Përpara
zgjedhjeve të vitit 2013 kam shprehur mendimin se është më mirë të fitojë Edi
Rama sesa të qëndrojë Sali Berisha ende në pushtet. Argumenti nuk mbështetej,
siç më kanë akuzuar mjaft PD-istë, në idenë se Edi Ramën e konsideroja e keqja
më e vogël, pasi ka kohë që jam shprehur kundër teorisë së të keqes më të vogël,
që bëhet më e madhja kur vjen në pushtet. Argumenti ka qenë i thjeshtë fare:
nëse do të fitonte përsëri Sali Berisha do të rrinim edhe katër vjet duke
pritur Edi Ramën me shokë, si shpresë për shpëtim, ndërkohë që, duke fituar Rama,
do të kursenim katër vjet ndërgjegjësim për atë se shqiptarët duhet të lëvizin
për të krijuar diçka të re, kundër sistemit oligarkik, klientelist dhe të
korruptuar që kanë ndërtuar partitë e vjetra me në krye Ramën, Berishën, Metën
me shokë.
Tani
po bëj edhe një herë Kasandrën dhe po them se edhe reforma në drejtësi duhet
miratuar, sa më parë, për të njëjtën arsye. Pra jo se ka shpresë se pas asaj reforme
ne do të kemi më shumë drejtësi, apo se do të shpëtojmë nga skota e hajdutëve,
mashtruesve dhe arrogantëve që kanë ndërtuar republikën e të padrejtëve të
Shqipërisë. Jo, thjesht për të fituar kohë. Reforma në drejtësi, pra, duhet
aprovuar sa më parë, në mënyrë që, me padrejtësitë edhe më të mëdha që do të
sjellë, të na ndihmojë të ndërgjegjësohemi më shpejt se nuk mund të kërkosh
drejtësi nga kjo skotë që pushtetin e ka
ngritur pikërisht mbi themelet e padrejtësisë.
Problemi
është se kundër këtij ndërgjegjësimi punojnë përditë detashmentet e partive, gazetarët
në shërbim të tyre, simpatizantë miopë, duke kërkuar të na mbushin mendjen se
të tyret e duan reformën në drejtësi kështu apo ashtu, por janë të tjerët që
nuk e duan kështu apo ashtu. Këta, ca me vetëdije dhe ca pa vetëdije, synojnë
të na bindin që shpresën tonë për shpëtim dmth. edhe për drejtësi apo shtet të
së drejtës, ta mbajmë brenda qerthullit të këtyre partive. Në fakt, po tu
ndjekësh retorikën, do të vesh re se ajo që duan apo nuk duan nuk është drejtësia,
por togfjalëshi “reforma në drejtësi”, të cilin e kanë mistifikuar aq sa po na
e shesin si baras me drejtësinë apo shtetin e së drejtës dmth. baras me
shpëtimin tonë. E ndërkohë, shqiptarët, të ngërthyer në këtë debat shterp,
humbasim kohë me shpresa të rreme.
Më
e keqja është se, për këtë debat shterp, bjerrakohës, po punojnë përditë edhe të huajt që i kemi aq qejf, ambasadori
amerikan apo ambasadorja e BE psh.. Edhe këta i dëgjojmë të flasin përditë për
reformën në drejtësia thua se kanë gjetur fillin e Arianës që do të na nxjerrë
nga labirinti. Por ajo që bën përshtypje është se si e shkëpusin atë nga i gjithë
konteksti shqiptar; se si psh., nuk i dëgjojmë të flasin për drejtësinë apo
padrejtësinë duke iu referuar skandaleve të përditshme të qeveritarëve tanë. A
i keni parë të thonë një fjalë për padrejtësinë e madhe (në fakt krimin) që
shtetarët tanë më të lartë kanë bërë duke bashkëpunuar me trafikantët e drogës
e vrasësit duke i futur deri në Parlament. Unë jo. A i keni parë të thonë një
fjalë se si policia përdoret për të rrahur protestuesit edhe pse këta janë në
rregull me ligjin kurse pushtetarët janë kundra ligjit? Unë jo. A i keni parë
të thonë një fjalë se si në Shqipëri Ministria e Brendshme sjell aparate përgjimi
duke i kaluar ato pa doganë dhe pa marrë lejen e Prokurorisë. Unë jo. I dëgjojmë
të flasin vetëm për gjyqtarë të korruptuar dhe për ndoca kriminelë ordinerë,
por jo për bashkëpunëtorët e tyre në pushtet (të djeshëm dhe të sotëm). Aq sa
s’merret vesh nëse nuk e kuptojnë apo bëjnë sikur nuk e kuptojnë se në fakt po
punojnë për t’i varur mëlçitë e drejtësisë pushtetit të më të fortëve në qafë.
Megjithatë
unë mendoj se reforma duhet të ndodhë. Duhet t’i shohim mëlçitë tona në qafa
pushtetarësh arrogantë dhe brutalë, edhe më të çapëluara se ç’i kemi parë deri
më sot, që të mësojmë të mos ua varim
ato ujqvenë qafë. Dikush e quan këtë një rrezik të madh që duhet evituar. Unë
dita ditës bindem se e meritojmë një mësim të tillë. Vetëm nga ky mësim ndoshta
mund të lindë vetëdija për rëndësinë që ka të kemi një drejtësi të pavarur nga pushtetet
e tjera, qofshin këta kombëtare apo ndërkombëtare. Vetëm pas këtij mësimi,
ndoshta, do të lindë ndërgjegjësimi ndër shqiptarët se drejtësia nuk është
diçka që falet në një ditë të bukur nga gangsterët, të shtrënguar nga miqtë e
tyre të huaj, por, ashtu sikurse liria, diçka që fitohet ose humbet përditë në
luftë me ta.
Dhe
vetëm pas kësaj vetëdijeje ka shpresa se do të dalë më në fund një klasë
drejtuese e vendit që do ta ndërtojë autoritetin nëpërmjet bërjes drejt e me
ndershmëri të shërbimeve ndaj shqiptarëve dhe jo nëpërmjet imponimit të tij me
dhunë, hile e padrejtësi apo nëpërmjet shërbimeve e mashtrimeve ndaj të huajve
– siç ka ndodhur e po ndodh deri më sot në shtetin tonë.
(Panorama,
27 maj 2016)
No comments:
Post a Comment