Thursday, April 28, 2016

Shullazi, të pasurit tanë dhe shteti

Pas arrestimit të Shullazit, dy kanë qenë titujt e medieve, që më kanë tërhequr më shumë vëmendjen. Njëri ishte ai që sillte lajmim se Shullazi deklaroi përpara gjykatës se është i papunë dhe se ka tetë klasë shkollë; tjetri që biznesmenët që kanë pësuar raketingun e Shullazit nuk kanë pranuar të paraqiten në Prokurori, madje e kanë mohuar se i kanë paguar të holla Shullazit.
Këto dy lajme meritojnë shumë komente, por dua të tërheq vëmendjen te një problem themelor mbi të cilin hedhin dritë këta dy tituj, duke i lidhur me njëri-tjetrin. I pari ngre pyetjen: Si ka mundësi që një njeri që rezulton i papunë, pa profesion – sepse me shkollim minimal – ka miliona të deklaruara dhe shteti nuk di asgjë se si e ku kullot ky qytetar i tij, që për më tepër rezulton i shënjuar nga policia si kontingjent krimi? Ku është shteti?

Lajmi i dytë ndihmon t’i japim përgjigje pyetjes se ku është shteti. Ai flet jo vetëm për dobësinë e shtetit, deri në mosekzistencë, por edhe për një nga arsyet themelore të kësaj mosekzistence. Sepse kur ngrihet pyetja se çfarë është shteti, nuk mund të mos dalësh te çështja se si mbahet shteti në këmbë që të ekzistojë. D.m.th., midis të tjerash, edhe te çështja se kush i mban policinë, prokurorinë, gjykatat që janë organet kryesore që i mbrojnë qytetarët nga krimi (pa harruar më anë tjetër shkollat dhe tërë ato institucione që kontribuojnë për edukimin dhe rritjen morale kulturore të qytetarëve – kjo edhe si parandalim i krimit). Përgjigjja është shumë e thjeshtë: një shtet që funksionon sipas parimeve të shtetit modern kapitalist mbahet në këmbë nga kontributi që derdhin qytetarët e tij për të. Dhe në këtë pikë të arsyetimit duhet të kujtojmë se kontribuuesit e parë kryesorë janë ata që fitojnë më shumë: të pasurit. D.m.th., kategoria e të kërcënuarve në fjalë.

E pra, pyetja shtrohet: Sa të pasur kemi ne në këtë të ashtuquajturin shtet, që kanë vetëdijen se shteti janë ata ngase pa paratë e tyre nuk mund të funksionojë mirë as policia e as prokuroria e gjykatat që duhet t’i mbrojë nga krimi? Sa të pasur kujdesen për mirëmenaxhimin e parave që ata derdhin, nëpërmjet taksave për shtetin në mënyrë që të zgjidhen politikanët më të mirë, policët, prokurorët e gjyqtarët më të mirë, më të përgjegjshëm? Sa janë ata që kërkojnë llogari për keqmenaxhimin e kësaj paraje kur shohin të ndodhin ngjarje si kjo me Shullazin? Shumëkush, duke lexuar këto pyetje do të më përqeshë si naiv e do të thotë: Ti e di shumë mirë përgjigjen: zero! Por edhe kjo përqeshje është pjesë e problemit, sepse tregon se ne jemi mësuar me një situatë anormale, me një sistem politikoekonomik, me mosekzistencën e shtetit tonë në kuptimin e atij shteti që i shërben qytetarit dhe mbron qytetarin. Mirëpo unë u them se ngjarje të tilla hedhin dritë në formën më tragjike mbi shkallën e kësaj mosekzistence dhe bëjnë thirrje ulëritëse për ndryshim, pasi tregojnë se vjen një moment kur sistemi i ngritur keq kthehet e godet deri edhe arkitektët e tij. Sepse ngulmoj se të pasurit tanë janë arkitektët kryesorë të kësaj gjendjeje, si anë tjetër e medaljes së politikanëve që i akuzojmë aq shumë – edhe pse tashmë gjithnjë e më shumë të parët dhe të dytët i sheh nën të njëjtin kostum dhe jo rastësisht. 

