Në
vitin 2001 kam votuar për herë të dytë dhe të fundit një nga partitë e
koalicionit të udhëhequr nga PS-ja. Ndonëse isha i zhgënjyer nga korrupsioni
dhe mashtrimet e Nanos, Metës, Ramës & Co; nga mënyra se si po degjeneronin
mediet, nga fakti se prej premtimit për meritokraci kaluam në regjimin që
Dritëro Agolli e cilësoi asokohe “shkërthatokraci”, aplikova, megjithatë,
logjikën e së keqes më të vogël. Sigurisht, kombinuar kjo me shpresën, që ende
e ushqeja, se nga presioni i votuesit, zgjedhje pas zgjedhjesh, këto parti do
të bëheshin gjithnjë e më pak të këqija; dmth. gjithnjë e më të mira.
Për
të mbështetur zgjedhjen time, ndër të tjera, tregova një histori që më kishte rrëfyer
një miku im i burgut, Romi. Po e përsëris pas pesëmbëdhjetë vjetsh pasi më
është kujtuar shumë kohët e fundit. Romi, - emri i gjatë i të cilit ishte Romeo
- në rini, përpara se të binte në burg politik, kishte ushtruar për ca kohë
profesionin e hajdutit të xhepave. Ndër historitë e tij të asaj kohe më kishte treguar
se, kur vidhte xhepat, kishte një parim: “mos e shih kurrë viktimën!”. “Çdo të
thotë kjo?’ - e kisha pyetur. “Sepse – më kishte thënë - po e pe viktimën, të
cilit i ke vjedhur kuletën, se si qan, të këputet shpirti dhe nuk e vazhdon më
dot profesionin.”
Duke
krahasuar çfarë kishte ndodhur gjatë rënies së piramidave nën udhëheqjen e Sali
Berishës me vjedhjet e Fatos Nanos, Ilir Metës, Edi Ramës & Co në atë kohë,
argumenti im elektoral, i bazuar në historinë e Romit, ishte se ata të PD-së,
me në krye Saliun, jo vetëm që na kishin vjedhur, por edhe na kishin rrahur, kurse për socialistët
shkërdhatokratë, të shkretët, thoja se janë një e keqe më e vogël: të vjedhin,
por nuk të shohin në sy.
***
Ka
kaluar shumë vite që atëherë. Shpresat se e keqja më e vogël do të vinte duke u
bërë gjithnjë e më e vogël, si rezultat i garës për t’i shërbyer sa më mirë
publikut, kanë përfunduar me kohë në koshin e shpresave të fikura. Thellimi në
krim dhe lufta e egër për pushtet/para me çdo mjet, në rreth vicioz, e kanë
çuar të keqen në politikë në humnera gjithnjë e më të thella. Ama, pas kaq
vitesh rënieje, me këta rilindësit them se jemi përpara një humnere të re. Këta
po tregojnë dita ditës se janë një mutacioni i ri i racës së politikanëve tanë
që vjen edhe si ndryshim brezash. Duke përdorur historinë e Romit do të thoja
se jemi përpara një race të re hajdutësh: nga ata që pasi të vjedhin jo vetëm
të shohin në sy pa iu dridhur qerpiku, por, po u ankove, me paturpësinë më të
madhe fillojnë të të tallin e përqeshin duke të thënë: je qorr, je budalla që
nuk e sheh se ne po t’i mbushim, s’po t’i zbrazim xhepat. Nëse ti qan ata
gajasen edhe më; nëse, i revoltuar, ngulmon tu japësh prova se xhepat e tua po
boshatisen, të fusin edhe ndonjë të rrahur jo vetëm me policët e shtetit, por
edhe me policnë private të bashkëhajdutëve të tyre. Vërtet që nga pikëpamja e
përdorimit të dhunës nuk kanë arritur ende Berishën e viteve 91- 97, por provat
e dhunës i kanë bërë. Dhe më e lezetshmja është se dhunën e përdorin zakonisht
në rastet kur e kanë shkelur ligjin vetë dhe me të dobëtit. Shikoni historinë e rrahjes së
protestuesve tek Parku i Liqenit. Shkurt,
me dhunë pa dhunë ka shumë njerëz që të thonë se rilindasit, veçanërisht
pasi morën edhe Bashkinë e Tiranës me Velinë,
po shfaqen si raca më bastarde e politikanëve që ka nxjerrë Shqipëria këta
25 vjet. Them “me dhunë pa dhunë” pasi, kur u përmend dhunën e Berishës së parë,
ata të thonë se dhuna asokohe gjithsesi tregonte se ti ekzistoje, kurse vjedhja sy ndër sy dhe pastaj tallja dhe
përqeshja e mosçarja kokë për çka thua janë edhe më poshtëruese.
Shkaqet
që kanë sjellë tek dalja në krye e kësaj racë janë komplekse. Sigurisht kanë
lidhje me degjenerimin e një sistemi ekonomik të bazuar mbi krimin, që çoi deri
në futjen e kriminelëve në Parlament dhe në shumë bashki të Shqipërisë, me
mungesën e shkollimit të rinisë, me varfërimin dhe degradimin e burimeve
intelektuale e morale në vend për shkak të ikjes, me nevojën e mashtrimit të
perëndimorëve duke e ngritur në nivele më të larta gjuhën e dyfishtë, por, pa
dyshim, kanë të bëjnë edhe me llojin e njeriut që i ka dalë për zot kësaj
situate. E kam fjalën për modelet në krye, një kryemashtrues dhe kryegënjeshtar
si Edi Rama që ka prodhuar klonimet e tij të tipit Veliaj, Tahiri, Balla që nuk
u bën syri tërr të ta japin ta hash me zor sapunin për djathë, të të bëjnë qorr
e budalla po s’e hëngre, të bindur se gënjeshtra dhe mashtrimi sy për sy janë
rruga e sigurt e suksesit pasi askush nuk ua ka treguar vendin ende.
Vështroni
rastin e fundit të Escobarit të Ballkanit se si e shpëtuan nga duart e policisë
evropiane pa pikë turpi dhe nuk thonë asnjë fjalë. Shikoni se si tallen pasi u
është zbuluar se kanë sjellë në mënyrë të paligjshme në zyrat e shtetit një
aparat përgjimi të qytetarëve. Shikoni se si, pasi gjykata Kushtetuese ka dhënë
provën finale se deputeti i tyre Kokëdhima ka marrë një numër të pafundëm tenderësh
në kundërshtim me ligjin akuzojnë drejtësinë në vend se të kërkojnë procedimin penal. Shikoni se
si as nuk u zverdhet as nuk u skuqet fytyra kur kryebashkiaku i zgjedhur prej
tyre në Kavajë deklaron se nuk e mban mend pse është dënuar në Gjermani. Shikoni
se si, pasi ta marrin votën duke premtuar zero ndërtime për Tiranën, deklarojnë
se qyteti do të zhvillohet në densitet dhe planifikojnë të ndërtojnë kulla të
reja brenda qytetit e kur u thua: “Ç’është ky stadium me kullë?!” të
përgjigjen: merr vota ta bësh ndryshe.
Nuk
kanë fund mashtrimet e tyre në këta tre vjet. Gjithnjë e më shumë po shtohet
numri i atyre që të thonë se s’ka kuptim t’i vesh më në një kandar me PD dhe
LSI, si pjesë e të njëjtit sistem, pasi këta, përveç të këqijave të sistemit
shtojnë edhe paturpësinë e arrogancës dhe arrogancën e paturpësisë me të cilën
kërkojnë të na i imponojnë vjedhjet dhe mashtrimet e tyre si e vërteta e
fundit, si ekspertiza e ekspertizës, si shembulli se si bëhen gjërat edhe në
Evropë.
Ka
nga ata zëmergjerë që thonë megjithatë se do t’ua falnim edhe këto sikur të
ngrinin ekonominë, por edhe këtë po e çojnë në pikiatë. Sipas meje nuk janë pa lidhje arroganca në
imponimin e gënjeshtrës me çuarjen në pikiatë të ekonomisë sepse ato nxisin
njëra tjetrën.
Shkurt
rilindasit po i kalojnë limitet e vënies
në provë të durimit tonë. Gjithnjë e më shumë ata po na sjellin ndërmend fjalën
e urtë, por ndjellakeqe: “Kur mbaron fjala, gjykon palla.”, apo atë edhe më
ndjellakeqe të bashkimit të të gjitha qelbësirave
kundër tyre. Personalisht nuk më bën zemra t’i këndoj këto këngë ashtu siç nuk
ma ka bërë zemra t’i këndoja edhe tre vjet më parë. Por ama problemi për t’u zgjidhur po bëhet gjithnjë e
më akut: si të shpëtojmë nga këta lloj kafshësh që po na çmerisin përditë e më
shumë, pa risjellë në pushtet Sali Berishën dhe pa fuqizuar edhe më Ilir Metën,
që paradoksalisht janë mbështetja më e fortë e pushteti të tyre? Duket një
ekuacion i pamundur për t’u zgjidhur në një kohë të shkurtër ndërkohë që koha nuk
pret sepse një mandat më shumë me këta do të na çojë në situata krejtësisht të paparashikueshme.
Por duhet zgjidhur sa nuk është vonë. Dhe, për mua, e vetmja rrugë është bashkimi
i të gjitha forcat që i refuzojnë këto banda deri në atë pikë sa të formojnë
një masë kritike e cila, edhe nëse nuk arrin të marrë pushtetin, të bëhet sa më
parë aq e fuqishme sa të imponojë ndryshime rrënjësore edhe brenda vetë këtyre
bandave. Përndryshe, pas dhjetë vjetësh, historinë e Romit do ta tregoj për të
përshkruar evolucionin e rilindasve nga një racë që të sheh në sy e të përqesh
pasi të vjedh në një racë që të nxjerr sytë dhe pastaj të vjedh. (Panorama, 20 maj 2016)
No comments:
Post a Comment