Dy perversionet e komunikimit,
thotë filozofi danez Knud Logstrup, janë: më një anë reduktimi i tij në bërje
qejfi njëri tjetrit (si dhe bashkimi kundër një të treti), më anë tjetër, bërja e tjetrit si vetja nëpërmjet
imponimit të mendimit. Në të dy rastet nuk kemi komunikim sepse kështu evitojmë
përballimin e problemeve që kemi mes njeri tjetrit. Anija e komunikimit të vërtetë,
që nënkupton atë midis subjektesh që shkëmbejnë mendime me njëri tjetrin,
pasurojnë njëri tjetrin, e kësisoj thellojnë edhe njohjen edhe raportin me njëri
tjetrin, duhet të kalojë midis këtyre dy perversioneve që janë Shila dhe
Karibda e komunikimit. Këtë art lundrimi shqiptarët e njohim pak në përgjithësi,
por nëse ka njeri anija e të cilit nuk e ka kaluar kurrë këtë ngushticë, por është
mbytur duke u përplasur o me njërin perversion o me tjetrin, ky është Edi Rama.
Në vend të komunikimit, qoftë si politikan qoftë si person, ai ushtron ose bërjen
e qejfit dhe talljen e kundërshtarëve: "sa i madh je ti, sa të mëdhenj
jemi ne, sa budallenj janë ata", ose imponimin e mendimit të vet: "ti
je qorr, ti nuk merr vesh". Dështimi i raportit të këtij njeriu me njerëzit
që kanë një fije respekti për vetveten dhe mendimin e tyre, qoftë në rrafsh
politik qoftë në rrafsh marrëdhëniesh personale (duke përfshirë edhe raportin
me autorin e këtyre radhëve), është, në thelb, dështim komunikimi. Paaftësia për
të komunikuar, e pengon të arrijë pjekurinë e njeriut për të cilin thuhet:
"Sapientis est mutare consilium" - i mençur është ai që di të ndërrojë
mendim. Nëse ai na shfaqet sot si njeri që asgjë nuk ka mësuar dhe asgjë nuk ka
harruar nga koha kur gabonte si kryebashkiak i Tiranës kjo vjen nga ky dështim
komunikimi.
***
***
"Ç'është kjo fobi për kullat!" - ishte shprehja e tij në të ashtuquajturin prezantim të projektit të stadiumit kombëtar ku denigroi kundërshtarët e kullave. Ndërkaq, për të mos dëgjuar përgjigjen e kësaj pyetjeje, prezantimin e organizoi gati fshehurazi në një hotel privat (zakonisht e ka bërë në Pallatin e Kongreseve) dhe vuri rojet e pronarit (klient i tij) të pengonin hyrjen në sallë të kritikëve të projektit. Ndërkohë kritikëve që i futi në sallë, në vend se tu kishte marrë mendimin, u kishte bërë shantazhe dhe lajka që të ndërronin mendim, pra i kishte bërë si vetja.
Në fakt, nëse do të njihte artin
e komunikimit, Rama do të duhej t'i kishte bërë vetes, por edhe të tjerëve,
edhe ndonjë psikoterapeuti madje, pyetjet që bëjnë shumë vetë: Ç'është kjo mani
e Ramës për kullat, që dikur nuk i pëlqenin se i zinin malin e Dajtit? Mos vallë
dëshira e madhe për para dhe pushtet i deformon perceptimin e bën t'i duken
edhe të bukura? Mos ka edhe ndonjë problem psikik që e shtyn të shkatërrojë
veprat e të tjerëve, edhe kur janë monumente të kulturës, dhe të ndërtojë mbi
to kulla të larta?
Sepse, që kullat e Ramës, edhe
kur nuk janë gabime arkitektonike, janë gabime të rënda urbane këtë e sheh edhe
bufi. E shohin edhe kullat vetë që dëgjojnë njerëzit të ulërasin përditë se po
u zënë atyre frymën dhe pamjen, se po prishin monumentet historike të qytetit
madje po rrënojnë me gjigantizmin e
tyre të gjithë pejsazhin urban rreth e rrotull tyre. E ka shprehur më së
miri këtë edhe arkitekt Artan Raça
(https://www.facebook.com/notes/artan-ra%C3%A7a-arkitekt/stadiumi-dhe-nj%C3%AB-histori-me-fiorentin%C3%AB-n%C3%AB-tok%C3%ABn-e-shqiptar%C3%ABve/235659213461575)
kur thotë, duke analizuar projektin e stadiumit, se "ky organizëm gjigant
me një kullë befasuese dhe ngjyrën
e kuqe […] komprometon rëndë me sfondin e tij kompleksin e Bosio-s, transparencën
drejt pejsazhit të Dajtit dhe sheshin “Italia”. Por Kryeministri nuk ha pykë
nga këto argumente. Në stilin e tij të njohur do të nxitojë shpejt e shpejt o
t'i japë arkitektit ndonjë projekt apo ndonjë leje ndërtimi që ta bëjë si vetja
ose do t'i lëshojë qentë e tij t'i lehin. Sepse, sikurse e thashë, ai nuk di të
lundrojë midis dy perversioneve të komunikimit për të kërkuar të vërtetën.
Komunikimin me tjetrin ai e sheh vetëm si instrumentalizim të tjetrit në emër të
qëllimeve të veta. Por edhe në këtë aspekt ai është rënduar shumë. Më parë, në
kësi rastesh, për të instrumentalizuar, përdorte të paktën konkurset me juri,
kurse në këtë projekt të fundit ai
po bën vetë edhe zgjedhjen e arkitektit, edhe jurinë, edhe Ministrin e Kulturës
e përgjegjësin e Trashëgimisë, edhe Kryetarin e Bashkisë edhe përgjigjen ndaj
oponentëve - sepse nuk dalin ta mbrojnë as specialistët më të afërt të tij.
***
Si ka mundësi? Ç'është kjo mani e
këtij njeriu për kullat që e shtyn të ndërmarrë hapa të tilla që në një vend
normal do ta kishin çuar deri në burg?
Po të shohësh historinë e kullave
ato janë të njohura edhe në vendin e arkitektit Casamonti. Në kohën e Rilindjes
italiane familjet e mëdha bënin garë se cila do të ngrinte kullën më të lartë.
Më të njohurat janë kullat e San Giminanos. Ato ngriheshin si simbol fuqie i familjeve
të pasura, në garë për tu dukur mbi të tjerët. Është shumë i njohur
interpretimi i kullave si simbol i phallusit, penisit në gjendje
ereksioni/fuqie. Edhe në kohët moderne ato nuk e kanë humbur këtë simbolikë. Ka
shtete që janë venë në garë se kush ndërton kullën më të lartë për të treguar
epërsinë teknologjike apo ekonomike. Të gjitha këto qëndrojnë në sfond të vetëdijes
dhe nënvetëdijes edhe te Kryeministrit tonë. Në prezantimin e kullës së parë që
ka ngritur Rama i ka thënë gazetares Jane Kramer: "Papët ngrenë obelisqe.
Këto kulla do të jenë obelisqet tona."
Është çmenduri, gjendje
paranojake, të nisesh të ngresh
kulla nga motive të tilla apo të krahasohesh me papët autokratë të Mesjetës në
kohën tonë të demokracisë, të refuzimit të raporteve superior - inferior në emër
të barazisë në dinjitet midis njerëzve. Megjithatë, ashtu si jemi katandisur,
edhe mund t'ia pranonim Kryeministrit dhe oligarkëve të tij ndërtimin e
kullave, si shprehje të pasurisë së tyre, apo qoftë edhe si nevojë zgjatjeje të
phallusit apo kompensim të mungesës së ereksionit, (gjithë duke i krahasuar me
sheikët arabë, jo me papët e sotëm që flasin përditë kundër të fortëve në emër
të dashurisë për të dobëtit). Por problemi është se paranoja dhe perversiteti i
tyre shkon edhe më përtej. Ata nuk
duan t'i ngrenë kullat as në një vend të ri, jashtë Tiranës, por në qendër. Ata
duan që kullat e tyre të janë edhe obelisqe në sheshet qendrore edhe burim
paraje prandaj bëjnë obelisqe të trash madje jo me majë lart po me bythë lart.
Ata nuk çajnë fare kokën që kështu shkatërrojnë Tiranën historike, përkeqësojnë
jetën e banorëve përreth, grabisin hapësirën publike jo vetëm direkt, siç është
rasti i stadiumit, por edhe indirekt duke rënduar së tepërmi raportin ndërtim
gjelbërim në një qytet ku ka më pak se në çdo qytet tjetër evropian metër
katror gjelbërim për banor.
Arkitekti italian Paolo Di Nardo,
njohës i mirë i Tiranës, që ka botuar edhe një numër të revistës së tij për
arkitekturën italiane në Tiranë, i ftuar nga shoqëria civile i vuri pikat mbi i
projektit të stadiumit dhe kullave në Tiranë. Bazuar mbi parimin se e rëndësishme
është koncepti i qytetit si tërësi, dhe jo ndërtimi aty këtu i objekteve që kërkojnë
të nxjerrin në pah një autor apo një porositës, ai tha se ai stadium aq i madh
me atë kullë të lartë nuk mund të dialogojë me ndërtesat përreth. Sigurisht ai
nuk e njeh kryeministrin dhe as oligarkët tanë, siç i njohim ne, që të kuptojë se kullat e tyre janë ndërtuar
pikërisht si e kundërta e konceptit të dialogimit dhe të komunikimit. Shihni
kullën 4Ever Green dhe do të keni përpara autoportretin e Ramës dhe oligarkëve
tanë. Arkitektonikisht ajo edhe mund të qëndrojë - kjo ha debat. Disa e pëlqejnë disa jo. Por që ajo,
edhe nëse nuk është një gabim arkitektonik, është një gabim i rëndë urban me
vendin ku është vendosur, kjo nuk diskutohet. Kulla nuk është ngritur që të
dialogojë me ndërtesat historike të ministrive, as me ndërtesën e vyer të Bankës,
as me ndërtesën e bukur tiranase që ka përbri e njohur si Shtëpia me Gjethe, as
me Shallvaret. Përkundrazi, ajo u imponohet atyre me stërmadhësinë dhe stërlartësinë
e saj, i shtyp, u merr frymën dhe diellin dhe ulëret duke thënë: vetëm unë jam
këtu. Të gjitha kullat e ngritura deri më sot janë kështu, pa lidhje me qytetin
dhe as me njëra tjetrën, por kjo ndoshta është shprehja më eksplicite e kësaj
mendësie ku dukja dhe arroganca e individëve zëvendësojnë përmbajtjen dhe
dialogun e një komuniteti.
***
Dhe këtu del problemi Rama -
Casamonti. Një arkitekt që ka minimumin e etikës profesionale do të ndihej keq
duke e parë veprën e tij në kontekstin urban ku e ka futur Rama. E tha edhe Di
Nardo që ajo dhe kullat e projektuara nga francezët nuk kanë lidhje me Tiranën,
duke lëshuar thirrjen "mjaft më me kulla!" Si ka mundësi atëherë që
Casamonti vazhdon të gabojë ndaj tiranasve kësaj hera madje duke shkatërruar
edhe veprën e Bosios për të ngritur një kullë tjetër? Apo mos vallë ai thjesht
ndjek vullnetin e porositësit/ve duke vërtetuar thënien e arkitektit Ludwig
Mies van der Rohe, të cituar nga Raça, se "Asnjë vepër nuk
mund të jetë më e mirë se sa porositësi i saj." Cila është e vërteta?