Zgjedhja e pagesës në vend të denoncimit, frika që kanë sot të pasurit tanë për të dëshmuar vjen ngase pasurimi i tyre nuk ka shkuar krahas forcimit të shtetit dhe forcimit të të gjithë shoqërisë. E kundërta ka ndodhur: ata së bashku me politikanët kanë ngritur një sistem pasurimi në kurriz të mbajtjes dobët të shtetit dhe varfërimit të qytetarëve të tjerë. Në fakt, ky i ashtuquajturi shtet i yni nuk është gjë tjetër veçse një aleancë mafioze e shumicës së të pasurve tanë me politikanët tanë për të grabitur pjesën tjetër të qytetarëve. Rëndom, të pasurit tanë, në vend se të paguajnë taksa me të cilat të ndërtohet shteti, nxitojnë të paguajnë nën dorë, në mënyrë të paligjshme politikanë, për të rritur përfitimet e tyre. Rëndom shtetarët tanë, në vend se të mbledhin taksat e t’i përdorin ato për punë publike, u kërkojnë të pasurve tanë t’u bëjnë ndonjë punë publike gratis, d.m.th., në mënyrë të paligjshme, sa për t’u hedhur hi syve qytetarëve, e pastaj ua shpërblejnë dhjetëfish me tenderë e më the të thashë po me paratë e grabitura këtyre qytetarëve. Edhe paratë që i kanë dhënë Shullazit të pasurit tanë nuk i kanë problem se i nxjerrin nesër përsëri nëpërmjet këtij sistemi. Në këtë kuptim, edhe pse nuk janë vrasës (ndonëse ka edhe shumë prej tyre që për t’u pasuruar kanë aplikuar edhe këtë profesion), ata nuk janë të ndryshëm nga Shullazi. Të dyja palët janë kundër shtetit. Përfundimi është i qartë, më duket: Për të dalë nga kjo gjendje e mosekzistencës së shtetit si shërbim për shkak të shtetit që funksionon si vegël e këtyre të pasurve, Shqipëria ka nevojë jo vetëm për një tjetër elitë politike, por edhe për një tjetër elitë ekonomike. (Panorama, 27 prill 2016)

Thursday, April 21, 2016

Shullazi - grupe kriminale dhe organizata kriminale

Numri i ngjarjeve të kronikës së zezë që flasin për të vrarë, të plagosur, shpërthime e djegie makinash, vetëgjyqësi, kërcënime, larje hesapesh nuk po njeh pakësim. Së fundi këto ngjarje i kanë zënë vendin kryesor edhe kronikës politike. Arrestimi i Shullazit dhe çka po dëgjojmë e lexojmë për veprimtarin e tij errësuan edhe vizitën e Kryeministrit në SHBA. Ç'bëhet kështu? - pyesin njerëzit. Paradoksalisht, ata, janë tejet të interesuar por edhe i qëndrojnë larg kronikës së zezë. Ajo që e shpjegon paradoksin është frika e strucit. Më një anë njerëzit kërkojnë të bindin veten se këto fenomene zhvillohen në nëntokën e një bote që nuk u përket atyre, më anë tjetër e ndjejnë se ndarja  e këtyre dy botëve është iluzion dhe i kaplon frika se mos një ditë u troket krimi në derë. Në fakt, kur arrin puna të kërcënohen me vrasje të fëmijëve edhe kandidatët për rektor të Universitetit mund të thuhet se krimi i ka trokitur në derë kujtdo dhe, të bësh si struci, do të thotë t'i hapësh derën e ta futësh atë në shtëpi. 

