Saturday, February 15, 2014

Valsi i lumturisë (Mbi këngët e Vaçes dhe një letër që Enveri i shkruan Edit nga Ferri pas funeralit të saj)

Një herë e një kohë e kam dashur edhe unë Vaçen, por më duhet të them se kjo i përket periudhës së jetës kur njeriu ende beson tek më të rriturit; kur, prandaj, besoja se këngët tona qenë më të bukurat në botë, se jetoja “në të bukurin atdhe, ku lulëzon jet’ e re”, kur ende nuk njihja botë tjetër përtej asaj shqiptare, kur nuk kisha lexuar libra të tjerë përveç atyre të shkruara nga shkrimtarët e soc – realizmit dhe as gjuhë tjetër dhe as këngë të tjera të këngëtarëve të botës. Me një fjalë kur isha fëmijë dhe ende nuk isha në gjendje të kuptoja se në çfarë regjimi jetoja.
Të më falin të gjithë  ata që vdekjen e Vaçes e përjetuan sikur u vdiq një pjesë e shpirtit, por unë i përkas një brezi që, pasi kaloi këtë periudhë të fëmijërisë, nuk e ka dëgjuar muzikën e Vaçes veçse me detyrim: nëpër altoparlantët e zboreve, të aksioneve dhe pastaj në ata të burgjeve. Në vitet 60-të, kur ajo u bë këngëtarja e parë e muzikës së lehtë, unë dhe shokët e shoqet e mija rrinim tërë ditën duke rrotulluar sumbullën e radios për të kapur stacionet e botës, ku mund të dëgjoje Beatles dhe RolligStones, Charles Aznavour dhe Jacques Brel, Celentano-n dhe Mina-n, Fabrizio de Andre dhe Lucio Batiisti-n. Edhe kur organizonim në shtëpitë tona ato që i quanim “mbrëmje” kërcenim e këndonim këngë të huaja. Dhe këto nuk i them për t’u mburrur se kushedi se ç’paskemi bërë. Por për të thënë thjesht se këngët që kompozoheshin e këndoheshin në atë kohë në Shqipëri nuk i përgjigjeshin botës dhe jetë sonë. Ose, më saktë, ato çka ndjenim e përjetonim, ashtu në mënyrë spontane dhe të sinqertë, e refuzonin, si trup të huaj, frymën që përçonin këngët e muzikës së lehtë shqiptare të asaj kohe. Pra, nëse një këngë dhe këngëtari i saj mund të konsiderohen shprehës të ndjenjave dhe, njëherësh, formues dhe zëdhënës të një brezi (siç konsiderohen psh. Beatles, Rolligstones, Bob Dylan, Joan Baez për rininë e viteve “60) mund të them se për ne s’kanë qenë të tilllë as Vaçja dhe askush nga këngëtarët e muzikës së lehtë. Madje vështirë të thuash se cilin brez përfaqësojnë ata pasi i përkasin, më së shumti, një kohe pa kohë që e mohonte konfliktin midis brezave në emër të pushtetit të “baballarëve” të saj pa moshë. Nuk flas në emër të të gjithëve, sigurisht, por them se flas në emër të shumicës së të rinjve të gjimnazeve të Tiranës, që kam njohur në vitet ‘60, të shumë syresh që ishin bij komunistësh dhe të atyre, më të shumtëve, që vinin nga familje që e duronin me heshtje atë regjim që gjurmonte për njolla në biografi deri në brezin e shtatë.  Pra, edhe nëse mund të flas për një edukim sentimental, do të thoja se, me aq sa kemi mundur, këtë e kemi marrë nga këngët perëndimore të dashurisë pasi këngët e festivaleve tona, edhe ato që na këndonte Vaçja, kërkonin të na edukonin dashurinë e rrejshme për Atdheun, shokun Enver, Partinë, Revolucionin, socializmin, arat, fabrikat, kantjeret...
Po, pse të rrejshme do të thoni ju. Të rrejshme për ata që e kishin kuptuar se kush ishte Partia, Shoku Enver dhe “atdheu” që ata na servirnin, jo për të tjerët. Dhe kjo diferencë vlen për të reflektuar. Por, gjithsesi, mund të them se, për nga vetë karakteri i tyre, këto këngë e përjashtonin refleksionin, introspeksionin, aq më tepër protestën ndaj autoritetetit, siç qenë shumë këngë të famshme perëndimore të viteve 60. Po ashtu ato as këndoheshin dot në intimitetin e një shoqërie dhe as kërceheshin, pasi qenë kompozuar që të të ftonin për marrshim, për entuziazëm dhe patos revolucionar. Me fjalë të tjera si për ata që besonin edhe për ata që nuk besonin, ishin pjesë e programit propagandistk trushpëlarës për të cilin punonte një armatë e tërë poetësh dhe artistësh në Shqipërinë e asaj kohe.
