Wednesday, January 30, 2013

Christine von Kohl*


Kishte disa kilometra që makina jonë po ndiqte veturën e bardhë Wolsvagen me targën SK, të Shkupit, me të cilën e dija se udhëtonte gazetarja e njohur Christine fon Kohl. Kur lamë rrugën nacionale dhe hymë në një rrugë të ngushtë me gropa që të çonte për në fshatin Gradisht, diku, në një pikë të saj më të gjerë, makina e bardhë ndaloi dhe nga krahu i shoferit doli një grua me flokë të bardha në të argjentë, të prera shkurt me një trup shumë të rregullt që për t’u shkrythur nga mpirja e qëndrimit gjatë në sedilje filloi të bëjë disa lëvizje gjimnastikore duke ngritur e ulur krahët me frymëmarrje të thellë dhe duke përkulur e rrotulluar belin.
Kështu e kam parë për herë të parë Christin von Kohl. Të paktën kështu e kam në kujtese sepse sot, kur rrekem të kujtoj diçka më të saktë se si e gjetën ata rrugën deri atje, se si ka mundësi që nuk u takuam më parë gjatë udhëtimit, nuk më del në mendje asgjë.

* *  *
Ishte pranvera e vitit 1991, një kohë kur shumë shqiptarë pushtonin anijet dhe lundronin për në brigjet e Italisë e kur perëndimorët e parë filluan të bëjnë rrugën e kundërt: të vijnë në emër të ndihmës, të  njohjes, të politikave, të kërkimit të bizneseve e tregjeve të reja. Unë sapo isha liruar nga burgu dhe kisha filluar të punoja si Sekretar i Forumit për të Drejtat e Njeriut që më pas u bë Komiteti Shqiptar i Helsinikit. Atë ditë isha nisur nga Tirana për në Gradisht, një nga fshatrat e internimit të familjeve të  të persekutuarve nga diktatura, ku njerëzit vazhdonin të jetoni në një gjendje varfërie ekstreme. Ishim marrë vesh që rrugës do të takoheshim me një kamion me ndihma të Caritasit të Vienës që vinte nga Austria nëpërmjet Maqedonisë dhe me një makinë të marrë me qira në Jugosllavi, me të cilën udhëtonin gazetarja dhe aktivistja e të drejtave të njeriut Christin von Kohl dhe Marion Feik, e cila punonte për Caritasin.
Takimi dhe njohja ime me to u bë në atë pikë të rrugës.


* * *

Në një sallë të madhe të Gradishtit, që dukej si magazinë, por ku thuhej se shfaqeshin ndonjëherë edhe filma,  u mblodhën të gjithë të internuarit që banonin ende atje, me fëmijë dhe me pleq. Megjithëse ishte një ditë me diell atje brenda ishte shumë errët, pasi drita hynte vetëm nga dera që ishte në krye të sallës e nga disa dritare të vogla lart. Fytyrat e njerëzve pas rreshtave të parë mezi shquheshin. Fëmijët silleshin vërdallë duke u shfaqur në dritë e duke u zhdukur prapa në errësirë. Një përfaqësues i të internuarve prezantoi misionin humanitar për të cilin kishim ardhur dhe pastaj ia dha fjalën Christinës duke rikujtuar se ajo ishte shumë e njohur në çdo cep të Shqipërisë për shkak të historisë së arrestimit, disa kohë më parë, nga policia serbe në Kosovë.
“Ato çka kemi sjellë – u tha ajo - janë gjëra të vogla, por kanë vlerën se janë shenjë që ne ju mendojmë.”
Kamioni ishte plot me kutira kartoni në sejcilën prej të cilave kishte disa kile ushqime bazike si sheqer, fasule, makarona, qumësht pluhur, çokollata biskota. 

* * *
Ato vite të para të pas komunizmit Christine erdhi shpesh në Shqipëri si gazetare dhe si përfaqësuese e Federatës së Helsinkit që e kishte zyrën në Vjenë. Si Sekratar i Komiteti Shqiptar të Helsinkit e kam shoqëruar shpesh aq sa u bëmë miq. Takimi ynë ishte takimi i dy botëve që kishin shumë kuriozitet për njëri tjetrin. Ishte koha “e artë” e dashurisë së re midis Perëndimit dhe vendeve ish komuniste si Shqipëria. Ishte edhe koha e njohjes reciproke gjithashtu. Dhe dashuria e njohja e ndihmojnë shumë njëra tjetrën edhe pse jo lehtësisht shkojnë dorë për dore për një kohë të gjatë së bashku. Mua më dukej se e njihja mirë historinë e së keqes shqiptare, e flisja më së shumti për këtë. Ndërkaq e idealizoja Perëndimin si vendin e lirisë dhe demokracisë prandaj dëgjoja me vëmendje të veçantë gjithshka më thoshin “misionarët” që vinin nga ajo botë. Edhe Christinën e shihja si një të tillë. Bisedat me të janë ndër bisedat e para që kam bërë me perëndimorët pas një qëndrimi prej 17 vjetësh në burg. Sytë e saj, njëri i gjelbër tjetri i kafët, ma bënin edhe më të veçantë këtë grua. Nga ana e saj ajo kërkonte të zbulonte një botë që ishte kaq e ndryshme nga e vetja, duke qenë kaq afër, me çudinë se si kishim mbijetuar ashtu për afro pesë dekada të izoluar. Takimi me mua dhe me tim atë që kishim dalë nga burgime të gjata si dhe me familjen time që gjatë gjithë kësaj kohe kishte jetuar në internim, në fshatra si Gradishti e prekte shumë dhe dukej se donte të bënte diçka për të na lehtësuar. Ndërhyri asokohe tek drejtori i Televizionin të Vjenës që im atë, Todi Lubonja, ish Drejtori i Radiotelevizionit Shqiptar, i shpallur si armik nga Enver Hoxha, të mund të operonte sytë për shkak se, kishte dalë nga burgu thuajse i verbuar nga katarakti. Në spitalet e Tiranës asokohe gëlonin infeksionet. Në librin e tij “Ankthi pa fund i lirisë” im atë ka shkruar me shumë emocion për ditët pas operacionit kur takoi në Vjenë Christinën duke e parë atë dhe qytetin, më në fund, me dritën e syve që i ishte kthyer.

* * *
Sekushi ka në jetë takime me njerëz nga ata të cilët i kanë shenjuar jetën. Zakonisht këta njerëz kanë autoritetin e më të moshuarit, të atij që ka më shumë përvojë, që është më i zoti se ty, që është më i njohur. Por nuk mjafton kjo: njerëzit e këtyre takimeve kanë edhe aftësinë të të krijojnë një ndjenjë ku admirimi, i cili kërkon një farë distance, mplekset me afërsinë dhe besimin që ata të krijojnë nëpërmjet modestisë, sinqeritetit, inteligjencës. Christine von Kohl ka qenë një nga këta njerëz për mua. Kujtimet që kam me të janë nga ata që sikur kanë  mbjellje në mendjen time fidane që kanë zënë rrënjë atje e janë rritur me kalimin e viteve.
Nuk e harroj se si gjatë njërit prej udhëtimeve të para për një nga qytetet e Shqipërisë, duke parë pejsazin e bukur e të larmishëm shqiptar, më tha:
“Duhet të keni kujdes të mos bëni gabimet që kemi bërë ne.”
“Për çfarë gabimesh e ka fjalën?” - i thashë, si i befasuar, pasi Perëndimi ishte ende për mua ideali i vendit për t’u imituar, jo për t’u korrigjuar.
“Për shembull, mos e mbushni vendin me autostrada më tha.”
“Po çfarë të bëjmë?” – e pyeta unë, që autostradat i shihja si simbol i Perëndimit të zhvilluar.
“Zhvilloni hekurudhat” mu përgjegj, transportin publik.  Për herë të parë prej saj dëgjova ide që sot janë një nga ndjeshmëritë e mija më të mëdha: ato kundër çimentifikimit kundër atij që quhet zhvillim në kurriz të ambjentit të cilësisë së jetës.
Kritikat e Christinës ndaj Perëndimit në përgjithësi e ndaj politikave të tij në Ballkan në veçanti kanë qenë kontakti im i parë me kritikën ndaj asaj bote që e kisha idealizuar në errësirën e “kavernës“ së burgut. Nëse sot, kur analizoj mbrapështirat e zhvillimeve paskomuniste shqiptare, nuk mjaftohem me gjetjen e shkaqeve të tyre vetëm tek e kaluara totalitare, por edhe tek shumëçka prej neoliberizmit të shfrenuar e prej politikave neokoloniale që na solli Perëndimi, e di se fillimet e këtij mendimi kritik për mua kanë qenë bisedat me Christinën.
Me të gjithë sjelljen e saj ajo tregonte se nuk vinte në Shqipëri me ndjenjën e superioritetit të qytetërimit Perëndimor, por me dashurinë për njeriun e për të vërtetën; për t’u dhënë më të mirën e saj njerëzve që i konsideronte si të barabartë me të. Kolegu i saj suedez Gerald Nagler, Sekretari i Komitetit të Helsinkit më 1991, më tregonte asokohe për një takim që kishte pasur me Havelin dy vjet më parë. Në bisedë e sipër e kishte pyetur: “Më thuaj, çfarë mund të bëjmë ne për ju?” Haveli i ishte përgjigjur: “më duket se kjo është një pyetje e gabuar pasi çështja nuk shtrohet: ‘çfarë mund të bëni ju për ne’, por ‘çfarë mund të bëjmë ne të gjithë për njëri-tjetrin’, pasi jemi në të njëjtën barkë.” Christina ishte një ndër ata që e rrezatonte me gjithë qënien e mendimet e saj se ndjehej në të njëjtën barkë.


* * *

Duke vizituar Shqipërinë Christina po mësonte  jo vetëm mbi të keqen shqiptare të diktaturës por edhe për pasojat e saj në të tashmen. Dhe, sikurse thashë, shpesh ndodh që njohja dhe dashuria nuk ecin bashkë për një kohë të gjatë.
Nuk i harroj përpjekjet e saj për të organizuar në Vjenë, sëbashku me Marion Feikun e Caritas, një ekspozitë me punë të piktorëve të persekutuar shqiptarë. Ajo synonte të bënte një gjë sa më përfaqësuese, por e pati shumë të vështirë të gjente bashkëpunimin e disa prej piktorëve. Atë e tërhoqi shumë historia e një pikture të socrealizmit, që ia kishte treguar im atë, ku paraqitej një partizan që kishte në krah shokun e tij të plagosur në një pejsazh dimëror me borë. Kur e kishin parë cenzorët zyrtarë, përpara se të ekspozohej, e kishin cilësuar të paekspozueshme pasi shumë pesimiste. Atëhere piktori, për t’i dhënë optimizëm, kishte shtuar edhe një monopat në horizont ku dukej brigada me flamurin e kuq në ballë që vinte përdrejt tyre. Por përsëri ajo nuk e kishte kaluar cenzurën. Shkuam e pamë pikturën në fondin e Galerisë së Arteve. Asaj i pëlqeu dhe mendoi ta ekspozonte pasi fliste shumë për historinë e artit socrealist në Shqipëri, por një nga piktorët i tha se do t’i tërhiqte pikturat e tij po të merrej ajo pikturë pasi autori nuk bënte pjesë në të persekutuarit. Ajo u detyrua të mos e merrte, ndonëse shkroi për historinë e saj në tekstin e katalogut të ekspozitës. Një piktor tjetër pretendonte se ekspozita duhet të kishte vetëm me veprat e tij, përndryshe nuk do t’i sillte të vetat. Një ditë pasi doli e lodhur nga njëra prej studiove ku kishte dëgjuar të derdhej helm nga një piktor mbi njërin prej kolegëve të tij, më tha se ky mosbesim i thellë ndaj njëri tjetrit ishte një nga pasojat më të këqija të diktaturës, që do ta vuanim shumë. Megjithatë ajo e çoi deri në fund këtë punë. Shumë vepra u ekspozuan. Midis tyre ishte edhe një punë e piktorit Arben Theodhosi që kishte një histori të veçantë. Në studion e tij Christinën e tërhoqi një punë që autori e kishte lënë mënjanë si pa rëndësi. “Po këtë pse e ke lënë këtu?” - e pyeti. “Është e papërfunduar” - i tha ky dhe i shpjegoi se ishte një prekje që kishte bërë mbi njërën nga radiografitë e mushkërive të tij të bërë, për kontroll nga silikoza, kur kishte punuar në minierë si i internuar. Mbi hijet e zbardhura të kockave të toraksit ai kishte theksuar me akrilik në monokrom kryqin që formon shtylla kurrizore me klavikulat. “A mund ta ble unë kështu siç është?”. ”Ta dhuroj me kënaqësi.”  - i tha Beni. Christina  e mori dhe, kur u hap ekspozita, pamë se e kishte ekspozuar edhe këtë punë sëbashku me historinë e saj. Më pas e kam parë shepsh këtë punë në një nga muret e shtëpisë së Christinës.

