Monday, December 28, 2015

Drejtësia Rama dhe Mesia Lu


Në vitin 1991 kam pasur rastin të jem pjesëtar i një takimi që bëri James Bakeri me një grup përfaqësuesish të partive dhe shoqatave opozitare gjatë vizitës së tij të famshme që kujtohet më së shumti për faktin se Sheshi Skënderbe s’kishte parë ndonjë turmë të atillë në mitingun e organizuar nga PD - ndoshta që nga koha e vdekjes së Stalinit. Më kujtohet se në atë takim, që u bë në Hotel Dajti, njëri nga politikanët që ishin aty, kur mori fjalën, i tha Bakerit vetëm këto dy fraza: “Ne prisnim Mesian. Mesia erdhi.”
Kemi qeshur shumë atëherë duke treguar këtë histori me një grup miqsh. E kujtoj si një qeshje me veten, me kondicionin infantil ku na kishte katandisur izolimi gjysmë shekullor. Por ja që, fatkeqësisht, më është kujtuar shpesh kjo e qeshur edhe këto ditë duke parë infantilizmin me të cilin po e trajton shtypi shqiptar ambasadorin Lu kur ky flet në fushatën që ka marrë përsipër të udhëheqë për të shpëtuar Shqipërinë, nëpërmjet reformës në dreqësi - sikur të ishte Mesia që priste miku im një çerek shekulli më parë. Dhe mendimi që më ka ardhur më shpesh ndërmend është: mos vallë që nga ajo kohë e këtej në vend se të piqemi e të bëhemi më inteligjentë jemi infantilizuar e debilizuar edhe më shumë?
Pse e them këtë? Sepse, përveç të tjerash, gjatë këtyre njëzetepesë vjetëve, që kemi dalë nga izolimi, kemi pasur mundësi sidokudo të shohim botën përtej idealizimeve që kishim ndërtuar në izolim. Megjithë respektin që kemi ruajtur për mjaft vlera të demokracisë amerikane kemi pasur po ashtu mundësi të shohim se jo çdo gjë shkon si në më të mirën e botëve në SHBA. Kemi parë se brenda vendit amerikanët kanë gjithnjë e më pak besim në institucionet e tyre pasi gjithnjë e më shumë jetojnë në një sistem që politologu amerikan Colin Crouch e quan postdemokratik – ku 1%-shi ka më shumë peshë në vendimmarrje sa 99 %-shi. Si rezultat i kësaj, së fundi,  po shohim se një trap si Donald Trump rrezikon të bëhet president i SHBA-ve. Kemi parë se duke dashur të eksportojnë demokracinë (ose të paktën duke përdorur këtë parullë) amerikanët kanë shkaktuar katastrofa të vërteta në Lindjen e Mesme si në Irak, Afganistan, Siri, Libi. Por edhe në politikat në Shqipëri kemi parë se shpesh nuk kanë shkëlqyer. Për secilin ambasador mund të kujtosh gafa e gabime që i kanë nxjerrë zbuluar ngjarjet që kanë ndodhur më pas. Pa hyrë në hollësira, pra, dua të them se kemi pasur goxha material për parë me mendje më kritike edhe angazhimin e tepruar të Lu-së për reformën në drejtësi.
Po përse atëherë gjithë ky ekzaltim për çdo fjalë që nxjerr Lu nga goja? Pjesërisht mendoj se infantilët që, si miku im i atëhershëm, vazhdojnë të presin Mesian, kapen si i mbyturi pas fillit të kashtës tek shpëtimtari që vjen nga jashtë. Kurse kur vjen puna për politikanët dhe mediet këtu mesianizmi i Lu-së duhet parë ndryshe. Këtu s’kemi të bëjmë vetëm me infantilë, debilë apo naivë. Këtu kemi të bëjmë edhe me rrufjanë që e dinë shumë mirë se ambasadori funksionon prandaj duhet përdorur, veçanërisht për të manipuluar infantilët. Një shprehja e gjetur e bashkimit të infantilizmit me rrufjanllëkun ishte paraqitja së fundmi në karikaturën e gazetës Mapo e Lu-së si Plaku i Vitit të Ri që u sjell pranga, si dhurata, të korruptuarve - një ëndërr kjo e shumë fëmijëve të rritur shqiptarë. Por, në këtë rast naivi,  sipas meje, mund të jetë ambasadori, që pandeh se është ai që po u ndan dhuratat, ndërkohë që ai s’është veçse një sajim për fëmijët, kurse dhuratat i kanë blerë rrufjanët, prindërit, që e kanë paracaktuar shpërndarjen e tyre. Për të vërtetuar këtë mjafton që Lu të mos flasë vetëm për orët e gjyqtarëve, por t'i bëjë një kthesë makinës me dhurata për andej nga Rolling Hills apo nga Gjiri i Lalëzit, nga Surreli apo nga lagunat e Golemit të shohë se pronë e kujt janë vilat super të shtrenjta, aty: të gjyqtarëve apo edhe të shumë prej atyre që po e brohorasin dhe po e zgjedhin si njeriu i vitit. Do të shohë se sa shpejt do t'ia heqin mantelin e Plakut të Vitit të Ri me gjithë thesin me dhurata që ka në makinë. Do t’i mjaftonte kaq për të kuptuar disi më mirë shumicën e shqiptarëve të heshtur që nuk beson se e ashtuquajture reformë në drejtësi qenka ilaçi shpëtimtar që do ta nxjerrë Shqipërinë nga koma ku e ka futur kasta që e drejton vendin çprej 25 vjetësh.
Në fakt për këta shqiptarë kjo është një e vërtetë evidente nga ato që s'duan fare diskutim: siç është p.sh evidente që nuk ka gjasë që çakalli ta hajë ujkun pa qenë ky i vdekur. Megjithatë, për hir të ambasadorit, le të përpiqem të arsyetoj se pse nuk ka gjasa që çakalli ta hajë ujkun pa qenë ky i vdekur.
***
Po e nis arsyetimin tim duke venë në dukje faktin se ndërhyrja e ambasadorit Lu - dhe e shumë të huajve të tjerë në punët tona të drejtësisë, që kanë mbërritur deri në deklarimet e disa ambasadorëve  se duhet pushuar nga puna e tërë skota e gjyqtarëve shqiptarë - flet se ne nuk jemi një shtet demokratik i së drejtës, por më së shumti një regjim i së padrejtës. Jo vetëm pse në një vend ku nuk ka drejtësi nuk mund të ketë as edhe demokraci, por edhe sepse vetëm në vende të tilla amerikanët i lejojnë vetes të bëjnë ndërhyrje të tilla në punët e brendshme. Pra jemi në një regjim që dikush e quan oligarkik, dikush bandokratik, dikush shtet i kapur nga mafja, ku një gjë është e sigurt përtej epiteteve: se kasta në pushtet gëzon pandëshkueshmëri të plotë edhe pse është e ngarkuar deri në grykë me vjedhje dhe abuzime. Pyetja që ngre unë është: në një vend ku sundon një regjim i tillë a mund të kryhet ndryshimi nëpërmjet një reforme në drejtësi ndërkohë që ndërtuesit e këtij regjimi kriminal mbeten në pushtet? Jo. Përvoja tregon se ndryshimet e vërteta në regjime të tilla sillen nëpërmjet lëvizjesh politike. Kohëve të fundit në botë kemi parë mjaft lëvizje kundër korrupsionit dhe abuzimit të kastave në pushtet në disa vende të Afrikës Veriore ose edhe në vende si Greqia, Italia, Spanja. Po të përpiqemi të kategorizojmë regjimin në Shqipëri, duke iu referuar këtyre modeleve, mund të thuhet se abuzimet e kastës tek ne, për nga dëmi i abuzimit, janë më afër atyre të vendeve të Afrikës veriore sesa të Greqisë, Italisë apo Spanjës. Gjithsesi, në të dy rastet, nuk kemi parë drejtësinë të vihet në lëvizje për të sjellë ndryshimin, por politikën.  Nga sa di unë një lëvizje që ka namin se ka lindur nga drejtësia është ajo e "Duarve të pastra" në vitin 1992 në Itali, që mban edhe emrin e Di Pietros. Por e vërteta e saj është se edhe ajo ka lindur nga ndryshime të rëndësishme politike në atë kohë si rezultat i dobësimit të sistemit të tangentopulit pas rënies së Murit të Berlinit dhe, megjithatë, sot konsiderohet si një revolucion i dështuar. Vetë fakti i dominimit të politikës italiane pas "Duarve të pastra" nga një njeri si Berluskoni, me një të kaluar krejtësisht të errët, deri me lidhje mafjoze, flet për dështimin e idesë se një vend mund të shpëtojë nga korrupsioni dhe abuzimi me pushtetin nëpërmjet proceseve gjyqësore.
***
Dikush mund të thotë se lëvizjen politike kundër kastës po e bëjnë ambasadorët në Shqipëri. Nuk mohet se ajo që po bëjnë ata është politikë, presion politik. Por që këtë presion ta quash lëvizje nuk ka gjasë ta mendojë kush. Në fakt është gjëja më antilëvizje dhe më antidemokratike që mund të mendohet sepse jo vetëm diktohet nga lart poshtë në mënyrën më elitare por, sikurse e thashë, drejtohet edhe kundër një targeti sekondar, prandaj të gabuar. Dhe si e tillë është e destinuar të dështojë. Kush nuk e beson këtë që po them le të shikojë Kosovën ku të huajt, megjithëse kanë pasur dhe kanë  shumë më tepër pushtet sesa në Shqipëri, po bëjnë një vërrë në ujë kundër korrupsionit të kastës në pushtet. Madje gjithnjë e më shumë akuzohen se janë korruptuar prej saj.
Një varianti i dytë është që ambasadorë besojnë se në Shqipëri lëvizja politike antikorrupsion është Rilindja e Edi Ramës, por se ajo do edhe një dorë nga jashtë që të kryejë pastrimin e kastës së të korruptuarve të përbërë nga partia e Sali Berishës dhe partia e Ilir Metës. Sipas meje këtë variant kërkon t'i shesë Rama opinionit brenda dhe jashtë vendit me tellallët e tij jashtë dhe brenda vendit duke krijuar një klimë mbytëse për këdo që ve në dyshim reformën, apo kërkon thellim dhe debat. Mirëpo kjo bije ndesh me faktin se Rama dhe rilindasit e tij kanë të njëjtën dashuri për korrupsionin si ajo që ka Berisha e Meta me të tijtë, në mos edhe më të madhe, çka ne shqiptarët e thjeshtë jo vetëm që e dimë çprej kohës kur Rama drejtonte Bashkinë, por e kemi parë edhe kur e mbushi Parlamentin me kriminelë dhe po e shohim përditë edhe sot me tenderat dhe koncesionet ku 47% janë bërë me prokurim të drejtpërdrejtë – gjë që s’ka bërë vaki as në kohën më të errët të korrupsionit në Shqipëri.
Por atëherë si ta shpjegojmë këtë aleancë të Lu-së dhe ambasadorëve të tjerë me Ramën kundër korrupsionit? Mbetet ajo që thashë se Donald Lu, me dashje apo pa dashje, është shoferi që po e çon makinën me thesin me lodra në drejtimin e gabuar të përcaktuar nga rrufjanët duke u vënë kësisoj në shërbim të bandës së Ramës që, pasi ka marrë në dorë thuajse të gjitha mediat, të gjithë bizneset, të gjithë universitetet private, thuajse krejt shoqërinë civile (gjëra që çuditërisht nuk e prekin fare ambasadorin) kërkon të marrë në dorë edhe Prokurorinë dhe Gjykatat. Është një skenar që nuk dihet se ku mund të na çojë, por sigurisht jo në më shumë drejtësi por, pas shumë gjasash, në një drejtësi edhe më të komprometuar dhe më të korruptuar nga pushteti. Mund të na çojë një “pastrim” të Shqipërinë nga armiqtë e klasës – bandës, por mund të na çojë edhe drejt një destabilizimi, sepse do të doja ta shikoja një Ramë që, pasi merr në dorë koburen e drejtësisë me ndihmën e ambasadorëve, guxon të shtijë vërtet me të për të vrarë Metën, Berishën e gjithë ata rrotull tyre. Do të doja të shihja edhe se cilët janë ata prokurorë dhe gjyqtarë që do të marrin përsipër një selektivitet të tillë. Është një skenar i njohur ky për ne, që dikur, me dashje apo pa dashje, e ka gatuar edhe një azmbasador tjetër amerikan, Rajersoni.