Grupet kriminale dhe organizatat kriminale

Një ish shef policie duke folur në emisionin Opinion për rastin Shullazi tha se ai ka ngritur një "grup të strukturuar kriminal" duke e quajtur këtë një krim të rëndë, por gjithsesi të një niveli më të ulët sesa krijimi i një "organizate kriminale". Ndërkaq, gazetari investigativ Artan Hoxha, i pyetur se si e shpjegonte ai që njerëz si Shullazi paskan interes se cili do të vihet rektor, u përgjigj, duke përmendur Savianon, se Camorra në Itali, për të kontrolluar përfitimet e parave publike, ka infiltruar njerëzit e vet edhe në sektorë të tillë si arsimi apo shëndetësia.
Mirëpo, sikur ta marrim të mirëqenë shpjegimin e gazetarit Hoxha, atëherë i bije që Shullazi të ketë krijuar një organizatë kriminale, sepse e tillë është Camorra. Gjykoj se ish shefi i policisë është më pranë të vërtetës: Shullazi mbetet në nivelin e një grupi të strukturuar kriminal. Por kujdes: le t'i shkojmë deri në fund kërcënimit ndaj kandidatit për rektor - siç duhet t'i shkojë Prokuroria. Nuk ka dyshim se kërcënimi është bërë për t'i hapur rrugë një kandidati tjetër dhe se, dikush tjetër, i afërt me rrethin që kërkon të verë këtë kandidat, ka gjetur Shullazin (apo qoftë edhe ndonjë tjetër) për ta kërcënuar me jetën e fëmijëve. Ama nuk është Shullazi, por  janë këta të tjerët që kërkojnë të fitojë kandidati i tyre në mënyrë që të shtinë në dorë përfitimet e parasë publike. Me fjalë të tjera janë këta, pa dyshim  njerëz të politikës, organizata e vërtetë kriminale, Camorra shqiptare.
Historia e këtyre 25 vjetëve tregon se emra si Shullazi janë bërë kaq të frikshëm vetëm kur kanë bashkëpunuar me partitë politike duke u ofruar atyre dy gjëra që u duhen: dhunën për të frikësuar kundërshtarët dhe paranë. Në shkëmbim organizatat e mëdha i kanë lënë të zhvillojnë aktivitetin e tyre derisa ka ardhur një moment kur personat apo grupi në fjalë janë bërë të pambrojtshëm edhe nga vetë organizata. Raste të tilla kemi pasur edhe më parë: mjaft të kesh parasysh rastin e Zani Çaushit që më së fundi përfundoi në burg, apo rastin e Haklajve apo Mulosmanit në Tropojë. Duket se edhe Shullazi po hyn në këtë kategori, por burgosja e njerëzve të tillë nuk e zgjidh aspak problemin, ashtu sikurse nuk e ka zgjidhur as burgosja e Zanit me shokë. Sepse vatrat e krimit janë organizatat e mëdha kriminale që janë bërë gjithnjë e më të fuqishme edhe në sajë të përdorimit të grupeve të strukturuara kriminale. Treguesi më i qartë i kësaj është edhe hyrja e kriminelëve të akuzuar për vrasje dhe trafiqe e krime të tjera në Parlament, gjë kjo e paimagjinueshme në vitet '90. Po ashtu, nëse Shullazi është pasuruar nëpërmjet raketingut ndaj privatëve  krimi më i madh në vendvazdhon të mbetet "raketingu" shtetëror, grabitja nga politikanët e pronës publike për t'u ndarë me klientelën, grabitja e parasë publike nëpërmjet tenderave, grabitja e resurseve të vendit nëpërmjet koncesioneve, apo mbledhja me policë e taksidarë nëpërmjet gjobave marramendëse e kursimeve të fundit që u kanë mbetur njerëzve. Nëse për të shpëtuar nga Shullazi paska ikur jashtë shteti një apo disa biznesmenë, mos harroni se për të shpëtuar nga raketingu i organizatës së madhe po ikin përditë me qindra shqiptarë.
Po këta nuk vrasin si Shullazi - të thonë disa.  Po tua lypë nevoja edhe këtë e bëjnë, se prandaj i mbajnë afër Shullazët, por kanë vrarë megjithatë diçka edhe më të madhe: shpresën e njerëzve se mund të jetojnë me dinjitetin e punës së tyre të ndershme, se mund të shpëtojnë nga sistemi i grabitjes dhe poshtërimit që kanë ngritur.

Opozita dhe krimi

Këtë që shkrova më sipër për lidhjen e politikës me krimin nuk e them vetëm unë. E thotë edhe opozita. Gjatë gjithë kësaj kohe kemi dëgjuar dhe lexuar vazhdimisht nga ana e opozitës akuzat  se Edi Rama e ka mbushur Parlamentin, administratën, pushtetin lokal me kriminelë, dhe në rastin konkret, se Shullazi ka lidhje me Ministrin e Brendshëm Tahiri, se policia e tij i ka lehtësuar aktivitetin, e ka lënë të udhëtojë me makinë të blinduar, etj. si këto. Meqenëse një pjesë e këtyre akuzave rezultojnë të vërteta gjëja e parë që dëgjon të thonë ca njerëz është: shyqyr të paktën që është opozita, që është Berisha, që guxojnë t'i thotë disa të vërteta se përndryshe do të jetonim në një terror edhe më të madh nga këta njerëz. Fakti është se edhe rasti Shullazi u mor seriozisht pas denoncimit të Sali Berishës për kërcënimin e kandidatit për rektor. Megjithatë, në kontekstin për të cilin po flas, kjo "shyqyr që është opozita" ka anën e vet tejet të errët e dëshpëruese. E kam thënë edhe vetë shpesh në formë gjysmë ironike me fjalët: "më mirë dy banda sesa një bandë".  Pse e them këtë? Sepse dje rolin denoncues të lidhjes së shullazëve me politikën e luante opozita që sot është në maxhorancë dhe, megjithatë, gjendja nuk ka ndryshuar me ardhjen e saj në pushtet, përkundrazi, - ashtu sikurse nuk ndryshoi edhe pardje kur opozita e sotme merrte pushtetin. Është kollaj të thuash sot në opozitë se Edi Rama na e mori pushtetin duke bashkëpunuar me kriminelët, por edhe ai më naivi ka të drejtë të ngrejë pyetjen: po mirë more zotërinj, a nuk erdhët ju në pushtet me premtimin për të luftuar krimin dhe baronët e drogës? Si ka mundësi që në këta tetë vjet në vend se të dobësoheshin këta qenkan fuqizuar aq shumë sa arritën t'ju marrin edhe pushtetin ndonëse ju kishit me vete Policinë, Prokurorinë, SHIK-un?
Nuk ka përgjigje tjetër përveç asaj se krimi në formën e grupeve të strukturuara kriminale ka qenë i lidhur edhe me "organizatën" tjetër të madhe prandaj, në vend se të luftohet ai ka bashkëpunuar e është rritur bashkë me të. Vetë fakti që Shullazi dhe grupi i tij në vitin 2011 kërcënonte kandidatët socialistë dhe në vitin 2013 militonte në krah të socialistëve është prova më e mirë e kësaj.

Ç'duhet bërë në këto kushte

Përballë kësaj vërejtjeje dikush nga opozita më ka thënë: po, por Edi Rama ka thyer çdo rekord.
Nuk dua të justifikoj në asnjë mënyrë Edi Ramën, përkundrazi. Madje mund të them se është deri diku e vërtetë ajo që thonë mbështetës të Berishës se ai i përdorte kriminelët, por  nuk ulej në tryeza të hante pinte me ta kurse Rama, i ul në tryezë i bën miq e shokë. Megjithatë nuk besoj se arritja e këtij rekordi i dedikohet thjesht karakterit të Ramës, paçka se përgjegjësitë e tij për thellimin e lidhjeve të PS me krimin janë të pafalshme. Ta reduktosh tek përgjegjësia e një njeriu, qoftë ky Rama apo Berisha apo Meta, lidhjen e politikës me krimin do të thotë të mos kërkosh ta zgjidhësh problemin, por ta manipulosh atë.
Nëse duam të analizojmë shkaqet pse krimi na ka hyrë në shtëpi me qëllimin e sinqertë për ta luftuar atë, duhet të kemi parasysh se faktori kryesor është ekonomia kriminale që kemi zhvilluar, që ka zhvilluar, si anë tjetër të medaljes, politikën kriminale. Sepse, për të mbrojtur dhe zhvilluar ekonominë e vet krimi ka kapur institucionet nëpërmjet kapjes së partive dhe vice - versa partitë në luftën për pushtet gjithnjë e më shumë i janë afruar krimit dhe kriminelëve duke degjeneruar në banda në luftë me njëra tjetrën për kontroll pushteti dhe territori. Madje, edhe fakti që shohim Berishën të guxojë të denoncojë Shullazin ndërkohë që institucionet shtetërorre, shoqëria civile e mediet nuk guxojnë ta bëjnë këtë të parat, është në koherencë me logjikën e luftës së bandave, (në thelb e njëjta logjikë me të cilën funksionon edhe Shullazi): tek Berisha shkojnë e ankohen si një i fortë për të kërkuar mbrojtje nga të fortët e tjerë ndërkohë që normalisht njerëzit duhet të shkonin të ankoheshin në organet e shtetit.
Ajo që po ndodh sot, degjenerim i dukshëm i këtij fenomeni deri në krcënimin e kandidatit për rektor për mua shpjegohet kryesisht me faktin se sot po përjetojmë një varfërim të skajshëm ekonomik dhe moral. Ekonomik jo vetëm për shkak të pakësimit dramatik të të ardhurave të emigrantëve dhe të mbarimit të industrisë së ndërtimit që kryesisht është mbajtur me paratë e tyre dhe të drogës, por edhe sepse një ekonomi kriminale ka për natyrë të vet grabitjen jo prodhimin, e në mbarim të këtyre burimeve organizatat kriminale dhe grupet e strukturuara të krimit në shërbim të tyre kanë hedhur vështrimin tek paratë publike. Morale sepse një ekonomi kriminale rrënon e korrupton atë që është kapitali më i çmuar i një shoqërie, ai njerëzor.
Pyetja "ç'duhet bërë për të dalë nga kjo gjendje?" sot ngrihet në formën më dramatike se kurrë. Nuk është e lehtë të gjesh kurën e një sëmundjeje kaq galopante dhe virulent, por edhe nuk dua ta mbyll këtë shkrim pa dhënë së paku një sugjerim. Që shullazët të mos na dalin përpara për të na kërcënuar me vrasjen e fëmijëve, apo se do t'u qajmë në dorë po nuk bëmë siç duan ata apo shefat e tyre  duhet që njerëzit që fshehin kokën si struci, duke menduar se janë në punën e vet, ta ngrenë atë. Veçanërisht kjo vlen më së shumti për ata qytetarë, intelektualë, gazetarë, specialistë  që kanë gjetur rehat duke mbështetur, me kokë ulur, njërën apo tjetrën parti, pa dashur të shohin se këto parti kanë rënë në duar njerëzish që i bëjnë të funksionojnë si organizata kriminale. (Panorama, 21 prill 2016)