* * *
Gjithnjë kam menduar se takimi me Presidentin e parë antikomunist Sali Berisha në verën e vitit 1992 ishte një pikë kthese në raportet e Christinës me Shqipërinë, që, sipas meje, ndikoi në ftohjen e saj me shqiptarët, ndonëse ajo s’foli kurrë për një ftohje të tillë.
Sapo u bë President, pas zgjedhjeve të marsit 1992, Berisha filloi luftën ndaj kundërshtarëve dhe pastrimin e rivalëve me metodat e atyre që asokohe u quajtën më të këqijtë e komunistëve: komunistët e kthyer në antikomunistë. Një numër intelektualësh me rëndësi ishin përjashtuar apo larguar nga Partia  Demokratike e sapokrijuar, një numër gazetarësh kishin dhënë dorëheqjen nga   gazeta e parë antikomuniste Rilindja Demokratike. Edhe Komiteti ynë, që kishte lindur nga e njëjta lëvizje opozitare që kishte lindur edhe Partinë Demokratike të Berishës, por që tashmë i takonte t’i bënte kësaj kritikën, ishte nën presion për t’u kthyer në “levë të partisë” së Berishës. Christina kishte botuar edhe një shkrim në Standart ku prekte problemet e reja që po lindnin në Shqipëri.
Një ditë ajo erdhi në Tiranë sëbashku me Sekretarin e ri të Federatës së Helsinkit, polakun Novicki, që asokohe kishte zëvendësuar Gerald Naglerin. Pasi folën me shumë njerëz i kërkuan takim Presidentit për të biseduar mbi problemet e reja të të drejtave të njeriut që gjetën në Shqipëri. Presidenti na priti një ditë të treve:  Christinën, Novickin dhe mua. 
I pari e mori fjalën Novicki. Me një gjuhë mjaft diplomatike, duke iu referuar eksperiencës së vendit të tij dhe Solidarnosit, ku kishte bërë pjesë, ai i tha Berishës se pas fitores së opozitës demokratike në fillim ata kishin menduar se tashmë gjithshka ishte në rregull, por shumë shpejt kishte dalë se çështja e mbrojtjes së të drejtave të njeriut mbetej një çështje e rëndësishme edhe në demokraci. Pastaj shpjegoi se si gjatë vizitës dhe kontakteve të shumta në Shqipëri ai dhe zonja von Kohl kishin krijuar një tablo të problemeve kryesore që i dilnin Shqipërisë në fushën e të drejtave të njeriut. Dhe pas kësaj e ftoi Christinën të hynte në detaje.
Mirëpo Presidenti Berisha ndërhyri përpara se ajo të fillonte të fliste. I tha Novickit se kishte për t’i bërë një pyetje “kësaj zonje” dhe pastaj vazhdoi t’i fliste atij, jo Christinës, se ai ishte shumë i mërzitur që “this lady” paskësh shkruar një artikull në Standart në të cilin thuhej se Shqipëria qënkej në prag të luftës civile, çka - tha ai - nuk është e vërtetë: populli shqiptar po shkon paqësisht drejt një shoqërie demokratike dhe një deklaratë e tillë e dëmtonte Shqipërinë sepse trembte investitorët e huaj. Pastaj - vazhdoi të akuzojë Presidenti - “kjo zonjë”, në të njëjtin artikull, kishte marrë rolin e avokatit të familjeve të “bllokmenëve” (kështu filluan t’i quanin asokohe udhëheqësit kryesorë komunistë pasi kishin jetuar në një zonë të mbyllur të Tiranës që quhej “Blloku”), të cilat janë “criminal families” që mund të mbrohen në gjyq, por jo nga aktivistët e të drejtave të njeriut.
Presidenti Berisha po vazhdonte të fliste pa iu drejtuar Christinës personalisht derisa më në fund ajo e humbi durimin, dhe i tha:
“Zoti President, po flisni me Christine von Kohl apo për Christine von Kohl? Ju lutem, unë jam këtu, flisni me mua, jo për mua.”
Berisha e pati shumë të vështirë ta dëgjonte pa e ndërprerë. Christina e pyeti nëse e kishte vënë re shenjën e pikëpyetjes në fund të titullit të artikullit të saj: “A do të shkojë Shqipëria në luftë civile?” Ky rrezik ishte vënë në dukje nga Christina duke parë konfliktualitetin e fortë që ishte krijuar në Shqipëri për shkak të së kaluarës, por lidhej edhe me çështjen e bllokmenëve, që ishte bërë problem i Federatës së Helsinkit pasi disa familje bllokmenësh u kishin dërguar letra organizmave ndërkombëtare, mes tjerash edhe Federatës, ku ankoheshin për shkeljen e të drejtave të njeriut ndaj familjeve të tyre. Christina i referohej kësaj historie në artikullin e saj për të treguar se mentaliteti patriarkal dhe ai prej klani kishin rrënjë ende të fuqishme në Shqipëri dhe kjo i bënte shqiptarët që të projektonin fajet e atit tek i biri apo të identifikonin atin me birin apo nipin,
Këtë mentalitet po ia provonte edhe Presidenti ku vazhdimisht përdorte termin “familje kriminale”, aq sa Christina u detyrua t’i thotë se një nga krimet më të rënda të Enver Hoxhës ishte pikërisht ai që, për një person, dënonte të gjithë familjen dhe se shpresonte ta kishte keqkuptuar Presidentin, se nuk besonte që ai të ndiqte të njëjtat parime me ato të ish-diktatorit.
Takimi u mbyll shumë keq. Zyra e Shtypit e Presidentit lëshoi pas disa ditësh një njoftim mbi takimin në të cilin ironizohej sikur presidenti i kishte thënë me ironi zonjës von Kohl se ajo mund të vinte të bëhej avokate e bllokmenëve në gjyqin e tyre. Këtë njoftim për shtyp e pasuan disa artikuj në gazetën e partisë së Presidentit, me sulme të shëmtuara ndaj saj.

Pas pesë vjetësh qeverisjeje të Berishës, me rënien e piramidave financiare Shqipëria u gjend vërtet në prag të hunerës së një lufte civile. Berisha akuzoi për këtë revanshin e klaneve ish komuniste. Artikulli i shkurtër i Christinës po i dilte profetik. Ai artikull është aktual edhe sot, pas njëzet vjetësh, po të kesh parasysh se  midis dy partive kryesore, asaj ish komuniste dhe asaj të Berishës vazhdon një konfliktualiteet që e çon vendin shpesh në zgrip të instabilitetit  ndërkohë që në bazë të diferencave të tyre nuk qëndrojnë programe e vizione të ndryshme për botën, por përkatësi klanore familjesh të mpleksura me interesa të mëdha ekonomike e financiare.

