Zgjedhja president e
Ilir Metës na kujtoi edhe një herë atë shprehjen e Ramës “S’keni parë gjë
akoma” që në këtë rast, do të mund të vazhdonte me: “mund t’ju bëj edhe Metën
president.”
Reagimet e publikut
ndaj kësaj çudie të radhës qenë të pritura. Videot me Metën që thotë të
nëntëdhjetenëntat për Ramën dhe Ramën që thotë po ashtu të nëntëdhjetenëntat
për Metën janë përhapur me shpejtësi të paparë në rrjetet sociale. Ngjarja
konsiderohet si një zbritje edhe disa shkallë më poshtë e degradimit të
politikës sonë. Megjithatë ta reduktosh tërë këtë histori, si çudi personash që
nuk u ka mbetur fije morali dhe respekti jo vetëm për të tjerët, por edhe për
veten, apo si lojë e papërgjegjshme midis dy personash që mblidhen një here te
Gjiri i Lalëzit dhe hanë ngjala dhe pas katër vitesh tek pazari i peshkut dhe
hanë peshk, e vendosin për fatet tona, është e gabuar.
Nëse do të përdorja
një metaforë që besoj se e kuptojnë mirë ata që njohin kompjuterin do të thoja
se darkat e Ilir Metës dhe të Edi Ramës me peshk dhe ngjala duhen parë në këtë
histori si ato imazhet (Screensaver) që shohim kur kompjuteri bije në stand by
për të mbrojtur ekranin. Por po të
lëvizësh pak mausin mbrojtësi i ekranit me këto fytyra zhduket dhe del
realiteti dramatik që qëndron prapa këtyre imazheve: mungesa gjatë këtyre 25
vjetëve edhe e elementëve më të thjeshtë të demokracisë në Shqipëri.
Sot opozita, dhe jo
vetëm, ka vënë kujën: “demokracia në rrezik!”. Po përpara se të vemë këtë kujë
duhet të shtrojmë pyetjen: a kemi qenë ndonjëherë demokraci gjatë këtyre 25
vjetëve? Nëse fjalën do ta përkthejmë siç e ka kuptimin: pushtet i popullit,
s’besoj se do ta quante kush demokraci këtë tonën. Sikur të kishim pasur
sadopak demokraci në këtë kuptim kjo që ndodhi nuk do të mund të imagjinohej e
jo më të ndodhte. Problemi është se tek ne të gjithë e dimë se ka 25 vjet që
pushteti është i disa bandave në luftë të vazhdueshme për të eliminuar njëra
tjetrën në ndarje të territorit dhe të përfitimeve nga grabitja e shqiptarëve.
Kjo që po ndodh thellë-thellë është kalimi në një stad kur lufta midis bandava
ka njohur një zhvillim të ri. Sot banda e Edi Rama me lëvizjen që kreu po synon
të vrasë me një gur një bandë e gjysmë kundërshtare. Njëra bandë është PD-ja e
cila, duke u përjashtuar nga parlamenti ka shumë gjasa që për katër vjet të
tretet si opozitë, por edhe po të hynte në zgjedhje këtë fat do të kishte.
Gjysma e bandës tjetër është LSI-ja që duke dalë nga roli i ndërmjetësit në
luftën midis dy bandave kryesore humbet këtë funksion dhe bëhet targeti i
radhës për bandën e madhe.
Por ngulmoj edhe një
herë se është e gabuar që kjo t’i dedikohet thjesht zotësisë apo maskarallëkut
të Ramës e Metës siç thonë disa. As paaftësisë së Bashës apo korruptimit të
disa ambasadorëve, siç thonë disa të tjerë. Sigurisht këta kanë përgjegjësitë e
tyre në këtë që po ndodh, por Edi Ramës dhe Ilir Metës dhe ambasadorëve të tyre
as nuk do t’u shkonte ndërmend të bënin këtë që bënë sikur partitë (dhe këtu e
kam fjalën për të treja jo vetëm për PD-në) të përfaqësonin vërtet popullin dhe
jo një grusht njerëzish që kanë vjedhur e grabitur sistematikishë këtë vend.
Problemi më i thellë
i kësaj që po ndodh është se tek ne ka kohë që shtrohet pyetja: a ka kuptim që të kemi disa parti për
të përfaqësuar vetëm këtë grusht njerëzish? Deri dje ishte kështu pasi ky
grusht njerëzish përdornin edhe PS edhe PD për të grabitur shqiptarët sepse
njëra bandë kishte Tiranën tjetra kishte Shqipërinë. Ndodhte kështu edhe pasi
deri dje populli, gjithsesi, besonte më shumë se këto banda mund tu sillnin
ndryshim, prandaj dhe ai grushti i njerëzve, për tu mbrojtur, punonin me të dy
palët. Sot është krijuar një situatë kur nga njëra anë punët e kësaj pakice
varen kryekëput nga partia e Ramës dhe nga ana tjetër populli i ka hequr
shpresat se mund të sjellë ndryshim me këto banda. Ai prandaj, i është
nënshtruar statukuosë duke zgjedhur ose ikjen nga vendi ose punësimin në
plantacionet e kanabisit që menaxhohen nga banda në pushtet. Këtu duhet të shtojmë
faktin se vitet e fundit grushtit të njerëzve në fjalë u janë shtuar me shumicë
edhe ata krerë grupesh kriminale që aq më pak kanë nevojë të ketë opozitë sepse
punët i kryejnë me policinë që e ka maxhoranca.
Pra Ilir Meta dhe
Edi Rama nuk duhen parë si lojtarët e vetëm në eliminimin e PD-së. Ata duhen
parë në kontekstin e sistemit të grabitjes që kanë ngritur sëbashku me
"rremtarët" kriminalë me të cilët bashkëpunojnë për të çuar anijen
shqiptare drejt theqafjes përfundimtare. Eliminimi i PD-së në udhëtimin e tyre
drejt kësaj theqafjeje po mundësohet pikërisht nga logjika e punës dhe e interesave të këtyre njerëzve.
Nëse do të kërkojmë
përgjegjësinë e PD-së në këtë lojë duhet thënë se kryesorja është se ajo ka
aplikuar të njëjtën logjikë, pra se nuk ka ditur të jetë përfaqësuese e popullit.
Prandaj thirrjet e Berishës për "revolucion demokratik" tingëllojnë
sot si ato thirrjet e atij bariut që gënjeu disa herë njerëzit se ujku po i
hante delet, dhe, kur ujku erdhi vërtet, nuk shkoi më njeri që t'ia shpëtonte. (Panorama, 2 maj 2017)
No comments:
Post a Comment