Thursday, January 30, 2014

Vrasjet dhe debati fals mbi policinë

Pas shkrimit tim "Humbja e kredibilitetit dhe militantizimi i shoqërisë", thelbi i të cilit ishte se dy forcat politike që kemi kompensojnë kredibilittin e humbur nëpërmjet uzurpimit të çdo hapësire publike dhe militantizimit të shoqërisë, më kanë ardhur një sërë kritikash - të përsëritura tashmë - ndaj këtij qëndrimi që ka kohë që e mbroj. E kam fjalën për kritikat sipas të cilave unë, dhe ata që mendojnë si unë, duke i kritikuar apo akuzuar të dy palët, duke mbajtur distancë nga të dy palët, duke thënë se të dy palët janë njëlloj, "dy banda" etj. - prodhojmë sterilitet politik, ruajtje të statukuosë.  Dje, ata që ishin në opozitë më akuzonin se kështu po i shërbeja maxhorancës në pushtet, të cilës i interesonte statukuoja, kurse sot këta që janë në opozitë më akuzojnë për të njëjtën gjë.
Problemi është se unë i mshoj pikërisht të kundërtës: se është pikërisht dinamika false maxhorancë - opozitë,  e cila, në mungesë të forcave të reja politike, drejtësisë dhe të medieve e shoqërisë civile që duhet të denoncojnë të dyja palët, dhe jo të bëhen pjesë e njërës apo tjetrës, ka prodhuar dhe po vazhdon të prodhojë sterilitet politik dhe ruajtje të statukuosë.
Le ta ilustroj këtë që mbroj me mënyrën se si e trajton kjo kastë politike një fenomen jashtëzakonisht të rëndë që po grryen ndjenjën e sigurisë së jetës në Shqipëri. E kam fjalën për numrin e madh të vrasjeve ku spikasin edhe ato të kohëve të fundit me atentatete me tritol. Para dy ditësh përsëri një shpërthim tritoli në makinë i mori jetën në Durrës një personi që merrej me ndërtime.
E pra cili është debati apo polemika midis maxhorancës dhe opozitës që po zhvillohet lidhur me krime të tilla. Opozita akuzon se krimi ka marrë dhenë ngase janë hequr policët e aftë dhe janë zëvendësuar me militantë. Nuk mungojnë edhe akuza sipas të cilave disa krime që kanë ndodhur kundër kryekomunarësh të PD-së janë organizuar për të terrorizuar opozitën ashtu sikurse nuk mungoi edhe akuza e fundit sipas së cilës vetë kryetari i PS, Edi Rama, dhe krerë të tjerë të partisë janë krahu politik i krimit. Nga ana e maxhorancës pretendohet se krimi është paksuar dhe jepen edhe shifra për këtë dhe vazhdohet me denoncimin e policisë së Berishës, e cila ka qenë e militantizuar dhe e lidhur, ajo, me krimin.
Unë ngulmoj se të kapemi dhe mbetmi tek një polemikë e tillë do të thotë t'i ikim debatit të vërtetë që duhet bërë lidhur me krimin në Shqipëri. Askush me dy para mend në kokë nuk beson se këto krime që po ndodhin sot janë shtuar pasi u zëvendësuan disa oficerë e policë të aftë me disa të paaftë. Askush nuk beson se iu bëka atentat një kryekomunari në një komunë, për të terrorizuar opozitën, ashtu sikurse askush nuk beson se krimi po pakësohet ngase socialistët kanë vënë ca më të zot apo edhe ngase iu rrit rroga policëve apo ndryshuan ca struktura apo emra strukturash. E vërteta është se për të ulur krimin ne kemi nevojë më së pari të kërkojmë shkaqet më të thella e më të vërteta  të tij - përse psh. i është vënë tritol personit në Durrës apo kryekomunarit - dhe tu shkojmë deri në fund këtyre shkaqeve për të kuptuar sistemin, rrjetin e lidhjeve mafjoze, ekonomike e politike viktimë e të cilave kanë rënë këta duke qenë ndoshta edhe bashkëpunëtorë dje. Unë besoj se ky hetim do të na çojë, në një formë ose në një tjetër, tek ajo që është më e besueshme: se sistemi ekonomik dhe politik që kemi ngritur është i lidhur ngushtësisht me krimin dhe se numri spaktakolar i vrasjeve dhe atentateve që po ndodhin sot është shenjë e rëndimit të këtij sistemi në një kohë krize siç jemi sot.
E pra unë shtroj pyetjen: a mund t'i hyjnë këto forca politike që kemi debatit mbi krimin deri në këtë thellësi dhe të ndërtojnë, pastaj, strategji, edhe të përbashkëta, për luftën kundër krimit? A mundet një gazetari në shërbim të këtyre forcave politike apo edhe një prokurori të hetojë deri në këtë nivel pa dallim partiak?  Unë them jo sepes nuk janë të interesuar për këtë pasi kjo rrugë i çon tek dega ku rrinë vetë. I kujtoj lexuesit se para disa javësh i bëra një letër të hapur Prokurorit të Përgjithshëm ku i kërkoja të hetonte me gjithë seriozitetin e duhur mbi atë se kush e vuri tritolin në makinën e prefektit të Vlorës pasi kishim dy versione politike: një të opozitës dhe një të maxhorancës, që diktonin dënimin e njërës ose tjetrës palë. Asgjë nuk ndodhi. Sepse tek ne nuk bëhet zbulimi, por e kundërta: për të mbuluar të vërtetën dramatike të krimit devijohet debati tek akuzat e ndërsjellta dhe mbrojtjet e ndërjellta se këto akuza janë palitike. Pastaj, nëpërmjet militantizimimit, kërkohet t'i imponohet shoqërisë ideja se e gjithë e vërteta qëndron tek ky debat fals. Në fakt ky është steriliteti i politikës dhe ruajtja e statukuosë dhe pikërisht për këtë duhet të dilet jashtë shinave të debatit fals të kësaj kaste politke për të hapur rrugë të reja debati, kontestimi dhe denoncimi të vërtetë. Dhe unë them se atëhere ky debat e denoncim i vërtetë do të na çonte tek fakti se krimi i organizuar dhe i paorganizuar, madje edhe vrasës, kanë hyrë sot deri në Parlamentin shqiptar pa dallim partiak e kjo do  të duhet të ngrinte shoqërinë në këmbë në protesta edhe më të fuqishme se ato kundër sjelljes së armëve kimike. (Panorama, 27 janar 2014)