Si përfundim, duke pasur parasysh gjithë sa thashë mendoj se është naivitet dhe padituri të besosh sot se në Shqipëri disa prokurorë apo gjykatës, që nuk u dimë as emrat do tu bëkan, befas, nëpërmjet një reforme, kaq të fuqishëm saqë të fillojnë të ndryshojnë gjendjen e vendit duke e pastruar atë nga krimi dhe kriminelët në politikë, media, ekonomi. Sipas meje nëse duam vërtet të ndryshojmë gjendjen e vendit për të ecur përdrejt demokracisë dhe shtetit të së drejtës na duhet të mendojmë një proces ku institucione të tilla të demokracisë që presupozohet se duhet të jenë të pavarur dhe të kontrollojnë njëri tjetrin si Ekzekutivi, Legjislativi, Mediet, Drejtësia, Shoqëria Civile por edhe Tregu do të ecnin përpara bashkë dhe të ndara si anijet në një flotë dhe jo të mendojmë se mund të vëmë anijen e Drejtësisë të ecë në drejtimin e duhur ndërkohë që gjithë të tjerat, të kontrolluara nga një grusht super të pushtetshmish, të lundrojnë në drejtimin e kundërt. Dhe, që të ndodhë kjo, e para gjë që duhet bërë është denoncimi i ecjes mbrapsht të të gjitha anijeve nën drejtimin e një kaste që po ngushtohet dhe komprometohet gjithnjë e më shumë; e pastaj, inkurajimi i një lëvizjeje politike edhe brenda, por veçanërisht jashtë partive ekzistuese, që të kërkojë të zhveshë nga pushteti të denoncuarit dhe t’i japë rrugë ndryshimit të drejtimit të anijeve. Vetëm atëherë edhe anija e drejtësisë do të fillojë të ecë në drejtimin e duhur.
Përndryshe, shumë shpejt pas Lu-së, si infantilët dhe rrufjanët do të fillojmë të presim një tjetër mesi amerikan me tjetër emër. (Panorama, 28 dhjetor 2015)

Thursday, December 24, 2015

Dekomunistizimi dhe ambasadorët

Të më falë lexuesi që po e filloj këtë shkrim me një fyerje, por duke kërkuar ndjesë për lirinë e fjalës po them se është idiot politik i pashpresë ai që nuk e ka kuptuar se Sali Berishës, Edi Ramës dhe shumicës së mbështetësve që kanë prapa nuk u kërcet as për veteranët e luftës as për ish të persekutuarit, por vetëm për pushtetin dhe paranë e tyre. Shtova epitetin “politik” thjesht për mirësjellje se mund të thosha edhe thjesht idiot. Megjithatë në vazhdim të këtij artikulli do ta zëvendësoj fjalën “idiot” me atë “miop”.
Që ka të tillë miopë në Shqipëri kjo është e sigurt, por, megjithatë, jam i bindur se numri i tyre është i vogël për të justifikuar tërë këtë fushatë që po bëhet me akuza e kundërakuza për ca veteranë që na qenkan dekoruar, sepse paskan qenë hetues dhe për ca ish të persekutuar që po lëvizin nga varri nga ky zbulim.  Këtë “zbulim” të madh arkeologjik, në fakt, ne ka kohë që e shohim në natyrë të hapur, mes nesh - mjaft të kesh parasysh se vazhdojmë të nderojmë e dekorojmë tërë aradhën e artistëve dhe krijuesve që i kanë kënduar socializmit dhe shokut Enver duke inspiruar me ndjenja urrejtjeje dhe pamëshire ndaj armikut të klasës edhe aradhat e hetuesve. Prandaj, sipas meje, shumica e shqiptarëve e di mirë se po shohin një melodramë të shpifur dhe të imponuar nga agjenda e politikës së regjisorëve të vjetër që nuk emocionon më as edhe vetë miopët politikë. Atëherë, si ka mundësi që kjo melodramë ka pushtuar tërë skenat kryesore mediatike?
Ka vetëm një shpjegim: sepse kjo puna e dekomunistizmit, ashtu si dhe reforma në drejtësi, janë dy tema që emocionojnë shumë ambasadorët e huaj sot, aq sa moskapërcimin e këtyre dy pengesave ata e quajnë shkakun e shkaqeve pse jemi në këtë gjendje.
Dhe këtu po dal tek një problem që e ngre jo për herë të parë. Ne kemi një klasë politike që, duke e humbur gjithnjë e më shumë legjitimitetin brenda vendit, kërkon ta kompensojë atë me legjitimitetin që i japin ndërkombëtarët - sindromë kjo e vjetër sa shteti shqiptar, në fakt, sepse pushteti historikisht tek ne është marrë në sajë të ndërkombëtarëve dhe është mbajtur në sajë të mbështetjes së tyre politike dhe ekonomike. Në kontekstin e kësaj kulture politikanësh dhe shteti të dështuar Edi Rama ka bërë një sërë operacionesh për tu prekur telat ndërkombëtarëve për t’i bindur ata se, më në fund, në Shqipëri po ndodh revolucioni kulturor i shumëpritur: reforma në drejtësi dhe dekomunistizimi. Dhe me stilin enverist të propagandës po ua paraqet sikur karvani i maleve të Shqipërisë po i prisnin këto reforma me në krye Edi Ramën siç prisnin dikur Partinë e Punës me në kryer Shokun Enver për ta udhëhequr popullin shqiptar nga fitorja në fitore. Dhe, me sa duket, ndërkombëtarët i janë bashkuar karvanit me gëzim pa e ditur se ku po i çon.
Ligji i dosjeve, Bunkarti, Shtëpija me Gjethe, së fundi edhe bunkeri prapa Ministrisë së Brendshme janë disa nga aksionet spektakolare që ka ndërmarrë Rama me të tijtë për të emocionuar ndërkombëtarët e që po na paraqiten deri edhe nga gazetarë të huaj si fillimi i rilindjes shpirtërore në Shqipëri. Kjo i ka nervozuar demokratët, dhe jo krejt pa të drejtë, sepse, në rolet që kishin në melodramën që ka njëzetepesë vjet që luhet, ata kanë pasur një ndarje rolesh; dhe rolin e mbrojtësve të të persekutuarve e kishin demokratët kurse mendja totalitare dhe e pabesë e Ramës kërkon t’ua marrë edhe këtë rol, siç u ka marrë biznesmenët, pronarët e medieve, universitetet private e ku di unë çka mbetur tjetër. Kjo shpjegon edhe reagimin e fortë të tyre për veteranët hetues të dekoruar, që u drejtohet, edhe ai, kryesisht ndërkombëtarëve. 
Tani, pyetja që shtroj unë është: mirë ne që s’kemi kujtesë institucionale sepse sa vjen njëri në pushtet i nxjerr të gjithë jashtë nga zyrat dhe i mbush ato me fillestarë, por as këto ambasadat e huaja nuk paskan asnjë lloj kujtese institucionale, por sa vjen një ambasador gjërat fillojnë nga mashtrimi i parë sikur të jemi në vitin 1991? Sepse, kush ka sadopak kujtesë historike, nuk mund të harrojë se, nëse është folur për reformë dekomunistizimi dhe reformë në drejtësi në Shqipëri kjo ka ndodhur në kohën e qeverisjes së parë të Sali Berishës. Harruat që futi në burg Nexhmije Hoxhën, Ramis Alinë, Aranit Çelën e shumë të tjerë duke hartuar edhe ligjin për gjenocidin? Harruat që ndërroi gjyqtarët e komunizmit duke i zëvendësuar me ata të plepave? Por le të ndalem tek dekomunistizimi se për reformën në drejtësi do të shkruaj herën tjetër. Pra, a nuk kemi pasur ne një ligj a ku di unë që merrej me punën e dosjeve madje edhe të lustracionit e që lidhej me emrat e Mezinit e të Bezhanit? A nuk e kishim ne Burgun e Burrelit muze të diktaturës? A nuk ka hapur Berisha një pavijon te Muzeu Kombëtar kundër diktaturës. A nuk ka riabilituar Berisha kushedi se sa figura të persekutuar e pushkatuar nga komunizmi duke i bërë “Nderi i Kombit”, (duke përjashtuar ata me prejardhje komuniste si Fadil Kokomani e Vengjel Lezho, sigurisht)? A nuk ka pasur ai në atë kohë mbështetjen e zjarrtë të Aleatit të madh SHBA, të vetë ambasadorëve Amerikan dhe Italian veçanërisht? Askush nuk i mohon dot këto, por as faktin se megjithatë punët shkuan keq e mos më keq.  Aq keq sa shqiptarët, paradoksalisht, për të rrëzuar Berishën u mbështetën tek partia që kishte udhëhequr persekutimin e tyre. Dhe madje as nuk reaguan kur këta i nxorën nga burgu Ramis Alinë me shokë dhe u dhanë pafajësinë; as kur burgun e Burrelit e kthyen nga muze në burg për ordinerët. Po pse? Sepse problemi ishte se këtë dekomunistizim Berisha e bëri me stil komunist, nën parullën “i gjithë pushteti sovjetëve”, për të delegjitimuar, sipas shembullit të luftës së klasave, që i ndante njerëzit me familje të mirë dhe të keqe, ata që nuk e mendonin si ai çdo gjë që bënte ai. Problemi i dekomunistizimit të Berishës ishte enverizmi në mendjen e tij, ëndrra për tu bërë një Enver i dytë,
Dhe pas njëzetepesë vjetësh ky është problemi i sivëllait të tij Edi Rama. Edhe ai gjithçka po e bën sipas motos: “I gjithë pushteti Edi Ramës”, apo i asaj tjetrës: “Kur themi partia nënkuptojmë Edi; kur themi Edi nënkuptojmë partia.” Të kesh dyshim për këtë do të thotë të jesh më shumë se miop politik; sepse këtë ai e ka të shkruar në lulen e ballit të çdo aksioni që po ndërmerr. Ashtu sikurse faktin se për Ramën të bësh politikë do të thotë të bësh propagandë. Ja, këto ditë mora vesh se, nën atë bunkerin që u sulmua së fundi, nuk ka tjetër veçse disa zyra nëntokësore të MPB-së të ndërtuara në vitin 1986-1987. Ata që i kanë vizituar thonë se kanë qenë të thjeshta, të mobiluara me karrige e tavolina e asgjë më shumë dhe se nuk janë vënë kurrë në përdorim. Dhe hyrja e tyre ka qenë nga brenda Ministrisë së Brendshme. Kushedi se si do të na i paraqesin tani. Si dhoma torturash, ka gjasë, që po zbulohen për herë të parë.  Mirëpo ç’rëndësi ka e vërteta? Rama me një gur vret dy zogj: bën këtë operacion për ndërkombëtar dhe, çka është më e rëndësishmja, përmirëson financat e klientelës së tij, duke u dhënë miliona për këto operacione, paçka se ndërkohë "jep" zero lekë për arkivat, për studime të së kaluarës komuniste e të tjera gjëra shumë më të rëndësishme për njohjen e vërtetë të komunizmit sesa këto butafori.
E pra, ndërkaq, punët me dekomunistizimin e vërtetë shkojnë keq e më keq. Sepse, nëse me regjimin komunist që kaluam do të kuptojmë pushtetin e një partie të vetme që me zërin e liderit të vet absolut  pretendon se ka monopolin e së vërtetës, e një partie që ka kontrollin e ekonomisë, kontrollin e medieve, si dhe që përdor dhunën verbale dhe fizike ndaj atyre që nuk rreshtohen në llogoren e saj kundër armikut të partisë dhe të popullit, mendoj se pas njëzetepesë vjetësh Shqipëria deri dje e Sali Berishës ka hedhur me Edi Ramën një hap më tej drejt këtij vizioni sa të frikshëm edhe karikatureskt të regjimit komunist. Dhe kush ka shpresë se nga kjo do ta shpëtojnë ndërkombëtarët është një miop politik i pashpresë. (Panorama, 23 dhjetor 2015)

Saturday, December 12, 2015

Si e gjykoj protestën e opozitës

Së pari,  
Nuk mendoj se bunkerin prapa ministrisë së transporteve, që u sulmua ditën e enjte nga protestuesit me akuzën se po na ngre simbolet e diktaturës, Edi Rama e ka ngritur për nostalgjikët e Enver Hoxhës.  Por mendoj se si bunkerin ashtu edhe objektin tjetër të sulmuar e dëmtuar, tendën në hyrje të Kryeministrisë, aq e ndryshme nga pamja dhe materiali me bunkerin, i ka ndërtuar me mendësinë e Enver Hoxhës: duke dhunuar qendrën historike të Kryeqytetit me idenë se “historia fillon me mua”; duke përçmuar e përdhunuar opinionin publik, që në pjesën më të madhe nuk i do këta objekte; duke u vënë mbi ligjin madje duke ia kaluar dhe Enver Hoxhës në delir - sepse  gjëra të tilla ai të paktën i bënte duke ua ngarkuar specialistëve të kohës së tij, kurse ky bën vetë edhe pushtetarin edhe arkitektin, edhe urbanistin edhe artistin.
Thënë kjo, sipas meje, problemi i Ramës dhe i dhunës simbolike që ushtruan protestuesit kundër veprave të tij, që ishte një dhunë simbolike kundër tij, nuk janë thjesht këta dy objekte. Problemi më i madh është se ashtu sikurse kanë ndërtuar këta objekte, duke na zbuluar një ditë perden dhe duke na thënë: "O mangi questa minestra, o salti dalla finestra!"(O haje këtë çorbë, o hidhu nga dritarja!) ai dhe të tijtë kanë kryer edhe shumicën e aksioneve politike gjatë këtyre dy vjetëve që qeverisin. (Ngulmoj të përmend “të tijtë” sepse ka shumë njerëz që nuk mund të lahen sot nga përgjegjësia për ato që po ndodhin dhe mund të ndodhin nën drejtimin katastrofik të Edi Ramës.)
Gjykoj, pra, se dhuna që u krye nga protestuesit opozitarë ndaj dy objekteve ishte një dhunë simbolike që kërkonte të godiste dhunën kryeministrore, dhunën policore,  dhunën tatimore, dhunën mediatike, që i ka lodhur e nervozuar së shumti shqiptarët jo vetëm sepse është e shoqëruar me selektivitet dhe padrejtësi, por edhe me mashtrimin se gjoja po ushtrohet në emër të ndërtimit të shtetit, kur në fakt duket qartazi se po bëhet në emër të konsolidimit të pushtetit arrogant,  oligarkik, kleptokratik, përçmues të bandës së radhës me në krye Kryeministrin.
Kush nuk do ta lexojë kështu, dhe të nxjerrë mësime, duhet të përgatitet për akte më të dhunshme nesër që nga dhunë simbolike mund të kthehen edhe në dhunë shkatërrimtare. Reagimi i Kryeministrit dhe i të tijve nuk lë shumë shpresa se ky reflektim mund të ndodhë.

Së dyti,
Nga Kryeministri dhe opinionbërësit e mediat pranë tij po kërkohet t’i faturohet kjo dhunë një opozite të vjetër që është mësuar me akte shkatërrimi. Unë mendoj ndryshe: shansi i Edi Ramës me shokë që këta objekte vetëm u dëmtuan dhe nuk u shkatërruan plotësisht (po shprehem gjithmonë simbolikisht duke nënkuptuar me shkatërrim të plotë rrëzimin e qeverisë) është pikërisht kjo opozitë. Me atë që na shohin sytë e na dëgjojnë veshët përditë nga njerëzit që takojmë kudo, zhgënjimi ndaj kësaj maxhorance është duke u ngarkuar përditë me ndjenja urrejtjeje dhe neverie që kanë kapur kulme që mund të krahasohen vetëm me periudhat më të errëta të periudhës pas komuniste. Sepse gjendjes gjithnjë e më të rëndë ekonomike, mungesës së perspektivës dhe shpresës, korrupsionit dhe vjedhjes së paturpshme që bën klientela e Kryeministrit,  kjo maxhorancë po i bashkëngjit edhe suprlusin e tekave si ato të bunkerit, të tendës e të jaguarëve më një anë dhe arrogancën, talljen dhe përçmimin e një Kryeministrit që duket se provon kënaqësi sadiste kur fyen tall e përçmon ata që nuk lëpijnë pështymën e tij.

Sipas gjykimit tim, pra, pikërisht fakti se shumë nga njerëzit e zhgënjyer që po mbarsen me urrejtje nuk e ndjejnë të dalin në shesh për të sjellë në pushtet edhe një herë Sali Berishën dhe të tijtë, për të grabitur bashkë me të njëjtët oligarkë që dje grabisnin me Berishën dhe sot me Ramën; mendimi se qeveria teknike që po kërkon PD-ja, si shkallë për të riardhur në pushtet, do të ishte si ajo e Bashkim Finos në vitin 97-të, që e lëshoi Shqipërinë në kaos, janë fati i Edi Ramës. Sepse, sikur të dilte sot një opozitë që vërtet të frymëzonte besimin se do ta rrëzonte regjimin oligarkik, kleptokratik të instaluar në Shqipëri, që e denoncoi Basha në fjalim (pasi e ndërtoi për tetë vjet edhe vetë), dhe i të cilit sot Rama po bëhet përfaqësuesi më i urryer, jam i sigurt se ajo që do të mund të ndodhte në shesh në 25 vjetorin e lëvizjes së dhjetorit nuk do të ishte thjesht gërvishtja e një bunkeri dhe thyerja e disa xhamave, por do të ishte vërtet e proporcioneve të asaj lëvizjeje që nuk i pa shqiptarët të ndarë siç janë sot, por thuajse të gjithë bashkë për të rrëzuar një regjim të urryer. (Panorama, 11 Dhjetor 2015)

Saturday, December 5, 2015

Mbi debatin Blushi - Surroi për "zbutjen" e Islamit



1)Ditët që pasuan sulmet terroriste në Paris, Lapsi ka botuar një polemikë mes Veton Surroit dhe Ben Blushit. Ata  duket se ndahen mbi rolin e islamit në terrorizmin. Cili është qëndrimi juaj?

