Pas
arrestimit të Shullazit, dy kanë qenë titujt e medieve, që më kanë tërhequr më
shumë vëmendjen. Njëri ishte ai që sillte lajmim se Shullazi deklaroi përpara
gjykatës se është i papunë dhe se ka tetë klasë shkollë; tjetri që biznesmenët
që kanë pësuar raketingun e Shullazit nuk kanë pranuar të paraqiten në
Prokurori, madje e kanë mohuar se i kanë paguar të holla Shullazit.
Këto dy
lajme meritojnë shumë komente, por dua të tërheq vëmendjen te një problem
themelor mbi të cilin hedhin dritë këta dy tituj, duke i lidhur me njëri-tjetrin.
I pari ngre pyetjen: Si ka mundësi që një njeri që rezulton i papunë, pa
profesion – sepse me shkollim minimal – ka miliona të deklaruara dhe shteti nuk
di asgjë se si e ku kullot ky qytetar i tij, që për më tepër rezulton i shënjuar
nga policia si kontingjent krimi? Ku është shteti?
Lajmi i
dytë ndihmon t’i japim përgjigje pyetjes se ku është shteti. Ai flet jo vetëm për
dobësinë e shtetit, deri në mosekzistencë, por edhe për një nga arsyet
themelore të kësaj mosekzistence. Sepse kur ngrihet pyetja se çfarë është
shteti, nuk mund të mos dalësh te çështja se si mbahet shteti në këmbë që të
ekzistojë. D.m.th., midis të tjerash, edhe te çështja se kush i mban policinë,
prokurorinë, gjykatat që janë organet kryesore që i mbrojnë qytetarët nga krimi
(pa harruar më anë tjetër shkollat dhe tërë ato institucione që kontribuojnë për
edukimin dhe rritjen morale kulturore të qytetarëve – kjo edhe si parandalim i
krimit). Përgjigjja është shumë e thjeshtë: një shtet që funksionon sipas
parimeve të shtetit modern kapitalist mbahet në këmbë nga kontributi që derdhin
qytetarët e tij për të. Dhe në këtë pikë të arsyetimit duhet të kujtojmë se
kontribuuesit e parë kryesorë janë ata që fitojnë më shumë: të pasurit.
D.m.th., kategoria e të kërcënuarve në fjalë.
E pra,
pyetja shtrohet: Sa të pasur kemi ne në këtë të ashtuquajturin shtet, që kanë
vetëdijen se shteti janë ata ngase pa paratë e tyre nuk mund të funksionojë mirë
as policia e as prokuroria e gjykatat që duhet t’i mbrojë nga krimi? Sa të
pasur kujdesen për mirëmenaxhimin e parave që ata derdhin, nëpërmjet taksave për
shtetin në mënyrë që të zgjidhen politikanët më të mirë, policët, prokurorët e
gjyqtarët më të mirë, më të përgjegjshëm? Sa janë ata që kërkojnë llogari për
keqmenaxhimin e kësaj paraje kur shohin të ndodhin ngjarje si kjo me Shullazin?
Shumëkush, duke lexuar këto pyetje do të më përqeshë si naiv e do të thotë: Ti
e di shumë mirë përgjigjen: zero! Por edhe kjo përqeshje është pjesë e
problemit, sepse tregon se ne jemi mësuar me një situatë anormale, me një
sistem politikoekonomik, me mosekzistencën e shtetit tonë në kuptimin e atij
shteti që i shërben qytetarit dhe mbron qytetarin. Mirëpo unë u them se ngjarje
të tilla hedhin dritë në formën më tragjike mbi shkallën e kësaj mosekzistence
dhe bëjnë thirrje ulëritëse për ndryshim, pasi tregojnë se vjen një moment kur
sistemi i ngritur keq kthehet e godet deri edhe arkitektët e tij. Sepse ngulmoj
se të pasurit tanë janë arkitektët kryesorë të kësaj gjendjeje, si anë tjetër e
medaljes së politikanëve që i akuzojmë aq shumë – edhe pse tashmë gjithnjë e më
shumë të parët dhe të dytët i sheh nën të njëjtin kostum dhe jo rastësisht.
Zgjedhja
e pagesës në vend të denoncimit, frika që kanë sot të pasurit tanë për të dëshmuar
vjen ngase pasurimi i tyre nuk ka shkuar krahas forcimit të shtetit dhe
forcimit të të gjithë shoqërisë. E kundërta ka ndodhur: ata së bashku me
politikanët kanë ngritur një sistem pasurimi në kurriz të mbajtjes dobët të
shtetit dhe varfërimit të qytetarëve të tjerë. Në fakt, ky i ashtuquajturi
shtet i yni nuk është gjë tjetër veçse një aleancë mafioze e shumicës së të
pasurve tanë me politikanët tanë për të grabitur pjesën tjetër të qytetarëve. Rëndom,
të pasurit tanë, në vend se të paguajnë taksa me të cilat të ndërtohet shteti,
nxitojnë të paguajnë nën dorë, në mënyrë të paligjshme politikanë, për të
rritur përfitimet e tyre. Rëndom shtetarët tanë, në vend se të mbledhin taksat
e t’i përdorin ato për punë publike, u kërkojnë të pasurve tanë t’u bëjnë ndonjë
punë publike gratis, d.m.th., në mënyrë të paligjshme, sa për t’u hedhur hi
syve qytetarëve, e pastaj ua shpërblejnë dhjetëfish me tenderë e më the të
thashë po me paratë e grabitura këtyre qytetarëve. Edhe paratë që i kanë dhënë
Shullazit të pasurit tanë nuk i kanë problem se i nxjerrin nesër përsëri nëpërmjet
këtij sistemi. Në këtë kuptim, edhe pse nuk janë vrasës (ndonëse ka edhe shumë
prej tyre që për t’u pasuruar kanë aplikuar edhe këtë profesion), ata nuk janë
të ndryshëm nga Shullazi. Të dyja palët janë kundër shtetit. Përfundimi është i
qartë, më duket: Për të dalë nga kjo gjendje e mosekzistencës së shtetit si shërbim
për shkak të shtetit që funksionon si vegël e këtyre të pasurve, Shqipëria ka
nevojë jo vetëm për një tjetër elitë politike, por edhe për një tjetër elitë
ekonomike. (Panorama,
27 prill 2016)
No comments:
Post a Comment