Tuesday, May 23, 2017

Pakti Rama - Basha varjant i ri i lojës së vjetër

Në shkrimin “A duhet të hyjë PD në zgjedhje” jam shprehur se kjo varet shumë nga protagonistët kryesorë. Nëse ata e kanë seriozisht gjithë çka na kanë premtuar në çadër ndoshta më e mira do të ishte të mos hynin, sepse hyrja do të legjitimontec“fasadën” prapa të cilës funksionojnë institucionet e vjedhjes dhe të krimit, duke i bërë, mes tjerash, gjithnjë  e më të pamundura edhe zgjedhjet e lira. Por dilemën e hyrjes apo moshyrjes në zgjedhje e kam lidhur edhe me dilemën: a mund të shndërrohet PD-ja nga një parti deri dje e sistemit/fasadës, në një lëvizje antisistem që çjerr fasadën? Marrëveshja Rama – Basha dhe mënyra se si  u arrit ajo i dhanë fund këtyre dilemave. PD-ja dhe lidershipi i saj treguan me këtë marrëveshje se ose, në rastin më të mirë, nuk u dilnin hesapet se mund të shndërroheshin në një lëvizje antisitem, ose se nuk i kishin seriozisht premtimet për luftë oligarkisë, medieve të kapura, kanabizmit etj. Basha mund të thotë se zgjedhja që bëri ishte e imponuar nga ndërkombëtarët, se nuk u mbështet sa duhej nga populli që s’e kuptoi, nga vetë ne gazetarët që nuk iu përgjigjëm thirrjes për të shkuar në çadrën e tij. Pa dyshim presioni ka qenë i madh, edhe mosbesimi i të zhgënjyerve e ka rritur këtë presion, por historia tregon se politikanët që kanë sjellë ndryshime të mëdha kanë qenë pikërisht ata që nuk i janë përshtatur një realiteti ekzistues, por ata që e kanë ndryshuar atë sipas vizionit të tyre. Do të ishte pikërisht këmbëngulja për të mos iu bindur realitetit të imponuar edhe nga amerikanët, evropianët edhe mosbesuesit, që do të mund të krijonin bindjen dhe besimin se kemi të bëjmë me njerëz që mund t’ia dalin të ndryshojë këtë realitet mjeran ku ndodhemi. Por me sa duket njerëz të këtij stofi pritet të lindin në Shqipëri.
Shkurt shqiptarët që presin një ndryshim të sistemit oligarkik, bandokratik, shkërdhatokratik, kleptokratik, narkotrafikantokratik - për të përmendur vetëm disa nga epitetet që i janë vënë - duhet të flenë të qetë në dëshpërimin e tyre se kjo nuk ka për të ndodhur. Ne u kthyem në “normalitetin” tonë ku politika është një biznes privat dhe jo një “gjë publike”, siç është kuptimi i fjalës “republikë” që e ka përmendur kaq shumë Basha kohët e fundit. Partitë që merren me këtë biznes, pas një momenti sherresh, u ulën për të rindarë edhe një herë aksionet e tyre. Duke e menduar PD-në si të paaftë për të ndryshuar realitetin them se kjo është më mirë sesa sikur t’ia linte të gjithë tryezën Edi Ramës dhe Ilir Metës, por kundërthëniet mbeten.
Tani të gjithë i kanë hyrë kalkulimeve se kush ka dalë i fituar dhe kush i humbur në këtë pazar të ri. Sigurisht përgjigjen përfundimtare kësaj do t’ia japë shitblerja e mallit më 25 qershor, por disa parashikime edhe mund të bëhen. Nëse do t’i referohem një metafore ku e kam përshkruar ndërtesën e pushtetit në Shqipëri si një godinë ku në bodrum kemi krimin e organizuar, në katin e parë oligarkët, në katin e dytë mediet e tyre dhe në katin e tretë zyrat e partive të ndryshme, them se gjithshka që do të ndryshojë ka të bëjë me disa lëvizje zyrash në katin e tretë. Duket se me shumë gjasa do të kemi një zvogëlim të zyrave të LSI-së, e cila duhet të kënaqet me zyrën e presidentit që ka kapur kryetari i saj. Përsa i përket zyrave të PS dhe të PD-së për momentin është krijuar një konfuzion sepse në zyrat e PS-së kanë hyrë momentalisht disa ministra të PD-së që, medemek, do të bëjnë të mundur që populli të votojë i pafrikësuar, i pamanipuluar dhe i pablerë. Por problemi është se PD-ja gjatë këtyre katër vjetëve ka humbur shumë lidhje me katin e dytë, katin e parë dhe bodrumin, që janë lojtarët e vërtetë të përcaktimit të votës. Ajo që iu dha PD-së dhe Lulzim Bashës, për mua, ishte thjesht një mënyrë për të mos dalë krejtësisht i turpëruar nga çadra si dhe për të mbyllur gojën pas rezultatit, sepse qeveria e “besimit” që po krijohet nuk ka asnjë instrument për të ndryshuar diçka në katet e poshtme të ndërtesës së pushtetit, që kontrollohen nga Edi Rama.
Me shumë gjasa në këto kushte, ku loja elektorale nuk zhvillohet midis një lëvizjeje që premton shpresë dhe kastës së vjetër, por si një lojë brenda kastës ka më tepër gjasa që 71%-shin ta kapë i vetëm Edi Rama dhe jo PD-ja. Nëse nuk arrihet kjo mund të jemi përsëri në kushtet kur LSI-ja të mbetet përcaktuese e maxhorancës.  Se çfarë do të vendosë Ilir Meta këtë do ta shohim. Them se më mirë se kushdo këtë e dinë ata të kateve poshtë dhe intuita ma thotë se, edhe sikur të mos jetë përcaktues, Meta do të shkojë me Ramën.

Së fundi kanë dalë disa zëra se, për të mos ndodhur kjo, për shkak se këta urrehen shumë me njëri tjetrin (çka na bën për të qeshur) si dhe që të evitohen kriza si ato të çadrave, që i kanë mërzitur shumë partnerët tanë strategjikë,  mund të ketë koalicion të madh PS – PD në emër të mbylljes së disa reformave që do ta çuakan Shqipërinë në Evropë. Personalisht nuk e besoj se mund të ndodhë një gjë të tillë, por nuk është çudi po të mendosh, jo reformat dhe as partnerët strategjikë, por se deri dje të dyja kanë përfaqësuar të njëjtët oligarkë. Dreqi e di çfarë paskan biseduar kokë më kokë, për pesë orë, Romeo Rama dhe Xhulieta Basha, - sipas një batute të Ramës kjo -  por prap nuk e besoj. Në fakt koalicionet e mëdha janë bërë në emër të qeverisshmërisë kur nuk sigurohet maxhoranca e duhur nga partitë e mëdha. Tek ne kjo mund të ndodhë vetëm nëse LSI nuk pranon të bëjë koalicion paselektoral me asnjërën. Ndërsa po të kemi një koalicion PS - PD pa u pyetur fare LSI-ja kjo do të thotë se me ndihmën e çadrës u arrit pikërisht ajo që kontestohej më fort nga çadra: zhdukja e opozitës, dmth. se Edi Rama arriti në të njëjtën qafë, por nga një rrugë tjetër. Sigurisht jo në Evropë. (Panorama, 22 maj 2017)

Thursday, May 18, 2017

A duhet të hyjë PD-ja në zgjedhje

Retorikat e përdorura gjatë kësaj krize politike, që ka koinciduar me fushatën elektorale, të kujtojnë thënien e Paul Valerisë: "Çdo gjë që është e thjeshtë është false dhe çdo gjë që nuk është e tillë është e papërdorshme." Sepse, ndërkohë që kriza që ka shkaktuar krizën është kaq komplekse dhe gjetja e zgjidhjes aq e vështirë, si përgjigje ndaj saj kemi thjeshtëzime "të përdorshme", - si ato reklamat e shitjes së dyshekëve (më të përhapurat në televizionet tona) : "me ne do flini gjumë rehat". Thjeshtëzimi më "fals" dhe më "i përdorshëm" në këtë realitetin tonë të sëmurë rëndë nga perversiteti i politikanëve për të cilët nuk ka të tjerë përveç atyre që u shërbejnë, është ndarja e shoqërisë në të mirë e të këqij, miq dhe armiq dhe ngritja e urrejtjes midis dy kampeve. Kulmin ky thjeshtëzim e arriti së fundi kur Rama u tha shqiptarëve se pa opozitën do të flenë më rehat, më pa zhurmë sherresh. Sigurisht ky nuk e di se ai që citohet më së shumti se ka shkruar për kotësinë e sherreve në parlament me opozitë ka qenë Hitleri? Por edhe PD-ja nuk qëndron larg në këtë lojë thjeshtëzimi. Brenda dy-tre muajsh nga protesta e drejtë dhe e rëndësishme  për një qeveri teknike, që do të siguronte zgjedhje të pamanipuluara, ka kaluar në qark të shkurtër në premtimin "republika e re", në të cilën shqiptarët do të jetojnë si në "më të mirën e botëve".  Por se si e qysh e tek do të kalojmë nga zgjedhjet me qeveri teknike në një republikë të re askush nuk kërkon të na artikulojë diçka bindëse.
Një nga temat që kërkon reflektim të thellë, por që po trajtohet me parimin e gjërave të thjeshta, por false është edhe ajo nëse duhet të hyjë PD në këto zgjedhje apo nuk duhet të hyjë. Personalisht këtë çështje e shoh me anë të kundërta të cilat duhen peshuar mirë. Për të shtjelluar këto anë të kundërta po i referohem fillimisht thirrjeve të maxhorancës dhe të ndërkombëtarëve që ajo  të hyjë edhe në kushtet e mospranimit të kërkesave të saj. Gjykoj se halli i vetëm i Ramës, tashmë edhe Metës, është se një opozitë që nuk hyn në zgjedhje heq fasadën e demokracisë prapa të cilës funksionojnë institucionet e vjedhjes dhe krimit që ata kanë ndërtuar. Edhe ndërkombëtarët këtë fasadë duan të ruajnë, sepse rënia e saj është edhe tregues i dështimit të tyre, i faktit se kanë shpenzuar miliona e miliona për të ndihmuar konsolidimin e një kaste kriminale në Shqipëri, me të cilën, do s'do, janë bërë partnerë. Në këtë kuptim moshyrja në zgjedhje e opozitës duket jo vetëm diçka logjike, por edhe një akt i rëndësishëm denoncimi. "Fasada" është si një kostum i bukur elegant që vesh një kriminel për të hyrë në sallonet evropiane, që duhet grisur për ta nxjerrë atë lakuriq sepse, edhe pse po vesh kostume gjithnjë e më elegante, krimineli po bëhet dita ditës më i rrezikshëm.
Por megjithatë problemi nuk mbaron këtu. Puna është se ajo që e quajta "fasada", dmth. ekzistenca, e një kushtetute demokratike dhe e shumë ligjeve, ndikojnë sadokudo në mënyrën e sjelljes së kriminelit. Me fjalë të tjera çështja mund të ngrihet: mos vallë ky kuadër kushtetues që kemi zgjedhur që i siguron opozitës disa garancira mund të humbasë nesër e vendi mund të shkasë edhe më keq në autoritarizëm? Apo, përkundrazi, duke dalë nga ky kuadër/fasadë opozitarizmi i PD mund të bëhet edhe më i fortë për shkak se do të fitojë mbështetjen popullore që e ka pas humbur meqë deri dje ka qenë edhe ajo pjesë e kësaj fasade?