E kam ndjekur polemikën. Jam më afër argumenteve të Surroit lidhur me pyetjen nëse është Islami shkaku i terrorizmit apo po instrumentalizohet? Mendoj se për t'iu përgjigjur sa më drejt kësaj pyetjeje duhet t'i kthehemi mësueses tonë më të madhe, historisë. Ajo na flet për dy faqe të fesë. Njëra është ajo e fesë si  përbashkuese e njerëzve në emër të Zotit e të shenjtorëve apo profetëve të saj që mishërojnë disa vlerave e principeve morale. Nëpërmjet tyre ajo i jep njeriut, si individ, ndjenjën e bashkësisë dhe jo vetëm, por nëpërmjet riteve e praktikave të veta edhe një jetë shpirtërore që do të thotë edhe një shpresë dhe një kuptim jete. Këtë do ta quaja feja si mënyrë jetese e individit dhe e grupit ku, përveç predikimeve të dashurisë, të paqes, nuk mungojnë edhe gjëra të papranueshme nga jobesimtarët në kohën e sotme, veçanërisht, si ato që ushqejnë nënshtrimin e gruas ndaj burrit, dënimin e homoseksualëve, të jobesimtarëve etj.. Më anë tjetër feja, duke ndërtuar në mendjen e besimtarëve të vërtetat e saj të cilat i shenjtëron dhe i bën të paprekshme është edhe një faktor thelbësor identiteti për individin dhe grupin, duke i dalluar ata nga të tjerët. Këtë do ta quaja principi identitar i fesë. Mendoj se shpjegimin më të thellë të instrumentalizimit të fesë edhe nga terrorizmi i sotëm islamik duhet ta kërkojmë duke u nisur nga dallimi midis fesë si mënyrë jetese dhe fesë si princip identitar.
Historia na tregon se grupime apo edhe popuj me identitete të ndryshme fetare janë ndeshur me njëri tjetrin duke mbajtur flamurin fetar në krye të ushtrive të tyre. Për ilustrim do të sillja një nga betejat më të famshme në histori, atë të Ponte Milvios ku legjenda thotë se Kostantinit të Madh, që po luftonte për të marrë Romën, iu shfaq një kryq në qiell nën të cilin ishte shkruar "In hoc signo vinces" (Me këtë shenjë fiton). Përballë Konstandinit ishin ushtarët e Masencios që kishin në mburojat e tyre shenjën e diellit sepse Roma asokohe ishte ende me fenë pagane dhe Hyu i romakëve ishte Dielli. Por historianët modernë tregojnë se Kostandini në fakt as që ka besuar tek Krishtërimi dhe se këtë  historinë e kryqit në qiell e ka  thënë shumë kohë më vonë kur, për të sunduar dhe eliminuar kundërshtarët paganë,i duhej mbështetja edhe e të krishterëve. Dhe në fakt në këtë periudhë historike ndodh diçka shumë paradoksale: krishterimi bëhet fe shtetërore e perandorisë dhe të krishterët, pas afro katër shekujsh të persekutuar, fillojnë e bëhen persekutorë. Si është e mundur kjo kur, po të kesh parasysh fjalët e Krishtit, që na mëson të duam edhe armikun tonë, mund fare mirë të deduktojmë se kurrsesi Krishti nuk do të kishte lejuar të bëheshin tërë këto beteja e vrasje e deri kryqëzata e persekutime në emër të tij? Si mund të nxirrte Krishti shenjën e tij në qiell për të nxitur një betejë vrastare dhe mizoritë që e pasuan atë? Shkurt dua të them se kur flasim për luftëra fetare që kanë përdor edhe zjarrin dhe hekurin për të shtypur, konvertuar apo deri shfarosur të tjerët nuk kemi të bëjmë me fenë si mënyrë jetese, por me shfrytëzimin e fesë si princip identitar dhe se motivet e vërteta të luftërave duhen kërkuar gjetkë: në qëllime pushteti, pushtimesh, në frustrime social ekonomike apo edhe, siç thotë Surroi kur flet për terrorizmin,duke cituar Robert Pape, në "shporrjen e forcave okupatore nga territori që terroristët e konsiderojnë atdhe",  kurse feja si princip identitar ka shërbyer thjesht për t’i grumbulluar, motivuar dhe mbajtur bashkë luftëtarët e të njëjtit besim.
Ju kujtoj se gruaja e njërit prej terroristëve të Parisit tha se i shoqi nuk shkonte thuajse fare në xhami. Është e qartë se ai nuk e përdorte islamin si mënyrë jetese, por si princip identitar.
***
Megjithatë, po të shikojmë historinë, ajo na tregon gjithashtu se vërtet ka pasur plot luftëra fetare, por popujt me fe te ndryshme kanë mësuar edhe të bashkëjetojnë e të respektojnë besimet e njëri tjetrit. Këtë e tregon edhe historia e Perandorisë Osmane ku kemi bërë pjesë edhe ne ku popujt me fe të ndryshme kanë bashkëjetuar me myslimanët, se po të kishte qenë ndryshe në afro 500 vjet dominim të osmanëve myslimanë në Ballkan nuk do të kishte pasur më asnjë ortodoks apo katolik dhe nuk do të kishte mbetur kishë e sinagogë më këmbë në Ballkan. Madje ka qenë një kohë kur ebrejtë vinin në Perandorinë Osmane sepse persekutoheshin nga të krishterët. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me të krishterët që kanë jetuar në  tokat arabe ku sot po u bëhet jeta gjithnjë e më e vështirë nga ekstremistët islamikë. Kjo bashkëjetesë, që s’mund të fetishizohet sigurisht, sepse ka pasur edhe diskriminime, ka ndodhur sa në sajë të ekuilibrit të forcave të ndryshme aq edhe në sajë të fesë si mënyrë jetese që u ka mësuar njerëzve se duhet të duan njeriun dhe jetën dhe jo t'i vrasin ato. Unë mendoj se kjo frymë e bashkëjetesës me tjetrin në paqe është mbizotëruese në botën Islame edhe sot, kurse aktet terroriste që shohim nuk e kanë inspirimin nga Islami, por nga problemet sociale ekonomike të injorancës, të nacionalizmave, të korrupsionit e abuzimit të elitave sunduese në vende të botës Islame apo në frustrimet social ekonomike të emigrantëve me fe islame në Evropë, që pastaj instrumentalizojnë islamin duke përdorur atë që e quajta principi i tij identitar.

2) Blushi duke nënkuptuar përgjegjësinë Islamit ngre çështjen e zbutjes së Islamit. Si mendoni, a mund të zbutet Islami dhe a mund ta ndihmojë bota perëndimore për këtë, ashtu sikurse e sheh zgjidhjen Blushi?

Kur flet për "zbutje" të Islamit Blushi intuitivisht ndoshta ka parasysh procesin që ka ndodhur në Evropë. Por a mund ta quajmë atë "zbutje të Krishterimit" dhe, nëse mendon se po, duhet t'i përgjigjej pyetjes se kush e ndihmoi Krishterimin të zbutet, që ta aplikojmë atë edhe tek bota Islame. Unë mendoj se ai proces që më shumë se zbutje mund të konsiderohet hapje e   Krishterimit ndaj të tjerëve- ku hyn edhe ndarja e kishës nga shteti, sekularizimi, që do të thotë pakësim i mundësisë për të instrumentalizuar fenë nga pushteti tokësor - ka qenë një rrugë e gjatë me shumë kthesa e zhvillime të tilla si Rilindja Evropiane me Humanizmin, Revolucioni Francez me Iluminizmin, Revolucioni industrial që solli kapitalizmin e bashkë metë edhe liberalizmin,e që vazhduan në shekujt XIX, XX me socializmin, nihilizmin, fashizmin, nazizmin, komunizmin, demokracinë me të drejtat e njeriut. Por le të mos harrojmë se ka qenë një kohë e gjatë dy shekullore, që kur njeriu evropian filloi të heqë  dorë nga Zoti dhe krijoi fe të tjera si feja e arsyes, feja e atdheut superior, feja e komunizmit,kur,përveç vazhdimit të kolonizimeve evropianët kanë bërë edhe luftëra të tmerrshme edhe me njëri tjetrin përpara të cilave këto që po shohim sot mund të quhen lodra kalamajsh.
Prandaj unë mendoj se nëse përdorim fjalën "zbutje" duhet të flasim për zbutje të njeriut nga etja për pushtet dhe dominim, nga autoritarizmi agresiviteti dhe urrejtja. Pa dyshim ka shumë vende sot në botën Islame ku autoritarizmi dhe dhuna, të lidhura dhe me korrupsionin janë një problem i madh, por të mos harrojmë se shumë nga elitat që i kanë krijuar këto probleme kanë qenë apo edhe janë ende laike në këto vende dhe feja Islame është instrumentalizuar pastaj nga kundërshtarët e tyre pikërisht si forcë përbashkuese për t’iu kundërvënë, fatkeqësisht duke përdorur dhunën edhe ata. Sot këta vende gjenden në një fazë kritike pikërisht për shkak të dështimit të këtyre elitave për të ndërtuar demokraci, shtet të së drejtës dhe për të zhdukur pabarazitë e thella. Është një proces delikat për të cilin më duket se njohja e historisë dhe përvoja evropiane mund të ndihmojnë. Por nuk mendoj se Perëndimi ka ndihmuar me mençuri që ky proces të marrë rrugën e duhur. Unë mendoj se bota perëndimore mund të ndihmojë pikë së pari duke ndihmuar edhe veten me heqjen dorë nga prirjet për të kontrolluar me dhunë zonat në fjalë. Sepse,  psh. ajo që po ndodh në Irak ishte pasojë e dhunës që ushtroi Perëndimi në atë vend që u vesh me flamurin e demokracisë perëndimore, por që synimet duket se i kishte të tjera. Sot po bëhet gjithnjë e më evidente se Siria është bërë një arenë e luftës për dominim midis fuqive të mëdha si SHBA dhe Rusia që janë paradoksalisht të dyja me popullsi kryesisht të krishterë, por ku Krishtërimi si mënyrë jetese s’ka punë fare.  

3) Surroi thotë se myslimanët, ndryshe nga katoliket që kanë Vatikanin apo Ortodoksët që kanë Patriarkanën e Stambollit nuk kanë një qendër nga ku mund të përfytyrohej reformimi. A ka të drejtë?