Pra e vërteta ime është se këngët e Vaçes unë nuk i dëgjoj dot as sot; ato nuk janë këngë as për shpirtin tim, as për zemrën tim dhe as për kujtesën time, pasi nuk janë të lidhura as me kujtimet e mija më të bukura, as me emocionet e mija më të forta as me mënyrën se si e shikoja dhe shikoj unë jetën dhe shoqërinë e asaj kohe. Dhe sigurisht nuk janë këngët që do t’ia rekomandoja ndokujt t’i dëgjonte përveçse si dokumente të një kohe dhe aq më pak do t’ua këshilloja të rinjve për tu zhvilluar shijen e muzikës dhe dashurinë për këngën.

* * *
Lexova edhe një reagim të Nexhmije Hoxhës pas vdekjes së Vaçes. Më tërhoqi vëmendjen pasazhi ku ajo tregon se si i ka kënduar këngët e Vaçes në burg. Besoj se edhe kjo dëshmi flet shumë për karakterin e këtyre këngëve. Është e vërtetë ajo që thotë se, në vetminë e qelisë, njeriu i drejtohet kujtimeve dhe, midis tyre, edhe melodive e këngëve që i di përmendësh e që i ngjallin emocione. Edhe unë kam pasur një repertor timin të qelisë që më ndihmonte të shtyja disa orë të vetmisë vrastare të saj. E pra, me keqardhje, mund të them se në atë repertor nuk kishte këngë shqiptare përveç një kënge të kompozuar apo përshtatur në burg që i drejtohej qelisë me fjalët: ” ... Si s’ke shpirt si s’ke pak zemër që po kalb kta djemt e rinj/ dalngadal ma more jetën / burgu i namun, burgu i zi.” E përsëris, kjo ndodhte për arsyen e thjeshtë sepse këngët e festivaleve tona nuk i përgjigjeshin ndjenjave të vërteta njerëzore, gjendjeve të vërteta shpirtërore dhe aq më pak aspiratave për të ndryshuar jetën tonë. Sepse “Valsi i lumturisë”, që e kuptoj se mund të emocionojë Nexhmije Hoxhën e cila prej shumë kohësh jeton në një botë virtuale për të mos u shqetësuar nga kujtimet e vrasjeve pa numër që ka bërë i shoqi dhe partia e tij, ishte një këngë e rrejshme, e kompozuar  për të ilustruar thënien e Enver Hoxhës se “rinia jonë është më e lumtura në botë”. “Vals o vals ti jehon, në të bukurin atdhe, fushat tona i përshkon, ku shpërthen jet e re”. Këto të dashur miq janë vargjet banale të një kënge banale propagandistike dhe kush thotë sot se Vaçja i zgjidhte me kujdes këngët që do të këndonte gënjen. Në fakt këto këngë i jepeshin Vaçes që kishte aftësi më të larta vokale dhe ajo i merrte e i këndonte pa u menduar gjatë, sepse kështu do të kishte famë e sukses. Dhe tek kjo mungesë mendimi “gjatë” fillon një problem tjetër mbi të cilin duhet reflektuar.
