Dilema nëse duhet zgjedhur opsioni i vendeve
të rezervuara për partitë apo ai i përfaqësuesve të pavarur nga partitë në
organet që do të kontrollojnë “biografinë" e gjyqtarëve (vetingu),
ngërthen tërë problematikën e faktit se pse,pas 25 vjetësh, nuk kemi kaluar dot
nga shteti i partisë në shtetin e së drejtës, por kemi mbetur ende në luftën
për kapjen e shtetit nga partitë-banda.
Teorikisht e kemi ditur që në krye të herës
se, megjithë pluripartitizmin, pa pushtete të ndara që kontrollojnë njëri
tjetrin, veçanërisht një Drejtësi të pavarur, pa medie e një shoqëri civile që duhet
të funksionojnë si një kundërpushtet (counterpart), pa një treg të lirë që do
të thotë ekonomi që i siguron njeriut një lloj lirie ndaj kujtdo që kërkon ta
skllavërojë nëpërmjet bukës së gojës, nuk mund të ndërtonim demokraci, por do
të degjeneronim në luftë partish-banda që me shumë gjasa rrezikonin të pillnin
një regjim autoritar.
Kaq mjafton për të menduar se, teorikisht, gjykatësit
e pavarur nga partitë janë më të preferuar sesa gjykatësit me vende të
rezervuara për partitë. Por pyetja që është shtruar vazhdimisht ka qenë dhe
mbetet: a kanë pasur dhe a kanë vullnet për
ta ndarë hullinë e pushteti të Drejtësisë nga hullia e pushtetit të tyre
partitë tona, që lindën me ndryshimin e sistemit, e që janë burimi i parë i ujit?
Përgjigja është një “jo” e qartë. Ka dominuar vullneti i mbrapshtë për t’i
kanalizuar të gjitha hullitë në të tyren. Se sa është ky një atavizëm i kulturës
politike staliniste, për t’i kthyer të gjitha institucionet e tjera në “leva të
partisë”, dhe se sa është prirje njerëzore e vullnetit për pushtet të pakufizuar
kjo mbetet për t’u diskutuar. Fakti është se këtë ka bërë Berisha kur ishte
herën e parë në pushtet; këtë bënë socialistët kur erdhën në 1997, edhe pse me
një ritëm më të moderuar sesa Berisha i parë; këtë bëri Berisha i dytë pasi
mori pushtetin më 2005, veçanërisht gjatë mandatit të dytë, dhe këtë po bën me
një padurim të paparë edhe Edi Rama tash tre vjet që është në krye të qeverisë.
Sigurisht, në kontekstin e një Shqipërie që
aspiron për t’u bërë pjesë e familjes së vendeve që nuk e pranojnë diktaturën e
një partie, politikanëve tanë u ka interesuar të ruajnë një fasadë demokratike.
Por, më anë tjetër, prapa fasadës, kanë punuar ngulshëm për të siguruar kontrollin
mbi Drejtësinë, mediet, administratën, shoqërinë civile deri edhe çdo individ.
Në këtë luftë maxhorancat e radhës kanë qenë në
pozitat dominuese kurse opozitat në pozita mbrojtëse, nganjëherë edhe
mbijetese. Dhe një nga format e luftës për mbijetesë të opozitave ka qenë kërkesa
për të pasur përfaqësuesit e tyre në organet e ashtuquajtura të pavarura siç
është edhe Drejtësia. Si rezultat i kësaj, sot, të gjithë institucionet që
presupozohen se duhet të jenë të pavarur, funksionojnë si institucione të
përbërë nga përfaqësuesit e maxhorancës dhe të opozitës. Më emblematiku,
ndoshta, është rasti i komisioneve zgjedhore. Formula që kishim më parë ishte e
tillë që anëtarët e komisioneve duhet të ishin të pavarur nga partitë politike.
Teorikisht kjo do të duhej të mbetej, sikur të ekzistonte vullneti i mirë politik
për të mos i kontrolluar këta komisione. Mirëpo, praktikisht, për shkak të
vullnetit të mbrapshtë politik, ata funksiononin në mënyrë të tillë që kutitë e
votimit i kontrollonte maxhoranca. Dhe kështu, pas presionesh në rritje, u ra dakord,
edhe me mbështetjen e ndërkombëtarëve, që komisionet zgjedhore të kenë
përfaqësues si të opozitës dhe të maxhorancës, në mënyrë që të kontrollojnë vjedhjen
e njëri-tjetrit. Sigurisht kjo kishte një kosto për demokracinë sepse nuk
krijoi barazi përpara ligjit për të gjithë. Partitë apo lëvizjet e reja që po
lindin sot do ta kenë shumë të vështirë
të konkurrojë në zgjedhje, sepse votat e tyre, në mungesë të komisionerëve
mbrojtës, me shumë gjasa rrezikojnë të ndahen mes partive ekzistuese.