* * *
Gjatë viteve kontaktet e Christinës me Shqipërinë u rralluan, por nuk u ndërprenë kurrë. As interesi i saj për të mësuar dhe për të treguar në revistën “Ballkan” për zhvillimet e reja. Edhe unë nuk i humba kurrë kontektet me të edhe pse ato u rralluan. Takoheshim herë pas here kur kaloja në Vjenë ose flisja me të në telefon. Nga çdo takim e bisedë më duket sikur më ka mbetur diçka në mendje, e pashlyeshme.
Pasi i shoqi i saj Libal kaloi të nëntëdhjetat dhe filloi të rëndohet me shëndetin më kujtohet se i telefonova një ditë për ta pyetur se si ishte ai me shëndet. E pyesja me një shqetësim të dyfishtë pasi nuk më shqitej nga mendja diçka që më kishte thënë shumë vjet më parë, në kohën e udhëtimeve të saj të shpeshta në Shqipëri, mikja e jonë e përbashkët Marion Feik: se jeta e Libalit ishte shumë e  rëndësishme për të pasi here pas here ajo kishte shprehur mendimin se me vdekjen e së shoqit ajo mund të humbiste një motiv të rëndësishëm për të jetuar e mund t’i jepte fund jetës. Gjatë telefonatës Christina më tha diçka për shëndetin e Libalit, por fraza që më mbeti në mendje ishte: “nuk është mirë që njeriu të jetojë kaq gjatë”.
Disa muaj pas vdekjes së Libalit u takuam një ditë në Vjenë. Kishte ardhur e ftuar për të ndjekur punimet e një Konferencë të organizuar nga Universiteti i Vjenës me temë “Shqiptarët dhe feja” ku merrja pjesë edhe unë. Në mbarim të njërës nga seancat hëngrëm darkë në një restorant në qendër ku u ulëm bashkë pranë njëri tjetrit. E pyeta si ishte me shëndet. Më tha se kishte kancer. Unë u trondita, por ajo ndërhyri për të më thënë se ishte shumë e qetë. Dukej sikur e kishte bërë tashmë paktin me vdekjen.
Bisedën e fundit e bëmë dy tre muaj përpara se të vdiste. E mora në telefon për ta pyetur se si ishte me shëndet. Më tha se ishte mirë. Pastaj nuk di se si biseda kaloi në temën e identitetit. Ndoshta ngaqë unë i tregova se isha përfshirë në një debat mbi çfarë ishte identiteti evropian i shqiptarëve. I thashë se kisha shkruar për identitetin si varfërim në kuptimin që ai e thjeshtëzon kompleksitetin e qënies sonë.
“Njerëz si unë dhe si ti nuk kanë nevojë për identitetin.” – më tha. Këto janë fjalët e fundit që mbaj mend nga Christina.
Kur mësova për vdekjen e saj nuk di pse imazhi i parë që mu shfaq ishte ai i asaj gruas së fortë dhe energjike që doli nga makina në rrugën që çonte për Gradisht dhe filloi të lëvizte krahët lart e poshtë duke bërë frymëmarrje të thellë. Pastaj mu kujtuan fjalët e Marion Feikut  që më kishte thënë se ajo kishte një obsesion që, nëse do të vdiste Libali, ajo do t’i jepte fund jetës. Dhe pastaj mu kujtuan fjalët e fundit që kisha dëgjuar prej saj mbi identitetin dhe mendova se ndër të gjithë njerëzit që kam njohur ndoshta Christinës, më shumë se kujtdo tjetër, i shkonin fjalët e Renanit se “njeriu nuk i përket as gjuhës as racës së vet: ai i përket vetëm vetes së tij, sepse është një qënie e lirë, dmth një qënie e moralshme.” (Panorama 29 janar 2013)

*Ky shkrim memuaristik i Fatos Lubonjës është botuar në një libër me kujtime për Christine von Kohl që vdiq më 23 janar 2009 me titull: Sprich günstig mit dem Balkan (Fol mirë për Ballkanin) EditionAtelier Vienë nen kujdesin e Vedran Dzihic, Herbert Maurer. Po e botojme me rastin e katër vjetorit të vdekjes së saj.

Saturday, January 19, 2013

Të flasësh me veten


Një alter ego brenda vetes sime ka ditë që më thotë se duhet të ulem të shkruaj një shkrim, ndërkohë që unë i përgjigjem: Po ç’të shkruash dhe pse të shkruash? Po ja, për ngjarjet e fundit që kanë ndodhur – më thotë. Po cilat janë këto ngjarjet e reja që paskan ndodhur? Nuk ka ndonjë të re që të meritojë të shkruash. Po si nuk paska? – më përgjigjet. Çdo ditë ndodhin ngjarje në Shqipëri. Apo mos do të thuash se punët në Shqipëri po shkojnë mirë. Jo, jo, absolutisht,  e kundërta – i përgjigjem – por, të them të drejtën, më duket vetja si një mjek që punon prej vitesh në repartin e të sëmurëve terminalë dhe kërkon të ndryshojë pavijon. Po kjo është metaforë – ta krahasosh Shqipërinë me një të sëmurë terminal – se po të qe ashtu, 40 vjet komunizëm me çfarë do t’i krahasoje ti? Po pse, nuk ishte vdekje ajo që ndodhi më ‘91-shin? – ia kthej. Jo, jo, ajo ishte rilindje, ja ti dole nga burgu dhe fillove të jesh i lirë të thuash mendimin tënd. Nuk mund të presësh që një shoqëri të ndryshojë me një artikull. Ti thua kështu, kurse mua me duket se kjo që po ndodh është dekompozimi i kufomës – i përgjigjem.
E në këtë dialog me alter egon tim, ku ai më sugjeronte ngjarje kurse unë i përgjigjesha se nuk është e re, se temën e kam trajtuar njëqind herë, se këtu veç e kundërta e atyre që kam shkruar është bërë, arrita të flas me veten për nja katër ngjarje:

Zoti i Berishës

Ngjarja më e rëndësishme, sipas meje – më tha alter egoja – ishte deklarata e Berishës se gjëja e parë në të cilën ai beson në këtë jetë është Zoti dhe gjëja e dytë, pas Tij, është çështja e bashkimit të shqiptarëve; se s’mund të pranohet që tre të katërtat e shqiptarëve të jetojnë jashtë shtetit të tyre. A e mendon ç’pasoja ka kjo për rajonin?
E rëndomtë – i them unë, – s’bën lajm po të kesh parasysh se çfarë ka thënë e çfarë s’ka thënë ky njeri. Deri 50 vjeç ka qenë komunist me aspiratën për të bërë karrierë në vendin e vetëm ateist në botë; tani është bërë besimtar. Deri jo më shumë se para një viti deklaroi se ai e ka pas besuar çështjen e bashkimit me Kosovën, por se kjo tashmë është një punë e mbyllur nga e cila shqiptarët duhet të heqin dorë e të mendojnë për bashkimin në Europë. Tani e quan prapë bashkimin kombëtar besimin e tij të dytë; nesër prapë do ta përgënjeshtrojë.
Po ja – më thotë alter egoja – kjo deklaratë meriton të trajtohet në kontekstin e fushatës. Dikush i ka shtirë në vesh se ky Kreshnik faqeziu rrezikon t’i marrë vota, prandaj i thotë këto. Por ka edhe nga ata që thonë se u ka marrë më parë dorën amerikanëve, se ata kanë ato interesat e tyre në rajon. Ti si thua?
Lëri mor këto budallallëqe – i paskan thënë amerikanët. E vetmja gjë që meriton të komentosh lidhur me këtë pseudongjarje ka të bëjë me pyetjen se si e mendon Zotin Berisha. Dhe jo vetëm pse kjo ka të bëjë me Berishën, por sepse ka të bëjë edhe me pyetjen: në çfarë zoti besojnë ata nëntëdhjetë e kusur për qind e shqiptarëve që i nxori censusi i fundit si besimtarë?
Dhe, sipas teje?
Sipas meje, nga sa di unë, një besimtar i vërtetë është ai për të cilin “Zoti” nuk është thjesht një fjalë që e përmend vend e pa vend, por është vetë jeta e tij. Dhe po të kemi parasysh se, sipas Kuranit, Zoti do shpirtrat bujarë, ata që bëjnë mirë, apo se Zoti, siç thotë Shën Pali, na shfaqet nëpërmjet dashurisë, unë do të thosha se besimtari i vërtetë jeton i frymëzuar nga dashuria për njerëzit. Tani më thuaj ti nëse është ky rasti i Berishës dhe i shumicës sonë. Që t’i bie shkurt, mua më del se jeta e Berishës, zoti i tij, është pushteti, kurse Zoti i madh dhe i vërtetë është vetëm një fjalë në shërbim të  këtij – madje shumë më i vogël se ambasadori amerikan. Zoti i duhet atij thjesht si fjalë që të bëjë aleancë elektorale për pushtet me të, kaq. Po ashtu edhe bashkimi kombëtar është më pak i rëndësishëm se LSI-ja – ta them unë. Prandaj mos e merr seriozisht si lajm se ka ndodhur një konvertim i madh i Berishës dhe i shqiptarëve të djeshëm. Po ata janë, që i falen vetëm pushtetit dhe lopës prej floriri.

Vjedhja e Kishës me afreske të Onufrit

Njerëz pa din e pa imam kanë shkuar me sqepar dhe me dalta dhe kanë dashur të nxjerrin nga muri afresket e pikturuara nga Onufri në shekullin XVI, për t’i shitur për pesë lekë. Ky është skandal – më thotë alter egoja. Po pse lajm të duket ky? – përgjigjem unë. Po këtu po shitet e tërë Shqipëria për pesë lekë. Pastaj, a nuk u vodhën pikturat e Vangjush Mios para disa muajsh në Korçë? Meqë ra fjala, a është zbuluar se kush i ka vjedhur? Më duket se jo.
Po ministri që thotë nuk i ruajmë dot? – ma kthen ai. Mirë e ka ministri, të vërtetën ka thënë; në një vend ku rojet janë hajdutë, si mund të ruhet gjëja? Edhe këta që e denoncojnë sot ministrin kur kanë qenë roje të monumenteve i kanë nxjerrë ato nga lista për të ngritur pallate. Harrove ti? Kalo, kalo.
Po plani urbanistik i Tiranës. E more vesh që do të ndërtojnë pallate edhe te ish-vila e Enver Hoxhës, edhe prapa Piramidës, edhe te lagjja jote?  Vetëm kuadratin ku ka vilën Fevziu e kanë lënë të bardhë.
E pashë – i them unë – tek emisioni i Bushatit. Po ç’të them unë kur shoh Shkrelin që ka projektuar pallatin e Berishës me lejen e Ramës të denoncojë tani pallatin që do ngrihet përballë të vetit me lejen e Bashës. Na thotë tani se Tirana është bërë 15 mijë banorë për kilometër katror, ndërkohë që në botën normale dendësia është 4-5 mijë dhe se Basha paska ndër mend ta bëjë 25 mijë. Po a nuk e çuan këta në 15 mijë? Si nuk thanë një fjalë këta për ato dhjetë grataçielat e planit francez të Ramës në qendër, apo për atë k… më fal për shprehjen, dhjetëkatësh të lartë që do të futej brenda Muzeut Kombëtar, dhe flasin tani për ngritje pallatesh në qendër që do të na rritkan dendësinë!
Alter egoja më ndërpret mllefin duke më thënë: Po kjo s’do të thotë se çështja që ngrenë nuk qëndron dhe se këta nuk kanë të drejtë të ndryshojnë mendim. Mirë mo, mirë, por një “mea culpa” u jep edhe kredibilitet në atë që thonë – i përgjigjem – pse duhet ta harrojmë ne që ishin këta që e bënë qendrën monument kulture duke thënë se nuk do të preket dhe pastaj, kur morën Bashkinë, e kthyen të gjithën në shesh ndërtimi? Të japin ndonjë garanci ty këta kur s’bëjnë as minimumin e një “mea culpa” dhe kur sheh që s’ua kërkon këtë as Bushati? Ok, por më thuaj: a bëjnë mirë që i ngrenë këto gjëra, apo jo? Mirë bëjnë, mirë. Le të qarkullojë në ajër e mira, edhe pa zbritur kurrë në tokë, sepse është më keq të mos ekzistojë fare. Përfundimisht, jam dakord me ato që tha Shkreli: Tirana ka nevojë të rikualifikojë atë që ekziston duke krijuar sa të jetë e mundur sipërfaqe të gjelbra, dhe jo të vazhdojë ndërtime që e rrisin dendësinë edhe më. Dhe gjëja kryesore që duhet të bënte plani, duhet të ishte vendosja e njollave si ajo që, për fat të keq, në të gjithë Tiranën, e gjen vetëm te kuadrati sa një fushë futbolli ku ndodhet vila e Fevziut.

Ministri peruan

Një ministër peruan i akuzuar në vendin e tij për grusht shteti dhe korrupsion dhe i kërkuar nga Interpoli ka ardhur në Shqipëri dhe, sa hap e mbyll sytë, në bashkëpunim edhe me disa italianë, ka investuar paratë e tij – të pista, sipas akuzave peruane – për të  ndërtuar një impiant djegieje plehrash në Fier. Vër re: impiant djegieje plehrash. Vër re: së bashku me italianë. Vër re: shteti ynë ka aprovuar një ligj për importimin e plehrave në Shqipëri. Vër re: peruani e ka arritur këtë me ndihmën edhe të kryebashkiakut opozitar të Fierit edhe të Kryeministrit maxhoritar në Tiranë. E paparë: sipas lajmeve, edhe u arrestua për ekstradim, dhe nuk u arrestua. A është lajm i ri ky?
Absolutisht jo. E reja e vetme që kemi të bëjmë është se personi është peruan. Të tjerat janë film i parë. Pse, a nuk kërkuan italianët vetëm para pak kohësh një ekstradim (po nga Fieri, meqë ra fjala) dhe nuk e arritën dot? Unë kam të dhëna nga burime shumë të besueshme se janë 60 bosë këtu në Shqipëri që kërkohen të ekstradohen nga italianët dhe këta tanët nuk i japin. Pse? – do të thuash ti. Mos pyet, e di edhe bufi se këta bosët e kanë shtetin dhe drejtësinë në xhep – për të mos thënë se janë vetë shteti. sikurse e di edhe bufi se ka kohë që ne kemi lidhur një pakt të heshtur me paratë e pista që të zbresin nga lartësia e pisllëkut të tyre në pastërtinë e xhepave tanë të dëlirë. Prandaj mos më thuaj se është lajm i ri ky i peruanit, të lutem.