Kredibiliteti i humbur dhe militantizimi i shoqërisë


Po të shprehja me dy fjalë problemin kryesor që ka klasa jonë politike sot në raportin me publikun do të thoja: i mungon kredibiliteti.
Ç'kuptohet me kredibilitet të një force politike?  Thjesht çfarë kuptohet edhe në raportin tonë me një njeri tjetër: mbajtja  e fjalës së dhënë, e premtimeve, përputhshmëria e asaj që thua me atë që bën.
Nëse do të kujtojmë premtimet elktorale të Partisë Socialiste përpara zgjedhjeve nuk mund të mos bjerë në sy lehtësia me të cilën janë bërë disa premtime dhe, po ashtu, lehtësia me të cilën janë "harruar" ato. Psh: premtimi i shërbimit shendetsor falas, premtimi i legalizimeve gratis, i kompensimit të plotë brenda dy vjetëve të ish të përndjekurve politikë; premtimi për transparencë, premtimi për 300 000 vende pune, premtimi për konkurse të ndershme dhe jo pa to ose me farsa konkursesh. Për të mos përmendur historinë e armëve kimike ku Kryeministri, ndërkohë që na kishte premtuar se pushtetin e kishim ne, populli, ndërsa ai ishte thjesht shërbyes, u kishte premtuar amerikanëve me kokë të vet t'i sillte ato në Shqipëri.
Normalisht mjafton një gënjeshtër për të humbur besimin kurse maxhoranca ka bërë shumë të tilla. Për të mbuluar këto gënjeshtra është përdorur "arka bosh" e shtetit e lënë nga PD-ja. Por a mund të thuhet se nuk e dinin që arka ishte bosh. Jo. E kemi ditur të gjithë  - madje Rama i ka denoncuar borxhet që kur ishte në opozitë. Dikush mund të ngrerë pyetjen: po si thua ti, a mund të fitonte PS-ja sikur të dilte e të thoshte: "o njerëz, ne nuk ju premtojmë gjëra që s'i realizojmë dot, veçanërisht pa parë një herë se si është arka e shtetit pasi kemi shumë të dhëna që ajo është bosh." Sipas meje po - sikur të shtonte edhe diçka tjetër: "por ne ju premtojmë se të gjitha ato që kemi premtuar do t'i mbajmë e mbi të gjitha premtimin se nuk do t'ju vjedhim e grabisim." - e ta bënin këtë realitet. Por askush nuk e ndërmerr këtë lloj politike. Pse kështu? Mos ngase u është krijuar bindja se gënjeshtra me këtë popull funksionon më mirë për pushtetin sesa e vërteta? Sipas meje, jo, është më e komplikuar se kaq. Por le ta shtjelloj idenë time pasi të shkruaj edhe për kredibilitetin e opozitës.