Megjithatë kjo zgjedhje ka pakësuar rrezikun e vjedhjes së votës nga maxhoranca
që ka qenë rreziku më i madh për momentin.
E njëjta gjë shtrohet sot lidhur me gjyqtarët
e propozuar për të kontrolluar gjyqtarët. A duhet të jenë ata të pavarur apo
duhet të jenë të propozuar nga partitë? Teorikisht duhet të jenë të pavarur. Por
praktikisht problemi është po ai i komisioneve zgjedhore: a mos është më mirë
të kemi vende të rezervuara që të sigurojnë të paktën një kontroll e balancë më
të mirë të drejtësisë midis palëve sesa të kemi të pavarur teorikisht, por që,
praktikisht, punojnë për qeverinë? Apo duhet të ngulmojmë tek formula e të
pavarurve sepse, në mos sot, nesër, këta do të bëhen të tillë?
Zgjidhja e kësaj dileme, është një dramë
problem, që nuk mund të bëhet me formula të përgatitura sipas librave apo
sugjerimeve ndërkombëtare të bazuara në përvoja të tjera, por duke iu referuar
kontekstit që po jetojmë në vend. Dhe gjykimi i kontekstit duhet të
përqendrohet tek vlerësimi i vullnetit politik të protagonistëve. Nëse shohim e
ndjejmë se kemi në krye të procesit politikanë me vullnet të mirë politik, që
tregojnë respekt për ligjin në çdo akt të tyrin, që nxisin një klimë të
shëndoshë dialogu në Parlament, që janë transparentë, që nxisin media gjithnjë
e më të pavarura, administratë gjithnjë e më profesioniste, treg gjithnjë e më
të lirë, shoqëri civile të pavarur etj. do të shkonim natyrshëm tek formula e
të pavarurve. A është ky konteksti ynë? Jo dhe jo! Ne kemi në krye njerëz që,
për të fituar votën, kanë zgjedhur të bashkëpunojë me kriminelë; që e shkelin ligjin përditë duke
venë mbi të forcën e tyre dhe të kriminelëve që mbajnë rreth vetes, që në vend
se me transparencë veprojnë me terr informatik dhe pabesi. Ne kemi një Ministri
të Brendshme që na përgjon duke shkelur ligjet. Ne kemi medie, pronarët e të
cilave, për interesa private, janë kthyer në altoparlantë të Kryeministrit. Ne
kemi një kryeministër gjuha e të cilit përcjell përditë, nëpërmjet këtyre medieve,
urrejtje dhe shantazhimit ndaj opozitës, ndaj prokurorëve dhe gjykatësve që
guxojnë të hapin ndonjë proces (si ai i rastit flagrant të përgjimeve të
paligjshme), ndaj çdo zëri kritik që vjen nga shoqëria civile. Pra, ne kemi në
krye një parti që duket sheshit se, me një vullnet të mbrapshtë politik, synon
të bëhet partia-shtet, banda e vetme që kontrollon gjithçka në këtë vend. Në
kushtet ku jetojmë sot është vështirë të gjesh njerëz të pavarur nga partitë
apo që venë ligjin përpara partisë. Në kushtet ku jetojmë sot ne e dimë se çdo
gjykatësi mund t’i gjesh diçka nga pasuria apo biografia për ta shantazhuar apo
për ta korruptuar. E pra, në këto kushte, a mund t’ia lemë në dorë zgjedhjen e
gjykatësve të gjykatësve dikujt që shantazhin e ka mjet të përditshëm veprimi
dhe komunikimi apo është më mirë të kemi përfaqësuesit e dy – tre bandave në
këtë rol?
