Saturday, June 25, 2016

Kombëtarja si trushpëlarje

Përpara ndeshjes Shqipëri - Zvicër më qëlloi të dëgjoj rastësisht në  makinë një reportazh të Radio France International (RFI). Gazetari francez kishte shkuar në një si kamping fushash futbolli në Zvicër ku stërviteshin fëmijë. Atje kishte gjetur dhe intervistuar drejtuesit, por edhe shumë fëmijë ku spikasnin emigrantët, ndër ta edhe mjaft shqiptarë, më së shumti nga Kosova. Komenti që bënte ishte se, për këta fëmijë emigrantësh dhe familjet e tyre, futbolli ishte një diçka e rëndësishme sepse i ndihmonte të integroheshin në shoqërinë zvicerane. Nga këto fusha, sipas tij, kishin dalë edhe vëllezërit Xhaka e futbollistë të tjerë që do të luanin kundër njëri-tjetrit me kombëtaret zvicerane dhe shqiptare pas disa ditësh në Francë.
Vini re kontrastin e këtij realiteti të thjeshtë, por edhe kaq kuptimplotë dhe njerëzor, me histerinë që kaploi mediet tona gjatë ndeshjeve të kombëtares në Kampionatin Evropian e që po vazhdon ende! Ruajna zot, nuk dua të lëndoj punën e atyre djemve që bënë më shumë nga ç’pritej prej tyre. Meritë edhe e De Biasit, pa dyshim. Por kush ka pak mend në kokë në këtë vend duhet të ndalet dhe të reflektojë një çikë më shumë, sepse jemi përpara një trushpëlarjeje të paparë. Aq sa ajo thënia e vjetër “panem et circem” e përdorur nga poeti për të përqeshur plebenjtë romakë që u mjaftonte buka dhe loja për t’i qeverisur, ka arritur të reduktohet vetëm në “circem”, sepse duket sikur askush nuk po mendon më as për bukën e gojës. Dhe ne e kemi të vjetër këtë lloj trushpëlarjeje me heqjen e bukës. Për krenari kombëtare ne kemi preferuar të hamë edhe vetëm bar.
Mirëpo, edhe kur vjen puna te krenaria, seç ka një problem që s’shkon në këtë histori. Duam s’duam ajo na çon tek fushat zvicerane ku janë rritur, edukuar, stërvitur dhe ku luajnë shumica e lojtarëve të kombëtares sonë. Kush ka pak tru nuk mund të mos ngrejë pyetjen: Përse po bërtasim me të madhe “Oh sa mirë me ken shqiptar” kur një logjikë e thjeshtë ta do me thënë: “oh sa mirë me ken zviceran”. Ç’e ka gjetur Kryeministrin tonë që është kaq i ekzaltuar? Sikur të punonte me kulturën e Kryeministrit tonë do të duhej të dilte Kryeminstri sviceran dhe Federata Zvicerane të mburrej sepse, me ata fëmijë shqiptarë, kanë krijuar dy kombëtare jo një. Sepse edhe më injoranti e di sot se njeriu nuk është produkt i asaj që dikur quhej racë, por i kulturës, i edukimit, i asaj se me çfarë e ushqen qysh në foshnjëri shoqëria ku jeton. Por kryeministrit zviceran ne nuk i dimë as emrin dhe populli zviceran nuk ekzaltohet kësisoj edhe pse kaloi në çerekfinale, edhe pse ka nxjerrë kampionë botërorë gjigantë në sporte, sepse nuk është i shpëlarë trush dhe nuk nxjerr në krye shpëlarës trush.
E përsëris, tek e fundit, trushpëlarëve edhe i lejohet ky infantilizëm, por kryetrushpëlarësit, kryekarafilit të Kryeministrisë, dhe dukëve të federatës që kanë sajuar sloganin “oh sa mirë me ken shqiptar” nuk duhet t’ua lejojmë vazhdimin e kësaj farse, sepse nuk janë aty ku janë që të mburren me futbollistët e krijuar në Zvicër e gjetkë, as me gjakun e racën, (se atëherë do të duhej të merrnin një trajner shqiptar, jo italian), por me punën e tyre.
Dhe sa për punën që kanë bërë dhe bëjnë atyre duhet t’u vijë turp. Po po, turp! Turp edhe për trushpëlarjen! Por pikërisht pse nuk e njohin ndjenjën e turpit po e përdorin kombëtaren si fasadë për të mbuluar dështimin e tyre politik, dështimin e tyre me sportin dhe punët e tyre mafioze me futbollin në Shqipëri.
E para gjë që u duhet kujtuar trushpëlarësve dhe trushpëlarëve të ekzaltuar është se sporti nuk ka lindur dhe nuk praktikohet në botë për të marrë pjesë në ndonjë kampionat dhe për të tundur një flamur apo një kupë me krenari kombëtare, por sepse bën pjesë në edukimin fizik të çdo njeriu si një e drejtë njerëzore, ashtu siç është edhe arsimimi. Sa më shumë të jetë numri i fëmijëve që e ushtrojnë sportin për këtë qëllim aq më shumë mundësi ka pastaj që, prej tyre, të dalin edhe sportistë profesionistë që të na emocionojnë me talentin e tyre, që të na japin emocione fitoreje, thuaj po deshe edhe krenari kombëtare.
E pra, Edi Ramës dhe gjithë kastës që e rrethon duhet tu vijë turp sepse me politikat e tyre nuk kanë bërë asgjë për të krijuar këtë lloj krenarie. Përkundrazi, e kanë orientuar rininë drejt kufijve. Por le të mbesim tek futbolli. Këta bandillë e kanë orientuar rininë shqiptare më shumës sesa nga luajtja futboll, tek luajtja bixhoz përpara ekraneve me rezultatet e ndeshjeve; këta të babëzitur nuk kanë lënë një fushë sporti ku të luajnë e stërviten fëmijët gratis, sepse kanë zgjedhur të ngrenë aty pallate fitimprurësve për xhepat e tyre; këta njerëz që duan vetëm veten dashurinë e shqiptarëve për futbollin e kanë tjetërsuar në biznes për të mbushur xhepat e tyre, e për këtë u kanë hequr shqiptarëve edhe atë që vende të tjera, shumë më të pasura, e kanë gratis, mundësinë për ta parë një ngjarje të tillë në Televizionin Publik.
Jo më shumë sesa disa javë më parë, po për këto qëllime mafioze, ata morën vendimin e turpshëm dhe krejtësisht të paligjshëm të prishin stadiumin Qemal Stafa. Kjo është goditja e fundit që i dhanë atij kompleksi sportiv që kishte edhe aneksin, që kishte edhe palestra e që vazhdonte natyrshëm me Parkun. Po pse? Për të ngritur atje qendra biznesi, hotele, restorante, kulla. duke lënë vetëm një fushë futbolli në mes, pa pistë atletike. Meqë ra fjala: pamë tërë ata stadiume në Francë, a patë ndonjë me kullë? Po kryeqytet pa një pistë atletike keni parë? A mund të imagjinohet ekzistenca e çdo lloj sporti pa atletikën? Kjo mbretëreshë e sporteve, ka vdekur në Shqipëri. Edhe historia e saj që bart me vete ai stadium po fshihet. Një popull që s’ka të kaluar nuk ka as të ardhme. Por trushpëlarësve pikërisht kjo u intereson; ekzistenca vetëm e së tashmes, katandisja e njerëzve në kafshë që kanë vetëm emocione primare, as kujtesë as mendim e arsyetim, sepse kështu i manipulojnë më lehtë. Ja pse u duhet kombëtarja si trushpëlarje.
Mburren dhe i shtyjnë njerëzit të mburren, pa u lënë një çast reflektimi. Në këtë vetëmburrje absurde kryekarafilit të Kryeministrisë nuk i mjafton që mburret me punën e zviceranëve, por kërkon të marrë edhe meritën se ka disenjuar ai fanellën e kombëtares. Organizon edhe pritje madhështore të kombëtares sikur të kishte dalë kampione e Evropës. Nxjerr një milion euro nga lekët tona dhe ua jep pa pyetur kënd sikur t’ia kishte lënë trashëgim i ati. Dhe askush nuk i thotë gjë. Jemi në vendin e trushpëlarjes ku gënjeshtarët dhe mashtruesit kanë gjetur shesh dhe bëjnë përshesh. Ti që i zoti për gjë tjetër s’je, mba mashtruesit se mirë i ke – i thonë kësaj.
“Oh sa mir me ken ziceran!” (Panorama, 25 qershor, 2016)


Thursday, June 23, 2016

Drejtësia mes “vendeve të rezervuara” dhe “të pavarurve” të Ramës

Dilema nëse duhet zgjedhur opsioni i vendeve të rezervuara për partitë apo ai i përfaqësuesve të pavarur nga partitë në organet që do të kontrollojnë “biografinë" e gjyqtarëve (vetingu), ngërthen tërë problematikën e faktit se pse,pas 25 vjetësh, nuk kemi kaluar dot nga shteti i partisë në shtetin e së drejtës, por kemi mbetur ende në luftën për kapjen e shtetit nga partitë-banda.
Teorikisht e kemi ditur që në krye të herës se, megjithë pluripartitizmin, pa pushtete të ndara që kontrollojnë njëri tjetrin, veçanërisht një Drejtësi të pavarur, pa medie e një shoqëri civile që duhet të funksionojnë si një kundërpushtet (counterpart), pa një treg të lirë që do të thotë ekonomi që i siguron njeriut një lloj lirie ndaj kujtdo që kërkon ta skllavërojë nëpërmjet bukës së gojës, nuk mund të ndërtonim demokraci, por do të degjeneronim në luftë partish-banda që me shumë gjasa rrezikonin të pillnin një regjim autoritar.
Kaq mjafton për të menduar se, teorikisht, gjykatësit e pavarur nga partitë janë më të preferuar sesa gjykatësit me vende të rezervuara për partitë. Por pyetja që është shtruar vazhdimisht ka qenë dhe mbetet:  a kanë pasur dhe a kanë vullnet për ta ndarë hullinë e pushteti të Drejtësisë nga hullia e pushtetit të tyre partitë tona, që lindën me ndryshimin e sistemit, e që janë burimi i parë i ujit? Përgjigja është një “jo” e qartë. Ka dominuar vullneti i mbrapshtë për t’i kanalizuar të gjitha hullitë në të tyren. Se sa është ky një atavizëm i kulturës politike staliniste, për t’i kthyer të gjitha institucionet e tjera në “leva të partisë”, dhe se sa është prirje njerëzore e vullnetit për pushtet të pakufizuar kjo mbetet për t’u diskutuar. Fakti është se këtë ka bërë Berisha kur ishte herën e parë në pushtet; këtë bënë socialistët kur erdhën në 1997, edhe pse me një ritëm më të moderuar sesa Berisha i parë; këtë bëri Berisha i dytë pasi mori pushtetin më 2005, veçanërisht gjatë mandatit të dytë, dhe këtë po bën me një padurim të paparë edhe Edi Rama tash tre vjet që është në krye të qeverisë.
Sigurisht, në kontekstin e një Shqipërie që aspiron për t’u bërë pjesë e familjes së vendeve që nuk e pranojnë diktaturën e një partie, politikanëve tanë u ka interesuar të ruajnë një fasadë demokratike. Por, më anë tjetër, prapa fasadës, kanë punuar ngulshëm për të siguruar kontrollin mbi Drejtësinë, mediet, administratën, shoqërinë civile deri edhe çdo individ.
Në këtë luftë maxhorancat e radhës kanë qenë në pozitat dominuese kurse opozitat në pozita mbrojtëse, nganjëherë edhe mbijetese. Dhe një nga format e luftës për mbijetesë të opozitave ka qenë kërkesa për të pasur përfaqësuesit e tyre në organet e ashtuquajtura të pavarura siç është edhe Drejtësia. Si rezultat i kësaj, sot, të gjithë institucionet që presupozohen se duhet të jenë të pavarur, funksionojnë si institucione të përbërë nga përfaqësuesit e maxhorancës dhe të opozitës. Më emblematiku, ndoshta, është rasti i komisioneve zgjedhore. Formula që kishim më parë ishte e tillë që anëtarët e komisioneve duhet të ishin të pavarur nga partitë politike. Teorikisht kjo do të duhej të mbetej, sikur të ekzistonte vullneti i mirë politik për të mos i kontrolluar këta komisione. Mirëpo, praktikisht, për shkak të vullnetit të mbrapshtë politik, ata funksiononin në mënyrë të tillë që kutitë e votimit i kontrollonte maxhoranca. Dhe kështu, pas presionesh në rritje, u ra dakord, edhe me mbështetjen e ndërkombëtarëve, që komisionet zgjedhore të kenë përfaqësues si të opozitës dhe të maxhorancës, në mënyrë që të kontrollojnë vjedhjen e njëri-tjetrit. Sigurisht kjo kishte një kosto për demokracinë sepse nuk krijoi barazi përpara ligjit për të gjithë. Partitë apo lëvizjet e reja që po lindin sot do ta kenë  shumë të vështirë të konkurrojë në zgjedhje, sepse votat e tyre, në mungesë të komisionerëve mbrojtës, me shumë gjasa rrezikojnë të ndahen mes partive ekzistuese. Megjithatë kjo zgjedhje ka pakësuar rrezikun e vjedhjes së votës nga maxhoranca që ka qenë rreziku më i madh për momentin.
E njëjta gjë shtrohet sot lidhur me gjyqtarët e propozuar për të kontrolluar gjyqtarët. A duhet të jenë ata të pavarur apo duhet të jenë të propozuar nga partitë? Teorikisht duhet të jenë të pavarur. Por praktikisht problemi është po ai i komisioneve zgjedhore: a mos është më mirë të kemi vende të rezervuara që të sigurojnë të paktën një kontroll e balancë më të mirë të drejtësisë midis palëve sesa të kemi të pavarur teorikisht, por që, praktikisht, punojnë për qeverinë? Apo duhet të ngulmojmë tek formula e të pavarurve sepse, në mos sot, nesër, këta do të bëhen të tillë?
Zgjidhja e kësaj dileme, është një dramë problem, që nuk mund të bëhet me formula të përgatitura sipas librave apo sugjerimeve ndërkombëtare të bazuara në përvoja të tjera, por duke iu referuar kontekstit që po jetojmë në vend. Dhe gjykimi i kontekstit duhet të përqendrohet tek vlerësimi i vullnetit politik të protagonistëve. Nëse shohim e ndjejmë se kemi në krye të procesit politikanë me vullnet të mirë politik, që tregojnë respekt për ligjin në çdo akt të tyrin, që nxisin një klimë të shëndoshë dialogu në Parlament, që janë transparentë, që nxisin media gjithnjë e më të pavarura, administratë gjithnjë e më profesioniste, treg gjithnjë e më të lirë, shoqëri civile të pavarur etj. do të shkonim natyrshëm tek formula e të pavarurve. A është ky konteksti ynë? Jo dhe jo! Ne kemi në krye njerëz që, për të fituar votën, kanë zgjedhur të bashkëpunojë me  kriminelë; që e shkelin ligjin përditë duke venë mbi të forcën e tyre dhe të kriminelëve që mbajnë rreth vetes, që në vend se me transparencë veprojnë me terr informatik dhe pabesi. Ne kemi një Ministri të Brendshme që na përgjon duke shkelur ligjet. Ne kemi medie, pronarët e të cilave, për interesa private, janë kthyer në altoparlantë të Kryeministrit. Ne kemi një kryeministër gjuha e të cilit përcjell përditë, nëpërmjet këtyre medieve, urrejtje dhe shantazhimit ndaj opozitës, ndaj prokurorëve dhe gjykatësve që guxojnë të hapin ndonjë proces (si ai i rastit flagrant të përgjimeve të paligjshme), ndaj çdo zëri kritik që vjen nga shoqëria civile. Pra, ne kemi në krye një parti që duket sheshit se, me një vullnet të mbrapshtë politik, synon të bëhet partia-shtet, banda e vetme që kontrollon gjithçka në këtë vend. Në kushtet ku jetojmë sot është vështirë të gjesh njerëz të pavarur nga partitë apo që venë ligjin përpara partisë. Në kushtet ku jetojmë sot ne e dimë se çdo gjykatësi mund t’i gjesh diçka nga pasuria apo biografia për ta shantazhuar apo për ta korruptuar. E pra, në këto kushte, a mund t’ia lemë në dorë zgjedhjen e gjykatësve të gjykatësve dikujt që shantazhin e ka mjet të përditshëm veprimi dhe komunikimi apo është më mirë të kemi përfaqësuesit e dy – tre bandave në këtë rol?
Buon sensi të thotë se opsioni i të pavarurve do të mund t’u besohej vetëm politikanëve që kanë treguar vullnet të mirë politik. Kurse tek ne buon sensi të  thotë se Rama dhe të pavarurit janë dy gjëra që s’mund të bashkëjetojnë; se prioriteti i prioriteteve sot është mbrojtja nga agresioni i kësaj qeverie që kërkon të na heqë edhe ato pak hapësira lirie që kemi fituar, deri edhe mundësinë që të kemi opozitë, sido qoftë ajo; se opsioni i të pavarurve do të thotë kapje e drejtësisë nga banda e Ramës. Buon sensi të thotë se një situatë e tillë e bën edhe më të vështirë se ç’është sot lindjen e forcave të reja me vullnet të mirë politik që do të mund t’i sfidonin nesër këto banda. Kjo, jo vetëm sepse do të rritej frika në vend nga pushteti aktual, por edhe sepse, në kushtet e rritjes së abuzimit me pushtetin nga banda e vetme, do të vinte një ditë kur e vetmja mundësi shpëtimi do të ishte prap dhënia e votës bandës tjetër, çka do ta vononte edhe më, siç e ka vonuar deri më sot, lindjen e alternativës.
Zgjedhja e gjykatësve të propozuar nga partitë është larg idealeve të demokracisë, (edhe pse Venecia e ka sugjeruar si opsion), por nëse e konsiderojmë demokracinë një proces që nuk mbaron kurrë, që ka edhe kthime prapa, më mirë të qëndrojmë për një çast në këtë opsion, qoftë edhe si vendnumuro, sesa të bëjmë hapa prapa. Të mos harrojmë gjithashtu se demokracia shumëpartiake, si më i miri i mundshëm i sistemeve, ka lindur pikërisht për t’u mbrojtur nga vullneti i keq i njerëzve që marrin pushtetin dhe abuzojnë me të. Sepse, po të besonim se ka njerëz të mirë që lindin e mbeten të tillë gjatë gjithë jetës, edhe kur marrin pushtet të pakufizuar, do të mund të preferonim një sistem ku atyre tu jepej pushteti për tërë jetën. Këtë përrallë kanë kërkuar të na tregojnë tërë diktatorët, që jo rrallë kanë ardhur në pushtet me mbështetje të madhe popullore. Këtë përrallë kërkon të na tregojë edhe Edi Rama.
Problemi është se, paradoksalisht, kthimi prapa në një Drejtësi të kapur nga një parti e vetme, kërkohet të na shitet si ecje përpara që do ta shpejtonte integrimin në Evropë të Shqipërisë. Dhe kjo me ndihmën e disa ambasadorëve të cilëve u referohet gjithmonë Rama kur thotë: “është Amerika që e kërkon këtë”; “është Evropa që e kërkon” duke e barazuar një ambasador me tërë SHBA apo Evropën për të na sugjestionuar. Dhe shqiptarët kanë shumë komplekse ndaj këtyre vendeve. Ata diçka dinë më shumë se ne - thonë ata – dhe na duan sinqerisht të mirën.
Gjykoj se ka ardhur koha të çlirohemi nga këta komplekse dhe të besojmë më shumë tek vetja, tek përvoja jonë politike. Le të mos harrojmë se në fillim të viteve 90 ka qenë një ambasador amerikan, Rayersoni, që i dha qorrazi mbështetje pa rezerva një neodiktatori si Berisha, ndërkohë që shqiptarët e kishin kuptuar tashmë se çfarë rreziku u kanosej. Rezultatet katastrofike të kësaj mbështetjeje pa rezerva u panë vetëm pas pak vjetësh. Nuk e kam dëgjuar këtë ambasador t’u kërkojë ndonjëherë ndjesë shqiptarëve. Përkundrazi, e pashë së fundi të bënte thirrje për të votuar Reformën në Drejtësi alla Rama. Ndoshta, në vend të kësaj mbështetjeje, do të bënte më mirë t’i sugjeronte kolegut të tij aktual të kishte pak më kujdes, e të mësonte nga gabimet e paraardhësve. Që nesër shqiptarët, të cilëve nuk u ka munguar nuhatja politike si në kohën e Rayersonit ashtu edhe sot, të mos e mbiquajnë, siç mbiquanin disa dikur Rayersonin, Ambasadori Sovjetik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. (Panorama, 23 qershor 2016)

Saturday, June 11, 2016

Reforma në Drejtësi - ambasadorët dhe skandalet që po mbulohen

Tre kanë qenë, sipas radhës, skandalet më të bujshme të dy javëve të fundit.
I pari ishte zbulimi se  kryetari i Bashkisë së Kavajës Elvis apo Ervin Roshi ka qenë i dënuar për përdhunim në Itali, dorëheqja që shoqëroi këtë zbulim dhe pastaj dorëheqja nga dorëheqja e tij nën heshtjen apo miratimin e Kryeministrit.

Lajmi i dytë është ai i publikuar në shtypin italian se, sipas të dhënave të Guardia di Finanza, nga viti 2013 në vitin 2015, rezulton se plantacionet e mbjellë me kanabis në Shqipëri janë trefishuar duke u shtrirë në të gjithë vendin.

Lajmi i tretë ishte pezullimi me vendim gjykate nga detyra e Drejtorit të Policisë si dhe arrestimi i  dy kuadrove të tjera për shkak se Prokuroria ka prova serioze se pajisja e shumëpërfolur e përgjimit është futur paligjshmërisht në Shqipëri, se është përdorur paligjshmërisht për përgjime dhe se policia ka kryer veprime të paligjshme për të zhdukur provat. Si anë tjetër e medaljes së këtij skandali kemi kryeskandalin: sulmin që i bëri Kryeministri dhe Ministri i Brendshëm gjykatave dhe prokurorëve për këtë veprim.

***
Ka një paradoks të madh që kërkon shpjegim, kur ballafaqon tre lajmet që përmenda (që janë vetëm tri pikat e fundit në kupën e skandaleve të kësaj qeverie) me qëndrimin e qeverisë mbi Reformën në Drejtësi. Nga tre lajmet e para del se ne kemi një qeveri që ka futur në pushtetet lokale njerëz të inkriminuar ndër të cilët edhe të akuzuar për trafiqe droge: një qeveri që me keqqeverisjen e saj dhe pa dyshim edhe si rezultat i promovimit dhe bashkëpunimit me trafikantët, ka rritur tre herë plantacionet e kanabisit, dmth. kriminalitetin; një qeveri që kryen veprime të paligjshme deri në futjen paligjshëmërisht të aparateve të përgjimit dhe përgjimin e paligjshëm të qytetarëve. Si ka mundësi që kjo qeveri bërtet kaq fort për  Reformën në Drejtësi në emër të një Drejtësie të pavarur nga politika kur vetëm bazuar në tre rastet që përmenda, një drejtësi e tillë do ta kryqëzonte qeverinë? Si ta shpjegojmë se pse nuk ka frikë Edi Rama nga Reforma në Drejtësi?

Një pjesë mbrojtësish të Reformës, që e shohin këtë kontradiktë dhe e pranojnë se Rama ashtu si Berisha dhe Basha apo Meta, nuk e do një reformë të barabartë me drejtësi të pavarur prej tyre, argumentojnë se këtë Reformë ua kanë imponuar ndërkombëtarët. Dhe kështu, për të mos u prishur me ta, Rama, që ka më shumë karta në dorë, po blofon sikur e do Reformën, për të rritur mbështetjen e ndërkombëtarëve. Në një farë kuptimi, pra, këta mbrojnë idenë se shqiptarët duhet të kenë besim tek Reforma pasi prapa saj janë ndërkombëtarët që janë bërë garantë se kjo reformë nesër mund të rrëzojë edhe Ramën vetë; se Reforma ka ardhur si rezultat i një procesi që është i pashmangshëm do apo nuk e do Rama, Meta, Berisha apo Basha.

Sipas këtij varianti guximi i Ramës qëndron tek blofi ndaj një pokeristi si Basha që është në pozita shumë më të dobëta. Po a mund të shpjegohet kështu guximi i kësaj qeverie që s'ka ditë që nuk bën shkelje skandaloze të ligjit dhe që prandaj duhet t'i trembet si shejtani nga thimjami drejtësisë? Sipas mendimit tim shpjegimi i guximit të Ramës & Co me blofin, nën hundën e ndërkombëtarëve naivë dhe syleshë nuk qëndron. Ky guxim duhet kërkuar gjetkë si kur marrim në analizë Ramën edhe kur marrim në analizë qëndrimin e disa ndërkombëtarëve të angazhuar në këtë proces. Ai duket kërkuar tek metoda e qeverisjes së Ramës që ka qenë dhe mbetet mbulimi i asaj çka në realitet bën keq me gjethen e fikut të një imazhi që me ngulm punon ta ndërtojë nëpërmjet propagandës ku përpiqet të përfshijë veçanërisht ndërkombëtarët. Janë disa ambasadorët që në biseda gjysmë konfidenciale thonë se Rama u ka thënë atyre se për të rrëzuar frontin e së keqes Berishën & Co i është dashur të bëjë kompromise me të fortë dhe kriminelë, për këtë arsye p.sh u bashkua me Tom Doshin etj. etj. si ky. Por ama këta do t'i pastrojë. Dhe për këtë i duhet reforma në drejtësi, pasi Drejtësia është në duart e frontit të së keqes Berisha & Meta. Sigurisht e kaluara e këtyre e ndihmon shumë për të ruajtur këtë imazh. Në këtë lojë imazhi ai ka përfshirë edhe ndërkombëtarët edhe Ambasadorët Lu dhe Vllahutin mes të tjerash.

Si rezultat i kësaj politike imazhi, ndërkohë që drejtësia e vërtet që duhet të kërkojnë edhe ndërkombëtarët, është transparencë mbi rastet e përmendura dhe kalimin në bankën e drejtësisë së përgjegjësve, Reforma në Drejtësi e promovuar prej tyre po ndihmon që këto skandale të mbulohen. Kryeministri dhe Ministri i Brendshëm dalin e thonë se këta skandale janë provë se pse na duhet Reforma në Drejtësi, medemek se prokurorët dhe gjykatësit që kanë urdhëruar pezullimin e Drejtorit të Policisë qenkan të Bashës apo Metës. Ajo që kupton edhe shqiptari më i thjeshtë që i ka ndjekur këto reagime është se Reforma në Drejtësi për këta përkthehet në mundësinë që Rama ta përforcojë edhe më shumë pushtetin me kriminelë, të rrisë plantacionet e drogës që nëpërmjet parasë së krimit të krijojë edhe më shumë mundësi kontrolli dhe propagande, të fusë buldozerët e të shembë e ndërtojë ku të dojë e si të dojë pa ligj në emër të këtij krimi, të ketë mundësi të përgjojë gjithnjë e më shumë kundërshtarët pa i hyrë gjemb në këmbë, sepse nesër askush nuk do të guxojë as të ngrejë zërin e jo më të bëjë ndonjë akt, siç bënë prokurorët e sotëm, që kërkuan të hetohet skandali i përgjimit.

Ka ardhur koha që ambasadori Lu dhe ambasadorja Vllahuiin t'i japin përgjigje shumë shqiptarëve që, të ballafaquar përditë me skandale të tilla, pyesin: A nuk e shohin këta këtë rrezik apo bëjnë gjethen e fikut të qeverisë për interesa që s'kanë të bëjnë me kërkesat e shqiptarëve për më shumë drejtësi, liri dhe demokraci? (Panorama, 11 qershor, 2016)


Wednesday, June 1, 2016

Mbi Eljanin dhe Erjonin

Ndoqa me ndjenja kontradiktore reagimet në rrjetet sociale kundër Eljan Taninit pasi u shpall fitues i një konkursi për vendosjen e një vepre arti diku në një park - që shoqëroheshin edhe me një foto ku ai shtrëngonte dorën me kryetarin e Bashkisë. Dihet se reagimet u nxitën nga fakti se fare pak kohë më parë Eljani u rrah dhe u arrestua nga policët e Erjonit teksa protestonte kundër betonizimit dhe prerjes së pemëve tek Parku, madje edhe u refuzua në zyrat e Bashkisë si përfaqësues i protestuesve. Pas kërbaçit erdhi karota që Eljani e mbllaçiti pa u menduar gjatë, (ndoshta), dhe njerëzit nxituan t’ia ngecin në fyt.
Me të drejtë apo pa të drejtë? Me të drejtë, do të thoja por kam edhe disa mëdyshje të rëndësishme për të shprehur.
Të qenit i pavarur dhe i lire, që do të thotë, mes të tjerash, edhe të flesh i qetë kur kthehesh në shtëpi, pa ta prishur gjumin ndjenja e turpit se ke vepruar shtrembër pasi dikush të ka futur në xhep një shuk me para apo të ka bërë ndonjë nder, është luks. Luks i madh madje. Dhe si për çdo luks edhe për këtë duhet të paguash: duke mos kënaqur dot shumë nevoja materiale që sheh t’i gëzojnë të tjerët në sajë të pareve të shukut psh., por edhe, si në këtë rast, duke mos pritur të fitosh çmime nëpër konkurse të organizuara nga pushteti për pushtetin, përkundrazi duke i refuzuar ato. Diçka të tillë duhet të ketë menduar italiani i shquar, Longanesi, kur ka shkuar edhe më tej duke thënë: “Çmimet jo vetëm duhen refuzuar, por as nuk duhen merituar.” Nëse ka ndonjë vend ku kjo thënie tingëllon veçanërisht e vërtetë, është Shqipëria jonë siç e kemi ndërtuar ne tash njëqind e ca vjet. Prandaj mendoj se Eljani duhet ta kishte refuzuar atë çmim që të meritonte një çmim shumë më të madh në zemrat e shumë njerëzve.
***
Thënë kjo më duhet të ndalem, megjithatë, edhe tek një shije e keqe që më lanë mjaft sulme ndaj Eljanit për faktin se nuk gjeta në to një lloj mirëkuptimi ndaj tij  që do të na fuste në thellësinë që meriton trajtimi i rastit.
Disa reagime më bënë të mendoj se komentuesit e shihnin Eljanin si heroin e  një filmi - që e kanë ndjekur nga divani përpara televizorit - dhe që, në një moment të caktuar, në vend të trimërive bën një akt zhgënjyes, duke rënë në kurthin e ngritur nga i ligu. Në një nivel psikologjik këto reagime i interpretova si reagime pse Eljani u vrau një hero tek i cili ata donin dëshpërimisht të besonin; sikur u vrau shpresën e një shpëtimtari që mezi e kanë pritur. Tek një pjesë tjetër (fatkeqësisht jo e vogël) nuk vura re as ndonjë keqardhje pse heroi përfundoi kështu, por gati gati një si zhgënjim të gëzuar, sikur u provua një bast i vënë se ai nuk ishte hero, por një aktor, që e kishte luajtur gjithë atë rol, deri duke u përleshur me policinë, për të marrë atë çmim – gjë që e ktheu filmin nga dramatik në satirik.
***
Dhe këtu fillojnë mëdyshjet e mija. Të urtët thonë se heroin mund t’ia kërkosh vetëm vetvetes, jo të tjerëve, çka lidhet ngushtë me thënien e ca të urtëve të tjerë që thonë: mjerë ata popuj që kanë nevojë për heronj. Sepse kjo tregon se  njerëzit e atyre popujve kanë mbetur në nivelin fëmijës; nuk kanë arritur të kuptojnë se arketipin e heroit, që e kemi të gjithë brenda (po ti referohemi Jungut), duhet ta integrojmë brenda vetëdijes sonë dhe jo ta projektojmë tek ndonjë shpëtimtar. Sepse, përndryshe në jetën reale, (jo atë të filmave), herët ose vonë do të zhgënjehemi keq, jo aq me heroin sesa me veten tonë.
Prandaj, duke kërkuar kuptimin dhe mirëkuptimin më të thellë ndaj Eljanit, do të shtroja ndonjë pyetje për komentuesit. Pse të mos mendojmë se ky Eljani, pasi e pa se shumë nga ata që e kritikojnë sot, apo që i kërkojnë të mbetet hero, nuk e lëvizën bythën për t’iu bashkuar kur shkonte të protestonte tek Parku, kur rrihej e arrestohej nga policia apo kur e pa që pushteti e fitoi betejën e betonizimit, vendosi, edhe ai, të mos i bjerë më betonit me kokë, por të thotë: varja këtij mileti, kaq meriton, do të bëj edhe unë siç bëjnë të gjithë shqiptarët. Mund të mos jetë kështu, por a nuk do të meritonte qoftë edhe disa momente reflektim kjo qasje që kërkon pak më shumë empati për njeriun Eljan, për kushtet ku jeton ai, si dhe pak më shumë vënie në diskutim të vetvetes. Përse duhet ta shohim Eljanin si një hero, apo se ka parë shumë në jetë nga ata artistë apo intelektualë që kanë refuzuar çmimet e paratë e pushtetit për të mbrojtur parimet dhe mendimet e tyre? A nuk është rritur ai gjithë jetën me shembullin e atyre që  për të realizuar ambiciet kapen si bimët kacavjerrëse tek pushteti – ku shembulli më elokuent, më i suksesshëm e më grotesk njëherësh është Kryeministri dora vetë, i cili, për të kapur maja sa më të larta, ka zgjedhur të jetë edhe pemë edhe bimë kacavjerrëse njëherësh.
Pra, pse të mos e shohim Eljanin si njeri si të gjithë ne, me të mirat dhe të këqija e veta, me trimëritë dhe frikërat e veta, me nevojat dhe idealet e veta dhe zhgënjimet e veta etj etj. që dikush, pasi i vuri kërbaçin, ka vendosur t’i miklojë vanitetin, vesi i vetëm, sipas Rusoit, nga i cili njeriu vështirë se heq dot dorë? A nuk meritonte ai në këtë rast edhe një lloj mirëkuptimi, në mos keqardhje, që në fakt nuk janë mirëkuptim e keqardhje për Eljanin, por për veten tonë sepse të gjithë jemi nën kërcënimin e këtij dikushit dhe të gjithë kemi dobësitë tona?
***
Dhe këtu vijmë tek thelbi i çështjes, që nuk është sjellja e Eljanit, por ajo e Erjonit. Ajo që më bëri përshtypje për keq ishte se një pjesë sulmesh ishin aq të egra ndaj Eljanit dhe aq të buta (qoftë dhe në formë heshtjeje) ndaj Erjonit saqë sikur ndjeva thellë thellë, që një pjesë i thonin viktimës (Eljanit dhe të gjithë neve): fajin e ke ti që hape këmbët jo ai/ata (Erjoni me shokë) që të përdhunuan.
Sepse mund t’i kishin thënë edhe Erjonit ndonjë fjalë të tipit: po mirë mor Erjon, kur ky Eliani qenka një djalë kaq i talentuar sa i denjë për të fituar një konkurs artistik a nuk vlente që ti ta kishe pranuar në zyrat e tua për t’i dëgjuar edhe kritikat për Parkun dhe jo ta shaje nëpër televizione e t’i vije policët publikë e privatë në kurriz që ta rrihnin e ta fusnin e nxirrnin nëpër qelira?
Është sjellja e Erjonit, problemi i madh, pra, që pasi e ka rrahur fyer dhe poshtëruar tani po kërkon ta vrasë fare moralisht duke e kthyer nga një njeri dhe artist në një shërbëtor dhe artizan të punishtes së tij? Është sjellja e institucioneve shqiptare më në përgjithësi që kanë në krye individë që punojnë natë ditë, ditë natë pa turp dhe pa asnjë fije morali se si të korruptojnë intelektualët, artistë, shkrimtarët, gazetarët, të vdekur dhe të gjallë, për tu blerë bashkëpunimin, konformizmin apo heshtjen në mënyrë që të vazhdojnë poshtërsitë e tyre të patrazuar.
***
Dhe kjo sjellje ngre një pyetje tejet serioze në krahun tjetër: po mirë, nëse një i ri ka aspirata për tu bërë artist, shkrimtar, të drejtojë një gazetë apo revistë letrare apo artistike të hapë një ekspozitë  dmth. të rritet në krijimtarinë e tij, në mendimet e tij, çfarë duhet të bëjë në këtë shoqëri, kur mesazhi që i jepet është: nëse do të krijosh diçka duhet të bëhesh palë me njerëzit e pushtetit? Çfarë duhet të bëjë ai kur sheh se Kryeministri për të blerë intelektualët hap edhe një dyqan në katin e parë të Kryeministrisë ku ata hyjnë kokulur pasi u bëhet monitorimi te dera se mos kanë ndonjë bombë me vete apo se mos duan të thonë ndonjë mendim kundër projekteve të Kryeministrit; kur sheh se paratë, çmimet e nderimet qeveria i shpërndan për artizanët e pushtetit që bashkë me Kryeministrin dhe Ministren e Kulturës janë edhe juria edhe artisti edhe fituesi.
Nuk është e lehtë do të thoja. Fakti është se të rinjtë në shumicën më të madhe kanë ulur kokën dhe i janë nënshtruar këtij rregulli të diktuar nga pushteti. Dhe rezultati është ky që është: nuk ka gjë më të ulët sesa, 25 vjet pas diktaturës, të rinjtë, dmth. fëmijët tanë po rriten ende nën sundimin e një klase qeverisëse që në vend se të punojë se si t’i ndihmojë njerëzit që të jenë sa më të lirë e sa më krijues, se si të stimulojë ata më të mirët, më të aftët, se si të thithë idealet e tyre më të larta në të mirë të shoqërisë, punon për t’i ulur e përulur ata në llumin e këmbëve të veta. Duke e kthyer Shqipërinë, kësisoj, në një hale të parespirueshme nga era e mutit dhe shurrës.
***
Kritikat ndaj Eljanit në këtë aspekt ishin edhe një tregues shpresëdhënës. Sepse tregonin se me sa neveri shihen sot njerëzit që bashkëpunojnë me këta institucione, që pranojnë paratë dhe çmimet e këtyre institucioneve, se është rritur vetëdija se jetojmë në një shtet ku të marrësh ndonjë gjë nga shteti është si të marrësh ndonjë gjë nga një bandë hajdutësh që vjedh në kurriz të njerëzve. Por nuk mund të mos vëmë re, megjithatë, se shumica e këtyre kritikave u bënë në rrjetet sociale në mënyrë anonime ndoshta nga po ata persona që në jetën e tyre reale janë të detyruar të përkulin shpinën.
Të kuptohemi, bëj pjesë ndër ata që mendojnë se nuk jemi në nivelet e shtrëngimit të diktaturës dhe se, prandaj, mundësia për të qenë më me kurajë më me personalitet qoftë edhe duke ikur e i bërë naftën këtij vendi është shumë më e madhe. Por ama, përtej kësaj, le të shohim realitetin ku jetojmë: njerëzit e kulturës dhe artit që po i rezistojnë këtij regjimi që nuk përdor burgjet, por që u pret atyre bukën e gojës së fëmijëve po pakësohet dita ditës. Dhe problemi më i madh i këtij varfërimi nuk është ai se në këtë mënyrë disa bëjnë para, bëjnë karrierë, bëhen të famshëm kurse të tjerë vuajnë një ndjenjë padrejtësie, çka nuk është për t’u neglizhuar. Jo, pasojat janë shumë më të rënda. Nga kjo ne humbasim njerëzit e lirë, krijimtarinë e lirë, mendimin e lirë dhe të humbasësh këto do të thotë që arti dhe krijimtaria në vend se të hedhin dritë mbi realitetin: errësirën, mjerimin dhe degjenerimin që sundon prapa fasadave të mashtrojë duke lyer e zbukuruar fasadat e pushtetit.

* **
Dikush do të më thoshte se jam kontradiktor se më një anë them se Eljani duhet ta refuzonte Erjonin e më anë tjetër mundohem ta mirëkuptoj atë. Po, jam kontradiktor, sepse edhe realiteti është kontradiktor. Sepse lufta e Eljanit për Parkun, për mua, nuk ishte një luftë për të mbrojtur thjesht disa pemë, por për të mbrojtur një rini ndryshe që presim të lindë; e ndryshme nga Erjoni të cilit i shkon fjala e Konicës se “Në Shqipëri nuk ka të rinj, por ca që kanë lindur më parë dhe ca që kanë lindur më pas.” Kurse lufta e Erjonit ishte që nesër ne të themi me dëshpërim se edhe Eljani është një që thjesht ka lindur ca më pas se Erjoni, i cili  thjesht ka lindur ca më pas se Edi Rama, i cili thjesht ka lindur ca më pas se Sali Berisha, i cili thjesht ka lindur ca më pas se Enver Hoxha, i cili thjesht ka lindur ca me pas se Ahmet Zogu.
Dhe ky çmim që Erjoni i dha Eljanit dhe tërë ato reagime për të  ndihmuan për ta parë këtë kontradiktë e ndoshta për tu ndërgjegjësuar se duhet ndërprerë sa më parë ky cikël trashëgimie që të mund të kalojmë në stadin e popujve të rritur që nuk jetojnë duke pritur duarlidhur heronjtë të vijnë t’i shpëtojnë, por si njerëz me vetëdije që në momente të caktuara bëjnë detyrën duke shpëtuar vetveten. Dhe për këtë nuk  mund të presim engjëjt nga qielli, por duhet që njerëzit si ne, me të mirat dhe të këqijat që kemi, të bashkohen me njerëz si Eljani kur luftonte për Parkun, për tu dhënë më shumë forcë që të mos bien, por edhe që t’i ndihmojmë të ngrihen. (Panorama, 1 qershor 2016)