Problemi i opozitës me kredibilitetin sipas mendimit tim, është sot edhe më i madh. Sepse jo më larg se disa muaj më parë ajo është ndëshkuar pikërisht për zhgënjimet e mëdha përsa i përket premtimeve të pambajtura. Prandaj tingëllojnë padurueshmërisht jo kredibël deklarimet e Berishës kundër mafjozëve ndaj të cilëve kishte premtur luftë - madje ishte i detyruar të luftonte kur ishte në pushtet - dhe që, në fakt, gjatë qevrisjes së tij, qënkan fuqizuar aq shumë sa i morën edhe pushtetin. Janë po ashtu të pabesueshme "analizat" e Bashës nëpër takimet që bën sipas të cilave zgjedhjet u humbën për shkak se opozita i mashtroi qytetarët me premtime të gënjeshtërta, të cilat ata, naivë deri në idiotësi, i besuan.
Por kriza e kredibilitetit të opozitës thellohet edhe më kur ke parasysh jo vetëm hendekun midis asaj që ka premtuar e asaj që ka bërë në pushtet, por edhe midis asaj që ka thënë kur ishte maxhorancë dhe asaj që thotë sot. Lulzim Basha deklaroi para disa ditësh, duke cituat Reganin, se problemi në një demokraci  "është gjithmonë qeveria" jo opozita. Por deri dje a nuk ia faturonin opozitës destruktive të Ramës shumë mosrealizime të tyre? Si ka mundësi që tani bëjnë thirrje për revolta popullore - dhe ta do mendja se e kanë fjalën për një simulim revoltash me militantë e vet, siç ka bërë edhe opozita e mëparëshme? A nuk jemi në aplikimin sot pikërisht të asaj që kanë denoncuar dje?
Sipas meje e di edhe Basha vetë që thotë të pavërteta të mëdha. Edhe ai, ashtu si rivali i tij në pushtet, duket sikur pandeh se gënjeshtra funksionon më mirë sesa e vërteta. Po a është kështu? Apo janë të shtrënguar të gënjejnë pasi nuk e thonë dot të vërtetën, gjithë të vërtetën.
Për mua është kjo e dyta: thonë gjysëm të vërtetat e tjetrit që asgjësojnë njëra tjetrën pasi nuk thonë dot të vërtetën e tyre. Dhe kjo ka kohë që ndodh duke u rrëzuar përtokë kredibilitetin. Por problemi është: si qëndrojnë në këmbë këto parti me këtë kredibilitet të rrëzuar? Sipas meje dy janë faktorët kryesorë që kompensojnë mungesën e kredibilitetit dhe justifikojnë gjuhën e gënjeshtrave: I pari është monopoli ndaj politikës që kanë dy partitë kryesore. Njerëzit janë të detyruar të blejnë mallin e tyre fallco pasi në tregun e politikës nuk ka mall tjetër. E dyta, ky monopol mbahet në këmbë nëpërmjet luftës së vazhdueshme për militantizimin e shoqërisë ndryshe llogorizimin e njerëzve, ndarjen e tyre sipas slloganit enverist "o me ne, o kundra nesh". Dhe kjo sjell zhdukjen e hapësirave ku mund të lindë diçka e re apo të qëndrojë pjesa më racionale e shoqërisë, por edhe institucionet e pavarura të tilla si mediat, gjyqsori, shoqëria civile. Kjo luftë justifikon edhe gënjeshtrën si mjet. Kredibiliteti i humbur i partive kompensohet kësisoj me besnikërinë e militantëve, me mobilizimin e tyre për luftë kundër armikut (në fakt për vende pune) si dhe (kur vjen puna për t'iu drejtuar pjesës së zhgënjyer) me thirrjen për zgjedhjen e të keqes më të vogël.
Në periudhën ku kemi hyrë maxhoranca është duke përdorur në fuksion të kësaj strategjie tre elementë kryesorë: së pari po shfrytëzon namin e keq që ka lënë opozita sotme kur ka qenë në pushtet. Pra duke vazhduar të denoncojë e të nxjerrë prova që tregojnë se sa larg kishte shkuar në korrupsion e skandale e në dëme, sikur kërkon të lerë në harresë premtimet e gënjeshtërta që na ka bërë. Së dyti, po punëson sa të jetë e mundur të vetët duke zëvendësuar përsëri kredibilitetin me militantizmin. Së treti, po përdorur karrotat e pushteti, duke afruar sa të jetë e mundur intelektualë, gazetarë në krahun e vet. Kësisoj denoncimi i gënjeshtrave apo mosmbajtja e premtimeve i mbetet vetëm armikut i cili - për shkak të pikës së parë - nuk është kredibël. Me këtë nuk dua të them se s'ka bërë asnjë punë të mirë në kahun e mbajtjs së ndonjë prej premtimeve, por dominante më duket çka thashë më sipër

