Para
disa ditësh botova një shkrim me titull avancimi i fashizmit ekonomik. Një
pjesë lexuesish më kanë kërkuar një lloj sqarimi për përdorimin e termit.
Veçanërisht ata që, për shkak të historisë komuniste, vazhdojnë ta
identifikojmë Partinë Socialiste me të majtën dhe jo me të djathtën. Le të
përpiqem ta shpjegoj.
Kur
flas për fashizëm ekonomik kam parasysh një kategorizim që i bën filozofi
italian Norberto Bobbio të majtës dhe të djathtës, të cilit i jam referuar dhe
herë tjetër. Shkurt, sipas shtjellimit që i bën Bobbio kësaj teme, ata regjime
që i quajmë të ekstremit të majtë janë një kombinim i barazisë me mungesën e
lirisë, kurse regjimet e ekstremit të djathtë - që ndryshe mund t'i quajmë
fashiste - janë një kombinim i pabarazisë me mungesën e lirisë. Kurse në
demokraci, gjithë sipas Bobbios, duhet të kemi dialektikën e lëvizjes së
lavjerrësit të pushtetit politik nga qendra e majtë në qendrën e djathtë - që
janë kombinime të barazisë me lirinë dhe të pabarazisë me lirinë.
Prej
kohësh kam shkruar se ajo që ka ndodhur dhe po ndodh në Shqipëri, është një
kalim i shpejtë i lavjerrësit nga ekstremi i majtë, drejt ekstremit të djathtë,
pa u ndalur në qendër. Një pakicë oligarkësh ka kapur shtetin dhe politikën,
ose drejtpërdrejt ose nëpërmjet medieve dhe politikanëve të vet, duke abuzuar
mbi shumicën dhe duke rrezikuar edhe liritë e të drejtat e saj themelore. Këtë
prirje e kam quajtur rrezik fashizmi ekonomik. I shtoj epitetin
"ekonomik" për ta dalluar nga fashizmi i Hitlerit dhe Musolinit sepse
sot kjo oligarki nuk mbështetet mbi ideologjinë nacionaliste apo të racës
superiore, por ka fetishizuar kultin e pabarazisë ekonomike së kapitalizmit
dhe, pasi ka kapur shtetin, përdor mjete të tjera dhune si atë të bazuar mbi
presionin ekonomik, monopolizimet, manipulimin dhe presionin mediatik,
korruptimin e drejtësisë. Nuk përjashtohet që në rrugën drejt këtij ekstremi në
momente të veçanta, kur t'i kërcënohet pushteti dhe pasuria, kjo oligarki të
përdorë edhe ushtrinë e policinë kundër shumicës.
Po
pse flas për avancim?
E
vërteta është se, deri më sot, kjo oligarki është përfaqësuar politikisht nga
tri partitë kryesore (që prandaj dhe i konsideroj të trija të djathta, duke
bërë thirrje për kthimin e lavjerrësit majtas). Ndërkaq, ajo që po vihet re në
këtë fazë të ecjes drejt ekstremit të djathtë, sipas meje është rreziku i
kalimit nga ky lloj pluralizmi oligarkik
në përqendrimin e të gjithë oligarkëve rreth një partie të vetme.
Historinë
e lejes së Parkut e trajtova pikërisht në këtë kontekst. E vërteta është se ajo
leje e dhënë kundër interesit të 99%-shit të qytetarëve mban firmat e të tri
partive politike në fjalë, si provë se punojnë për të njëjtën oligarki, por,
ndërkaq, nuk mohohet se shpesh i shohim ato në një luftë të egër për pushtet,
së fundi lidhur me reformën në drejtësi. Nuk është vështirë që prapa kësaj reforme të lexohet synimi i Ramës
& Co për eliminimin e rivalit kërcënues: LSI-në e Metës dhe dobësimin e
mëtejshëm të PD-së. Duke parë këtë luftë
dhe duke iu referuar varfërimit të vendit, unë kam ngritur pyetjen: "pse
duhen tri parti për të përfaqësuar interesat e të njëjtës kompani oligarkësh?
Pse duhen kaq shumë media?".
Prandaj them se me rrjedhën që po marrin ngjarjet ka shumë gjasa që
"mbetjet" të eliminohen e të falimentojnë ose të shiten me çmim të
lirë tek kompania e madhe socialiste. Ja ky është, sipas meje, avancimi i
fashizmit si rritje e pabarazisë dhe e
mungesës së lirisë.
Përsëri për rolin e
medieve në këtë avancim
Në
kontekstin e rrezikut të kalimit nga pluralizmi oligarkik tek fashizmit
ekonomik shkruaja midis të tjerave edhe për heshtjen e frikshme të thuajse të
gjitha medieve ndaj lejes së ndërtimit tek Parku i Liqenit, duke pasur parasysh
edhe faktin se disa vjet më parë, kur Lulzim Basha ndërmori cënimin e Parkut
për të zgjeruar rrugën e Elbasanit (sipas shumë informatave që dolën në atë
kohë i shtyrë nga lobimi i të njëjtëve oligarkë) pati një zhurmë të madhe
mediatike.