Buon sensi të thotë se opsioni i të pavarurve
do të mund t’u besohej vetëm politikanëve që kanë treguar vullnet të mirë
politik. Kurse tek ne buon sensi të
thotë se Rama dhe të pavarurit janë dy gjëra që s’mund të bashkëjetojnë;
se prioriteti i prioriteteve sot është mbrojtja nga agresioni i kësaj qeverie
që kërkon të na heqë edhe ato pak hapësira lirie që kemi fituar, deri edhe
mundësinë që të kemi opozitë, sido qoftë ajo; se opsioni i të pavarurve do të
thotë kapje e drejtësisë nga banda e Ramës. Buon sensi të thotë se një situatë
e tillë e bën edhe më të vështirë se ç’është sot lindjen e forcave të reja me
vullnet të mirë politik që do të mund t’i sfidonin nesër këto banda. Kjo, jo
vetëm sepse do të rritej frika në vend nga pushteti aktual, por edhe sepse, në
kushtet e rritjes së abuzimit me pushtetin nga banda e vetme, do të vinte një
ditë kur e vetmja mundësi shpëtimi do të ishte prap dhënia e votës bandës
tjetër, çka do ta vononte edhe më, siç e ka vonuar deri më sot, lindjen e
alternativës.
Zgjedhja e gjykatësve të propozuar nga
partitë është larg idealeve të demokracisë, (edhe pse Venecia e ka sugjeruar si
opsion), por nëse e konsiderojmë demokracinë një proces që nuk mbaron kurrë, që
ka edhe kthime prapa, më mirë të qëndrojmë për një çast në këtë opsion, qoftë
edhe si vendnumuro, sesa të bëjmë hapa prapa. Të mos harrojmë gjithashtu se
demokracia shumëpartiake, si më i miri i mundshëm i sistemeve, ka lindur
pikërisht për t’u mbrojtur nga vullneti i keq i njerëzve që marrin pushtetin
dhe abuzojnë me të. Sepse, po të besonim se ka njerëz të mirë që lindin e
mbeten të tillë gjatë gjithë jetës, edhe kur marrin pushtet të pakufizuar, do
të mund të preferonim një sistem ku atyre tu jepej pushteti për tërë jetën.
Këtë përrallë kanë kërkuar të na tregojnë tërë diktatorët, që jo rrallë kanë
ardhur në pushtet me mbështetje të madhe popullore. Këtë përrallë kërkon të na
tregojë edhe Edi Rama.
Problemi është se, paradoksalisht, kthimi
prapa në një Drejtësi të kapur nga një parti e vetme, kërkohet të na shitet si
ecje përpara që do ta shpejtonte integrimin në Evropë të Shqipërisë. Dhe kjo me
ndihmën e disa ambasadorëve të cilëve u referohet gjithmonë Rama kur thotë:
“është Amerika që e kërkon këtë”; “është Evropa që e kërkon” duke e barazuar
një ambasador me tërë SHBA apo Evropën për të na sugjestionuar. Dhe shqiptarët
kanë shumë komplekse ndaj këtyre vendeve. Ata diçka dinë më shumë se ne - thonë
ata – dhe na duan sinqerisht të mirën.
Gjykoj se ka ardhur koha të çlirohemi nga
këta komplekse dhe të besojmë më shumë tek vetja, tek përvoja jonë politike. Le
të mos harrojmë se në fillim të viteve 90 ka qenë një ambasador amerikan,
Rayersoni, që i dha qorrazi mbështetje pa rezerva një neodiktatori si Berisha,
ndërkohë që shqiptarët e kishin kuptuar tashmë se çfarë rreziku u kanosej.
Rezultatet katastrofike të kësaj mbështetjeje pa rezerva u panë vetëm pas pak
vjetësh. Nuk e kam dëgjuar këtë ambasador t’u kërkojë ndonjëherë ndjesë
shqiptarëve. Përkundrazi, e pashë së fundi të bënte thirrje për të votuar
Reformën në Drejtësi alla Rama. Ndoshta, në vend të kësaj mbështetjeje, do të
bënte më mirë t’i sugjeronte kolegut të tij aktual të kishte pak më kujdes, e
të mësonte nga gabimet e paraardhësve. Që nesër shqiptarët, të cilëve nuk u ka
munguar nuhatja politike si në kohën e Rayersonit ashtu edhe sot, të mos e mbiquajnë,
siç mbiquanin disa dikur Rayersonin, Ambasadori Sovjetik i Shteteve të
Bashkuara të Amerikës. (Panorama, 23
qershor 2016)
No comments:
Post a Comment