Opozita, nga ana e vet, në traditën e vjetër po synon të rifitojë kredibilitetin e humbur duk u mjaftuar me denoncimin e të keqijave që po bën maxhoranca. Nuk jam kundër, por si po e bën këtë dhe a mjafton kjo? Është krijuar një situatë kaq absurde saqë i sheh  zëdhënësit e opozitës të shprehin ditë për ditë një lloj gëzimi mediatik për çdo vrasje që ndodh në Shqipëri pasi kjo provokërka se sa poshtë ka rënë policia që tani drejtohet nga kundërshtari. Megjithëse njerëzit e dinë mirë se tërë problemet me krimin e vështirësitë ekonomike tek ne janë probleme të trashëguara, opozita vazhdon tu flasë atyre sikur të jenë militantë syverbër. Dhe e bën këtë me vetdije, sipas strategjisë që përmenda më sipër. Në fakt kredibiliteti i një opozite si kjo që kemi do të mund të fitohej ose nëpërmjet një pendese të madhe - që më të shpeshtën shoqërohet edhe me dorëheqje të rëndësishme; ose me një pastrim të madh, që më së shumti bëhet nga të rinjtë në parti. Kurse opozita jonë nuk shfaq as pendim dhe as pastrim. Vetëm denoncon duke dashur të përçojë idenë se përderisa i denoncoj këto gjëra, kur të vi në pushtet nuk do t'i bëj. E dinë edhe vetë se nuk ka ndodhur kështu, por pune e madhe që nuk ka ndodhur kështu. Ajo që ka ndodhur ka qenë ardhja, megjithatë, në pushtet. Mjaft të presësh gabimet e kundërshtarit dhe të luftosh pa rreshtur për polarizimin dhe boshatisjen e hapësirës midis dy armiqve dhe këto e zëvendosojnë për mrekulli pendesën dhe pastrimin.  Shtoi kësaj edhe idenë e kultivuar nga gazetarët e llogoreve që e quajnë "antiopoizitarizëm" kundërvënien ndaj opozitës që asaj t'i duket se puna e gazetarëve apo shoqërisë civile është marrja vetëm me qeverinë dhe heshtja ose mbështetj ndaj saj ndaj saj se përndryshe janë shërbëtorë të pushtetit. Kësisoj, nuk do të vonojë dita kur do të hedhë edhe parrulllën "të bashkohen të gjithë plehërat kundër Ramës"
E vërteta është se kësaj strategjije militantizimi të shoqërisë i ka dalë boja. Njerëzit e dinë mirë se problem mund të jetë maxhoranca, mund të jetë opozita, mund të jenë edhe të dyja dhe se tek ne është mëse evidente se që të dyja kanë problemin e madh të mungesës së kredibilitetit. Në këto kushte nga një maxhorancë sadopak racionle pritet që të reshtë përdorimin e pushtetit për të militantizuar njerëzit - dhe të fillojë të lerë hapësirat për ata që duhet të jenë media, shoqëri civile e institucione të pavarur e jo t'i pushtojë ato. Nga opozita pritet të bëjë denoncimin e së keqes brenda vetvetes më së pari që të mund së sjellë pastrim dhe pendim e prandaj edhe kredibilitet dhe mbështetje nga të pavarurit dhe jo militantizimin e shoqërisë. Por nga sa duken bathët ky vullnet politik mungon krejtësisht nga të dy palët. Prandaj ka vetëm një rrugë: u duhet marrë me guxim dhe përditë hapësira që ata tentojnë ta uzurpojnë çdo ditë. Të presësh që ata do të mundësojnë hapjen e këtyre hapësirave vetë është iluzion me pasoja të rënda. (Panorama, 22 janar 2014)

Wednesday, January 29, 2014

S’mbahet shteti me gjoba



Çdokush që lëviz me makinë po jeton këto ditë një klimë frike nga policia rrugore, të pajetuar ndonjëherë këta njëzet vjet. Policë me bllok gjobe në dorë i presin në çdo cep rruge, në çdo rrethrrotullim  dhe i ndalojnë të gatshëm për tu venë gjobë. Janë aq të zellshëm në punën e tyre sa kush nuk do të prishë gjakun e  nervat më mirë të mos e marrë makinën.
Një burrë i vjetër që ka një makinë të vogël më tha se e kishin ndaluar dy herë tek rruga e Durrësit në dalje të Tiranës brenda dyqind metrash. Herën e parë tek rrethrrotullimi me shqiponjë. Nuk e mora vesh - më tha - isha i sigurt që qeshë në rregull me të gjitha, por ai më tha "kush e ka precedencën?" Të imagjinosh se mund të respektohet ndonjë rregull precedence në atë rrethrrotullim, ku s'ka as sinjalistikë precedence si në gjithë botën, është njëlloj sikur të kërkosh qiqra në hell. Shoferët atje përpiqen ku të gjejnë ndonjë hapësirë sa majtas djathtas për ta futur makinën. Pastaj, jo më larg se dyqind metra më tej, tek kthesa për Kamëz, një tjetër polic e kishte ndaluar dhe i kishte thënë "pse nuk i ndez dritat?" Edhe ai me bllok gjobe në dorë. Ndërkohë miku im i gjorë nuk dinte të thoshte nëse kthesa e Kamzës quhet Tiranë, ku mbahen dritat shuar, apo jashtë Tirane ku duhen ndezur dritat.
Shkurt është mëse e qarë se policia është lëshuar në një aksion gjobvënieje dhe duhet të jesh idiot që të mos kuptosh se ky është një "aksion me goditje të përqendruar" që bëhet nga nevoja për para. Ka gjasa që policive tu jetë thënë se po nuk realizuan planin e gjobave nuk kanë rroga.
Nuk e di se kush e ka dhënë urdhrin, por unë do t'i sugjeroja Ministrit apo Kryeministrit që ta zhbëjnë këtë urdhër sa nuk është vonë për të gjithë.
Së pari, ne kemi nevojë të mos armiqësohemi me shtetin dhe më shumë nga ç’jemi armiqësuar, të ndjejmë se shteti është në krahun e ligjit me të vërtetë dhe jo se po abuzon me të në kurrizin tonë. Vetë akti i ndalimit të tjetrit në rrugë është një akt që duhet evituar sa të jetë  mundur, sepse është ndërhyrje në qetësinë e qytetarit që po shkon në punë të vet dhe jo më edhe vënia e gjobës për minimumin e shkeljes ose pa shkelje fare.  Aq më tepër kur, si shtet, i ke për ibret rrugët, vendparkimet, vizimet e më the të thashë.
Së dyti, gjuha e përdorur nga ndonjë shef i policisë rrugore se këto gjobitje janë punë normale e policisë dhe se njerëzve u bën përshtypje ngase më parë nuk viheshin gjoba është një gënjeshtër e dyfishtë që demaskon krejt moralitetin e qeverisë.  Ne i kemi provuar mirë, edhe më parë, ndalimet nga policët për të të marrë ndonjë lek, madje kemi provuar edhe epideminë gjobitëse të karroatrecit për interes privat. Kjo e tanishmja dallohet prej tyre sepse duket sheshit se është e organizuar nga shteti, por pikërisht për këtë është një grabitje që përjetohet më rëndë sesa ajo privatja sepse nga qeveria e re ne presim të na shërbejë, siç thotë Kryeminstri dhe Kryeshërbëtori ynë, dhe jo të na presë me bllok në dorë për të na gjobitur. Më mirë të na thonë: "të dashur qytetarë, jemi keq, kontribuoni për rrogat e policëve tanë duke dërguar një sms me celular në filan numër, sesa të bëjnë sikur po na edukojnë e po na shpëtojnë nga rreziqet. Sepse, kështu minohet çdo besim tek qeveria.
Së treti, ky aksion, futet në kuadrin e fushatës së tatimeve e doganave si dhe reformën fiskale, për ta thelluar një perceptim tashmë të krijuar sipas të cilit puna konkrete e kësaj qeverie po reduktohet në punë taksidarësh. Qeveria më së pari duhet të mendojë për të ndërtuar politika që krijojnë vende pune, të ardhura e pastaj mund të vijmë tek taksat që duhet të sjellin të ardhura më shumë për buxhetin pikërisht sepse prodhohet e fitohet më shumë dhe jo në sajë të marifeteve që gjen qeveria për të na zhvatur edhe ato pak para që fitojmë, se pastaj mund të futemi në klimën e frikës se kushedi se çfarë do tu pjellë mendja nesër.
Kur i thashë një polici rrugor, që e kam të njohur: "Po e teproni shumë; 'çdo gjë me masë' ka thënë greku. S’mbahet shteti me gjoba." ai më dha një përgjigje që besoj se do të ishte mirë ta dëgjonin edhe shefat e tij. "Ke të drejtë më tha: edhe tenxherja kur e ve në zjarr të fortë dhe i mbyll kapakun pëlcet e ta hedh gjellën përpjetë, kurse kur e ve në zjarr të ngadalshëm dhe e zien dalëngadalë edhe nuk ta hedh kapakun përpjetë, që të të qërrojë sytë, edhe gjellën e bën më të shijshme." (Panorama, 14 janar 2014)

Mbi debatin për taksat



Debati mbi taksat gjatë këtij muaji nxorri në shesh disa kalçifikime njëzetvjeçare në mendësinë e shqiptarëve që, sipas meje, duhen lëvizur vendit nëse mendojmë të krijojmë një shtet dhe komunitet të aftë për të qëndruar në këmbë me këmbët e veta – çka ende nuk e kemi arritur pas 100 vjetësh krijim të shtetit shqiptar. Një tregues i këtyre kalçifikimeve, që, veç tjerash, flasin jo vetëm për trashëgiminë e izolimit, por edhe për një vazhdim të izolimit mendor të shqiptarëve nga bota, ishte mungesa ose përcipshmëria e trajtimit gjatë debatit për taksat të disa temave, që, sipas meje, do të duhet të kishin qenë në qendër të tij. Po përpiqem të përmend disa syresh.

