Këtë
shkrim për opozitën shqiptare po e filloj me dy kronika të kohëve të fundit që
kanë protagonist Sali Berishën.
Kronika
e parë është ajo ku paraqitej Sali Berisha në kullën ABA Center, në përurimin e
organizuar nga pronari i saj, oligarku Bashkim Ulaj, me rastin e hapjes së
televizionit të tij që u mbiquajt CNN-i shqiptar – shoqëruar me komentet e ish
kreut të PD-së që, me dy fjalë, tha se ky televizion do të jetë nga ata që do
të thonë me të vërtetë të vërtetën.
Kronika
e dytë ishte një intervistë e ish ministrit të PD-së Arben Imami që, mes të
tjerash, duke përshkruar krizën e PD-së, tha se ne gjendjen ku është katandisur
ajo me Lulzim Bashën e vetmja rrugëzgjidhje është rikthimi i Berishës në krye
të saj (zgjidhje që nuk e kërkon vetëm Imami).
***
E
vërteta është se kohët e fundit është rritur shumë numri i atyre njerëzve që, pasi
ankohen pa fund për mashtrimet, arrogancën dhe korrupsionin e rilindasve, si
dhe lidhjen e tyre me krimin, që e ka futur ekonominë në një rrugë tejet të
rrezikshme jo vetëm për progresin, por edhe për lirinë dhe demokracinë, e
mbarojnë fjalën e tyre duke thënë “po s’kemi opozitë”. Duket sikur,
paradoksalisht, sa më shumë përkeqësohet mendimi i njerëzve për rilindasit me
Ramën në krye aq më shumë shtohet edhe nënshtrimi i njerëzve përpara kësaj të
keqeje. Dhe emri që përmendet si përgjegjësi i kësaj pafuqije është ai i Lulzim
Bashës. Dhe ja ku na del në skenë nevoja për rikthimin e të fuqishmit Berishën.
Po
a është vërtet kthimi i Berishës një zgjidhje? Gjykoj se të mendosh kështu
është një gabim shumëplanësh që fillon nga vlerësimi gabim i krizës së PD - sikur
kjo të vijë për shkak të liderit të saj të pafuqishëm. Sepse, pa mohuar rolin
që ka energjia dhe karizma e një individi në jetën politike të një vendi dhe pa
mohuar kritikat e shumta që Basha i meriton, ta reduktosh gjithë fatin e luftës
politike në ndeshjen midis dy liderëve është jo realiste. Problemi i pafuqisë së PD-së sot nuk është
mungesa e një lideri të fortë autoritat që mund të bashkojë opozitën e përçarë
kundër një lideri të fortë autoritar siç është Rama në krye të PS-së. Madje do të thoja se është e gabuar të
mendosh edhe se lideri autoritar i tipit Berisha – Rama, që Basha kërkon të
imitojë, gëzon simpatinë e shumicës së shqiptarëve. Aq më tepër kur shqiptarët po
e shohin këtë autoritarizëm të shfaqet tek Rama në formën më perverse. PD-ja
nuk është në krizë për mungesë të një lideri të tillë, por pasi nuk mund të tërheqë
dot rreth saj njerëzit që kërkojnë ndryshim. Dhe kjo jo për shkak të paaftësisë
apo pafuqisë së Bashës për të përbashkuar PD-në por për shkak të mëkateve të asaj
të kaluare që disa duan të na rikthejnë me rikthimin e Berishës.
Dhe
këtu po dal tek kronika e parë që përmenda. Vizita e Berishës tek oligarku Ulaj
dhe promovimi që i bëri televizionit të tij të ri ishte një sinjal i qartë se Sali
Berisha nuk mund të përfytyrojë një lojë tjetër politike përveç asaj që ka
luajtur deri tani. Puna është se Shqipërisë sot po ia merr frymën pikërisht sistemi i përqendrimit të pushteti
politik, mediatik, financiar - ekonomik në pak duar politikanësh e oligarkësh. Është
ky sistem, dhe jo thjesht Rama që, për të mbijetuar, sot ka futur në politikë dhe
ekonomi edhe krimin e organizuar. Nëse Ulaj ka vendosur të ngrerë një
televizion edhe më budallai e di se ka vendosur ta bëjë këtë jo për të
mirënformuar shqiptarët për të këqijat e këtij sistemi, por për të fuqizuar
pushtetin e tij brenda këtij sistemi ndoshta duke parë se sivëllezër të tij me
televizone kanë arritur të marrin më shumë. Problemi sot është se fuqia e Ramës
qëndron pikërisht në faktin se atyre që kanë ngritur sistemin e grabitjes dhe
mashtrimit u duhet në krye një njeri gjithnjë e më mashtrues, sepse, siç
tregojnë studiuesit e sistemeve të përfitimit të ngritura mbi mashtrimin, sa më
shumë këta bijen në krizë aq më shumë shtojnë dozat dhe format e mashtrimit.
Dhe në pikën e aftësisë dhe paturpësisë së mashtrimit Rama ua kalon të gjithëve.
Prandaj ta zhvillosh luftën politike me synimin për të marrë rolin e Ramës në
krye të tryezës së oligarkëve është jo vetëm e gabuar për të nxjerrë Shqipërinë
nga balta por edhe për të nxjerrë PD-në nga opozita.
Sot
nuk kemi nevojë për një rikthim të Berishës në krye të të gjithë mëkatarëve të
PD-së, por për një parti (jo thjesht opozitë) që veprojë e sillet ndryshe: duke denoncuar
dhe duke u kthyer kurrizin oligarkëve dhe duke e kthyer fytyrën nga njerëzit që
po vuajnë prej tyre. (Panorama, 27 janar
2018)
No comments:
Post a Comment