Monday, April 14, 2014

Historia e sms-së si falimentim moral

Ishte vërtet për të qarë e për të qeshur ajo që ndodhi me mesazhin telefonik, përmbajtjen e të cilit më vjen ta riprodhoj në këtë shkrim për kujtesë të publikut: "Nga muaji mars 2014 dyfish vrasje krahasuar me muajin Mars 2013, gjithashtu janë përkeqësuar gjithë treguesit e tjerë dhe kjo është e trishtë për mua dhe e rëndë për qytetarët dhe shpresoj që për ty të mos jetë vetëm tregues statistike. Kjo nuk është kurrkund ajo që ke marrë përsipër përballë qytetarëve, pra si unë edhe ti.
Është e përsëritur thirrja për hir të punës dhe dashamirësisë njerëzore karshi teje, por ky kufi nuk mund të shkelet me neglizhencë fatale si ky lëshim skandaloz i punës dhe për këtë nuk jam shumë larg së menduari se problemi je ti dhe jo vartësit e tu dhe nëse janë të paaftë ata, nuk kam kohë dhe dëshirë të merrem me ta, por mua më takon të merrem me ty.
Unë besimin që të kam dhënë, detyra dhe pritshmëria e publikut se meritojnë gjëkundi këtë pritshmëri. Flasim nesër për më tepër, por këto orë që kanë mbetur bëj më pak orë gjumë dhe mendo ku ke gabuar, cnuk bëre mirë e cdo bësh për të riparuar në qoftë se mundesh".
Sikurse dihet, tashmë, ky është një mesazh që ish - ministri i Brendshëm i PD, Flamur Noka, e bëri publik në Komisionin Hetimor Parlamentar, pa thënë asnjë lloj burimi, duke pretenduar se është një sms që Kryeministri ia ka dërguar Ministrit të Brendshëm, Tahiri. Ndërkaq, Ministri nuk e mohoi tekstin, por tha se është një mesazh që ua ka dërguar ai vartësve të tij që, sipas medieve, në fillim u tha se qenë 2  dhe pastaj u bënë 16.
Komentet e para që të vjen të bësh janë në mënyrë habitore:
Si ka mundësi që ish Ministri i Brendshëm e lëshon këtë sms si lopa bajgën, direkt në Komision Parlamentar, pa pasur asnjë fije meraku se me këtë po i jep një provë më shumë maxhorancës që i akuzon se kanë përgjuar dhe vazhdojnë të përgjojnë kundërshtarët politikë në mënyrë të paligjshme, nëpërmjet institucionesh të kontrolluara nga ata! Edhe nëse bëhet fjalë për një individ të policisë, që ia ka kaluar të dhënën, si ka mundësi që ai e ka keqpërdor kështu besimin e tij! – sepse edhe kjo nuk është e vogël. Nuk kishin këta mundësi të tregonin minimumin e zgjuarsisë për të respektuar një lloj etike institucionale duke e botuar tekstin e sms në një nga të përditshmet afër opozitës dhe pastaj ta bënin objekt debati! Si ka mundësi që nuk kanë merakun se çdo të thotë publiku i gjerë për këtë akt që është gjithsesi i shëmtuarnga pikëpamja morale dhe institucionale! Dhe, në këtë kontekst, a e ka konsultuar ish - ministri me njerëz të tjerë në partinë e tij, me Kryetarin e Partisë, psh. aktin që kreu? Sepse, sipas meje, nëse është e vërtet që ky informacion i ka ardhur ish - ministrit nga rrugë të paligjshme e të pamoralshme, si psh. pasja e një njeriu në kompanitë celulare që përgjon sms dhe telefonatat tona, apo (sh)përdorimi i njerëzve në SHIK-ut, apo se PD ka instrumentet e veta të përgjimit, atëherë kjo është gjëja më e rënda në këtë histori. Ajo provon edhe një herë se kemi të bëjmë me banditë që nuk kanë sensin minimal të shtetit dhe të institucioneve.

***
Megjithatë, sipas meje, nuk janë më pak habitorë komentet e dytë që të vjen të bësh, lidhur me ndërgjegjen institucionale dhe moralin e rilindasve. Duke lexuar tekstin nuk mund të mos mendosh se një sms mund të përdoret për një komunikim midis dy miqsh, mund të përdoret për të shkëmbyer mesazhe dashurie, mund të përdoret edhe nga politikanë, sigurisht, për të lënë ndonjë takim privat apo edhe pune, por si ka mundësi të përdoren si mjet institucional komunikimi midis Kryeministrit dhe Ministrit të tij (siç është njëri variant) a Ministrit dhe vartësve të tij (siç është varianti tjetër), për gjëra kaq serioze siç janë ato që trajtohen në sms!
Vini re përmbajtjen e mesazhit. Atje nuk ka asgjë që të bën të mendosh për dy politikanë miq, por për një epror dhe një vartës që kanë një marrëdhënie tejet vertikale me njëri tjetrin. Veçanërisht momenti kur Kryeministri apo Ministri (sipas varianteve) i thotë vartësit/ve: “… bë më pak orë gjumë dhe mendo ku ke gabuar …” të kujton porosinë që i dha Enver Hoxha Mehmet Shehut mbrëmjen para vetëvrasjes kur i tha” “… ti do të kesh një natë të gjatë sot…” Pra paskemi një Kryeministër ose Ministër që ushtruakan kënaqësinë sadiste që tu shkurtuakan gjumin vartësve të tyre me sms të tilla (që nënkuptojnë pushim nga puna, jo pak) në vend se të presin ditën e nesërme, t’i thërrasin në një mbledhje ku të trajtojnë me seriozitetin që meriton atë çka thuhet në përmbajtjen e sms! Për më tepër, si ka mundësi që, nëse bëhet fjalë vetëm për marsin, tonet janë të tilla?! Sepse edhe mund të ndodhë që në një muaj të ketë më shumë krime sesa çka pasur një vit më parë, por vartësve të suksesshëm – sikurse na janë shitur për muajt e tjerë - mund tu drejtohesh me shqetësimin se pas sukseseve kemi këtë rënie dhe duhet të bëjmë çmos që kjo të mos përsëritet. Kurse këtu pakënaqësia ndaj vartësit është shumë më  e thellë. Jo, jo, këta gënjejnë.
Dhe nuk ka vetëm një gënjeshtër në këtë histori. Kemi një Ministër që gënjen sepse ndonëse mesazhi është në njëjës thotë se ua ka dërguar dy vartësve dhe pastaj doli se ua ka dërguar  16 vartësve dhe kjo bije në kundërshtim me një pjesë të tekstit ku thuhet: “nuk jam shumë larg së menduari se problemi je ti dhe jo vartësit e tu dhe nëse janë të paaftë ata, nuk kam kohë dhe dëshirë të merrem me ta, por mua më takon të merrem me ty…” Mesazhi flet për një “problem” kurse Ministri duke dhënë shpjegimin se ua ka dërguar 2 apo 16 vartësve, tregon se “problemi” qenkan shumë. Pastaj, si s’paska kohë ai të merret me ta. Pse çfarë pune ka ai tjetër përveçse të bashkërendojë punët me vartësit e tij.
Dhe pastaj na del në skenë një Kryeministër që në vend se të skandalizohet për këtë mënyrë komunikimi të ministrit të tij me vartësit nxiton të përgënjeshtrojë si shpifje akuzën se është ai autori i sms-së dhe të na konfirmojë se Ministri Tahiri është “ministri i duhur që meriton respekt për punën e palodhur”. Gënjeshtër edhe kjo.

***
Duke lexuar këtë histori dhe duke parë edhe reagimin e medieve të llogoreve, shumica e gazetarëve të të cilave janë aq të deformuar moralisht e profesionalisht saqë nuk arrijnë të shohin se të dy palët kanë dalë nga shinat e minimumit të moralitetit, nuk mund të mos të të vijë mendimi: në ç’duar kemi rënë!. Sepse më e keqja në këtë histori nuk është armiqësia midis dy palëve, por mungesa e moralitetit të të dy palëve; fakti se këta kanë falimentuar moralisht që të gjithë. Mu kujtua ajo thënia sipas së cilës “një armik i ndershëm është më i mirë se një mik që gënjen” dhe s’mund të mos mendoja se kjo shoqëria jonë politike është katandisur në atë gjendje sa që nuk gjen dot më as miq as armiq të ndershëm, por vetëm gënjeshtarë të paturp.

I vetmi “ngushëllim” është se këta njerëz, që gënjejnë nga mëngjesi deri në darkë, njëri tjetrin dhe të tjerët, kërkojnë gjithsesi t’i drejtohen një shoqërie e cila një herë në dy vjet i voton, për ti treguar se janë më pak gënjeshtarë se armiqtë e tyre gënjeshtarë, se janë e keqja më e vogël. Por kjo historia e zgjedhjes çdo dy vjet midis gënjeshtarëve më të vogël seç të kujton atë anekdotën me Nastradinin që, pasi hëngri qershitë e pandotura, filloi të hajë ato që ishin gjithnjë e më pak të ndotura, derisa i përfundoi të gjitha.(Panorama, 14 prill 2014)

Sunday, April 13, 2014

Si të kalojmë nga shoqëria e kamjes në atë të mirëqënies - Përgjigje e parë Çilit

Zoti kryeredaktor,
Meqënëse, sikurse thonë te mençurit, “kush mendon pak, gabon shumë” nuk po nxitoj t’i përgjigjem Henri Çilit sot me nesër, siç ka bërë ai. Por meqënëse argumentet e mija ai kërkon t’i delegjitimojë edhe duke u shfaqur si mbrojtës i kapitalizmit liberal (duke më etiketuar si njeri që sulmon tregun, sektorin privat dhe kapitalizmin shqiptar nga pozitat e një arqeo – marksisti) e duke “harruar” se unë shkruaj për deformimet e të ashtuquajturit kapitalizëm alla shqiptar në raport edhe me kapitalizmin që predikon ai vetë në teori, mendova që si përgjigje të parë polemizuese t’ju dërgoj diçka të menduar më parë. Ju ftoj të botoni parathënien që ka shkruar enkas për botimin shqip profesori i ekonomisë politike dhe sociale në Universitetin e Siena-s Stafano Brtolini në librin e tij “Manifest për Lumturinë  - si të kalojmë nga shoqëria e kamjes në atë të mirëqënies”. Kjo sepse mendoj se leximi i këtij libri të botuar së fundi nga revista Përpjeka, që drejtoj,  jo vetëm tregon se sa i gabuar është mistifikimi i sitemit që predikon Çili në teori, por sqaron edhe shumë nga idetë që ndaj edhe unë lidhur me sistemin kapitalist që ne kemi kërkuar të implementojmë pa kurrfarë fryme kritike.
me respekt
Fatos Lubonja


Si të kalojmë nga shoqëria e kamjes në atë të mirëqënies

Nga Stefano Bartolini

Në këtë libër unë mbështes tezën se nuk ekziston një kapitalizëm i vetëm, por një sërë kapitalizmash, disa prej të cilëve u bëjnë mjaft keq relacioneve dhe mirëqenies së njerëzve, kurse të tjerë funksionojnë goxha mirë, po qe se i nënshtrohen rishikimit dhe kontrollit të vazhdueshëm. Midis këtyre kapitalizmave, ai që funksionon më keq është kapitalizmi amerikan i 30 viteve të fundit. Kapitalizmi i Evropës Perëndimore ndryshon prej tij, se është më social dhe funksionon më mirë. Libri sugjeron që ne, evropianët, duhet ta vlerësojmë dhe ta thellojmë këtë ndryshim dhe jo të imitojmë amerikanët, siç, në fakt, jemi duke bërë.
Mendoj se është mjaft i ndryshëm leximi i këtij libri në Evropën Lindore dhe në atë Perëndimore. Në Evropën Perëndimore ka mjaft njerëz që e shohin kapitalizmin  amerikan me skepticizëm dhe që, në një farë mase, e ndjejnë se jetojnë në një shoqëri të ndryshme. Ndërkaq, Evropa Lindore, pas rrëzimit të komunizmit, ka përkrahur me entuziazëm dhe në mënyrë jokritike modelin e kapitalizmit që dukej si më i përparuari, më solidi dhe më i besueshmi: atë amerikan. Edhe Shqipëria nuk ka bërë përjashtim nga rregulli sipas të cilit Evropa Lindore nuk donte t’i shëmbëllente asaj Perëndimore, por Amerikës. Një motiv kyç i joshjes ndaj SHBA-së ka qenë fakti se Amerika është vendi që, më shumë se kushdo tjetër, ka kontribuar për çlirimin nga shtypja komuniste, duke luajtur pjesën e luanit në kundërshtimin ndaj Bashkimit Sovjetik.
Në këtë libër argumentoj se kjo joshje ndaj Amerikës është iluzore, sepse Shtetet e Bashkuara, prej shumë dekadash, janë mbërthyer nga një krizë sociale e fortë që, së fundmi, prodhoi edhe krizën ekonomike aktuale. Ka kaluar një çerek shekulli prej rënies së Murit të Berlinit dhe përqafimi i kapitalizmit amerikan ka filluar të shfaqë edhe në Evropën Lindore problemet e keqqenies, të shprishjes së relacioneve dhe të paqëndrueshmërisë ekonomike që po përjetohen qysh prej 30 vitesh në Amerikë. Ëndrra amerikane ka filluar të ngjasojë gjithnjë e më shumë me një makth jo vetëm për amerikanët, për të cilët ka kohë që është i tillë, por edhe për evropianët e Lindjes. Përsëri Shqipëria nuk bën përjashtim nga kjo përvojë, që është e përbashkët për të gjithë Evropën Lindore.
Reaksioni i parë ndaj zhgënjimeve prej kapitalizmit në Evropën Lindore ka qenë rivlerësimi i recetave të vjetra. Në mjaft nga këto vende shohim rritjen, si kurrë ndonjëherë më parë, të suksesit të partive që frymëzohen nga përvoja socialiste ose të atyre partive që, në një farë mënyre, trashëgojnë impulsin identitar të fashizmave ksenofobë të viteve ‘30. Por ajo çka sugjeron ky libër është se, përkundrazi, zhgënjimet nga kapitalizmi, që po provohen edhe në Evropën Lindore, janë, në realitet, zhgënjime nga një tip kapitalizmi që nuk ka funksionuar kurrkund, mbi të gjitha tek ata që e shpikën: amerikanët. Propozimi im është që të ndryshojmë tipin e kapitalizmit. Recetat e vjetra, fashizmat dhe komunizmat, nuk kanë funksionuar dhe nuk do të funksionojnë kurrë.
Në të vërtetë, ky proces rishikimi ka filluar tashmë në Evropën Lindore, duke filluar pikërisht nga themeluesit e tranzicionit për në kapitalizëm, figurat e mëdha të disidencës që, pas 89-s, kanë marrë edhe role politike mjaft të rëndësishme, si Vaclav Havel-i dhe Lech Walesa. Ky i fundit ka deklaruar që, në rast se nuk bëhen ndryshime të rëndësishme në rendin aktual kapitalist, brenda pesë vjetëve do të ketë një tjetër revolucion tetori. Haveli, duke nënvizuar disa tema të këtij libri, ka deklaruar se “gjatë komunizmit pjesa më e madhe e njerëzve mendonte se përpjekjet individuale që synonin ndryshimin e gjendjes nuk kishin kuptim. Udhëheqësit komunistë ngulmonin se sistemi ishte rezultat i ligjeve historike objektive dhe të pakundërshtueshme...” “E, megjithatë, edhe sot ka mjaft prej atyre që nuk besojnë se janë zotët e fatit të tyre...” Arsyet qëndrojnë te zhgënjimet nga kapitalizmi. Tek e fundit, bindjet e vjetra u zëvendësuan me “të tjera manifestime të pashmangshmërisë së fatit, në të ashtuquajturat ligje të tregut, duart e padukshme që drejtojnë rrjedhën e jetës sonë.” Për më tepër, “gjithnjë e më shpesh demokracia mendohet thjesht si një ritual.” “Ky problem ka rrënjë (...) të thella: korporatat globale, mjetet e komunikimit dhe aparatet e fuqishme burokratike janë duke i transformuar partitë politike në organizata roli kryesor i të cilave nuk është më shërbimi publik, por mbrojtja e klientelave të caktuara dhe e interesave të veçantë. Politika po kthehet në terren lufte për lobistët; mediet  banalizojnë çështjet më serioze; demokracia shpesh shëmbëllen më shumë me një lojë virtuale për konsumatorët, sesa me një aktivitetet serioz për qytetarët e angazhuar.”
Kjo lloj kritike ndaj kapitalizmit aktual thuajse mungon në Shqipëri. Në fakt, çka kam shkruar deri këtu ka të bëjë me atë që Shqipëria ka të përbashkët me të gjithë Evropën Lindore. Por shoqëria shqiptare ka edhe tiparet e saj specifike, që më janë shfaqur mjaft qartë gjatë një udhëtimi që kam bërë në Shqipëri, duke vizituar një pjesë të mirë të vendit. Kam takuar njerëz të mrekullueshëm, të gjendur, të sjellshëm, kureshtarë, me ndjenjë humori, të drejtpërdrejtë dhe të ndjeshëm (empatikë) më shumë sesa në vende të tjera ballkanike dhe të Evropës Lindore. Por kam parë edhe se cili është problemi aktual i këtij vendi. Shqiptarët nuk besojnë se është e mundur që të bëjnë diçka të mirë së bashku. Me fjalë të tjera, nuk besojnë se aksioni kolektiv është i mundshëm, madje as se është i nevojshëm. Pasqyrimi më evident i kësaj është brutaliteti i agresionit ndërtimor ndaj territorit. Abuzimet ndërtimore që kam parë në Shqipëri janë më spektakularët që kam ndeshur në të gjithë botën. Problemi qëndron në atë se territori nuk është thjesht privat, ai është, para së gjithash, një e mirë e përbashkët dhe gjendja e tij pasqyron në mënyrën më evidente rëndësinë që i jep një shoqëri aksionit kolektiv. Dhe gjendja e territorit në Shqipëri tregon se rëndësia që i jep shoqëria këtij aksioni është thuajse zero.
Të mendosh se aksioni kolektiv nuk na duhet është një iluzion. Aksioni kolektiv është bash specialiteti njerëzor që ka bërë të mundur suksesin tonë evolutiv, dhe jo vetëm, por është çelësi i domosdoshëm i suksesit të çdo shoqërie. Asnjë sistem ekonomik nuk mund të funksionojë mirë pa një aksion efikas kolektiv, pa etikë, pa një kujdes serioz ndaj të mirës së përbashkët; as edhe kapitalizmi që është sistemi ekonomik që ka më pak nevojë për këto. Dhe ky iluzion është një trashëgimi e komunizmit. Ai ishte një sistem që e bazonte të drejtën e tij për të ushtruar shtypje tek epërsia e së mirës kolektive. Për pasojë, si në një refleks pavllovian, shqiptarët e lidhin çdo ide të së mirës kolektive me këtë shtypje. Nga ana tjetër, komunizmi zhvishte nga përgjegjësia njerëzit jo vetëm në raport me fatet e tyre individuale, por edhe me ata kolektive. Pasi mbaroi komunizmi, njerëzve iu tha se, më në fund, ata do të ishin vetë përgjegjës për fatet e tyre ekonomike individuale. Por harruan t’u thoshin se duhet të ishin përgjegjës edhe për ato kolektive, për të mirën e përbashkët. Mungesa e këtij ndërgjegjësimi më është dukur veçanërisht e mprehtë në Shqipëri, në krahasim me vendet e tjera ish-socialiste.
Një ngjarje e mëvonshme m’i konfirmoi këto veçanti të shoqërisë shqiptare. Kjo ndodhi gjatë prezantimit të këtij libri në një seminar ndërkombëtar, publiku i të cilit vinte kryesisht nga vende të Evropës Lindore. Në mbarim të prezantimit u zhvillua një diskutim i gjallë me publikun dhe kishte shumë komentues që sillnin mendime se çfarë të rejash mund të zbatoheshin në vendet e tyre, duke u nisur nga ato që kishin dëgjuar. Komentet e dy pjesëmarrësve shqiptarë, përkundrazi, ishin negative. Qenë dy persona mjaft kompetentë dhe me nivel të lartë intelektual. Prandaj dhe më bëri shumë përshtypje dogmatizmi i tyre; fakti se sa thellë dhe në mënyrë jokritike e kishin interiorizuar mesazhin që qëndron në bazën e versionit të ëndrrës amerikane të afirmuar në dhjetëvjeçarët e fundit dhe që ka modeluar shoqërinë e sotme amerikane. Ky mesazh është: “Kujdesu për gardhin tënd privat. Kjo është receta për më të mirën e botëve të mundshme; ajo që bën të rritet mirëqenia e shoqërisë. Sepse shoqëria është shumatorja e gjithë këtyre gardheve.“ Kjo ëndërr ka modeluar shoqëritë e Evropës Lindore gjatë 25 vjetëve të fundit dhe ndoshta atë shqiptare më shumë se cilëndo tjetër.
Por shoqëria është shumë më tepër sesa shumatorja e të gjitha gardheve. Dogmatizmi që stigmatizon Haveli qëndron pikërisht te besimi i verbër në virtytet vetërregulluese të tregut dhe në idenë se zgjidhja qëndron gjithmonë te privatja. Pesëdhjetë vjet komunizëm nuk kanë qenë trajnimi më i mirë për mendimin kritik asgjëkund, por, me gjasë, klima dogmatike në Shqipëri ka qenë më shtypëse se kudo tjetër. Prandaj shumë shqiptarë nuk e kanë kuptuar ende se të kalosh nga një lloj dogmatizmi në një tjetër  nuk është një zgjidhje e mirë.

Ky libër nënvizon rreziqet që mbart ky lloj kapitalizmi për relacionet dhe kulturën e njerëzve.  Por jam plotësisht i vetëdijshëm se komunizmi ka qenë një armik i shoqërisë, i kulturës, i komunitetit, i relacioneve sociale shumë më i keq sesa kapitalizmi. Komunizmi shkatërroi identitetin shqiptar dhe brishtësia e tij e sotme reflektohet në mungesën e një projekti kombëtar. Shqipëria nuk është një vend që sot synon të përmirësohet duke mbetur vetvetja. Është një vend që, sot për sot, nuk sheh rrugë tjetër përveç asaj që t’i shëmbëllejë ndonjë vendi tjetër. Rreziku më i madh që po kalon sot shoqëria shqiptare është që nuk po mendon me kokën e saj. (Panorama, 11 prill 2014)

Wednesday, April 9, 2014

Çili si paralajmërues i falimentimit të sistemit

Henri Çili ka një të mirë si gazetar, botues dhe biznesmen njëherësh: ai i njeh problemet e sistemit që kemi ndërtuar dhe i parashtron ato në publik, pa iu shmangur disa të vërtetave. Ndërkaq, zgjidhjet që ai na ofron, sipas gjykimit tim, mu për shkak të mosfshehjes së disa të vërtetave, janë kontradiktore dhe, kësisoj, na zbulojnë  edhe më mirë defektet e këtij sistemi.
Këtë ka bërë edhe me një intervistë që ka lëshuar së fundmi me titull: “Shtypi i shkruar vepër arti; tani jam donator nuk jam botues.” ku flet për gjendjen e medieve duke u nisur nga përvoja e tij. Është një intervistë që, për mua, ndihmon goxha për të zbërthyer sistemin që së fundi e kam cilësuar “oktapod me shumë tentakula” duke vënë gishtin edhe mbi mediet e bizneset që kemi ndërtuar.
Nëse e lexon intervistën e Çilit midis rreshtave, duke e lidhur edhe me ide që ka shkruar apo thënë më parë, ndërton një pamje që të lë të kuptosh se sistemi alla shqiptar i kapitalizmit që kemi ndërtuar ka dështuar dhe madje se jemi në rrezik të madh prej tij.
Çfarë thotë Çili ne intervistën e tij?
Kur flet për situatën e medieve ai thotë se në katër vjet që ka botuar gazetën Mapo “ka qenë një aktivitet me humbje” sepse, sipas tij, “botuesit jo vetëm nuk bëjnë biznes, dhe nuk fitojnë para me shtypin e shkruar, por, përkundrazi, humbasin para. Prandaj ai ka vendosur që botimet “Mapo” nuk do te jenë më ndërmarrje tregtare, por botime të Fondacionit për Liri Ekonomik, që ai ka themeluar para disa vjetësh.
Intervistuesi, i cili nuk ka emër dhe që të bën të hamendësosh se është vetë Çili, duke iu referuar akuzave sipas të cilave media ka bërë trafik interesash për përfitime private e pyet: “A janë botimet “Mapo”, qoftë si biznes qoftë si donacion, një mburojë për bizneset e Çilit?”
Përgjigja e Çilit ndaj kësaj pyetjeje është ambigue. Sepse ai përgjigjet edhe se botuesit, duke bërë donacion, “japin një kontribut për lirinë e shtypit, demokracinë, debatin intelektual, idetë, artin e kështu me radhë” edhe se “ …është tërësisht normale, që brenda ose rreth qendrave të rëndësishme ekonomike të zhvillohen edhe struktura të kësaj natyre…” duke nënkuptuar atë që e ka thënë edhe më parë se ai nuk është kundër “lobingjeve”.
Atëherë le ta marrim pak në analizë këtë intervistë, jo për t’iu kundërvënë Çilit, por - duke e falënderuar madje që na ka hapur mundësinë për të hapur debat,- për të kuptuar fundin e sistemit që kemi ngritur.
Pikë së pari Çili hedh poshtë në këtë intervistë një parim që jo vetëm ai, por përgjithësisht elita politike ekonomike dhe mediatike e ka propaganduar prej vitesh: atë sipas të cilit ne i bëmë privatizimet në emër të liberalizmit pasi kështu kemi më shumë zhvillim, energji dhe liri dhe se detyrë e shtetit është të sigurojë që ekonomia private të funksionojë sipas një tregu të lirë, ku më i zoti mbijeton, madje duke ulur çmimet. Ky ka qenë edhe parimi sipas të cilit u zhvilluan, tek e fundit, edhe mediet tona private. Pra, nëse gazeta Mapo, e cila duhet pranuar se është një ndër gazetat më të mira, nuk funksionon sipas logjikës së tregut të lirë që ka propaganduar Çili (aq më pak shumica e të tjerave), po tu qëndronye koherent ideve të veta Çili duhet të shpallte falimentimin dhe, po kështu, duhet të kishin bërë, me kohë, një numër mediesh të tjera. Kjo, gjithë sipas teorisë së konkurrencës në tregun e lirë, do të pakësonte numrin e gazetave e të gazetarëve, por ato që do të mbesnin do të ishin të një cilësie më të mirë e do të paguheshin më mirë. Dhe, gjithë sipas këtij parimi, kështu do të sigurohej edhe pavarësia e pushtetit të tyre, qoftë nga pushteti ekonomik qoftë nga pushteti politik, pasi e vetmja varësi e tyrja, në këtë rast, do të ishte ajo nga tregu/lexuesi. Ajo që ndodh paradoksalisht është se ne kemi shumë më tepër medie sesa ç’mund të mbajë tregu, të një cilësie mizerabël. Dhe Çili pohon atë që të tjerë botues nuk e pohojnë: se ato mbahen me fitimet që kanë botuesit nga biznese të tjera. E bëjnë për idealizëm, e bëjnë për përfitime… kjo është një çështje tjetër, që do ta trajtoj më poshtë, por në të dyja rastet duhet thënë se nuk mund të  flitet për pavarësi të medieve nga interesat e pronarëve. E këtu duhet thënë se edhe Mapo, megjithë larminë e opinioneve, ka pasur politika editoriale të qarta pro ish-maxhorancës, që jo rastësisht, sipas meje, janë përputhur me ato të pronarit të saj Çili, ndërkohë që në një gazetë normale private, që bazohet vetëm tek tregu/lexuesi, politikat nuk i përcakton pronari/ët, por bordi editorial i gazetës që pronarët tanë kanë harruar se mund të ekzistojë. Nëse Çili, do tu përgjigjej këtyre akuzave, duke thënë, sikurse supozoj, se shteti nuk e ka kryer detyrën e tij, rolin e kontrollorit, sepse përndryshe do të falimentonin konkurruesit e tij, atëherë unë kam të drejtë t’i shtroj pyetjen se pse atëherë e ka mbështetur qeverinë e Berishës, që rezulton përgjegjësja kryesore e falimentimit të ideve të tij liberale dhe të biznesit të tij mediatik?
Këtu ia vlen të zbresim në një nivel tjetër, që na çon në lidhjet e medieve me shtetin. Duke iu referuar kësaj interviste të Çilit duket sikur këto“qendra të rëndësishme ekonomike”, edhe pse nuk kanë sukses tregtar me mediet e tyre, kanë sukses me bizneset e tjera, se përndryshe lind pyetja se ku i sigurojnë të ardhurat për të paguar gazetat. Sepse filantropia dhe donacionet funksionojnë në botë (veçanërisht në SHBA) kur dikush fiton, më së pari, dhe pastaj një pjesë të fitimit e jep sepse i do zemra apo sepse shteti e lehtëson nga taksat. Pra  pyetja e dytë që shtrohet, përtej Çilit, është: a ka një konkurrencë, sipas tregut të lirë, midis universiteteve tona private? Me fjalë të tjera: a prodhojnë ata një mall që vlen, për të cilin qytetarët paguajnë sepse kjo i bën të suksesshëm fëmijët e tyre. Po t’i referohemi pikërisht projekteve që Çili ka shpalosur gjetkë, edhe kjo meriton një pikëpyetje të madhe. Ai ka shprehur më se një herë idenë se universiteti i tij, prej të cilit mendohet se ai ka fitimet për të mbajtur gazetën, do të kthehet në jofitimprurës dhe se kjo do të mundësojë, me rregullime ligjore, që paratë publike, që jepen për arsimimin universitar, të shkojnë edhe për këta  universitete  private. Kështu në mënyrë indirekte Çili ka pranuar edhe dështimin e universitetit si investim privat fitimprurës. Edhe pse nuk hyj dot në llogaritë financiare të universiteteve tona private, nëse i referohemi faktit se universiteti i Çilit është ndër më të mirët, e megjithatë ai kërkon të shndërrohet në jofitimprurës, nuk mund të mos deduktosh se shumica janë, ashtu si gazeta Mapo, “me humbje”. Qoftë edhe vetëm për faktin se numri i juristëve, politologëve dhe ekonomistëve që ata kanë nxjerrë deri tani i mjafton e tepron jo vetëm Shqipërisë, por edhe Ballkanit.

***
E këtu, duke e zgjeruar edhe më problemin, le të kujtojmë tani një çikë se cilat kanë qenë “qendrat më të rëndësishme ekonomike” që i kanë krijuar vetes edhe mundësinë e mbajtjes së medieve private. Mua më rezultojnë se në këta njëzet e ca vjet ato janë katër llojesh: piramidat e para financiare, kompanitë e ndërtimit, universitetet private dhe industria e drogës. Dhe çfarë na ka rezultuar e rezulton me to? Të parat na kanë marrë lekët duke na shitur iluzionin e pasurimit të shpejtë. Kujtoj se ato paguanin gazetat private me reklamat që ato botonin për të ushqyer këtë iluzion duke u mbyllur gojën pronarëve e gazetarëve dhe sponsorizonin sa majtas dhe djathtas deri edhe fushatën e Partisë në pushtet në atë kohë. Të dytat na kanë shitur iluzionin e strehimit të mirë duke  na varfëruar në terma afatgjata pasi na kanë shkatërruar bregdetin, pejsazhin natyror dhe atë urban, cilësinë e jetës në qytetet tona. Kujtoj përsëri se ato arrinin të fitonin jo aq pse zbatonin ligjet e tregut dhe rregulloret urbanistike, por pasi, nëpërmjet medieve, që ishin me humbje, arrinin të bënin “lobingje” dhe pastaj, edhe mund të abuzonin duke ngritur kate më shumë e duke pushtuar hapësira publike. Të tretat na shesin iluzionin e arsimimit të fëmijëve tanë që, në fakt, rezulton skarco. Për të katërtat kam shkrua një shkrim para jo shumë kohësh me titull “Dizintoksikimi nga krimi”.
Pra, është e kotë që Çili të na flasë për idealizma donatorësh. Të gjithë e dimë, sikurse e di edhe ai, se në sistemin tonë mediet (si dhe korrupsioni, kuptohet) janë leva kryesore që lidhin bizneset me pushtetin politik, i cili, nën shtysën e tyre, në vend se të punojë për interesin publik, punon për të lëruar arën e interesave të pronarëve të medieve.
Mirëpo çfarë po ndodh në kushtet aktuale? Çili na zbulon atë që të tjerët nuk e thonë: se, në kushtet e krizës aktuale që po kalojmë, kur burimet private të të hollave janë gjithnjë e më të mangëta, e vetmja rrugë shpëtimi për këta biznese është rritja e përfitimit nga paratë publike. E nëse Çili kërkon edhe për universitetin para publike atëherë del se Mapo do të financohet jo nga paratë që fiton Çili, por nga para publike dhe se ne me shumë gjasë do të asistojmë edhe në ndryshimin e politikave editoriale të gazetës. Por ama liberali Çili nuk deklaron se është për shtetin social, apo për politika etatiste. Pse? Sepse ai e di se nuk jemi aspak në sistemin liberal ku më i zoti fiton më shumë dhe i mbijeton tregut, madje paguan edhe taksa që të mbajë shtetin, por në një formë alla shqiptare kapitalizmi që mund ta quaja edhe kapitalizëm oligarkik, partitokratik, shtetëror me elita ekonomike, mediatike rreth “qendrave të rëndësishme ekonomike” dhe dy partive kryesore që mbijetojnë jo në sajë të punës krijuese, që shpërblehet sipas tregut të lirë, por në sajë të abuzimit me interesin publik. Pra djallëzisht sistemi që kemi ndërtuar ruan retorikën e liberales dhe privates, por ndërkohë kërkon që shteti të punojë në forma etatiste për ta. Dhe, sikurse e thashë më lart, ka kohë që ky sistem punon kështu duke filluar që me piramidat e para dhe me privatizimet ee para të pasurive publike. Por, së fundmi, kemi arritur në një situatë ku shfrytëzimi i parave publike të shqiptarëve po arrin në një pikë fundore. Në mungesë të burimeve të tjera qeveritë Berisha e siguruan mbijetesën e këtij sistemi kryesisht duke rritur borxhet që do të thotë nëpërmjet grabitjes së të ardhmes së fëmijëve shqiptarë. Duket sheshit se qeveria Rama e ka preokupimin kryesor sigurimit e të ardhurave për të mbijetuar sipas këtij sistemi. Por siç duken bathët pak shans ka që kjo të ndodhë.
E në këtë pikë i bëj thirrje lexuesit t’i drejtohet një çikë kujtesës e të shtrojë pyetjen: a nuk bëri tek e fundit të njëjtën gjë edhe elita komuniste. Me paaftësinë e saj për të ndërtuar një sistem ekonomik efikas, rentabël e të qëndrueshëm, ajo, pasi shfrytëzoi të gjitha konjukturat politike e ekonomik, lidhjet me Jugosllavinë, pastaj me BRSS pastaj me Kinën, a nuk filloi të shtrëngojë rripin e shqiptarëve për të mbajtur pushtetin, derisa u hoqi edhe pulën e fundit në oborrin privat? Dhe pastaj u rrëzua. Mua më duket se jemi në të njëjtën rrugë që sigurisht nuk ka dramaticitetin e asaj kohe, por në thelb zbaton të njëjtën logjikë: logjikën e një elite sa të paaftë aq edhe grabitqare që popullin e vet e sheh si kafshë pune për të punuar arën e saj, deri në rrasbitjen e tij finale.

Pa pretenduar se kam monopolin e së vërtetës në këto që kam shkruar gjykoj se çështjet që shtroj, jo për herë të parë por kësaj here nisur edhe nga konteksti i ri që është krijuar me ndryshimin e pushteteve e krizën që shfaq dashur apo pa dashur Çili, njëri nga përfaqësuesit kryesorë të sistemit, janë të një rëndësie themelore jo vetëm për ekonominë, por edhe për lirinë e demokracinë në vend e se sa më shpejt të bëhen objekt debati aq më mirë do të jetë. (Panorma, 9 Prill 2014)