Thursday, August 5, 2010

Kundër pushtetit të pakontrolluar

Në konfliktin e tij me opozitën për çështjen e hapjes së kutive, që u ndërkombëtarizua jo pak, Sali Berisha u mbështet fort në argumentin se ai nuk mund të shkelte vendime të marra nga institucione që nuk vareshin prej tij, se opozita, pra, nuk kishte punë me të, por me gjykatën. Kundërargumenti i pozitës ishte se ajo kishte zgjedhur bojkotin e Parlamentit dhe pastaj grevën e urisë, dmth. rrugën jashtë institucionale, pasi institucionet për të cilët bënte fjalë Kryeministri ishin të kontrolluara nga maxhoranca.
Mund të thuhet se Berisha doli më shumë i fituar sesa i humbur nga zgjidhja në Bruksel e aktit më dramatik të këtij konflikti ende të hapur, pasi një pjesë e mirë e opinionit të brendshëm dhe mbi të gjitha opinioni i ndërkombëtarëve ishte që opozita duhej të ndalte grevën e urisë e t’i kthehej rrugëve institucionale për përmirësimin e punëve. Është e qartë se gjërat nuk do të zhvilloheshin kështu sikur shumica brenda dhe ndërkombëtarët jashtë të mos mendonin se disa institucione kishin njëfarë kredibiliteti. E ndër këta institucione kryesorët, përveç Parlamentit që mund të krijonte një mundësi jo të keqe për luftën institucionale të opozitës për shkak të ekuilibrit në numrin e deputetëve, ishin edhe Presidenti edhe Gjykata e lartë, bashkë me atë Kushtetuese.
Berisha, mjaft të kishte parasysh argumentet që përdori vetë për gjykatat, për të bërë kujdes që të mos jepte përshtypjen se akuza e opozitës se ai kontrollon institucionet që shërbejnë si arbitër nuk janë në duart e tij. Mirëpo nuk po ndodh kështu, përkundrazi, pas “fitores” së Brukselit ne po asistojmë në prirjen në rritje të Berishës për të kontrolluar institucionet e pavarura prej tij.
Po t’i marrim veç e veç betejat që ka hapur Berisha në këtë drejtim, të tilla si ajo për të hedhur poshtë kandidaturat e Presidentit për Gjykatën e Lartë, për të reformuar SHISH-in duke zëvendësuar kryetarin aktual të tij, për të zgjedhur kryetarin e Kushtetueses, për të akuzuar Presidentin për shkelje të Kushtetutës pse nuk po e zgjedh këtë, mund të gjesh argumente ligjore që i justifikojnë këta aksione. Por, po t’i bashkosh të gjitha dhe po të kesh parasysh se përdorimi i ligjit në mënyrë selektive ka qenë arma kryesore e Berishës për të luftuar kundërshtarët apo nënshtruar zërat kundër, do të konstatosh se akuzat se Presidenti ka shkelur Kushtetutën nuk mund të merren të veçuara nga sulmet mbi kryetarin e SHISH, nga mospranimi i kandidaturave të disa gjyqtarëve me preteksin se janë të implikuat me gjyqet e komunizmit apo se janë ngritur në karrierë nga socialistët e të vish në përfundimin se nuk kemi të bëjmë me një respekt të ligjit, por me një prirje në rritje për kontrollin e këtyre institucioneve.
Pyetja që lind natyrshëm është: cilët institucione, që normalisht duhet të jenë garant të drejtësisë apo të balancës së pushteteve, kanë mbetur pa u kontrolluar apo pa u kërcënuar seriozisht nga Berisha? Vështirë të gjesh një që të mos jetë ose plotësisht në shërbim ose i nënshtruar ose i kërcënuar. Ka mbetur vetëm sulmi mbi opozitën dhe mbi disa media të lidhura me të për të përfunduar një fazë e re e instalimit të një regjimi që ndërtohet mbi kontrollin e institucioneve nëpërmjet diktatit të votës së thjeshtë të maxhorancës, si dhe nëpërmjet ushtrimit selektiv të ligjit në një vend ku implikimet për informalitet dhe korrupsion apo për të kaluarën komuniste e bëjnë thuajse çdo individ të shantazhueshëm.
Berisha, paradoksalisht, ndonëse ka tërë këtë kontroll, ndjehet shumë më i rrezikuar se disa vjet më parë dhe, në rreth vicioz, ky rrezikim e çon në prirjen për të kontrolluar gjithnjë e më shumë institucionet e pavarura, aq sa po rritet numri i njerëve që po u vjen era ‘96-‘[97? Cilat janë shkaqet që po e shtyjnë Berishën të shkojë dëshpërimisht drejt këtij skenari? Gjykoj se tre janë ata më kryesorët: së pari është korruptimi që i bën pushteti njeriut që nuk ka instrumentet psikologjike e kulturore për të kontrolluar prirjen e tij për pushtet të pakontrolluar. “Nëse e do një gjë shumë vrite përpara se të të vrasë” thotë Oscar Wilde dhe më duket se më tepër se gjithshkaje kjo thënie i shkon njeriut që vuan shumë nga dashuria për pushtet. Së dyti, është nevoja për ta ruajtur pushtetin kur je përpara një krize, një dështimi. Sipas mendimit tim shenja më e mirë për të provuar nëse një qeverisje ka pasur sukses apo ka dështuar, ka qeverisur me ndershmëri apo me korrupsion është të shohësh reagimin e saj ndaj institucioneve të pavarura e mediave të tilla. Sa më i sukseshëm të jetë një pushtetar, aq më i gjerë bëhet, sepse ia ka rritur autoritetin puna e mirë, sa më i dështuar aq më e fortë prirja për ta marrë autoritetin me dhunë. Së treti, kjo prirje për akumulim pushteti vjen edhe nga kriza e një sistemi ekonomik të gabur që kemi ndërtuar në këta njëzet vjet. Në këtë kontekst nevojën për kontroll të pushtetit nuk duhet ta shohim vetëm si punë e Berishës, por si reagimin e tërë atij grupimi interesash që ai përfaqëson që sot synon të “mjelë” një lopë që është duke i mbaruar qumështi. Mjaft të kesh parasysh për këtë një sërë ligjesh e vendimesh që synojnë të vjelin para nga qytetarët në mënyrën më arrogante, duke filluar që nga katërfishimi absurd i gjobave për trafikun rrugor.
Në këto kushte mendoj se është e domosdoshme një politikë rezistence që për fat të keq nuk po bëhet si duhet. E them këtë pasi kjo situatë flet për krizën e një sistemi politik e juridik e shoqëror që nuk e kemi ndërtuar siç duhet për të siguruar masa mbrojtëse ndaj tre rreziqeve që përmenda më sipër: prirjeve gjithnjë e më autoritare të individëve në pushtet, qeverisjeve të dështuara dhe ekonomive të drejtuara keq. Pretendimi i opozitës se i vetmi mjet mbrojtës është vota e lirë nuk qendron. Demokracia nuk sigurohet nga vota e lirë një herë në katër vjet, por nga funksionimi i shtetit ligjor ditë përditë gjatë katër vjetëve që ndajnë një palë zgjedhje nga të tjerat. Po ashtu opozita gabohet duke e paraqitur si të keqen e vetme Berishën autoritar, apo korrupsionin e qeveritarëve. Ndaj këtyre akuzave, që i ka përdorur vetë para pesë vjetësh, Berisha e ka më lehtë se çdo gjë të mbrohet duke thënë se po kaq autoritar ose më keq është edhe lideri i opozitës, Rama dhe po kaq keqqeverisës e të korruptuar kanë qenë e janë edhe socialistët. (Për këtë mjaft të kesh parasysh reagimet e ministrit Prifti ndaj Ramës).
Rezistenca ndaj thellimit të instalimit të regjimit, sipas mendimit tim, duhet të synojë të godasë më thellë dhe reformojë, po ashtu, më thellë. Ajo duhet të synojë reformimin apo riformulimin e tërë atij kuadri ligjor e kushtetues që na mbron institucionalisht nga rreziqet e provuara përtej voluntarizmit të individëve. Shpejt e shpejt, modestisht, pa qenë ekspert, do të sugjeroja disa gjëra: Duhet ndryshuar ligji elektoral që të na mbrojë nga partitokracia e dy partive të mëdha. Duhet rritur mundësia e zgjedhjes së një presidenti që të jetë garant për këtë ndoshta duke u rikthyer tek presidenti i zgjedhur me 3/5 apo tek një president si në Poloni që zgjidhet nga populli dhe që, ndonëse nuk ka fuqi ekzekutive, ka një autoritet dhe kompetenca të mjaftueshme për të kundërballncuar abuzimet e kryeministrave të partive në pushtet. Duhen propozuar ligje që kufizojnë mundësinë e kryetarëve të partive për të qenë kryeministra apo kryetarë bashkish me numër mandatesh të pakufizuar. Duhen ndryshuar ligjet që dobësuan pavarësinë e Prokurorisë. Duhen forcuar e evidentuar ato ligje që dënojnë përdorimin selektiv të ligjit: me fjalë të tjera kur një pushtetar përdor ligjin ndaj një kundërshtari dhe jo ndaj një klienti të tij kjo duhet quajtur krim i rëndë që shkel parimin kushtetues të trajtimit barazisë së qytetarëve përpara ligjit. Duhen riparë dhe forcuar ligjet që garantojnë paanësinë e mediave. Duhen forcuar ligje që garantojnë tregun e lirë kundër monopoleve. Duhen forcuar ligje që garantojnë mosprekjen e administratës.
Dikush do të thotë se ligjet ekzistojnë por nuk zbatohen. Ashtu është, por edhe nuk është ashtu sepse, siç e dimë, shumë ligje janë bërë e po bëhen për të arritur të kundërtën duke filluar që nga ai elektoral deri tek ai mbi zgjedhjen e Presidentit. Po ashtu, ndryshe përjetohet një ligj që merret e kopjohet nga Perëndimi duke mbetur në letër dhe ndryshe ai ligj që lind nga përvoja dhe nevoja e jetës. Ky i dyti ka shumë më tepër mundësi të respektohet e të implementohet: të bëhet pra nga ligj i letrës në ligj të jetës.
Gjykoj se nëse ne do të kishim një opozitë që mendon vërtet për më shumë demokraci do të duhet të vepronte në këtë nivel, por për fat të keq ne nuk e kemi këtë. Ne kemi një opozitë që thjesht pret t’i bjerë pushteti i Berishës në dorë për shkak të krizës, si frutat që bijen nga pema, pa pyetur se do t’i bjerë në dorë një pushtet i kalbur. Madje shumë prej “shumëkëmbëshave” të saj, me në krye kryetarin, pikërisht një pushtet i kalbur u intereson, mjaft të mbretërojnë e vegjetojnë mbi të. Por situata më duket aq serioze sa edhe kjo opozitë, ndoshta po aq sa maxhoranca, duhet shtrënguar të veprojë përtej këtyre synimeve. Paradoksalisht, mu kjo lloj opozite është alibia më e mirë për të përligjur veprimet e maxhorancës për kapjen e institucioneve pasi i quan ata, dhe jo pa bazë, të kapur prej saj. Kurse mbrojtja e insitucioneve që garantojnë më shumë liri dhe demokraci është një çështje e të gjithë atyre që nuk duan të jetojnë në një vend ku liria dhe demokracia vijnë duke u zaptuar gjithnjë e më shumë nga pushteti i pakontrolluar i të fortëve. (Panorama, 2 Gusht 2010)

Monday, August 2, 2010

Për një shoqëri civile ndryshe

Dy milion euro të dhëna nga komuniteti Evropian për restaurimin e monumenteve të kulturës shpenzohen për të shkatërruar monumente të kulturës. Shatërvani më i vjetër në kryeqytet, sipas disa njohësve të historisë së monumenteve më i vjetri në të gjithë vendin, i ndërtuar në vitin 1923, në kuadër të ndërtimit të Lulishtes Popullore, pësoi dhunën e ruspës së pushtetit në emër të një projekti të ri që ka pasur aprovimin si të pushtetit lokal të opozitës ashtu edhe të atij qendror të maxhorancës. Filozofia gjithshka fillon e mbaron me mua që kam pushtetin, gjithshka për të futur ndonjë lek në xhep, vazhdon të bëjë kërdinë e të mbjellë shëmtinë në vendin tonë. Tashmë kronika e këtij lajmi ka qarkulluar në të gjitha mediat dhe është harruar sëbashku me protestën e disa intelektualëve midis të cilëve dhe autori i këtyre rradhëve. Lajme të tjera të ububushme mbushën me të shpejtë mediat: thuajse një duzinë të ashtuquajturish biznesmenë që kapen me drogë, një ministër i maxhorancës që pasurohet me 1.8 milion euro brenda vitit dhe që, pa i bërë syri tërr, i kthehet kryetarit të opozitës dhe i thotë se është një i droguar që ka 200 apartamente të fituara me rryshfet; Prokuroria që rri e vështron yjet; vrasje, shumë vrajse; aksidente shumë asidente që i atribuohen nga policia emigrantëve të kthyer, çka tregon se s’kemi shpresë që njerëzit tanë të kthehen disi më të qytetëruar nga Perëndimi; ambasadori amerikan që ikën mandatmbaruar i qarë nga opozita dhe i përqeshur nga maxhoranca; presidenti Topi që sulmohet nga maxhoranca nuk dihet saktë se pse. E ke të vështirë të ulesh e t’i komentosh të gjitha. Por edhe sikur të ulesh e të shkruash, e çfarë pastaj? Kush e çan kokën?
Ja kjo është çështja e çështjeve për të cilën duhet shkruar dhe menduar: si të bëjmë që “këta” të çajnë kokën. Kush janë këta? Të pushtetshmit, ata që vendosin për shkatërrimin e shatërvanëve e me rradhë. Po çfarë ka ndodhur që këta s’çajnë kokën, që u duket vetja të paprekshëm. Pse s’kanë frikë? Po nga kush duhet të kenë frikë? Sigurisht jo nga gjykatësit e prokurorët se ata i kanë zgjedhur vetë? Po atëhere nga kush? Ndoshta nga shoqëria, nga opinioni. Dhe ja ku erdha tek tema që e kam për zemër: shoqëria civile si kundërpeshë e pushtetit nga e cila duhet të ketë frikë pushteti më shumë se nga çdo gjë edhe pasi ajo nuk zgjidhet nga “ata” apo “këta”.
Mirëpo kur ne bëmë protestën e shatërvanit Drejtori i Institutit të Monumenteve tha: këta janë të krahut tjetër, ku ishin këta kur Rama prishi lulishten prapa Skenderbeut? Disa të tjerë ngulmuan se na kishte nxjerrë Sali Berisha kundër Edi Ramës. Të tjerë u ngritën e thanë: këta po protestojnë sepse atje, te shatërvani, nuk janë interesat e ndonjë të forti që ndërton se, përndryshe, nuk do të kishin bërë zë. Reagime që tregojnë për nivelin e mosbesimit ndaj shoqërisë civile që i bashkohet mosbesimit ndaj institucioneve të tjera; dhe s’ke se si të mos mendohesh kur ke parasysh se çfarë ka ndodhur.
Ka kaluar një e treta e kohës (60 vjet) që parashikonte Ralf Darhedorfi për ndërtimin e shoqërisë civile në vendet ish komuniste (“Letër një miku çekosllovak” (1989)). Ku është shoqëria civile sot në Shqipëri? A kanë mbijetuar dot ndoca nga fidanet që u mbollën në vitet 90 nga perëndimorët, a kanë lëshuar ndonjë degë të tyren, a ka filluar të lindë ndonjë gjë nga vetë trualli shqiptar? Përgjigja ndaj këtyre pyetjeve, sipas mendimit tim, është “jo”. Pas njëzet vjetësh ne meritojmë të flitet për shkretëtirën e shoqërisë civile ku dallohen ca oaze OJQ-sh të sponsorizuara nga të huajt që janë si ato ekonomitë e mbyllura brenda familjes, që prodhojnë sa për të ngrënë vetë.
Nëse do të bënim pak historik do të na duhet të themi se shoqëria civile tentoi të ndërtohet në Shqipëri në vitet 92 – 97 si kunderpeshë e pushtetit, si kontrollues i tij, kryesisht me ndihma perëndimore apo, më saktë, ekskluzivisht. Roli i saj ishte goxha emancipues në ato vite, por fatkeqësisht ajo u njesua shumë me opozitën e asaj kohe në luftë me autoritarizmin e pushtetit të Berishës, çka bëri që të mos dallohej saktë se ku mbaronte njëra dhe ku fillonte tjetra. Pas ardhjes së socialistëve në pushtet kjo lidhje ndikoi që pushtatërët e rinj ta trajtojnë shoqërinë civile si partnere të tyre e, nga ana tjetër, për shak të interesave, një pjesë e mirë e njerëzve të shoqërisë civile u lidhën më lehtë kësisoj me pushtetin. Krahas kësaj ndodhi edhe një fenomen tjetër, si faqja tjetër e medaljes. Shumë intelektualë, gazetarë e njerëz publikë që mbijetonin me paratë e donatorëve, çka do të thotë se edhe mund të bënin kundërpeshën ndaj pushtetit, sepse ishin të pavarur ekonomikisht prej tij, pas vitit 1997, me lulëzimin e oligarëve që filluan të hapin gazeta e televizione private nisën të punësohen atje dhe, gjithnjë e më pak punonin për të bërë kundërpeshën e pushtetit/eve, për të implementuar institucionet demokratike, për të futur ide të reja, e gjithnjë e më shumë për interesat e këtyre pronarëve të rinj që, nga ana tjetër, kishin lidhje të ngushta me politikën, për të mos thënë që shumë shpejt e kapën atë. Shumë ish pjestarë të shoqërisë civile të asaj kohe, pra, i pamë të fillojnë punë o në politikë o në këto media. Ndërkaq edhe shumë fondacione të tilla si Soros ndërruan projekt: filluan të mos investojnë më për të inkurajuar shoqërinë civile si watch dog apo si kundërpeshë e pushtetit, por për të forcuar administratën e pushtetarëve socialistë mes tjerash edhe nëpërmjet të ashtuquajturit brain gain (kthim i trurit) në Shqipëri.
Për mua – e kam thënë që në atë kohë dhe e përsëris edhe tani – ky ka qenë korruptim i shoqërisë civile të posalindur pasojat e rënda të të cilit sot duken qartazi. Sikur politikanët ta kishin respektuar shoqërinë civile në rolin e saj të viteve 92- 97 dhe donatorët të kishin vazhduar të investonin në këtë vizion të saj dhe, çka është më kryesorja, sikur pjestarët e shoqërisë civile të kishin ngulmuar në vazhdimin e rolit të tyre si kundërpeshë e pushtetit besoj se shumë gjëra do të kishin rrjedhur ndryshe përsa i përket demokracisë e sot nuk do të ishim në këtë derehxhe.
Dikush do të më kujtojë se donatorët provuan edhe në një moment të dytë, në fillimvitet 2000, për të inkurajuar shoqërisë civile si kundërpeshë e pushtetit me lëvizjen Mjaft. Sipas meje asnjëherë nuk u morr vesh qartë nëse ishte kështu apo lindja e Mjaftit u përdor në kuadrin e një lobingu që u bë për të përkrahur pushtetarin e ri Edi Rama që, ashtu si gjeorgjiani Shakazhvili, iu shit perëndimorëve si shpresa e vendit për një politikë ndryshe nga ajo e politikanëve të vjetër. Mënyra se si bëri kundërpeshë Velia me shokë, duke akuzuar vetëm Berishën dhe Nanon pa thënë asnjë herë ndonjë fjalë për pushtetarin me moshë më të re, por me mendësi po aq të vjetër Rama (për këtë mjafton të shohësh se si e trajton edhe sot e kësaj dite median ky: i ul gazetarët në të njëtën tryezë që drejton vetë sikur t’i ketë pjesëtarë të kabinetit të tij; duke i mikluar kështu me idenë se po ndan pushtetin me ta) pastaj transformimi i Mjaftit në G99 e pastaj shkrirja e tij me PS provoi këtë të dytën.

Sot është shumë e vështirë të gjesh një shoqëri civile që të ngrerë çëshje parimore mbi të cilën të mos bjerë akuza apo mosbesimi i thellë se ajo po instrumentalizohet nga njëri krah ose nga krahu tjetër çka, tek e fundit, është njëlloj sikur ta asgjësosh shoqërinë civile sepse, po qe se ajo konsiderohet si levë e partisë/ve atëhere njerëzit më mirë dëgjojnë direkt dorën e partisë/ve.
Rasti i reagimeve që përmenda në krye të shkrimit ndaj protestës së shatërvanit tregoi tërë këtë mosbesim. Por, nga ana tjetër, konstatova se ajo protestë ngjalli edhe shpresë sepse, tek një pjesë, u duk se u bë diçka që nuk po dinin ta vendosnin në shërbim të njërit apo tjetrit pushtet, pra ngjalli shpresën se në këtë vend mund të ndodhë edhe ndonjë diçka që bëhet për interesin e të gjithëve dhe jo për pushtetin dhe paranë e njërës apo tjetrës palë. Nga komentet pozitive që dëgjova m’u përforcua bindja se një numër jo i vogël njerëzish me mend kanë arritur në përfundimin se cikli i kësaj klase politike e i kësaj kategorie intelektualësh e gazetarësh, që kanë mbizotëruar skenën publike këto njëzet vjetë, është mbyllur dhe se duhet filluar një diçka e re?
E kam vështirë të them një propozim që të mos duket idealist apo jorealist për një fillim të ri në Shqipëri. Por do të thoja se, nëse bëhet fjalë për fillim, ky nuk do të ishte “pushteti ndryshe”, por shoqëria civile ndryshe. Çka do të thotë një shoqëri civile që heq dorë nga partneriteti me pushtetin e maxhorancës apo opozitës dhe bën kundërpeshën dhe kontrollorin e tyre, një shoqëri civile që pushtetet nuk mund ta akuzojnë se po bën lojën e kundërshtarit duke e diskredituar dhe njëherësh duke u mbrojtur kështu nga sulmet e saj që mund të jenë të drejta. Një shoqëri civile të tillë, ndryshe nga kjo që kemi pra, jam i bindur se pushteti do të fillonte ta kishte frikë dhe kjo do të lindte herët ose vonë edhe një pushtet ndryshe. (Panorama, 30 korrik 2010)

Jemi apo jo më të lumtur se dje

Tema e shkrimit "Trashëgimia kulturore - kur mirëpasja shkatërron mirëqenien" (Panorama, 14 korrik) ka ngjallur reagime tek një numër lexuesish, që e kundërshtojnë thelbin e shkrimit, pasi kanë një prirje për të njohur gjithsesi zhvillimin i cili, sipas tyre, tek shqiptarët që dolën nga komunizmi, do të përqendrohej natyrshëm tek mirëpasja. Ndaj pyetjes: a janë shqiptarët gjithnjë e më të kënaqur nga jeta sot se në të kaluarën, ata përgjigjen “po” dhe gati nuk duan diskutime. Në fakt, diskutimi vjen e komplikohet edhe pasi e kaluara që merret si pikë referimi, për disa mbetet e kaluara komuniste, për të tjerë viti '97, të cilin një pjesë e quajnë "viti zero" dhe, kur ke parasysh këto dy momente, vështirë të thuash se sot shqiptarët ndjehen më keq. Ngulmoj gjithsesi se tema që kam prekur është e një rëndësie të madhe përtej krahasimeve me komunizmin apo vitin '97 dhe po ashtu përtej grindjeve të politikës (nëse ka krizë ekonomike apo jo e kush është fajtori), pasi ka të bëjë me prirjen për kah po shkon ekonomia jonë, me sistemin e vlerave që po kultivohen, me kulturën që po përcakton indin shoqëror të këtij vendi.
