Ndërkohë që opinioni qorrollepset përditë me debatin mbi
drejtësinë, në vend po ndodhin krime të panumërta si rezultat sa i varfërisë
dhe injorancës ekstreme që ka pllakosur shqiptarët, aq edhe i korrupsionit
ekstrem që ka pllakosur pushtetarët - si dy anë të së njëjtës medalje. Një ndër
këta krime, që mori rrugën e konkretizimit bash këto ditë, duke pasuar dhënien
e lejes së ndërtimit për një parkim tek Parku Rinia, është ai që po ndodh tek
Parku i Liqenit. Kësaj here këtij po i kafshohet edhe një copë tjetër gjelbërim
në fillim të rrugës së Elbasanit përballë Fakultetit ekonomik, ku buldozerët po
punojnë për të hapur themelet e një pallati 13 katesh. Lajmin e këtij krimi të
paralajmëruar, çuditërisht dhe jo çuditërisht, nuk e gjen ndër mediet kryesore.
As në shumë portale on line të drejtuar nga gazetarë të vjetër e të rinj që
njihen për luftimet e tyre të ashpra antikorrupsion në llogoret e maxhorancës
apo opozitës. Personalisht e gjeta në postimin (nga një mik) të një portali
deri tani të panjohur për mua të quajtur "exit"
http://exit.al/2016/01/15/filloi-shkaterrimi-i-parkut-te-liqenit-nisin-punimet-per-ndertimin-13-katesh/
Atje thuhet se "Leja për këtë ndërtim (13 katesh) u dha nga Kryeministri
Rama në fillim të shtatorit 2015, në një mbledhje të Këshillit të Lartë të
Territorit, e cila u mbajt e fshehtë nga publiku dhe mediet.” Përmenden,
pastaj, premtimet e Erion
Veliaj, se nuk do të ketë ndërtime në Tiranë si dhe se ndërtimi në fjalë "i
përket biznesmenit Samir Mane, i njohur për lidhjet e tij të ngushta me
politikanët kryesorë te vendit."
Edhe pse thuhet se nuk duhet të reshtim së u indinjuari nga
padrejtësitë – dhe ky është një lajm për indinjatë ekstreme, që të le pa gojë
me arrogancën, paturpësinë dhe papërgjegjshmërinë e protagonistëve të vet – në këtë shkrim do t’i kursej emocionet. Do
të ndalem më shumë tek komentet e gjendjes së pashpresë ku jemi katandisur për
të cilën flet ky lajm, duke e vendosur edhe në kontekstin e të shumëpërfolurës
reformë për drejtësi. Për komentet më duhet t’i shtoj lajmit edhe një fakt (që dihet, por që
portali në fjalë e ka harruar me dashje apo pa dashje): Rama nuk se ka dhënë një leje të re. Ai thjesht ka lejuar të
zbatohet leja që ka dhënë Lulzim Basha dhe, po ashtu, duhet thënë se tek kjo
leje kemi ardhur si rezultat i një procesi të gjatë korruptiv sepse ai truall,
që ka qenë pjese e Parkut deri më 2004, i është nënshtruar një procesi vendimmarrjeje
korruptive të shkallëshkallshëm ku do të gjesh edhe dorën e Nanos edhe të
Ramës, edhe të Berishës edhe të Bashës e përsëri atë finale të Ramës. Është i
njëjti projekt korruptiv që kemi parë në anën tjetër të Liqenit dhe që, sipas
zërave të mirëinfomuar, do të realizohet megjithë protestat e qytetarëve dhe
premtimet elektorale të Velisë.
Thënë kjo le të bëj tani komentet e mija
Së pari, për shpresëtarët e reformës në drejtësi.
Ajo që bije në sy në këtë leje pallati te Parku është se përveç
Samir Manes, Edi Ramës, Lulzim Bashës dhe zbatuesve që do marrin lekët çdo
qytetar tjetër i Tiranës është kundër ngritjes së tij, ashtu sikurse edhe ndaj projekteve
të ngjashme në krahun tjetër, sepse dëmtohet mushkëria ku marrin frymë gjithë. Madje e quajnë krim, maskarallëk,
poshtërsi, pabesi - sepse fjala korrupsion nuk mjafton. Po ashtu, bije në sy se kemi edhe shkelje të ligjit
pasi, sikurse thuhet edhe në portalin
ku lexova lajmin, investitori nuk ka zhvilluar dëgjesa të hapura publike me
qytetarët, çka është një detyrim ligjor. Personalisht do të shtoja edhe Konventën
e Ahrusit që është shkelur, por edhe rregulloren e urbanistikës që parashikon
raportet ndërtim gjelbërim – sepse në atë truall sipas rregullores – nëse nuk e
kanë ndryshuar edhe atë – atje nuk mund të ngrihet sipërfaqe ndërtimi më shumë
se 1,8 herë e sipërfaqes së truallit ndërkohë që aty duket se duan të ndërtojnë
13 herë sipërfaqen e truallit. Atëherë, e përsëris edhe një herë pyetjen për shqiptarët dhe
ndërkombëtarët: A mund t’u lihet reforma në drejtësi njerëzve që marrin
përsipër të bëjnë akte që shihen me përçmim dhe si padrejtësi e thellë nga 99%
e bashkëqytetarëve të tyre? A mund të
presësh drejtësi nga një Kryeministër që në vend se të mbrojë interesin e të
gjithëve kryen shkelje të tilla të ligjit, për të cilat, madje, ka denoncuar
deri dje Bashën?
Por kam edhe një pyetje tjetër për ata që flasin me urrejtje të
madhe për Sali Berishë, Ilir Metën si njerëzit më të korruptuar e që thonë se
Edi Rama, duke dënuar Berishën dhe Metën, do t’i hapë rrugë shtetit të së
drejtës. Po si mendoni ju a mund të bëhet drejtësi pa dënuar jo vetëm të
korruptuarit, por edhe korruptuesit? Dhe kur këta korruptues janë
bashkëpunëtorë në korrupsion e padrejtësi jo vetëm me Saliun dhe Lulin ,por
edhe me Edin, a mund të bëjë ky drejtësi? Jo, sepse hetimet e drejta dhe të
paanshme do të çonin edhe tek Edi Rama dhe korruptuesit e përbashkët. Prandaj
është e qartë se garancia e impunitetit të këtyre njerëzve nuk ka qenë e nuk
është drejtësia, por bashkëfajësia.
Së dyti, për opozitën
Sikurse e kam shprehur edhe herë tjetër opozita ka të drejtë kur
kërkon që reforma në drejtësi të mos kalojë pa konsensusin e saj. Por realiteti
është se sikur të mos ishte rezistenca e Ilir Metës ndaj këtij drafti, që s’ka
të bëjnë me të mirën publike pasi, kur vjen puna për ndërtime pallatesh të
tilla, ai e ka venë firmën pa ngurrim, drafti sot do të kishte kaluar. Do të
kishte kaluar sepse opozita jonë është e dobët, shumë e dobët. Dhe jo sepse nuk
ka më një lider luftarak si Berisha, sikurse thonë disa. As sepse ka mbetur tek
Berisha, sikurse thonë disa të tjerë,
por sepse të gjithë e dinë se deri dje kjo opozitë ka bashkëpunuar e ndarë
paratë e përfitimet me Samirin, Sandrin & Co në dëm të publikut. Dhe si e
tillë i ka rënë kredibiliteti në fund të
këmbëve. Në kushte të tilla ajo është e dënuar që ta ndjekin vetëm ata
gjynahqarë që sot kanë humbur punën nga uzurpimi që i kanë bërë klientët e
bandës tjetër, sepse sponsorë e pasur si Samiri e kanë braktisur dhe po e
braktisin përditë. Por këta gjynahqarë janë pak për të krijuar atë masë kritike
që do t'i jepte mësimin që meriton kësaj bande që mashtrimin, hipokrizinë dhe
babëzinë e ka rritur në pika të pabesueshme.
