Tuesday, February 28, 2017

Si e mbështes protestën

Çdo qytetar, i ndodhur përballë protestës së opozitës, duhet të shtrojë pyetjen se cili është pozicioni i tij ndaj saj. E mbështet  apo nuk e mbështet dhe a duhet apo nuk duhet të shkojë tek çadra përpara kryeministrisë.
Po shpreh pozicionin tim në ditën që po shkruaj këto radhë.
Çadra për mua është si një anije që premton një udhëtim të vështirë, që kërkon kurajë dhe që, po arriti të lundrojë drejt atij premtimi, do të sillte një fitore për të gjithë. Kjo më bën ta ndjek me simpati dhe me ndjenjën se u duhet dhënë kurajë atyre njerëzve.
E megjithatë pozicioni im është një mbështetje nga larg. Figurativisht mund të shprehem duke thënë: i jap gjithë inkurajimin, e shtyj anijen, por pa hipur në të. Pse e inkurajoj? Sepse mbështes analizën që opozita i bën gjendjes dhe veçanërisht argumentet se nuk mund të hyhet në zgjedhje me këtë gjendje sepse kjo do të ishte të legjitimoje me duart e tua të keqen.
Kryeministri ka vërtetuar tashmë, pa lënë shteg dyshimi, se jo vetëm nuk ka ndërmend të bëjë divorc me njerëzit e krimit të kategorisë së Roshit, Prengës etj. por ka bërë pakt me ta kundër lirisë e dinjitetit të të gjithë shqiptarëve
Kryeministri ka treguar me prova të njëpasnjëshme se po inkurajon një ekonomi kriminale, të kanabizimit, të koncesioneve korruptive kundër lirisë e dinjitetit të të gjithë shqiptarëve.
Kryeministri ka treguar, me prova të panumërta, se institucionet e shtetit, me në krye policinë, nuk do ti lerë në rolin e tyre shtetëror, por t'i shndërrojë gjithnjë e më shumë në leva të partisë së tij shtet kundër lirisë e dinjiteti të të gjithë shqiptarëve.
Kryeministri ka vërtetuar tashmë se nuk ka ndërmend t'i lerë mediet të lira, por t'i kapë e manipulojë gjithnjë e më shumë kundër lirisë dhe dinjitetit të të gjithë shqiptarëve.
Në këto kushte të kërkosh largimin e këtij kryeministri dhe të njerëzve më të inkriminuar rreth tij nuk është thjesht të krijosh një mundësi për zgjedhje të lira, por edhe të krijosh një mundësi për të parandaluar dhunimin e mëtejshëm të lirisë dhe  dinjitetit të të gjithë shqiptarëve.
E mbështes pra protestën sepse gjuha dhe arsyetimi i opozitës përputhet me gjuhën dhe arsyetimin tim mbi këtë qeveri dhe se mjeti i protestës së vazhdueshme, deri në largimin e kësaj qeverie, si kusht për të hyrë në zgjedhje, më duket i drejtë.
***
Thënë kjo më duhet të shpreh rezervat se pse megjithatë nuk hipi në anije.
Arsyeja kryesore është se nuk e kam bindjen se kjo anije do të ecë në ujërat që premton duke na çuar në bregun e premtuar. Kjo, pasi përvoja na ka treguar tashmë mëse një herë, deri në dëshpërim, se çështje të drejta në këtë vendin tonë janë kalëruar për qëllime të mbrapshta nga njerëz të mbrapshtë. Që ta kisha besimin për të hipur në anije do të duhej të mos shihja në këtë anije njerëz që, kur kanë qenë në pushtet, kanë bërë edhe ata pakte me kriminelë për të vjedhur votën e lirë, kanë sponsorizuar me paratë publike mediet që sponsorizon sot kryeministri, që kanë grabitur e ndarë pronat e paratë publike me të njëjtët oligarkë me të cilët i ndan sot kryeministri dhe që institucionet e shtetit i kanë trajtuar edhe ata si leva partiake.
Dikush më ka thënë: hip në anije, - d.m.th. shko në çadrën përpara kryeministrisë, - dhe thuaji të gjitha këto. I jam përgjigjur se nuk më takon mua të bëj gjyqe në atë anije, madje se nuk gjykoj se është ky momenti për të bërë këtë gjyq. Do të kishte qenë mirë që opozita të kishte ardhur në këtë protestë pasi ta kishte pas bërë këtë gjyq.

Prandaj kam vendosur edhe ta mbështes protestën nga larg edhe të flas për rezervat ndaj saj, në tribunën e gazetarit, duke ruajtur kështu edhe pavarësinë e pushtetit të katërt dhe, mbi të gjitha, besueshmërinë e tij për të cilin ka aq shumë nevojë publiku në këto ditë të nxehta dhe të rëndësishme. (Panorama, 23 shkurt, 2017)        

Tuesday, February 7, 2017

Lu dhe dy metafora me peshq e peshkaqenë

Ambasadori Lu në një nga shfaqjet e  tij të fundit në publik ngriti pyetjen: “Si mund të çojë Shqipëria para drejtësisë peshqit e mëdhenj nëse nuk arreston dot Balilin? E si mund të pranohet kështu Shqipëria në komunitetin evropian...?”