Atyre që ekzaltojnë progresin në krahasim me të kaluarën, duke përmendur infrastrukturën rrugore më të mirë apo strehimin e të tjera si këto që, tek e fundit, futen tek rritja e GDP për kokë, u kujtoj se matja me të kaluarën është edhe ajo komplekse dhe nuk mund të thuash se gjithmonë ka pasur një lloj zhvillimi që, edhe kur ka qenë i ngadaltë dhe plot vështirësi, ka qenë prapseprap hap përpara. Ja psh. në kohën e Hoxhës kishte një pikë referimi vitit 1939 dhe matej progresi në prodhime bujqësore e industriale e në numër shkollash e spitalesh, në krahasim me këtë vit, por, nga ana tjetër, njerëzit jetonin në një sistem që i bënte të ndjeheshin gjithnjë e më keq. Po ashtu, krahasimet nuk bëhen vetëm me të kaluarën, por edhe me pritshmërinë, edhe me gjykimin që kemi se ku po shkojmë a jemi pra në një rrugë premtuese, apo jemi futur në një tunel që bëhet gjithnjë e më i errët? Gjithsesi, çfarë kam dashur të shtroj është propozimi që të fillojmë edhe ne ta shohim me sy kritik idenë tejet të përhapur e me të cilën manipulohet shumë, se mirëpasja është baraz me mirëqenien pasi edhe në botën që kemi si pikë referimi vërehet se mirëpasja ka shkatërruar shumëçka nga ajo që quhet mirëqenie, kurse tek ne pasojat e këtij fenomeni janë dukshëm më katastrofike dhe jo vetëm përsa i përket trashëgimisë kulturore.
Në fakt shkencat sociale, por edhe ato ekonomike, ka kohë që merren me atë që mund të quhet lumturia e njeriut. Libri që kam përmendur në shkrimin paraardhës "Manifesto per la felicita. Come passare dalla societa del ben-avere a quella del ben-esere" (Manifest për lumturinë. Si të kalojmë nga shoqëria e mirë - pasjes në atë të mirë - qenies" (Stefano Bartolini, Donzeli Editore, Roma 2010) bazohet kryesisht mbi studime të realitetit amerikan. Përsa i përket lumturisë së amerikanëve, autori thekson katër faktorë të rëndësishëm që përcaktojnë të qenurit më i lumtur, apo më pak i lumtur. I pari është rritja e mirëpasjes - e cila në SHBA gjatë dekadave të fundit ka qenë në rritje. Po të tjerët, cilat janë? Vijon faktori që në shkrimin para këtij e kam quajtur "e mira relacionale", që bën pjesë në një koncept më të gjerë, që në shkencat shoqërore quhet "kapitali shoqëror" që janë lidhjet jo ekonomike të njeriut. E duket se në SHBA, në dekadat e fundit kurba e këtij faktori të lumturisë ka rënë. Së dyti, një faktor i rëndësishëm, edhe ai pjesë e kapitalit shoqëror, është besimi në institucionet. Edhe kurba e këtij faktori është në rënie tridhjetë vitet e fundit në SHBA. Besimi në institucione të tilla si Qeveria, Parlamenti, shtypi, televizioni, Kisha, shkolla, shkenca, mjekësia bankat, ndërmarrjet e mëdha, ka rënë. Ka mbetur po në të njëjtin nivel besimi në Gjykatën e Lartë dhe është rritur ai në forcat e ushtrisë. Së treti, është në rënie edhe kurba e atij faktori që quhet "krahasimi i gjendjes shoqërore": krahasimi me një grup të caktuar njerëzish që amerikani i mesëm i respekton dhe të cilëve synon t'u ngjasë. Këta persona, që quhen grupe referimi, përcaktojnë standardin e konsumit që amerikani aspiron të ketë dhe që, në një farë mënyre, konsiderohet si një nevojë. Edhe në këtë aspekt, amerikani ndjehet më pak i lumtur se më parë sepse polarizimi në shoqërinë amerikane ka ardhur në rritje. Pra, edhe nëse ka më shumë se dje, atij i duket se ka më pak sepse ata me të cilët ai krahasohet kanë më shumë.
