Tuesday, April 24, 2012

Dilema evolucion – revolucion


Një vërejtje serioze ndaj shkrimit tim të fundit, “PS, bashkë apo vetëm”, që ndryshe mund të titullohej edhe “PS, bashkim apo pastrim” më erdhi nga një lexues, i cili, duke më përmendur përzgjedhjen nga PS të kandidaturës së avokatit të krimit të Gërdecit, Visha, më thoshte se gaboja po të mendoja se një opozitë që bashkon kundër Berishës tërë “qelbësirat” (sipas një etiketimi të M. Nanos), mund të ishte më mirë se sa vazhdimi i qëndrimit tonë në qelbësirllëkun e pushtetit të Berishës. Nuk ishte një berishist ky, jo. Ideja e tij ishte se zgjedhja e Vishës është prova më e mirë se asgjë nuk do të ndryshojë me Edi Ramën, pasi fitorja e tij do të sigurojë pikërisht vazhdimësinë e së njëjtës kastë dhe të të njëjtit sistem, me Mediun e Metën si kushineta të vazhdimësisë, çka do të përgatisë rikthimin nesër të Berishës sipas të njëjtit sistem e me të njëjtët njerëz. Për të më bindur për mosndryshimin, nuk mungoi të më numëronte edhe shumë investime të ndara përgjysmë midis oligarkëve të PD dhe të PS, si dhe shumë nga ata që, në fushatat elektorale sponsorizojnë të dyja palët. Prandaj, sipas tij, më mirë t’i marrë Berisha të gjitha përgjegjësitë e pushtetet, që të na hiqet qafe edhe iluzioni i një demokracie dhe lirie, në mënyrë që, kur të vijë radha për të rrëzuar Berishën, të rrëzohet i gjithë sistemi i korrupsionit që është ngritur dhe e gjithë kasta e korruptuar në pushtet. Me fjalë të tjera, gjithë sipas kësaj teorie, Rama i shërben Berishës si fasadë demokracie dhe Berisha i shërben Ramës si fasadë dhe, prandaj, më mirë ta grisim këtë fasadë/maskë në mënyrë që ta shohim egërsirën e sistemit të grabitjes që ata kanë ngritur ballë përballë e të dimë më mirë se kë të luftojmë e si ta luftojmë.
Nuk janë të paktë ata që i mëshojnë kësaj ideje. Disa, madje, nuk presin që Berisha t’i presë kokën Ramës apo Rama t’i presë kokën Berishës në luftën finale të 2013-ës, por e duan që tani, dhe pikërisht mbi këtë ide mbështesin edhe një lëvizje si ajo Kuqezi e Kreshnik Spahiut.
Megjithëse bëj pjesë ndër ata që e kanë akuzuar tërë klasën politike si përgjegjëse për gjendjen e rëndë në të cilën ndodhemi, megjithëse i kam quajtur banda dhe jo parti këto që kemi dhe, jo rrallë, kam shkruar për nevojën e distancimit nga të dyja në emër të diçkaje të re, kam shumë rezerva ndaj variantit të sugjeruar nga lexuesi im. Rezervat kanë të bëjnë me dilemën evolucion – revolucion dhe lidhen veçanërisht me koston dhe pasojat e këtij të fundit. Thënë në një mënyrë metaforike, ne jemi sot duke ecur në një tunel të errët dhe kërkojmë me ngulm të dalim në dritë. Por ka dy mënyra për të dalë në dritë: njëra është ajo që të vazhdojmë të ecim nëpër terr me durim duke korrigjuar trajektoren në të cilën na kanë futur këta aventurierë, derisa të gjejmë dritë, tjetra është të hedhim në erë tunelin që të dalë drita, por duke rrezikuar të na zërë brenda, çka do të ishte ndofta edhe më keq. Pa hyrë thellë në teori dhe histori, më duhet të them se historia tregon se vështirë të lindë një lëvizje e re, e shëndoshë, në një vend të zhytur në një proces krize dhe degradimi si ky i yni. Historia ka treguar se krizat dhe degradimet kanë prodhuar lëvizje populiste që në raste të tilla, si nazizmi dhe komunizmi, kanë instaluar regjime monstruoze. Edhe historia jonë e pas ‘90-s është provë e kësaj, po të kesh parasysh eksodin dramatik, shtetin e piramidave dhe tërë këtë katrahurën e krimit dhe korrupsioni që vazhdon edhe sot. Në këtë kontekst, nuk do shumë mend për të konstatuar se kriza dhe degradimi ynë po përfton përditë një rini gjithnjë e më të paarsimuar, gjithnjë e më të frustruar, gjithnjë e më të lidhur me krimin dhe se vështirë të imagjinosh se prej saj mund të lindë një lëvizje që mund të na sjellë më shumë liri, demokraci e shtet ligjor. Pra, në këtë kontekst, nuk pajtohem me idenë se, që të shpëtojmë, duhet më parë të kalojmë në fazën e një degradimi të mëtejshëm, çka do të vinte nga eliminimi i njërit nga dy rivalët e fundit të mëdhenj që kanë mbetur në skenën tonë politike.  Sipas meje, mbetja me një lider të vetëm autoritar në fazën pas kësaj në të cilën ndodhemi, qoftë ky Berisha, qoftë Rama, vërtet edhe mund të përshpejtonte rrëzimin e të gjithë sistemit e të kastës që ata përfaqësojnë, por nuk jam i bindur se lëvizja që do t’i jepte shtysën për në greminë kësaj kaste, qoftë kuqezi, qoftë bardhezi, do të na sillte në një stad më të avancuar se sa stadi me dy-tri banda, në të cilin ndodhemi sot. Dhe këtë e provon pikërisht perspektiva e Drejtësisë së pavarur në situatën hipotetike për të cilën po flas. Në stadin në të cilin ndodhemi sot, ne ndiejmë fort nevojën që të kemi një Drejtësi të pavarur, që t’i vë nën kontroll këto banda. Kurse në stadin kur do të na duhej të krijonim një lëvizje revolucionare për të rrëzuar kastën në fjalë, do të kalonim në një stad ku Drejtësia nuk do të ishte e pavarur, por do të ishte instrument në duart e kësaj lëvizjeje. Imagjinoni, pra, një lëvizje si ajo Kuqezi me në krye Kreshnik Spahiun, që merr pushtetin dhe në emër të atdheut vendos të pastrojë klasën/kastën politike dhe dënon tërë të korruptuarit duke u konfiskuar edhe pronat që kanë vënë me të padrejtë. Idealisht duket një gjë e mrekullueshme, por praktikisht të fut dridhmat sepse, duke e ditur se ku jetojmë, nuk është e vështirë të imagjinohet se gjykatësit e Spahiut do të dilnin nga i njëjti brumë njerëzor (siç ka dalë edhe Spahiu) i zhytur në krim e korrupsion e në vend të drejtësisë do të shihnim gjykatës të komanduar që godasin kundërshtarin dhe lënë të lirë tërë ata që betohen në emër të flamurit kuqezi. Madje, do të thosha se thellë-thellë, edhe ajo që aspirojnë, qoftë Berisha, qoftë Rama, qoftë edhe Spahiu, me mënyrën se si flasin dhe e akuzojnë tjetrin, është në thelb e njëjta gjë: vendosja e sundimit dhe e drejtësisë së partisë së tyre dhe e personit të tyre, jo ajo e shtetit ligjor.
