë të ndryshme edhe nga kundërshtari. Kjo është e vërtetë si për opozitën socialiste të pas 91-shit ashtu edhe për atë të Sali Berishës të pas 2000-shit paçka se ndryshimet e tyre nuk kanë qenë ashtu dhe aq të thella, as të sinqerta dhe të qëndrueshme. Me bindjen se vetëm një tjetër lloj opozite do të mund të sjellë shpëtimin që kërkohet, dua të shtjelloj një numër argumentesh lidhur me zhvillimet që duhet të ndodhin në opozitën shqiptare në të mirë të vendit jo të banditëve që e drejtojnë e shfrytëzojnë atë.
Në prag të zgjedhjeve, duke tentuar të parashikoj rezultatin, kam shkruar se ky do të përcaktohej varësisht nga tre variable. I pari, se kush do të ketë më shumë fuqi manipulimi me të cilin kuptoj kryesisht kontrollin më të madh mbi institucionet, mediat, bizneset e mëdha, paranë publike, paranë e pisët; i dyti, se kush ka krijuar më shumë pakënaqësi në publik dhe, së treti, kredibiliteti i forcave në garë. Për manipulimin, kam thënë se epërsia qëndronte tek maxhoranca, për pakënaqësinë se kjo ishte më e madhe ndaj qeverisë, kurse përsa i përket kredibilitetit këtë e kam lënë të barabartë ashtu sikurse nuk u kam vënë rëndësi programeve pasi edhe ato i kam vënë në nivel të barabartë mosbesueshmërie.
Rezultati, sipas meje, ishte tregues i asaj se fuqia më e madhe manipuluese fitoi. Fakti që në disa qytete fituan kandidatët socialistë nuk e kundërshton këtë teori pasi, po të vesh re, kjo fitore i dedikohet faktit se këta fitues kanë qenë ish kryetarë bashkish dhe në përgjithsi kanë krijuar rrjetet e tyre të fuqishme të pushteti çka u ka krijuar epërsi manipulative. E vërteton këtë edhe fakti se në disa nga këta qytete - si në Durrës apo Kavajë - socialistët nuk kanë fituar dot Këshillin Bashkiak. Por e vërteton edhe më shumë fakti se Ilir Meta, megjithë akuzat e rënda për korrupsion, që iu bënë në prag të zgjedhjeve për ta fundosur, arriti të marrë më shumë vota se në zgjedhjet e mëparëshme.
Duke patur parasysh tre variablet e përmendur gjykoj se në kontekstin e debatit mbi riorjentimin apo strategjitë e reja të opozitës ai me kryesori është rritja epërsisë së saj përsa i përket kredibilitetit moral.
Po të vesh re skenën politike shqiptare do të konstatosh se tashmë është konsoliduar një numër i caktuar aktorësh të ndarë në dy partitë e mëdha dhe në disa parti më të vogla. Janë këta që bëjnë politikën. Edhe kur shfaqet ndonjë i ri apo grup të rinjsh ky thithet shpejt e shpejt prej tyre - kryesisht prej dy partive më të mëdha - duke humbur edhe çdo lloj individualiteti qëndrimesh, idesh, projektesh, propozimesh, kritikash. Rreth partive punojnë edhe një numër jo i vogël gazetarësh, opinionistësh, analistësh që janë edhe ata pak a shumë të njëjtët, si dhe një numër biznesmenësh e mafjozësh që ose sponsorizojnë nga jashtë ose janë bërë tashmë deputetë apo pronarë mediash. Kohët e fundit po bëhet mbizotëruese ideja se zgjedhjet mund t'i fitosh apo t'i humbasësh vetëm nëse arrin të ndërtosh aleancat më të mëdha brenda kësaj elite politikanësh, mediash, biznesmenësh, mafjozësh. Më konkretisht thuhet psh. se Rama humbi sepse humbi aleancën me Metën; apo se Berisha fitoi sepse krijoi alenacën më të madhe partiake e se e ardhmja do të përcaktohet nga raporti midis këtyre aktorëve. Po ashtu rëndom akuzohen apo lëvdohen media për fitoren apo humbjen