Kur flitet për të mirat që masin këto tre kurba, studiuesit prej kohësh kanë tentuar të kalkulojnë edhe në terma monetare, vlerën e disa faktorëve që e bëjnë jetën më të lumtur apo më pak të lumtur. Për shembull, të jetuarit në një ambient ku tjetri/fqinji perceptohet si i ndershëm e solidar, apo i pandershëm dhe josolidar, bën një diferencë jo të vogël. Ata që jetojnë në një ambient ku ndjehen të rrethuar me njerëz/fqinj të ndershëm dhe solidarë janë më të lumtur sesa ata që jetojnë në një ambient të kundërt me këtë. Dhe për të arritur nivelin e lumturisë së të parëve, këtyre të dytëve u duhet të shpenzojnë më shumë. Kur ke fqinj të ndershëm, nuk ke nevojë të vesh kamera survejimi apo të ngresh mure a ku di unë, apo edhe të ndërrosh shtëpi. Kur ke fqinj solidarë psh. mund t'ua lesh fëmijën atyre pa merak e të bësh diçka tjetër, kurse kur nuk ke të tillë duhet të paguash baby siter. E njëjta gjë, kur je sipërmarrës në një ndërmarrje me punëtorë të cilëve u beson apo jo. E pra ekonomistët e lumturisë kanë kalkuluar se një amerikani të mesëm, që jeton në një vend ku nuk ndjehet i rrethuar me njerëz të ndershëm dhe solidarë, i duhet të shpenzojë (mesatarisht) disa dhjetëra mijë dollarë më shumë në vit, për të arritur nivelin e lumturisë së atij që jeton në një ambient me njerëz të ndershëm dhe solidarë. Po kështu edhe pasja ose mospasja relacione të mira familjare, shoqërore krijon diferenca në koston e jetës.
Rezultantja e kurbave të sipërpërmendura tregon që amerikani ndjehet më pak i lumtur se tridhjetë vjet më parë. Pra, rritja e kurbës së GDP për kokë, nuk ka krijuar më shumë lumturi, por më pak, mu pasi ajo është e lidhur me shkatërrimin e atyre të mirave që pasqyrojnë kurbat e tjera, që janë të rëndësishme për perceptimin e mirëqenies dhe, çka është më e keqja, sipas studimeve del se, në një rreth vicioz, këto mungesa stimulojnë, si nevojë kompensimi, rritje të mëtejshme të GDP dhe kjo rritje thellon këto mungesa.
Shpresoj se nuk e lodha lexuesin me këto të dhëna që i referohen një realiteti tjetër, por gjykoj se ato janë edhe universale dhe madje shumë të prekshme, kur analizojmë realitetin shqiptar. Aq më tepër po të kemi parasysh se prirja për t'iu referuar modelit amerikan, si më të përsosurit, është shumë e fortë tek ne.
Besoj se të gjithë jemi dakord se kurba e mirëpasjes, pra e GDP për kokë, është ngjitur lart në Shqipëri, edhe pse sipas meje në sajë të një ekonomie të paqëndrueshme dhe shpesh kriminale - çka duhet llogaritur mirë. Por nëse flasim për atë që mund t'i quanim kurba e të mirave relacionale, ajo e besimit në institucionet, ajo e perceptimit që kemi për veten, kur bëjmë krahasimin me ata që quhen pika referimi, apo edhe ajo e besimit se jemi të rrethuar me njerëz të ndershëm e solidarë apo jo, besoj se janë kokëposhtë dhe rezultantja e të gjithave, sipas meje, del kokëposhtë. Sigurisht dikush do të ngrejë pyetjen se ku do ta nisim pikën e fillimit të kurbave, duke bërë vërejtjen se po të marrim si pikë referimi kohën e Hoxhës, kur besimi në institucionet psh. ishte zero, ku marrëdhëniet midis njerëzve ishin të helmuara nga frika dhe një mosbesim i thellë i kallur nga Sigurimi etj. kurbat gjithsesi janë në ngjitje. Edhe unë besoj se është kështu, ndonëse një studim i detajuar mund të nxirrte të dhëna edhe kontradiktore, sikur të merreshin në analizë disa aspekte si psh. ato të marrëdhënieve shoqërore midis njerëzve të thjeshtë, që ndoshta nuk kanë qenë kaq të helmuara sa sot, të një lloj barazie që ekzistonte midis tyre, faktin se disa institucione si shkolla apo mjekësia ndoshta gëzonin më shumë besim se sot, se shumë gjëra që asokohe i kishim gratis, që nga ajri i pastër dhe uji i rrjedhshëm i pijshëm e deri te fushat e sportit, sot duhen blerë me para apo duke llogaritur edhe faktin se numri i të vdekurve nga shkaqe jo natyrore dmth. të tilla si mbytjet në kalimin e detit për të emigruar, ato nga shpërthimi i piramidave në vitin 1997, nga kriminaliteti është shumë herë më i madh sesa vdekje të tilla në regjimin diktatorial duke përfshirë edhe pushkatimet. Megjithatë, them se vlen të marrim si pikë referimi, jo komunizmin, por momentin kur u ndërrua regjimi, ato vite të para pas 90-tës me një fjalë. Po të ndjekim ecurinë e kurbave të sipërpërmendura, ç'prej asaj kohe përveç asaj të GDP për kokë të tjerat i shoh në rënie dhe ç'është më e keqja, sipas meje, prirja është edhe për më teposhtë. Kurbën e së mirës relacionale e shoh të komprometuar rëndë. Sot vështirë të gjesh jetë sociale të shëndoshë, qoftë edhe miqësira të shëndosha e të sinqerta. Shumëkushi mund të ketë sot shtëpira të bukura e të shtrenjta, por ka pak, në mos aspak, miq të sinqertë për t'i ftuar në to, qoftë edhe për arsyen se pasuria sot mbahet e fshehur pasi nuk deklarohet dot se si është vënë. Përsa i përket kurbës së besimit në institucionet besoj se është e tepërt të flasim: Qeveria, Parlamenti, maxhoranca, opozita, Presidenti, gjykatat, policia, ndërmarrjet e mëdha, shtypi, televizioni, shkolla, shkenca, mjekësia, nuk di se cili është sadopak më i besuar se tjetri. Korrupsioni kapilar ka prishur çdo besim. Le pastaj nëse i kthehemi atyre që i quajtëm grupe referimi, me të cilët shqiptari i mesëm kërkon të krahasohet për t'u bërë si ata sepse i sheh në gazeta, televizione, në revista vipash, apo majë vilash apo makinash, që janë edhe ato status simbol. Këtu tabloja është mëse depresive sepse të pasuruarit në Shqipëri brenda njëzet vjetësh ia kalojën në pasuri edhe atyre që në Perëndim janë pasuruar me breza. Por bëhet edhe më depresive, pasi shqiptarit që kërkon të krahasohet me ta i del se, në më të shumtën e rasteve, pasurimi i tyre nuk i ka sjellë ndonjë dobi shoqërisë pra edhe atij por buron, o nga lidhjet korruptive me institucionet tek të cilët ai duhet të ketë besim, o nga aktivitete të tjera edhe më kriminale e se, për të nuk ka shans të bëhet si ata, përveçse duke humbur ndershmërinë. Dhe krahasimi bëhet i rëndë, pasi shkon deri te fëmijët sepse fëmijët e këtyre modeleve shkojnë në shkolla të mira, ngasin makina të shtrenjta, shkojnë me pushime jashtë shtetit etj. Ndërkaq, përsa i përket gjetjes së hapësirave ku të ndjehet i rrethuar me njerëz të ndershëm dhe solidarë, ky është një luks prej të cilit shqiptari duket se ka hequr dorë me kohë. Maksimumi që kërkon është të kenë afër njerëz që s'i bien në qafë ditë përditë. Por edhe kjo është e pamundur sepse i gjithë ambienti ku ndërtohen marrëdhëniet midis njerëzve, qoftë ai i kohës së lirë, qoftë ai i punës, është ndërtuar në mënyrë të tillë që çdokush, për të hapur rrugën e tij, duhet t'i bjerë në qafë tjetrit/fqinjit/kolegut. Mungesa e respektit për tjetrin është normë mbijetese në Shqipërinë e ditëve të sotme. Nuk po zgjatem më shembuj e ilustrime sepse jam i bindur që këtë aspekt shqiptarët e kuptojnë mirë. Meqenëse jemi në verë, po ju kujtoj ata dasmorët që s'e kanë për gjë t'i prishin qetësinë një lagjeje të tërë me festën e tyre muzikore, apo ata pronarët e diskove në natyrë të hapur, që shkatërrojnë me decibelët e tyre, pa iu bërë syri tërr, kilometra të tëra katrorë gjumë.
Ky shkrim nuk bazohet në të dhënat e ndonjë instituti kërkimor i shkencave sociale apo ekonomike në Shqipëri dhe prandaj nuk ka pretendimin se po thotë, lidhur me palumturinë e shqiptarëve, gjëra të vërtetuara edhe nga kërkime shkencore në terren. Do të ishte mirë të fillonim të kishim edhe të tillë. Ai mund të ketë pasaktësitë e veta që vijnë nga mungesa e këtyre të dhënave, por edhe nga thjeshtëzimi teorik, edhe nga moscekja e mjaft faktorëve të tjerë që ndikojnë në të ndjerët e njeriut më pak a më shumë i lumtur. Por ai tenton t'i japë përgjigje, sigurisht jo shteruese, një perceptimi që e shoh mjaft të përhapur në një kategori jo të vogël njerëzish, që ndonëse kanë më shumë se dje, janë më të palumtur se dje, e të ngacmojë imagjinatën (përtej luftërave politike) për të ndryshuar diçka në vizionin tonë për zhvillimin si mirëqenie. (Panorama, 21 korrik 2010)