Pra, sa për vete, duke dëgjuar ato që u thanë e shkruan për Vaçen me rastin e vdekjes së saj nuk mund të mos ndjehesha keq e të mos shtroja pyetjen: ç’është kjo histeri, si ta shpjegojmë? A jemi në një regjim tjetër nga ai që kaluam apo vazhdojmë të jemi në po atë regjim? A kemi mësuar ne ndonjë gjë nga ajo kohë dhe a jemi bërë më të rritur apo jemi qorrollepsur edhe më? Mos vallë unë jetoj në një botë tjetër nga këta që shprehen kështu apo kemi të bëjmë me një epidemi konformizmi, hipokrizie dhe debilizimi masiv? Pastaj thashë me vete, ndoshta nuk është e drejtë t’i gjykosh kaq ashpër dhe t’i quash hipokritë tërë ata njerëz që mbuluan me lule arkivolin e Vaçes, ndoshta ndjenjat e tyre janë të sinqerta. Por, në këtë rast, s’mund të mos shtroja edhe pyetjen: produkt i çfarë gjëje janë këtë ndjenja, të paktën t’i kuptojmë sepse, siç thuhet, “të kuptosh gjithshka do të thotë të justifikosh gjithshka”. Mos vallë kemi të bëjmë me nostalgjinë e një jete që na iku, paçka se në izolim nga bota, e madhe disave edhe në vuajtje e persekutime (kam shkruar edhe vetë një ese me titull “Nostalgji e hidhërimit”). Është e vërtetë se “Valsi i Lumturisë” mund të ngjallë tek shumë njerëz kujtimet e mallin e një moshe, të një kohe, të një jete në të cilën, pa dyshim, kanë njohur edhe gëzime e kënaqësira. Truri i njeriut mbetet një mister i madh. Loja që bën ai me asosacionet është nga më të çuditshmet. Ja edhe unë, që e kam pritur vdekjen e Enver Hoshës me një gëzim të pakrahasueshëm, e kap ndonjëherë veten duke më gurgulluar pavetëdijshëm në tru muzika dhe vargjet e këngës “Enver Hoxha, tunjatjeta” … “n’ato male n’ato shkrepa…” Nuk e di pse, por duket janë ato qelizat e bombarduara me vite e vite nga kjo këngë, aq sa më kap tmerri kur mendoj se në moshën e pleqërisës, kur siç thuhet njeriut i mbesin vetëm kujtimet e fëmijërisë, mund të më gjëmojnë në tru vetëm këngët për partinë dhe për shokun Enver. Por të paktën mua sot më kap tmerri kurse këta, për të cilët po flas, duken sikur ose kanë mbetur në fëmijëri o kanë hyrë në pleqërinë të thellë pa e kaluar moshën e pjekurisë. Ndryshe, ndryshe mund të them se kjo është një nostalgji të sëmurë, e prekur nga amnezia, apo nostalgjia e një jete të jetuar në mënyrë inkoshiente, mbi të cilën nuk kanë reflektuar asnjë çast. Sepse këngët në fjalë, me muzikën dhe tekstet e tyre, flasin qartazi, sipas meje, për kufizimin mendor shpirtëror e artistik ku kemi jetuar si shoqëri. Mjaft të kesh parasysh se në “të vetmen kështjellë të socializmit në botë” ato kanë shërbyer si ushtarë mbrojtës ndaj sulemve të tërë atij  revolucioni muzikor me rrok, e me pop e me rradhë që njohu bota nga vitet ‘60 deri në vitet ‘90.
Por një shqetësim më të madhe më ngjalli shprehja e një gazetë se  “Vaçja iku sëbshku me sistemin që ia zbuloi dhe ia rriti vlerat. Në Shqipërinë që kemi sot Vaçja nuk do t’ia dilte të kapërcente sekserët e festivaleve tona banale…” që më bëri të mendoj: mos vallë koha që po jetojmë është kaq e shëmtuar saqë disave ua ka bërë të vyer edhe atë kohë të tmerrshme? Si nuk arrijnë të kuptojnë se jemi kështu si jemi pikërisht prej atij sistemi? Apo gazetarët e rinj shkruajnë kështu pasi nuk e kanë provuar në kurriz atë sistem, por dëgjojnë vetëm përralla enveristësh?
Sigurisht nuk mund t’u jap përgjigje gjithë këtyre pyetjeve në një artikull. Po të kisha kohë, do të shkruaja një roman me titull “Vdekja e artistes së popullit” ku do t’i mpleksja tërë këto teme nëpërmjet kujtimeve të personazheve të romanit për këngëtaren dhe këngët e saj. Dhe në këtë roman nuk do të mungonin edhe personazhet e përlotur të funeralit që  i përgjigjen ndokujt si puna ime: “Po pse ngjisnin këto këngë atëhere? Apo nuk ngjisnin? Sepse ishin më të bukura se të tjerat për nga forma e tyre…“
Po ngjisnin, do t’i përgjigjesha edhe unë. E provon këtë edhe ajo që përjetuam në homazhe dhe funeral dhe në mediat e këtyre ditëve. Sepse arti jo vetëm shpreh, por edhe formon. Dhe ai art formonte njeriun e ri, që zbrazësinë e mendimit e mbushte me entuziazmin e të vërtetave që i servirte ideologjia, kjo gënjeshtër e madhe siç e quante Solzhenjicini. Dhe këto këngë qenë forma e kësaj përmbajtjeje të gënjeshtërt. Talenti, zëri i bukur apo shija e ngjyrës apo e fjalës për artistin nuk janë gjëra që mund të qëndrojnë në vete nga ato që ai thotë nëpërmjet këtyre tingujve, fjalëve e ngjyrave. E gënjeshtërt përmbajtja, e gënjeshtërt forma, i gënjeshtërt edhe njeeriu që formonte ky art.