Raporti i individit me shtetin dhe komunitetin

Ajo që ra në sy më shumë se çdo gjë gjatë debatit ishte fakti se shumica e reduktuan debatin në një çështje të vetme: se sa do të varfërohet apo pasurohet individi apo familja e tij me këtë reformë fiskale duke e reduktuar kësisoj njeriun shqiptar në atë që e quajnë “homo economicus” në trajtën më banale. Duke patur përballë një njeri të reduktuar kështu – reduktim ky që në të vërtetë ka kohë që bëhet -  palët i drejtoheshin atij vetëm për t’i prekur telat e përfitimit, - sa dhe si do t’i hyjë apo dalë prej xhepit. Mazhoranca ngulmoi në atë se shumica e shqiptarëve do të paguanin më pak, dhe prandaj do të ishin më mirë. Opozita e përgënjeshtroi këtë duke thënë se pjesa më e madhe do të varfërohej. Në këtë frymë gjatë gjithë debatit shteti apo komuniteti konsiderohej thuajse si e kundërta e interesit të qytetarit, gati gati si një grabitës i parave të tij dhe, nga ana tjetër, individët konsideroheshin si qënie që, në raport me shtetin dhe komunitetin, s’bëjnë gjë tjetër veçse gjejnë marifete për t’ua hedhur atyre. Prandaj dhe argumenti më i fortë kundër taksës progresive ishte ai se kjo rritje e taksave do të bëjë të mblidhen më pak para pasi do të rrisë prirjen e njerëzve për t’ia hedhur shtetit nëpërmjet informalitetit dhe evazionit fiskal.
Pa dyshim të gjitha këto bazohen në një të vërtetë të madhe: atë se raporti i individit shqiptar me shtetin dhe komunitetin karakterizohet nga një mosbesim i thellë çka ka ardhur kryesisht si pasojë e përvojës që kemi me shtetarët që e kanë përdorur shtetin kundër qytetarit. Ky raport me shtetin dhe komunitetin ka qenë i tillë jo vetën në komunizëm, por edhe më parë, edhe gjatë këtyre njëzet vjetëve gjatë të cilëve shtetarët e kanë parë shtetin dhe komunitetin si mjet për të grabitur paranë dhe pronat publike, me fjalë të tjera edhe taksën e qytetarit. Ajo që e ka mbajtur shtetin në këmbë kanë qenë ndihmat e huaja dhe borxhet galopante. Në thelb këtu qëndron shkaku i dështimit tonë në shtetformim.
Nga pikpamja ideologjike ky dështim në kohën e sotme është lehtësuar goxha nëpërmjet mshimit të kultit të tregut dhe iniciativës private të individit, propaganduar këto jo vetëm si më të rëndësishëm sesa shteti, por edhe si e mira përballë shtetit që përfaqëson të keqen. Kjo ka bërë që taksat të konsiderohen thjesht si një barrë dhe jo si një detyrim prej të cilit rrjedhin edhe shumë të drejta që, tek e fundit, na bëjnë qytetarë të një vendi.
Ve në dukje se, edhe Adam Smith – i cili është konsideruar guruja i teorisë së tregut të lirë, kur flet për taksat tek “The Welth of Nations” (Pasuria e kombeve) thotë se “Ekonomia ka dy objektiva: së pari t’i sigurojë popullit të ardhura të bollshme mbijetese – ose më specifikisht, t’i vendosë qyteterët në kushte që të mund t’i sigurojnë këto të ardhura ; dhe, së dyti, t’i furnizojë shtetit apo komunitetit  të holla të mjaftueshme për shërbimet publike.” Prandaj gjykoj se në debatin mbi takstat duhet të ishte folur e shkruar më shumë mbi atë se shteti  apo komuniteti që duam të ndërtojmë – sepse nuk mohoet se jemi në një proces të ndryshimit të raportit tonë me ta - nuk duhet parë si armik, por si një instrument që njerëzit e kanë ndërtuar vetë për të kryer disa shërbime të rëndësishme pa të cilat jeta jonë si individë do të ishte shumë më e vështirë. E kam fjalën për atë, pra, se në diskursin mbi taksta, duhet të futej edhe ideja se taksat janë të hollat që ne paguajmë për t’i patur këto shërbime që na kthejnë nga një turmë individësh në një shoqëri; se ne do të duhej të kishim qenë prej kohësh shumë më të shqetësuar që rrogat e mësuesve në shkollat e fëmijëve tanë, të mjekëve tanë në spitalet publike, të policëve tanë, të gjyqtarëve tanë, të administratorëve tanë të ishin në nivelin e dinjitetit të kësaj pune dhe po ashtu se do të duhej të kishim qenë shumë më tepër të interesuar, por edhe të informuar për lekët që  hiqen mënjanë për të pastruar plehërat që na kanë mbytur, ndërtuar shkolla, spitale, rrugë, ura, kanalizimi, porte, kryer pyllëzime e të tjera gjëra të nevojëshme për jetën tonë të përbashkët dhe për ekonominë tonë private po ashtu.
Dhe deri këtu ky diskurs s’ka të bëjë me taksë progresive apo të sheshtë, por me rëndësinë e taksës. Sepse gjykimi im është se problemi më i madh që ka sot Shqipëria nuk është fakti se kemi taksë të sheshtë apo progresive, por fakti se kemi një ekonomi kryesisht informale që vjen edhe pse nuk kemi ndërgjegjen e mjaftueshme mbi rëndësinë e pagesës së taksës edhe ngase pushtetarët tanë nuk na e kanë kthyer taksën në shërbim, por na e kanë vjedhur.
Pra çështja e parë është: ne kemi nevojë të ndërgjegjësohemi për pagesën e taksave sepse kemi nevojë të ndërtojmë dhe forcojmë shtetin tonë.

