Të më falë lexuesi që po e filloj këtë shkrim
me një fyerje, por duke kërkuar ndjesë për lirinë e fjalës po them se është
idiot politik i pashpresë ai që nuk e ka kuptuar se Sali Berishës, Edi Ramës dhe
shumicës së mbështetësve që kanë prapa nuk u kërcet as për veteranët e luftës
as për ish të persekutuarit, por vetëm për pushtetin dhe paranë e tyre. Shtova
epitetin “politik” thjesht për mirësjellje se mund të thosha edhe thjesht
idiot. Megjithatë në vazhdim të këtij artikulli do ta zëvendësoj fjalën “idiot”
me atë “miop”.
Që ka të tillë miopë në Shqipëri kjo është e
sigurt, por, megjithatë, jam i bindur se numri i tyre është i vogël për të
justifikuar tërë këtë fushatë që po bëhet me akuza e kundërakuza për ca
veteranë që na qenkan dekoruar, sepse paskan qenë hetues dhe për ca ish të
persekutuar që po lëvizin nga varri nga ky zbulim. Këtë “zbulim” të madh arkeologjik, në fakt, ne
ka kohë që e shohim në natyrë të hapur, mes nesh - mjaft të kesh parasysh se
vazhdojmë të nderojmë e dekorojmë tërë aradhën e artistëve dhe krijuesve që i
kanë kënduar socializmit dhe shokut Enver duke inspiruar me ndjenja urrejtjeje
dhe pamëshire ndaj armikut të klasës edhe aradhat e hetuesve. Prandaj, sipas
meje, shumica e shqiptarëve e di mirë se po shohin një melodramë të shpifur dhe
të imponuar nga agjenda e politikës së regjisorëve të vjetër që nuk emocionon më
as edhe vetë miopët politikë. Atëherë, si ka mundësi që kjo melodramë ka pushtuar
tërë skenat kryesore mediatike?
Ka vetëm një shpjegim: sepse kjo puna e dekomunistizmit,
ashtu si dhe reforma në drejtësi, janë dy tema që emocionojnë shumë ambasadorët
e huaj sot, aq sa moskapërcimin e këtyre dy pengesave ata e quajnë shkakun e
shkaqeve pse jemi në këtë gjendje.
Dhe këtu po dal tek një problem që e ngre jo për herë të
parë. Ne kemi një klasë politike që, duke e humbur gjithnjë e më shumë
legjitimitetin brenda vendit, kërkon ta kompensojë atë me legjitimitetin që i
japin ndërkombëtarët - sindromë kjo e vjetër sa shteti shqiptar, në fakt, sepse
pushteti historikisht tek ne është marrë në sajë të ndërkombëtarëve dhe është
mbajtur në sajë të mbështetjes së tyre politike dhe ekonomike. Në kontekstin e
kësaj kulture politikanësh dhe shteti të dështuar Edi Rama ka bërë një sërë
operacionesh për tu prekur telat ndërkombëtarëve për t’i bindur ata se, më në
fund, në Shqipëri po ndodh revolucioni kulturor i shumëpritur: reforma në
drejtësi dhe dekomunistizimi. Dhe me stilin enverist të propagandës po ua
paraqet sikur karvani i maleve të Shqipërisë po i prisnin këto reforma me në
krye Edi Ramën siç prisnin dikur Partinë e Punës me në kryer Shokun Enver për ta
udhëhequr popullin shqiptar nga fitorja në fitore. Dhe, me sa duket,
ndërkombëtarët i janë bashkuar karvanit me gëzim pa e ditur se ku po i çon.
Ligji i dosjeve, Bunkarti, Shtëpija me Gjethe, së fundi
edhe bunkeri prapa Ministrisë së Brendshme janë disa nga aksionet spektakolare
që ka ndërmarrë Rama me të tijtë për të emocionuar ndërkombëtarët e që po na
paraqiten deri edhe nga gazetarë të huaj si fillimi i rilindjes shpirtërore në
Shqipëri. Kjo i ka nervozuar demokratët, dhe jo krejt pa të drejtë, sepse, në
rolet që kishin në melodramën që ka njëzetepesë vjet që luhet, ata kanë pasur
një ndarje rolesh; dhe rolin e mbrojtësve të të persekutuarve e kishin demokratët
kurse mendja totalitare dhe e pabesë e Ramës kërkon t’ua marrë edhe këtë rol,
siç u ka marrë biznesmenët, pronarët e medieve, universitetet private e ku di
unë çka mbetur tjetër. Kjo shpjegon edhe reagimin e fortë të tyre për veteranët
hetues të dekoruar, që u drejtohet, edhe ai, kryesisht ndërkombëtarëve.
Tani, pyetja që shtroj unë është: mirë ne që s’kemi kujtesë
institucionale sepse sa vjen njëri në pushtet i nxjerr të gjithë jashtë nga
zyrat dhe i mbush ato me fillestarë, por as këto ambasadat e huaja nuk paskan
asnjë lloj kujtese institucionale, por sa vjen një ambasador gjërat fillojnë
nga mashtrimi i parë sikur të jemi në vitin 1991? Sepse, kush ka sadopak
kujtesë historike, nuk mund të harrojë se, nëse është folur për reformë
dekomunistizimi dhe reformë në drejtësi në Shqipëri kjo ka ndodhur në kohën e
qeverisjes së parë të Sali Berishës. Harruat që futi në burg Nexhmije Hoxhën,
Ramis Alinë, Aranit Çelën e shumë të tjerë duke hartuar edhe ligjin për gjenocidin?