Sot më duhet të
shkruaj përsëri se ma konfirmoi këtë heshtje ogurzezë edhe një ngjarje tjetër e
ngjashme e së shtunës 23 janar. Së bashku me dy grupime qytetare, pjesëtar të
shoqërisë civile, protestuam mu në qendër të Tiranës për parkimin që i është
dhënë atje njërit prej oligarkëve të lidhur me PS. Atje mësova se Bashkia nuk
ka dhënë vetëm një parkim, por nëntë parkime, një pjesë e të cilëve do të
prishin edhe disa nga lulishtet e mbetura të qytetit. Atje aktivistë të shumtë
folën se si këto vendime janë marrë fshehurazi, hajdutshe, në kundërshtim me
vizionet e sotme mbi qytetet, mbi nevojën e një Tirane policentrike, në
kundërshtim me shumë ligje si ata që parashikojnë konsultimin me qytetarët,
Konventën e Ahrusit, raportin ndërtim
gjelbërim të qytetit, e deri në kundërshtim me faktin se shumica e tyre do të
ndërtohen në qendrën historike që është edhe monument kulture e prandaj
ligjërisht e mbrojtur.
Në mbrëmjen e asaj
dite hapa lajmet për të parë a do të jepej informacioni për këtë. E pra, tre televizionet kombëtare Klan dhe Top
Chanell si dhe ai publik nuk e dhanë fare lajmin. As edhe në kryetitujt e
gazetat kryesore nuk e gjeta të nesërmen. Po pse? Nuk do mend se shkaku do
kërkuar në faktin se shumica e pronarëve të tyre, si ata privatë ashtu dhe
pronari i radhës i Kryeministrisë, duhet
të jenë në një mënyrë apo tjetrën të përfshirë në këto afera; se parkingjet
janë ndarë midis një grupi klientësh sponsorë ashtu siç ndaheshin edhe lejet e
ndërtimit në kohën e Ramës kryebashkiak për një grup ndërtuesish pronarë
mediesh - dhe këto, pastaj, heshtnin për masakrën që i bëhej qytetit.
***
Po
cili është reagimi i gazetarëve ndaj këtij avancimi të fashizmit? Kur pashë
lajmin për lejen tek Parku i Liqenit dhe heshtjen e thuajse çdo televizioni,
pasi kontrollova edhe ata pak ishuj opozitarizmi që kanë mbetur, ku hyn edhe
portali Lapsi.al, i bëra forword Andi Bushatit linkun me titull: "Filloi
shkatërrimi i Parkut të Liqenit" duke i shkruar: "Kjo që po bëhet
këtu është më tmerr se vila e Sandrit te Laguna. Pse s'thoni një fjalë apo se
është e Samirit." Kur pashë që as më ktheu përgjigje dhe as e botuan
lajmin - që për mua është shumë më i rëndësishëm se shumë nga lajmet që jepen
në atë faqe të tipit "Bleona kërkon burrë", "Kardashian na
trondit përsëri me të pasmet e saj",, - shqetësimin tim e bëra publik duke
hedhur idenë se reagimi për lejen tek Laguna dhe heshtja për lejen tek Parku
ishte shembull emblematik se si mediet tona, edhe kur denoncojnë, shpesh e
bëjnë në mënyrë selektive, në emër te
interesave të 1% dhe jo të 99%-shit. Në përgjigjen e tij Bushati, çuditërisht,
as e trajtoi shqetësimin tim shumë më të
gjerë, as nuk u përgjigj se pse Lapsi.al nuk e botoi këtë lajm - por u kufizua
me hallin e përmendjes së emrit të vet duke thënë se këtu ndodhin aq shumë të
këqija sa nuk mund të shkruash për të gjitha. Dhe pastaj, pasi e lau
ndërgjegjen duke thënë se ishte kundër atij ndërtimi - çka, siç e thashë, nuk
ishte thelbi i shkrimit tim - duke
imituar fjalën e Mark Antonit në funeralin e Qezarit shkruante se Lubonja është
burrë i ndershm, por edhe ai s'ka folur kur i mbylli Berisha Mero Bazes
gazetën, kur Klani heshti për plagosjen e gazetarit të tij në 21 janar, madje
më ngriti dhe pyetjen se pse kur ishte Berisha në pushtet thosha se dy bandat
janë njësoj kurse tani pretendoj se banda e Ramës është më e rrezikshme - duke
u bërë zëdhënës gazetarësh llogoresh, duke synuar të të delegjitimojnë,
përhapin fjalë se këtë e ka blerë Berisha apo Meta, apo e ka personale me
Ramën.