Shteti social

Kur Rama lançoi idenë e taksës progresive Berisha nuk la takim pa bërë, me botën e biznesit veçanërisht,  duke lëshuar  akuza se këta pasardhësit e bllokmenëve duan të na fusin taksën progresiste ngaqë janë këlyshët e regjimit të vjetër e marrëzirara të tilla që jam i bindur se nuk i beson as vetë, por i thotë ngaqë dikush i ka mbushur mendjen se shumica e shqiptarëve janë krejtësisht budallenj. E vërteta është se regjimi i Enver Hoxhës mburrej se tek ne nuk kishte taksa. Në fakt, taksa progresive s’ka të bëjë fare me atë regjim, përkundrazi është një taksë tipikisht e kapitalizmit, pasi ajo nënkupton ekzistencën e diferencave në të ardhura midis më të pasurve dhe më të varfërve, ndërkohë që ai regjim i bëri të gjithë të barabartë në varfërinë e tyre.
E vërteta është se taksa progresive ka një orgjinë të majtë që ka lindur (me lëvizjet socialiste) pikërisht për të zbutur kapitalizmin e egër që lulëzoi në shek XIX, për të siguruar më shumë drejtësi shoqërore, për të krijuar më shumë shanse për të gjithë.  Kjo ka sjellë konceptin e shtetit social, i cili ka lindur si një kompromis midis punëdhënësve dhe punëmarrësve veç të tjerash edhe për të evituar rreziqet e vendosjes së regjimeve komuniste. Dhe dihet se taksa progresive është aplikuar më me sukses se kudo në vende si Gjermania apo vendet nordike ku shteti është shumë më social. Ndërkaq, në debatin tonë politik, ka kohë që termi “shtet social” është zhdukur, ndërkohë që mendoj se ai duhet kthyer me forcë, paçka se ka nga ata që thonë se ne jemi Shqipëria nuk jemi Gjermania apo Suedia – a thua se ne nuk kemi të drejtë të kemi ideale.

Taksë e sheshtë apo progresive?

Vështirë të flitet për shtet social pa futur konceptin e taksës progresive, sepse, kur fitet për shtetin social një nga argumente kryesore është pikërisht nevoja që ka shoqëria që të mos i lerë pa mbrojtjen sociale të dobëtit: dmth. ata që për shumë arësye nuk ia dalin në jetë, përkohësisht apo përherësish, dhe prandaj nuk janë në gjendje t’i japin shoqërisë taksa, por marrin prej saj. Ne e dimë shumë mirë se ata që mbeten pa punë, pasi sëmuren apo për çfarëdo arsye tjetër kudo në botën e qytetëruar marrnin një shumë të mjaftueshme për të mbijetuar pasi përndryshe problemet që i krijohen shoqërisë me këta janë shumë të mëdha dhe jo vetëm morale, por edhe të natyrave të tjera psh, një pjesë mund t’i drejtohen aktivitetit kriminal i cili jo vetëm se do të krijojnë dëme ndaj të tjerëve, por edhe vetë shtetit do t’i kushtojë pasi, duke u futur në burg një njeri që kryen një krim, ai ka koston e tij për shtetin. Po ashtu është shumë e domosdoshme që ata që fitojnë pak të kenë minimumin e nevojshëm për të pasur një jetë dinjitoze.
Në këtë kontekst pyetja ngrihet: në realitetin shqiptar, ku numri i atyre që jetojnë nën nivelin e varfërisë është tejet i lartë, a nuk ka ardhur koha të flitet për taksë progresive? Ashtu sikurse e shoh unë problemin shqiptar më duket se vendi ka nevojë për më shumë solidaritet midis njerëzve, pasi kemi shkuar shumë larg në polarizimin midis të pasurve dhe të varfërve. Pra ne kemi nevojë urgjente për dy gjëra: të korigjojmë individualizmin ekstrem nëpërmjet ndërtimit të shtetit dhe komunitetit, ashtu që këta t’i ndjejmë si tanët dhe jo si armiqtë tanë: dhe për këtë kemi nevojë të paguajmë taksa, si dhe të zbusim polarizimim dhe të rrisim solidaritetin – dhe për këtë kemi nevojë që ata që kanë më shumë të mendojmë më shumë për ata që nuk kanë  - e prandaj kemi nevojë që taksat të jenë progresive.