Në fakt për mua, mbetet e pakuptueshme deri në fund se si mund të kishte njerëz që i frymëzonin sinqerisht këto këngë, pa i menduar këta si të mbetur në stadin fëminor. Më së shumti besoj se ato funksiononin tek të rriturit si dhunë mendore dhe psikike, që ushtrohej, përveç të tjerave, për të mos u lënë njerëzve mundësisht asnjë çast të mendonin me mendjen e tyre mbi realitetin e brendshëm dhe të jashtëm që përjetonin. Ato dhe për tu dëgjuar nuk mund të dëgjoheshin në vetmi por në masë. Derisa arrinin vrasjen e kësaj aftësie. Atëhere këta si fanatikë edhe mund të hidheshin në zjarr me këto këngë. Nuk mund të mos mendoj se edhe ata ushtarët që vrisnin  të burgosurit që hidheshin tek telat me gjemba, edhe ata hetuesit që torturonin të burgosurit janë inspiruar në këtë mënyrë të dhunshme nga këngët revolucionare që ka kënduar edhe Vaçja.

* * *
Nuk dua me këtë të fajësoj Vaçen, se kjo është e ekzagjeruar, por ftoj për reflektim megjithatë dhe ju ftoj, që të mos harroni, o njerëz, se dhuna e këtyre këngëve nuk është përçuar vetëm në këtë mënyrë inkoshiente. Dua të them se ato këngë nuk i kanë dëgjuar vetëm Nexhmije Hoxha dhe ata që përmenda më sipër, që mirë keq kanë qenë të privilegjuar në atë regjim. (Pashë me dëshpërim se edhe Ministra jonë e re e Kulturës e do shumë “Valsin e lumturisë”).  Ato i kanë dëgjuar me detyrim edhe njerëzit që vuanin nëpër burgje dhe internime, të cilët, duke i dëgjuar, kanë provuar ndjenja shumë të tjera nga ekzaltimi dhe himnizimi që u përçon fanatikëve “Valsi i lumturisë”. A mund t’i imagjinoni ata, në qelitë e Burrelit apo të reduktuar në kafshë pune të detyruar,  duke kënduar me kënaqësi të madhe shpirtërore dhe estetike “… bashk me pranverën edhe ti lulëzon…”? Në burgun e Burrelit, altoparlanti i ndezur gjithë ditën tek Radio Tirana konsiderohej si një torturë dhe shumë të burgosur kanë bërë biruca ndëshkimore pse e kanë mbylluar atë. Atëhere të paktën bëni kujdes në emër të të gjithë atyre që kanë vuajtur në atë regjim, në emër të atyre që ende sot, pas njëzet vjetësh, nuk keni bërë asgjë për t’u gjetur eshtrat e trupave të lëna pa jetë në mënyrën më mizore, se po kontribuoni, direkt apo indirekt, për t’i vrarë edhe një herë.
Në filim të viteve 90-të, kur kryeministri ynë i sotëm Edi Rama bënte publicistikë midis të tjerave shkruante edhe letra nga Ferri që Enver Hoxha ia dërgonte Sali Berishës. Duke parodizuar ato letra po i shkruaj edhe unë një letër që Enveri ia dërgon Edi Ramës nga Ferri pas funeralit të Vaçes:

·      * *
·       
“I dashur Edi,
Ishte një momenti i veçantë i jetës sime këtu në Ferr kur të pashë, sëbashku me Saliun dhe gjithë shokët e tjerë, në homazhet e artistes sonë të madhe të pupullit Vaçe Zela. U përlota, Edi i dashur, jo vetëm nga kujtimet për atë kohë të artë të popullit shqiptar, që vërshuan e më zunë grykën deri në ngashërim, por edhe për faktin që ju pashë bashkë.  Mos harro Edi, asnjëherë, se ju jeni bijtë tanë, megjithë kontradiktat që keni. Partia, unë dhe shoku Ramis pas meje, kanë bërë kujdes që pushteti të mos shkonte kurrë në duart e armiqve.  Ata më të rrezikshmit i “dekoruam”, të tjerët i kalbëm nëpër burgje e internime e i bëmë që të mos i duhen as dreqit. Saliu e ka ruajtur më së miri vazhdimësinë e pushtetit tonë dhe ja tani është rradha jote, Edi, që je më i ri, më energjik dhe më i përgatitur për të përballuar rreziqet që i kanosen Partisë dhe atdheut tonë të dashur nga armiqtë tanë të brendshëm dhe të jashtëm. Sepse ti Edi, ke pasur ca lajthitje në fillim. Je tallur me artistët dhe shkrimtarët tanë të mëdhenj dhe veprat e tyre, madje je bërë edhe me armiqtë për një kohë të shkurtër kur ata tentuan të krijojnë atë partinë reaksionare Kristian - Islamike, që e pe vetë si përfundoi. Sikur të kishe vazhduar në atë rrugë sot do ishe duke lypur nëpër galeritë e botës të të varnin ndonjë pikturë në mur kurse shiko ç’të bëri Partia jonë, të bëri kryeministër, të bëri dhe artist të madh, aq sa pikturove gjithë Tiranën dhe u bëre i famshëm në botë. Prandaj mos e harro kurrë forcën e partisë që qëndron pikërisht tek njerëzit e mrekullueshëm që ajo ka edukuar nëpërmjet punës, por edhe nëpërmjet artit dhe letërsisë tonë revolucionare. Mos u shkëput kurrë nga këta njerëz.
Lamtumira që ju i dhatë Vaçes ishte shumë inkurajuese për mua. Edhe Nexhmija ishte emocionuar shumë. Sepse ti nuk e merr dot me mend se çfarë ngushëllimi është për mua, i zhytur nga mesi e poshtë në llumrat e zeza të Ferrit të një gjaku të prishur që kutërbon erë, dhe i përvëluar nga mesi e lart në flakë të tmerrshme, kur shoh kolegët e mij këtu jo vetëm të vuajnë këto tmerre, por edhe të shohin se ç’bëjnë të gjallët me kujtimin dhe veprën e tyre.  Pse si mendon ti, Edi, se në Gjermaninë e Hiterit apo Italinë e Musolinit dhe po ashtu në Poloni, Hungari, Çeki e gjetkë nuk ka pasur këngëtarë të talentuar që i kanë kënduar këngë udhëheqësve dhe lavdisë së tyre. Pa dyshim që po. Por shumica janë varrosur bashkë me ata regjime, kurse unë, kur dëgjoj këngët tona, për mua, Partinë, atdheun, socializmin dhe veprat e mëdha që ndërtuam së bashku të jehojnë nëpër televizionet dhe radiot tona, (tani së fundmi ka hyrë edhe këtu interneti dhe i shoh edhe atje), nuk e ke idenë se sa inkurajohem.  Shoh Hitlerin, Musolinin, Frankon, Stalinin, Brezhnjevin, Gomulkën, Kadarin të pashpresë dhe ndjehem ndryshe nga ata. Kam gjithnjë e më shumë shpresa për të ardhen.
Sepse, dua të të them edhe diçka, i dashur Edi. Dantja është një gënjeshtar i pacipë. Nuk është e vërtetë ajo që ka shkruar ai sikur në portën e Ferrit shkruhet “O ju që hyni, braktisni çdo shpresë!”. E kam parë vetë që s’kishte gjë të tillë tek ajo portë. Në fakt, herë pas here, ky i madhi që kemi këtu, bën edhe rishikime dënimesh. Dhe a e di ku bazohet. Në atë që thoni e bëni për ne ju të gjallët atje. Sepse mos kujto se Ai nuk ndikohet, siç thuhet atje. Ndikohet që çke me të, sidomos nga mediet dhe  intelektualët. Prandaj kujdes mediet dhe intelektualët Edi, mos i lësho nga duart asnjëherë, të t’i marrë armiku, kundërrevolucioni. Mbaje lart frymën revolucionare! Edhe mediat perëndimore mos i harro, mos kurse as euro as dollarë për këtë. Megjthëse e di, se për këtë ty s’ta ha qeni shkopin. Më tepër të kam merak një gjë tjetër: kujdes, ti e di mirë që unë thoja gjithmonë “partia”, jo “unë”, veçanërisht kur eliminoja tradhëtarët e Partisë. Kjo është një nga gjërat që Saliu nuk e mësoi dot kurrë. E ke edhe ti këtë defekt. Korrigjoje sa më parë.