Akuzat e ndërsjella

Po akuzat e ndërsjella për vjedhje apo korrupsion midis socialistëve që sulmojnë familjen e Berishës dhe demokratëve që sulmojnë familjen e Ramës nëpërmjet pallatit: Argita versus Linda; Linda versus Argita?
Vetëm ky që s’bën lajm. Aq sa ç’është lajm fakti që sa herë bie shi në rrugicën time krijohet një pellg mbi të cilin duhet të gjesh tulla e dërrasa rrethanore që të mund të kalosh dhe që ka mbetur ashtu edhe pas njëzet vjetësh, megjithëse rrugica është shtruar nja katër a pesë herë. Prandaj boll fole me veten – se na kanë bërë vërtet të flasim me veten – shih më mirë ndonjë film me dashuri. (Panorama,  19 janar 2013) 

Wednesday, January 2, 2013

A është kitsch monumenti i pavarësisë?


E vura në formë pyetjeje titullin e këtij shkrimi, duke pasur parasysh thënien e Paul Valery: “Kur flasim për artin duhet të kërkojmë ndjesë”, si dhe kompleksitetin e termit “kitsch”, por, sipas mendimit tim, përgjigjja është: Po, monumenti është kitsch. Fjala “kitsch” më doli nga goja sapo e pashë për herë të parë. Ky shkrim do të përpiqet të shtjellojë pse,  sipas meje, monumenti është kitsch, duke e vënë këtë në kontekstin e një lulëzimi të paparë të kitschit në kulturën tonë, por edhe duke mbetur i hapur, megjithatë, për diskutim.

Ç'kuptoj me kitsch

Në krye le të shtjelloj se çfarë kuptoj me kitsch: Janë dy tipare të artit që s’i ndaj dot njërin nga tjetri: më së pari kuptoj një vepër që më lë shije të keqe estetike, dhe, së dyti, përtej këtij vlerësimi të atypëratyshëm, kuptoj një proces mendor dhe krijues që e ka prodhuar këtë lloj vepre, një mënyrë të interpretuari të botës. Në këtë kuptim, kitschin e shoh si diçka që e tejkalon pamjen e jashtme të një vepre. Ai është një fenomen kulturor që ka të bëjë sa me kulturën e artistit, aq edhe me të shoqërisë. Mund të flitet për kitsch në letërsi, kinematografi, në arkitekturë, për mobilie kitsch, për veshje kitsch, për kopshte kitsch etj., prandaj edhe për një kulturë kitsch dhe për një njeri kitsch. Kjo nënkupton se kitschi nuk na shfaqet nëpërmjet një forme të caktuar të jashtme, të cilën e njohim sapo takohemi me të. Në formën e tij më klasike ai ilustrohet me ato peizazhet që shiten rëndom me çmim të lirë, të cilat paraqesin hënën që pasqyrohet mbi syprinën e një liqeni, së bashku me ca pemë në breg të tij dhe ndonjë mjellme duke notuar në të apo duke fluturuar sipër tij, e që janë një imitim i rëndomtë i peizazheve të romanticizmit të shek XIX. Por, po të ishte se kitschi të mbetej vetëm me kitschin e romantizmit, që, sipas shumë studiuesve, shënon edhe lindjen e tij, ky do të dallohej lehtë. Në fakt, monumentit ynë i 100-vjetorit të pavarësisë s’ka asnjë lidhje së jashtmi me pamjen e peizazheve të kitschit romantik.
Problemi është se kitschi, duke qenë i lidhur ngushtë sa me masivizimin e artit, aq edhe me konsumizmin, ndryshon pamje me kohën ashtu si moda. Kjo bën që ai ta ndjekë artin e vërtetë të çdo kohe shpesh në formën e banalizimit e sheqerizimit të tij, të inflacionit të tij. Kitsch, pra, bëhet edhe Van Gogu kur, pas një reklame në e-mail në të cilën së bashku me propozimin për të blerë pirunë, thika, kremra etj., të vjen edhe oferta: “Dhuratë fantastike për festat e fundvitit! Katër piktura nga i famshmi Van Gogh të printuara me cilësi të lartë në kanavacë me telajo për vetëm 3.500 L në vend të 7000 L”, ti i ble dhe i var ato në muret e shtëpisë. “Edhe një vepër që është konsideruar art mund të bëhet kitsch”,  thotë Adorno (në një kuptim edhe më të thellë se ky i shembullit të mësipërm).
Atëherë, çfarë është kitschi në thelbin e tij, përtej shfaqjes së jashtme që, siç thashë, mund të jetë e larmishme? Në thelbin e kitschit, sipas meje, qëndron mungesa e autentikes. Filozofi polak Pawel Beylin, kur krahason kitschin me artin e vërtetë, përdor metaforën e kaverenës së Platonit ku kitschi është hija që lodron në murin e shpellës e shkaktuar nga drita (arti) që i vjen prapa shpinës së njeriut të lidhur në shpellë.
Me një fjalë të fortë e përkufizon kitschin Kundera: “Kitschi është një botë ku mohohet ekzistenca e mutit dhe ku të gjithë sillen sikur ai të mos ekzistojë”. Çdo të kuptojmë me “mutin” dhe mosnjohjen e ekzistencës së tij? Do të kuptojmë shumëçka të ekzistencës sonë që i jep asaj shije të hidhur, që e bën të shëmtuar, edhe të dhimbshme, që na bën të vuajmë, por edhe të kërkojmë ta ndryshojmë. Ky dimension i jetës, që na e bën atë edhe të vërtetë, i mungon kitschit. Kitschi është arti i komoditetit. Kitschi quhet edhe “antiart” sepse, ndërkohë që arti lind nga tensioni dhe përpjekja njerëzore, duke të nxitur të reflektosh, të kesh dyshime, të zbulosh diçka më shumë, ai thjesht kërkon të të miklojë sentimente pozitive, superficiale; sentimentalizmin, i cili i bën ndjenjat të rrejshme, jondjenja, pikërisht pse i zhvesh nga mendimi. Në këtë kuptim, kitschi është sa produkt i një krijuesi kitsch, aq edhe krijues i një kulture dhe njeriu kitsch, i cili artin nuk e sheh si diçka që i impenjon mendjen, por si diçka prej nga kërkon të nxjerrë vetëm ndjenja të mira, të kënaqshme, të sheqerosura. Edhe kur blen një vepër arti njeriu kitsch e blen atë si zbukurim të shtëpisë, si shenjë statusi social, për të bërë “bella figura” në shoqëri, për t’iu gëzuar mirëqenies së tij, dhe jo si diçka që ka një kuptim që lidhet me thelbin e kësaj vepre. Në këtë kuptim, dhe shkrimtari kitsch apo artisti kitsch nuk janë shkrimtarë artistë të vërtetë, por pozojnë si shkrimtarë dhe artistë për njeriun kitsch.
Në një formë tjetër do të thosha se kitschi i trajton të rriturit sikur të ishin fëmijë dhe fëmijët sikur të ishin të rritur, sepse të dyja palëve u mohon autenticitetin. Dhe autenticiteti, për aq sa ky mund të arrihet (dhe arti na ndihmon mu për këtë), qëndron pikërisht kur njeriu “ndërgjegjësohet për artificialitetin e vet”, “kur artisti, edhe pse nuk ka mundësi t’i shmanget formës dhe as të zotërojë formën e përsosur, është të paktën në gjendje të ndihet pjesërisht i lirë duke hyrë në lojë me të; t’i bëjë të dukshme, në vend se t’i fshehë, si pjekurinë e konvencionit, ashtu edhe papjekurinë vetjake”. (Gombrowicz)”;