 Nuk më duket e lehtë t'i japësh përgjigje kësaj dileme. Më një anë moshyrja në zgjedhje i rrit PD-së mundësinë për të krijuar besueshmëri në popull për t'u shndërruar në një lëvizje mbarëpopullore, më anë tjetër mund të rrezikojë edhe më tej  ekzistencën e opozitës në këtë vend. Zgjedhja në këtë dilemë mendoj se është e lidhur shumë me  qëllimet e vërteta të Lulzim Bashës me shokë. Janë ata që e dinë më mirë se të tjerët cilat janë synimet e tyre të vërteta, por edhe se cila është mbështetja që gëzojnë dhe pengesat që kanë. Janë ata që i dinë më mirë se të tjerët përgjigjet që u japin vetmevete disa pyetjeve të rëndësishme që ngrenë njerëzit e shqetësuar për fatet e këtij vendi: a ka vërtet në PD një vizion të qartë për problematikën e madhe se ku na ka çuar kapja e politikës jo vetëm nga një oligarki që përdor mjete kriminale, por tashmë edhe  nga vetë krimi i organizuar dhe sa ndjehet vërtet përgjegjës lidershipi i PD-së për kontributin që ka dhënë për krijimin e kësaj situate? Sepse PD-ja deri më sot ka qenë parti e "njerëzve me kollaro" që denoncoi një nga manifestueset e protestë së fundit. Pra, a ekziston vërtetë kjo ndjeshmëri dhe reflektim, siç duket se tregojnë herë pas here diskurset e Bashës në çadër kur flet për oligarkinë dhe mediet e kapura, a është e sinqertë ajo, apo po përdoret për mashtrim siç ka ndodhur deri më sot?
Dhe prapë problemi nuk mbaron këtu. Pyetja që ngrihet paskëtaj është: edhe nëse lidershipi i PD-së e ka këtë vizion, reflektim, madje dhe vullnet vetëtransformimi, a mundet objektivisht PD të shndërrohet në një lëvizje popullore pasi të mos hyjë në parlament? Dhe këtu të dalin përpara disa vështirësi jo të vogla. Së pari, do të vija kulturën klienteliste, konsumiste, të pasurimit të shpejtë nëpërmjet krimit, të servilizmit dhe nënshtrimit që është përhapur në vend nga partitë ekzistuese. Ajo ta bën të vështirë mendimin se njerëzit  mund të bashkohen në një lëvizje të madhe mbi ideale demokratike dhe të shtetit të së drejtës. Së dyti, do të duhej një transformimi i madh i PD-së, së pari nga ata që kanë bashkëpunuar deri dje me oligarkët e krimin, por edhe ideologjik, pasi do të duhej që të kthehej nga një parti e djathtë që nga pikëpamja e përfaqësimit përfaqëson shtresat më të pasura, në një parti që duhet të përfaqësojë interesat e pjesë më të brishtë të shoqërisë, sepse është ajo që sot ndjen peshën më të rëndë të këtij regjimi. Dhe së fundi, edhe sikur të arriheshin këto dy të parat mbetet një pikëpyetje tjetër: a do të mund të kishte jetë dhe të rritej një lëvizje e tillë në kushtet kur regjimi i instaluar kontrollon gjithnjë e më shumë jetën ekonomike, politike, kulturore, mediatike të vendit?  Apo, mos vallë dalja e PD-së nga parlamenti do t'ia lehtësonte punën regjimit për asgjësimimn e opozitës çka do të thotë se PD-ja mund të jetë më efikase po të hyjë në parlament por në këtë rast duhet ta harrojë lëvizje mbarëpopullore dhe republikën e re?

Nuk kam një përgjigje të prerë ndaj kësaj dileme dhe fakti që se kam mund të duket se po them diçka "të papërdorshme". Besoj se nënteksti i këtij shkrimi duke u thjeshtëzuar dhe bërë "i përdorshëm" është: nëse e kanë me gjithë mend çka kanë thënë deri më sot tek çadra ndoshta ia vlen më shumë të mos hyjnë në parlament sesa të hyjnë. Por ky shrkim është më shumë se kaq. Në të preferova më së shumti ta shtroj dilemën dhe jo t'i jap një përgjigje të thjeshtë me rrezikun që të jetë false. (Panorama, 16 maj 2017)

Kjo ndodh kur politika është luftë bandash

Zgjedhja president e Ilir Metës na kujtoi edhe një herë atë shprehjen e Ramës “S’keni parë gjë akoma” që në këtë rast, do të mund të vazhdonte me: “mund t’ju bëj edhe Metën president.”
Reagimet e publikut ndaj kësaj çudie të radhës qenë të pritura. Videot me Metën që thotë të nëntëdhjetenëntat për Ramën dhe Ramën që thotë po ashtu të nëntëdhjetenëntat për Metën janë përhapur me shpejtësi të paparë në rrjetet sociale. Ngjarja konsiderohet si një zbritje edhe disa shkallë më poshtë e degradimit të politikës sonë. Megjithatë ta reduktosh tërë këtë histori, si çudi personash që nuk u ka mbetur fije morali dhe respekti jo vetëm për të tjerët, por edhe për veten, apo si lojë e papërgjegjshme midis dy personash që mblidhen një here te Gjiri i Lalëzit dhe hanë ngjala dhe pas katër vitesh tek pazari i peshkut dhe hanë peshk, e vendosin për fatet tona, është e gabuar.
Nëse do të përdorja një metaforë që besoj se e kuptojnë mirë ata që njohin kompjuterin do të thoja se darkat e Ilir Metës dhe të Edi Ramës me peshk dhe ngjala duhen parë në këtë histori si ato imazhet (Screensaver) që shohim kur kompjuteri bije në stand by për të mbrojtur ekranin.  Por po të lëvizësh pak mausin mbrojtësi i ekranit me këto fytyra zhduket dhe del realiteti dramatik që qëndron prapa këtyre imazheve: mungesa gjatë këtyre 25 vjetëve edhe e elementëve më të thjeshtë të demokracisë në Shqipëri.
Sot opozita, dhe jo vetëm, ka vënë kujën: “demokracia në rrezik!”. Po përpara se të vemë këtë kujë duhet të shtrojmë pyetjen: a kemi qenë ndonjëherë demokraci gjatë këtyre 25 vjetëve? Nëse fjalën do ta përkthejmë siç e ka kuptimin: pushtet i popullit, s’besoj se do ta quante kush demokraci këtë tonën. Sikur të kishim pasur sadopak demokraci në këtë kuptim kjo që ndodhi nuk do të mund të imagjinohej e jo më të ndodhte. Problemi është se tek ne të gjithë e dimë se ka 25 vjet që pushteti është i disa bandave në luftë të vazhdueshme për të eliminuar njëra tjetrën në ndarje të territorit dhe të përfitimeve nga grabitja e shqiptarëve. Kjo që po ndodh thellë-thellë është kalimi në një stad kur lufta midis bandava ka njohur një zhvillim të ri. Sot banda e Edi Rama me lëvizjen që kreu po synon të vrasë me një gur një bandë e gjysmë kundërshtare. Njëra bandë është PD-ja e cila, duke u përjashtuar nga parlamenti ka shumë gjasa që për katër vjet të tretet si opozitë, por edhe po të hynte në zgjedhje këtë fat do të kishte. Gjysma e bandës tjetër është LSI-ja që duke dalë nga roli i ndërmjetësit në luftën midis dy bandave kryesore humbet këtë funksion dhe bëhet targeti i radhës për bandën e madhe.
Por ngulmoj edhe një herë se është e gabuar që kjo t’i dedikohet thjesht zotësisë apo maskarallëkut të Ramës e Metës siç thonë disa. As paaftësisë së Bashës apo korruptimit të disa ambasadorëve, siç thonë disa të tjerë. Sigurisht këta kanë përgjegjësitë e tyre në këtë që po ndodh, por Edi Ramës dhe Ilir Metës dhe ambasadorëve të tyre as nuk do t’u shkonte ndërmend të bënin këtë që bënë sikur partitë (dhe këtu e kam fjalën për të treja jo vetëm për PD-në) të përfaqësonin vërtet popullin dhe jo një grusht njerëzish që kanë vjedhur e grabitur sistematikishë këtë vend.
Problemi më i thellë i kësaj që po ndodh është se tek ne ka kohë që shtrohet  pyetja: a ka kuptim që të kemi disa parti për të përfaqësuar vetëm këtë grusht njerëzish? Deri dje ishte kështu pasi ky grusht njerëzish përdornin edhe PS edhe PD për të grabitur shqiptarët sepse njëra bandë kishte Tiranën tjetra kishte Shqipërinë. Ndodhte kështu edhe pasi deri dje populli, gjithsesi, besonte më shumë se këto banda mund tu sillnin ndryshim, prandaj dhe ai grushti i njerëzve, për tu mbrojtur, punonin me të dy palët. Sot është krijuar një situatë kur nga njëra anë punët e kësaj pakice varen kryekëput nga partia e Ramës dhe nga ana tjetër populli i ka hequr shpresat se mund të sjellë ndryshim me këto banda. Ai prandaj, i është nënshtruar statukuosë duke zgjedhur ose ikjen nga vendi ose punësimin në plantacionet e kanabisit që menaxhohen nga banda në pushtet. Këtu duhet të shtojmë faktin se vitet e fundit grushtit të njerëzve në fjalë u janë shtuar me shumicë edhe ata krerë grupesh kriminale që aq më pak kanë nevojë të ketë opozitë sepse punët i kryejnë me policinë që e ka maxhoranca.
Pra Ilir Meta dhe Edi Rama nuk duhen parë si lojtarët e vetëm në eliminimin e PD-së. Ata duhen parë në kontekstin e sistemit të grabitjes që kanë ngritur sëbashku me "rremtarët" kriminalë me të cilët bashkëpunojnë për të çuar anijen shqiptare drejt theqafjes përfundimtare. Eliminimi i PD-së në udhëtimin e tyre drejt kësaj theqafjeje po mundësohet pikërisht nga logjika  e punës dhe e interesave të këtyre njerëzve.

Nëse do të kërkojmë përgjegjësinë e PD-së në këtë lojë duhet thënë se kryesorja është se ajo ka aplikuar të njëjtën logjikë, pra se nuk ka ditur të jetë përfaqësuese e popullit. Prandaj thirrjet e Berishës për "revolucion demokratik" tingëllojnë sot si ato thirrjet e atij bariut që gënjeu disa herë njerëzit se ujku po i hante delet, dhe, kur ujku erdhi vërtet, nuk shkoi më njeri që t'ia shpëtonte. (Panorama, 2 maj 2017)