Gjithsesi po merrem me
përgjigjen e kësaj pyetjeje provokese sepse ajo lidhet bash me temën në fjalë:
avancimin e fashizmit ekonomik. Më vjen keq, por si provokim është ngritur mbi
një shpifje apo keqlexim i çfarë kam shkruar
e thënë prej shumë kohësh e që është e dokumentuar. Ky keqlexim sipas meje vjen
nga kufizimi që kanë ata që i kam quajtur gazetarë llogoresh që ndryshe mund
t'i quash berishologë, nanologë,
ramalogë, metalogë. Karakteristikë e këtyre gazetarëve është se militantizmi
partiak, mungesa e profesionalizmit si dhe shërbimi ndaj padronit të radhës i
bën të paaftë për të konceptualizuar, për të parë fenomenet që qëndrojnë përtej
emrave të përveçëm. Kështu që ata "harrojnë" të merren me aktorët e
tjerë të sistemit, mbeten në cicmicet se kush është Sali Berisha apo Edi Rama
apo Ilir Meta - duke bërë kështu lojën e oligarkëve që janë shpesh pronarët apo
sponsorët e tyre të medieve, që janë kolona që i mban këta në pushtet.
Personalisht, pa dashur të mburrem, sepse nuk resht së qortuari veten pse s'kam
bërë sa duhet kundër kësaj gazetarie, pavarësisht se nuk kam kontestuar çdo
pallat apo tender të Koços, ndërtimet e Irfanit apo të gjitha bëmat e Sandrit
(po përmend vetëm disa nga pronarët e mediave ku kam punuar), konfliktin e
interesave si fenomen të medieve tona private e kam kontestuar vazhdimisht dhe
po ashtu, të paktën që kur kam shkruar shkrimin "Kukullat në skenë
oligarkët në prapaskenë" (Koha Jonë, 12 nëntor
2003), qoftë Edi Ramën qoftë Sali Berishën i kam konsideruar si kukulla
fijet e të cilave në skenën e politikës i tërheqin ata që kanë interesat
ekonomike dmth. oligarkët. Nga ky këndvështrim, duke folur për partitë që i kam
cilësuar herë si banda dhe herë si kompani biznesi të lidhura me oligarkët e
1%-shit (në këtë kuptim kam thënë se janë njësoj), kam kundërshtuar tezën e së
keqes më të vogël me argumentin se e keqja më e vogël bëhet e keqja më e madhe
kur vjen në pushtet, sepse kush ka pushtetin ka më shumë para dhe mundësira
korrupsioni dhe prandaj janë këta që bëjnë dëmin më të madh. Gjë që po e provon
sot edhe partia e Edi Ramës. Po ashtu, që para zgjedhjeve, duke parë se tri
partitë përfaqësojnë interesat e 1%-shit kam deklaruar se kush fiton këto
zgjedhje ka shumë rrezik të bëhet Putini i Shqipërisë sepse ekzistenca e tri
partive që mbrojnë interesat e të njëjtëve njerëz është e panevojshme qoftë për
interesat e shumicës së shqiptarëve, thellësisht të zhgënjyer me këto
parti, qoftë për interesat e 1%. Kam
shkrime të panumërta me këtë temë, por gazetarët e llogoreve dhe të cicmiceve
nuk kanë sy për t'i lexuar.
Po e përsëris, pra,
edhe një herë: Ajo çka i shton antropologjia e Ramës apo e Berishës këtij
avancimi drejt fashizmit ekonomik është diçka dytësore, që meriton të mos
neglizhohet, por as të mbivlerësohet, se pastaj bëjmë pikërisht lojën e
oligarkëve që zëvendësojnë Ramën me Berishën si kuajt e një karroce për të
vazhduar rendjen e tyre drejt thellimit të pabarazisë. Pra nëse sot kemi
një Kryeministër që një dy e i del nga
goja fjala "burg", që paratë që i ka mbledhur me taksidarët, duke
përdorur edhe dhunë policore, ia shpërndan paturpësisht oligarkëve rreth tij,
duke i varfëruar edhe më tej shqiptarët; nëse për herë të parë në historinë e gazetarisë
shqiptare, të paktën që nga viti 2000, i gjejmë thuajse të gjitha televizionet
kryesore të kapura nga Kryeministria, që, duke mos i mjaftuar kjo, ka krijuar
edhe një portal on line për të dhënë informimin "e vërtetë", kjo,
sipas meje, nuk duhet parë thjesht si rezultat i një individi të sëmurë nga
etja e shfrenuar për pushtet. Sikur kjo punë të ishte thjesht çështje individi
të etur për pushtet Rama mund të dilte edhe me parulla dhe akte populiste të
majta, alla Çaves, por kjo do ta rrëzonte menjëherë sepse janë oligarkët me
paratë dhe mediet e tyre ata që e kanë sjellë në pushtet dhe e mbajnë në
pushtet. Jo, ky avancim i së keqes i dedikohet kryesisht një procesi
degjenerimi të sistemit që e tregoi edhe mbushja e Parlamentit me kriminelë nga
PS-ja. Prandaj ngulmoj se ky rrezik duhet parë (dhe luftuar pastaj) si çështje
sistemi më së pari dhe për këtë na ndihmon edhe Lordi
Action kur thotë: "Dhe mos harroni. Atje ku ka përqendrim pushteti në pak
duar tendenca është që kontrollin e pushtetit ta marrin njerëzit që kanë
mendësi gangsteri. Historia e ka provuar këtë." (Panorama,
26 janar 2016)