Balzaku i Rodenit

Duhet thënë, megjithatë, se nuk mund të flitet kurrsesi për një kitsch të pastër. Estetët që janë marrë me kitschin thuajse të gjithë bien dakord se në çdo vepër kitsch do të gjesh edhe pak art, ashtu sikurse në një vepër arti do të gjesh edhe pak kitsch.
Kur jemi në fushën e monumenteve nuk mund të mos mendosh se një monument që vendoset në një shesh publik, duke qenë se tenton t’i drejtohet një numri sa më të madh personash, për të mos thënë të gjithëve, kërcënohet seriozisht nga “kitsch-i”, ashtu siç e përshkrova më lart. Artisti, pra, në vend se të shprehë vetveten, një mënyrë të vetën të të parit të botës, rrezikon t’u adoptohet shijeve të shumicës, emocioneve të shumicës, stereotipave që popullojnë ndërgjegjen kolektive.
Por historia e artit na jep shembuj se si monumentet mund të mos jenë kitsch – dhe janë shembuj që tashmë kanë hyrë në mësimet e çdo shkolle arti, besoj. Le të sjell shembullin e Rodenit, i cili më është kujtuar më shumë se kushdo tjetër duke parë monumentet e vendosura me rastin e këtij 100-vjetori. Kur Rodeni mori porosinë për të realizuar monumentin e Balzakut nga Société des Gens des Lettres (Shoqata e Njerëzve të Letrave) përpara se të realizonte skulpturën u mor gjatë, deri në shtatë vjet, me leximin e krejt veprës së Balzakut, si dhe të biografisë së tij. Vetëm pas kësaj ai i hyri punës për Balzakun e tij. Të tërheq te skulptura ekspresiviteti i vënë te koka dhe sytë, te qafa e fuqishme që më shumë se sa pamjen e jashtme të shkrimtarit, kërkojnë të nxjerrin në pah shpirtin e tij. E pra, kur Rodeni e paraqiti veprën e tij, ajo u refuzua pasi ai nuk kishte ndjekur formulat e paraqitjes së figurës me madhështi dhe as me sipërfaqen e lëmuar, siç e kërkonte stili akademik i kohës, dhe as me ngjashmërinë fizike – aq sa u desh një kohë e gjatë që vepra të fitojë famën që ka sot e të konsiderohet si pararendëse e skulpturës moderne.
Për mua është një nga shembujt klasikë që tregojnë se arti i vërtetë është ai që na çliron nga ajo këmisha e hekurt e formave të njohura që kërkojnë të na e mbajë shtrënguar mendimin, imagjinatën, siç është edhe ai art që ndoshta ka përfaqësuesin e tij më të keq te kitschi.


Monumentit ynë i pavarësisë

Nëse dikush do të më pyeste pse e cilësova “kitsch”, do të veçoja para së gjithash dy-tri elemente që, sipas meje, janë karakteristikë e kitschit.
I pari element ishte ai që dukej që nga larg: shkëlqimi, llamburitja e lastrave të metalit që përbëjnë paretet e dy blloqeve murale të monumentit, që, sipas meje, synojnë të tërheqin me llamburitjen e tyre ndjenjat e mira të kënaqësisë të asaj shumice për të cilën fola më lart që, në vend se të ftohet të meditojë përpara atij monumenti, ftohet t’u gëzohet këtyre xixave si një fëmijë.
Një element i dytë, edhe më kitsch, është  vendosja në paretet e përparme të këtyre dy blloqeve të shqiponjës në njërin prej tyre dhe të firmave të nënshkruesve të Aktit të Pavarësisë në tjetrin. E çfarë mund të thotë më shumë shqiponja se ç’ka thënë deri tani e vendosur te flamuri, e që, në këto festime, u përdor me një inflacion të paparë? Aq më tepër një shqiponjë kopje e asaj të flamurit. Por edhe firmat e vendosura në paretin tjetër kanë një karakter krejtësisht ilustrativ – tipar edhe ky i kitschit. Do të thosha se veçanërisht përdorimi i këtyre dy elementeve nxjerr në pah karakterin divulgativ dhe përsëritës të kitschit, që e bën atë një art që, duke kërkuar t’i afrohet sa më shumë masave, humbet aftësinë për transhendencë.
Dikush, duke pasur parasysh formën gjeometrike të dy blloqeve që ngrihen lart si elemente të artit modern, do të thoshte se monumenti, megjithatë, është larg paraqitjes së stereotipave me figura heroike – siç mund të përfytyrohej – e prandaj s’ka të bëjë me kitschin. Por, sikurse e thashë,  kitschi jo se nuk u përshtatet formave të reja të artit. Problemi, gjithmonë sipas meje, është se edhe ky huazim nga modernia, që me format gjeometrike të kujton Bahauzin që ka lindur edhe si reaksion ndaj kiçit të shekullit XIX, është bërë me të njëjtën metodë që aplikon kitschi për të ndjekur artin, për t’u bërë më i modës, një shkërbim më i besueshëm i artit në pozën e tij për t’u dukur si art i vërtetë.
Sikur të mos ishin shqiponja dhe firmat, ato dy blloqet murale llamburitëse nuk do të kishin asnjë lidhje me idenë e pavarësisë. Ndërkaq, shqiponja dhe firmat e shkruara në ta i lidhin ata me pavarësinë në një mënyrë shumë direkte, pa asnjë impenjim, pa asnjë transhendencë. Këto bëjnë që monumenti të mos përcjellë asnjë farë emocioni estetik. Ai është ilustrimi i definicionit që na jep Adorno për kitschin, sipas të cilit, një nga tiparet e tij është: “… shfaqja e rrejshme – prandaj dhe neutralizuese – e ndjenjave që në realitet nuk ekzistojnë, e që sjellin, si rezultat, edhe neutralizimin e fenomenit estetik në vetvete”.


Ndjenjat e rrejshme

me “ndjenjat e rrejshme” që stimulon kitschi, duhet thënë se përkujtimi i këtij 100-vjetori të pavarësisë qe manifestimi më spektakolar i kësaj kulture kitsch të përhapur në vendin tonë me shpejtësi marramendëse së bashku me kulturën e imazhit si zëvendësues i mendimit, si reklamë, si konsumizëm, si klientelizim i njeriut. Në këto përkujtime nuk pati asgjë ose thuajse asgjë që t’i ftonte njerëzit të reflektonin mbi këta 100 vjet pavarësi apo edhe të përjetonin ndjenja të vërteta mbi atë moment historik. Dashuria për atdheun abstrakt, si një ndjenjë e rrejshme për shqiponjën apo për një Ismail Qemal realisht të panjohur, e kultivuar gjatë nacional–komunizmit, u ripërtyp edhe një herë për qëllime po të rrejshme. Njerëzit u nxitën t’i shfaqnin këto ndjenja, që nuk do të thotë domosdoshmërisht që nuk i ndiejnë, por që, në superficialitetin e tyre, janë të tilla që nuk i afrojnë ata tek e vërteta. Ata thjesht u kënaqën duke ripërtypur stereotipa të gatuar prej dekadash.  Ndoshta ngrënia e tortës gjigante kuq e zi, vendosur te Pallati i Kulturës, ishte manifestimi më spektakolar i kësaj ripërtypjeje.
Edhe veprat e artit që u vendosën iu përgjigjën këtij impostimi ripërtypës. Sipas mendimi tim, vetë ideja e vendosjes së monumenteve të tilla me rastin e 100-vjetorit ishte reflektimi i kësaj. Ishte madje celebrimi i kësaj kulture kitsch. Ato nuk kanë lidhje me ndjenjat, mendimet e vërteta që ka, ose që supozohet se duhet të ketë e të përçojë në shoqëri, në kohën kur jetojmë (edhe lidhur me raportin tonë me demokracinë e me shtetin gjatë këtyre 100 vjetëve), pjesa më elitare e shoqërisë – pa dyshim në radhë të parë artistët. Ato vepra janë vazhdim i asaj kulture mbizotëruese në nacional – komunizëm, që tjetërkund e kam quajtur e “manipulim simulimit” – i së cilës kitschi i sotëm mund të konsiderohet trashëgimtari më i shkëlqyer. Kujtoj me këtë rast se Rodeni është i njohur edhe për uljen e heronjve të tij nga lartësia e piedestaleve në nivelin e shikimit tonë, si shenjë e barazisë sonë me ta, e frymës së demokracisë së kohës që jetojmë, kurse artistët tanë socrealistë-kitsch i vendosëm të gjithë në piedestale, si për të mbajtur lart frymën autoritare.


Mungesa e kritikës

Në këto festime ra po ashtu në sy edhe një fenomen që ka ndihmuar shumë në përhapjen e kitschit: mungesa e kritikës nga specialistë apo artistë të fushës. Nëse në kohët, le t’i quajmë jodemokratike, ata që diktonin shijet dhe modat ishin elitat që kishin ndërtuar gjithsesi një hierarki, sot në jemi në një anarki të plotë shijesh (edhe në botë) për shkak të agresionit të masivizimit të artit i lidhur ky me konsumizmin. Te ne kjo shfaqet në mënyrën më groteske, pasi mund të thuhet se paranë dhe tregun e ka në dorë në mënyrë thuajse ekskluzive pjesa injorante e shoqërisë, jo rrallë edhe kriminale, që me kulturën dhe artin e vërtetë nuk ka asnjë lidhje. Në mënyrën më karikatureske kjo vihet re me arkitekturën. Të gjithë projektojnë sipas shijes së tyre dhe shëmtimi dhe kitschi që ka kapluar peizazhin tonë urban është i paparë. Në këto festime e pamë këtë fenomen të shfaqet edhe në formën e veprave që bëheshin nga autorë të ndryshëm dhe dhuroheshin për t’u vënë në vende publike – ku më qesharaket qenë shqiponjat e zeza gjigante të vendosura në rrotullamet e udhëkryqeve apo ata tetë mbretërit dhe mbretëreshat ilire të vendosura në krye të shkallëve të Muzeut Kombëtar apo edhe statuja e Ismail Qemalit e gdhendur në kohën e Enver Hoxhës për interier që u nxor nga ky muze dhe u vendos në parkun përballë hotel “Rognerit”. Këta njerëz nuk janë në gjendje të kuptojnë se një Ismail Qemal i gdhendur nga Odhise Paskali, që vjen nga një shkollë që lulëzimin e saj e ka në shekullin XIX, përzierë me atë të soc-realizmit, e ka vendin në kontekstin ku është krijuar dhe prandaj nuk mund të përdoret edhe si art i shekullit XXI, qoftë nga stili, qoftë edhe nga mënyra se si duhet ta imagjinojmë heroin dhe kohën e tij.
E kjo katrahurë ndodh edhe sepse duket sikur tashmë kemi hequr dorë krejtësisht nga kritika në kuptimin e gjykimit mbi artin. E pra, edhe mospranimi i kritikës deri në formën e heqjes dorë krejtësisht prej saj është një nga qëndrimet tipike të kitschit. Njeriu kitsch, qoftë ky artisti apo shijuesi i artit të tij, pretendon se gjithkush ka shijet e veta dhe të drejtën për t’i shijuar ato, prandaj dhe askush nuk ka pse t’i ndërhyjë. Kuptohet se kush ka interesin më të madhe për këtë: ai që ka paranë në dorë dhe e dikton vlerën dhe shijen me para. Ky pushtet i parasë, që më së shumti është i lidhur edhe me atë politik e mediatik, bën që edhe zhuritë e ngritura “ad hoc” të kryejnë pjesën e mbetur në këtë shkatërrim/shëmtim së bashku me konformizmin e atyre që s’duan t’i hapin telashe vetes. Efekti shkatërrues e shëmtues duket sheshit, jo vetëm në fushën e artit.
Në fakt, nuk mund të ketë art të vërtetë pa kritikë të vërtetë. “E bukura është në sytë e atij që e shikon”, thotë një fjalë që duhet ta kuptojmë edhe se e bukura ndërtohet nëpërmjet shikimit e gjykimit tonë. Nëse arti i vërtetë ka mbetur dhe është vlerësuar e ngritur lart me kohën, kjo ka ndodhur edhe në sajë të kritikës së vërtetë, të çliruar nga interesat imediate të pushteteve politike apo të tregut dhe injorancës. Shpresoj se edhe ky shkrim, që sikurse e thashë në krye, shpreh një gjykim timin të hapur për diskutim, të lexohet si një sprovë e tillë. (Panorama, 30 dhjetor 2012)