dhe kërkohet të blihen ato ato e të rekrutohen gazetarë në njërën apo tjetrën palë. Një nga kritikët më të mëdhenj të Ramës brenda partisë, Kastriot Islami, i ka mshuar vazhdimisht kësaj teorie. Që PS të fitojë duhet të rregullohet me Metën të përfshijë nanoistët pasi e ardhmja do të vendoset nga loja që do të luhet midis këtyre aktorëve. Shumica e politikanëve dhe e gazetarëve, - me qëllim sipas meje, - deri këtu e hedhin vështrimin dhe, deri këtu e shtrijnë debatin dhe e zhvillojnë lojën e ndryshimit të strategjisë së opozitës. Flasin edhe për ndryshime kushtetuese deri edhe për gabim të PS që i mbështeti ato, për hyrje në Parlament, për ndryshim të ligjit zgjedhor por pak ose shumë pak për kredibilitetin moral që duhet rifituar. Ky lihet mënjanë si i parëndësishëm. Të flasësh për sistem korrupsioni që ka ngritur partia e që duhet goditur, të denoncosh të korruptuarit edhe brenda partisë, lidhjet me krimin e organizuar, për trafikantë e mafjozë brenda partisë, të flasësh për moral, pra, nuk ka asnjë kuptim ose ka kuptim sa për sy e faqe, si dhe sigurisht, për t'ia veshur këto të zeza vetëm kundërshtarit. Sepse Shqipëria është kjo që është me këta njerëz që janë dhe do të jetë kështu për jetë e mot. Ilir Metën pasi e kemi bërë copë me videon që i publikuam, fare mirë mund ta bëjmë aleat, siç bëmë Dritan Priftin edhe pse këtë e kishim denoncuar për vjedhës pak javë më parë. Këtë imoralitet politika jonë kërkon të na e paraqesë si diçka normale, a thua se njerëzit kanë humbur çdo lloj kujtese e shqise morale. Por nëse është kështu athere ç'duhej denoncimi i Metës dhe i Priftit? - një kontradiktë kjo mbi të cilën nuk ndalohet asfare të reflektohet në parti. Në fakt banditët krakteristikë të tyre kryesore kanë papërgjegjshmërinë. Ata me njerëzit sillen sipas moralit "përdor e hidh" dhe nuk mendojnë as për të nesërmen as për atë se ç'thonë të tjerët.
Sipas mendimit tim, në kushtet ku jemi, vetëm rifitimi i kredibilitetin moral të humbur mund ta bëjë opozitën të kapërcejë disavantazhet që i krijon pushteti i rritur manipulativ i maxhorancës tani që ajo ka në dorë edhe Tiranën. Pa zgjidhur "çështjen morale" brenda saj - po huazoj këtë term nga politika italiane - partia Socialiste jo vetëm se nuk mund t'i shërbejë vendit, por zorr se mund të fitojë edhe vetëm në interes të bandës së vet.
Po çfarë duhet bërë për të fituar kredibilitetin e humbur. Kuptohet se ky është një proces që kërkon kurajo të madhe pasi duket sheshit se partia është në duart e atyre që duhen pastruar prej saj. Së pari, do të thoja, duhet bërë debat i fortë lidhur me këtë temë që duhet të çojë deri në autokritikë të ndershme si parti e në kërkesa për ndryshime në kryesinë e partisë e cila në një farë kuptimi është simboli i saj. Një parti punon edhe me simbolikë dhe ata që janë bërë simbol i imoralitetit nëpërmjet korrupsionit, abuzimit e aleancave të pandershme deri me mafjozë nuk mund të kthehen sot e të bëhen shpresë e simbol i luftës kundër korrupsionit. Mbi ta do të mbeten hijet e së kaluarës korruptive e mafjoze që do të shërbejnë si një alibi për maxhorancën. Edi Rama më së pari, por edhe mjaft të tjerë pas tij, e kanë shumë të vështirë të ndryshojnë imazhin që i kanë krijuar PS gjatë mëse dhjetë vjet abuzime, krrupsion e lidhje me turlilloj mafjozësh e trafikantësh.