Tuesday, April 12, 2016

Sheshi Skënderbej - aventurizmi i radhës


Gjatë fushatës për zgjedhjet lokale më tërhoqi vëmendjen posteri elektoral me të cilin u paraqit Erjon Veliaj. Krahas fytyrës së tij rinore dhe sfondit mavi atje paraqitej me vizë të bardhë edhe një sky-line i pamjes veriore të qendrës së kryeqytetit. Ajo që më tërhoqi vëmendjen ishte fakti se në këtë sky - line qenë skicuar vetëm konturet e disa ndërtesave që Tirana i ka pasur që në kohën komuniste e më parë, dmth xhamia me minaren, kulla e sahatit, pallati i kulturës, Hotel Tirana, por mungonin ndërtesa të tilla si grataçiela afër ish selisë së PD apo Torre Drini si dhe ca pallate të tmerrshme prapa Pallatit të Kulturës që në fakt sot e mbizotërojnë këtë sky-line.

Pse më bërë përshtypje kjo? Sepse, sipas meje, po t'i vlerësonte, krijuesi i posterit duhet t'i kishte futur edhe ato. Por pse nuk i ka futur? Sepse edhe ai edhe porositësi, janë të vetëdijshëm se ajo që i është bërë qendrës me këto ndërtesa nuk është ndonjë bukuri që duhet evidentuar, përkundrazi.

E bëra këtë hyrje sepse tani po na propozohet të diskutojmë një projekt i ri të ndryshimit të qendrës, duke na ftuar të japim edhe mendimet tona si qytetarë. Në këtë kontekst, personalisht, e para gjë që më vjen të them është paralajmërimi se meqenëse, siç e tregon edhe posteri i Veliajt, ndryshimet e bëra deri tani kanë rezultuar shëmtime, duhet të tregohemi më të përgjegjshëm në aventurat e reja.  Sot ka një konsensus në njerëzit me shije se Sheshi ka qenë shumë më i bukur në projektin italian, pastaj, me ndërhyrjet e regjimit u shëmtua, por gjithsesi mbeti më funksional dhe shumë më tepër i qytetarëve, kurse goditjet rrënuese i mori më pas, me  ndërhyrjen e parë të Ramës që lulishtes prapa Skënderbeut i prishi disenjimin italian, i preu pishat historike, duke e transformuar nga një vend plot kujtime e ku mund të ulej e qëndrohej në një govatë sterile bari që vazhdoi pastaj me shtesën e govatës bythëpërpjetë të Bashës që e vuri këtë hapësirë në funknsion vetëm të kalit të Skënderbeut që nuk ha as bar.