Ja pse personalisht, sa herë merrem me dilemën që ngre kjo situatë krize, shkruaj se, tek e fundit, jemi më mirë me dy banda, sesa me një bandë dhe. Po ashtu, do të thosha më mirë me tri, sesa me dy banda. E, në këtë kontekst, nuk jam kundër daljes në skenë të një partie të re si jo e Spahiut apo të asaj të “Topit. Sepse forma apo fasada e institucioneve demokratike që kemi sot, ku hyn dhe pluralizmi partiak, prapa të cilave, sikurse e kam shkruar edhe më herët, shpesh veprojnë institucione të tjera, si ato klanore, të krimit të organizuar, të dominimit të më të fortit e jo të ligjit etj., nuk është thjesht e vetëm formë/fasadë. Ajo, siç do të thoshte Hegeli, është edhe përmbajtje njëherësh, sepse është një projekt që kërkojmë të realizohet, një ideal drejt të cilit kërkojmë të ecim.
Në këtë kontekst, propozimi im, sikurse e kam shtjelluar edhe në mjaft shkrime paraardhëse, është ai se duhen bërë të gjitha përpjekjet që partitë/banda që kemi të reshtin së qeni banda, të reshtin luftën asgjësuese për kontroll të plotë të territorit dhe pushtetit dhe të kthehen në parti të kontrollueshme nga zgjedhësit, të kontrollueshme nga Drejtësia, të kontrollueshme nga mediat, të kontrollueshme edhe nga zgjedhësi nëpërmjet votës së tij. Rasti “Visha” nuk tërhoqi sa duhet vëmendjen pikërisht në këtë aspekt. Ajo që do të duhej të tërhiqte vëmendjen më shumë sesa procedura se si u zgjodh Visha, është fakti se ne ishim të detyruar të kishim në Këshillin e Lartë të Drejtësisë ose një gjykatës të Berishës, ose një gjykatës të Ramës, dhe jo një gjykatës të pavarur prej të dyve. Dhe kjo për shkak se rregullat e lojës që kanë diktuar këto parti janë të tilla që nuk na krijojnë hapësirë tjetër dhe zgjedhje tjetër përveç Berishës ose Ramës. Personalisht, kur kam shkruar se nuk duhet të mbështesim fitoren e Ramës, por të procesit demokratik, e se të dyja këto nuk janë e njëjta gjë, kam pasur parasysh pikërisht se bashkimi i qelbësirave dhe joqelbësirave nuk duhet të bëhet thjesht për të rrëzuar Berishën dhe për të vënë Ramën, por me kushte të forta të diktuara nga nevoja e qelbësirave dhe joqelbësirave për të ndryshuar këto rregulla loje në mënyrë që fatet e tyre dhe tonat në përgjithësi të mos vendosen nga një parti e vetme dhe një njeri i vetëm, por nga bashkëveprimi i tërë atyre institucioneve që sigurojnë një vendimmarrje demokratike. Pra, pavarësisht se kush bashkohet, thjesht dhe vetëm bashkimi nuk mjafton, ky duhet të bëhet mbi një projekt që qartazi nuk synon zëvendësimin e Berishës me Ramën, por forcimin e institucioneve demokratike. Edhe partia e Spahiut, edhe ajo e Topit, së bashku me një numër partish të tjera, do të duhej të ushtronin presionin e tyre pikërisht për këtë ndryshim rregullash, ndër të cilat për mua është edhe kërkesa për të larguar liderë të modelit të Berishës dhe Ramës nga politika. Ne kemi nevojë urgjente të korrigjojmë devijimet e rënda nga demokracia dhe shteti ligjor që kanë bërë bandat me në krye këta. Kjo është e vetmja mënyrë që të mund të kalojmë nëpër tunelin e errët ku ndodhemi për në dritë, pa pasur nevojën që ai të na shembet mbi krye. Përndryshe na pret shembja.  (Panorama, 18 prill 2012)

Wednesday, April 11, 2012

PS, bashkë apo vetëm


Partia Socialiste, që përfaqëson forcën më të madhe opozitare në vend, është në një situatë që po duket shumë konfuze përsa i përket strategjisë së saj për të shkuar në zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Në retorikat e PS sot mund të dallosh dy korrente. Sipas njërit prej tyre, koalicioni duhet zgjedhur me sa më shumë parti, duke mos përjashtuar edhe LSI, e cila, tani që kryetari i saj ka kapërcyer edhe “rrezikun” e gjyqit, mund të luajë më lirisht në skenën politike. Sipas një korrenti tjetër, që u formulua së fundi nga Ben Blushi dhe që duket më afër idesë së Ramës, Partia Socialiste duhet të bëjë koalicion me zgjedhësit, dhe jo me partitë e vogla, aq më pak me LSI. Përputhur me këto korrente shtrohet edhe çështja e korrigjimit të sistemit zgjedhor: a duhen bërë, pra, ndryshime që të sigurojnë një mundësi më të madhe për të vegjlit për të ekzistuar, apo duhet mbajtur ky që kemi që, siç dihet, i diskriminon, gati i eliminon, të vegjlit?