Në këtë kontekst kthimi i moralitetit në politikën socialiste kërkon edhe një ndryshim tjetër të rëndësishëm. Ka ardhur koha të hiqet dorë nga dikotomia: maxhoranca e keqe - opozita e mirë, sipas së cilës mjafton të jesh në opozitë që të lahesh nga mëkatet apo se, për të fituar kredibilitetin moral, mjafton denoncimi i kundërshtarit. Kjo është një lojë që nuk ecën më. Tashmë njerëzit kanë aq përvojë e dijeni, që ua ka dhënë edhe Fatos Nano i katarisisit, edhe Ilir Meta e Berisha i 2005-sës në opozitë e pastaj në pushtet, për të ditur se nuk mjafton të dalësh në opozitë e të denoncosh korrupsionin e tjetrit për të vërtetuar ndrshmërinë tënde apo për t'u pastruar nga e kaluara jote e pisët. E provoi edhe përvoja e dështimit të fundit të opozitës. Ajo tentoi të krijojë një bashkim forcash nga e majta në të djathtë, të ngjashëm me Forumin për Demokraci më 97-tën e të udhëheqë protesta e pastaj zgjedhjet, por dështoi. Kjo sepse harroi, jo vetëm se situata nuk ishte ajo e 97-tës, por edhe se kredibiliteti i liderve të Forumit për Demokraci më 97-tën ishte krejt tjetër. Së pari, sepse njerëzit nuk i kishin provuar ata në pushtet, së dyti, sepse shoqëria civile dhe gazetarët që i mbështesnin ata ishin shumica të rinj pa privilegje, që bënin opozitë për pasionin e së drejtës dhe së vërtetës. Së treti, sepse s'kishin filluar ende të dukeshin në skenë interesa biznesmenësh e narkotrafikantësh nga ata që kapën më vonë partinë. Kurse koalicioni që krijoi opozita ishte një bashkim figurash tashmë tejet të konsumuara nga pushteti i gjatë e i korruptuar socialist, me në krye Kryetarin e Bashkisë, ku s'mungonin deri ish ministra të Berishës të akuzuar nga vetë PS për korrupsion, njerëz që ishin marë me biznese të pista qysh në kohën e tij, me trafiqe apo edhe nga ata që i kishin shërbyer atij në të keqe aq gjatë dhe aq shëmtuar kundra vetë PS saqë martesa me ta mbante erë kilometra larg se ishte thjesht pazar i pisët. Raporti i ambasadës amerikane me titull: "Kriminelt bëjnë ligjin në Parlamentin shqiptar", ku renditen barabar emra socilistësh e demokratësh ishte dramatik në këtë aspekt. E pra të pretendosh të fitosh me këtë përzjerje kartash të konsumuara e të diskredituara është të bësh një politikë sikur njerëzit të mos kenë kujtesë. Sigurisht me kalimin e viteve e me rritjen e zullumeve të Berishës njerëzit edhe mund të harrrojnë ashtu ashtu siç harruan të kaluarën e PS apo 97-tën e Berishës, por ngulmoj megjithatë se në ndryshimet e pushteteve që kanë ndodhur më 1997, por edhe në ato që sollën Berishën në pushtet më 2005, kredibiliteti moral i opozitave ka qenë shumë më i madh nga ai i me të cilin është shfaqur opozita që kemi sot në zgjedhjet e fundit. PS-ja në vitet 90 nxorri në krye të saj figura krejt të reja nga ato të diktaturës, që arritën të bëhen aleate deri me ish të burgosur politikë. Berisha i 97-tës kishte shumë më pak kredibilitet sesa opozita e 97-tës, por premtimet e tij se do të shkatërronte sistemin e korrupsionit të ngritur nga "baronët e drogës" dhe "klanet e Zemunit" të socialistëve, e kombinimi i këtyre me eliminimin e konfliktit të interesave brenda partisë, që i detyroi kandidatët e tij të hiqnin dorë, të paktën formalisht, nga bizneset tingëllonin shumë më bindëse sesa akuzat e sotme të Ramës të cilat s'kanë guximin as të popozojnë eliminimin e konflitit të interesave në një parti që ka në gjirin e udhëheqjes së saj - sipas shtypit - tetë nga dhjetë më të pasurit në vend e që mumrin 2, sipas Ambasadës Amerikane, e ka narkotrafikant.