 
Modeli i zhvillimit dhe stili i jetës

Një temë tjetër që mungoi në debatin mbi taksat dhe që përgjithësisht mungon në diskursin politik shqiptar është çështja se çfarë modeli zhvillimi kemi zgjedhur për të ndjekur dhe nëse duhet ta ndryshojmë atë apo jo. Duke qenë se Shqipëria ka shumë aberracione është vështirë të futësh atë në një model zhillimi nga ata që njihen botërisht. Megjithatë një gjë është e sigurtë: se këta njëzet vjet ne kemi diskutuar sikur të ketë një model të vetëm kapitalizmi në themel të të cilit qëndron ideja e rritjes ekonomike (GDP) si treguesi kryesor dhe i vetëm i zhvillimit.
Ndërkaq bota ka ç’prej viteve 70 që ka ngritur çështjen e “zhvillmit të qëndrueshëm” që bazohet mbi parimin se rritja ekonomike nuk mjafton; duhet të ndjekim një model zhvillimi që synon rritjen e mirëqënies së njeriut dhe të cilësisë së tij të jetës në mënyrë të qëndrueshme, çka, me fjalë të tjera, do të thotë se ky model zhvillimi nuk synon thjesht zhvillimin  e kapitalit ekonomik, por harmonizimin e këtij zhvillimi me zhvillimin e kapitalit  njerëzor/social si dhe me riprodhimin e kapitalit natyror. Gjithë në këtë kontekst kritika ndaj modelit klasik kapitalist të GDP-së është thelluar kohët e fundit edhe përsa i përket rënies së peshës së GDP-së në raport me ato të mira që ekonomistët e lumturisë i quajnë të mirat që vijnë nga relacionet njerëzore. Ka studime që tregojnë se niveli i lumturisë në SHBA është më i ulët se ai i viteve 70 edhe pse të ardhurat ekonomike janë rritur. Dhe kjo vjen pasi kanë pësuar rënie të madhe pikërisht ato të mira që bazohen në marrëdhëniet e besimit të njeriut tek njeriu tek komuniteti ashtu sikurse tek institucionet.
Ky model zhvillimi nënkupton, si anë tjetër të medaljes, edhe ndryshimin e stilit të jetesës së njerëzve. “Homo economicus” është një tjetërsim i qënies njerëzore, një produk i kapitalizmit që e mat çdo gjë me GDP, që e ka kthyer njeriun në një rob të kulturës së konsumizmit duke e klientelizuar atë, duke i krijuar varësi nga objektet që ble pa e kuptuar se në këtë mënyrë është kthyer në një rob të konsumizmit, që punon për të blerë dhe ble për të punuar. Një ndryshim i stilit të jetës nënkupton që kënaqësia dhe lumturia në jetë të mos maten vetëm me sasinë e parave që fiton dhe të mos mendohet se këto vetëm mund të blihen, por se ka nga ato të mira që nuk blihen dot me para – miqësia psh. është një e tillë e më në përgjithësi relacionet e mira njerëzore të ndërtuara mbi ndarjen e vlerave shpirtërore, por edhe raporti me natyrën etj. etj..
Nuk ka pikë dyshimi se Shqipëria ka ndjekur modelin më të ashpër dhe më të egër të zhvillimit të bazuar vetëm mbi rritjen ekonomike, pra të GDP-së, e cila, për më tepër, ka qenë njëdimensionale dhe e orjentuar thjesht për  kah pasurimi i një pakicë duke lënë shumicën në varfëri. Si pasojë reduktimi i njeriut në “homo economicus” dhe klientelizmi i tij në vendin tonë ka arritur përmasa groteske.
Nuk ka pikë dyshimi, nga ana tjetër, se një zhvillim i qëndrueshëm dhe një rritje e cilësisë së jetës dhe një ndryshim i stilit të jetesës ka të bëjë më shumë me ruajtjen e ambjentit të relacioneve që do të thotë të hapësirave publike. Dhe një kujdes më i madh për këtë nënkupton edhe më shumë para për publiken që është hapësira par exellence të relacionimit të njerëzve, të atyre të mirave që nuk blihen me para. A ka të bëjë kjo me taksën progresive. Pa dyshim sepse rritja, mbrojtja dhe mirëmbajtja e publikes në këtë model zhvillimi dhe stil jetese padyshim rritet dhe kjo kërkon më shumë të holla që i kthehen shoqërisë e komunitetit në një formë tjetër.
Dikush mund të bëjë vërejtjen se gjithsë sa shkrova janë thjesht në nivelin ideal pa lidhje me realitetin shqiptar. Kundër argumenteve të mi ngrihen ata që thonë se bizneset tona, që janë edhe punëdhënësit më të rëndësishëm në vend, kanë nevojë të fuqizohen kurse një taksë e madhe i varros ato. Sipas meje më shumë se ky problemi është se ata që konsiderohen të pasur në Shqipëri nuk dihet se sa të pasur janë vërtet, pasi nuk kemi një regjistrim serioz pasurie, dhe se, më të shumtët, e kanë këtë pasuri të padekaruar dhe, po ashtu, të palegjitimuar mënyrën se si e kanë vënë atë. Regjistrimi dhe njohja e kësaj pasurie është një nga sfidat që ka qeveria e re sipas meje.
Gjithssesi, pa hyrë në detaje, edhe për mungesë të dhënash, mendoj se në diskursin mbi taksat nuk duhet të mungonin këta koncepte themelore të një shërndarjeje më të drejtë, të solidaritetit dhe kohezionit social që janë tejet të lidhura me shtetin social dhe taksën progresive. (Panorama, 25 dhejtor, 2013)