Metafora e parë
Peshku i madh ha të voglin

S’ka shqiptar që nuk e di se Balili nuk arrestohet nga policia, apo nuk ndiqet nga prokuroria, jo pse “peshqit” e  vegjël të policisë nuk duan, por pasi nuk munden, ngaqë ai është peshk më i madh se ata. Pra jemi tek aplikimi i shprehjes së urtë popullore “peshku i madh ha të voglin” që nënkupton se peshku i vogël duhet të vrapojë të shpëtojë nga peshkaqenët, që të mos e hanë.
Dhe për të vërtetuar se në Shqipëri kjo është loja që luhet na vjen në ndihmë edhe vetë Ambasadori. Shikoni çfarë ndodh: ndërkohë që, siç thashë, çdo shqiptar e di se gjyqtarët dhe prokurorët janë peshq më të vegjël sesa politikanët dhe banditët rreth tyre Ambasadori u heq vizën ca gjyqtarëve e prokurorëve dhe nuk ua heq peshkaqenëve më të egër të ujerave tona, me kryepeshkaqenin në krye që jo vetëm shkel përditë ligjet shqiptare, por ka shkelur edhe ligjet amerikane me ato 80 000 dollarët që ka paguar për të marrë një foto me Obamën.
Mund ta merrnim këtë si një naivitet, por ja që na del edhe fakti i ndërhyrjes së Ambasadorit për  Bankers Petrolium që flet për një sjellje puro peshkaqeni. Nuk ka shqiptar që nuk e di se Bankers po bën krim ndaj popullsisë në atë zonë dhe ndaj gjithë territorit të vogël shqiptar. Është e drejtë që ne të akuzojmë Prokurorin e Përgjithshëm që nuk e ka hetuar, por e ka mbyllur çështjen me ndërhyrjen e Ambasadorit  - sipas Prokurorit. Është e mundur që ndonjë prokuror t’i ketë kërkuar Bankersit ryshfet dhe ndonjë administrator të jetë ankuar tek Ambasadori. Por krimi i Bankersit është aty megjithatë, ulërit siç ulërinte për të edhe Rama kur ishte në opozitë. Prandaj Ambasadori nuk ka alibi për sjelljen e tij si një peshkaqen me peshkun në këtë rast dhe jo si një njeri që po kërkon me të madhe të vihet drejtësia në këtë vendin tonë të masakruar nga peshkaqenët?


Metafora e dytë
Peshq apo peshkaqenë

Duke tentuar të analizosh deklaratën e Ambasadorit mund të ngresh edhe pyetjen: Ky Balili është peshk i vogël apo peshk i madh? Ambasadorit duket se i del i vogël por, po të kesh parasysh paratë që demonstron pasuria e tij, ai duket si peshkaqen goxha i madh. E kam fjalën se, po ta krahasosh me një kryetar bashkie të Sarandës, apo një shef policie apo prokuror, nuk do të dija të thoja se cili është peshku dhe cili peshkaqeni. Mua më rezulton se ligjin në Sarandë e ka bërë më shumë Balili se sa kryetarët e bashkisë apo policët dhe prokurorët, se ai me familjen e tij të të fuqishme ka qenë gjithmonë aty kurse këta edhe janë ndërruar. Pastaj, fuqinë e pamat të krimit e sheh kushdo me sy të hapur edhe tek bumi i ndërtimeve në Sarandë, që s’mund të jenë bërë ndryshe veçse me para të pista.
Prandaj ndoshta metafora me peshq të mëdhenj e të vegjël duhet modifikuar një çikë, nëse duam t’i japim përgjigje pyetjes retorike të Ambasadorit. Unë do të thoja se metaforë më e goditur do të ishte përdorimi i fjalës “peshkaqen”, që në shqip përbëhet nga dy fjalë: “peshk” dhe “qen”. Në këtë rast Balili duhet parë vetëm si gjysma e peshkaqenit, sipas meje “peshku”, kurse gjysmën tjetër “qenin” e bëjnë politikanët me të cilët ka qenë apo është i lidhur. (E bëra ndarjen kështu duke pasur parasysh se qentë edhe lehin përveçse hanë kurse peshqit vetëm hanë, por metaforë është dhe si e tillë ka kufizimet e veta.) Të gjithë pra e dimë se Balili nuk arrestohet dot sepse peshku do të merrte me vete qenin. Prandaj, sipas kësaj metafore, pyetja e ambasadorit ndoshta duhej shtruar në një formë tjetër: si mund të bëhet që në Shqipëria të ndajmë peshqit nga qentë?
***
Përgjigja e Ambasadorit deri më tani është se me ndihmën e tij dhe të Vllahutinit në Shqipëri do përgatitet një grup i specializuar peshkatarësh që nuk do të lenë peshk e peshkaqen pa kapur në ujërat tona. Por më duket se me këto sjelljet e heqjes së vizave në mënyrë kaq selektive dhe arrogante, (që do s’do ambasadori fyen çdokend që ka një sens drejtësie dhe që na kujton madje edhe arrogancën e Trumpit në pezullimin e vizave për myslimanët e shtatë shteteve), me mbrojtjen e interesave të Bankers Petrolium kundër shtetasve të varfër shqiptarë apo dhe me Vllahutinin që shkon e ble 1.6 milion euro vilën në folenë e peshkaqenëve, ata po japin mesazhe të kundërta për peshkatarët. Më së shumti ata po japin sinjalin se i janë bashkuar tufës së peshkaqenëve më të egër të vendit dhe se po punojnë që tu hiqen dhëmbët ca peshkaqenëve më të dobët për t’i implementuar në nofullat e kryepeshkaqenit të vendit. Dhe kjo vetëm drejtësi dhe shpresë për drejtësi nuk është, përkundrazi jo vetëm që stimulon përvojën tashmë të njohur tonën se në Shqipëri ka dy drejtësi: një për peshqit dhe një për peshkaqenët, por parashikoj se do të  prodhojë padrejtësi edhe më të mëdha në të nesërmen. (Panorama, 6 shkurt 2017)