Shumica e komentojnë këtë konfuzion duke iu referuar ambicieve të Ramës për gjithëpushtetshmëri, apo besimit se PS mund t’i fitojë zgjedhjet e vetme (bazuar edhe në sondazhe), por, sipas mendimit tim, konfuzioni ka rrënjë më të thella, ai është rezultat i një ecjeje të gjatë të PS në një rrugë pa krye që sot e ka çuar në udhëkryqin që formulohet me pyetjen: bashkim, apo pastrim? Madje, do të thosha se formulimi më i saktë është: hall të bashkohesh, hall të pastrohesh. Le ta shpjegoj se ç’dua të them. Kur kemi parasysh akuzat e vazhdueshme të PS ndaj maxhorancës, që flasin për rrezikimin e themeleve të një shteti demokratik, për autoritarizëm, për kapje të institucioneve, nuk mund të mos vësh re se ato nënkuptojnë nevojën e bashkimit të sa më shumë forcave opozitare. Pra, nëse kali kryesor i betejës elektorale të PS do të mbështetej në këto akuza, kjo nënkupton bashkimin e sa më shumë aktorëve politike. Pra, fjala “bashkim” bëhet prioritare në këtë aspekt. Por, një akuzë tjetër që i bën PS maxhorancës, po aq e fortë sa kjo e para, është akuza për korrupsionin galopant, krijimin e monopoleve shoqëruar me premtimin se opozita në pushtet do t’i eliminojë këto dhe do të sjellë një “rilindje” shqiptare. Kuptohet se kjo është një akuzë që shërben më shumë për veshët e elektoratit të gjerë, sesa për veshët e liderëve të partive të ndryshme. Por kjo akuzë vë në plan të parë një tjetër fjalë, të kundërt me të parën: atë “pastrim”. Me fjalë të tjera, nëse “bashkimi”, nën emrin e rrezikimit të themeleve të demokracisë, nënkupton mundësisht edhe bashkimin me Ilir Metën; “pastrimi” nënkupton largimin mundësisht të sa më shumë elementëve që e diskreditojnë PS në sytë e elektoratit të gjerë, pra të atyre që dihet se kanë bredhur nga një maxhorancë në tjetrën thjesht e vetëm për interesa klientelare, të lekut, të tenderimeve etj. Kuptohet se kjo nevojë e përjashton automatikisht LSI, e jo vetëm. Gjithashtu, në kontekstin e nevojës së pastrimit, hyjnë, sipas meje, edhe dy propozime të fundit të PS që kanë dalë: i pari nga Rama, kur ka folur për futjen e taksës progresive, që dihet se është një reformë që vjen nga e majta në emër të një shpërndarjeje më të barabartë të të ardhurave dhe i dyti nga Blushi, që ka folur më gjerësisht për nevojën e krijimit të një profili ideologjik të majtë të kësaj partie, çka nënkupton, mes të tjerash, edhe një përfaqësim të shtresave më të brishta të shoqërisë, të punëmarrësve, dhe jo të punëdhënësve etj. Nuk ka pikë dyshimi se të dyja këto propozime nënkuptojnë që PS të distancohet si nga lidhjet e shumta që ka me biznesmenë të ndryshëm që e kanë të lidhur fatin e bizneseve të tyre më shumë me këtë parti sesa me atë të Berishës e që mezi presin që Rama të kthehet në pushtet që të rifillojnë të “normalizojnë” fitimet e tyre, ashtu edhe nga parti që, edhe pse kundërshtare të Berishës, nuk kanë program të majtë.
Kësisoj, nëse nga një anë “pastrimi”, ashtu siç e përshkrova më sipër, i duhet PS për të fituar besimin e humbur te zgjedhësit e thjeshtë në mënyrë që të marrë sa më shumë vota, nga ana tjetër, ky pastrim do ta zhvishte atë nga shumë mundësi, veçanërisht financiare e mediatike, që i ka siguruar nëpërmjet të pasuruarve të këtij vendi. Po ashtu, nëse më një anë “bashkimi: i siguron PS më shumë aktorë në lojë, për të mobilizuar zgjedhësit, më anë tjetër, bashkimi me çdo lloj elementi ia zbeh rëndshëm kredibilitetin te zgjedhësit kur dihet se një nga akuzat që e ka rënduar atë është pikërisht se ajo ka përfaqësuar interesat e më të pasurve në këtë vend.
PS ndodhet, pra, në një udhëkryq të vështirë, sipas meje, pasi ka ecur qorrazi në të njëjtën rrugë në të cilën ka ecur edhe rivalja e vet, PD-ja, e cila duket qartazi se sot e ka bërë zgjedhjen e vet: “bashkimin” me çdo lloj elementi, me forcë apo me dëshirë, nëpërmjet përdorimit dhe keqpërdorimit të pushtetit me besimin që ky bashkim do të dalë më i fortë se sa një opozitë konfuze dhe e përçarë midis nevojës për bashkim dhe asaj për pastrim.
Cila është zgjedhja më e mirë: “pastrimi”, apo “bashkimi” që qartazi kundërshtojnë njëri-tjetrin? Pyetja shtrohet për PS-në, po kjo pyetje shtrohet edhe për publikun e gjerë, sepse interesat e njërit dhe interesat e tjetrit mund të përputhen, por edhe mund të kundërshtojnë njëri-tjetrin. Një dalje e PS në zgjedhje përkrah LSI, sigurisht do të jepte sinjalin se pakgjë do të ndryshojë në Shqipëri përsa i përket korrupsionit, por do të ishte sinjal i qartë për elektoratin se autoritarizmi i Berishës, rreziku i kapjes prej tij i të gjitha institucioneve i ka bashkuar të gjithë e, në këtë rast, fushata do të duhej të impostohej si luftë kundër autoritarizmit dhe do të kërkonte premtime konkrete nga opozita e bashkuar për vendosjen dhe forcimin e institucioneve të pavarura. Por, sigurisht, ky bashkim do të zbehte shumë mundësinë e një fushate me akuza për korrupsion ndaj maxhorancës, kurse fjalën “rilindje”, aq të përdorur së fundi nga Rama, do ta bënte krejt demagogjike. Nga ana tjetër, një shkuarje vetëm me pretendimin e pastërtisë dhe të kthimit të PS në një parti të vërtetë europiane, sipas mendimit tim, nuk është kredibël në një kohë sa ç’është periudha njëvjeçare që na ndan nga zgjedhjet. Sepse mua më duket se PS nuk ka forca të bëjë ndonjë pastrim dhe kthesë ideologjike të vërtetë majtas me njerëzit që ka sot në krye, duke filluar që nga Edi Rama, ngaqë shumica e tyre karrierën ia dedikojnë bërjes instrument të më të pasurve të këtij vendi, duke përfshirë në radhë të parë veten dhe njerëzit e tyre të afërm.
