Friday, February 23, 2018

Teatri - puntatat e para të serialit “PPP” të Ramës


Kjo historia e Teatrit që duan ta ndërtojnë me PPP (partneriteti publik privat) nuk është e re. Seriali i filmit “PPP” të Ramës i ka nismat e veta të para me kioskat që zaptuan Tiranën. Unë, (pushtetari) kam në dorë të të jap ty (privatit) një shesh nga parku publik; ti më jep ca para, si shpërblim, dhe ndërton atje një kafe apo piceri me të cilën nxjerr fitime. Pastaj hamë e pimë atje sëbashku dhe bëjmë edhe pazare të tjera më serioze. Ja, kaq e thjeshtë është. Më kujtohet se edhe Akademija e Arteve dha asokohe leje për një kioskë të tillë në oborrin e saj, që quhej “e Xhatit”, ku njerëzit e rëndësishëm të Akademisë si Rama, që e kishte zbukuruar kioskën me pikturat e veta, hanin qyl për “nderin” që i kishin bërë Xhatit. Ky fillim vazhdoi më pas me “Bar Akademia”, qe zinte gjithë lulishten, “Bar House of Arts” dhe “Radio House of Arts”, të dyja nën sallën e Teatrit të Akademisë, që u bënë pronësi e Fidel Yllit, i cili e kishte filluar biznesin edhe ai me një kioskë të dhënë nga pushtetarët.
Në një nivel pak më të lartë ky partneritet u bë me Teatrin Kombëtar. Sikurse dihet teatri Kombëtar ka dy ndërtesa në disponim. Atë ku ndodhet sot salla kryesore dhe atë ku ndodhet teatri eksperimental. Në vitin 1995, kur rrogat, sikurse dihet, ishin shumë të vogla dikush solli nga Bullgaria idenë gjeniale që ndërtesën e eksperimentalit ta jepte me qira për të vendosur atje një bingo. Në këtë mënyrë u lidh një kontratë midis Teatrit Kombëtar dhe Bingo Yllit. Sipas kësaj kontrate Bingo Ylli do t’i jepte teatrit 74 000 dollarë në vit nga fitimet e veta, me të cilat do të sponsorizohej ndonjë shfaqje, do të mbyllej ndonjë vrimë dhe do të shtoheshin rrogat e aktorëve e regjizorëve me 50 dollarë në muaj.
Ja çfarë koncepti për shtetin dhe respekti për artin kanë pasur ata që udhëhoqën të ashtuquajturin revolucion demokratik. Një mjerim i vërtetë, jo ekonomik, por shpirtëror e kulturor. Nëse Krishti i hoqi tregëtarët nga tempulli, këta i futën. Ishim vërtet të varfër, por jo aq sa të fusnim në tempullin e artit, ekonominë e bixhozit? Edhe kinematë filluan të shndërroheshin, po me këtë praktikë, në qendra bixhozi.
Pastaj erdhën Fatos Nano dhe Edi Rama me shokë, që pretendonin se dinin diçka më shumë se Saliu me shokë  për  shtetin, ekonominë e tregut dhe për artin e kulturën. Po çfarë ndodhi me kontratën e Teatrit me Bingo Yllin? Po jua kujtoj se ndoshta e keni harruar: Qeveria Nano bëri asokohe disa ndryshime në ligj përsa i përket dhënies me qira të hapësirave publike për privatët. Sipas një VKM-je, drejtorët e institucioneve mund të jepnin me qira vetëm një hapësirë që nuk i kalonte 200 metrat katrorë. Nëse sipërfaqja ishte midis 200 dhe 500 atëhere kjo e drejtë firme i kalonte ministrisë së linjës, që në këtë rast ishte ajo e kulturës. Kurse, nëse sipërfaqja i kalonte 500 metrat katrorë, atëhere kompentenca i kalonte ministrisë së ekonomisë. Shumë e drejtë, apo jo? Pse të njëtën vlerë ka firma e një drejtori me atë të një ministri?
Kështu, sipas ligjit të ri, duhej të lidhej një kontratë e re midis Bingo Yllit dhe Yllit të Ministrisë së Ekonomisë të asaj kohe me mbiemrin Bufi, sepse, siç e tregon edhe një faqe e kontratës së mëparshme, që është denoncuar në shtyp që në vitin 2002 në gazetën Dita,  sipërfaqja që kishte marrë Ylli i bingos ishte 575 metra katrorë. Por, siç e tregon faqja e kontratës  që u lidh, nuk ndodhi kështu sepse sipërfaqja na qenka reduktuar (dmth. falsifikuar), në fiks 500 metra katrorë; kështu që të drejtën e firmës na e ka marrë dora vetë Ministri i Kulturës, shefi i PPP-ve të sotme, Edi Rama. Dhe ç’është më e bukura  a e dini rezultatin? Nga 74 000 dollarë  në vit Teatri mori më pak se gjysma  (4 mil lekë).  


Për ata që kanë harruar çfarë ndodhi më tej në ato vite po rikujtoj se, kur Majko erdhi në pushtet, shkarkoi drejtorin e emëruar nga Rama,  Xhevdet Ferrin. Po pse? Sepse ky, duke qenë si Edi Rama për ndërtimin e teatrit të ri, në stilin e njohur të lënies së objekteve në gjendje të mjerë, për të justifikuar pastaj prishjen, nuk kishte bërë, çprej një viti e gjysëm, tenderin e rikonstruksionit të pjesshëm të Teatrit. Këtë e bëri kryefirmëtari i peticionit për shpalljen e Teatrit Monument kulture, Agim Qirjaqi, që e zëvendësoi. Ndërkaq Xhevdet Ferri në fjalimin e lamtumirës, harroi të falenderojë aktorët dhe regjizorët, por nuk harroi të falendorojë përzemërsisht Bingo Yllin, ndonëse administratori i saj, ndërkaq, kishte rënë në burg. Dhe a e dini për çfarë motivi? Për gjobëvënie ndaj një biznesmeni kryeqytetas.
E pra, nëse doni të dini se çfarë po përgatitet të ndodhë  me pronën publike që sot quhet Teatër Kombëtar, si spektator dhe kritik i vjetër i këtij filmi të shëmtuar, po jua them: kjo nuk është gjë tjetër veçse thjesht vazhdimi me aktorë të vjetër e të rinjë i puntatave të para me titujt “Kioska e Xhatit” dhe “Bingo Ylli”. (Panorama, 24 shkurt 2018)


No comments: