Ishte vërtet për të qarë e për të
qeshur ajo që ndodhi me mesazhin telefonik, përmbajtjen e të cilit më vjen ta
riprodhoj në këtë shkrim për kujtesë të publikut: "Nga muaji
mars 2014 dyfish vrasje krahasuar me muajin Mars 2013, gjithashtu janë
përkeqësuar gjithë treguesit e tjerë dhe kjo është e trishtë për mua dhe e
rëndë për qytetarët dhe shpresoj që për ty të mos jetë vetëm tregues
statistike. Kjo nuk është kurrkund ajo që ke marrë përsipër përballë qytetarëve,
pra si unë edhe ti.
Është
e përsëritur thirrja për hir të punës dhe dashamirësisë njerëzore karshi teje,
por ky kufi nuk mund të shkelet me neglizhencë fatale si ky lëshim skandaloz i
punës dhe për këtë nuk jam shumë larg së menduari se problemi je ti dhe jo
vartësit e tu dhe nëse janë të paaftë ata, nuk kam kohë dhe dëshirë të merrem
me ta, por mua më takon të merrem me ty.
Unë besimin që të kam dhënë, detyra dhe pritshmëria e publikut se meritojnë
gjëkundi këtë pritshmëri. Flasim nesër për më tepër, por këto orë që kanë
mbetur bëj më pak orë gjumë dhe mendo ku ke gabuar, cnuk bëre mirë e cdo bësh
për të riparuar në qoftë se mundesh".
Sikurse dihet, tashmë,
ky është një mesazh që ish - ministri i Brendshëm i PD, Flamur Noka, e bëri
publik në Komisionin Hetimor Parlamentar, pa thënë asnjë lloj burimi, duke
pretenduar se është një sms që Kryeministri ia ka dërguar Ministrit të
Brendshëm, Tahiri. Ndërkaq, Ministri nuk e mohoi tekstin, por tha se është një mesazh
që ua ka dërguar ai vartësve të tij që, sipas medieve, në fillim u tha se qenë
2 dhe pastaj u bënë 16.
Komentet e para që
të vjen të bësh janë në mënyrë habitore:
Si ka mundësi që ish
Ministri i Brendshëm e lëshon këtë sms si lopa bajgën, direkt në Komision Parlamentar,
pa pasur asnjë fije meraku se me këtë po i jep një provë më shumë maxhorancës që
i akuzon se kanë përgjuar dhe vazhdojnë të përgjojnë kundërshtarët politikë në
mënyrë të paligjshme, nëpërmjet institucionesh të kontrolluara nga ata! Edhe
nëse bëhet fjalë për një individ të policisë, që ia ka kaluar të dhënën, si ka
mundësi që ai e ka keqpërdor kështu besimin e tij! – sepse edhe kjo nuk është e
vogël. Nuk kishin këta mundësi të tregonin minimumin e zgjuarsisë për të
respektuar një lloj etike institucionale duke e botuar tekstin e sms në një nga
të përditshmet afër opozitës dhe pastaj ta bënin objekt debati! Si ka mundësi që
nuk kanë merakun se çdo të thotë publiku i gjerë për këtë akt që është
gjithsesi i shëmtuarnga pikëpamja morale dhe institucionale! Dhe, në këtë
kontekst, a e ka konsultuar ish - ministri me njerëz të tjerë në partinë e tij,
me Kryetarin e Partisë, psh. aktin që kreu? Sepse, sipas meje, nëse është e
vërtet që ky informacion i ka ardhur ish - ministrit nga rrugë të paligjshme e
të pamoralshme, si psh. pasja e një njeriu në kompanitë celulare që përgjon sms
dhe telefonatat tona, apo (sh)përdorimi i njerëzve në SHIK-ut, apo se PD ka
instrumentet e veta të përgjimit, atëherë kjo është gjëja më e rënda në këtë
histori. Ajo provon edhe një herë se kemi të bëjmë me banditë që nuk kanë
sensin minimal të shtetit dhe të institucioneve.
***
Megjithatë, sipas
meje, nuk janë më pak habitorë komentet e dytë që të vjen të bësh, lidhur me
ndërgjegjen institucionale dhe moralin e rilindasve. Duke lexuar tekstin nuk
mund të mos mendosh se një sms mund të përdoret për një komunikim midis dy
miqsh, mund të përdoret për të shkëmbyer mesazhe dashurie, mund të përdoret edhe
nga politikanë, sigurisht, për të lënë ndonjë takim privat apo edhe pune, por si
ka mundësi të përdoren si mjet institucional komunikimi midis Kryeministrit dhe
Ministrit të tij (siç është njëri variant) a Ministrit dhe vartësve të tij (siç
është varianti tjetër), për gjëra kaq serioze siç janë ato që trajtohen në sms!
Vini re përmbajtjen
e mesazhit. Atje nuk ka asgjë që të bën të mendosh për dy politikanë miq, por
për një epror dhe një vartës që kanë një marrëdhënie tejet vertikale me njëri
tjetrin. Veçanërisht momenti kur Kryeministri apo Ministri (sipas varianteve) i
thotë vartësit/ve: “… bë më pak orë gjumë dhe mendo ku ke gabuar …” të kujton
porosinë që i dha Enver Hoxha Mehmet Shehut mbrëmjen para vetëvrasjes kur i tha”
“… ti do të kesh një natë të gjatë sot…” Pra paskemi një Kryeministër ose
Ministër që ushtruakan kënaqësinë sadiste që tu shkurtuakan gjumin vartësve të
tyre me sms të tilla (që nënkuptojnë pushim nga puna, jo pak) në vend se të
presin ditën e nesërme, t’i thërrasin në një mbledhje ku të trajtojnë me seriozitetin
që meriton atë çka thuhet në përmbajtjen e sms! Për më tepër, si ka mundësi që,
nëse bëhet fjalë vetëm për marsin, tonet janë të tilla?! Sepse edhe mund të
ndodhë që në një muaj të ketë më shumë krime sesa çka pasur një vit më parë,
por vartësve të suksesshëm – sikurse na janë shitur për muajt e tjerë - mund tu
drejtohesh me shqetësimin se pas sukseseve kemi këtë rënie dhe duhet të bëjmë
çmos që kjo të mos përsëritet. Kurse këtu pakënaqësia ndaj vartësit është shumë
më e thellë. Jo, jo, këta gënjejnë.
Dhe nuk ka vetëm një
gënjeshtër në këtë histori. Kemi një Ministër që gënjen sepse ndonëse mesazhi
është në njëjës thotë se ua ka dërguar dy vartësve dhe pastaj doli se ua ka
dërguar 16 vartësve dhe kjo bije në
kundërshtim me një pjesë të tekstit ku thuhet: “nuk jam shumë larg
së menduari se problemi je ti dhe jo vartësit e tu dhe nëse janë të paaftë ata,
nuk kam kohë dhe dëshirë të merrem me ta, por mua më takon të merrem me ty…” Mesazhi flet për një “problem” kurse Ministri
duke dhënë shpjegimin se ua ka dërguar 2 apo 16 vartësve, tregon se “problemi” qenkan
shumë. Pastaj, si s’paska kohë ai të merret me ta. Pse çfarë pune ka ai tjetër
përveçse të bashkërendojë punët me vartësit e tij.
Dhe pastaj na del në
skenë një Kryeministër që në vend se të skandalizohet për këtë mënyrë
komunikimi të ministrit të tij me vartësit nxiton të përgënjeshtrojë si shpifje
akuzën se është ai autori i sms-së dhe të na konfirmojë se Ministri Tahiri
është “ministri i duhur që meriton respekt për punën e palodhur”. Gënjeshtër
edhe kjo.
***
Duke lexuar këtë histori
dhe duke parë edhe reagimin e medieve të llogoreve, shumica e gazetarëve të të
cilave janë aq të deformuar moralisht e profesionalisht saqë nuk arrijnë të
shohin se të dy palët kanë dalë nga shinat e minimumit të moralitetit, nuk mund
të mos të të vijë mendimi: në ç’duar kemi rënë!. Sepse më e keqja në këtë
histori nuk është armiqësia midis dy palëve, por mungesa e moralitetit të të dy
palëve; fakti se këta kanë falimentuar moralisht që të gjithë. Mu kujtua ajo
thënia sipas së cilës “një armik i ndershëm është më i mirë se një mik që
gënjen” dhe s’mund të mos mendoja se kjo shoqëria jonë politike është
katandisur në atë gjendje sa që nuk gjen dot më as miq as armiq të ndershëm, por
vetëm gënjeshtarë të paturp.
I vetmi “ngushëllim”
është se këta njerëz, që gënjejnë nga mëngjesi deri në darkë, njëri tjetrin dhe
të tjerët, kërkojnë gjithsesi t’i drejtohen një shoqërie e cila një herë në dy
vjet i voton, për ti treguar se janë më pak gënjeshtarë se armiqtë e tyre
gënjeshtarë, se janë e keqja më e vogël. Por kjo historia e zgjedhjes çdo dy
vjet midis gënjeshtarëve më të vogël seç të kujton atë anekdotën me Nastradinin
që, pasi hëngri qershitë e pandotura, filloi të hajë ato që ishin gjithnjë e më
pak të ndotura, derisa i përfundoi të gjitha. (Panorama, 14 prill 2014)
No comments:
Post a Comment