Zgjedhja, sipas meje, është në një udhëkryq vërtet të vështirë. Shumëçka do të varet edhe nga si do të luajë aktori Berisha, por edhe aktori Meta, gjatë këtij viti dhe vitin tjetër. Dhe kjo do të duket që me zgjedhjen e Presidentit. Nëse, siç po duken bathët deri më tani, edhe zgjedhja e Presidentit do të bëhet në mënyrë të dhunshme, pa konsensusin e opozitës, dhe ky pastaj do të zgjedhë Prokurorin që kërkon Berisha, pa asnjë reagim nga Meta, i cili ka shumë në dorë të moderojë situatën, edhe për interesin e vet, atëherë alarmi i demokracisë në rrezik do të bëhet edhe më i madh dhe bashkimi, sipas meje, do të bëhej kusht i domosdoshëm për opozitën. Kuptohet se në këtë rast koha e “pastrimit”, e “profilit ideologjik” dhe e “rilindjes” do të shtyhet për kalendat greke, por pa demokraci është vështirë të mund të realizohen edhe gjëra të tilla. (Panorama, 11 prill 2012)

Monday, April 9, 2012

Për të qarë e për të qeshur


Kam ndjekur me vëmendje reagimet pas lajmit për zhvillimin e paradës gay në Tiranë, jo vetëm nëpërmjet çfarë është thënë e shkruar nëpër mediat, por edhe nëpërmjet një sërë komunikimesh të tjera siç janë psh. e-mailet që tashmë na hyjnë nëpër postat tona elektronike si vizitorë të dëshiruar e të padëshiruar apo komentet e shumta nëpër blogjet tona të mbushur me anonimë, që dikush i ka krahasuar me nevojtoret publike ku njerëzit shkruajnë ndonjë broçkull nëpër muret ndërkohë që dhjesin, e pastaj ikin pa e lënë identitetin e tyre.
Komenti i parë që të vjen të bësh është se, në një maxhorancë të frikshme, reagimet flasin për një izolim të thellë kulturor të shoqërisë shqiptare nga bota ku paradoksalisht pretendojmë se duam të bëjmë pjesë. Që ne jemi një shoqëri homofobike kjo dihet. Që homofobia po ashtu nuk është problem vetëm shqiptar, por e gjen edhe në botën e ashtuquajtur demokratike, edhe kjo dihet. Por, megjithatë, mënyrat e reagimit ndaj homoseksualizmit tek ne, sa herë bëhet publike ndonjë çështje që ka të bëjë me të, i kalojnë përmasat  e një reagimi homofobik, le ta quajmë të kuptueshëm për një shoqëri të mbrujtur gjatë me një kulture konservatore, patriarkale, maçoiste, misogjene, bigotike, homofobike, raciste, totalitare – karakteristika këto që i konsideroj si hallka të zinxhirit të ADN së kulturës që kemi trashëguar. Jo, reagimet tona na nxjerrin çuditërisht në një dimension grotesk, siç ishte ai i para disa kohëve në Lezhë ndaj një bashkqytetari që guxoi të deklarojë në televizion që është homoseksual dhe për këtë u organizuan demonstrata me parrullat: “Ne jemi një qytet i ndershëm.” “Jashtë nga qyteti ynë homoseksuali!”, e madje u deklarua se ai nuk ishte lezhian i vërtetë, por e kishte origjinën nga një tjetër qytet. Janë reagime për të qeshur e qarë njëherësh. Për të qeshur sepse i shkojnë shumë asaj thënies së famshme “historia përsëritet një herë në formë tragjedie dhe së dyti në formë farse” pasi, duam s’duam, këto reagime ngjasojmë me një përsëritje, në krejt tjetër kontekst, të një tjetër kohe e tjetër bote. Por pastaj, duke parë se reagime të tilla, në fakt, e bëjnë të vështirë jetën normale në shoqërinë tonë, sepse tregojnë se ajo ka probleme të rënda me të drejtat dhe liritë e njeriut, me pranimin e diversitetit në përgjithësi, pra edhe me humanizmin dhe demokracinë, të vjen edhe për të qarë për realitetin ku rriten fëmijët tanë.
Bëri ferk në këtë drejtim deklarata e zv/ministrit të mbrojtjes dhe kryetarit të Partisë Lëvizja e Legalitetit Ekrem Spahia “Do t’i marrim me hu.” – tha - duke bërë edhe shpjegimin se “huri” ishte shkopi i gomës që, mesa di unë, është një instrument dhune që e ka në përdorim vetëm shteti i cili, po mesa di unë, ka edhe ekskluzitetin e dhunës. Është një deklaratë që në çdo vend tjetër, jo vetëm demokratik, nuk guxojnë ta bëjnë as grupet fashiste, që janë në gjysëm ilegalitet, kurse fakti që në Shqipëri e bën një zv/ministër dhe kryetar partie është skandal për të qarë, por edhe skandal për të qeshur. Për të qarë, e para, nga pikpamja humane, sepse vetëm një sadisti mund t’i shkojë ndërmend se mund të marrë shkopin e të rrahë njerëz që s’i kanë bërë asgjë, por pastaj kur mendon se një njeri i tillë, që nuk di as kuptimin e emrit të partisë që drejton, - sepse “Lëvizja e Legalitetit” nenkupton respektin për të ligjshmen - në poste deri të zv/ministrit dhe kryetarit të partisë është shenjë e një injorance të frikshme në elitën tonë politike. Është për të qeshur se ne e dimë se kjo është si deklarata e një fëmije që thotë gjëra të tmerrshme pa e ditur se janë të tmerrshme, madje duke menduar se po fiton simpati, dhe se janë të rriturit ata që do t’ia mësojnë se e ka gabim. Dhe vërtet erdhi menjëherë qortimi i të rriturit Sali Berisha njeriu që, paradoksalisht, akuzohet si autoritar e diktator. Deklarata e tij se “orientimi i ndryshëm seksual është i lashtë sa vetë lashtësia”, e se “asnjë parti nuk ka dajakun në platoformë” duhet përshëndetur si diçka pozitive ndonëse mendoj se me këtë rast duhet kujtuar që edhe ai s’e ka për gjë të përdorë edhe vetë hallka nga e njëjta ADN kulturore që përdor Spahiu, veçanërisht ato të sharjes së tjetrit me familje dhe se me këto ai ka ndikuar jo pak që shoqëria shqiptare të mbesë e izoluar ndaj shumë vlerave që kanë të bëjnë me emancipimin e shoqërisë shqiptare. Nuk do shumë mend për të kuptuar se i rrituri Berisha e dënoi Spahiun më shumë për konsum ndërkombëtar pasi një deklaratë e tillë e një zv/ministri e nxjerr Shqipërinë në një botë krejt tjetër nga ajo që ai pretendon se po e çon dhe i heq edhe ujin e pakët të “legalitetit” që i ka mbetur qevrisë për të notuar. “Nga vijnë këta njerëz???? Po filloj vërtet të besoj se paskan zbritur në tokë alienë të ardhur nga një tjetër planet.” - ishte reagimi i një ameriani  në një nga faqet e web-eve, si reagim ndaj lajmit të deklaratës së Spahiut.