Ky është një mendim i përhapur, por për mua semplist dhe i gabuar. Sepse nëse themi se e keqja nuk vjen nga Islami, por se ai është vetëm pretekst, sikurse thotë edhe Surroi, atëherë edhe nëse "reformohet" Islami nëpërmjet një qendre që i urdhëron të gjithë besimtarët të sillen në të njëjtën mënyrë e keqja, frustrimi, dhuna do të gjejnë emra të tjera për t’u shprehur. Sikurse thashë duhet ta vëmë theksin tek reformimi i shoqërive nga autoritare, oligarkike, të dhunshme në demokratike. Dhe në këtë kontekst, gjithë duke iu referuar historisë, ajo tregon se vërtet është më e  lehtë t'i kontrollosh njerëzit kur ke një qendër që drejton, por kjo mund të jetë edhe më problematike përsa i përket luftës kundër autoritarizmit. Fjala Reformë, me të madhe, ka hyrë pikërisht nga historia e Krishterimit kur Luteri iu kundërvu Papës dhe Vatikanit dmth. "qendrës" në emër të kthimit në parimet e Krishtit dhe kështu lindi Protestantizmi që një nga tiparet e veta themelore ka eliminimin e autoritetit të jerarkisë fetare, me fjalë të tjera të "qendrës" duke i mëshuar lidhjes direket të njeriut me Zotin nëpërmjet Shkrimeve të Shenjta. Edhe kjo mungesë e Qendrës ka ndikuar që në botën protestante të zhvillohet një qytetërim që në shumë aspekte sot konsiderohet më i përparuari përsa i përket çlirimit të individit nga autoritarizmi. Kështu mund të thuhet se feja Islame, duke qenë më afër Protestantizmit në aspektin se nuk e ka një qendër të vetme, potencialisht mund të ndikojë për  më shumë liri. Shkaqet pse nuk ndodh kështu janë të tjera, prandaj ngulmoj se ashtu sikurse këto shkaqe duhen kërkuar kryesisht jashtë fesë edhe dalja nga rreziku i terrorizmit islamik duhet kërkuar tjetërkund. Edhe të zinjtë në SHBA ka qenë një periudhë që kanë përdorur Islamin si princip identitar për tu bashkuar e  për të shkarkuar frustrimin e tyre kundër racizmit. Kapërcimi i kësaj situate erdhi nëpërmjet rritjes së integrimit, arsimimit, diskriminimit pozitiv dhe jo nëpërmjet "zbutjes" apo "reformimit" të Islamit.

3)Një nga argumentet e Surroit është se të mendosh se Islami frymëzon terrorizmin është njësoj sikur të thuash që Krishterimi frymëzoi Holokaustin. Në të dy rastet është paragjykim thotë ai....

E drejtë. E para gjë që mund të them lidhur me këtë argument është se Holokausti më së shumti është produkt i periudhës që pason Iluminizmin, pra, kur njeriu u shkëput nga Zoti dhe  me krenari, për mirë dhe për keq, mendoi se është ai që e vendos fatin e vet mbi tokë dhe krijoi projekte ndër  të cilët edhe projekte monstruoze siç ishte nazizmi i mbështetur në nacionalizmin gjerman dhe në darvinizmin social që ndërtuan fenë e racës superiore. Le të mos harrojmë se Hitleri kur shfryn urrejtjen ndaj ebrejve tek Main Kampfi nuk i akuzon ata si vrasës të Krishtit, i akuzon nga këndvështrimi i fesë së tij të nacionalizmit gjerman, si komunistë dmth. internacionalistë dhe si njerëz që ishin pasuruar e majmur në kurriz të gjermanëve të tij të pastër gjatë Luftës së Parë. Nazizmi ishte antikristian sepse një nga mësimet kryesore të Krishterimit është se jemi të gjithë të barabartë përpara Zotit kurse racizmi është e kundërta e kësaj. E megjithatë, duke qenë se në luftën e tij për pushtet nazizmi përdori edhe paragjykimet ndaj ebrejve që vinin pikërisht nga historia e Krishterimit që i kishte damkosur këta si vrasës të Krishtit, ka nga ata që e ngrenë tezën e fajësisë së Kishës.
Por, ndërkaq, ata që e kanë studiuar nga pikëpamja psikologjike persekutimin dhe dhunën ndaj ebrejve e kanë parë këtë si manifestim të një pushteti autoritar që, duke ushtruar dhunë dhe shtypje nga lart, bënte që kjo, shkallë shkallë, të shkarkohej tek më të dobëtit poshtë. Prandaj unë ngulmoj se dhuna dhe shkaqet e saj duhen zbuluar deri në rrënjë më të thella që kanë të bëjnë tek e fundit me atë që Foucault e quan "fashizmi brenda nesh" dhe jo tek ideologjia apo feja që ne përdorim për të justifikuar dhunën. Siç e thashë njeriu edhe kur ka hequr fetë  tradicionale ka krijuar fe të tjera, gjithmonë në emër të së mirës, por të cilat shpesh i ka përdorur për të justifikuar dhunën e tij ndaj të tjerëve. Sipas meje edhe vetë Perëndimi sot është përballë rrezikut të instrumentalizimit si fe të disa vlerave të tij themelore, të mënyrës së tij të jetesës, me të cilën identifikohet  për të justifikuar një luftë që e ka armiqësuar me botën Islame. Kjo është shumë e gabuar po të ndodhë. “Errësira nuk hiqet me errësirë, por me dritë, urrejtja nuk hiqet me urrejtje, vetëm dashuria mund ta bëjë këtë” thotë Martin Luter Kingu.

5)Kur vjen puna për Islamin shqiptar Surroi e quan atë si të vetmin Islam me të vërtetë evropian se ai i është nënshtruar sekularizmit dhe nuk i mbivendoset identitetit kombëtar. Çfarë mendoni për këtë?

Nga kjo që thotë Surroi duket se ne jemi më të garantuar se të tjerët nga rreziqet e fundamentalizmave islamike apo terrorizmit. Por Surroi thotë edhe të kundërtën: se ne shqiptarët jemi ndër më të rrezikuarit nga fryma e ISIS-it (salafisto - wahabiste) me argumentin se, meqë kombi ynë nuk është i ndërtuar nën ombrellën e një besimi të vetëm, por mbi principin e bashkëjetesës së besimeve që i nënshtrohen kombit, ai rrezikohet nga shqiptarët wahabi dhe salafi, sepse ata kanë prirjen të venë identitetin fetar të myslimanit mbi identitetin kombëtar.
Në këto dy konkluzione të Surroit ka një kontradiktë që duhet shpjeguar dhe sipas meje kyçi i shpjegimit gjendet tek fjala nënshtrim apo vendosje e identiteteve sipër - poshtë.
Është e vërtetë: tek ne besimtari urdhërohet apo mësohet t'i nënshtrohet sekularizmit dhe nacionalizmit që ne, në shqip, për ta zbutur nga konotacioni që ka marrë, e quajmë shpesh "kombëtarizëm". Mirëpo "nënshtrimi" qoftë ndaj sekularizmit qoftë ndaj kombëtarizmit është problem sepse koha që jetojmë është kohë e të drejtave të njeriut dhe jo e nënshtrimit të njeriut. Do të ishte e drejtë të përdorej fjala respekt, por ne nuk duam respektin, por nënshtrimin ndaj sekularizmit, që shpesh e identfikojmë me kombëtarizmin si fe e shqiptarit duke aplikuar thënien e Vaso Pashës "Feja e shqiptarit është shqiptaria". 
Pikërisht kjo kërkesë e nënshtrimit që e kërkojmë si garanci krijon rrezikun. Sepse nëse e shtrojmë çështjen ashtu siç e shtron Surroi duke folur për shqiptarët e Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kosovës si një komb shqiptar që rrezikohet nga myslimanët që venë Zotin mbi kombin atëherë, për simetri myslimanët që venë Zotin mbi Kombin mund të thonë se kërcënohen nga nacionalistët që venë kombin mbi Zotin, kurse  maqedonasit etnikë në Maqedoni në këtë rast mund thonë se kërcënohen edhe nga  shqiptarët nacionalistë edhe nga shqiptarët wahabistë. Sipas meje identiteti fetar dhe identiteti etnik (që ne e quajmë identitet kombëtar duke e identifikuar kombin me etninë shqiptare) nuk duhet të kenë pozicione vertikale sipër - poshtë në ndërgjegjen e njerëzve, por pozicione horizontale. Unë gjykoj se përpjekja duhet bërë që të gjithë të jetojnë duke u ndjerë të barabartë me njëri tjetrin në të drejta dhe detyra brenda shtetin komb të cilit i përkasin, pa harruar  gjithashtu se jemi edhe qytetarë të botës. Në këtë kontekst  është më e saktë që me identitet kombëtar të mos kuptojmë atë etnik as atë fetar, por përkatësinë në shtetin komb ku individë me shumë idenitetet të ndryshme fetare, etnike, profesionale, krahinore etj., etj. jetojnë me të drejta e detyra të barabarta. Përndryshe rrezikojmë të biem tek luftërat identitare, tek instrumentalizimi qoftë i fesë së atdheut qoftë i fesë së Zotit që çon në konflikt. Kujtoj se feja katolike është një fe që i ka besimtarët e saj në shtetet e të gjithë kontinenteve të botës dhe se në vendet demokratike besimtarët e saj nuk udhëzohen t'ia nënshtrojnë Zotin e tyre atdheut të tyre dhe as atdheun Zotit të tyre. Sigurisht qenia së bashku në një shtet komb të caktuar, pasja e një historie të përbashkët,përdorimi i një gjuhe të përbashkët, i ligjeve të përbashkëta i bën të ndjehen më afër me bashkëkombësit e tyre sesa me katolikë të shteteve të tjera, por  jo gjithmonë dhe jo domosdoshmërish. Sepse, sikurse thotë edhe Lordi Action: "Njeriu që zgjedh të verë vendin e tij mbi çdo detyrë tjetër tregon të njëjtën frymë me atë të njeriut që ia jep të gjitha të drejtat shtetit të tij. Që të dy këta mohojnë një gjë shumë të rëndësishme: se e drejta qëndron përmbi autoritetin."
Edhe diçka tjetër duhet thënë për kërkesën që fetë tona t’i nënshtrohen sekularizmit. Ai që quhet sekularizim ka qenë një lëvizje që ka filluar prej shekujsh në Evropë me synim pakësimin e ndikimit të kishës dhe fesë në punët e shtetit; pra është një proces që ka nisur për shkak se feja ka qenë shumë ndërhyrëse në punët e shtetit dhe prandaj ka pasur aq rëndësi në luftërat fetare psh. Madje si term juridik sekularizimi ka hyrë pikërisht me traktatit e Vestfalisë që shënon mbarimin e luftërave fetare në Evropë. Mirëpo,  siç e thashë, historia na tregon se, megjithë mbarimin e luftërave fetare, Evropa ka bërë lufta shumë më të egra dhe persekutime në emër të nacionalizmave. Historia jonë përkon me këtë periudhë. Që me fillimin e shteti shqiptar nacionalizmi dhe pastaj nacional komunizmi e kanë shtypur fenë dhe kanë ushtruar persekutim mbi klerin dhe besimtarët. Edhe me rilindjen e feve pas viteve '90 roli i tyre në jetën politiko social kulturore të vendit ka mbetur ende shumë i dobët për të folur për rreziqe të ndërhyrjes së feve në punët e shtetit. Sot për sot rreziqet na vijnë nga ky shtet sekular dhe jo nga ndërhyrjet e fesë dhe klerikëve në punët e shtetit. Përkundrazi ne kemi nevojë që fetë si mënyrë jetese të kenë më shumë ndikim në edukimin e qytetarëve  për të përhapur ato mësime  themelore morale të dashurisë, të faljes e paqes, parime morale të tilla si “mos vidh”,“mos vrit” që janë krimet më të rëndomta në shoqërinë tonë të sotme. Mirëpo shumë nga kombëtaristët tanë, duke e parë edhe ata fenë si princip identitar dhe jo si mënyrë jetese, sikur e harrojnë qoftë historinë tonë qoftë realitetin që po jetojmë dhe kërkojnë ushtrimin e pushtetit superior të kombëtarizmit mbi fetë nga frika e instrumentalizimit të tyre. Unë, përkundrazi, gjykoj se instrumentalizimi i tyre mund të vijë nëse vazhdojmë të neglizhojmë luftën për njeriun e lirë nga varfëria, injoranca, dhuna dhe padrejtësia.  (Interviste për Lapsi.al, 3 Dhjetort 2015)