Në Partinë Socialiste nuk kanë munguar dhe nuk mungojnë zërat që e kanë akuzuar udhëhejen e saj për lidhje mafjoze, për vënie në shërbim të oligarkëve, për braktisje të interesave të shtresave të brishta e për nevojën e një partie tjetër. Por, për hir të së vërtetës, këta kanë qenë të pakët, shpesh jo të sinqertë, dhe janë mbytur nga shumica duke bërë të mbretërojë ideja se pikërisht me ata, të fortët, të pasurit e mafjozët e fuqishëm do të mund të fitojmë zgjedhjet: duke ruajtur pra - sikurse thotë lexuesi im - një parti simetrike me PD. Por le të mos harrojmë se në fakt ishte PD që u ristrukturua sipas modelit të PS e që, duke patur rradhën e pushtetit si dhe një udhëheqës më dinak e më kombëngulës se PS-ja arriti t'ia kalojë asaj në këtë drejtim. Ka shumë gjasa që në taktikat e reja të Ramës - i aftë të sajojë njëqind taktika e intriga, por jo të ndërtojë strategji, - të hyjnë edhe teza e forcimit të partisë me kësi të mafjozësh. Unë gjykoj jo vetëm se kjo do të thotë të thellohesh në krim ndaj vendit, por edhe se këtë lloj loje e ka fituar PD. Një PS e tillë thjeshtë do të humbasë shansin - nëse ky i ka mbetur, - e shndrrimit në një parti me kredibiliteti moral që është bërë tashmë imperativ i politikës shqiptare. "(Fakti) …që të gjitha partitë shqiptare kanë lidhje me krimin e organizuar është një fenomen me të cilin ne dhe komuniteti ndërkombëtar do të na duhet të merremi një ditë…" thotë raporti i Ambasadës Amerikane, "Se sa kohë do të na duhet për ti hequr nga pushteti këta rufjanë është një çështje tjetër…". Kjo gjë ka kohë që është bërë edhe çështje e shqiptarëve.
Një pyetje tjetër lidhur me kredibilitetin e opozitës është edhe ajo se sa garanci na jep ajo, kështu siç është, për më shumë demokraci. Sepse ne nuk kemi nevojë vetëm për një klasë politie që nuk na vjedh e mashtron, por edhe për një klasë poltike që na garanton të drejta dhe liri. Këtë temë do ta trajtoj në shkrimet pasaradhës. (Panorama, 5 shtator 2011)
Monday, September 5, 2011
Variacion mbi temën
Disa miq më kanë pyetur pse s’po lexojnë në “Panorama” më ndonjë artikull/analizë timen. Për të qenë i sinqertë, më është dashur t’u përgjigjem se nuk janë thjesht pushimet e verës, por edhe një ndjenjë kotësie që të kap herë pas here, por gjithnjë e më shpesh, kur sheh se je i detyruar të shkruash për po ato fenomene, madje edhe për po ato personazhe, pasi në Shqipërinë tonë asgjë nuk lëviz. Një gazetar, sipas meje, nuk mund të ulet të shkruajë pa pasur mendimin se shkrimi i tij do të ndryshojë diçka lidhur me çështjen apo shqetësimin që ngre, sigurisht në drejtim të vizionit e vlerave që ai mbron. Pa këtë motivim, është e vështirë kjo punë. Duke parakaluar veprimtarinë time prej njëzet vjetësh tashmë në shtypin shqiptar, do ta ndaja historinë e motivimit tim në tri faza: në atë të rinisë së vet, ku më dukej se mjaftonin disa shkrime për t’i ndryshuar/përmbysur gjërat; në fazën e pjekurisë, kur arrin të kuptosh se duhet këmbëngulur gjatë që disa ide/të vërteta të mund të dalin në shesh e të sjellin ndryshimin që kërkon; si dhe në periudhën e tretë, të zhgënjimit, kur gjithnjë e më shumë më shfaqet simptoma e pafuqisë dhe kotësisë që përmenda në krye. Kur ke ndjenjën se çfarëdo që të thuash e të shkruash nuk ka asnjë ndikim, pasi gjërat tashmë rrjedhin në shtratin e së keqes që kanë marrë prej kohësh. Metaforikisht do të thosha se, nëse në vitet e para kam pasur iluzionin (besoj se jo vetëm unë) se me forcën e shkrimeve mund ta detyronim rrjedhën e lumit të devijohej për në kahun e duhur; nëse në fazën e dytë kam menduar se duhet hapur më së pari, me durim, hullia ku ai duhet të devijojë, tashmë gjithnjë e më shpesh më duket sikur gazetarit s’i ka mbetur gjë tjetër veçse ose ta marrë rryma me vete (me çka kuptoj vënien në shërbim ndaj politikës, jo ndaj idealit e së vërtetës), ose të dalë në një breg të lumit, ndoshta duke pritur të realizohet thënia e atij proverbit kinez, sipas të cilit: “Nëse do të shohësh kufomën e armikut, rri prit në breg të lumit”.Besoj se shtyrja drejt kësaj “disfate të mendimit”, siç do ta quante Finkielkraut, nuk është thjesht një çështje subjektive e imja, e lidhur me lodhjen apo konsumimin, por edhe rezultat i politikave gjithnjë e më mospërfillëse e arrogante ndaj mendimit kritik që ka ndjekur politika, për çka ka luajtur një rol të dorës së parë edhe ajo që do ta quaja, përsëri me fjalët e Finkielkraut, të mara nga Julien Benda: “Tradhtia e të shkolluarve”, “shkatërrimi i nocioneve morale tek ata që edukojnë njerëzit”, që në realitetin shqiptar, më shumë se çdo gjë, do ta quaja: tradhtia e profesorëve të universiteteve, e të ashtuquajturve shkrimtarë, artistë, intelektualë si dhe e gazetarëve të mediave. Flas për tradhti dhe jo për vazhdimësi të enverizmit, siç jam shprehur shpesh, pasi gjithsesi, mendoj se ka pasur një zgjim ndërgjegjeje në fillimvitet ’90 dhe, po ashtu, se disfata e mendimit kritik që po përjetojmë sot nuk është vetëm rezultat i së kaluarës, por edhe i proceseve social-ekonomike e kulturore të këtyre 20 viteve.
Me këto mendime pesimiste në kokë, por me bindjen se dalja spektator në breg të lumit është më e keqe se rezistenca, sado e pafuqishme, e se shikimi i kufomës së armikut në breg të lumit jo vetëm që s’është ndonjë kënaqësi e madhe, por ajo mund të ndodhë pasi ai të ketë konsumuar të gjitha të këqijat e mundshme, u ula të shkruaj për një lajm të ri që s’është tjetër veçse variacion i një lajmi të vjetër që, po të lexosh shkrimet e mia, e gjen të trajtuar si fenomen në shumë shkrime, duke filluar që nga viti 1991. E kam fjalën për atë se tashmë ka filluar fushata politike për Presidentin e ardhshëm. Pashë, madje, se tashmë është hedhur në treg edhe të paktën një kandidat, Leka Zogu. Lajmi shoqërohet me atë që prej kohësh s’është lajm, se për Bamir Topin nuk bëhet fjalë, pasi ai ka kohë që konsiderohet nga maxhoranca si i bërë palë me armikun/kundërshtarin. Mjaft të kujtosh se para disa javësh, një nga drejtuesit kryesorë të PD-së, Sokol Olldashi, drejtoi një sulm të tipit fletë-rrufe me fyerje kundër tij, pas një sulmi “më të butë” që kishte drejtuar kundrejt tij vetë kryeministri Sali Berisha. Sipas këtyre akuzave, ai na paskësh qenë palë qysh në kohën kur u zgjodh President, madje kam frikë se nuk do të vonojë shumë e, në stilin e paranojave të Enver Hoxhës, do të zbulohet që ai ka qenë armik i infiltruar në PD që në krye të herës.
Por çfarë po ndodh me të vërtetë?
Mund të kesh njëqind vërejtje e pakënaqësi për mënyrën se si është sjellë Bamir Topi si President, e prandaj të kërkosh një President tjetër, por për mënyrën se si është sjellë ndaj tij maxhoranca, që mezi arriti ta zgjedhë dhe shkaqet se pse nuk e zgjedh më si kandidatin e saj, nuk mund të fajësosh kurrsesi atë.
Së pari, duhet të kujtojmë se kur u zgjodh Topi u bë festë e madhe në PD, kurse nga ana e opozitës zgjedhja e tij u konsiderua një akt i ulët blerjeje e postit. Është e çuditshme, megjithatë, se sa shpejt i kemi harruar përqafimet në Parlament midis tij e Sali Berishës darkën e festës ku u derdhën aq shumë buzëqeshje e shampanjë dhe, mbi të gjitha, ata deputetët socialistë që dolën nëpër media duke deklaruar votën e tyre për Topin, e që u etiketuan “tradhtarë”, “të shitur”, “të blerë” nga opozita. Personalisht ua kam harruar edhe emrat e nuk di se çfarë bëjnë e me kë janë: me PD-në, apo me PS-në, apo thjesht janë duke u marrë me ndonjë biznes ku kanë investuar asprat e “tradhtisë”? Po tashmë jemi mësuar me këto amnezi, ato janë kusht i domosdoshëm i politikës sonë, madje edhe i gazetarisë sonë. Sa gjëra kemi harruar që të vazhdojmë të bëjmë të njëjtën politikë: harruam ‘97-n, harruam se Sali Berisha dhe trimat e tij sulmuan Kryeministrinë më 1998-n, me akuzat se Azem Hajdarin e kishte vrarë Fatos Nano. Kemi harruar çfarë ka bërë e thënë Nano për Metën gjatë katarsisit, Rama e Meta për Nanon, Meta për Berishën, Berisha për Metën e ku di unë se çfarë. Jam i sigurt se mjafton të ikë Topi nga politika dhe do të harrohet edhe “tradhtia” e tij ndaj PD-së, ashtu siç janë harruar edhe ata “tradhtarët” socialistë që e votuan.
Por, një gjë, ama, na rri vazhdimisht mbi kokë, mu si rezultat i këtyre harresave: vullneti i patundur i atyre që kanë pushtetin në Shqipëri, për të mos lënë mjet pa përdorur për të kontrolluar gjithçka e për të mos u kontrolluar nga askush. I njëjti problem, pra, që kemi ndeshur më fillimvitet ‘90, ndonëse në kushte të reja. Është problemi i asaj kulture që e bën Sali Berishën dhe demokratët që, në vend që të ulen e të reflektojnë se si ka mundësi që Topi është i dyti President radhazi që, nga i zgjedhur prej tij/tyre kthehet e bëhet armik i tij/tyre, e të shtrojnë pyetjen: a mos vallë ka diçka që nuk funksionon edhe tek ne? Nuk e vënë në dyshim se ai është armik i tyre ngase, po qe se je zgjedhur prej tij/tyre do të thotë që duhet t’u shërbesh atyre dhe t’u bindesh vetëm atyre në çdo çështje e në çdo moment. Është problemi i asaj kulture që na bën të mendojmë: Si mund të durohet një President që nuk e kemi nën kontroll pa qenë armik? Si mund të durohet një media që nuk e kemi nën kontroll pa qenë armike? Si mund të durohet një Prokurori e Gjykatë që nuk e kemi nën kontroll pa qenë në shërbim të armikut? Si mund të durohet një biznes që nuk e kemi nën kontroll pa qenë edhe ky në shërbim të armikut?
Ja pra, kjo po ndodh. Nëse demokracia është ndarje pushtetesh që balancojnë e kontrollojnë njëri-tjetrin nëpërmjet institucionesh, tek ne bëhet fjalë për vullnetin për të ndërtuar një regjim autoritar që identifikohet me një autokrat, të cilit nuk i duhen institucionet dhe as ndarja e pushteteve, pasi i mjafton vetvetja për të qeverisur. Për një autokrat, ama, që s’është i vetëm, por që mbahet më këmbë nga një kastë rreth tij, që pasurohet e forcohet në sajë të pushtetit, duke u bërë gjithnjë e më e paprekshme e më arrogante. Dhe, në rrugën e tij/tyre (qorre) drejt eliminimit të institucioneve, ata gjithnjë e më shumë i duan figurat, që presupozohet të jenë balancuese dhe kontrolluese të pushteti të tyre në gjendjen e paralitikëve në karrige me rrota, të cilat, mundësisht, t’i shtyjnë njerëzit e tyre. Po përsëritet, pra, një variacion mbi temën: e njëjta me të cilin jemi ndeshur që në vitet e para të viteve ‘90, që u duk se u lehtësua sadokudo me Nanon, por që u rëndua pas tetë vitesh pushtet të këtij kur deklaronte: “Jam Fatos Nano e prapa më ndjek historia”, që gjeti më pas si pasqyrë në opozitë, fytyrën e Edi Ramës, i cili, kur aprovoi ndryshimin kushtetues, që e kthente Presidentin në rob apo vegël të maxhorancës, planifikonte që do të ishte ai në vendin që ka sot Sali Berisha? Sikurse e kam thënë edhe më parë, ndaj autoritarizmit e autokracisë së viteve të para të viteve ‘90, ne kishim një lloj imuniteti, pasi Sali Berisha kërkoi të na sundojë me metodat komuniste të Enver Hoxhës, me polici, SHIK e TVSH të kontrolluara, me burgosje gazetarësh, arrestime politikanësh e ndalime demonstratash. Sot, regjimi i ri, i filluar me socialistët dhe i vazhduar me Berishën, po ngrihet me të tjera mjete, më të lehta për t’u duruar, më demokratike në dukje, ndonëse më poshtëruese, që lidhen kryesisht me pushtetin e atij që kontrollon paranë e që, duke qenë i tillë, kërkon të tjera mjete lufte nga ato të viteve ‘92-‘97.
Duke kërkuar të rendis mjete të reja lufte, nuk mund të mos i kthehem pesimizmit të fillimit të këtij shkrimi, pasi nuk më duket se jam në gjendje të propozoj ndonjë gjë që nuk e kam propozuar tashmë, ndonëse mendoj se ka shumë për të reflektuar në këtë drejtim. Duke iu kthyer lajmit që u bë shkas për këtë shkrim, do të thosha se nuk do shumë mend për të kuptuar se Presidenti nuk duhet të jetë një i kontrolluar apo korruptuar nga maxhoranca, por një figurë që qëndron mbi palët, se duhet refuzuar çdo figurë që nuk i jep këto garanci as minimalisht. Por, nga ana tjetër, më duket tejet e vështirë të gjenden mjetet për t’u realizuar kjo kundër vullnetesh politike që kanë punuar pareshtur për të kundërtën, duke asgjësuar edhe mjetet ligjore që e mundësonin këtë. Tek e fundit, më rezulton se njerëzve të vullnetit të mirë nuk u mbetet veçse të ushtrojnë vullnetin e kundërt, duke aplikuar thënien e Romen Rolandit: “Pesimizëm i intelektit, optimizëm i vullnetit”. (Panorama, 31 gusht 2011)
Subscribe to:
Posts (Atom)
-
Në Bibël ka një pasazh që është komentuar shumë: ai ku përshkruhet çfarë ndodhi në momentin para se Kaini të vrasë Abelin. Komentohet fakti...
-
Në mbyllje të 2005-sës, vit të cilin, në petkun e gazetarit, e kam ndjekur hap pas hapi me shkrime, kryesisht mbi jetën dhe zhvillimet polit...
-
Ajo që po ndodh në Shqipëri këto ditë i ka ndarë njerëzit në dy kampe të mëdha. Në njërin kamp bëjnë pjesë ata që mendojnë se kjo që po ndod...