Sikundër po të thoja pra me mediet dhe inteligjencien popullore me vete jo vetëm popullin do ta kemi gjithnjë grusht çeliku rreth Partisë, por edhe Zotin do ta bëjmë me ne. Ja, pas fitores tënde, veçanërisht kur pa fotografinë time tek varrezat e dëshmorëve, Ai m’i ka kursyer disa nga flakët më të tmerëshme të Ferrit - nga ato që e kanë bërë Hitlerin të pendohet që ka lindur. Më krijoi edhe mundësinë e një takimi me Maon, që e trajton shumë ndryshe pikërisht pse kinezët vazhdojnë ta adhurojnë. S’e kisha takuar ndonjëherë sa qemë gjallë. Por kishte rrjedhur fare, fliste vetëm për dashnoret, asnjë fjalë për fitoren e borgjezisë dhe humbjen e revolucionit tonë.
Pra,unë, të them të drejtën, kam shumë shpresë se qëndrimi im këtu do të rishkohet, pasi ka qenë një padrejtësi e madhe ajo që u bë ndaj meje. Keni faj edhe ju që nënvleftësuat në ato fillime forcën e Partisë e kujtuat se do të përfitonit duke e mohuar atë e duke u bashkuar me armiqtë që hodhën parrullat Enver - Hitler dhe më përmbysën shtatoren në qendër të Tiranës.
Sot po kujtoheni për vlerat e mija gjithnjë e më shumë. Ja ndodhi vdekja e Vaçes dhe u kujtuat prap se – siç ua thoshte edhe Nexhmija  - jam unë, ai  dashamirës i madh i kulturës, artit që i kam mbështetur këta artistë që ju sot i adhuroni, që i  kam ndjekur personalisht festivalet e koncertet e tyre në salla, i kam përgëzuar; jam kujdesur, sëbashku me Nexhmijen edhe për problemet e tyre familjare, për strehimin e plot e plot probleme të tjera. Po titullin “artist i popullit” kush ua dha? Mendon ti se e merrnin dot ata pa kaluar në filtriat e Partisë, të Sigurimit e pa aprovimin tim?

Po e mbyll këtë letër duke të porositur ta mbash partinë bashkuar, Edi. Edhe me Ilirin, të cilit bëji shumë të fala nga ana ime dhe falenderoje që  kurrë se ka prishur gjuhën me mua, por kërkon që figura ime të rivlerësohet, të bashkohesh sa më parë. Por ëndrra ime finale është t’ju shoh përsëri të gjithë bashkë, edhe me Saliun. Siç e pe, ajo parrulla “pluralizëm i mendimit; jo pluralizëm partiak”, që hodhi Ramisi me intelektualët tanë të shquar, për t’ua hedhur imperialistëve dhe revizionistëve në ato ditë të vështira për Marksizëm - Leninizmin e vërtetë, kur u pa se nuk e mbanim dot më pushtetin me forcat tona, dështoi. Ajo që funksionoi ishte prap dredhia ime që ia këshillova Saliut në letrat e para që i kam dërguar që këtej: “pluralizëm partiak, pa pluralizëm mendimi”. Saliu tregoi se ishte kockë e fortë, nuk e hëngri sapunin e revizionizmit për djathë. Nën udhëheqjen e tij ju vazhduat të mendoni të gjithë sipas mësimeve të Partisë dhe të mijat. Sot ka ardhur koha, siç e treguat edhe në funeralin e Vaçes, që të bashkoheni të gjithë përsëri në një parti të vetme me në krye ty, Edi, që për hir të së vërtetës duhet të them se të kam më për zemër, se je djalë më i zgjuar dhe më me shije se Saliu, se ai ishte ca avdall. Jam i bindur se ti do të ndreqësh së shpejti edhe gabimet që janë bërë ndaj meje; dhe Zoti duke parë këtë, do të më çlirjojë nga flakët e ferrit dhe llumi i gjakut të ndyrë, kutërbues ku më ka zhytur dhe do të më kalojë në Purgator ku unë do të jetoj me shpresën se brezat e rinj, që po edukohen nën kujdesin tuaj, do të më çojnë më në fund në Parajsë, ku një ditë do të takohemi së bashku me ty me Saliun, Ilirin, Nexhmijen e të gjithë shokët.
Përshëndetje revolucionare,
I juaji
Enver”
                                                                                      (Panorama, 13 shkurt 2014)

No comments: