Çfarë
duhet të bëjnë njerëzit kur shohin një kryeministër që, pasi u ka marrë votën
duke premtuar ulje të taksave dhe përmirësim jetese, pa përfillur as fjalën e
dhënë, as gjendjen e tyre në zgrip të mbijetesës, as ekspertë, dhe as ligje, e ngre traun e taksave
e gjobave sa herë i teket duke u marrë edhe kacidhet e fundit për t'i ndarë me një grusht oligarkësh të cilëve
u jep pastaj të drejtën të ndërtojnë kulla qejfi e pushteti në sheshet publike
ku deri dje luanin fëmijët shqiptarë?
Çfarë
duhet të bëjnë njerëzit kur shohin një kryeministër që sëbashku me oligarkë e
tij u vjedh përditë trashëgimtarëve të
ligjshëm dhe shqiptarëve në përgjithësi copa të bregdetit për të ndërtuar atje
sarajet e verës së këtyre oligarkëve?
Çfarë duhet të bëjnë njerëzit kur shohin se të
njëjtën gjë bëjnë edhe me lumenjtë e me gjithë pasuritë e përbashkëta që kryeministri
dhe oligarkët e tij i shohin thjesht e vetëm si mundësi pasurimi për veten?
Çfarë
duhet të bëjnë njerëzit kur shohin një kryeministër që, pasi ua merr votën duke
u premtuar “zero ndërtime”, pa pyetur as për historinë e tyre as për cilësinë e
jetës u ngre pallate përpara ballkoneve e dritareve duke shpëlarë paratë e
trafikantëve që e kanë ndihmuar të blejë votën e atyre që s’ua ka marrë dot me
mashtrime?
Çfarë
duhet të bëjnë njerëzit kur shohin një kryeministër që, në bashkëpunim me
oligarkët e tij, duke shkelur ligjin, ua rrethon stadiumin me status monument
kulture dhe ua shemb përpara syve? Po, kur pas një viti, duke parë suksesin e
këtij maskarallëku kërkon të shkatërrojë edhe Teatrin Kombëtar për të ngritur
në truallin e tij publik gjashtë kulla medemek si çmim që oligarku i tij të na
bëjë një teatër të ri?
Përgjigja
e parë (demokratike) është që të flasim e denoncojmë këtë përdorim
skandaloz të shtetit për interesa
private, këtë regjim që, me Edi Ramën po shkon dita ditës drejt atij që quhet
fashizëm ekonomik, dmth. një regjim ku qeveria “e oligarkëve”, “nga oligarkët”
dhe “për oligarkët” po arrin deri në përdorimin e dhunës për të mbrojtur
interesat e veta.
Mirëpo,
çfarë duhet të bëjnë njerëzit, kur, edhe pasi flasin, përgjigja që vjen nga
Kryeministri dhe oligarkët e tij është mospërfillja, denigrimi, shantazhimi, dhuna
verbale dhe etiketimi nëpër medjat si plehëra kazani?
Përgjigja
e dytë (demokratike) është denoncimi në institucionet e drejtësisë të të gjitha
shkeljeve ligjore.
Por,
çfarë u mbetet njerëzve të bëjnë kur, edhe pasi bëhen këto denoncime, policia dhe
drejtësia nuk veprojnë, sepse kontrollohen nga kryeministri dhe oligarkët e tij
ose sepse kryeministri ka sajuar ndërkaq VKM pas VKM-je për të ligjëruar vjedhjet
që ka bërë sëbashku me oligarkët e tij?
Një
përgjigje gjithnjë demokratike janë protestat paqësore. Të tilla ka pasur jo
pak, por kryeministri dhe oligarkët e tij nuk kanë ndalur. Të shkretët njerëz, që nuk e duan dhunën apo i
frigohen asaj, janë përgjigjur duke marrë plaçkat dhe kërkuar azil në masë edhepse
nuk jemi në luftë civile e nën bombardime si gjetkë. Mirëpo megjithë sinjalet dramatike
që ka dhënë ky ekzod Kryeministri dhe oligarkët e tij nuk kanë reflektuar as
një çast për njerëzit që ikin për t'u shpëtuar bombardimeve të grykësisë së tyre,
por kanë vazhduar ta ngrenë traun e grabitjes, arrogancës, paturpësisë?
Dhe, së fundi, çfarë u mbetet njerëzve të bëjnë kur shohin se kryeministri nuk
mjaftohet me këto, por, duke pasur në dorë të gjitha instrumentet e shtetit që
punojnë për të dhe oligarkët, jo për njerëzit, edhe i poshtëron duke i quajtur “dele”
e njerëz të tredhur?
Dhe
ja ku erdhi ngjarja e Kukësit si reagim i njeriut të grabitur, fyer e
poshtëruar që nuk sheh rrugë tjetër daljeje nga gjendje e tij e dëshpëruar
përveç asaj fjalës popullore: “Kur mbaron fjala, gjykon palla.” Dihet se
pasojat e dhunës janë gjithmonë të rrezikshme sepse dhuna pjell dhunë, por për
gjithë sa thashë më lart përgjegjës për dhunën e kuksianëve është dhuna
kryeministrore dhe ajo e oligarkëve bashkëpunëtorë të tij, dhuna strukturore e
një regjimi fashistoid që ka kohë që po u merr frymën njerëzve. Në gjykimin e
kësaj ngjarjeje duhet të ndjehemi të gjithë kuksianë sepse të gjithë në Jug dhe
në Veri po e përjetojmë në forma të ndryshme këtë dhunë. Përgjigja e kuksianëve, si e shqiptarëve më të goditur nga taksa grabitqare e Rrugës së Kombit, është
edhe përgjigja jonë e munguar për grabitjet që po na bëhen përditë. Ajo është edhe
shpresëdhënëse sepse, kurajua e tyre na tregoi se përveç ikjes, nënshtrimit,
dhe shitjes së votës për pesë lekë ka
edhe rrugë të tjera për ta ndalur dhunën fashistoide të këtij regjimi, por edhe
pse mund të shërbejë si një mësim dhe paralajmërim për çdo qeveritar dhe
biznesmen që sillet si këta që na kanë sjellë në këtë gjendje. (Panorama, 2-3 shkurt 2018)
No comments:
Post a Comment