Kryeministri, pas reagimit
qytetar, doli e na tha se do të ruhej fasada e vjetër e stadiumit, edhe pse në
projekt-idenë ajo as që dukej. Tregoi me këtë rast edhe injorancë të madhe si
ish-ministër kulture që ka qenë. Sepse mbrojtja e një monumenti kulture përfshin
(me ligj madje) edhe distancat më të afërta ku nuk duhet ndërtuar që monumenti të mund të ruajë
vizualisht dhe materialisht vlerën e tij të pacënuar. Dhe në këtë rast monument
është i gjithë Ansambli dhe jo thjesht fasada e stadiumit prandaj distancat
duhet të jenë përtej saj. Dhe prapë ngrihet pyetja: mirë papa mesjetar që nuk
do t'ia dijë, po Casamonti si nuk është shqetësuar fare për këto distanca. Nuk
e ka ditur vallë që ky ansambël është monument kulture, ndoshta edhe unik ne
Evropë me historinë dhe simbolikën e tij? Po si arkitekt nuk është në gjendje
ta vlerësojë se ky ansambël, dhe atmosfera e tij, shkatërrohet me gjigantin që
ai kërkon të ndërtojë siç janë shkatërruar ndërtesat historike përreth kullës së
tij 4Ever Green?
Nga burime të brendshme kam mësuar
se kur Casamonti e ka pyetur Ramën "a do që ta ruajmë fasadën e
stadiumit?", papa ynë i ka bërë me dorë shenjën "fshije". Po ashtu,
ndërkohë që ka deklaruar se kullën e ka kërkuar arkitekti ne kemi parë se ajo
kullë është trashur disa herë nga
projekti i parë dhe për këtë ka ndikuar edhe fakti se porositësi kërkonte
numrin e caktuar të metrave katrorë: 30000. Si është e vërteta?
Raça në shkrimin e tij, duke
cituar një tjetër arkitekt të njohur,
thotë se porositësi dhe projektuesi nuk duhen ndarë, ata janë si nëna
dhe babai i fëmijës. Për mua të dy kanë probleme të rënda etike në raport me
qytetin dhe qytetarët të cilëve po u imponojnë këtë projekt me dhunë. që edhe i
bashkojnë. Por për mua papa ynë është shumë më vendimtar sesa arkitekti në këtë
projekt dhe mban përgjegjësi më të madhe qoftë morale qoftë ligjore. Përsa i përket
raportit të tij me arkitektin kjo histori e kullave edhe obelisqe edhe qendra
biznesi më kujton esenë e Elias Cannettit "Hitleri sipas Speer"
(arkitekti i tij). Ma kujton shumë kur autori flet për lidhjen e ngushtë, në
vizionin e Hitlerit, të krijimtarisë me shkatërrimin (e ndërtesave të vjetra);
kur flet për kërkesën ndaj arkitektit që ndërtimet të tejkalonin madhësisë e ndërtesave
ekzistuese, pasi objekte të tilla paranojaku i sheh si zgjatime të jetës dhe
pushtetit të tij pas vdekjes; kur flet për faktin se këto i shihte si shumë më
të rëndësishme sesa vendbanimet e qytetarëve të thjeshtë gjermanë. Por ma
kujton edhe kur flet për faktin se arkitekti i talentuar, dora dorës që është në
shërbim të Hitlerit, kthehet, edhe me veprën e tij në një alter-ego të
diktatorit paranojak duke projektuar sipas vizionit të tij.
Nuk po shkoj aq larg sa ta quaj
Casamontin një alter-ego të Ramës apo si phallusin e Ramës dhe të oligarkëve
shqiptarë, sepse, për fatin e tij, nuk është nën pushtetin e tyre. Por fjala e
arkitektit tjetër fiorentin Paolo Di Nardo, që erdhi të flasë me shoqërinë
civile në emër të mbrojtjes së qytetit nga kësi projektesh, flet shumë edhe për
Casamontin dhe etikën profesionale të arkitektëve që zgjedh Rama për të
zgjidhur problemet e tij. Mendoj se, duhet të bëjmë çmos t'i vëmë në dukje këtij
arkitekti, nëpërmjet komunikimit për të cilin fola në krye të shkrimit, se
kullat që ai po projekton ne i shohim si kombinimi më pervers i etjes për të
fituar maksimalisht me etjen për t'u dukur të disa individëve të sëmurë, - në dëm
të një qyteti që na përket të gjithëve ku banojnë qytetarë që kanë dëshpërimisht
nevojë për përmirësimin e cilësisë së jetës në vendbanimet e tyre dhe jo për këto
kulla. (Panorama, 5 maj 2016)
No comments:
Post a Comment