***

Por le të kalojmë tek projekti që na është paraqitur. E para gjë që më erdhi në mendje kur e pashë projektin, ashtu siç e kanë paraqitur mediet, qe një ndjenjë çlirimit sepse nuk pashë disa pallate të larta të projekteve paraardhës të Ramës. E kam fjalën për një pallat midis Bankës dhe Muzeut Kombëtar, një të dytë përpara Hotel Tiranës, një të tretë midis Hotel Tiranës dhe Muzeut Kombëtar, një të katërt që i hynte në mes si penis Muzeut Kombëtar  të cilët kanë qenë o në planin Francez o në atë Belg dhe që – le të mos harrojmë – na janë paraqitur si mrekullira të urbanistikës e arkitekturës. Në vendet e tyre projekti aktual kishte pemë. Etika e komunikimit ta do që Kryeministri të na thotë pse ka ndryshuar mendim ai apo ekspertët e tij. Kjo edhe që të besojmë se s’do ta ndryshojë nesër. Mirëpo asgjë e tillë nuk ndodhi. Fatkeqësisht  as gazetarët nuk ia kërkuan psenë. Prandaj edhe këtë “çlirim” timin them se duhet ta marrim me rezervë pasi kemi të bëjmë me njerëz që ta shesin pa të keq betonin për bar, dhe pallatet për pemë.

Së dyti, duhet thënë se ideja e një zone pedonale të Tiranës është e mirëpritur, por ka disa POR-e të mëdha prapa idesë së kthimit të sheshit Skënderbej (duke përshirë edhe Parkun Rinia edhe hapësirat prapa Hotel Dajtit deri tek lulishtet përpara Parlamentit) në një zonë të tillë.)

***

POR-i  i parë (sipas meje më i madhi) lidhet me obsesionin e trashëguar nga regjimi komunist që më shumë i vinte rëndësi propagandës, imazhit dhe nevojës së pushtetarëve për të vënë vulën e tyre qendrës sesa cilësisë së jetës së qytetarëve të Tiranës. Nëse kemi parasysh se jeta e qytetarëve nuk zhvillohet në qendër, por atje ku banojnë, harxhimi i milionave për rindryshimin e kësaj qendre  do të ishte puna e fundit që duhet t’u shkonte ndërmend këtyre njerëzve. Sepse qendra, edhe kështu siç është, edhe pse më e shëmtuar se më parë, është të paktën e sistemuar, kurse Tirana përtej saj, atje ku jetojnë njerëzit, është katastrofë në të gjitha kuptimet - si përsa i përket gjendjes së rrugëve e rrugicave ashtu edhe hapësirave publike. Vjena, që sipas një studimi rezulton si qyteti me cilësi jete më të lartë se çdo qytet tjetër në botë, ka pikërisht këtë cilësi: qytetarët nuk kanë nevojë të shkojnë në qendër për të gjetur hapësira publike pedonale e gjelbërim, por i kanë ato përreth vendbanimeve të tyre sëbashku me kënde lojrash e fusha sporti për fëmijët e tyre.  Pra nëse është fjala për të shpenzuar miliona euro për përmirësimin e jetës së qytetarëve (një pjesë e të cilëve sot ankohen se s'kanë bukë për të ngrenë, një arsye kjo më tepër për ta bërë projektin të papranueshëm) e para gjë që duhej bërë do të ishin projekte parqesh të vegjël, fushash sporti, rregullime sistemime rrugësh e rrugicash - diku diku edhe shtetëzime në mes të vendbanimeve të qytetarëve - që do të normalizonin sadopak jetën e qytetarëve atje ku banojnë. (Do të ishte bukur që me këtë rast arkitektë e urbanistë të shoqërisë civile t’i paraqisnin qytetarëve, si alternativë ndaj projektit të Sheshit, projekte të tilla të bëra vullnetarisht).