Ajo që të bën përshtypje është edhe fakti se pakkush veç Berishës guxoi të dalë kundër deklaratës së Spahiut e në mbrojtje të paradës. Duhet thënë shumë mirë që reagoi Avokati i Popullit, por edhe ky të le të mendosh sikur e ka bërë për detyrë ndërkombëtare e sa kohë e dimë se shumë gjëra thuhen sa për sy e faqe, nuk ngjisin. Thellë thellë shumëkush ka frikë se mesazhi kërcënues i Spahiut ishte efikas. Kur s’kam pula pse të bëj ysh  - duket sikur thonë disa – t’u dal në mbrojtje homoseksualëve që, edhe po s’hëngra ndonjë ndonjë shkop gome kurrizit, të ha ndonjë të turpëruar publike. Dhe prap kjo është jo vetëm për të qarë, por  edhe për të qeshur, sepse mjaft të ndrrosh pak kontekstin e sistemt të vlerave dhe i turpëruari që s’do të dinte se ku të futej do të ishte Spahiu me partizanët e tij. “Të tilla ndjenja antigey tregojnë se personi ka probleme me seksualitetin e tij. Kjo është thjesht një klithmë që vjen nga thellat më të errëta të  botës së fshehtë të një përfaqësuesi të shtresës së ulët të shoqërisë shqiptare.” shkruante një tjetër amerikan në faqen që përmenda. A nuk na bëjnë për të qeshur edhe këto. Doni edhe më? Një tjetër shkruante: “Kjo më kujton një citim nga një libër i vjetër me shënime udhëtimi mbi Shqipërinë […] ku thuhej: “Udhëtarë, bëni kujes, mos u hidhni shikime vajzave të tyre të hijshme sepse vëllezërit e tyre e kanë durimin të shkurtër kurse baballarët i kanë thikat të gjata dhe të mprehta.” Ha ha ha! Të paktën tani në këtë drejtim diçka kemi ndryshuar, besoj.
Nuk po i shkruaj të gjitha komentet që lexova (më dolën duke kërkuar në google Ekram Spahiu sepse nuk dija emrin e saktë të partisë së tij), por, për të ruajtur nderin e Ministrisë së Mbrojtjes, po i them Imamit që meqë s’ka bythë të deklarojë se s’punon me njerëz si Spahiu të paktën të mos e dërgojë në Amerikë me ndonjë delagacion. Sepse njëri nga ata komentuesit – gay ishte me siguri – kishte lënë një koment ku thoshte: u sugjeroj gejve shqiptarë t’i futen këtij bigoti me hu se, nganjëherë, duhet ta tregosh se të jesh gay nuk do të thotë se je pasiv apo viktimë. Sigurisht këtu tek ne kjo s’mund të ndodhë, se ne jemi shoqëri e shëndoshë e nuk i lemë gejtë të marrin hurin e të na rrahin, por ka rrezik që në SHBA të ndodhë dhe do  ta hajë integrimi i Shqipërisë në BE sepse deri tani vetëm pak e dinë deklaratën e Spahiut, por po u rrah një zv/ministër shqiptar në Amerikë për këtë punë do ta marrë ferra uratën.
Të më falë lexuesi se më rrëmbeu humori duke fantazuar Ekram Spahiun, që në 98-tën pushtoi TVSH mbi tanke dhe sot drejton Ministrinë e Mbrojtjes, pra një hero i vërtetë, duke u rrahur në SHBA nga gejtë.  Por kjo histori është vërtet për të qarë e për të qeshur.
Siç ishte për të qarë e për të qeshur edhe heshtja e opozitës sonë socialiste, që, duke qenë e majtë, do të duhej të ishte në krah të lirive dhe të drejtve të homoseksualëve – siç ndodh në të gjitha vendet demokratike ku ka një dallim mdis së majtës dhe të djathtës edhe kulturor, ta hajë dreqi.  Mirëpo këta mëngjërashët tanë, që në fakt i kanë detyruar qysh të vegjël, me dhunë, të shkruajnë me dorën e djathtë, kanë hall pastaj se tufa e spahinjve, që Berisha i përdor për politika të brendshme, fillojnë e thonë: “Ja, a nuk e kemi thënë ne se Rama e ka mbushur Partinë Socialiste me dylberët që i solli Erjon Velia nga Mjafti. A nuk kemi thënë ne që kryetarin e ka homoseksual që ka dalë lakuriq dhe që ka dashnor mashkull.” Se këta spahinjtë janë të mëdhenj; kanë për borxh që edhe ylberin, që në Perëndim është simbol i paqes, (si bashkjetesë e ngjyrave të ndryshme) ta bëjnë simbol të homseksualëve. I shtojnë një “d” përpara dhe nga ylber e bëjnë dylber. Pastaj edhe sikur të jetë simbol i paqes dhe jo i homoseksualëve edhe paqja diçka pasive është, si punë lesbikje. Bile edhe Evropa. Pse kot jemi me Amerikën ne, se ajo ka bole. Dhe kështu PS – së do t’i largohen pastaj jo vetëm aleatët demokristianë nokistë, por edhe  ish enveristët me nder e me namuz që u hyn tmerri vetëm ta mendojnë se mund të dalin në një paradë përkrah gejsh, lesbikesh e transeksualësh. E megjithatë unë them se PS do të kishte fituar shumë më tepër simpati po të ishte shprehur hapur në mbrojtje të paradës dhe të kishte organizuar një fushatë për të marrë pjesë të gjithë në të. Po nuk është e thënë. Edi Rama është frikacak, pikë mbaroi. Megjithëse e provoi se kur e nxorrën cullak gazetat e Berishës populli ia dha votën më me simpati ai prap frikë që frikë ka nga mediat bigote dhe nga spahinjtë në partinë e tij. Edhe këtu u tregua më politikan Berisha.
Që të jemi realistë, presioni është i madh vërtet, sidomos kur lexon çfarë shkruajnë disa: ne kemi kulturën tonë traditat tona, çjanë këto gjëra, ç’janë këta ambasadorë evropianë bythqirë. Të tjerë i referohen natyrës dhe thonë se homoseksualizmi është kundër natyrës. Disa të tjerë i referohen Biblës dhe Kuranit duke na kujtuar se në ligjet e Moisiut homoseksualizmi dënohet me vdekje apo duke na treguar se dijetarë islamë na paskan zbuluar se mëkati më i madhe pas shirkut (adhurimi i zotave të tjerë jo i Zotit që është një dhe i vetëm) na qenka homoseksualizmi. (Zot na ruaj nga ata që Zotin nuk e shohin si dashuri, por si mundësi për të vrarë e për të prerë!) Por ama të mos harrojmë se shoqëria është e etur për ndryshim, sepse e tjelodhur nga këta maço në pushtet, që pozojnë e sillen si të fortë e si të ndershëm pikërisht për shkak të impotencës së tyre (edhe seksuale përveçse intelektuale) dhe veçanërisht për shkak të pandershmërisë së tyre. Sipas meje shoqëria nuk është aq e prapambetur sa ç’e pandehin këta dhe aq më tepër shoqëria e di mirë se kërcënimet fashiste të zv/ministrit nuk bijen vetëm mbi homoseksualët, por nesër mund të binin mbi të gjithë ata që do të guxonin të mendonin ndryshe nga ky mujshar. Një opozitë e pakompleksuar nga spahijtë, fare mirë mund ta kthente një paradë në mbrojtje të të drejtave të homoseksualëve dhe transeksualëve në një manifestim kundër dhunës e bigotizmit në politikën shqptare.
Nejse, e di se kjo s’do të ndodhë. Siç e di se pas këtij artikulli spahinjtë dhe shkruajtësit e nevojtoreve do të më vërsulen me hu në dorë, por përsëri po u them se janë për të qeshur dhe për të qarë dhe se, nëse nuk duan t’i shohin si alienë të ardhur nga një planet egërsirash, ta hedhin sadopak vështrimin përtej hundës së injorancës së tyre.

Kë duhet të mbështesim

 
Prej kohësh përpiqem t'i analizoj zhvillimet politike në vend me një qasje përtej emrave të përveçëm Berisha, Nano, Topi, Rama, Meta etj. duke i parë, pra, këta jo thjesht si autorë, por edhe si aktorë apo instrumente të një regjie që qëndron pas tyre që i kushtëzon në veprimet apo mosveprimet e tyre, e që ka të bëjë me sistemin në të cilin ata veprojnë, me interesa financiare oligarkësh, me mendësinë dominuese, me kushtëzimet e ndërkombëtarëve  etj., etj. Megjithatë po prej kaq kohësh ndeshem, siç më ndodhi edhe pas shkrimit të fundit "Mbi konfliktin Berisha -  Topi" me nevojën thjeshtëzuese (dhe banalizuese) të shumë shqiptarëve për ta reduktuar politikën në emra të përveçëm, që jo rrallë degjeneron pastaj në pyetjen: cilin mbështet ky Berishën apo Ramën apo Metën apo Topin, apo, pse e mbështet ky këtë dhe jo atë, për çfarë interesi, për çfarë qejfmbetjeje e që më duket se nuk është thjesht çështje naiviteti ku qëllime emrash të përveçëm pengojnë të shihet fenomeni, që qëndron pas, por edhe rezultat i manipulimit të njerëzve me këtë lloj kulture ku emocionet dhe interesat vetiake dominojnë mbi parimet dhe interesin e shoqërisë.
Në frymën e shkrimeve të mëparëshme dua të theksoj edhe një herë një ide që dëgjohet shpesh, veçanërisht nga goja e ndërkombëtarëve kur i pyesin se kë mbështesin Berishën apo Ramën, por që pikërisht pse të manipuluar me emrat e përveçëm shqiptarët nuk i kanë vënë shumë rëndësi. E kam fjalën për përgjigjen ndaj pyetjes, që ma kanë bërë shpesh edhe më parë, por veçanërisht pas shkrimit të fundit, se nëse nuk jam me Berishën qënkam me Ramën a thua se po nuk mbështeta asnjërin nga këta të dy nuk ekzistoj.  Përgjigje për mua është e prerë: mbështes procesin përdrejt më shumë demokracie dhe lirie. Kurse emrat e përveçëm i mbështes për aq sa janë dhe për atë çështje që janë direkt apo indirekt në kahen e këtj procesi dhe të vizionit tim për botën.
Për ta konkretizuar po futem menjëherë në kontekstin e zhvillimeve të kohëve të fundit. Kam menduar dhe jam shprehur shpesh vitet e fundit se Shqipëria ndodhet midis Shilles dhe Karridbës: dmth se më një anë ka rrezikun që dy banda në luftën për të asgjësuar njëra tjetrën të krijojnë instabilitet dhe mungesë zhvillimi e, më anë tjetër, që pushteti të bjerë në duart e një bande të vetme, çka krijon rreziqe të mëdha për lirinë, që sigurisht edhe me dy banda nuk quhet liri. Me proces kuptoj atë që të ecim midis këtyre dy rreziqeve e të dalim përtej pa rënë pre e "përplasjes" së anijes sonë me ta. Kur kam shprehur idenë se është më mirë të kemi dy banda se një bandë të vetme kam vënë lirinë mbi të gjitha duke theksuar se anija jonë duhet të largohet sa më shumë nga rreziku i një bande të vetme. Kur kam shkruar kundër konfliktualitetit, për jetën parlamentare, për nevojën e forcimit të drejtësisë besoj se i kam mshuar alarmit për rrezikun e "përplasjes" së anijes me luftën asgjësuese të këtyre dy bandave me tërë problematikën që ato na kanë sjellë ku, për mua, një nga pasojat më të dukshme, por jo më e rënda, është largimi nga Evropa. Dhe kjo qasje më ka larguar gjithnjë e më shumë si nga Berisha dhe nga Rama të cilët i kam parë si protagonistët kyresorë të këtyre dy rreziqeve që s'janë tjetër veçse dy faqe të së njëjtës medalje.
Ç'duhet të bëjmë sot në këtë udhëtim mes dy rreziqeve? Së pari, vlen të shtrohet pyetja: a është e vërtetë që ne po lundrojmë midis këtyre dy rreziqeve pa rënë pre e asnjërit. Sipas meje po. Por veç duhet vënë në dukje se shteku midis të dyjave është shumë i ngushtë  dhe ne përplasemi herë në njërin e herë në tjetrin skaj, duke u dërrmuar paçka se pa u mbytur përfundimisht. Sot për sot, sipas meje, procesi kërkon që të zgjerojmë ngushticën duke larguar dy rreziqet e të lundrojmë në ujra më të hapura. Ndërkaq, ajo që po ndodh është afrimi i anijes me të shpejtë drejt rrezikut të një bande të vetme dmth. drejt putinizmit, i cili, edhe pse nuk duhet kuptuar nëpërmjet një emri të vetëm, përsëri sot gjen mishërimin e tij më të arritur tek Berisha. Kam shkruar se putinizmi do të mund të realizohej edhe sikur në vend të këtij fitues të dilte Rama pasi rrezikun e putinizmit nuk e shoh thjesht e vetëm të lidhur me karakteristikat antropologjike të këtyre dy liderve, por edhe si rezultat i faktit se bandat - që me një gjuhë më eufemike mund t'i quajmë edhe koalicione oligarkësh - luftën e tyre e bëjnë për të kapur plotësisht shtetin që, më konkretisht, do të thotë kapja e të gjithë parasë publike dhe tërë vendim marrjes, çka automatikisht nënkupton asgjësimin apo thithjen e tjetrit. Por që kur Berisha në zgjedhjet e Tiranës vendosi ta marrë Tiranën me marifetet që përdori, duke injoruar dëmtimin e rëndë të imazhit demokratik të tij e të vendit, për çka sigurisht e ndihmoi edhe fakti se rivali i tij pretendonte edhe ai të njëjtën gjë: të bëhej njëherësh edhe kryebashkiak i qytetit edhe kryeministër, rreziku i putinizmit po materializohet dita ditës në emrin e pushtetit të Berishës dhe të largosh anijen nga rreziku i përplasjes e mbytjes në putinizëm do të thotë ta largosh atë nga ky rrezik konkret. A duhet të nënkuptojë kjo mbështetje për fitoren e Ramës apo duhet të nënkuptojë mbështetje për fitoren e procesit. Sipas meje duhet të nënkuptojë fitoren e procesit dhe ka një diferencë midis të dyjave sepse ai që duhet të humbasë në Shqipëri nuk është thjesht Berisha, por putinizmi dhe ai që duhet të fitojë nuk është Rama, por procesi demokratik.
Si mund të realizohet kjo? E vërteta është se instrumentet i kemi të pakët pikërisht për atë se është punuar shumë që të gjitha pushtet të grumbullohen në duart e këtyre dy njerëzve që më shumë se kushdo kanë punuar kundër procesit demokratik në favor të një putini të vetëm saqë mund të quhet se procesi demokratik këto vitet e fundit ka bërë prapa. Sepse kur Berisha mori pushtetin ne ishim të lirë (në kuptimin relativ të fjalës)  ta ndërronim pushtetin me votë për të luftuar sistemin e korrupsionit. Kurse sot mund të thuhet se sistemi i korrupsionit, nën udhëheqjen e Berishës, gati e ka fituar betejën ndaj lirisë sonë për ta hequr atë nga pushteti, që të luftojmë korrupsionin. Dua të them që, edhe sikur të ndodhë që Berisha të humbasë, nëse nuk ndryshon asgjë përsa i përket sistemit, zëvendësimi i Berishës me Ramën do ta largonte anijen nga një rrezik imediat, por ajo do të mbetej në të njëjtat ujra. Sepse, pa ndryshime rrënjësore në sistem, mund të thuhet se Rama dhe njerëzit e tij do të gjenin një terren të përgatitur si nga pikpamja legjislative edhe e strukturës së ekonomisë, të monopoleve, të networkut të interesave, të drejtësisë, të mediave  ashtu edhe nga pikpamje e nënshtrimit të njerëzve, për të na sunduar njëlloj si Berisha. Dhe Rama, kësisoj, më shumë sesa një antagonist i Berishës do të sillej si një pasardhës i Berishës, ashtu sikurse mund të thuhet se edhe Berisha nuk u soll si antagonist i Nanos, por si një pasardhës i tij në krye të sistemit të korrupsionit. Pra, paçka se ndryshime në emra të përveçëm do të ketë, veçanërisht në administratën që do të zëvendësohet thuajse e gjitha - dhe kjo e ka një të mirë sepse, tek e fundit, arrogancës së atyre që pandehin se janë të përjetshëm dhe të paprekshëm i duhet vënë një cak, - pak gjasa ka të ndryshojë fryma e qeverisjes së vendit.
Ja pse, në emër të mbështetjes së procesit dhe jo të emrave të përveçëm,  duhet të këmbëngulim që opozita të mbështetet me kushte. Ndër këta kushte, që sipas meje duhet të imponohen nga një kombinim i presionit të interesit publik me interesat e aktorëve të ndryshëm të opozitës, unë do të theksoja shpejt e shpejt, pa i hyrë një analize që duhet bërë, dy gjëra: Së pari, premtimin për ndryshime rrënjësore në legjislacion, që do të na garantonin funksionimin e pavarur të institucioneve që duhet të kontrollojnë pushtetin e partive, e pastaj të mënyrës se si funksionon ekonomia, drejtësia,  mediat, shkollat, spitalet, universitete dhe, së dyti, që këto premtime të mos jenë fjalë të bukura të shpalosura nëpër mitingje nga Rama, Spahiu e të tjerë, (që duhet ta dinë se tashmë e kemi përvojën zhgënjyese të spektaklit elektoral me KOP-in më 2005), por rezultat pune serioze ekspertësh.
Mendoj se dalja në skenë e partive të reja mund të luajnë një rol të rëndësishëm në këtë proces, por për këtë do të shkruaj në artikujt e ardhshëm.  (Panorama, 27 mars 2012)

Wednesday, April 4, 2012

Mbi konfliktin Berisha-Topi


Ndonëse e ndjek kronikën politike shqiptare me vëmendje të veçantë e kam të vështirë të them se kam gjetur në mediet ndonjë tregim bindës për atë se pse janë prishur Berisha me Topin. Kjo edhe pse protagonistët, që të dy, nuk kanë qenë asnjëherë transparentë dhe, po ashtu, gazetarët që i kanë intervistuar apo ata që kanë investiguar për këtë çështje, duke qenë o në shërbim të njërit, o të tjetrit, nuk kanë treguar profesionalizmin e duhur për të na afruar tek e vërteta. Në këto kushte më duket se e vërteta duhet kërkuar duke iu referuar përvojës nisur që nga trashëgimia e Enver Hoxhës: pjesërisht me ish enveristin Berisha në krye të PD-se si dhe, pjesërisht, si pasojë e ndeshjes së kësaj trashëgimie me institucione të një sistemi demokratik. Më konkretisht, sipas meje, njëri nga shkaqet ka të bëjë me liderin gjithnjë e më të plotfuqishëm e më dlirant në parti që largon ose mënjanon një pjese të vjetrish, që gjithsesi kanë pasur një autoritet në parti, dhe afron ndjekësit e rinj me të cilët ndjehet më i sigurt. E, në këtë kontekst, zelli dhe intrigat e këtyre të fundmëve për t’i hapur rrugën vetes kanë bërë, pastaj, pjesën e mbetur të punës. Të mos harrojmë se Berisha kishte një vit që qeveriste kur Topi u bë President dhe se, me afrimin e të rinjve besnikë dhe disa grupeve të reja interesi, kishte krijuar një grup të pakënaqurish brenda PD-së të cilët, në një farë mënyre, gjenin tek Topi, kryetar i grupit parlamentar e figura numër dy në parti, një pikë të rëndësishme mbështetjeje. Duhet venë në dukje gjithashtu se Topi, edhe pasi u bë President, ka punuar në një farë mëyre për axhendën e tij me ta, duke e vendosur veten në pozita konfliki me lidershipin e PD-së. Pra jam i prirur të besoj se më shumë sesa faktorë parimorë që kanë të bëjnë me demokracinë në parti, apo korrupsionin në qeverisje një nga shkaqet kryesorë që ka nxitur konfliktin Berisha – Topi është i lidhur me faktorë psikologjikë në luftën për pushtet brenda PD-së.
Një shkak tjetër është i lidhur me atë se përvoja e trashëguar e partisë shtet e shtyn Berishës të mendojë se është ai dhe vetëm ai  që duhet të bëjë shiun dhe diellin në këtë vend, gëzimin edhe hidhërimin, drejtësinë edhe padrejtësinë, pra edhe Kryeministrin edhe Presidentin, Kryeprokurorin, Kryeopozitarin, Kryearkitektin, Kryeagronomin etj. Pra ai e ka vështirë edhe të imagjinojë se mund të ekzistojnë institucione të pavarur prej tij dhe që madje ta kontrollojnë atë.
Këtyre shkaqeve duhet t’u shtojmë edhe një diçka tjetër të rëndësishme, Po të ndjekësh trajektoren e PD në pushtet gjatë këtyre viteve do të vesh re se, për shkak të abuzimeve të rënda me korrupsionin, të ngjarjeve si Gërdeci apo 21 Janari është bërë gjithnjë e më i nevojshëm përdorimi i politikave agresive, radikale si ndaj opozitës edhe ndaj institucioneve që duhet të jenë të pavarura. Në këtë kontekst figura të moderuara në parti bëhen gjithnjë e më të papranueshme. Kështu, duke qenë i njohur si mbështetës i një grupi të moderuarish të PD dhe njëherësh në krye të institucionit më të rëndësishëm që e ka të detyruar me Kushtetutë moderacionin, Topi filloi të trajtohet sipas psikologjë se ai që nuk është me mua është armiku im.
Megjithatë, pa tentuar të hyjmë më thellë në hipotezat mbi shkaqet e prishjes, komenti duhet fokusuar mbi ato që duken dhe pasojat e kësaj prishjeje që sipas meje janë shumë të rënda për politikën shqiptare.
Së pari, kemi të bëjmë me një ndeshje midis dy institucionesh që tregojnë një brishtësi të jashtëzakonshme të shtetit demokratik duke e nxjerrë Shqipërinë në dritë fort të keqe brenda dhe jashtë vendit.
Së dyti, nëse do të gjejmë shkaktarin, gjithmonë në nivel të asaj që duket, ky është pa dyshim Kryeministri i cili duke qenë kryetari i partisë, kryetar i qeverisë dhe njeriu që dominon organin më të rëndësishm ligjvënës në vend Parlamenti, pra figura më e fuqishme e vendit, ka detyrë i pari të ruajë ekuilibrat në partinë e tij dhe me institucionet e tjera kurse ai, me sulmet që ka bërë veçanërisht pas 21 janarit (duke akuzuar Presidentin dhe Kryeprokuroren për grusht shteti pa asnjë provë, por vetëm mbi sentimente antipatie që vetë i ka nxitur më së shumti me qëdrimet paraardhëse të tij) ka treguar një qëndrim të papranueshëm për një vend demokratik
Së treti, ajo që bie në sy janë metodat e shëmtuara që po përdor PD për ta sulmuar Topin, që krijojnë një klimë shumë të rëndë në politikën shqiptare. Sulmet nga gazeta RD dhe vetë Kryeministri ndaj Presidentit për fallsifikime dokumentash e për marrje pronash të paligjëshme janë shumë problematike në këtë kontekst. Nuk dua të hyj asfare në vërtetësinë apo pavërtetësinë e këtyre akuzave. Ka diçka që është shumë më e rëndë edhe nëse këto janë të vërteta: fakti se kjo parti, me një psikologji që i shkon më shumë grupeve mafjoze sasa një partie, i nxjerr këto gjëra vetëm në kohën kur prishet me dikë dhe konsidereon se ai duhet eliminuar. S’ka shqiptar që të mos mendojë se politikanët tanë e kanë përdorur sot e gjithë ditën pushtetin e tyre për të zgjidhur problemet personale të pronave e të pasurimit vetiak e familjar, (çka s’e përjashton as Topin nga loja), por ama s’ka shqiptar që të besojë se njeriu më i korruptuar që paska nxjerrë PD-ja qenka Bamir Topi. Kjo klimë ku besnikëria ndaj grupit/bandës vlen shumë më tepër sesa ligji, duke patur parasysh se po kombinohet edhe me qëllimet për kapjen e presidentit të ardhshëm dhe kryeprokurorit të ardhshëm, ndërkohë që Gjykata duket tashmë e kapur, (siç e provoi gjyqi i Metës), krijon imazhin se shteti po shndërrohet i gjithi në instrument të një bande të vetme me në krye kapon e saj të padiskutueshëm. Dhe alibia se po këtë gjë synonte edhe Edi Rama në krye të PS-së po bëhet gjithnjë e më shumë një “gjurmë” përpara “ujkut” që  kemi përpara.
Përshtypja ime është se shqiptarët – e këtu kam parasysh edhe shumë prej atyre që janë në PD apo që i shërbejnë PD-së – nuk mund të lejojnë të shkohet deri këtu. Qoftë edhe për faktin se, në një vend ku nuk ka njeri të cilit të mos mund t’i gjesh ndonj gjë për ta shantazhuar e sulmuar në stilin që po sulmohet Topi, ndjehen të gjithë të kërcënuar. Ndërkaq, praktika të tilla ku korrupsioni në vend se të pastrohet duke vendosur ligjin për të gjithë njëlloj përdoret me standart të dyfishtë për të shtuar besnikët më një anë dhe luftuar kundërshtarët më anë tjetër, nuk bën gjë tjetër veçse e dyfishon këtë si krim duke dyfishuar edhe ndjenjën e padrejtësisë tek njerëzit.
Është folur e po flitet shumë për partinë e Topit dhe rreziqet që ajo paraqet për PD-në. Sipas meje, me këto që po shohim të ndodhin, më shumë sesa partitë e Topit dhe Spahiut, PD-së dhe aleatëve të saj po ua shterr votat përditë vetë Berisha dhe kamikaxet e tij syverbër me sjelljet dhe klimën që po krijojnë në vend. (Panorama, 21 mars 2012)