Kjo historia e Teatrit që duan ta ndërtojnë me PPP (partneriteti publik
privat) nuk është e re. Seriali i filmit “PPP” të Ramës i ka nismat e veta të
para me kioskat që zaptuan Tiranën. Unë, (pushtetari) kam në dorë të të jap ty
(privatit) një shesh nga parku publik; ti më jep ca para, si shpërblim, dhe ndërton
atje një kafe apo piceri me të cilën nxjerr fitime. Pastaj hamë e pimë atje
sëbashku dhe bëjmë edhe pazare të tjera më serioze. Ja, kaq e thjeshtë është. Më
kujtohet se edhe Akademija e Arteve dha asokohe leje për një kioskë të tillë në
oborrin e saj, që quhej “e Xhatit”, ku njerëzit e rëndësishëm të Akademisë si Rama,
që e kishte zbukuruar kioskën me pikturat e veta, hanin qyl për “nderin” që i
kishin bërë Xhatit. Ky fillim vazhdoi më pas me “Bar Akademia”, qe zinte gjithë
lulishten, “Bar House of Arts” dhe “Radio House of Arts”, të dyja nën sallën e
Teatrit të Akademisë, që u bënë pronësi e Fidel Yllit, i cili e kishte filluar
biznesin edhe ai me një kioskë të dhënë nga pushtetarët.
Në një nivel pak më të lartë ky partneritet u bë me Teatrin Kombëtar.
Sikurse dihet teatri Kombëtar ka dy ndërtesa në disponim. Atë ku ndodhet sot
salla kryesore dhe atë ku ndodhet teatri eksperimental. Në vitin 1995, kur
rrogat, sikurse dihet, ishin shumë të vogla dikush solli nga Bullgaria idenë
gjeniale që ndërtesën e eksperimentalit ta jepte me qira për të vendosur atje
një bingo. Në këtë mënyrë u lidh një kontratë midis Teatrit Kombëtar dhe Bingo
Yllit. Sipas kësaj kontrate Bingo Ylli do t’i jepte teatrit 74 000 dollarë në vit
nga fitimet e veta, me të cilat do të sponsorizohej ndonjë shfaqje, do të
mbyllej ndonjë vrimë dhe do të shtoheshin rrogat e aktorëve e regjizorëve me 50
dollarë në muaj.
Ja çfarë koncepti për shtetin dhe respekti për artin kanë pasur ata që
udhëhoqën të ashtuquajturin revolucion demokratik. Një mjerim i vërtetë, jo
ekonomik, por shpirtëror e kulturor. Nëse Krishti i hoqi tregëtarët nga
tempulli, këta i futën. Ishim vërtet të varfër, por jo aq sa të fusnim në
tempullin e artit, ekonominë e bixhozit? Edhe kinematë filluan të shndërroheshin,
po me këtë praktikë, në qendra bixhozi.
Pastaj erdhën Fatos Nano dhe Edi Rama me shokë, që pretendonin se dinin
diçka më shumë se Saliu me shokë për shtetin, ekonominë e tregut dhe për artin e
kulturën. Po çfarë ndodhi me kontratën e Teatrit me Bingo Yllin? Po jua kujtoj
se ndoshta e keni harruar: Qeveria Nano bëri asokohe disa ndryshime në ligj
përsa i përket dhënies me qira të hapësirave publike për privatët. Sipas një
VKM-je, drejtorët e institucioneve mund të jepnin me qira vetëm një hapësirë që
nuk i kalonte 200 metrat katrorë. Nëse sipërfaqja ishte midis 200 dhe 500
atëhere kjo e drejtë firme i kalonte ministrisë së linjës, që në këtë rast
ishte ajo e kulturës. Kurse, nëse sipërfaqja i kalonte 500 metrat katrorë,
atëhere kompentenca i kalonte ministrisë së ekonomisë. Shumë e drejtë, apo jo?
Pse të njëtën vlerë ka firma e një drejtori me atë të një ministri?
Kështu, sipas ligjit të ri, duhej të lidhej një kontratë e re midis Bingo
Yllit dhe Yllit të Ministrisë së Ekonomisë të asaj kohe me mbiemrin Bufi, sepse,
siç e tregon edhe një faqe e kontratës së mëparshme, që është denoncuar në
shtyp që në vitin 2002 në gazetën Dita, sipërfaqja
që kishte marrë Ylli i bingos ishte 575 metra katrorë. Por, siç e tregon faqja
e kontratës që u lidh, nuk ndodhi kështu
sepse sipërfaqja na qenka reduktuar (dmth. falsifikuar), në fiks 500 metra
katrorë; kështu që të drejtën e firmës na e ka marrë dora vetë Ministri i
Kulturës, shefi i PPP-ve të sotme, Edi Rama. Dhe ç’është më e bukura a e dini rezultatin? Nga 74 000 dollarë në vit Teatri mori më pak se gjysma (4 mil lekë).
Për ata që kanë harruar çfarë ndodhi më tej në ato vite po rikujtoj se,
kur Majko erdhi në pushtet, shkarkoi drejtorin e emëruar nga Rama, Xhevdet Ferrin. Po pse? Sepse ky, duke qenë si
Edi Rama për ndërtimin e teatrit të ri, në stilin e njohur të lënies së
objekteve në gjendje të mjerë, për të justifikuar pastaj prishjen, nuk kishte
bërë, çprej një viti e gjysëm, tenderin e rikonstruksionit të pjesshëm të
Teatrit. Këtë e bëri kryefirmëtari i peticionit për shpalljen e Teatrit
Monument kulture, Agim Qirjaqi, që e zëvendësoi. Ndërkaq Xhevdet Ferri në
fjalimin e lamtumirës, harroi të falenderojë aktorët dhe regjizorët, por nuk
harroi të falendorojë përzemërsisht Bingo Yllin, ndonëse administratori i saj,
ndërkaq, kishte rënë në burg. Dhe a e dini për çfarë motivi? Për gjobëvënie
ndaj një biznesmeni kryeqytetas.
E pra, nëse doni të dini se çfarë po përgatitet të ndodhë me pronën publike që sot quhet Teatër Kombëtar,
si spektator dhe kritik i vjetër i këtij filmi të shëmtuar, po jua them: kjo
nuk është gjë tjetër veçse thjesht vazhdimi me aktorë të vjetër e të rinjë i puntatave
të para me titujt “Kioska e Xhatit” dhe “Bingo Ylli”. (Panorama, 24 shkurt 2018)