Tuesday, October 27, 2020

Zgjedhjet në SHBA dhe interesat shqiptare

Që nga mbarimi i Luftës së Ftohtë deri ne periudhën Trump zgjedhjet në SHBA e kanë ndarë pjesën më të madhe të evropianëve perëndimorë sipas afërsive kulturore e politike me partitë liberale të qendrës së majtë e të djathtë që ata votojnë. Këto parti, megjithatë, edhe kur kanë qenë në pushtet edhe kur kanë qenë në opozitë, janë treguar të kujdesshme për të ndërhyrë me deklarime përpara zgjedhjeve në SHBA.

Me Trump-in në pushtet ujërat janë turbulluar. Qëndrimet e tij në favor të Brexit-it e të sovranizmit antievropianist, dalja nga Traktati i Parisit, masat ekstreme ndaj emigracionit, polarizimi i fortë që ka shkaktuar në Lindjen e Mesme me mbështetjen krejt të njëanshme ndaj Izraelit, etj.  kanë ndikuar që partitë evropiane të qendrës të jenë me afër demokratëve kurse Trump ka gjetur mbështetës të hapur kundërshtarët e tyre, partitë e djathta sovraniste, konservatore. Megjithatë edhe në prag të këtyre zgjedhjeve nuk duket që liderët politikë evropianë të deklarojnë hapur mbështetjen e tyre për njërin apo tjetrin kandidat.

Në Shqipëri, para Trupit, edhe për shkak se ndarja qendër e majtë qendër e djathtë, në kuptimin kulturor dhe ekonomik, thuajse nuk ekziston, qëndrimi ndaj zgjedhjeve të radhës në SHBA është karakterizuar nga pritja në heshtje, pa debate, e fituesit, kurse pas zgjedhjeve të dy palët janë bërë pa asnjë rezervë me presidentin fitues. Këtë traditë do ta thyente Edi Rama kur deklaroi në CNN më 2016 se Trump ishte një rrezik për botën – deklaratë që e bëri për shkak të lidhjeve të tij (kryesisht nëpërmjet Sorosit) me demokratët amerikanë si dhe duke besuar në sondazhet që e jepnin Clinton fituese të sigurt. 

Për shkak të deklarimit të tij anti Trump kombinuar me faktin se administrata e Obamas i kishte dhënë goxha mbështetje dhe legjitimim Edi Ramës (mjaft të kujtosh Reformën në Drejtësi pasojat dramatike të së cilës po shfaqen sot) ishte e kuptueshme që opozita të shpresonte fitoren e Trumpit. Në fakt, pas fitores së tij, ka pasur disa shkrime në mediat amerikane që denonconin politikat pro Rama të Ambasadës Amerikane në kohën e ambasadorit Lu. Por shpejt u pa se Rama ktheu 180 gradë qëndrimin ndaj Trumpit dhe, ç’është më e rëndësishmja, pragmatizmi plot improvizime dhe jo koherencë i Trumpit solli në Shqipëri një mbështetje edhe më të madhe të administratës Trump ndaj narkoqeverisë së Ramës, që kulmoi me paralajmërimin e Palmerit kundër opozitës në prag të zgjedhjeve të 30 qershorit dhe po vazhdon me qëndrimet e ambasadores Yuri Kim – aq sa sot opozitarët duhet të ndjejnë mall për të shumë kritikuarin Lu. E megjithatë, paradoksalisht, edhe pse, për hir të së vërtetës duhet thënë se nuk kemi pasur qëndrime hapur të liderëve opozitarë, nuk janë të pakët sot opozitarët që  kërkojnë fitoren e Trumpit, çka bije në sy më shumë në rrjetet sociale.

Në këtë shkrim dua të jap gjashtë arsye pse një fitore e Bidenit do të ishte më shpresëdhënëse sesa një fitore e dytë e Trumpit përsa i përket aspiratës së shqiptarëve për një vend më të mirë dhe më demokratik, (për çka pretendon se lufton dhe opozita). 

 

1. Me presidencën e tij plot me qëndrimet jo koherente, të papritura, polarizuese, konfliktuale, prej narçizisti të sëmurë prestigji i SHBA-ve në botë ka rënë më poshtë se kurrë ndonjëherë duke e bërë vendin më të fuqishëm e më të rëndësishëm në botë të mos merret ndonjëherë as seriozisht. Në fakt Trump është vërtet një rrezik për botën prandaj edhe për ne.

2. Trumpi është një rrezik për demokracinë. Një fitore e tij do të përforconte një prirje që vihet re sot në vende me demokraci të brishtë të liderëve të fortë që tentojnë të personalizojnë politikën në vend se të punojnë për forcimin e institucioneve dhe ndarjen e pushteteve. Një fitore e tij pra do të ishte një inkurajim edhe për sjelljet alla Trump të Ramës në Shqipëri. 

3. Nëse do të shohim konfrontimin Trump – Biden përsa i përket vizionit për botën, duke e lidhur atë me problematikat e Shqipërisë, ka disa pika ku qartazi vizioni i Bidenit është më afër nevojave urgjente që ka sot Shqipëria për ndryshim. Kam parasysh këtu ndjeshmërinë shumë më të madhe të Bidenit dhe demokratëve amerikanë në dy çështje që në Shqipëri ulërasin për ndryshim.

Së pari, ndjeshmëria më e madhe ndaj publikes, veçanërisht shëndetit publik që me Covidin është shfaqur në gjithë dramacitetin e vet. 

Së dyti, vizioni i Bidenit pro ambientalist për energjinë e rinovueshme etj., në përputhje me vizionin evropian, do të ndikonte, sadokudo, për frenimin e masakrimit ambiental që po pëson Shqipëria për interesat e një oligarkie kriminale.

4. Një riafirmim i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë rrezikon të  rikthejë skenarin e ndryshimeve të kufijve në Kosovë me gjithë implikimet që ai mund të sjellë në botën shqiptare dhe në rajon. 

 

5. Trumpi, mbështetës i Brexit-it, nuk e ka për zemër projektin evropian i cili, megjithë shumë dështime, mbetet ende shpresë se mund ta ndihmojë Shqipërinë në proceset demokratike. Një kthim i demokratit Biden, i cili është proevropian, mund ta ndihmojë këtë projekt. Po ashtu, në këtë kontekst, vendet evropiane janë bërë gjithnjë e më të vetëdijshëm për problemet e korrupsionit, krimit të organizuar e proceseve antidemokratike në Shqipëri dhe i kanë shtuar kritikat, kurse administrata Trump, për shkaqe pragmatiste interesash gjeopolitike deri elektorale të Trumpit ka shtuar mbështetjen ndaj tij. Mjaft të kesh parasysh diferencën e dukshme në qëndrimeve mes SHBA dhe Gjermanisë dhe vendeve të tjera serioze evropiane lidhur me këto. Nuk duhet harruar se administrata Trump bëri një lojë të shëmtuar në Kosovë kur rrëzoi një qeveri të zgjedhur demokratikisht e që jepte shpresë për të goditur sistemin oligarkik kriminal të ngritur atje duke dhënë mesazhin për udhëheqësit e korruptuar shqiptarë se për të pasur mbështetjen e SHBA mjafton tu shërbesh interesave elektorale të presidentit të tyre. 

6. Dy partitë kryesore opozitare, duke qenë evropianiste dhe të lidhura me partitë simotra evropiane  nuk kanë asnjë interes të afrohen me Trumpin, që ka punuar kundër tyre, sepse përveç të tjerash kjo do t’i largonte nga këto parti dhe mbështetja e tyre e mundshme. (Panorama, 26 tetor, 2020)

Wednesday, October 14, 2020

Opozita të ngjallë optimizëm aktiv

 

Është interesant të vihen re diferencat në qëndrime midis tre ambasadorëve, që u bënë garant për marrëveshjen e 5 qershorit, pas aprovimit nga Parlamenti të ndryshimeve të njëanshme të Kodit Zgjedhor.

Amerikania Kim ishte qartazi mbështetëse, edhe pse shtoi se do të kishte dashur që marrëveshja e 5 qershorit të ishte respektuar.

Ai i BE-së, Sorecca, i mëshoi pak më shumë kësaj pjesës së 5 qershorit, por nënvizoi hapat përpara që ka bërë Shqipëria.

I vetmi që shprehu zhgënjim pa ndonjë mbështetje për mosrespektimin e marrëveshjes ishte ambasadori britanik Norman.

Janë tre qëndrime që nuk mund të mos i shohim të pa lidhura me interesat e të tre palëve që përfaqësojnë ambasadorët.

SHBA nuk mund të mos jenë mirënjohës për politikat e Ramës në përkrahje të administratës amerikane, së fundi edhe për dhënien e Skavicës një firme amerikane shumë të përfolur në kohën kur kjo bashkëpunonte me qeverinë Berisha. (Pa harruar edhe rrethimin që i ka bërë mjeshtri i manipulimit Rama ambasadores për t’i paraqitur një vend normal që po përparon, ndryshe nga ç’thonë armiqtë e brendshëm të Shqipërisë).

Sorecca-s i duhet t’i mëshojë narrativës së tranzicionit të Shqipërisë drejt BE-së, që është edhe puna e tij, sipas formulës: keni bërë hapa përpara, vazhdoni në këtë drejtim. Sidomos në këto kohë kur BE po sfidohet në rajon jo vetëm nga Turqia, Kina e Rusia, por edhe nga SHBA.

Britaniku, që nuk i ka këta interesa, duket se e sheh Shqipërinë më ftohtazi, ndoshta edhe nën optikën e problemeve në rritje që ka krijuar në Britani krimi i organizuar shqiptar.

Gjithsesi Edi Rama s’ka se si të mos jetë i kënaqur për këto qëndrime sepse shqiptarët, të mësuar ta shohin vetveten nëpërmjet syrit të të huajve, në vend se të shihnin ndonjë qëndrim dënues për aktin e Ramës morën mesazhin se ai vazhdon të ketë mbështetjen e tyre.

Në fakt shkelja e marrëveshjes ishte konfirmimi i radhës se Rama po e fut vendin në një tunel antidemokratik gjithnjë e më të thellë nga i cili zor se do të mund të dalim me rrugë normale. Problemi është se shumica e shqiptarëve, edhe në sajë të dekurajimit që përcjellin këta soj ambasadorësh, në vend se të revoltohen nga padrejtësia dhe gënjeshtra që tashmë ulëret, duket se i janë nënshtruar pritjes së këtij fataliteti. Një pjesë e madhe po bën valixhet gati për të ikur në rast të një fitoreje të tretë të Ramës. Të tjerë komentojnë se, ashtu sikurse është katandisur ky vend, nuk vlen më as të lëshosh hije në të e se s’ka opozitë ta kthejë dot më në rrugë të mbarë.

Në kontrast me këtë pesimizëm, që personalisht e shoh mbizotërues, spikat një lloj qetësie optimiste e PD-së e cila shprehet se çfarëdo që të bëjë Rama vota e 25 prillit do ta gjejë atë humbës. Duket se kjo qetësi e PD-së mbështetet mbi sondazhe dhe mbi një frymë pakënaqësie që ndjehet tashmë në ajër që e bën të besojë se lumi i votave kundër do të vërshojë aq furishëm saqë nuk do të ketë digë e barrierë rilindëse që ta përmbajë. Sipas disa zërave qetësia e Bashës vjen edhe nga fakti se këshilltarët e tij elektoralë të huaj i kanë sugjeruar se duhet të përqendrohet tek evidentimi i rënies ekonomike të vendit dhe tek premtimi për të forcuar shtresën e mesme nëpërmjet uljes së taksimit të saj nga 23% në 9%.

Shumë më i zëshëm është qëndrimi i Presidentit. Ai flet më tepër ashpërsi për akte të rënda, dramatike që po ndodhin, por më anë tjetër shprehet se ruan besimin se shqiptarët do t’ia tregojnë vendin Ramës nëpërmjet “referendumit” të 25 prillit.

Do të uroja të ndodhte kështu, por mbrapa optimizmit të opozitës ka ca “por”-e.

“Por”-i më i madh vjen nga fakti se tashmë është e qartë se Rama po bën gjithçka për të ruajtur pushtetin në një situatë ku kuptohet se ka humbur konsensusin e shumicës. Ndryshimi i njëanshëm i Kodit Zgjedhor  duket qartazi se është tregues i masakrën elektorale që po përgatitet. Ndërkohë as publiku dhe as opozita vetë nuk duket të jenë të qartë se me çfarë mjetesh do ta ndalojnë atë, pasi Rama ka në dorë të gjithë pushtetet, më shumë nga ç’i kishte në kohën kur opozita dilte nga Parlamenti duke deklaruar se me Ramën nuk ka zgjedhje të lira.  Pyetja është: cili do të jetë arbitri që do t’i bjerë bilbilit për faullet e Ramës gjatë lojës? Fakti që ambasadorët nuk i ranë bilbilit  me ndryshimin e Kodit Zgjedhor heq shpresën se ata mund ta luajnë këtë rol siç shpresonte aq shumë opozita kur hyri në negociata. 

Dikush mund të shtrojë pyetjen: po çfarë duhet të bëjë opozita në këto kushte, të mos shprehë optimizëm, apo të mos hyjë në zgjedhje. Jo, por meqenëse nga të gjitha shenjat duket se shpresa e vetme është vërshimi i popullit të pakënaqur në kutitë e votimit gjykoj se duhet të jetë më aktive për t’i motivuar njerëzit. Për këtë them se nuk duhet të mjaftohet me denoncime, premtime, apo duke u dhënë një lloj optimizmi pasiv me kumtin se Rama ka mbaruar, por të ndërtojë një optimizëm aktiv nëpërmjet dialogut dhe bashkëpunimit të vërtetë me njerëzit, duke i bërë pjesë e politikës, të vetëdijshëm se pa ndihmën e angazhimin e tyre kjo e keqe vështirë se mund të luftohet. (Panorama, 13 tetor 2020)