Së treti për mediet
Si është e mundur që asnjë media kryesore nuk e dha këtë krim
ndaj kryeqytetit? E them këtë edhe duke pasur parasysh se sa zhurmë u bë për
një leje dhënë Sandrit tek Laguna Blu ku prekeshin interesat e Bushatit,
Surroit dhe disa vipave të tjerë? Si është e mundur që Bushati dhe Surroi e
këta të tjerët nuk shkruan apo nuk thanë një fjalë për këtë krim ndaj 99% të
qytetarëve të Tiranës? As për atë
pallatin përballë Konviktit të Studentë kur u hap gropa e të cilit, mediet e
opozitës së djeshme ulërisnin për krim absurd, që e ndaluan kur erdhën në
pushtet, por që tani ka arritur katin e tretë e po vazhdon të ngjitet i
patrazuar.
Dhe përsëri vij tek reforma në drejtësi dhe mediet. Po thuhet
shpesh se procesi i zgjedhjes së prokurorëve dhe gjyqtarëve, si dhe ai i punës
së tyre, do të bëhet në transparencë të plotë. Por a mund të bëjnë transparencë
medie të tilla kur pronarët dhe shumica e gazetarëve të tyre punojnë për
1%-shin e pallateve në kurriz të 99% të viktimave të tyre. Jo vetëm, por edhe
sikur të arrihet të zgjidhen disa prokurorë e gjyqtarë të ndershëm, ku do ta
gjejnë mbështetjen morale të opinionit këta nesër, kur mediet refuzojnë të
flasin e denoncojnë krimin që duket ditën për diell?
Së katërti, e ardhmja që na pret
Ajo për çka flet qartë edhe historia e këtij ndërtimi është se
interesat e shumicës dërrmuese të shqiptarëve nuk përfaqësohen nga këto parti
dhe nga këto medie që kemi, përkundrazi ato punojnë kundër tyre. Ndërkaq, vetë
logjika e këtyre pazareve si dhe kushtet ekonomike të varfërimit progresiv, të
çojnë në idenë se nuk duhen tri parti për të përfaqësuar interesat e të njëjtës
kompani oligarkësh dhe as shumë media prandaj dhe se mbetjet duhet të
eliminohen e të falimentojnë ose të shiten me çmim të lirë tek kompania e madhe
socialiste. Pyetja që shtrohen në këto kushte, kur po flitet për një kapje të
drejtësisë nga Edi Rama, në bazë të një projekti të aprovuar edhe nga
ndërkombëtarët për të pastruar të korruptuarit e opozitës dhe Ilir Metën është:
kur 99%-shi qëndron indiferent ose spektator i luftës që bëjnë partitë e
1%-shit për të eliminuar njëra tjetrën a nuk do të ecim drejt rrezikut që na
kërcënohet përditë e më shumë: eliminimi i më të dobëtëve dhe mbetja në
mëshirën e një bande të vetme? Dhe kjo jo thjesht e vetëm se në krye të PS kemi
një njeri si Edi Rama që për pushtetin mund të bëjë gjithçka, (ndërkohë që shkruaja këto radhë doli bëma tjetër e tij: pagesa
e milionave për "The Economist" për të propaganduar “sukseset” e
qeverisë), por edhe sepse ky është
interesi i atyre oligarkëve që duan të eliminojnë edhe konkurentët e mbetur e të sundojnë të qetë duke
bashkëpunuar me një parti të vetme.
E pra, kjo leje skandaloze është një shembull më shumë, për të
vërtetuar se nuk është reforma në drejtësi, por një lëvizje e re politike, që
arrin të verë në lëvizje 99%-shin, për të rrëzuar këtë kastë super të
korruptuar politike, ekonomike, mediatike, juridike, ajo që mund të na nxjerrë
nga rreziku i avancimit të frikshëm të këtij fashizmi ekonomik që ka nxjerrë si
figurën e vet më emblematike Edi Ramën, partinë
dhe oligarkët e tij. (Panorama, 19 janar 2016)
No comments:
Post a Comment