Harruat
që ndërroi gjyqtarët e komunizmit duke i zëvendësuar me ata të plepave? Por le të ndalem tek dekomunistizimi se për reformën në drejtësi do të shkruaj
herën tjetër. Pra, a nuk kemi pasur ne një ligj a ku di unë që merrej me punën
e dosjeve madje edhe të lustracionit e që lidhej me emrat e Mezinit e të
Bezhanit? A nuk e kishim ne Burgun e Burrelit muze të diktaturës? A nuk ka
hapur Berisha një pavijon te Muzeu Kombëtar kundër diktaturës. A nuk ka
riabilituar Berisha kushedi se sa figura të persekutuar e pushkatuar nga komunizmi
duke i bërë “Nderi i Kombit”, (duke përjashtuar ata me prejardhje komuniste si
Fadil Kokomani e Vengjel Lezho, sigurisht)? A nuk ka pasur ai në atë kohë mbështetjen
e zjarrtë të Aleatit të madh SHBA, të vetë ambasadorëve Amerikan dhe Italian
veçanërisht? Askush nuk i mohon dot këto, por as faktin se megjithatë punët
shkuan keq e mos më keq. Aq keq sa
shqiptarët, paradoksalisht, për të rrëzuar Berishën u mbështetën tek partia që
kishte udhëhequr persekutimin e tyre. Dhe madje as nuk reaguan kur këta i nxorën
nga burgu Ramis Alinë me shokë dhe u dhanë pafajësinë; as kur burgun e Burrelit
e kthyen nga muze në burg për ordinerët. Po pse? Sepse problemi ishte se këtë
dekomunistizim Berisha e bëri me stil komunist, nën parullën “i gjithë pushteti
sovjetëve”, për të delegjitimuar, sipas shembullit të luftës së klasave, që i
ndante njerëzit me familje të mirë dhe të keqe, ata që nuk e mendonin si ai çdo
gjë që bënte ai. Problemi i dekomunistizimit të Berishës ishte enverizmi në
mendjen e tij, ëndrra për tu bërë një Enver i dytë,
Dhe
pas njëzetepesë vjetësh ky është problemi i sivëllait të tij Edi Rama. Edhe ai
gjithçka po e bën sipas motos: “I gjithë pushteti Edi
Ramës”, apo i asaj tjetrës: “Kur themi partia nënkuptojmë Edi; kur themi Edi
nënkuptojmë partia.” Të kesh dyshim për këtë do të thotë të jesh më shumë se
miop politik; sepse këtë ai e ka të shkruar në lulen e ballit të çdo aksioni që
po ndërmerr. Ashtu sikurse faktin se për Ramën të bësh politikë do të thotë të bësh
propagandë. Ja, këto ditë mora vesh se, nën atë bunkerin që u sulmua së fundi,
nuk ka tjetër veçse disa zyra nëntokësore të MPB-së të ndërtuara në vitin
1986-1987. Ata që i kanë vizituar thonë se kanë qenë të thjeshta, të mobiluara
me karrige e tavolina e asgjë më shumë dhe se nuk janë vënë kurrë në përdorim. Dhe
hyrja e tyre ka qenë nga brenda Ministrisë së Brendshme. Kushedi se si do të na
i paraqesin tani. Si dhoma torturash, ka gjasë, që po zbulohen për herë të parë.
Mirëpo ç’rëndësi ka e vërteta? Rama me
një gur vret dy zogj: bën këtë operacion për ndërkombëtar dhe, çka është më e
rëndësishmja, përmirëson financat e klientelës së tij, duke u dhënë miliona për
këto operacione, paçka se ndërkohë "jep" zero lekë për arkivat, për
studime të së kaluarës komuniste e të tjera gjëra shumë më të rëndësishme për
njohjen e vërtetë të komunizmit sesa këto butafori.
E pra, ndërkaq, punët me dekomunistizimin e vërtetë shkojnë
keq e më keq. Sepse, nëse me regjimin komunist që kaluam do të kuptojmë
pushtetin e një partie të vetme që me zërin e liderit të vet absolut pretendon se ka monopolin e së vërtetës, e një
partie që ka kontrollin e ekonomisë, kontrollin e medieve, si dhe që përdor
dhunën verbale dhe fizike ndaj atyre që nuk rreshtohen në llogoren e saj kundër
armikut të partisë dhe të popullit, mendoj se pas njëzetepesë vjetësh Shqipëria
deri dje e Sali Berishës ka hedhur me Edi Ramën një hap më tej drejt këtij
vizioni sa të frikshëm edhe karikatureskt të regjimit komunist. Dhe kush ka
shpresë se nga kjo do ta shpëtojnë ndërkombëtarët është një miop politik i
pashpresë. (Panorama, 23 dhjetor 2015)
No comments:
Post a Comment