Tuesday, November 17, 2015

Konflikti Rama - Meta nga jashtë godinës së pushtetit

Në shkrimin paraardhës me titull “Laguna Blu dhe kapitalizmi ynë kafshëror” e kam krahasuar pushtetin oligarkik në Shqipëri me një godinë trekatëshe me një shkallë të lëvizshme që lidh katin e  parë të bizneseve klienteliste, me katin e dytë të mediave klienteliste dhe katin e tretë të partive/banda (me aneks drejtësinë) - ndërkohë që, në një demokraci, ato duhet të jenë pushtete të ndarë. Në atë shkrim kam thënë midis të tjerash se kam më shumë respekt për trafikantët sesa për njerëzit e këtyre tre kateve: politikanë, pronarë mediesh, gazetarë dhe biznesmenë që pasurimin e tyre e kanë bazuar në mashtrimin dhe grabitjen e publikut. Pas kritikave të disa lexuesve të vëmendshëm  më duhet të bëj një korrigjim. E kam pasur fjalën për ata trafikantë që, në një mënyrë apo tjetër, kanë qëndruar jashtë lidhjes me tre katet e godinës e që shpesh kanë përfunduar të vrarë apo nëpër burgje. Kurse atyre që paratë e drogës i kanë përdorur për të hyrë në godinën e pushtetit më duhet tu gjej një vend të veçantë. Them se u shkon më së shumti bodrumi. Pra shkallës lëvizëse që lidh tre katet e godinës i duhet shtuar edhe një segment që siguron zbritjen dhe ngjitjen në bodrumin e krimit. Aq më tepër duke patur parasysh se banorët e bodrumit janë bërë gjithnjë e më të rëndësishëm në aktivitetet e kateve të tjera.
***
Kohët e fundit godina po lëkundet nga ulje ngritjet e një të ashtuquajturi konflikti Rama – Meta. Arsyet e këtyre lëkundjeve mbeten të paqarta pasi, shumëçka që na vjen nga kati i dytë, më shumë na fut në pista të gabuara, sesa na ndihmon për të kuptuar. Prandaj, për të kuptuar diçka më shumë, sipas meje, lipset një vështrim nga jashtë i të gjithë godinës. Dhe pamja nga jashtë tregon se konfliti nuk duhet parë si sherre për pushtet në katin e tretë, siç e shohin shumë, por në kontekstin e një krize të të gjithë godinës. Kjo krizë është e dyfishtë: më një anë kemi krizën e rëndë ekonomike në të cilën e ka zhytur vendin godina; më anë tjetër krizën e rëndë të besimit ndaj godinës, ku, në rreth vicioz, kriza ekonomike ka shtuar krizën e besimit dhe kriza e besimit thellon krizën ekonomike. Lëkundjet e raportit Rama - Meta duhet t’i shohim më së pari si manifestim të kësaj krize. Dhe vetëm pastaj të shtrojmë pyetjen: mos vallë ardhja e Edi Ramës e ka thelluar këtë krizë dhe pse.

Kriza ekonomike
Për krizën ekonomike është e tepërt të zgjatem. Ajo është pasojë e një ekonomie të dështuar piramidale, të bazuar mbi mashtrimin dhe grabitjen e publikut, që po arrin në grahmat e fundit. Për të dalë prej saj duhen operacione serioze e të përgjegjëshme që të synojnë shkatërrimin e kësaj godine, ndërprerjen e lidhjeve kriminale të punëve të katit të tretë me  punët e kateve të tjera dhe ndërtimin e strukturave të tjera të ndara. Mirëpo këtë as që e mendojnë njerëzit e godinës. Përkundrazi, ata kanë lëshuar taksidarët e policët të ushtrojnë terror psikologjik dhe fizik kundër njerëzve për të mjelur të ardhurat e fundit që u kanë mbetur. Kjo ka thelluar krizën ekonomike sepse njerëzit, nga ana e tyre, nuk mbajnë dot më dhe mbyllin qepenat e ikin - derisa të vijë një ditë kur të sulmojnë godinën për të ndaluar grabitjen që po u bëhet. Kaq po them për krizën ekonomike pasi kam përshtypjen se të gjithë e kanë të qartë se për çfarë po flas ngaqë e përjetojnë përditë si ethe në trup.

Kriza e besimit.
Problemi është se deri dje, megjithë varfërinë dhe vështirësitë ekonomike në rritje, godina ka mbijetuar. Një nga shkaqet e mbijetesës ka qenë propaganda që godina ka përhapur nëpërmjet katit të dytë për të mbajtur gjallë besimin tek ajo nëpërmjet alternimit të njerëzve të katit të tretë, veçanërisht nëpërmjet lojës së ashtuquajtur të votimeve.  Gjatë viteve kjo propagandë ka ndërruar gjuhë. Fillimsht i ka ndarë njerëzit e katit të tretë në “të mirë” dhe “të këqij”, pastaj në “më të mirë” e “më të këqinj”, pastaj në “e keqja më e vogël”, deri tek “qelbësirat” kundër “kryeqelbësirës”. Sot kemi arritur në pikën e konsumimit të kësaj loje. Sipas meje dy vjetët e Edi Ramës konsumuan mashtrimin e fundit të godinës.