***

POR-i i dytë i madh që ngre ky projekt - gjithnjë lidhur me përmirësimin e cilësisë së jetës së tiranasve - është se çfarë do të bëhet me trafikun po u kthye sheshi në pedonal. Nga përvoja që kemi kur është bllokuar Bulevardi dhe veçanërisht rrethrrotullimi tek Sheshi, që është arteria kryesore  e qarkullimit të trafikut në Tiranë, është krijuar një kaos i tmerrshëm, i padurueshëm dhe i rrezikshëm për këmbësorë, shoferë e biçiklistë. Pretendohet se këtë do ta zgjidhë një unazë e vogël që do të kalojë prapa Bankës Kombëtare, prapa Muzeut Kombëtar, prapa Hotel Tiranës, që do të vazhdojë duke prishur ndërtesën historike të Petrelasve ku ka qenë INSIG-u (një krim tjetër ky ndaj historisë së Tiranës), që pastaj do të kalojë përpara nëntë katësheve për të vazhduar, nuk dihet se ku, disa thonë tek rruga e Elbasanit deri ku kryqëzohet me Lanën, disa tek pedonalja duke e kthyer edhe një herë atë në rrugë makinash (edhe ky një tjetër krim). Nga sa di unë kjo nuk është vendosur akoma dhe ky është skandal. Nga përvoja ime si këmbësor dhe si shofer, madje që banon afër kësaj zone, më rezulton se kjo unazë e vogël, nuk mjafton kurrsesi për të plotësuar funksionin që kryen Bulevardi sepse edhe me rrethrrotullimin e Sheshit si arter trafiku ajo sot është plot. Prandaj qarkullimi në këtë unazë do të ishte një ferr i vërtetë dhe ç’është më e keqja do të ndotte qytetin edhe qendrën pedonale shumë herë më tepër sepse makinat do të qëndronin në këtë unazë me orë. Pra, nëse do t’i qëndronim idesë së krijimit të një qendre pedonale tek Sheshi do të duhej që edhe kjo unazë e vogël të ishte vetëm për transport publik, çka do të thotë, përveç të tjerash, që të punohet më së pari për të rregulluar problemin e trafikut jashtë kësaj unaze, çka nënkupton, përveç të tjerash, që edhe idetë për parkingje në qendër të Tiranës të hidhen poshtë.

***

Së treti, janë tejet problematike edhe ideologjizime e simbolikat e reja që kërkohet t'i shtohen sheshit. Kam parasysh propozimin nacionalist të shtrimit të sheshit me gurë që vijnë nga tërë anët e Shqipërisë, medemek për ta bërë atë zemrën e gjithë shqiptarëve; atë kozmopolit të sjelljes së luleve nga tërë Mesdheu apo bota si dhe atë demokratik (të shitur si ide e Anri Salës) që sheshi të vijë pak si piramidë, në mënyrë që qytetarët të mund të ngjiten aty dhe të ndjehen zotër të Tiranës.
Siç e thashë një nga problemet e mëdha të shëmtimit të atij Sheshi ka qenë se nuk është ruajtur koherenca e stilit të kohës kur është disenjuar për herë të parë. Shtresëzime të tilla si ai sovjetik me Pallatin e Kulturës, ai modernist me 15 katëshin, ai enverist me Muzeun Kombëtar dhe pastaj ato ramiste e bashiste veçse ia kanë shtuar kakofoninë dhe shëmtinë. Shtesat e reja, që s'mund t'i fshijnë shumicën e të vjetrave, veçse do ta bëjnë edhe më problematik atë vend qoftë nga pikëpamja funksionale qoftë estetike. Veçanërisht e tillë, sipas meje, do të ishte ndarja e vazhdimësisë së Sheshit me Bulevardin Zogu I nëpërmjet një ndërtese midis 15 Katëshit dhe Muzeut, që thuhet se është në projekt, edhe pse në projektin që na u paraqit mbahet e fshehur me pemë. Gjithë duke folur për shëmtim do të thoja se edhe prishja e ndërtesës së ish Insigut për të vazhduar pseudounazën do t'i shtonte shëmti qytetit qoftë si prishje e historisë së tij qoftë edhe pasi pallati modernist i projektuar nga Maks Velo në njërën anë dhe shtëpia e stilit liberty në anë tjetër të saj do të mbeteshin si objekte në mes rrugës dhe pa lidhje.

Nga gjithë sa thashë mua më rezulton se ky projekt është një gjë e nxituar, në kundërshtim me nevojat ulëritëse të qytetit e qytetarëve, në vazhdën e mënyrës se si kanë punuar deri më sot, jo vetëm në Tiranë, politikanët tanë: pa një vizion tërësor, pa largpamësi, pa respekt dhe pa dashuri për qyetarët, përkundrazi duke na imponur me arrogancë dhe demagogji projekte diletanteske të improvizuara nga nevojat apo tekat e çastit me një kundërvënie të fortë të interesit privat ndaj interesin publik. (Panorama, 12 prill 2016)