Konflikti Rama - Meta
Megjithatë, siç ndodh rëndom me ata që janë mësuar me pushtet dhe e humbasin kontaktin me realitetin, njerëzit e godinës nuk e shohin kështu gjendjen. Ata mendojnë se mund ta vazhdojnë lojën e alternimit të kryeqelbësirave që bëhen qelbësira dhe të qelbësirave që bëhen kryeqelbësira. Tek ky gabim e ka burimin, sipas meje, konflikti Rama - Meta. Konflikti është një përpjekje mashtruese e rradhës për të gjetur një kryeqelbësirë për t’ia hedhur publikut që ky të besojë edhe ca kohë tek qelbësirat e godinës.  Dhe nuk ka dyshim se qoftë PS-ja qoftë PD-ja mendojnë se më i përshtatshmi për këtë rol është Ilir Meta. Ndërkaq ky kundërvepron për të mbrojtur interesat e tij duke u thënë direkt ose indirekt se s’mund ta bëjnë këtë lojë me të, sepse ai u njeh dhëmbë e dhëmballë të tërë qelbësirave të godinës të të tëra kateve. Kjo lojë po njeh kohët e fundit ulje ngritjet e veta. Pas reagimit të fundit të Metës kundër kryeprotagonistit të kësaj përpjekje për mashtrim, Ramës, u duk sikur do të bëhej nami, do të binte qeveria, por shpejt konflikti u qetësua, ndoshta me ndonjë pazar të rradhës të mbyllur edhe me njerëzit e katit të parë, ndërkohë që publikut iu shfaq filmi i vjetër tashmë i bërë bozë: “Fajin e ka Doktori”. Por kuptohet se kjo nuk do të zgjasë shumë, sepse gjendja po precipiton.


Roli i Ramës
Sipas meje Rama, përveç faktit se e gjeti vendin të superlodhur nga kriza ekonomike dhe e besimit ku e la doktor Berisha po bëhet një katalizator i jashtëzakonshëm i përshpjetimit të saj. Ai po bën të na shfaqen me shpejtësi dhe evidencë të paparë veset më të këqija të godinës. Ose, thënë ndryshe, Rama po bën veprime që po i çjerrin përfundimisht maskën godinës.
Së pari, ai e ka çuar në ekstrem arrogancën dhe korrupsionin e godinës. Nuk di të them nëse është droga e pushtetit apo efekti i kokainës për të cilën e kanë akuzuar shpesh, por arroganca dhe egërsia me të cilën qeveria e  tij po grabit njerëzit jashtë për të paguar të tijtë brenda ka arritur kulme të papara. Ai po i tejkalon edhe normat më të ulëta morale me të cilat kanë punuar deri më sot njerëzit e godinës, qoftë me njerëzit jashtë godinës qoftë edhe me njëri – tjetrin brenda. Është e pabesueshme lehtësia me të cilën nxjerr ligje për të futur në burg njerëzit e thjeshtë për një faturë ndërkohë që vetë i shkel ligjet në mungesë të plotë transparence për të favorizuar veten dhe të tijtë. Ç’të thuash për lejet  e ndërtimit që u jep buzë detit apo tek Parku Sandrit dhe Samirit pasi i ka akuzuar këta si simbol i lidhjeve korruptive të biznesit dhe mediave me pushtetin dhe ka premtuar pastrimin e bregdetit dhe ndalimin e lejeve të ndërtimit në Kryeqytet? Po për faktin se e sheh më shumë jashtë se brenda vendit dhe, s’mjafton kjo, por nëpër udhëtimet merr me vete edhe pikturat për të çelur ekspozitat e tij personale? Së fundi i la njerëzit pa gojë me idenë çmendurake për të paisur ministrat me jaguarë, çka  është një sklandal i dyfishtë: si për faktin e makinave të shtrenjta që ka zgjedhur edhe për paturpësinë e dhënies së tenderit klientit të tij. E pastaj, në bazë të parimit krimi ndjell krimin, këto bëma e çojnë deri  tek propozimi i një shtesë të ligjit mbi shpifjen ku shkruhej: “Shpifja e kryer botërisht ndaj një funksionari të lartë shtetëror apo të zgjedhur, me qëllim atribuimin atij të një fakti që parashikohet nga ligji si vepër penale, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet”.
Pjesa tjetër ku ai po jep kontribut personal është prishja e raporteve brenda godinës. Kapot e vjetër të godinës kanë ndërtuar kodin e tyre të sjelljes jo vetëm me njerëzit jashtë, por edhe me njëri tjetrin çka me dy fjalë mund të përmblidhet me garancinë e pandëshkueshmërisë dhe njëfarë ndarje të territorit përsa i përket përfitimeve. Edhe takimi i Metës me Ramën në Lalëz, ku u vendoz aleanca, ishte pjesë e këtyre marrëveshjeve mafjoze. Mirëpo Rama nuk po jep siguri se do ta respektojë këtë marrëveshje. Ai kalon me lehtësi nga marrëveshjet mafjoze në gjendje delirante duke u paraqitur sikur ai është i miri që po e pengojnë të këqijtë si Ilir Meta për të pastruar Shqipërinë.  Për këtë po manovron që aneksin e drejtësisë ta bëjë instrument krejtësisht të vetin dhe po ashtu duke lëshuar thirrje si ajo e fundit: “bëhuni me PS që të pastrojmë Shqipërinë”. Sigurisht kjo ka acaruar Ilir Metën dhe jo vetëm. Sepse nuk mund të flasë për pastrim të Shqipërinë njeriu që ka lidhje më shumë se të gjithë të tjerët me njerëzit e bodrumit.
Po ashtu, kohët e fundit, po i thekson prirjet delirante për tu bërë zot i vetëm i të gjithë godinës – që do të thotë edhe të përfitimeve të katit të parë - duke ia kaluar në këtë delir edhe paraardhësit të tij që këtë delir e kishte jo të vogël. Në këtë kontekst edhe raporti i tij me katin e dytë po bëhet gjithnjë e më problematik. Megjithëse mediet dhe shumica e gazetarëve punojnë për godinën, ato deri më tani, për hir të lojës që bëjnë, kanë gëzuar një lloj autonomie. Psh. më së shumti cenzurën ndaj gazetarëve e kanë ushtruar pronarët e mediave që kanë shërbyer edhe si ura lidhëse e medieve me bodrumin, katin e parë dhe katin e tretë. Kurse Rama po kërkon ta bëjë vetë edhe punën e cenzuruesit.
Të vetmit me të cilët duket se ka ende marrëdhënie të mira janë njerëzit e bodrumit, por edhe kjo i ka krijuar shumë probleme me njerëzit e kateve të tjera sepse ata, jo vetëm që duan ta ruajnë një lloj aparence, por ndjehen edhe të kërcënuar nga pushtimi që po i bëjnë katit të tretë, me inkurajimin e Ramës, ata të bodrumit.

Si përfundim
Vështruar nga jashtë pamja tregon se në punën e së keqes njerëzit e godinës kanë qenë dhe vazhdojnë të mbeten komplementarë të njëri tjetrit. Konflikti Rama - Meta i kohëve të fundit, sipas meje, thellë thellë duhet interpretuar në këtë kontekst si një shmangie e të gjithëve nga e vërteta e krizës që kanë krijuar sëbashku. Ndërkaq, dalja e një njeriu me karakteristikat morale të Ramës në krye të godinës duhet parë si shprehja më eksplicite e degjenerimit shumëvjeçar të saj.
Aktorët e katit të dytë që bëjnë sot sikur janë të zhgënjyer me Ramën, apo që e nxisin “të mirin” Rama t’i bjerë “të keqit” Meta, bëjnë thjesht lojën e godinës sepse dihej që Rama ishte një nga themeluesit e kësaj godine. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për ata që shpresojnë se Meta do të bëjë më në fund një lëvizje të fortë kundër marrëzive të Ramës si dhe për ata të opozitës që u drejtohen vazhdimisht atyre që votuan Ramën duke u thënë: a ju paralajmëruam që do të binit nga shiu në breshër me këtë kokainoman? Këtyre u duhen bashkuar edhe ata ironikë, indiferentë apo të nënshtuar që mendojnë se godina në fjalë është kapelja që meritojnë shqiptarët, me fjalë të tjera se kjo mafje në pushtet,  gjithsesi, krijon një lloj qëndrueshmërie dhe sigurie, dhe që e presin zgjidhjen e krizës brenda lojës së saj.
Personalisht ngulmoj se ashtu siç analiza e krizës duhet bërë nga jashtë godinës edhe zgjidhja duhet kërkuar jashtë saj. (Panorama, 16 Nëntor 2015)